SAKRIFICA DHE HERONJ (IV)

Marrëdhëniet e heroit me opinionin publik janë të tilla që parakuptojnë feedback të dyanshëm. Tradicionalisht, këto marrëdhënie shtjelloheshin pak a shumë në mënyrë të vetvetishme, meqë narrativat qarkullonin gojë më gojë, ose shumë ngadalë, madje edhe kur manipuloheshin nga institucionet (p.sh. kisha) dhe elitat.

Kështu shpjegohet edhe, ndër të tjera, harrimi i Skënderbeut nga shqiptarët e shekujve të mëpasmë; sa kohë që, si narrativë, skënderbejada u mbart kryesisht në Italinë e Veriut dhe atje u shua së bashku me arbërorët që e kishin çuar; ndërsa gjetiu mbijetoi vetëm në trajta rudimentare. Siç dihet, statusin e Skënderbeut si hero kombëtar të shqiptarëve sot ia detyrojmë Rilindjes Kombëtare – që me arbëreshët, e më tej me Naim Frashërin dhe Fan Nolin.

Rilindësve iu desh shumë kohë dhe mund për ta ripërtërirë narrativën; kryesisht nëpërmjet teksteve të shkruara, dhe konkretisht poemave epike; kjo kushtëzohej nga analfabetizmi pothuajse i plotë i popullsisë shqiptare dhe nga niveli i pamjaftueshëm i lëvrimit të shqipes dhe kulturës shqiptare. “Historia e Skënderbeut” e Naim Frashërit qarkulloi e mësuar përmendsh, në trajta pothuajse folklorike; njëlloj siç do të qarkullonte më pas “Lahuta e Malsisë” e Gjergj Fishtës.

Në shoqëritë tradicionale, të sunduara nga oraliteti (kultura gojore) dhe me hierarki të qëndrueshme, heronjtë konstituoheshin pothuajse gjithnjë si ikona të komunitetit, të fisit, të krahinës, të kombësisë, të fesë e më pas edhe të kombit. Tabloja ka ndryshuar në shoqëritë moderne, për shkak të teknologjisë së mass mediave.

Këtë e ilustron më së miri farsa e “heronjve” të sajuar nga mass mediat amerikane, gjatë periudhës së luftës në Irak. Narrativat që iu bashkëlidhën dy prej këtyre heronjve, Jessica Lynch-it dhe Pat Tillman-it, rezultuan më pas jo vetëm të gënjeshtërta, por edhe produkt i një propagande që deri dje amerikanët e lëçitur ishin mësuar ta identifikonin me romanin “1984” të Orwell-it.

Kontrasti midis narrativave që iu servirën publikut sylesh dhe të vërtetës që doli në shesh më pas shërben edhe për të kuptuar se çfarë përçudnimi i kanë bërë mass mediat marrëdhënieve midis heronjve dhe opinionit publik, të cilat përndryshe luajnë rol themelor në konstituimin e vetëdijes qytetare, komunitare dhe kombëtare. Më duket e kotë të shtoj që elitat në pushtet tashmë i përdorin mediat për të krijuar heronj në pajtim me synimet, strategjitë dhe vullnetin e tyre për të ruajtur hegjemoninë.

Neve që kemi përjetuar totalitarizmin në Shqipëri kjo nuk na habit asfare – veçanërisht po të kujtojmë vitet tashmë të largëta 1960, kur heronjtë i duheshin klikës në pushtet për të përshpejtuar proceset e shkatërrimit të strukturave sociale tradicionale në vend. Tipik, në këtë kontekst, ishte shenjtërimi i një vajze të thjeshtë e të mitur nga malësia, Shkurte Pal Vatës, e cila u vra aksidentalisht gjatë punimeve për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier.

Shkurta, e cila u pranua në PPSh pas vdekjes, bashkonte në vetvete vullnetarizmin, punën ndërtimtare, të renë që sfidonte të vjetrën dhe patriarkalen, femrën që afirmohej si forcë e pavarur në arenën publike, përfshirjen e Veriut të Shqipërisë në revolucionarizimin e jetës së vendit. Krahas Shkurtës, zyra e propagandës së KQ u kujdes të pompojë edhe heronj të tjerë – njerëz të thjeshtë, punëtorë e kooperativistë, që jepnin jetën në përleshje me elementet, ose për të shpëtuar pasurinë e përbashkët, etj. Për njërin prej tyre, Fuat Çelën, thuhej – në mos gabohem – se ishte në gjendje të qiste me armë në mënyrë të shkëlqyer, edhe pse i verbër; për një tjetër, Shyqyri Kanaparin, se punonte për vitin 2000.

Totalitarizmi shqiptar e kish bërë të vetin kultin e vdekjes – në kuptimin që dhënia (falja) e jetës ishte jo vetëm akti suprem i besnikërisë qytetare ndaj Partisë, por edhe akti pagëzues i heroit në sytë e opinionit publik. Kjo mendësi vijoi njëfarësoj edhe pas 1990-ës, me mënyrën si u trajtuan “pishtarët e demokracisë”, që nga Arben Broci e deri te më emblematiku, Azem Hajdari, edhe pse motivet e vrasjes së këtij të fundit ndoshta nuk kishin të bënin shumë me veprimtarinë e tij politike si tribun e misionar i demokracisë.

Vetëm pak vite më pas, një dukuri e ngjashme e fabrikimit të heronjve nga mass mediat, për qëllime të trasha propagandistike, do të ndodhte në Kosovë, gjatë kryengritjes së nisur nga UÇK-ja dhe veçanërisht më pas, kur trupat e NATO-s e dëbuan ushtrinë dhe policinë serbe nga ajo krahinë. Në një shkrim të botuar në revistën Përpjekja, n. 23, 2006, me titullin “Komandanti legjendar: ndërtimi i një master-narracioni shqiptar në Kosovën e pasluftës”, autoret Anna dhe Stephanie Schwandner-Sievers analizuan trajtimin e figurës së Adem Jasharit nga mass mediat dhe propaganda zyrtare e Prishtinës, për të ndriçuar disa aspekte të përpunimit të kombëtarizmit shqiptar në Kosovën e pasluftës.

Shkruajnë autoret:

Përfaqësimi i Adem Jasharit si komandant legjendar filloi menjëherë pas [vrasjes së tij], kur ai u shndërrua në një pikë bashkimi për rekrutët e UÇK-së në Kosovë dhe jashtë. Në fillim, kishte një konfuzion lidhur me lajmin. Duke kapitalizuar në këtë, pjesëtarët e UÇK-së përhapën fjalë mbi ikjen dhe shpëtimin e mrekullueshëm të Adem Jasharit. Ata krijuan imazhin e komandantit më të lartë se jeta dhe i ndihmuan mitit të jetës së pavdekshme të heroit, duke e lidhur atë me kryengritësin shqiptar në fillimin e shek. XX, Azem Galicën, i cili besohej se ishte gjallë edhe pas vdekjes së tij aktuale. Besarta ofroi dëshminë e vetme të këtyre ngjarjeve, të cilat shpejt u konsoliduan si rrëfim koherent heroizmi përballë një armiku shumë më të fuqishëm. Ajo rrëfente se të gjithë Jasharët morën pjesë në betejë, përderisa ‘axha Adem’ këndonte këngë patriotike (Colvin 1998; Hamzaj and Hoti 2003: 915). Rrëfimi mbi masakrën u shërbeu si material mësuesve vendorë dhe gazetarëve, të cilët brenda natës u bënë historianë kombëtarë dhe pa humbur kohë artikuluan temat e mitit – rezistencë deri në vdekje, flijim për dashurinë ndaj atdheut dhe pavdekësi – përmes një prodhimi të pasur të rrëfimeve gojore dhe letërsisë së shkruar. Tashmë nga lajmet e hershme të shtypit, Jashari doli si ‘ndërtues i një epoke të re’ (Zëri 1998: 21), kurse ngjarjet e marsit 1998 u bënë ‘pikë kthese’ që ndryshonte kahjen e historisë nga shtypja drejt lirisë.

Unë nuk jam në gjendje të verifikoj saktësinë e këtyre raporteve dhe interpretimeve; as e kam në dorë numrin e revistës ku është botuar artikulli ku gjenden të referuara burimet përkatëse të shfrytëzuara prej autoreve; prandaj po mjaftohem vetëm të vërej që, në rastin e popullarizimit të Adem Jasharit si “komandant legjendar”, mekanizmat tradicionale të përftimit të heroit me rrugë folklorike u kooptuan dhe u shfrytëzuan nga mass mediat moderne të Prishtinës dhe elitat shqiptare në pushtet, të cilat menjëherë kapitalizuan mbi narrativën, duke ia cenuar autenticitetin.

Ndoshta kjo do të thotë edhe se, në një epokë të përcaktuar dhe të përkufizuar nga komunikimi i ndërmjetësuar – shtypi, televizioni, Interneti – është e kotë të shpresojmë në autenticitetin e heronjve që na ofrohen; në kuptimin që heronjtë e kulturës pop, si Rambo-ja, ose Jack Bauer-i torturues profesionist i serialit “24”, janë më realë dhe më të mirëfilltë sesa të tjerët, që përcillen prej mediave si të vërtetë, por që vërtetësinë ua vë në pikëpyetje pikërisht besueshmëria e sponsorëve të tyre ekzistencialë.

9 Komente

  1. Adem Jashari iu nenshtrua procesit te mitizimit te Heroit menjehere, meqe modeli Rrugova apo Adem Demaci, nuk ofronin dot atecka ishte domosdoshmeri ne ato caste.
    Duhej kapur rinia, e cila duke qene hormonale e ne kerkim te domethenies se jetes eshte edhe idealiste. Pervec kesaj nuk ekzistonte nje figure e konsoliduar qe kish kryer bema te verteta ne dem te serbeve, psh ndonje komandant qe kish korrur me ceten e tij ndonje fitore te tipit ; 10 qe shpartallojne 50 apo 100 armiq.

    Nderkaq eshte kurioze te shihet sesi, paria kosovare ( ajo prishtinake ne vecanti) qe eshte kryesisht titisto-rrugoviane (ndryshe , europianiste) e qe normalisht nuk i honeps dot ‘katundaret e Drenices’, po e propogandon duke i shtremberuar ngadale mesazhin.
    Adem Jashari i cili e konceptonte Kosoven e lire, jo si shtet me vete, por si grumbuj rrethesh a qarqesh te Shqiperise, ne propaganden titisto-rrugoviane del si Hero i Kosoves, qe dha jeten per lirine e Kosoves, qe kosovaret te gezonin ‘shtetin e tyre’, Kosova e lire, Kosova e pavarur, Kosova shtet me vete, Kosova e kosovareve.
    Nderkaq paria nacionaliste ne politike pergjithesisht hesht.

    Eshte absurde, po Adem Jashari ne vend te sherbeje si hero shqiptar, i gjithe shqiptareve, tashme ngadale jo vetem ne Shqiperi po edhe ne Kosove perceptohet si Hero i Kosoves.
    Nga Hero i Popullit (shqiptar) po kthehet ne Hero te Shtetit (te Kosoves).

    Kjo eshte e rendesishme, pasi ne150 vjetet qe lame pas, kemi ngritjen e figurave krahinore ne rang kombetar, rrefenjat krahinore ne rrefenja kombetare, folklori krahinor ne folklor kombetar, biles vete ‘Perendia’ qe ishte sinonim i Zotit ne jug, ngadale u be sinonim i Zotit ne rang kombetar.

    Pra ndersa per 150 vjet kishim nje proces marrje e dhenieje nderkrahinore, c’te mire kish nje krahine pervetesohej nga te gjithe, tashme me Adem Jasharin per here te pare kemi procesin e kundert, c’eshte kombetare behet krahinore. Pasi Adem Jashari, ideal ka pasur bashkimin e Kosoves me Shqiperine e jo krijimin e nje Kosove, pra ideali i tij gjendet lehte ne ideologjine kombetariste, cka e ben vetvetiu subjekt mbarekombetar.

    Pra me mjetet mitizuese te tradites shqiptare( kenge, rrefenja, pavdekshmeria e Trimit, hiperbola etj) u krijua nje hero kombetar e me mjetet propogandistike te parise kosovare po kthehet ne Hero Shteteror.

    Nga hero homogjenizues ne hero percares, meqe asgjekundi 2 shtete per nje komb nuk jane sinonim homogjeniteti, biles njeri prej te dyve eshte gangrene per kombin, pasi shteti edhe pse strukture pushteti, e ka ne ADN e tij, mbijetesen, e cila nenkupton mbijetesen e Parise se atij shteti. Nejse se kjo eshte teme tjeter.

    Gjithsesi, rasti i Adem Jasharit hyn ne rastet kur heroi propogandohet thjesht per ruajtjen e pushtetit.

    Megjithate heroi me i cuditshem e jeteshkurter do thoja i te gjitha koherave eshte padyshim Enver Hoxha.
    Jeta e tij si hero kombetar i shqiptareve me i madh se vete Skenderbeu , si e deklaroi Ramizi pas vdekjes se xhaxhit, zgjati vec pak vjet.

  2. Kjo do të kishte qënë arma ime e fundit në ndeshjen me Hyllinin: edhe përftimi (vetëm përftimi) i heronjve është çështje intelektualësh, që shpesh dhe ndryshe nga përftimi i disidentëve, është fabrikim.
    Por kjo më dukej më pak interesante për ta thënë se sa kjo tjetra:
    Heroi Kombëtar, ndryshe nga të gjithë heronjtë e tjerë, e respektivisht: heroi me kundërheroin, jeta, rilindja, ringjallja me vdekjen, davidi me d te vocël me Goliathin, e mira me të keqen, etj, lufton kundër Heroit Kombëtar. Jeta lufton jetën.
    Duhet një V të shkruash për këto, ndaj po ndalem vetëm në diçka që nuk e shkrova me kohë. Gjergj Fishta, në Lahutën e Malsisë, është i pari që e vëren dhe përshkruan kësilloj ndeshjeje mes heronjve; me gjuhën e socrealistëve i bie të jetë ai i pari e jo dikush tjetër që ka vënë në krye të veprës heroin “negativ”. Por ç’ndodh kur ndeshet një hero shqiptar me një hero malazez? Fishta përdor një jo-dhe-aq-artificë; por duket sheshit se ai ka kuptuar atëhere atë që bënë europianët më pas. Për këtë ai jo vetëm duhet studiuar në shkolla, por i duhet lënë kapitull më vete. Atë në do, mund ta quash të vonuar në rrëfimin epik të një narrative kombëtariste, por duhet ta quash prijëtar në rrëfimin epik të dy narrativave kombëtariste brenda të njëjtës vepre. Në pjesën e trilluar të veprës ai është vazhdues i traditës së luftës mes të mirës dhe të keqes; por në pjesën reale, jetësore të veprës, aty ku flitet me emra të përveçëm, ku jeta lufton me jetën, heroi (kombëtar) me heroin (kombëtar), ai ndal dhe flet ndryshe…
    E siç thotë populli: për ta dashur mos e duaj por kapitullin ja ruaj.

  3. CD, Fishta nuk eshte edhe aq atipik, sa duket ne rreshtat e tu.
    Tek Lahuta duket qarte qe Fishta eshte ndikuar nga rrefimi homerik e nga Eposi, biles vete Fishta e ka konceptuar vepren si vazhdim i Eposit, aq sa ka prova se lahutare te ndryshem i kane kenduar vargjet e Lahutes, me bindjen se ishin te ciklit te kreshnikeve.

    Modeli serb i epikes, eshte tipik moral, lufta e se mires absolute kunder te keqes absolute e ne pjesen kulmore, beteja e Kosoves, e keqja absolute fiton.
    Do thoja se nje model i tille (mjaft i perhapur) synon te nxise hakmarrjen ne degjuesin.

    Modeli homerik, Cikli e Fishta, nuk kane thjesht qellimin moral i cili legjitimon heroin, ato perqendrohen jashte mase edhe tek vlera e bemes, trimeria e madhe e armikut e cila vetvetiu pahnxjerr se heroi ‘yne’ eshte me heroik, pra rritet vlera e bemes.
    Si te thuash keto pervec shembullit moral, jane kerkuese te cilesise se bemes per vleresimin e dikujt si Hero.

    Ajo qe vihet re me shume tek Fishta si atipike, eshte permendja e shpeshte ( e kemi diskutuar para ca muajsh, me duket):
    jo per duke e per pashi
    por per zemer e trimeri.

    Heroi homerik e i Ciklit dallohet ne vecanti per ‘duke e pashi’. Fishta ne kete pike, ofron model per popullin e thjeshte, se bemat e Heroi nuk kane nevoje per cilesi te vecanta fizike, pra Fishta behet gjitheperfshires.
    Dueli mes nje gjigandi malazez qe sfidon llogoren shqiptare e dalja e nje djali trupshkurter nga ana shqiptare, qe shkakton tallje nga ana malazeze, prerja e menjehershme e kokes se malazezit, eshte shembulli me i qarte i kesaj vecantie fishtjane.

    Vecanti qe rrit akoma me tej vleren e bemes.
    Fishta kerkonte te percillte bemen edhe nga heroi epik fizikisht antitradicional.
    Heroi epik e ka thelbesore bemen, nuk ka kuptim nje hero i tille pa bemen, pasi masat/populli pervec anes morale, e mira kunder te keqes, ka nevoje edhe per bemen , ate qe ata se bejne dot. Ndryshe , heronjte e mjeljes, kane me shume anen morale, sidomos ata amerikane, te modeluar sipas teorise neokonservatore.

    E fundit, para se te irritojme xha xhain, nuk e shoh Lahuten si veper me te cilet malazezet mund te krenohen per vetveten. Fishta u dha ate qe u takonte per ate kohe, trima por agresore qe u thyen.

  4. Hyllin, une flas per castin kur Fishta mbasi perplasi dy prej heronjve, nuk i derdhi gjakun asnjerit. Falja eshte beme me e madhe, por nuk eshte heroizem qe buron prej sakrifices e sacra-s sic e ke thene vete. Fishta cheroizon heronjte, I ben ti japin doren e ti gjenden njeri tjetrit. Ne lufte me shkjau, ne ndjekje te tradites, askush nuk do ta vinte re nese ai e shmangte pajtimin edhe sikur ai te kishte ndodhur vertet. Por ai ka shmangur terheqjen zvarre, nguljen e kokes ne hu, ka shmangur te miren dhe te keqen absolute. Kush eshte Il mio Cid, Bewolfi, Akili a Hektori, Muji etj tek Lahuta e Malesise? Ne se goja jote e nxorri pernjehere nje emer Fishta mund te jete si thua ti, ndryshe ai eshte shume ndryshe, sa mund ta quash te fundmin qe I kendon heroizmit dhe te parin qe I kendon cheroizimit.
    E ndersa e ben kete ne burra te mencen e te ndergjegjshem per c’hap po hedhin, le instiktet e tyre te zihen per leshrash.

  5. Figura e heroit eshte relative, duhet thene. Ajo ndryshon(het) me kohen. Po keshtu edhe bemat e kerkuara apo te pritura nga heroi jane relative. Si rrjedhoje, edhe ato ndryshohen me kohen. Prandaj edhe trajektoria e heroit te qyteterimit perendimor fillon me -JO-ne e 300 spartaneve ne Thermopile dhe perfundon me zjarrefikesin James, qe shpeton nje njeri apo kafshe nga sikletet e veta. Heroi si figure ka atributet e tij te shumellojta: ai eshte i forte se pari, i shkathet, i zgjuar, i sakrifices deri ne vetmohim etj, etj. Por “shtylla kurrizore” e tij eshte qe ai eshte i drejte, lufton per te drejten, dhe mbi te gjitha, me vepren e tij, ai i sherben se drejtes. Sic thote Aristoteli, ” …e drejta eshte misherim i te gjitha virtyteve…” (pak a shume dicka e tille, ne mos gaboj).

    Ky koncept i se drejtes, si virtyti me i larte, apo si shuma e te gjitha virtyteve, e ka origjinen ne Greqine e lashte. Po keshtu, edhe relativiz(i)mi i saj e ka origjinen qe atehere. Neve thjesht jemi vazhdues ne rrugen e hapur prej tyre.

    Hesiodi ne Theogonine e vet, pershkruan me hollesi epokat e ndryshme te zhvillimi te njerezimit: Epoka e arte, kur njerezit jetonin si perendite, epoka e argjente, kur Zeusi krijoi Pandoren, gruan e pare, epoka e bronzit, me aventurieret dhe luftetaret e famshem si puna e Jason dhe Akili, te cilet megjithese me karakter akoma te paste, filluan tu shijonte te vrarit e te grabiturit, dhe se fundi epoka e hekurit, kur njerezit u bene te korruptueshem dhe makute, dhe secili shihte te mbronte apo te shtonte hisen e vet, me shpate ne dore, e me helm ne goje.

    Simbas grekeve (te lashte), e drejta shkonte pertej thjesht respektimit te ligjit. Per ta, menyra e te sjellurit, pika e referimit te saj, standarti i matjes se saj ishte nje moralitet i brendeshem, i inspiruar ne menyre hyjnore,nje kompast shipertor ky, me teper se sa racional apo intelektual. Fjala greke per kete koncept te se drejtes eshte “dike”.

    Qe kjo ide mbi te drejten, si nje seri e dhene dhe e pandryshueshem vlerash, me origjine hyjnore, kishte po aq partizane, sa c’kishte edhe kundershtare te vet, mund te shihet edhe nga suksesi ne te njejten periudhe, qe pati sofizmi si strukture mendimi filozofik. Protagora i famshem e nxorri shejtanin nga kutia e Pandores, kur vuri per here te pare ne fjale idene se “njeriu eshte masa e te gjitha gjerave”. Relativizmi moral mbas kesaj ideje te permbledhur ne keto pak fjale, ka mbi 2500 vjet qe here del ne krye te jetes se njeriut e here shkon nen uje, ne cikle qe vec perseriten por nuk ndryshojne.

    Majat me te larta artistike te krijimtarise artistike te artit te qyteterimit perendimor ngelen tragjedite greke. Tema qe perseritet vazhdimisht ne to eshte denimi i arrogances se njeriut, i cili me bindjen se ai eshte masa e te gjitha gjerave, mendon se mund te perbuz dhe injoroje ligjet apo normat te cilat kerkojne t`i tregojne se cfare eshte e drejte dhe cfare eshte e padrejte.

    A mundet/ duhet qe moraliteti apo e drejta, si dhe heronjte qe ato krijojne te mund te behen subjekte votash? Po qe se po, atehere ne shume shpejt do te mjaftohemi me 140 karakteret e tweeters per tu mare vesh. Heroin e radhes do na e japin nepermjet handset wireless devices. Kurse bemat apo sakrificat e tyre do t`i zgjedhim vete ne touch screen.

  6. CD, ai rast i vecante qe permend ti, me vjen keq po perseri nuk eshte risi e Fishtes. Nuk i mbaj mend emrat, po behet fjale per ate skenen kur shqiptari has ate malazezin qe e kishte mbajt 3 vjet ne shtepi te vet e ishin bere vellam’.

    Kjo skene gjendet edhe tek Homeri, kur dy luftetaret e lodhur nga dyluftimi, ja nisin muhabetit e dalin miq shpie.

    Ketu poshte jam dakort:
    ””ka shmangur te miren dhe te keqen absolute””

    Epikat ‘e shendetshme’ duhet ta shmangin kete kategorizim absolutist, biles eshte leksion i mire qe mund te sherbeje ne cdo lloj konflikti, edhe ne ‘perleshjet civile’ perfshire duelin politik.
    Heronjte amerikane , i perkasin atij mentaliteti qe nuk e shmang dot te miren absolute, si persa i perket koheve te mentalitetit kristian te Amerikes, ashtu edhe 30-40 vjeteve te fundit kur heronjte thuren sipas modelit neokonservator(prape kristian) te se mires absolute qe lufton te keqen absolute.

    Ne Shqiperi, akuzoj komunizmin qe futi kete mendesi te dyshimte me rrenje hebraiko-kristiane, i cili bente vllane te vriste vllane per ideal te Partise, ku vllai komunist ishte perfaqesuesi i se mires absolute.

    ””’Por “shtylla kurrizore” e tij eshte qe ai eshte i drejte, lufton per te drejten, dhe mbi te gjitha, me vepren e tij, ai i sherben se drejtes. Sic thote Aristoteli, ” …e drejta eshte misherim i te gjitha virtyteve…” (pak a shume dicka e tille, ne mos gaboj).””’

    Po per Aristotelin e drejta ishte kryevirtyti. Persa i perket shtylles kurrizore te te gjithe heronjve , kjo eshte e vertete, biles vete Homeri paradoksalisht lavderonte nga njera ane akeasit e danajte qe luftonin per te drejten e nga ana tjeter trojanet qe luftonin per familjet e tyre e token e tyre, dmth edhe ata te drejte. I drejte Akili, po i drejte edhe Hektori.

    Nderkaq me duket shume e guximshme, qe te gjithe ne jemi vijues. Shume popuj te lashte e kane vene te drejten ne piedestal, biles pa te drejten ska shans shoqeria te ndertohet. Do thoja qe monoteizmi beri deme te medha, meqe drejtesia e vertete, sipas tij gjendet vetem ne boten e pertejme ( e ketu ka te drejte), keshtu qe drejtesia ne kete bote nuk ka si te jete kryevirtyti.

    Sot nuk duhet harruar se e drejta nuk perben me virtyt moral te mirefillte po virtyt civil biles me pak i vleresuar sesa kulmi i sotem i virtyteve civile, toleranca, e nderkaq virtytet civile kane institucionet e tyre ku mbrohen me cdo kusht.
    Tashme e drejta eshte ceshtje insitucionesh, atje vendoset c’eshte e drejte e c’eshte e padrejte.

    Mbase nuk eshte edhe aq rastesore qe edhe heronjte jane bere ceshtje institucionesh.

    ”””Per ta, menyra e te sjellurit, pika e referimit te saj, standarti i matjes se saj ishte nje moralitet i brendeshem, i inspiruar ne menyre hyjnore,nje kompast shipertor ky, me teper se sa racional apo intelektual””’

    Shiko se mos na ngjajne ne kete pike e po ne kete pike te dallohen per romakeve.

  7. Po e vazhdoj duke menduar dy gjera te skajshme:
    te paren, se shkrimet dhe komentet nuk permbajne shtesa te lezetshme si te recetave te gatimit, psh. te lexohet e kuptohet sipas deshires;
    te dyten, se kur ju ofrohet trendafili edhe pse i shpon gjembi ato duhet te thone faleminderit.

    Per Fishten kam shkruar ne kontekstin shqiptar, nisur nga sa flitet per lenien jashte teksteve te vepres se tij, e kur them i pari e vecoj nga Naimi, , , , Noli.
    Kur kerkoj te mesoj emrin e heroit, kam parasysh vepren Lahuta e Malesise dhe jo fragmentin e vllameve a probatineve. Une dua te di kush eshte Gilgameshi?

    E ketu duke mpleksur dhe sa shkroi idashur. Eshte bere rruge, mbasi eshte pare e udhes (materiali besoj eshte vendimtar) qe gjerat te nisen prej grekeve te lashte, sa qe te kerkosh me tej je si ai qe sapo le token e hedh hapat e para ne shkretetire. Shprehur me gjeometri: Hyllini flet per segmentin nga pika H (omeri) ne piken F (ishta), idashur per gjysmedrejtezen G (reqi e lashte) e deri ku te shkoje bota qe njihet si perendimore.
    Une ju lutem ti zgjatni ne drejteza, te mos kufizoni sepse kufizoheni. Keshtu Hyllin, ate qe shkrova une per Fishten si i fundit qe i shkroi heroizmit dhe i pari qe i shkroi cheroizimit ti ma kundershton me Homerin, sikur para pikes H nuk ka epike; per ty andej ka asgje sepse ti e mbivendos skenen ne segment. Po ta mbivendosesh ne drejtez ka per te dale se Homeri mund te kete qene i fundit qe i kendoi cheroizimit dhe i pari qe i kendoi heroizmit, pohim i cili jo vetem qe nuk prek sa kam thene per Fishten por perkundrazi e perforcon edhe me.
    Njelloj duhet llogjikuar dhe per Greqine e lashte si pikenisje, per te qene te sakte ajo eshte pike ne ate drejtez qe per sa diskutohet (Heroi) eshte nder me te hershmet. Ti kerkosh pikenisjen heroizmit njerezor duhet te shkosh deri aty ku ai mbante ende veshur lekuren e kafshes, jo te kafsheve te tjera, por te tijen.

    1. E ketu duke mpleksur dhe sa shkroi idashur. Eshte bere rruge, mbasi eshte pare e udhes (materiali besoj eshte vendimtar) qe gjerat te nisen prej grekeve te lashte, sa qe te kerkosh me tej je si ai qe sapo le token e hedh hapat e para ne shkretetire…”

      Ah. Po per rrugen ne shkretetire mund te te flasin e te te mesojne vetem beduinet, qe ne kete art jane specialistet me te mire ne bote. Por eshte nje art ky qe megjithese mund te magjepse jo pak (ka plot specialiste qe mund t`u interesojne aftesite e beduineve ne astronomia apo fashion te themi), prap se prap nuk del dot jashte mureve te bibliotekes imperiale ne Londer, apo studios me perde te renda e te mbyllura ne apartamentin ne 15-iem arrondissement, ne Paris.

      Gilgameshin duhet te dish qe ta kerkosh.
      Greket e lashte nuk ka nevoje ti kerkosh qe ti dish.

      Kronologjia asnjehere s`ka pasur nje vlere positive. Apo jo?

  8. Londer Paris Nju Jork
    Jo vetem ne libra dhe parfume, por me sa duket dhe ne boten e beduineve. Duke vizituar nje pavion qe mbart pjese nga trashegimia kulturore e popujve, ku argjendet e fshatarkes se x kombi garonin me sermet e gjuetarit te y kombi pashe dhe kostumin qe perfaqsonte beduinet: i thjeshte, pa ar e gajtane; kostumi ishte dhurate e Mbretit te Beduineve per muzeun, dhe ishte kostumi i te vellait te vet princ.

    Sa me siper sepse me ngacmoi shpallja e mesiperme mbi kronologjine.
    Ne te ti mohon vleren pozitive (positive – ta ka kthyer autocorrect-i) te kronologjise duke folur ne rend kronologjik.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin