SAKRIFICA DHE HERONJ (V)

urdhri i Shen Luigjit

Kush e ka lexuar Vitin 93 të Hugo-it, do ta mbajë mend se çfarë ndodhi në korvetën “Claymore”, pasi hipi atje markezi Lantenac. Një prej topave nën kuvertë (një carronade) u shkëput prej zinxhirëve që e mbanin të mbërthyer në pozicion, dhe zuri të rrokullisej kuturu nën kuvertë, duke shkatërruar gjithë ç’i dilte përpara, sipas një logjike të diktuar nga kaosi i elementeve përjashta: detit, erës, dallgëve.

Shtazë e mbinatyrshme, e quan Hugo-i. Makinë e shndërruar në përbindësh. Dash i bronxtë që i vërvitet murit të drunjtë, për ta shkallmuar tej e tej. Materje që shijon papritmas lirinë, skllav i përjetshëm që nis të marrë shpagë. Kërcimtar si pantera, i rëndë si elefanti, i zhdërvjelltë si miu.

Ç’të bësh me këtë monstër, pyet Hugo-i. Pitbull-in mund ta marrësh me të mirë, demin ta hutosh, boan ta magjepsësh, tigrin ta frikësosh, luanit t’ia zbutësh zemrën – por asgjë e tillë nuk ka vlerë me ezhdërhanë e lëshuar në bark të anijes.

Nuk e vret dot, sepse është i vdekur; por njëkohësisht jeton. Jeton atë jetë të mbrapshtë, që i vjen nga pafundësia. E vë në lëvizje anija, të cilën e vë në lëvizje deti, të cilin e vë në lëvizje era. Ky shfarosës, nuk është veçse një lodër. Në duar të anijes, të valëve, të shkulmeve të erës.

Rrufe e robëruar në bark të anijes, e quan Hugo-i. Tormentum belli, makinë luftarake.

Kjo bishë e tërbuar prej metali e lëshuar hergjele në botën e rregullt e kompakte të një luftanijeje ndoshta vlen si metaforë për revolucionin frëng të cilin e rrëfen romani; ndoshta për shpirtin e lirisë që rebelohet ndaj zinxhirëve të rregullit e të ligjit; ndaj hierarkive dhe urdhërave; madje edhe ndaj destinimit të saj, që e bart si mallkim në formën dhënë prej duarve të krijuesit.

Kundër kësaj force të verbër Hugo-i vë një topçi, që rreket ta ndalë e ta bllokojë; një toreador të metalit, valltar nga tmerri jo dëshira, akrobat të fatalitetit; dhe pikërisht fajtorin për këtë katastrofë, që për një pakujdesi të çfarëdoshme, e kish harruar egërsirën të pasiguruar mirë në kafaz. Vis et vir e quan shkrimtari dyluftimin vigan, verbëri dhe arsye, forcë dhe shpirt burrëror.

Më në fund, falë edhe një ndërhyrje vendimtare të të mistershmit Lantenac, që e interpreton fatin e vet si violinisti sonatën e Bach-ut, njeriu fiton: thnegla, shkruan Hugo-i, ngadhënjen ndaj mastodontit, xhuxhi e zë rob bubullimën.

Në mes të kësaj katrahure të qetësuar, markezi ia heq kapitenit të anijes nga gjoksi Kryqin e Shën Luigjit, për t’ia lidhur në bluzë marinarit.

Marinarët e tjerë brohoritën.

Pastaj markezi dha një urdhër të dytë:

“Pushkatojeni këtë njeri.”

Sepse për faj të pakujdesisë së këtij anonimi, të këtij aksidenti të qenies, të kësaj grimce pluhuri në shpinë të librit të historisë, korveta që transportonte Lantenac-un nuk vlente më si anije lufte; e gjymtuar në rropullitë e veta nga dëmet që kish shkaktuar topi nën kuvertë, mezi arrinte të mbahej mbi ujë, jo më t’i bënte ballë flotës armike.

Moment i paharruar i leximeve të kujtdo prej nesh, një nga arsyet pse e duam letërsinë, ndoshta pse jetojmë.

Interpretuesi do të dallojë së paku tre heronj në këtë rrëfenjë primordiale: markezin Lantenac, i cili dëshmon atë natyrë prej çeliku të paepur, të nevojshme për t’i prirë rebelimit kundër-revolucionar; topçiun që ia doli të ndalë tërbimin e natyrës, për të shpëtuar anijen, jetët e marinarëve dhe misionin e markezit vetë; topin që, në harbimin e vet total, mishëron lirinë ekstatike të një shpirti rebel, pothuajse nietzschean, që i ka këputur tashmë zinxhirët; të gjithë zinxhirët.

Ja pra, çfarë u bëjmë heronjve ndonjëherë, madje shpesh herë: u shprehim mirënjohjen, i adhurojmë si të ishin gjysmë-perëndi, i brohorasim të mahnitur nga madhështia dhe virtyti i tyre, i mbulojmë me lule dhe poema, u këndojmë bëmat në bankete të mëdha shtetërore; por edhe i heqim pastaj qafe jo duke i vrarë në fushë të betejës, as duke i djegur solemnisht në turrë të druve, por me një akt që ndoshta e meriton të damkoset si më anti-heroiku e burracaku i të gjithëve – pushkatimi; më anti-burrërori, sa kohë që të pushkatuarve nuk u lejohet as më i vogli gjest rebelimi ndaj aktit që do t’ua marrë jetën.

Mediokriteti i falet perëndisë së rregullit; shpatës i kundërvë presjen.

A nuk i kërcënon vallë gjithnjë heroi pushtetet, hierarkitë dhe privilegjet e vetvetishme?

Shënim: Fragmentet e përkthyera lirshëm prej romanit të Hugo-it janë të miat; për fat të keq, kam në dorë vetëm origjinalin, jo shqipërimin mjeshtëror të Misto Treskës.

1 Koment

  1. Në Shqipërinë e para ’90 jo pak veta e kishin dëgjuar historinë e Zaporozhianve, ndërsa brezi i ri nuk besoj të ketë dëgjuar për ta pasi kjo histori vjen nga vendet e perandorisë së përënduar Sovjetike. Personalisht e kam shumë për zemër historinë e tyre pasi heroizmi i çartur i atyre njerëzve gërshetuar me humorin grotesk më kujton njerëzit e trevës sime.

    Historia shkurt; Sulltan Mehmeti i II, i dërgon një letër Kozakëve të Zaporozhian dhe ju kërkon të nënshtrohen. Ata mbasi marrin letrën mblidhen http://en.wikipedia.org/wiki/File:Repin_Cossacks.jpg dhe i shkruan këtë përgjigje:

    You, turkish devil and damned devil’s brother and friend, secretary to Lucifer himself. What the devil kind of knight are you, that can’t slay a hedgehog with your naked arse? The devil shits, and your army eats. You will not, you son of a bitch, make subjects of Christian sons; we’ve no fear of your army, by land and by sea we will battle with thee, fuck your mother.
    You Babylonian scullion, Macedonian wheelwright, brewer of Jerusalem, goat-fucker of Alexandria, swineherd of Greater and Lesser Egypt, Armenian pig, Podolian villain, catamite of Tartary, hangman of Kamyanets, and fool of all the world and underworld, an idiot before God, grandson of the Serpent, and the crick in our dick. Pig’s snout, mare’s arse, slaughterhouse cur, unchristened brow, screw your own mother!
    So the Zaporozhians declare, you lowlife. You won’t even be herding Christian pigs. Now we’ll conclude, for we don’t know the date and don’t own a calendar; the moon’s in the sky, the year in the book, the day’s the same over here as it is over there; for this kiss our arse!

    Përkthimi im;
    Ti djall turk, vlla dhe shok i djallit të mallkuar, shërbëtor i luçiferit. Çfare mut fisniku je ti që asnjë iriq nuk shtyp dot me bythën zbuluar? Djalli dhjet dhe ushtria juaj ha. Ti o bir i kurvës s’ke per ti nënshtruar kurrë bijtë e kristianëve; ne nuk i trembemi ushtrisë tënde dhe nga toka e nga deti do të luftojmë me ty, o të qiftë derri nënën.
    Ti skllav babilonas, karroxhi Maqedonas, birraxhi i Jeruzalemit, dhiar i Alksandrisë, derraxhi i Egjyptit të sipërm dhe të poshtëm, derr Armenian, ndyrësira e Podilianit, bythqiri i Tartarisë, xhelati i Kamyanetes, çmëndallaku i gjithë botës dhe nënbotës, debil dhe stërnip i gjalprit që dhe nënën tënde shkërdhen.
    Zaporozhianët të deklarojnë ty o kokgdhë, se kurrë nuk ke për të kullotur derrat kristianë. Dhe tani për ta mbyllur, sepse s’kemi as kalendar dhe s’dimë as datën; Hëna është në qiell, viti është në libër dhe dita është e njëjtë si këtu dhe atje; prandaj na puth bythen!
    ….

    Nuk duhet shumë mend për të kuptuar se çfarë u bëri më pas Sulltan Mehmeti II Zaporozhianëve……

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin