EUROVIZA (I)

Harta-SchengenNë imagjinarin kolektiv shqiptar, Evropa është përvijuar si hapësirë lirie e mirëqenieje. Skicat e saj të para, sipas gjasës, janë hedhur gjatë periudhës së totalitarizmit, kur Evropa shikohej nga vrima e derës, në trajtën e ekranit televiziv, të një nga vendeve më të mbyllura në botë. Klaustrofobia e shqiptarëve i gjen fillesat e veta pikërisht gjatë ndërtimit të shtetit diktatorial, i cili i ngjasonte më së tepërmi burgut, me mure, roje, kufij e tela me gjemba. Në atë kohë, Evropa shihej në mënyrë trashendentale, si një kimerë për t’u arritur vetëm me imagjinatë. Nga ana tjetër, siç dihet nga të gjithë, kalimi pa leje i kufirit ishte ilegal dhe i dënueshëm rëndë nga kodi penal.

Sloganet që shoqëruan rënien e regjimit totalitar në fillim të viteve 1990, përmbanin pashmangshmërisht fjalën “Evropa”. Një nga më të njohurit ishte: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, slogan që përshenjonte dëshirën xhenuine të të gjithë vendit për të dalë nga varfëria e skajshme dhe për të ndërtuar një shoqëri të begatë. Problemi është se slogani mbeti si i tillë, d.m.th. vetëm një parullë e efektshme koncize, për shkak të një sërë alkimish politike e sociokulturore, që nuk e lejuan shndërrimin e saj në një projekt serioz kolektiv. Vetë eksodet biblike drejt Italisë dëshmuan në thelb se miti i ikjes  – i ushqyer indirekt nga sindroma e rrethimit e kultivuar nga regjimi – ishte shumë i fortë, të paktën sa forca tërheqëse e Perëndimit-Eden – edhe kjo e grazhduar qëllimisht nga mediat; gjithsesi, dëshira për t’u larguar ishte më e fortë se pritja që kërkonte “ndërtimi i Evropës”, d.m.th. i mirëqenies në vend.

Në historinë e marrëdhënieve të shumëllojshme midis Evropës dhe Shqipërisë, është një moment kyç që duhet nënvizuar: në një pikë të caktuar, në imagjinarin kolektiv, Evropa u materializua, si të thuash, duke u transformuar nga një ide lirie e mirëqenieje, domethënë nga një hapësirë ideale, në hapësirë gjeografike, ose materiale. Natyrisht, problemi nuk qëndron në shtimin e aspektit gjeografik tek koncepti i Evropës, për më tepër real dhe i qartë, por në mbisundimin e kësaj gjeografikësie të mirëqenies në kurriz të idealeve që vetë Evropa shënjonte e përshenjonte në sytë e qytetarëve shqiptarë. Emigracioni masiv e rriti më pas karakterin fizik të kontakteve midis Evropës dhe Shqipërisë, kontakte që u ndërprenë me vrazhdësi me mbërritjen e diktaturës. Mallrat e para të konsumit të gjerë të dërguara nga emigrantët në vend, vetëm sa e vunë në pah materialitetin e një Evrope tashmë konkrete e të prekshme, opulente e të lumtur, duke e rrethshkruar edhe më mirë “parajsën në tokë”.

harta Evropa2Në këtë kontekst lëvizjesh të mëdha, në ligjëratën publike e private shqiptare zuri vend apoteoza e rrethanorit të vendit, që u konkretizua më pas tek Viza në pasaportë. Problemi i vizës perëndimore ka qenë në krye të shqetësimeve të shqiptarëve, por në disa periudha historike ajo ka marrë pamjen e një obsesioni të njëmendtë. Natyrisht, bëhet fjalë për një obsesion të induktuar, pak nga historia e vonët e autarkisë sa hermetike aq edhe e çmendur, ku pasaporta as që mund të ëndërrohej, dhe pak nga aktualiteti sa joshës aq edhe skizofrenik, ku pasaportat konsumoheshin në duart e qytetarëve, porse me faqe bosh, pa asnjë vizë hyrjeje në Evropë. Ka shumë dallesa midis pamundësisë për ta pasur pasaportën dhe mundësisë për ta pasur pa vizë; midis mundësisë për të ikur nga vendlindja dhe pamundësisë për të shkuar në një tjetër vend; megjithatë, thelbi nuk ndryshon: jemi të rrethuar nga mure ndarëse, e nuk ka kurrfarë rëndësie nëse janë muret e kështjellës sonë apo të të tjerëve.

Kuptohet se në këtë kuadër disi nevrotik, vizat kanë marrë një pushtet të jashtëzakonshëm. Çështja është pikërisht kjo: si janë përdorur kulturorisht vizat e hyrjes në Evropë? Ndërlikimet nuk mungojnë, sepse para së gjithash duhet shqyrtuar përdorimi i klasës drejtuese shqiptare, por edhe ai i kancelarive perëndimore. Nuk është mister se shumë përfaqësi diplomatike në Shqipëri, shihen shpesh nga njerëzit si punishte vizash më tepër se pararoja politikash të nyjëtuara të vendeve mike. Gabimisht apo me të drejtë, në opinionin publik, këto politika (edhe kur janë serioze e largpamëse) perceptohen si çështje vizash. Është e ligjshme të përdoren vizat në cilësinë e kulaçit, p.sh. për ta nxitur vendin të ndërmarrë reformat e duhura për t’u integruar në Evropë, por është e dëmshme të përcillet mesazhi sipas të cilit çdo gjë rrotullohet rreth vizave, edhe për arsyen se problemi merr hera herës tone qesharake përballë një bashkësie të vogël si ajo shqiptare.

Vizëmania në Shqipëri është shprehur veçanërisht hapur gjatë fushatave elektorale. Premtimet për viza evropiane për popullsinë nuk kanë munguar asnjëherë, edhe sepse, për arsye të njohura, premtime të tilla paguajnë nga pikëpamja elektorale. Por problemi qëndron gjetiu. Kulturorisht, që prej 18 vjetësh Evropa po përcillet më shumë si vend për të shkuar, se sa një vend që duhet ndërtuar në atdhe. Edhe hyrja në Evropë njëmendësohet me liberalizimin e vizave, një tjetër fjalë kjo, që ka pushtet përnjimend magjik. Reduktimi i ligjëratës evropiane, dhe e gjithshkaje që Evropa përfaqëson, vihet re lehtë gjithashtu në mungesën e debateve të sinqerta, sikurse ndodh gjithkund, midis euroskeptikëve dhe europtimistëve. Në Shqipëri askush nuk është kundër hyrjes në Evropë. Është diçka fantastike, sikur ky evropeizëm të ishte me matricë të pastër kulturore, d.m.th. përftuar nga përpunimi i përsiatjeve të gjata për të mirat e ndërtimit dhe hyrjes në BE. Por ka më shumë mundësi që 100% i euroentuziastëve t’i detyrohet asimilimit kulturor të çështjes Evropë nga ana e çështjes viza. Kush është ai që dëshiron të rrijë në burg? I mbyllur dhe i survejuar? Askush, të gjithë duan të kenë një vizë në dorë e të udhëtojnë nëpër botë, të paktën potencialisht. Pra të gjithë jemi dakord; si një herë e një kohë.schengen_visa

Viza është akt administrativ, i ftohtë, i distancuar. Në këtë kuptim, ekziston rreziku që Evropa e parë në këndvështrimin e vizave të rezultojë e zbrazët nga kuptimi i saj i vërtetë. Vizat në pasaportë përmbajnë edhe një dozë implicite imponimi. Në fakt, lëshohen pasi bëhen verifikime të posaçme dhe kontrollohen më tej nga policia. Frika se mos Evropa perceptohet si entitet që nuk bën lëshime, burokratike, fiskale, është mjaft e bazuar. Megjithatë, Evropa është projekt në formim e sipër, pra e ndan një det i tërë nga statikësia e përçuar nga viza Schengen në pasaportë. Kuadri bëhet edhe më i rëndë po qe se shtohen siglat e ndryshme teknike të marrëveshjeve dhe paramarrëveshjeve me BE-në, mjaft të vështira për t’u kuptuar, me të cilat breshërohet publiku i paditur, me qëllimin, sipas gjasës i sinqertë, për ta informuar se “Po punojmë për ju”.

[vijon]

4 Komente

  1. “Kulturorisht, që prej 18 vjetësh Evropa po përcillet më shumë si vend për të shkuar, se sa një vend që duhet ndërtuar në atdhe.”

    Mendoj se duhet shkuar sic kerkohet, dhe po shkohet ne europe, por, po aq edhe po ndertohet/transportohet Ajo ne atdhe. Ndryshimi, fjala kyc, eshte se fizikisht po importohet me shume se eksportohet nga e gjithe paketa, ekonomi, kulture, qarkullim njerzish. Me fjale te tjera evropa ka ardhur me shume se mban vendi yne, POR, ka ardhur ajo europe si shiringe qe thith jete relativisht te re nga trupi yne, dhe injekton edhe pa dashje pjese qe nuk eshte ne interesin e europes tek ne. Cdo gje ne interesin e saj merret dhe jepet me kujdestari qytetare, perkthyer ne gjuhen e tyre. Ndryshe, po them se europa vjen, pranohet, del, pranohet, sipas kushteve te vena prej saj. E pare nga ai kend shikim, ne, duhet te duam. Po duam si shume, pak vlere, me cmim te larte, dhe japim pa problem cdo gje qe kerkon europa, nderkoh qe merret pa kerkuar ajo qe i duhet asaj, dhe kjo e fundit eshte problem serioz per situaten qe politika e ka siell vendin dhe qytetaret e saj. Prandaj qytetaret, si te cvleftesuar nga vet politika, propagandohen per ate qe ju eshte lene si “vlere”-viza/qarkullimi ne teritorin europian. Eshte cmotivuar qytetaria ne vend, prej deformimit politik te sistemit para viteve nentedhjete.

    Cdo gje normale eshte, qe do ish ashtu, si eshte, nen dominimin europian. Por sistemi arsimor, kulturor, u abandonua, dhe vazhdon te jete i till, duke lulezuar korrupsioni, i cili i shton barren nje ndryshimi te pershtatur europian.

  2. Fatkeqesite e Shqiperise nuk jane rastesi!
    Nuk ishte fare e rastesishme qe Ramiz Alia na dergoi Sali Berishen per te “qetesuar” tropojanet e ngritur 🙂

    Nuk iu falet demokrateve te vertete Shqiptare, te pranonin dhe gjunjezoheshin perpara nje anadollaku por dhe pushtetari te eger, qe ne kohen e PPSH-se ishte shembulli i servilizmit dhe i arrogances njekohesisht, Sali Berisha, e t’iu shperfytyronte nocionin e zhvillimit dhe berjes se Shqiperise si Europa.

    Te gjithe ata qe e jetuan ate kohe, e pame si e ktheu papritur Shqiperine si Europa, por si ato skutat me te erreta te Europes ama! E pame te gjithe si shkaterroi nocionin e shtetit dhe te policise, dhe ne rruge filluan ta bejne ligjin vetem rrugecerit dhe gjerat e egra qe rrembenin femra nga rruga, apo zhvishnin njerez ne mes te rruges, per t’i grabitur! Jane fakte te para me sy keto!

    Qe ne vitet e para ne Shqiperi u perkrahen fenomenet me c’njerezore te atij sistemi qe kishin enderruar Shqiptaret, si trafiku i mishit te bardhe ( me force kjo ), droga dhe gjate luftes se Kosoves edhe trafiku i naftes dhe armeve.

    E quaj te pafalshme per te gjithe intelektualet dhe demokratet e vertete Shqipetare, qe u treguan kaq te dobet, ndaj nje qenie qe edhe pse nga ish koleget e tij kujtohet si nje “ujk me fytyre njeriu”, nuk kishte aq bagazh dhe kapacitet sa te mbante nen thunder demokracine shqiptare!!

    Te gjitha te keqijat e pas 18 viteve une ia atriboj pikerisht kesaj nisjeje te mbrapshte me nje diktator po aq sa ish mesuesi i tij, me nje famekeq qe do permendet si i tille gjate gjithe historise!!
    Tani se fundi nuk eshte vetem famekeq, eshte katandisur dhe sharlatan dhe klloun cirku fare !!!

    1. APOKALYPSIS më duket se keni dalë jashtë teme. Për hir të së vërtetës, unë u referohesha gjithë viteve postotalitare; as desha të krijoj valvula shfryrjeje për mllefe të ndryshme politike që qarkullojnë në këtë periudhë paraelektorale.

      1. Une besoj se nuk kam dale aspak nga tema Pishak
        Bindja ime eshte, qe arsyeja qe akoma sot, pas 18 vitesh perpjekje detyrohemi te shkruajme per viza e levizje dinjitoze tonen neper bote, ka qene dhe do te ngelet klasa e pare politike qe mori ne dore ndryshimin e Shqiperise!

        Ajo klase nuk ishte gje tjeter, vecse komunistet me te devotshem e servila te asaj kohe qe pasi e ndjene se varka ishte e shpuar e kish marre uje, nxituan te nderrojne ngjyre.

        Ne Shqiperi nuk pati permbysje, pati vetem nderrim maskash dhe ngjyrash.
        Dhe e perseris, mbi te gjithe keta qendron nje figure, i cili me babezine dhe megalomanine e tij per pushtet, eliminoi dhe ata pak njerez qe paten kurajon te luftojne per demokracine ne Shqiperi. Dhe kur flas per demokracine flas dhe per zhvillim etj.etj.

        Per mua nuk eshte fyerje te ve ne dukje fyerjen e madhe qe po i ben popullit shqiptar kjo klase politike, skandalet tribale te se ciles i di tani dhe foshnja ne bark te nenes.

        Per mua fyerja me e madhe eshte qe Shqiperia eshte kthyer ne prone te familjes Berisha, dhe per kete familje jo vetem vizat e thjeshta po sidomos ato diplomatiket jane shume te lehtesuara!!

        Ka shume per te thene, por kam frike se po te shkruaj me teper do te ndiheni shume i fyer por jo nga une …

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin