KRIM DHE DËFRIM

Tetë vjet më parë, më 21 gusht të vitit 2001 në qytetin e Novi Ligure-s në Itali, një vajzë 16-vjeçare, Erika De Nardo, vrau me thikë të jëmën 42-vjeçare dhe vëllanë e vet 11-vjeçar, e ndihmuar edhe nga i dashuri Omar Mauro Favaro, 17-vjeçar. Viktimat u gjetën të masakruara me goditje thike; vetëm fëmijës, i futur në vaskë të banjos, iu gjetën rreth 50 plagë thike në trup.

Menjëherë pas krimit, Erika u tha forcave të policisë se vrasja ishte rezultat i një orvatjeje për grabitje nga ana e një bande imigrantësh të huaj, madje ofroi edhe një përshkrim të dy keqbërësve, me ç’rast u arrestua menjëherë një djalë i ri shqiptar (kush tjetër), i cili më pas u lirua për shkak të një alibie të hekurt.

Më pas, hetuesit regjistruan një bisedë mes dy të dashurve në sallën e pritjes të një kazerme karabinierësh, gjatë së cilës ata e pranuan, në bisedë e sipër, autorësinë e krimit. Një telekamera e fiksoi Erikën duke bërë gjestin e goditjes me thikë, duke thënë “ia ngula këtu”, dhe pastaj duke pyetur të dashurin: “Vërtet të pëlqeu kur po i vrisje?”, ndërsa Omari e tërhiqte nga krahu, duke i thënë “hajde këtu, katile”. Pak më parë, Erika i kish thënë të dashurit edhe se “Tani mund të dalim përjashta si çift i vërtetë,” dhe e kishte porositur që të vishej mirë në funeralin e viktimave.The joyful bride

Gjyqi e dënoi De Nardo-n me 16 vjet burg, ndërsa Favaro-n me 14 vjet burg.

U tha, gjatë procesit, se plani i të dyve ishte që të vrisnin edhe të jatin e Erikas, por pastaj Omar kishte thënë se i ishte lodhur dora gjatë dy vrasjeve të para, prandaj nuk kishte më fuqi të vriste edhe një person të tretë.

Deri këtu, një histori që fare mirë mund të kish dalë nga pena e një Maupassant-i; dy të rinj të dashuruar, jeta mbytëse e provincës, krimi si rrugëdalje nga rutina, autoritarizmi dhe kurthi i super-egos prindërore; ose si manifest praktik i lirisë totale ndaj ferrit të Tjetrit.

Vijimin e kësaj historie, përkundrazi, Maupassant-i nuk do ta kish përfytyruar dot.

Kur vuante dënimin në burg, Erika pati letërkëmbim të dendur me një muzikant nga Verona, një farë Mario Gugole, të cilin mediat e paraqitën si “të dashurin e ri të Erika-s”. Ky dha edhe intervista poshtë e lart, madje edhe mori pjesë në disa talk show-s.

Në maj të vitit 2006, Erika u lejua të dilte nga burgu për pak orë, për të luajtur një ndeshje volejbolli si pjesë e një programi për riedukimin e të dënuarve. Edhe këtë herë, gazetat dhe radioja dhe TV i dhanë hapësirë të tepruar kësaj ngjarjeje, duke lënë shteg për keqkuptime.

Më në fund, këto ditë agjencitë e lajmeve njoftojnë se Erika de Nardo u diplomua me notën më të lartë në Letërsi moderne në universitetin katolik të Brescia-s, duke mbrojtur diplomën me një temë për filozofinë e Sokratit.

Nuk di nëse absurditeti i kësaj teme diplome ia kalon dot absurditetit të krimit që i kishte paraprirë; nga ana tjetër, komponenti social në vrasjen e nënës nga studentja e ardhshme e mendimit sokratik kompensohet për bukuri nga zgjedhja e filozofisë së Sokratit për temë diplome nga një vrasëse nëne.

Megjithatë, ky është një nga ato skenarë kur idiotizmi i provincës ndeshet me çmendurinë adoleshente; dhe nëse kjo lloj përplasjeje dje prodhonte melodrama, sot rezultati merr trajtat e një reality show, ku Erika-s nuk i mbetet veçse të vërë kandidaturën për deputete në Parlamentin Europian, ndoshta në radhët e Partisë Radikale. 

E majta shpesh gabon duke e pasur gjithnjë gati një shpjegim social për krimin – varfëria, shtypja, margjinalizimi, racizmi, diskriminimi, persekutimi seksual; kur nuk e ka gati shpjegimin tjetër, psikologjik – fëmini e vështirë, abuzim seksual, incest, rrahje, prind alkoolist, bullizëm; ose edhe kulturor – dhuna në filmat ose në video-lojërat, kulti i moshave të reja dhe i seksit, nxitja për rebelim ndaj çfarëdo autoriteti.

Edhe e djathta nuk mbetet prapa, kur i reklamon autoritetin, respektin ndaj traditës, hierarkitë dhe raportet vertikale të pushtetit si e vetmja barrierë e garantuar për të na mbrojtur ndaj kaosit, krimit dhe anarkisë; meqë frustracioni përfton nevojë për autoritet njëlloj sikurse ushtrimi i autoritetit përfton frustracion.

Megjithatë, e pavarësisht nga të gjithë këta faktorë, shumë pak vajza 16-vjeçare therin me thikë nënat dhe vëllezërit e tyre; dhe këtë patologji të frikshme nuk mund ta kundërshtosh me lojëra volejbolli, ose tema për historinë e filozofisë – edhe pse unë do t’u kisha këshilluar këtyre programeve që të përgatitnin, më tepër se ekzegjete të Sokratit, infermiere për pavijone terminale të kancerit.

Një vrasëseje nuk ia mohon dot kënaqësinë intelektuale që të jep filozofia greke, as të drejtën për të studiuar gjatë kohës që vuan dënimin; por protagonizmi madje heroizimi, qoftë edhe vetëm në mediat, bie ndesh me përulësinë si parakusht të çdo orvatjeje për rehabilitim të personit. Çfarë shqetëson, në këtë kontekst, është edhe obsesioni i kulturës masive me krimin dhe kriminelët, të cilët dinakërisht i ofrohen publikut si alternativa ndaj rendit ekzistues.

Natyrisht, establishment-i ka prerogativën që edhe ta krijojë krimin duke formuluar dhe miratuar ligje; dhe një pjesë e mirë e këtyre ligjeve kanë për synim ta mbrojnë establishment-in vetë nga çfarë mund t’ia rrezikojë hegjemoninë; mirëpo krimi dhe krimineli nuk kultivohen si modele cool ngaqë i kundërvihen sistemit, por ngaqë kinse mishërojnë lirinë, përndryshe të neutralizuar nga rutina. 

Kësisoj, një pjesë e së majtës niset për të provuar se rehabilitimi i krimit duhet t’i interesojë publikut më shumë sesa ndëshkimi i kriminelit; por ashtu vetëm sa përforcon një filozofi mediash (aspak sokratike), sipas së cilës çdo krim është edhe kundërvënie ndaj sistemit.

10 Komente

  1. Këtë rast e pata jetuar si shqiptar në atë kohë në Itali. Por fajtorët u kapën shpejt dhe asnjë frazë e shkruar në drejtim të shtetasve shqiptar që nuk kishin gisht në atë krim të hatashëm (por që u përlyen më vonë me çiftin nga Veriu i Italisë të cilët u masakruan barbarisht), me aq sa mbaj mend unë nëpër gazetat e asja kohe (La repubblica, Corriere).

    Nuk e di, por këto inskenime, reklama drejtësish njerëzore, mbrojtje e jetës si vlerë e madhe, sikur ia kanë shtuar më shumë fajin mediave të cilat paraqesin tek publiku maniakë, kriminelë, të sëmurë psiqikë, përversë të pashërueshëm, si engjëj dhe si viktima të sistemit frenetik të këtyre dy shekujve të fundit. Ndoshta edhe pak për fajin e të madhit Freud, i cili me Das Unheimliche, na tha që shqetësimi është i lindur në shoqëritë njerëzore, nuk kemi ku ta çojmë.

    Erika, por edhe të tjera vrasëse ( në Perëndimin e zhvilluar nuk mungojnë) që nuk i dridhet dora të shkatërrojnë jetë fëmijësh, prindërish, kanë një vend dinjitoz në shoqërinë e sotme: burgun, rehabilitimin progresiv, rifutjen në oazin shoqëror tepër të lirë. Liria sjell fatkeqsisht dhe një liri të pa vetëdijes, një shfremin dëshirash. Dhe kur Erika sheh veten tek Mediaset si star apo lexon artikuj tek gazetat me të lexueshme, kjo verteton faktin se mediat e trajtojnë njeriun si objekt riciklues në pafundësi. Ajo mund të bëhet më perverse, më pak e kontrollueshme.
    McLuhan kishte të drejtë me shprehjen e tij të famshme: Medium is message!

  2. Për hir të së vërtetës, faji për krimin iu dha shqiptarëve dhe për këtë u fol madje shumë. Emri i shqiptarëve dhe i krimit të Novi Ligure-s është tashmë i lidhur pazgjidhshmërisht, sepse krimi u shndërrua në momentin kulminant të mitit mediatik antishqiptar. Ishte çasti i shumëpritur i vetëstërkëmbëshit të mitit kapadaì. Ka pasur edhe shkrime që e kanë prekur këtë temë.
    Krimi i Novi Ligure-s, pra i Erikas dhe i të dashurit të vet, ka përfunduar në manualet e disa degëve të sociologjisë. Emblematik ka qenë edhe filmi “Sono stati loro” (Kanë qenë ata) i regjisorit Guido Chiesa.

  3. Nuk e kuptoj pse duhet të shkojmë deri në vendin fqinjë për të gjetur raste të tilla makabre, kur ato i kemi në derën e shtëpisë tonë. Jo për arsye kaq të stërholluara si mërzia e provincës; arsyet përse vëllezërit këtu vrasin njëri-tjetrin janë më të thjeshta, si ndonjë vijë uji apo çështje pronësie…

  4. Nuk eshte ndjesi e re kjo, te mendoj se dicka hera-heres duket te jete reaksionare ne shkrimet e Xha Xhai-t, se sa akt vital pas asimilimit te nje realiteti abstract/ideor.

    shembull:
    “…edhe pse unë do t’u kisha këshilluar këtyre programeve që të përgatitnin, më tepër se ekzegjete të Sokratit, infermiere për pavijone terminale të kancerit.”

    Thjesht, kuptohet se dicka me kuptimplote deshiron, me nderhyrjen Xha, se ajo e programeve te denim/rehabilitimit si duket te jete vazhdim i defrimit me vrasjen e mamas dhe vllait prej vajzes ne fjale.
    Mund te konsiderohet per nji moment i aplikuar sugjerimi i Xha Xhai-t, por kjo nuk e ben as Vajzen, as Institucionin e denim/rehabilitimit me defryes se sygjerimi, ndryshimi eshte se njera tendence e vajzes dhe institucionit duket te jen ne shinat e instiktit, kurse Xha ne te koshiences. Gje qe nuk ndryshon statusin e defrimit, por vetem ngjyren.

    Gjithe ngjarja ne fjale eshte nje panoramik nga realiteti pa as me te voglen perpjekje per te ndryshuar ate, gje qe per mendimin tim ndodh ne shtrat normal si fenomen, por, une vetem nje shanc kam te distancoj veten nga defrimi me kete realitet te dhimbshem; Sentimentalish te shkeputem nga rrethanat, per te ndjere me shume dhimbjen social-njerzore duke u mbeshtetur ne dinamiken e informacionit per nje jete qe nuk fabrikon po te njejtat konseguenca edhe pse informohet nga i njejti realitet.

  5. Ma bëj hallall xhaxha, se kam filluar të bëhem paksa i plogësht këto kohët e fundit… Kam përshtypjen se kjo ngjarje shpegimin e gjen te vetvetja, është thjesht diçka irracionale, që më mirë nuk duhet të kishte ndodhur. Ndonjëherë realiteti është më i rëndë se edhe vetë fantazia më e shfrenuar e ndonjë Dostojevski apo Maupassant-i. Natyrisht, duhet pasur parasysh edhe mosha e të rinjve, pasi hormonet në këtë kohë bëjnë kërdinë. Ndoshta Macchiavelli ka pasur të drejtë kur thoshte se njeriu nga natyra është i keq (këtë po e citoj nga një grua që fliste për “La decada di Tito Livio” ke emisioni i M. Nanos, që s’ia mbaj mend emrin. Ajo tha edhe diçka për makinën Olivetti, që s’ka fare të bëjë me temën në fjalë. Po le të mos hallakatemi kot, t’i rikthehemi asaj që po thoshim… natyrisht, të majtët (italianë) këtu do të gjenin diçka për të komentuar dhe t’ia hidhnin gjithë fajin liberalizmit, që sipas tyre ka vdekur dhe ka marrë me vete pafajësinë e njerëzve, se e ka fajin sistemi! Të djathtët do t’ia hidhnin fajin kulturës pop të të rinjve të majtë, që rolet model të saj i gjen shpeshherë te “toksikët”, apo “i tossici” siç thonë italianët, me në njërën dorë spray-in për graffiti subversive dhe në duart e tjera “substancat” – se robi nganjëherë duhet me pasë tre duar – dëshmitarët e Jehovait do thonin se kjo është një nga shenjat e fillimit të Fundit; komunitetit shqiptar që banon atje, natyrisht nuk do t’i vinte mirë që i dyshuari i zakonshëm – il solito sospetto – është një nga ata (pasi me sa lexova, vajza kishte bërë një identikit me anë të të cilit kishin arrestuar një shqiptar, i cili më pas kishte dhënë alibi), sidomos tani që vendin e gogolit me të cilin mediat trembin opinionin publik në Itali, e kanë zënë romët rumunë… etj., etj.

  6. Gjyqi e dënoi De Nardo-n me 16 vjet burg, ndërsa Favaro-n me 14 vjet burg.

    U tha, .. të vrisnin edhe të jatin e Erikas, por pastaj Omarit i ishte lodhur dora gjatë dy vrasjeve të para, prandaj nuk kishte më fuqi të vriste edhe një person të tretë….
    Në .. 2006, Erika u lejua të dilte nga burgu për pak orë, për të luajtur një ndeshje volejbolli ..

    ..Më në fund, njoftohet se Erika de Nardo u diplomua me notën më të lartë në Letërsi moderne në universitetin katolik të Brescia-s, duke mbrojtur diplomën me një temë për filozofinë e SOKRATIT…

    Inversitet i sotem njerezor i ligjeruar.
    Te kujton Klintonin,i cili nuk kishte bere seks me Monin,vetem nje te tjeshte G…,dhe amerikanet i besuan,sepse e kishin presidentin e tyre.
    Njeriu mund te reabilitohet duke u defryer me publikun.
    Vetem qe une,pasi lexova me kujdes gjithcka,nuk munda te vendos cila ishte duke u bere më e bukura e ketij shkrimi,defrimi i Erikes apo i publikut.

  7. “Akoma ju o njereze nuk keni mesuar tu bindeni perendive?”

    …ajo u shemb ne shtratin ne te cilin kishte zene nje burre nga nje burre dhe femije nga nje femije…”

  8. Tregonin nje si bicim historie, ku dikush sqaron dike se “tani nuk ka me jevgj, tani jemi te gjithe njesoj, qytetare te barabarte etj. etj.” Ai degjuesi, me naivitet thote: “Dakord jam une qe s’ka me jevgj, po ata qe ishin c’u bene?”

    Pyes: Ne gjithe kete gjullurdi shpjegimesh sociale, kulturore, psikologjike, c’u bene sociopatet, njerezit e lindur me prirje kriminale? Apo te gjithe lindin engjej dhe dikush tjeter ua ka fajin kur kryejne krime e makabritete?

    Spektaklet qe vijojne me reabilitimet e historite e suksesit e librat e filmat qe pafund, jane vijim i shpjegimeve fillestare qe ofrohen, qe si padashje kalojne pragun dhe kthehen ne justifikime.

  9. LG, eshte me vend shqetesimi qe ngre. Sidoqofte ne analogji me anekdoten, pyetjen e ke shtruar gabim. Ashtu si lind jevgu, jevg, thua se lindin edhe njerez me prirje kriminale. Kjo jo vetem qe nuk eshte e provuar shkencerisht, por edhe ne qofte, duhet pasur parasysh gabueshmeria e shkences, ne dac e sinqerte, ne dac e pasinqerte kjo gabueshmeri. Xhaxhai, ashtu si filmi Natural Born Killers, ve ne dukje me te drejte se nuk ka njerez te lindur me prirje kriminale, por se keta monstra jane produkte shoqerore dhe mediatike, ashtu si edhe e sugjeron vete termi “sociopath.” Krimi, ashtu si dhuna, ashtu si cmenduria, jane te pajustifikueshem, dhe po te besh kujdes ndaj shtjellimit te nje njeriu te lindur me prirje kriminale, do te vesh re se eshte ky percaktim i njerezve te lindur kriminele, apo me natyre inferiore, qe eshte perdorur historikisht si justifikim skllaverie dhe deri gjenocidi, nderkohe qe perjashtimi i kategorise “i lindur i tille” eshte pikerisht perjashtimi i justifikimeve dhe venia ne dukje e shkaqeve reale. Nuk e di a me kupton?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin