RRETH DEBATIT TELEVIZIV (II)

doreza-boksiDisa veçori të debatit të sotëm televiziv mund t’i kuptojmë vetëm duke mbajtur parasysh historinë e dashurisë midis televizionit dhe të ashtuquajturave reality shows, të cilat pretendojnë t’i japin publikut imazhe të realitetit ashtu siç ndodh, të zhveshura nga artifici.

Kritiku frëng Roland Barthes, në një ese të vetën për realizmin në letërsi e përgjithësisht në art, vërente se nga të gjitha teknikat letrare, ky ishte më artificiali, sepse përpiqej të maskohej si i natyrshëm dhe i vetvetishëm. Ndoshta kjo vlen të thuhet edhe për televizionin e “realitetit”, pavarësisht nga niveli i publikut të cilit i drejtohet.

Në dukje, debati televiziv ka për qëllim të ndriçojë anë të ndryshme të një çështjeje aktuale ose “të nxehtë”, duke ftuar në studio personalitete të ndryshme, politikanë, dijetarë, intelektualë, juristë, shkencëtarë, artistë dhe në përgjithësi njerëz që u dëgjohet fjala, e duke i vënë të bisedojnë së bashku.

Megjithatë, ky format po kritikohet ndër të tjera edhe për mënyrën si zgjidhen të ftuarit në debatet; meqë ka njerëz të cilëve u duket se televizionet, pavarësisht nga ngjyrimi politik dhe niveli i publikut të cilit i drejtohen, priren të ftojnë për debate të njëjtat figura, të cilat në thelb lëvizin nga një studio në tjetrën, duke përsëritur të njëjtat qëndrime dhe duke u përfshirë në të njëjtat konflikte.

A ekziston vërtet një klikë e tillë shëtitëse, që merr përsipër të trupëzojë në skenë pluralizmin politik dhe kulturor në Shqipëri? Natyrisht që jo; teoritë e komplotit nuk janë veçse një përpjekje paralogjike për të shpjeguar dukuri përndryshe enigmatike, dhe duan trajtuar më shumë si simptoma sesa si hipoteza të mirëfillta edhe në qoftë se mbështeten prej statistikave.

Që debatet televizive duket sikur janë “monopolizuar” nga të njëjtët debatues, kjo lidhet para së gjithash me nevojën e kanaleve televizive për ta mbajtur publikun të lidhur pas ekranit; dhe asgjë nuk e tërheq më shumë teleshikuesin sesa përsëritja, ose familjariteti me personazhin, siç e ka treguar, tashmë prej kohësh, suksesi i telenovelave ose tani vonë edhe i reality shows.

Më tepër sesa e ashtuquajtura “klikë shëtitëse”, problem i debatit televiziv është, si gjithnjë kur vjen fjala për mass mediat, liria e shprehjes dhe raporti i saj me censurën. Aq më i mprehtë bëhet ky problem, në rrethanat kur debati kërkon të paraqitet si mishërim i përsosur i lirisë së fjalës dhe i qasjes ndaj së vërtetës nëpërmjet dialogut dhe ballafaqimit të pikëpamjeve të ndryshme.

Mirëpo censura dhe mediumi televiziv nuk ndahen dot lehtë, madje edhe kur produktorët e emisioneve, drejtuesit e tyre dhe vetë pjesëmarrësit në to nuk ankohen për shkelje të lirisë së fjalës.

Autorë të ndryshëm që kanë analizuar formatin e debatit televiziv, kanë vënë në dukje se censura aty vepron jo vetëm nëpërmjet përzgjedhjes së debatuesve ose mbylljes së skenës ndaj kontributeve nga jashtë, por edhe e sidomos nëpërmjet rolit që luan drejtuesi i debatit ose moderatori.

Edhe vetë zgjedhja e pyetjeve ose e çështjeve për debat përbën një lloj kufizimi të lirisë së fjalës; sikurse parapëlqimi për t’u ndalur në këtë apo atë aspekt të problemit. Kur diskutohet, bie fjala, rreth një krimi të shëmtuar (p.sh. abuzimit seksual me një fëmijë), drejtuesi i debatit mund të vendosë që të përqendrohet në nevojën për parandalimin e këtyre krimeve ose, alternativisht, në nevojën për zbatim të rreptë të ligjit.

Dihet se moderatori ia imponon debatit televiziv edhe ritmin, duke ndërhyrë sipas rastit dhe duke u kujtuar pjesëmarrësve se po zgjaten shumë, ose po dalin nga tema, ose po ia ndërpresin fjalën kolegut; shpesh këto ndërhyrje, që janë edhe ato pjesë e censurës, kanë të bëjnë me të ashtuquajturin “diktat të kohës” mbi debatin, dhe në thelb tregojnë sa artificiale është krejt formula e këtyre njerëzve që përpiqen t’i qasen një të vërtete ose një zgjidhjeje ose edhe një ndriçimi adekuat të problemit, të kufizuar jo nga caqet intelektuale të mendimit dhe të përgatitjes së tyre, por nga sekondat e orës së studios dhe nevojat e programit televiziv.

Studiuesit e komunikimit nëpërmjet mediumit televiziv kanë vënë në dukje edhe se, për shkak të shtrëngesave kohore, ky medium nuk është konteksti më i përshtatshëm për të shtjelluar mendimin; dhe veçanërisht për të shtjelluar mendimin nëpërmjet dialogut dhe ballafaqimit me mendimin e Tjetrit. Sociologu frëng Pierre Bourdieu flet për fast thinking (anglisht, për “të menduar të shpejtë”), duke iu referuar edhe dukurisë kulturore të fast food, ose të ashtuquajturit makdonaldizim të komunikimit publik.

Bourdieu vëren edhe se, në rrethanat kur pjesëmarrësit në debate televizive nuk kanë kohë të mjaftueshme për të zhvilluar mendimin e tyre dhe sidomos për t’iu përgjigjur, në mënyrë intelektuale, situatave që krijohen gjatë ballafaqimit me mendimin e tjetrit, atëherë vetë debati televiziv priret të koagulohet rreth pak ideve të thjeshta dhe klishé, që i paraekzistojnë debatit vetë. Kësisoj, debati televiziv nuk prodhon mendim, por vetëm riprodhon strukturat banale e të shtangëta, të hierarkive ekzistuese të mendimit.

Megjithë këto mangësi, debati televiziv mbetet një nga formatet më të suksesshme, po të gjykosh duke u nisur nga interesi që tregon publiku televiziv, e që vërtetohet nga statistikat e ndryshme. Ky interes, në thelb, nuk ka të bëjë me natyrën e çështjeve të debatuara, të cilat dihet se do të zgjidhen në mënyrë që t’u përgjigjen nevojave intelektuale të publikut; por me çfarë ndodh në studio midis të ftuarve, dinamikën e komunikimit mes tyre, personalitetet e tyre, të cilat me kalimin e kohës dhe falë efektit të përsëritjes vinë e shndërrohen, ato vetë, në elemente të debatit, deri aty sa ta mbizotërojnë.

Në këtë kuptim, debati televiziv nis të mishërojë disa elemente të cilat, në të kaluarën, i ndesh në folklorin epik dhe pikërisht në rrëfenjat ose këngët legjendare dhe epike, për bëma personazhesh mitike ose historike të mirënjohura; në po atë kuptim siç mund të themi, sot, se telenovela (soap opera, ose show televiziv amerikan) nuk është veçse versioni modern i bëmave të Mujit dhe të Halilit, veçanërisht po të gjykohet nga tiparet e strukturave narrative.

wrestlingÇka e dallon debatin nga telenovela (ose cikli i Kreshnikëve), është varfëria e narrativës, në kuptimin që personazhet e atjeshme vetëm sa riprodhojnë vetveten duke hyrë në konflikt me kundërshtarët e tyre; dhe kjo dinamikë e afron debatin edhe me eventin sportiv televiziv, i cili e tërheq publikun sa me cilësinë e lojës, aq edhe me familjaritetin e skuadrave dhe të lojëtarëve. Nuk është e rastit që suksesi i debateve televizive i ngjan, nga pikëpamja tipologjike, jo vetëm suksesit të reality shows dhe të telenovelave, por edhe të ndeshjeve sportive të transmetuara në TV.

Për fat të keq, në rrethanat e sotme të komunikimit, televizioni imponohet si mediumi më i fuqishëm për t’ia përcjellë një mesazh publikut; madje edhe atëherë kur mesazhi është thjesht një ftesë për t’u familjarizuar me këtë ose atë personazh të politikës, të shoqërisë civile dhe të kulturës. Mbikëqyrësit e opinionit publik në Shqipëri e kanë kuptuar mirë se mass mediat, veçanërisht ato që mbështeten në vizualitetin, kanë edukuar dhe përftuar një lloj publiku i cili kërkon të identifikohet me imazhe dhe simbole, jo me ide të artikuluara, programe dhe vizione.

Prandaj edhe kritikëve të mediumit televiziv dhe të gjithë atyre që besojnë se në ligjërimin publik shqiptar ka ende nevojë të ngutshme për përmbajtje nuk u mbetet veçse të vetëdijësohen, deri në fund, për mangësitë dhe kufizimet e natyrshme të këtij mediumi, të cilat përthyhen edhe në deformimet përkatëse në publik, por edhe në procese politike me rëndësi vendimtare për qytetarin.

 

2 Komente

  1. Pervec kufizimeve te natyrshme te debatit televiziv nga perzgjedhja e diskutuesve dhe e moderatoreve, kufizimi me i rende eshte per mendimin tim ai i kohes. Ne televizion nuk ka asinkronitet.

    Programi ditor i nje televizioni eshte sinkron pra ka formen e nje vije te drejte e cila mbushet nga segmente programesh qe vijojne njera pas tjetres. Kjo do te thote qe nje program i caktuar duhet te zere jo me shume se 50-60 min. Nese keto 50-60 min i ndan me 4-5 te ftuar ne rastin e programeve te debateve i bie qe ide relativisht komplekse te shpjegohen nga sejcili brenda gjithsej 10-12 min. Vete keto 10-12 min per sejcilin jane te ndara ne seksione pyetje pergjigjesh prej 3-4 min ku je i detyruar te besh perseritje pra ku nje perqindje e caktuar e mendimit duhet te perseritet per te gjetur lidhjen e meparshme.

    Si perfundim televizionet per mendimin tim thjesht nuk jane te pershtatshem per elaborim te ideve komplekse. Per kete aresye debatet do te zevendesohen krejtesisht nga interneti i cili pervec asinkronitetit ka dhe nje mori mjetesh komunikimi dhe lirish teknologjike qe e bejne diskutimin ne kete medium shume me te lire.

  2. “…në rrethanat kur pjesëmarrësit në debate televizive nuk kanë kohë të mjaftueshme për të zhvilluar mendimin e tyre dhe sidomos për t’iu përgjigjur, në mënyrë intelektuale, situatave që krijohen gjatë ballafaqimit me mendimin e tjetrit, atëherë vetë debati televiziv priret të koagulohet rreth pak ideve të thjeshta dhe klishé, që i paraekzistojnë debatit vetë. Kësisoj, debati televiziv nuk prodhon mendim, por vetëm riprodhon strukturat banale e të shtangëta, të hierarkive ekzistuese të mendimit.

    Megjithë këto mangësi, debati televiziv mbetet një nga formatet më të suksesshme, po të gjykosh duke u nisur nga interesi që tregon publiku televiziv…”

    Shumica e publikut televiziv, por jo krejt publiku. Dhe shpjegimi besoj se qendron nder rreshta: SHUMICA…
    Shumica eshte pikerisht ajo qe ushqehet edhe me fast food. Te Paktet jane ata qe kane kohen dhe edukaten e duhur per ta “pertypur” sic duhet “ushqimin” real dhe mendor. Gjithkush ne jete merr ate qe meriton…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin