ARTI I MONOLOGUT

[material i dërguar nga Ba Bái si koment, por që më duket se e meriton të dalë si shkrim më vete. Xh2]

Partitë politike në Shqipëri kanë konsideratë mjaft të lartë për dialogun; e megjithatë ai të cilin përdorin më tepër si mjet komunikimi me Tjetrin, qoftë ky aleat, partner apo kundërshtar, është MONOLOGU.

Po çfarë është pikërisht Monologu, do thoni ju? Monologu është një formë komunikimi e përdorur zakonisht nga njerëzit që kanë në dorë mediat dhe që i ndihmon palët t’i hedhin hi syve si njëra-tjetrës, ashtu edhe votuesve. Duhet bërë dallim midis monologut të thjeshtë (p.sh. një zëdhënës i PD që thotë se Shqipëria nuk është prekur nga kriza) dhe atij në prani të dy ose më shumë personave, zakonisht nëpër studio televizive ku përfaqësues të opozitës thonë se në Shqipëri, ka krizë! Një rast i veçantë për t’u përmendur është edhe ai i një pronari të famshëm televizioni që më kujton atë personazhin e vogël të një filmi shqiptar që thoshte: Topi është imi dhe penalltinë do ta gjuaj vetë!

Nga pikëpamja e komunikimit, monologu bëhet gati që më parë nga ata militantë që kanë pasur fatin e keq që në gjimnaze, hartimet t’i kenë shkruar bukur. Duhet pasur parasysh se monologu përdor taktika të tilla (të më falni që termat po i jap në anglisht, të marra nga filmi Dodgeball) si: Dodge, Dip, Duck, Dive, dhe Dodge.

Zakonisht taktika më e rafinuar e monologut, është ajo e lodhjes së dëgjuesit të hipnotizuar, i cili nuk mund të mbrohet më nga shfaqja përherë e më e shpeshtë e liderëve, qofshin këta në pushtet a në opozitë, rrethuar nga fëmijë të moshës 3 deri 7 vjeç, me buqeta me lule; me në sfond pemë që kanë mbjellë vetë, apo si në rastin e kryeministrit një nga ato peisazhet e mëdha.

microbians1Monologu ideal do ishte ai që zhvillohet pa praninë e gazetarëve, pasi nuk e ndërpret rrjedhën natyrale të ligjërimit – natyrisht, nuk duhet të mungojnë duartrokitësit. Në monolog, për fat të keq, gatishmëria për kompromise politike, si rregull, mungon. P.sh. kur dikush del e thotë se korrupsionit ja kemi nxjerrë ujin e zi, se kemi burgosur 200 a më shumë zyrtarë të korruptuar, që hanin ryshvet, merrnin mitë, pranonin bakshishe, etj., ne lipset ta pranojmë këtë fakt, si bukën që hamë, si shiun që bie.

Për fat të keq, kultura tradicionale shqiptare e pranon me kënaqësi këtë formë komunikimi: kjo na është rrënjosur në mënyrë instinktive (përmend raste të tilla në histori si: Pirrua, që u thoshte ushtarëve të tij “Nëse unë jam shqiponjë, ju jeni krahët mbi të cilët ngrihem”, Gjergj Kastrioti, me “Lirinë nuk e solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj”, Ismail Qemali me “Prapa më vjen historia” – nuk e di nëse e ka thënë me të vërtetë, apo është apokrife; etj, etj.

Zakonisht në rastin e monologut, shantazhet, kërcënimet, korrupsioni pasiv dhe aktiv, imponimi nga një autoritet i jashtëm, janë të gjitha të mirëpritura dhe mund të konsiderohen si manovra taktike për të arritur qëllimet fillestare si marrja e pushtetit apo sigurimi i një mandati të dytë.

Po të shihni mënyrën sesi shpaloset lufta politike në parlament, nuk mund të mos vëreni se gjetja e ceneve në jetën personale të kundërshtarëve politikë është në rend të ditës. Ç’është e vërteta, politikan është ai që nuk ndryshon kurrë mendim, pasi nuk ka çfarë mendimesh të ndryshojë; mendimet surrogato nuk vlejnë në këtë rast!)

Kjo lloj etike e përdorur në rastin e monologut, bashkëjeton për vite me radhë me dëshirën disi të zbehtë të shqiptarëve, për të pasur një jetë më të mirë, për të rritur nivelin e arsimimit, mirëqenien ekonomike, hyrjen në BE, shtrimin e rrugës para urgjencës në Spitalin Nënë Tereza, që ka vite që është për faqe të zezë, etj. Natyrisht, nevoja më e ngutshme për monologun si formë ligjërimore ndihet atëherë kur zgjedhjet janë në prag. Dëgjuesit e njërës apo tjetrës palë bashkohen nëpër mitingje (me pankarta në duar) për të dëgjuar po të njëjtat gjëra të cilat thuhen në po atë mënyrë që janë thënë më parë, vetëm se trumbetohen në Sheshin Skënderbe apo Nënë Tereza. Uniformat e policisë tek-tuk i japin një pamje edhe më të hijshme kësaj tabloje piktoreske, që zakonisht mbyllet duke penguar trafikun e autobusëve të linjës Kinostudio-Kombinat.

Pa folur më pas, për faktin se çdo ligj i miratuar në parlament, është produkt i përplasjes së dy monologëve, përplasje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë, ku njëra apo tjetra palë nuk lëshon pe, përjashto këtu rastet kur ligji nuk është më veçse një arbitrarit me të cilin tashmë jemi mësuar, siç mësohet shishja e birrës me përmbajtjen e saj, një përzierje malti, uji dhe tharmi.

Shkaku kryesor i këtij stanjacioni në jetën tonë shoqërore është se ne nuk e pranojmë dot faktin që në politikë të hyjnë elementë të rinj, qofshin edhe më të këqinj se politikanët që kemi, mjafton që të jenë të tjerë. Natyrisht, mosmarrëveshjet gjithmonë do zgjidhen ashtu siç janë zgjidhur që nga koha e qytetërimeve më të hershme, me anë të imponimit pa hir; dialogut i drejtohemi vetëm kur na intereson ta bëjmë këtë, që të dukemi sa më të hapur dhe transparentë, sa më liberalë. Shpeshherë, është pikërisht kjo hipokrizi që ia pret krahët monologut, duke e kthyer në diçka të shpëlarë që në pikënisje.

3 Komente

  1. Po ti heqesh emrin e Shqiperise shkrimit ne fjale dhe ti vesh ate te Italise, Indise, Litenshtajnit etj, asge nuk do te ndryshoje.

    Pluralizmi nenkupton edhe dialogun ashtu sikunder tolerancen, por njeh edhe tiranine e shumices.

    Rastesisht po me kujtohet lajmi se Sarkozi kerkon futjen e vendit te tij ne komanden e Natos. Opozita e kundershtoi.

    Sarkozi nuk shkoi as ne parlament. Mbajti nje llogo ne Tv, pra nje monolog dhe e futi vendin e tij ne ate post nga e kishte hequr De Goli.

    Po edhe kur ka qene rasti per te degjuar opoziten nuk eshte se ne Shqiperi po behet me pak se te tjeret, edhe pse eshte e fundit qe u fut ne kete rruge. Me duket se shumica ne pushtet kerkoi para disa kohesh qe kartat e idenditetit te paguhen. Pakice e kundershtoi rrepte. Me sa kuptohet nga versioni i fundit qe u vendos, cmimi do te ulet dhe ata qe nuk kane te ardhura te mjaftueshme nuk do te paguajne fare. Ja nje rruge e mesme, qe mu kujtua e qe eshte nje forme e dialogut.

    Mos te tregohemi aq buzeholle sa ti kerkojme Shqiperise te behet shkolle trenazhi per te eksperimentuar dhe pasuruar teorine e pluralizmit, sikunder komunistet e perdoren per te pasuruan dhe vene ne jete versionin me te kulluar te teorise se marksizmit leninizmi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin