INTERNETI DHE SISTEMET KOMPLEKSE

nga Eni

Në eksperiencën time në internet dhe komunitetet virtuale brenda tij, më ka rënë në sy shpesh herë një cikël i përsëritur i zhvillimit dhe jetës së brendshme të grupeve të internetit.

Një nga anët më të dukshme të dinamikës së grupeve virtuale të caktuara ka qenë për mua jetëgjatësia e vetë grupeve apo zhvillimi i grupeve në drejtim të konformizmit. Vetë zhvillimi drejt konformizmit është nje element që luan rol të dorës së parë në jetëgjatësine e grupit. Dinamika e konformizmit ma merr mendja që studiohet aktualisht nga shkencetarë më të aftë se unë. Gjithsesi më duket interesante të diskutohet për grupet e specializuara të internetit të cilëve unë këtu do ti referohem si grupet “xhepa” nën perspektivën e teorive të sistemeve adaptive komplekse.

Modelet e sistemeve adaptive komplekse jane nje përzierje e teorisë së termodinamikës fizike e kibernetikës nga njera anë dhe teorise së evolucionit biologjik nga ana tjetër. Këto modele e shohin zhvillimin e një sistemi si një proçes kompleks bashkëveprimi të sistemit me mjedisin e vet. Me grupet xhepa kam ndërmend ato grupe që mblidhen rreth nje ideje, rreth nje filozofie te caktuar, apo që mbledhin një grup të caktuar social njerezish. Grupet xhepa ne internet krijohen shpesh herë rreth trivializmave si psh. komuniteti për macet e bardha dhe ndonjëherë rreth ideve me karakter më serioz politik apo social. Çfarë zhvillimesh ka në grupet xhepa dhe si ndikon cikli i lindjes, zhvillimit dhe shuarjes së këtyre lloj grupeve në ekosistemin e përgjithshëm të komunikimit në internet?

Për mendimin tim ka disa lloje skenaresh të mundshme për zhvillimin e grupeve xhepa. Unë do ti ndaja ato në dy kategori. Në skenarët e sistemeve të hapura dhe skenarët e sistemeve të mbyllura. Në skenaret e sistemeve të hapura do të fusja grupet qe e bëjnë qarkullimin (futje daljen) e anëtareve dhe informacioneve të thjeshtë. Këtu grupi bashkëvepron dendur me mjedisin. Në skenarët e sistemeve të mbyllura do të fusja grupet që e bejnë qarkullimin e anëtarëve dhe informacioneve më të vështirë. Pra grupi nuk bashkëvepron fare apo bashkëvepron shumë pak me mjedisin. Te dyja këto skenare unë do ti trajtoj si rastet ideale. Natyrisht në realitet ka përzierje të të dyja këtyre skenareve. Por le ti trajtojmë pak më në detaje ato.

Sistemet e hapura

Në skenarin e sistemeve të hapura grupet jane më të hapura për anëtare të rinj qoftë në mënyrën e integrimit të anëtarëve të rinj në grup e qoftë nëpërmjet qarkullimit të informacioneve me mjedisin. Tek këto grupe vlen maksima që sa më të mëdhenj të bëhen aq më shumë e humbin identitetin fillestar.

Rritja dhe konformizimi

Konformizimi e humbja e identitetit fillestar mund të kuptohet nëse ndjekim një llogjike të thjështe statistikore. Anëtaret e rinj që integrohen në grupet e hapura identifikohen përgjithësisht me to. Vini re se fjala përgjithësisht është kyçi këtu. Përgjithësisht do të thotë se psh. një anëtar i ri identifikohet me 80-90% të vlerave e kultures se grupit por jo me 100%. Nëse marrim një mesatare prej 80-90% tek të gjithë anëtarët e rinj atëhere prerja e bashkësisë së vlerave me të cilat ata identifikohen është më e vogël se 80-90%. Prerja gjithnjë e më e vogël me rritjen e numrit të anëtarëve vjen sepse ato 80-90% të bashkësisë së vlerave me të cilat identifikohen anëtarët e rinj janë të shpërndara në mënyrë të rastësishme, dmth. nuk janë të njëjta tek sejcili prej anëtarëve te rinj. Nese i shkojmë kesaj llogjike deri në fund duhet marrë parasysh se grupet rriten në faza të caktuara dhe në çdo fazë ka një humbje të caktuar të identitetit siç ekzistonte para fazës së rritjes. Pra humbja e identitetit është eksponenciale në lidhje me numrin e fazave të rritjes. Në këtë argumentim statistikor shumë parametra i mora (shumë) të thjeshtuar për të dhënë idenë (psh. bashkësi vlerash e pandryshueshme, kulture e kuantifikueshme, shpërndarje e rastësishme etj. etj.) por në realitet grupet janë natyrisht më të komplikuara.

Sistemeve të hapura u duhet të rriten

Vetia mbase më e rëndësishme e sistemeve të hapura është që atyre ju duhet të rriten deri në një pikë të caktuar ekuilibri. Arsyeja kryesore e rritjes së tyre është se duke qenë brenda një mjedisi shumë dinamik dhe të ndryshueshem më të cilin ato bashkëveprojnë dendur, vetëm rritja dhe diversifikimi i brendshëm i bën sistemet e hapura aq adaptive sa të mbijetojnë. Rritja mund të vazhdojë deri në pikën ku gjendet një balancë cilësore midis kostove për mbajtjen e infrastruktures së krejt sistemit dhe arritjes së një niveli diversifikimi të brendshëm të kenaqshem që i ben ballë dinamizmit të mjedisit.

Roli i infrastrukturës

Nëse grupi xhep fillestar pra, adopton në mënyra të ndryshme skenarin e sistemit të hapur atehere ka dy mundësi zhvillimesh. Nëse ky grup ka infrastrukture më të mirë se mjedisi jashtë tij për të ngritur (nen)grupe xhep atehere anëtarët e kompensojnë humbjen e identitetit fillestar të grupit me ngritjen e (nen)grupeve xhep. Nëse këtij grupi i mungon infrastruktura, apo mundësia për të krijuar grupe xhep brenda tij është me e keqe sesa në mjedisin rrethues, atehere ky grup nuk arrin balancën optimale midis infrastrukturës dhe diversifikimit dhe si pasojë e humbjes graduale të identitetit edhe anetaret fillojnë e largohen drejt alternativave me një infrastrukture më të mirë. Në këtë rast grupi tkurret dhe kthehet në një sistem te mbyllur (shih më poshtë) ose vdes. E vetmja mënyrë pra për krijimin dhe mbijetesen e grupeve të medha është që këto grupe të sigurojnë një infrastrukturë më të mirë diversifikimi sesa ajo e mjedisit/konkurencës për krijimin e (nën)grupeve xhepa.

Autoriteti

Autoriteti brenda sistemeve të hapura evoluon në drejtim të decentralizimit. Kur sistemi i hapur nis si një grup xhep, autoriteti i perket disa pak instancave centrale. Me rritjen e diversitetit të (nën)grupeve xhepa dhe njëkohësisht të varësisë së sistemit të hapur nga këto (nën)grupe, autoriteti shpërndahet gradualisht tek të gjitha (nën)grupet xhepa.

Ekuilibri

Së fundmi, kur arrihet pika e ekuilibrit pra ku sistemi i hapur gjen pikën optimale midis kostos së infrastruktures dhe një diversifikimi të kënaqshem ai nuk zhvillohet më dhe është tashmë një ekosistem më vete i cili dallon nga mjedisi kryesisht në infrastrukturën e komunikimit e të bashkëveprimit dhe jo më nga ndonjë identitet kulturor i përbashkët i anëtarëve.

Sistemet e mbyllura

Grupet xhepa që adoptojnë skenarin e sistemeve të mbyllura karakterizohen nga bashkëveprimi i dobët me mjedisin dhe nga qarkullimi i dobet i anëtarëve e informacionit.

Evoluim i ngadalshëm dhe ruajtja e identitetit

Këto grupe nuk përshtaten e evoluojnë shpejt dhe ruajnë identitetin e tyre fillestar. Në fakt, këto grupe nuk riprodhohen nga bashkëveprimi me jashtë por nga riprodhimi i brendshëm. Nëse nuk ekzistojnë mundësi riprodhimi të brendshem këto grupe kanë dy mundësi zhvillimi. Ose fillojnë hapjen, pra fillojnë të kthehen gradualisht në sisteme të hapura ose vdesin.

Infrastruktura e kufijve vs. ajo e diversifikimit

Infrastruktura e brendshme e këtyre grupeve nuk evoluon drejt mundësimit të diversifikimit të brendshem si tek sistemet e hapura por drejt përmirësimit të kufijve ndarës me mjedisin. Vetë strukturat e autoritetit brenda ketyre grupeve janë të tipit centralizues dhe ngrihen në funksion të ruajtes së kufijve ndarës. Këto grupe karakterizohen nga hierarki statike te brendshme dhe nga nje infrastrukture minimale.

Ajo (infrastruktura) është aq minimale sa e lejon vetë ekzistencen e grupit dhe mbështetjen e infrastruktures per kufijtë e grupit. Aktualisht në internet kemi zhvillimin që grupet e mbyllura nuk mbijetojnë gjatë. Kjo sepse grupet e mbyllura nuk mund ti kontrollojnë anëtarët plotësisht dhe nuk mund ti mbajnë vetëm në virtualitetin e grupit. Anëtarët kanë dhe një jetë reale me të gjitha implikimet e mediumit tjetër (realitetit).

Karakteristikat e internetit si ekosistemi gjithëpërfshirës dhe e menyrës së komunikimit brenda internetit kushtezon qartë zhvillimin e grupeve xhepa apo ekosistemeve brenda tij. Në internet ndryshe nga në jetën sociale reale ndryshimi i grupeve mund të bëhet pa shumë kosto. Pra qarkullimi i anëtarëve është i thjeshtë dhe i shpejtë. Si pasojë, ciklet e evoluimit të grupeve xhep në internet janë shumë të shpejta. Në internet në pak vite një grup xhep mund të evoluoje në një ekosistem të plotë ndërsa në jetën reale kjo kërkon të paktën disa gjenerata. Ndryshe nga jeta reale, në internet ngritja e kufijve të një grupi xhep nuk është akoma shume e lehtë pasi qëllimi fillestar për të cilin vetë interneti u ngrit ishte realizimi i një sistemi të hapur komunikimi dhe teknologjia komunikuese e vetë internetit nuk është e përshtatshme për këtë. Interneti si ekosistem favorizon akoma sot skenarin e sistemeve të hapura. Sidoqoftë masivizimi i internetit në shkallën e sotme lejon shkallë (nën)ekosistemesh të cilat mund të mundesojnë evoluimin e sistemeve më të mbyllura të shkallëve të ndryshme.

Institucionet dhe vlerat në internet

Së fundmi, për të kaluar pak ne fantashkencë më duhet të them se institucionet e vlerat në gjeneratat e ardhshme të internetit do të jenë kryesisht të koduara si teknologji të komunikimit dhe bashkëveprimit që përdoren në bazen e tij dhe pjeserisht do te riprodhohen nga vete njerëzit pjesëmarrës në internet. Vetë ekosistemet/grupet brenda internetit do te kene të koduara në formen e teknologjive të komunikimit vlera dhe institucione bazë të evoluara nga nje proces vetë-organizues e seleksionues të zhvilluar përgjatë kohës. Teknologjia e komunikimit dhe mënyrat e bashkëveprimit do të jenë pjesa e kryesore e këtij “kodi gjenetik” të internetit dhe të ekosistemeve te evoluara brenda tij. Si mjet riprodhues e krijues i vlerave e institucioneve teknologjia dhe bashkëveprimi do të jenë fushëbeteja të përplasjeve të mëdha kulturore të së ardhmes.

3 Komente

  1. Çfarë nënkupton kultura te nocioni “kulturë e kuantifikueshme”? Kulturën që i vjen dikujt në mendje kur dëgjon të flitet për dikë si “i kulturuar” apo “i pakulturuar”, apo procesin e kultivimit të një materiali gjallor (bakterie apo virus)? E para nuk epet përpara asnjë tundimi për ta paraqitur me vlera sasiore. Për këtë arsye mbiemrat përkatës i përdorim pa asnjë numër: dimë se sa i gjatë apo sa peshon një njeri, sa milionë është një shtet, sa muze apo salla operash ka, etj, por nuk përdorim dot numra për të krahasuar kulturën e njërit me të tjetrit.

    Identiteti sërish nuk mund të matet. Duke qenë e pamundur matja e tij, është i pabazuar përdorimi i funksionit eksponencial për humbje apo shtim të identitetit.

    “Teknologjitë e komunikimit” janë thjesht një mjet, si thika, ta zëmë: me të mund të përgatitësh ushqimin, por mund të marrësh jetë njerëzish, dy akte që, në kuptimin e vlerave, janë krejt të kundërta. Duke qenë mjet, si mund të shihet si vlerë kur flitet për vlera të një bashkësie përdoruesish të Internetit? Mund të themi që “Ganua i qan gjellët”, që “Rakipi është gjakësor i madh”, por thjesht “Ganua ka pesë palë thika” është një pohim që nuk tregon asgjë se sa i vlefshëm është i armatosuri ynë.

    Sa më shumë që përpiqesh t’i formalizosh medoemos subjekte të tillë, të turbullt për nga vetë natyra e tyre, aq më shumë turbullohen. Nuk besoj se përdorimi i nocioneve apo metodave të huazuara nga shkencat ekzakte mund të ndihmojë për të parë e kuptuar aty.

  2. bujk, natyrisht qe ajo qe nenkuptojme me fjalen kulture nuk kuantifikohet apo identiteti si nocion eshte aq i gjere sa dhe qindra libra nuk i prekin te gjitha aspektet e tij e aq me pak ti kuantifikojne. Shembulli qe jepja per konformizmin ishte per te krijuar nje ide mbi dinamiken dhe arsyet e krijimit te nje dinamike te tille dhe mbeshtetej mbi shume thjeshtezime dhe definicione arbitrare.

    Ne shkencat ekzakte por edhe ne ato socialet metoda e dhenies se nje definicioni arbitrar per nje nocion dhe modelimit e kuantifikimit mbi ate definicion perdoret gjeresisht dhe bile me sukses. Psh. nese une me fjalen “kulture komunikimi grupi” do te definoja arbitrarisht numrin mesatar te komunikimit me emaila brenda nje grupi atehere mund te ngre nje teori krejtesisht te kuantifikueshme me te cilin mund te shpjegoj relativisht mire (ose keq) nje aspekt te caktuar te realitetit. Problemi eshte kur modele te bazuara mbi abstragime dhe premisa te caktuara te perdoren per fusha ku ato premisa nuk qendrojne fare sic e pame psh. formulen e nje matematicieni kinez te perdorej gjeresesiht ne wall-street dhe te ishte bashkefajtore e madhe e pikiades sot.

    Sa per teknologjite e komunikimit une mendoj se ato mund te kodifikojne vlera te caktuara baze. Ashtu sic eshte e shkruar ne gjenet e shume specieve biologjike kooperimi dhe bashkepunimi ne grupe ne njeren apo tjetren menyre ashtu seleksioni e evolucioni mund te shkruaje ne teknologjite e komunikimit menyra te caktuara kooperimi apo komunikimi.

    Tek milingonat psh. teknikat e komunikimit e kooperimit jane te shkruara ne gjene dhe jane disa pak rregulla te thjeshta komunikimi qe milingonat i ndjekin instinktivisht ato qe lejojne ndertimin e kolonive (shoqeri shume komplekse meqe ra fjala) te milingonave te cilat kane veti te caktuara.

    Dua te them qe pavaresisht se njerezit nuk i kuptojne akoma mire lidhjet midis rregullave baze te komunikimit e bashkeveprimit brenda strukturave komplekse dhe superstrukturave qe krijohen mbi to, jane pikerisht ato rregulla baze qe percaktojne formen finale te struktures se nje sistemi (aka. shoqerie, kolonie, fshati, qyteti etj.).

    Evolucioni eshte (shume) me inteligjent se c’jane sot njerezit ne zgjidhjen e problemeve komplekse ku ka shume pasiguri e dinamizem. Njerezit jane te afte te zhvillojne me ndergjegje vetem vlera shume te pergjithshme per mbarevajtjen e nje shoqerie. Ndersa proceset evolucionare mund te kodifikoje ne sjelljen e individeve teknika shume te sakta bashkeveprimi qe krijojne sisteme me veti te caktuara. Ne kete aspekt mbase eshte e gabuar te flasesh me termin “vlera” dhe me e sakte te flasesh per teknika bashkeveprimi e komunikimi. Sidoqofte une mendoj se te dyja jane forma te ndryshme zgjidhjesh per te njejtin problem.

  3. Duke lundruar nëpër internet, gjeta edhe një shkrim të shkurtër të Jorgo Gerut, kryetar i Lidhjes së Arbërorëve të Greqisë, shkruar me alfabetin grek që përdorin rëndom arvanitët. M’u duk interesat dhe e transkriptova në alfabetin tonë, ka të bëjë pikërisht me mënyrën sesi kulturat e vogla mund të mbijetojnë në epokën e globalizimit.

    TEKNOLOGJIA PËR TË MIRËN EDHE PËR TË KEQEN E KULTURËS BOTËRORE
    Përhápea e madhe edhe ndihmi i madh çë dha teknologjia ne ndajturía e kulturës botërore punoi për të mirën edhe për të keqen e njërëzet.
    I miri erdh pse teknologjia ndihi të xijnë njërëzët çë bënet ne jetë, çë ishtë shkruar në librat të huaj. Tuti ata s’mun të njihnë ndrishe edhe nuk mund të xijnë ndrishe pse ishën allárga. Piestë kulturore shtonjënë kulturën të kosmit të tërë edhe veç për neve një nga një.
    Pjesa e keqe edhe çila ishtë më e madhea, vien nga çë ata çë bënjënë atë punë, nuk e bënjënë për të mirë tinë, po pse duan shtonjënë parat’ atire.
    Ashtu ata japën njërëzëvet jo ata çë janë të mira po ata çë shiten më shumë. Po ata çë shiten më shumë s’janë ata çë pëlqenen më shumë. Ashtu kultura nuku bahet, mos shtonet; po liget edhe baret. Duhet shumë të priret llumi nka merea e mir edhe ajo mund të bënet vetëm me teknologjinë e re, me ato çë i thon istoselidha. Istoselidhat si e dini, janë një soj fialadhe elektronike shumë të mbëdha. Atje mund të hinjë tër’ kultura e dheut, edhe nga ajo mund kush do të marë çë do.
    Vetëm ashtu kultura e dheut mund të mbahet, të shtonet edhe të dahet me tuti njërëzët e dheut. Betet të shomë kush mund të bënjë atë punë më mirë. Ajo pun mundej të bënej përpara nga ministeri i kulturës po ata kanë të bënjën të tjera punë. Nga ajo puna, ajo betet ne tuti neve edhe më shumë ne krietaret e katundevet tanë.
    Ata bashkë me tuti neve çë na pëlqen kio punë pse kio punë ishtë shumë e madhe edhe vëljén t’e bëjim tuti bashkë. Kultura rron në përthënat, rron në gljuhë çë flasmë, rron në punat çë bëjim. Tër’ ato pjestë e kulturës duhet t’i mbjedhëm edhe të shkruajëm edhe të vëmë ne në istoselidhat. Vetëm ashtu kulturat mbahen edhe shtonen edhe kush e do mund të ketë kur do. Lidhja jonë ka një istoselidhë edhe ju mundni të çoni në arvasynel.gr
    Ju mundni të hapni edhe të çoni pjesë nga kulturës jonë. Kërkojmë të na trëgoni pjesë nga kultura i katundit juaj përthëna, istori, llafe, kënga, edhe çë njatrë pjesë kulturore keni për të vëmë në istoselidhë jonë për të çonjë edhe të marë kushdo.
    Athinë, jenar 2009-05-21.
    Jor Jero, krietari e Lidhjes Arbërorët e Greqisë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin