AUTOKRITIKA

Ministrit të Bletarisë, Xhezair B., pasi i tërhoqën veshin në Plenum për një gabim të rëndë të natyrës ideologjike në dikasterin që drejtonte, i kërkuan edhe që të ulej e të përgatiste autokritikën për mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Shtetit.

Për fat të keq, Diktatorit i pat qëndruar rëndë omëleta që kish ngrënë për mëngjes para kësaj mbledhjeje të shumëpritur, prandaj edhe mbeti i pakënaqur me autokritikën e ministrit dhe i kërkoi këtij, me ashpërsi konstruktive, që të thellohej përsëri në gabimet e veta dhe ta paraqiste autokritikën të ripunuar ditën e nesërme.

Ministri Xhezair B. u mbyll në zyrën e vet dhe nuk doli që andej veçse ndaj të gdhirë, kur arriti ta rishkruajë autokritikën fund e krye, në pajtim me vërejtjet që i kishte bërë Diktatori.

Seanca e dytë e mbledhjes së Këshillit të Shtetit filloi me dëgjimin e kësaj autokritike të ripunuar, që sipas procesverbalit që ende gjendet në arkivin e Këshillit të Shtetit, mbante titullin “Mbi disa gabime të rënda ideologjike në punën me bletarinë.” Diktatori e dëgjoi Xhezairin me vëmendje dhe duke mbajtur shënimet e duhura; pastaj, në përfundim të leximit, e pyeti ministrin nëse kishte ndonjë gjë për të shtuar, me ç’rast Xhezair B. u gëlltit dhe pastaj falënderoi shokët për vëmendjen, ndihmën e pakursyer dhe besimin proletar që kishin treguar ndaj tij.

Jo, tha Diktatori. Autokritikës së ministrit të Bletarisë, që tingëllonte e plotë dhe marksiste në vetvete, i mungonte pikërisht reflektimi i autorit për dobësitë e versionit të saj të parë; meqë shpesh shkaqet e gabimeve në detyrë kuptohen më mirë duke analizuar mangësitë në justifikimet e sjella. Heshtja, në raste të tilla, ishte po aq akuzuese, sa ç’ishin fjalët shfajësuese.

Ashtu, të topiturin Xhezair B. e ftuan me tone kërcënuese që ta rishikonte autokritikën e vet përsëri, duke përfshirë atje edhe një analizë të arsyeve që e kishin shtyrë të anashkalonte mangësitë e dukshme në autokritikën e parë.

Seanca e tretë e mbledhjes rutinë të Këshillit të Shtetit filloi të nesërmen, gjithnjë në orën 9:00. Ministri i Bletarisë, i cili kishte kaluar një tjetër natë pa gjumë në zyrën e vet, lexoi autokritikën e ripunuar sërish, ku kishte shtuar një analizë sa të zgjeruar aq edhe të pamëshirshme të mbeturinave të sedrës mikroborgjeze në personin e tij, të cilat e kishin penguar të reflektonte, gjatë përgatitjes së autokritikës së dytë, për mangësitë e autokritikës së parë.

Në përfundim të kësaj ndërhyrjeje, e mori fjalën përsëri Diktatori, për ta pyetur Xhezairin nëse kishte ndonjë gjë për të shtuar; me ç’rast ministri, dukshëm i ngashëryer, tha se dëshironte të bënte një autokritikë të mëtejshme, për heshtjen e tij ndaj gabimeve që i kishin shpëtuar gjatë rishikimit të gabimeve të autokritikës së parë.

Pyetjes së Diktatorit nëse e kishte përgatitur me shkrim edhe këtë autokritikë të tretë, ministri i Bletarisë iu përgjigj duke nxjerrë nga çanta e butë prej lëkure një dorëshkrim tjetër, të daktilografuar rishtas.

Meqë kjo u konsiderua nga shokët si e mjaftueshme dhe Xhezairit iu dha edhe një herë dora, asnjë nga anëtarët e Këshillit të Shtetit nuk e mori vesh se në çantën e ministrit të Bletarisë fshihej edhe një dorëshkrim autokritik i katërt, më i fshehtë se tre të tjerët, ku autori shpjegonte shkaqet psikologjike dhe klasore që e kishin çuar në shpërdorimin e kohës së çmuar të Këshillit të Shtetit dhe të vetë Diktatorit me autokritikat e tij të njëpasnjëshme.

7 Komente

  1. Edhe une, – LEXUESI, – e kam nje pyetje.
    Ndersa ju pergezoj per kete shkrim, i cili ne vetevete eshte i shkelqyer, dua te di prej jush z.Gjerazi, a e keni gati nje shkrim tjeter, akoma me te mire se ky?
    Kujdes z.Gjerazi, ju po luani me zjarrin; ju po i jepni LEXUESIT tuaj shkrime njeri me i mire se tjetri duke krijuar pritshmeri gjithmone e me te larta.
    Kujdes, sepse nese ndodh qe te cedoni, nuk ka autokritike qe t’ju shpetoje….

  2. A mund te me thoni, Maks Gjerazi, nese fjalia: “…meqë shpesh shkaqet e gabimeve në detyrë kuptohen më mirë duke analizuar mangësitë në justifikimet e sjella.” qe e shkeputa nga “Autokritika” ka pasur si shtyse nje shkrim te nje a dy diteve para tek gazeta Panorama?

    Pergjigjja juaj do te me ndihmonte te kuptoja ne jam lexues i vemendshem apo trillian. Por ajo qe ka me rendesi, pergjigjja juaj do te orientonte lexuesin ne duhet ta lexoje kete seri vetem neper rreshta apo edhe midis rreshtave.

  3. PNH, falemnderit, edhe pse tani po më bën me hije 🙂

    CD, nuk i jam referuar “Panoramës”. Sa për lexuesin, mirë do të ishte sikur të orientohej drejtpërdrejt nga shkrimet, jo nga fjalët e mia për shkrimet.

    Kuptimin nuk ua solla unë, tha…

  4. “PNH, falemnderit, edhe pse tani po më bën me hije”

    Xha Xhai, me ndihmen e ekspertizen tuaj, mund te me beni te kuptoj gramatikisht, ne se vihet presje para ‘edhe’ ne fjaline e z.Maksi me siper.

    flm. ne advance!

    p.s.
    z. Gjerazi behu gati… se ke filluar te lexohesh me lupe ne dore, per inerci te shkrimeve edhe ne fjalet per shkrimet e tua.

    1. Vëmendje, unë besoj se presja është në rregull atje – meqë shenjon kufirin midis fjalisë kryesore dhe një fjalie të varur (lejore, të lajmëruar nga lidhësa edhe pse).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin