TRANSFERIMI

Shefi i Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Tiranë, prof. Frano B., i cili interesohej prej vitesh për epidemiologjinë e leprës në malësitë e veriut të Shqipërisë, i botoi rezultatet e studimeve në një nga numrat e Buletinit Mjekësor, me një artikull të ngjeshur me fakte, ku argumentonte, ndër të tjera, se lepra mund të ndiqej me rrugë gjenealogjike brenda fiseve, jo sepse trashëgohej si sëmundje, por sepse pjesëtarët e një familjeje infektonin njëri-tjetrin nëpërmjet kontaktit të ngushtë trupor. Studimi u prit me indiferencë të plotë, por më pas u botua i përkthyer në një revistë mjekësore jugosllave, përfundoi në tryezën e ambasadorit shqiptar në Beograd dhe që andej në tryeza të tjera institucionale.

U provokua një mbledhje në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Tiranë, me pjesëmarrjen e ministrit të Shëndetësisë dr. Vlash O. dhe autoriteteve të tjera të larta; ku diskutues të shumtë vunë në dyshim integritetin shkencor të mjekut Frano B., i cili kishte mbaruar studimet e larta për mjekësi në një universitet të Italisë fashiste; në një kohë që të tjerë diskutues, mes të cilëve edhe mjekë të dalluar nga zonat malore të Veriut, vunë në dukje që lepra nuk ekzistonte më, as në zonat e tyre, as gjetiu; dhe se ato pak raste të leprës që ishin vënë re në të kaluarën u detyroheshin kushteve të këqia të jetesës dhe veçanërisht këmbënguljes së klerit katolik për t’i konsideruar vuajtjet fizike si ndëshkim nga Zoti.

Shumë-shumë, vunë në dukje me qetësi këta diskutantë, mund të flitet për shfaqje sporadike të infektimit nga mycobacterium leprae, ose të së ashtuquajturës morbus Hansen. Të flasësh sot publikisht për epidemiologji të leprës në malësinë shqiptare të Veriut, përfunduan këta diskutantë, do të thotë t’u mbash avazin tezave reaksionare të mjekësisë perëndimore dhe të ideologëve borgjezë, të cilët e përdorin leprën si metaforë për diskriminim racial kundër popujve që refuzojnë t’u nënshtrohen.

Pak ditë më pas, prof. Frano B. e thirrën në ministri të Shëndetësisë, ku vetë ministri Vlash O. i komunikoi transferimin e menjëhershëm në detyrën e re të drejtorit të leprosariumit të Pukës.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin