EGNATIA E RINGJALLUR (I)

[këtë shkrim e ka dërguar në PTF Arian Kopani]

Janë të pakta ato gjëra për të cilat flitet më pak dhe përdoren më shumë se sa një rrugë.

“Të gjitha rrugët të shpien në Romë” – ka ardhur shprehja e vjetër deri në kohët tona. Dhe ka një të vërtetë në të, si historike ashtu edhe topografike.

Në qendër të gjithshkaje ishte Roma, dhe rrugët konsullare të saj, të cilat janë në përdorim sot e kësaj dite, si via Appia, via Flaminia, via Aurelia, via Cassia, etj, e rrezatonin pushtetin e saj në të katër anët e botës së njohur të asaj kohe.

Në pikun e vet perandoria e Romës kishte ndërtuar dhe mirëmbante një rrjet rrugor prej 80 000 km, i cili shtrihesh prej lumit Rin deri në Kartagjenë dhe prej ishujve Britanikë deri në Bizantium. Çdo gjë vitale kalonte dhe lidhesh me to, që nga legjionet (të cilat i ndërtonin), mallrat, e deri tek shërbimi postar.

via_egnatiaKur Roma filloi ta projektonte pushtetin e saj përtej territorit te vet, rruga e parë e madhe, jashtë gadishullit italik, ishte rruga Egnatia e ndërtuar nga pro-konsulli romak, Gaius Egnatius, diku aty nga mesi i shek. II p.e.s. Në traditën më të mirë të rrugëndërtimit romak, ajo ishte vazhdim i via Appia-s (rruga mbretëreshë, siç e quanin romakët). E kishte fillimin në Durrës, hidhej mbi Shkumbinin, shkonte pranë liqenit të Ohrit, kapërcente malet e zonës në Maqedoni dhe përfundonte në Thesalonik. Në një periudhë më të vonët ajo u shtri më tutje duke pasur për terminus të ri Bizantiumin (ose Konstantionopojën e mëpasme). Rruga ishte e ndërtuar me gurë të mëdhenj shumëkëndësh, me qendrën më të lartë se sa anët, për të lejuar drenimin e ujrave, me anët e rrugës më të larta për të penguar rrëshqitjen dhe daljen nga traseja. Ajo ishte e gjërë nga 4 metra minimumi deri në 8 metra kur hyhej apo dilej në qytetet qe lidheshin nëpërmjet saj. Çdo një milje romake kishte gurë që shënonin distancën, dhe në vënde të paracaktuara kishte stacione për të ndërruar kuajt, bujtina për të fjetur, për t’u ushqyer e për t’u çlodhur.

Historia përcjell se via Egnatia ishte ndërtuar mbi një rrugë më të vjetër, para-ekzistuese.

via-egnatia-1Via Egnatia ishte dhe mbeti rruga kryesore që lidhi Romën me Lindjen. Ushtritë e Pompeut kaluan aty, ushtritë e Cesarit, Mark Antonit, August Oktavianit, Cassiusit dhe Brutit, po ashtu, kaluan aty. Ushtritë e Trajanit, kur shkoi në fushatën parthe disa qindra vjet më vonë, kaluan aty. Kryqëtaret kaluan po aty. Po aty kalonin të gjitha mallrat që lëviznin prej zonës lindore të perandorisë së Romës drejt qendrës dhe prej qendrës drejt lindjes. Ciceroni gjithashtu e përmend në shkrimet e veta, kur përshkruan udhëtimin e tij për në Bizantium.

Simbas një adagioje të vjetër, kur bëhej fjalë për dominimin ekonomik dhe politik në botën e njohur të asaj kohe, kush zotëron(te) lindjen, zotëron(te) dhe perëndimin. “Alkimistët” e historisë e lidhin këtë mardhënie varësie me faktin se në Perëndim raporti i shkëmbimit të arit me argjendin ishte 1 me 7, kurse në Lindje 1 me 12.

Shpërbërja dhe më pas rënia e Romës solli që edhe sistemi rrugor në të cilin mbështetej pushteti i saj, të pësonte të njëjtin fat. Rruga Egnatia, në një farë mase, e për njëfarë kohe, i shpëtoi gjendjes degraduese. Deri në shek. 15 ajo ishte kryesisht një rrugë tregtare, pjesërisht funksionale, nëpër te cilën lëviznin “njerëzit, fetë, ideologjitë, zakonet, ekonomitë, konceptet, mënyra të të parit të botës”. Në pikun e perandorisë Bizantine, Thesaloniku ishte shndërruar në një nga qendrat më të mëdha të artit bizantin, influenca e së cilës u shpërnda dhe u shtri në të gjitha drejtimet. Me ardhjen e sundimit otoman, rruga Egnatia ra në harresë të plotë, dhe si me shumë gjëra të tjera të lëna në errësirën e antikitetit dhe mesjetës së vonshme, do të duheshin më se 500 vjet që emri i saj të fillonte të përdorej përsëri.

Fuqia sugjestive e simboleve është e mirënjohur. Ato krijojnë besime dhe kushtëzojnë mënyra të sjelli dhe të menduari të njerëzve, me efekte që mund të shtrihen deri në strukturën sociale të tyre. Në një kulturë, forca e saj është pikërish ai rrjet simbolesh që e përbën atë dhe që i ndihmon njerëzit të kuptojnë realitetin sipas rregullsish të caktuara. Influenca e tyre priret të shtrihet në kohë e në hapësirë përtej kufijve të kulturës që ato perfaqësojnë, dhe jo rrallë transformohen në vlera me karakter komercial të shkëmbyeshëm. Në këtë drejtim kultura shqiptare, si ajo e trashëguara edhe ajo bashkëkohore është e varfër në simbole të mirënjohura, ose edhe ato që ka, kanë natyrë të kufizuar në shtrirje e në influencë.

Arsyet për këtë janë të shumta, por nuk është ky qëllimi i këtyre rrjeshtave.

[vijon]

1 Koment

  1. Doja të shtoja diçka për mënyrën sesi shteti grek gjithmonë e ka përdorur historinë e lashtë, për të ngritur pretendime gjeopolitike të tipit: Maqedonia duhet quajtur FYROM pasi bëhet fjalë për vjedhjen e një identiteti, duke anashkaluar faktin se një pjesë e mirë e «Egnatia Odos» moderne nuk i përgjigjet seksionit historik (Durrës – Peqin – Elbasan – Ohër – Monastir). Tenderin duhet ta ketë fituar në mënyrë të ndershme firma e një prokonsulli romak të Maqedonisë (specializuar në ndërtimin e rrugëve) me emrin Gnaeus Egnatius. Ndoshta duhet të jetë mbaruar pak para mbarimit të fushatës elektorale për zgjedhjet senatoriale andej nga viti 120 p.e.s. Ndoshta autostratda greke, duhet quajtur «gjysëmrruga Egnatia».

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin