GËNJESHTRA NË GJUHË

 

ianusEseja e Ba Báit për artin e të gënjyerit, më kujtoi se gënjeshtra, mes shumë gjërash të tjera, është edhe akt ligjërimor, ose diçka që mundësohet vetëm e vetëm nëpërmjet përdorimit të gjuhës.

Përndryshe, kur e përkufizojmë gënjeshtrën si shtrembërim me dashje ose të qëllimshëm të çka e kujtojmë si të vërtetë, duhet të mbajmë parasysh se ne epistemologji e vërteta çiftohet me gabimin, jo me gënjeshtrën.

Megjithatë, gënjeshtra e parakupton të vërtetën dhe është në lidhje plotësuese me të; në qoftë se unë them se “dje ra borë në Queens,” kjo mund të jetë gënjeshtër, por mund edhe të mos jetë; dhe të qenët e thënies sime gënjeshtër nuk varet nga moti që ka qenë dje në Queens, por nga informacioni që kam pasur unë për këtë.

Gënjeshtra dhe gabimi qëndrojnë kështu në dy skaje të kundërta e të baraslarguara nga e vërteta.

Përndryshe, gënjeshtra nuk është dije, por akt; i cili themelohet mbi të vërtetën dhe buron prej saj.

Për t’u realizuar, ky akt ka nevojë për mjetin gjuhësor; meqë mundësohet pikërisht nga aftësitë e gjuhës për ta zëvendësuar realitetin, duke e ndërmjetësuar.

Në përgjithësi, që dy ose më shumë palë të arrijnë të komunikojnë duke shkëmbyer mesazhe gjuhësore, duhet të besojnë se secila po përpiqet të thotë të vërtetën; gënjeshtra, si akt, e merr fuqinë pikërisht nga kjo aftësi e ligjërimit për të përcjellë një informacion që i përgjigjet së vërtetës (Wittgenstein, në versionin Tractatus).

Por nëse është kështu, atëherë duhet pranuar edhe se njeriu gënjen aq sa ç’ia lejon gjuha; dikush mund të thotë, p.sh., se “im atë lindi mbrëmë”, por nuk mund të thotë se “im atë lindi nesër”; thënia e parë është absurde dhe e gënjeshtërt, ndërsa e dyta nuk ka kuptim, për shkak të konfliktit midis kohës së shkuar të foljes “lindi” në raport me momentin e ligjërimit dhe kohës së ardhme së cilës i referohet ndajfolja “nesër”, përsëri në raport me momentin e ligjërimit.

Gjuhëtari frëng Bernard Pottier, duke diskutuar për kufijtë që na vë gjuha, sjell shembullin e një gjuhëtari specialist të gjuhëve të indianëve të Amerikës; kur ai kërkoi informantit të vet indian që të thoshte në gjuhën e vet “dje isha për peshk”, indiani iu përgjigj se nuk mund ta thoshte dot një gjë të tillë, meqë ai dje nuk kishte qenë për peshk. Pottier komenton këtu me ironi se, sikur këtë cen a mangësi ta kishin pasur edhe gjuhët europiane, gazetat do të kishin dalë me fare pak faqe.

Shembulli është kurioz, por jo tipik; gjuha na lejon të themi çfarëdo gënjeshtre që të dëshirojmë, njëlloj sikurse na lejon të themi edhe të vërteta.

Psikologjia evolutive, nga ana tjetër, ndihmon për të kuptuar se vetëm ato kultura që vendosin një raport racional me të vërtetën, mund ta izolojnë, ta përkufizojnë dhe, eventualisht, ta dënojnë moralisht gënjeshtrën. Në romanin “Një amerikan në oborrin e mbretit Artur”, Mark Twain përshkruan një kulturë të mesjetës së hershme, ku kufijtë midis gënjeshtrës dhe së vërtetës ishin shumë fluidë – mjaft që dikush ta thoshte diçka, dhe ajo besohej vetvetiu. Ligjërimi, si të thuash, nuk mund veçse të prodhonte të vërteta.

Në thelb, gënjeshtra bëhet e mundur në momentin kur njeriu bëhet i vetëdijshëm se gjuha jo vetëm mund të riprodhojë besnikërisht realitetin, që është një i vetëm, por edhe të krijojë një realitet paralel, të përfytyruar, e të ndryshëm prej atij “të përbashkëtit”.

Këtu antropologut i duhet të dallojë midis gënjeshtrës nga njëra anë, dhe magjisë, mitit, artit dhe narrativës religjioze nga ana tjetër. Në një kuptim, grekët e vjetër e besonin se Helena e Trojës ishte e bija e Ledas dhe e një mjellme, që nuk ishte veçse Zeusi vetë; sikurse besonin që Teseu kish vrarë Minotaurin dhe Uliksi kish verbuar Polifemin; dhe e besonin jo siç besojmë ne sot që Ana Karenina u hodh në rrotat e trenit, ose që Mato Gruda qëlloi shtëpinë e plakut Mere me topin që u kish vjedhur italianëve.

Psikologu Julian Jaynes ka formuluar një hipotezë të rëndësishme, sipas së cilës deri nja 3000 vjet më parë, mendja e njeriut ishte e ndarë më dysh, dhe hemisferat e trurit komunikonin mes tyre nëpërmjet halucinacionesh auditive – me fjalë të tjera, të gjithë njerëzit dëgjonin “zëra”, të cilat ua atribuonin, sipas rastit, perëndive, të vdekurve, demonëve, të tjerave qenie ose kafshëve; njëlloj si skizofrenët sot.

JanusKëtë hipotezë, Jaynes e shtjellon në veprën e vet madhore The Origin of Consciousness in the Breakdown of the Bicameral Mind (1976), ku pasi sjell një pasuri të habitshme shembujsh nga lashtësia, veçanërisht nga mitologjia dhe poezia e popujve të vjetër, arrin në përfundimin se faza e sotme e vetëdijes, ose ajo që përjeton njeriu modern, u përftua në momentin kur njeriu filloi të përdorte metaforën në gjuhë.

Përndryshe, thotë Jaynes, në vepra të hershme si Iliada ose pjesë të Dhjatës së vjetër, nuk gjen dot prova të qarta se personazhet për të cilët bëhet fjalë atje, ose edhe rrëfimtarët vetë, janë të vetëdijshëm, në kuptimin që i japim ne sot vetëdijes. Për të njëjtën arsye, autori arrin në përfundimin se Odiseja është shkruar shumë më vonë, meqë atje Uliksi trupëzohet si prototip i njeriut modern, ndonëse gjithnjë nën ndikimin mistifikues të halucinacioneve, të paraqitura në poemë si vizita të perëndive, të cilat gjithnjë sugjerojnë, shpjegojnë dhe parashikojnë të ardhmen. Megjithatë, Uliksi si hero jo vetëm tregon aftësi introspektive por edhe, çka është më domethënëse për këndvështrimin tonë, gënjen.

Një nga format me të cilat hemisfera e djathtë i fliste së majtës në periudhën bikamerale, gjithnjë sipas modelit kontroversial të Jaynes-it, ishin muzat, ose zanafilla e artit. Kjo do të thotë edhe se, për bardët bashkëkohës të Homerit dhe Homerin vetë, poezia nuk buronte nga “thellësitë” e shpirtit, por vetëm komunikohej nga muza, e cila perceptohej si qenie e përtejme, jo si pjesë e unit. Prandaj poeti mjaftohej të përcillte çfarë i kishte “kapur” antena dhe nuk garantonte dot asgjë, për natyrën e ligjërimit dhe të narrativës.

Po ashtu, Jaynes i jep rëndësi të madhe momentit kur mendja – dhe pikërisht hemisfera e majtë – fillon t’i perceptojë mesazhet që merr nga e djathta si metafora, ose si teknika transmetimi të informacionit të mbështetura mbi ngjashmërinë. Gjuha jonë e përditshme nuk funksionon dot pa metafora të tilla, të cilat janë, në thelb, banale: dielli lind, avionët kanë krahë, ne pimë një gotë verë, lexojmë Rilken, na qan zemra për mëmëdheun, etj.

Askush nuk i percepton këto metafora si gënjeshtra, edhe pse, në thelb, dielli nuk “lind” ashtu siç “lind” fëmija; por njëlloj askush nuk i percepton si të vërteta. Ka një pasazh të këndshëm te Kronikë në gur, i Ismail Kadaresë, kur rrëfimtari fëmijë ndërmerr një farë eksperimenti mendor, duke i interpretuar metaforat gjuhësore literalisht:

Një erë e ftohtë, e thatë, frynte vazhdimisht nga grykat veriore. Dëgjoja ulërimën e saj të shtruar dhe në kokë më vërtitej pa asnjë shkak shprehja “fjalët i merr era” që e kisha dëgjuar në mëngjes. Kohët e fundit po më ndodhte diçka e çuditshme. Fjalë dhe shprehje që i kisha dëgjuar me qindra herë, befas filluan të më tingëllonin me një kuptim të ri. Fjalët filluan të çliroheshin nga kuptimi i tyre i përditshëm. Shprehjet e krijuara nga dy-tri fjalë filluan të zbartheheshin në një mënyrë torturuese. Në qoftë se do të dëgjoja që dikush thoshte “më zien koka”, mendja ime, kundër vullnetit tim, aty për aty përfytyronte një kokë që ziente si vorbë me fasule. Fjalët kishin një energji të caktuar në gjendjen e tyre të ngrirë. Tani kur ato filluan të shkrijnë, të zbërthehen, po lëshonin një energji të tmerrshme […] Veçanërisht më mundonin shprehje të tilla si “hëngërsh kokën”. Torturës së përfytyrimit të njeriut që mban në duar kokën e vet dhe e ha, i shtohej mundimi për të kuptuar se si njeriu mund të hajë kokën e vet, kur dihet që çdo gjë hahet me dhëmbë, dhe dhëmbët vetë ndodhen në kokën e dënuar. […]

Kisha hyrë në mbretërinë e fjalëve. Kjo ishte një tirani e pamëshirshme. Bota u mbush befas me njerëz që kishin në vend të kokave kunguj, koka të tjera vinin vërdallë, sytë plasnin si fishekët, disave u ngrinte gjaku si akullore, ca vërtiteshin me gjuhë të tharë, të tjerët me duar metalike (të arta ose të argjendta), aty-këtu shfaqej ndonjë copë mishi me dy sy, qytetin vetë e zinin ethet (kisha parë si dridheshin dritaret, kisha parë madje edhe djersët e tij bojë hiri), dikush vërtitej me rrënjë të dala, të tjerët si të çmendur i bënin shoku-shokut pyetje pa kuptim, “ku i ke veshët, ku i ke sytë”, dikush përpinte të hante dikë jo me anë të dhëmbëve, por me anë të syve, ngjyrues të panjohur lyenin papritur me ngjyrë të zezë derën e ndonjë shtëpie ose fatin e ndonjë vajze […] dhe ,ë në fund një ditë prej ditësh dikujt i binte befas në kokë dashuria si një pllakë guri nga strehët. [Kronikë në gur, Onufri, 2000, f. 96-97].

Kjo tërheqje në kah të kundërt, nga metafora në literalitet, parapërgatit kalimin nga bota racionale në botën mitologjike, ku metafora nuk ekziston më; dhe mendja e njeriut bikameralizohet sërish.

Përballë metaforës, poezisë dhe mitit, qëndron retorika, së bashku me përpjekjet për të manipuluar mendjet dhe zemrat nëpërmjet fjalës. Nëse gënjeshtra është akt, a mundet që edhe vetë fjalët të gënjejnë, përtej kombinimit të tyre në thënie? Kësaj pyetjeje orvatet t’i japë përgjigje gjuhëtari Harald Weinrich (The Linguistics of Lying & Other Essays, University of Washington Press, 2005), duke iu referuar një paragrafi të njohur të Brecht-it për fatet e së vërtetës në gjermanishten e periudhës naziste. “Në këto kohë, kushdo që thotë popullsi në vend të popull ose racë; dhe tokë private në vend të dhé, po ia mohon mbështetjen e vet, nëpërmjet këtij akti kaq të thjeshtë, shumë gënjeshtrave të tjera.”

Sipas Weinrich, shkrimtari Stefan Andres më pas e përditësoi mendimin e Brecht-it, duke shkruar se “Sot deri edhe fjala e vërtetë udhëton nën flamurin e karantinës, sikurse shoqet e saj liria, drejtësia, toleranca, besnikëria, nderi dhe shumë të tjera; të gjitha këto koncepte tashmë krejtësisht të infektuara nga ideologjia, pragmatizmi dhe gjithfarë justifikimesh mashtruese.”

Weinrich shton se ato fjalë që janë përdorur, tej mase, për të gënjyer vetvetiu bëhen të pavërteta; dhe përmend fjalë të tilla të gjermanishtes si Weltanschauung (botëkuptim), Lebensraum (hapësirë jetësore) dhe Endlösung (zgjidhja përfundimtare, e përdorur si eufemizëm për shfarosjen e hebrenjve). Kushdo që i përdor ende këto fjalë, sipas autorit, është ose gënjeshtar, ose viktimë e një gënjeshtre. Për fjalë të tilla të rrënuara nuk ka shpëtim, thotë Weinrich; duhen dëbuar nga gjuha.

Njëlloj u diskredituan fjalë të tilla si demokraci, pushtet popullor, pronë e përbashkët nga regjimet totalitare; duke u infektuar nga e njëjta ideologji që frymëzonte regjimet vetë. Çka ndoshta shpjegon edhe pse këto fjalë vijojnë të tingëllojnë të zbrazëta e hipokrite sot e kësaj dite, madje edhe në gojë të sinqerta; pa përmendur të gjithë ata të tjerët, që duan t’i përdorin njëlloj si shkallare drejt pushtetit.

 

6 Komente

  1. …”Nëse gënjeshtra është akt, a mundet që edhe vetë fjalët të gënjejnë, përtej kombinimit të tyre në thënie?…”

    Mendoj se eseja e Xhaxhait duhet te kishte nje paranteze ne hyrje te saj:

    “Ne fillim ishte qellimi”.

  2. Xhaxha, dakord, vetem dua te bej nje sqarim. Nese genjeshtra eshte akt, nuk do te thote se eshte vetem akt verbal, apo vetem akt ligjerimor. Ne rradhe te pare, genjeshtra eshte akt shqisor, i cili eshte shume me i hershem se sa akti ligjerimor, dhe qe vjen si rrjedhoje ne rradhe te pare te perspektivave te ndryshme shqisore ne lidhje me te njejtin objekt dhe ne rradhe te dyte fale identifikimit te dy sendeve me identitete te ndryshme si me te njejtin idenitet brenda llojit. (Kjo taksonomi nuk ka pse te jete detyrimisht gjuhesore, mjafton te jete nje impresion mendor i bere i mundur nga shqisat dhe te permbushe nevojat elementare te jeteses, si psh, ky lloj fruti me kete forme, me kete ngjyre, me kete arome, qe hengra dje, me jep dhimbje stomaku, apo kjo lloj kafshe e rrezikshme, trembet nga ky gjest dhe largohet). Nese do flasim per nje zanafille te genjeshtres ne gjuhe, duhet theksuar se gjuha e genjeshtert qe flasim eshte gjuha e genjeshtert me te cilen bota na flet nepermjet shqisave. Keshtu, qe ne rradhe te pare, e njejta karrike qe kam ne dhome, eshte virtualisht kater gisht e larte me gjithe shpinore kur e shoh nga qoshja tjeter e dhomes, si dhe me vjen deri tek brezi kur i qendroj puthitur, dhe ne rradhe te dyte, edhe pse nje objekt me nje identitet krejt te vetin, eshte e njejte me nje karrike tjeter qe kam po ne dhome.

    Nuk me duket shume i sakte ky dallimi bikameral. Nuk ka asnje prove qe letersia kontemporane te shfaqe nje vetedije te ndryshme nga ajo e Homerit. Nuk ka as edhe nje dallim mes odisese se Uliksit neper mesdhe, dhe odisese se Kris Kelvin me Solaris. Nje interpretim qe do kishte per baze psikanalizen e karakterit mund te arrinte deri aty sa ekzagjerimin dekorativ te kenges se sirenave, apo edhe ekzagjerimin e rrezikut prej tjetres deri ne permasat e tiranise se Circes, t’a interpretonte si thirrja e shtepise, si kenga e Penelopes, neper te njejtat vija psikologjike te shfaqjes se gruas se vdekur te Kelvin ne Solaris. Natyrisht, kjo perspektive ne interpretim nuk do te ishte vecse nje genjeshter taksonomike, por qe sidoqofte nuk do kishte pse te vuante nga nje mungese legjitimiteti ne krahasim me perspektiven bikamerale.

    Nese ka nje dialektike midis hemisferave te trurit, kjo me duket se kushtezohet nga dallimi midis asaj qe ndodhet brenda horizontit te njohjes, dhe asaj qe ndodhet jashte ketij horizonti. Me duket gabim dhe progresivizem i nxituar sidoqofte, qe te flasim per nje periudhe moderne ku kjo dialektike bikamerale te konsiderohet me fluide se ne nje periudhe me te hershme, pasi gjithmone do te kete nje horizont qe do beje dallimin mes te njohures dhe te panjohures. Hubrisi i Patroklit dhe virtyti mbinjerezor i Akilit jane po aq moderne sa perpjekjet Napoleonike te Raskolnikovit dhe Napoleon Bonaparti vete. Dallimi kohor mes Iliades dhe Odisese, i bazuar ne nje dallim fals te zhvillimit te vetedijes njerezore, nuk mund te jete pervecse aq i holle sa dallimi kohor mes Krim e Ndeshkim dhe Idiotit te Dostojevskit. Raskolnikovi qe degjonte zerin e Historise – perendi Hegeliane- mund te konsiderohet brenda arketipit te Patroklit po aq sa rivaliteti mes Myshkin dhe Rrogozhin mund te konsiderohet brenda arketipit te oborrit te Penelopes.

    Se fundi, gjuha qe flasim e imiton aq shume multiglositetin e botes, sa qe nuk ka nevoje per nje koncept bikameral per te kuptuar ambiguitetin e fjaleve qe perdorim, ambiguitet qe na lejon te themi te verteten duke genjyer (arti) apo te genjejme duke thene te verteten (politika).

  3. Xha Xha,

    Shume faleminderit per kete shkrim, sidomos se referencat nga psikologjia evolutive (Jaynes) qe ke permendur, paraqiten interesante dhe duhen hulumtuar me tej.

    Gjithe te mirat,

    B.

  4. “GËNJESHTRA NË GJUHË”

    apo, Mendja – GËNJESHTRA NË GJUHË.

    Eshte e gjitha genjeshter, thuhet shpesh kur nje drejtim te menduari devijon nga pritshmeria, dhe kjo ndodh te te gjithe pa perjashtim. Zakonisht per perceptime kolektive, por jo vetem, edhe individuale. Pritshmeria e parafabrikuar/perftyruar, me frutet e saj jo rralle here te shishme, ushqen-aktivizon qenjen njerzore.
    Une bej cudi me faktin qe ne kete realitet te krijuar, prap, kerkohet te genjehet, shenje kjo e nje mentaliteti qe merr per te dhene absolute/mireqene Krijimin/Realitetin. Shenja te suksesit te nji gjuhe qe flet realitet gjen ne krijimtari-shkencore, artistike, letrare e cdo perpjekje e sinjqert per te lexuar/komunikuar me genjeshtren Realitet, dhe jo me genjeshter mbi genjeshter. Prandaj vihet re se genjeshtra denohet, pamvarsisht se jan dy lloje grupesh me perspektiva te ndryshme per denimin e genjeshtres. Puna e gjithe mbetet se ne cilin grup ben pjes i genjyeri genjyes.

    Ne se diskutohet genjeshtra si fenomen i komanduar/vetedijshem mire eshte te lexohet edhe ashtu si shkruan Xha ne shkrimin “GËNJESHTRA NË GJUHË”, por Luljani lexon/shtjellon ate pjese te genjestres para gjuhes qe shkrimi nderlidh e nuk ndalon interpretim te llojeve edhe jasht gjuhe.

    Ba Bai, interesant me Buden. Beri Xha Xhai-n te perdorte gjuhen per “trap”, por Luljani thote dicka per “trapin” mendje, ku edhe une gjej te jem.

  5. Richmond Lattimore, nje nga perkthyesit me te vleresuar te Homerit ne anglisht, thote ne parathenien e perkthimit te tij te Iliades:

    “Thjesht nuk e dime se sa seriozisht i merrte Homeri perendite
    e tij te Olimpit, deri ne c’mase ato jane hyjnite e tij, apo ato te tradites te tij, apo ato te audiences se tij. Per narrativen ato jane tej mase te vlefshme. Ato mund te ndryshojne eventet, te pajtojne motive perndryshe te pamundura, te shpetojne njerez qe duhen shpetuar. Por nje gje perendite/persona te Homerit nuk e bejne: nuk ndryshojne natyren njerezore. Ato manipulojne Akilin, Enean, Parisin, por nuk i bejne ata qe jane. Zgjidhjet jane njerezore; dhe ne fund, me gjithe nderhyrjet hyjnore, Iliada eshte nje histori njerezish.”

    Iu ktheva kesaj se desha te them edhe dicka tjeter ne lidhje me Iliaden dhe vetedijen, se m’a vuri trurin ne levizje teoria bikamerale e Jaynes. Me duket nje keqinterpretim total te thuash se nuk ka prova qe karakteret aty nuk tregojne vetedije sic e njohim sot, kur lufta e ftohte mes Agamemnonit dhe Akilit, eshte e bazuar pikerisht ne mungesen e vetedijes se njerit, dhe ne vetedijen e tjetrit, dhe ku gjithcka qe percakton veprimet e te vdekshmeve eshte e pasigurt. Ishte pikerisht nje enderr ku Agamemnoni genjehet nga Zeusi qe e lejon te mos pyese per Akilin, genjeshter mbi te cilen Agamemnoni behet i vetedijshem pasi demi eshte bere dhe u kerkon ndjese grekerve me lot ne sy. (Kjo eshte edhe nje nder arsyet per degradimin platonik te poeteve, pasi sipas Platonit, Homeri ben gabim qe thote se Zeusi genjen, sepse Perendite nuk genjejne, por na genjen ne mendja). Nderkohe qe Akili, megjithese i destinuar nga perendite te jetonte shkurt dhe lavdishem, i terhqur ne tendat e veta e kishte mbledhur mendjen qe do kthehej nga lufta te jetonte gjate, i vetedijshem per faktin se kjo jetese e gjate mund te ishte pa lavdi.

    Pare ne kete aspekt, Iliada eshte e gjitha e mbeshtetur ne nje vetedije ndaj mashtrimit, dhe ne nje pasiguri te personazheve ndaj asaj cka eshte e vertete dhe cka eshte e genjeshtert, duke filluar qe nga pendimi i Helenes, qe nuk mund te ishte i tille nese nuk do ishte kjo vetedije ndaj mashtrimit. Veshtire te mos gjesh eko te ketij mashtrimi qe perendite kryejne mbi njerezit, premtimit te tyre e pastaj braktisjes, (sidomos nga krahu i Trojaneve, per t’a lene pasurine magjepsese te Priamit te shkrete) tek vdekja e Zotit, cmagjepsja moderne gjate luftes se pare boterore dhe brakisja Heideggeriane e perendive. Dhe nuk jane vetem perendite qe mashtrojne ne Iliade, por edhe njerezit qe mashtrojne dhe mashtrohen. Patrokli i veshur me rrobat e Akilit, eshte mashtrues. Sipas nje tjeter kuptimi, Akili mashtrohet nga placka e luftes prej Agamemnonit. Agamemnoni nuk ka fjalim qe mos e filloje me shprese dhe mos e mbylle me nje mungese totale shprese, si dhe e anasjllta direkte, duke u treguar gjithmone shume demagog dhe aspak orator. Akili mashtron, duke kercenuar ikjen e duke mos ikur. Priami mashtron syrin vezhgues te rojeve greke, i veshur si nje lypes dokudo kur shkon te kerkoje trupin e Hektorit. Gjithe lufta e Trojes eshte e bazuar ne mashtrimin qe i beri Parisi Menelaut.

    Te dyja qendrimet kryesore, (sidomos ai i Agamemnonit, i pari i mbreterve, qe dhjete vjete deshtim e konsideon si deshtim personal), nuk bien larg hapit te verber te besimit qe kushtezohet prej ankthit te ekzistences moderne te njeriut, sipas Kierkegaard. Ka nje keqlexim, qe kam frike se eshte i qellimshem te Iliades nga Jaynes, gjithmone sipas leximit te Jaynes qe ofron Xhaxhai me lart. Eshte pikerisht sfida konstante qe i ben Akili autoritetit, qofte autoritetit te te vdekshmeve si Agamemnoni, qofte autoritetit te te pavdekshmeve, ne dac duke u ndeshur me Skamandrin, ne dac duke u perpjekur te marre nje vendim te vetedijshem per fatin e tij, qe e diskretiton leximin e Jaynes. Sepse, ashtu si mungesa e vizionit qe Agamemnonit i shkakton ankth, nuk di ku t’a fusesh angushtine, merine, inatin e Akilit pervecse ne nje lloj ikonoklazme, ne nje rebelim kunder fatit te shkruar qe i shfaqet ne vizione dhe komunikime te qarta perendish. Akili ndihet i mashtruar, dhe per cudi eshte indinjata e tij qe ve ne levizje perendite, ndryshe nga skema qe bikamerale qe paraqet Jaynes, ku te vdekshmit vihen ne levizje nga te pavdekshmit. Duke i thyer te gjitha kodet morale, perfshi dhe respektin ndaj te vdekurve, nuk mund te thuash se meria e Akilit nuk buron nga brenda, apo se i flasin te vdekurit nga paradhoma e mendjes.

    Cuditerisht, eshte pikerisht kete meri te brendshme, ku meria mund edhe te lexohet si vetedija vete, qe Homeri i kerkon Muzes te kendoje. Kengen e bardit, apo te Homerit ne kete rast, ashtu si merine e Akilit, me duket gabim elementar te mos e lexosh si burim nga thellesite e shpirtit por si komunikim nga Muza, apo te drejtuar nga perendite. Borges flet per nje perralle te Shehrazades ne te cilen nje njeri po tregon historine e Shehrazades duke i treguar perralla mbretit. Me duket gabim te flitet per nje mungese vetedijeje artistike te Homerit, kur i vetmi personazh me te cilin Homeri e identifikon veten si bard eshte Akili, te cilin delegatet e Grekerve e gjejne “duke kenduar per njerez te famshem.” Me duket gabim qe Muzen e Iliades t’a konsiderosh si nje qenie te pertejme kontrolluese, kur ajo duhet kuptuar si vete metafora qe mbart ate qe ndodhet brenda thellesive te shpirtit, pertej trupit dhe anasjelltas. Nese ka nje mungese vetedijeje mbi Muzat apo perendite si metafora, nuk mund te thuhet se i perket Homerit te Iliades, por leximit qe i ben Jaynes.

    Se fundi, Iliada eshte nje tregim i mbrujtur ne nje psikologji moderne, aq sa psikoanaliza bashkekohore mund te nxjerre mesime te vyera per sa i perket subjektit te shekullit 21. Ankthi i Agamemnonit, “me mbreterori i mbreterve” qe shkakton merine e Akilit, terheqja e te cilit shkakton crregullime ne rradhet e Grekerve, mund te lexohet ne dac si uzurpim i racionalitetit platonik nga tirania, qe do shkaktonte zemerate tek pjesa moderuese e shpirtit, e rrjedhimisht crregullim te deshirave dhe pasioneve, ne dac si shtypje e superegos froidiane ndaj egos qe perfundimisht do shkaktonte crregullime te idit. Veshtire te thuash se Iliada i perket nje periudhe bikamerale paramoderne, kur ne fakt tingellon si themeli i triades psikoanalitike qe prej formulimit te kesaj triade tek Republika e Platonit, e deri tek Lacan. Nese mund te kete ekzistuar ndonjehere nje mendje bikamerale paramoderne, veshtire te thuhet se kjo eshte brenda horizontit te njohjes, pasi do i perkiste nje periudhe qe jo vetem qe nuk eshte e regjistruar me shkrim, por qe edhe tradita orale rrezik nuk ka qene e zhvilluar.

  6. Mendja-sherbetore, nuk te zhgenjen absolutisht as nji here kur je zot i saj, vetem ne se dikush ben zot mendjen, mund te bej edhe gjuhen.

    Mendja dhe i/e zot-i/nja udhtojne bashke. Ato kan nje gjuhe te tyren; Ate te pronarit – zot.

    Ceshtja eshte ku/cfar eshte pronari, per individin si shoqeri? Se bota eshte mbushur me mend dhe gjuhe, ashtu si edhe cdo individ.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin