RRETH DEBATIT TELEVIZIV

Debati televiziv është format i preferuar nga televizionet e sotme në Shqipëri: kushton relativisht pak dhe tërheq relativisht shumë shikues.

Ia vlen të diskutohet se çfarë përfaqëson ky produkt nga pikëpamja kulturore dhe intelektuale, dhe nëse cilësia e tij mund të krahasohet me cilësinë e të ftuarve dhe të veprimtarisë së tyre jotelevizive.

Mund të pyetet edhe pse e tërheq debati publikun: për temat e trajtuara, apo për mjeshtërinë e drejtuesit të emisionit, apo për regjinë mjeshtërore?

Apo mos vallë ngaqë regjisorët dinë të ftojnë pjesëmarrës që kanë bërë emër dhe e tërheqin publikun vetvetiu, thjesht me praninë e tyre?

Kritikët e këtyre emisioneve shpesh vërejnë se publiku tërhiqet më tepër ngaqë debati ofron një kontekst të përshtatshëm për grindje mes pjesëmarrësve, dhe grindja e ka gjithnjë publikun të garantuar.

Kritikët po ashtu vënë në dukje se, të nisur nga nevoja për ta ruajtur të lartë interesin e publikut, në këto debate ftohen pak a shumë të njëjtët persona, specialistë, intelektualë, analistë, ekspertë ose thjesht karaktere pikante, të cilët janë vetvetiu simpatikë, dinë shumë ose flasin bukur ose kanë veti të tjera që i bëjnë të përshtatshëm për formatin e debatit.

Edhe këto kritika nuk mund t’i shpërfillësh, sepse përmbajnë të vërteta lehtësisht të verifikueshme.

Natyrisht, jo të gjitha aspektet e debatit televiziv meritojnë vëmendje të njëllojtë; p.sh. çështja nëse publikun e tërheqin temat e diskutuara, apo karakteret që diskutojnë, ka rëndësi të dorës së parë.

Zakonisht debatet, si të tilla, nuk kanë nevojë për publik; sepse ia japin kontekstin vetvetes, në kuptimin që pjesëmarrësit janë edhe publik njëkohësisht, madje i gjithë publiku që i duhet debatit. Me këtë dua të them se debati në vetvete nuk ka ndonjë përfitim nga publiku; përkundrazi, publiku mund të përfitojë nga debati, po të ketë interes intelektual në çështjet që debatohen, ose të zbavitet me përplasjet midis pjesëmarrësve, po të kenë këta të fundit virtyte histrionike.

Idealisht, debati do të zhvillohej më mirë “me dyer të mbyllura”, sepse nuk është veprimtari skenike, as përfiton gjë nga vetëdija e debatuesve se fjalët e tyre dhe arsyetimet dhe argumentet po ua ndjek publiku, duke ua miratuar ose kundërshtuar. Debatuesve, normalisht, do t’u mjaftonte që ligjërimin t’ua ndiqnin partnerët në debat. Në këtë kuptim, një debat nuk mund të krahasohet me një pjesë teatrale ose një ndeshje sportive, të cilat përfitojnë drejtpërdrejt nga prania e publikut.

Megjithatë, vetëdija e pranisë së publikut mund të eksitojë pasionet e debatuesit, çka i shërben debatit si spektakël, por jo debatit si teatër të ideve ose veprimtari intelektuale. I çuar në ekstrem, ky efekt do ta shndërronte debatin në estradë, ose cirk.

Në atë masë që debati funksionon si spektakël, temës së debatuar dhe nivelit intelektual të shkëmbimeve u bie rëndësia, në raport me vlerën intrinseke të personazheve. Për këtë arsye, një debat ku marrin pjesë personazhe televizive të mirënjohura, si Fatos Lubonja dhe Maks Velo do të ndiqen gjithnjë me kërshëri të madhe, jo vetëm sepse këta i artikulojnë mirë mendimet dhe kanë se çfarë të thonë (e vërtetë veçanërisht për FL), por edhe sepse janë personazhe tërheqëse për publikun, fytyra familjare, të cilët garantojnë jo vetëm mesazhe intelektuale, por edhe dëfrim çfarëdo.

Për fat të keq, trysnia nga publiku shpie në çka kultura anglo-saksone e quan pigeonholing, ose stereotipizim të argumentit dhe të argumentuesit. Figura si Fatos Lubonja janë bashkëlidhur tani, në imagjinatën dhe pritjet e publikut, me çmitizimin; prandaj prej tyre pritet të çmitizojnë, madje edhe kur nuk është rasti. Ky problem ka të bëjë drejtpërdrejt me natyrën e mediumit televiziv dhe nuk mund të zgjidhet nga brenda formatit.

Dihet edhe se televizioni ka për funksion të zbavitë publikun – dhe t’i shesë këtij publiku të zbavitur produkte të ndryshme, në rastin e televizionit komercial. Kjo nuk varet nga predispozita intelektuale e të ftuarve në debate; të cilët janë gjithnjë aq të mençur sa të kuptojnë se teatri i ideve, brenda formatit televiziv, do t’ia lërë gjithnjë vendin teatrit komik të përplasjeve midis pjesëmarrësve.

Nuk është rastësi, bie fjala, që në Itali një prej personazheve më të preferuar në debatet ka qenë dhe mbetet Vittorio Sgarbi, i cili shquhet jo aq për virtytet e tij intelektuale (të cilat i ka me bollëk), por për gatishmërinë për të provokuar dhe për t’u kacafytur me debatuesit e tjerë.

Debati televiziv është njëkohësisht edhe viktimë e suksesit të tij; sepse tema dhe personazhe të cilat kanë tërhequr vëmendjen e publikut do të riciklohen pafundësisht, edhe pse përsëritja nuk i ndihmon argumenteve, por kalcifikimit dhe thjeshtimit të tyre, deri në karikaturë. Kjo duket në tema të tilla si imazhi i shqiptarit në botë, mitet kombëtariste, nënë Tereza, fetë në Shqipëri e të tjera të ngjashme, të cilat janë rimarrë kaq herë nëpër debate, sa argumentet e pjesëmarrësve janë ritualizuar dhe të vetmet të papritura kanë të bëjnë me ndërveprimin psikologjik midis të ftuarve.

Vetë formati i lejon drejtuesit e emisioneve të ftojnë në debate edhe ekspertë edhe intelektualë; të dytët shpesh kanë përparësi ndaj të parëve, jo vetëm ngaqë virtualisht flasin nga pozitat e publikut, por edhe sepse dinë t’i artikulojnë më mirë pikëpamjet e tyre. Ekspertët, përkundrazi, shquhen si të tillë ngaqë dinë t’i bëjnë mirë ato punë për të cilat janë ekspertë, jo ngaqë dinë të flasin për to – megjithë përjashtimet. Prandaj, në përplasjet me intelektualë ose me celebrities të ndryshme, ekspertët gjithnjë rrezikojnë të dalin të humbur; sepse nuk janë gjithnjë në gjendje t’i shprehin argumentet e tyre qartë, shkurt, thjeshtë dhe në mënyrë tërheqëse për publikun; dhe sepse nuk janë mësuar që të konkurrojnë egërsisht për hapësirë ligjërimore me të tjerët.

Prandaj, në debatet televizive vërehet një dukuri kurioze: ekspertët përfundojnë në miza të qypave të ekspertizës që sjellin, kur nuk hipnotizohen nga audienca dhe nuk fillojnë të shqiptojnë banalitete çfarëdo; intelektualët dhe analistët priren të futen në rolin që normalisht duhej t’u takonte ekspertëve; ndërsa moderatorëve ose lehtësuesve të debatit u mbetet roli i intelektualit ose i tribunit të shoqërisë civile në debat. Për pasojë, shumë drejtuesve debatesh u duket sikur i përkasin vërtet shtresës së rralluar të intelektualëve; sikurse u duket intelektualëve sikur i përkasin një shtrese ekspertësh të specializuar për të folur në lidhje me problemet, ndryshe nga ekspertët e tjerë, të cilët specializohen në zgjidhjen e problemeve.

Me fjalë të tjera, formati i debatit televiziv sjell një zhvendosje artificiale të roleve; prandaj edhe ia komprometon debatit integritetin intelektual, pavarësisht nga pjesëmarrësit dhe temat e trajtuara.

2 Komente

  1. Shqipëria nuk mund të bënte përjashtim nga vendet e tjera përsa i përket formateve televizive. Ne kemi bërë nga një kopie të emisioneve me në qendër debatin, të pothuajse gjithe modeleve italiane, që dhe ata vetë kanë huazuar nga modeli amrikano/anglez. Nuk ka nevojë për fantazi të arrish në krahasime të llojit (Opinion në Klan = Porta a Porta në Raiuno) etj etj.
    Shpesh herë, ashtu si kudo, në këto emisione ekziston një përpjekje e atyre që i organizojnë për t’ju përgjigjur nevojave njohëse të “publikut”, “qytetarit”, “konsumatorit”. Ftohen aty “ekspertë”, “analist”, “opinionistë” dhe figura të ngjashme që në imagjinarin e publikut kanë një rol dhe duhet ti përmbahen atij për të qenë akoma interesant në sytë e shqiptarit të mesëm, duhet të jenë pjesë e show-t që i ka prodhuar. Ka njerëz në Shqipëri, intelektualë, pseudointelektualë, që vetëklasifikohen me zanatin e ri të analistit. Në këto situata të gjithë sforcohen të shpjegojnë fenomene nga më të komplikuarat në një hapsirë kohore shumë të kufizuar si është ajo e një emisionit televiziv.

  2. Para ca ditesh po shihja (deri diku i detyruar) nje pothuajse-debat, ose qe duhet te ishte “debat”, porqe nuk gezonte asnje cilesi te nje debati, cfare te pakten per mendimin tim, do te thote “rrahje mendimesh e supozimesh” te kunderta per nje teme, dhe pse jo per disa tema. Ne tv Klan kishin ftuar Sali Berishen, kryeministrin, dhe disa gazetare. Cfare me ra ne sy ishin keto pika.

    1. gazetaret ishin fare te papergatitur, cfare e shnderroi debatin ne nje metode te mesimdhenies “frontale’. Ata pyesnin mbi tema te pergjithshme, dhe Sala jipte sqarime, si te ishte nje mesues ne tete-vjecare.

    2. Pyetjet e Gazetareve si rrjedhoj ishin teresisht te pergjthshme, dhe kur ishin precize, kishin natyre krejt teknike. E mbi te gjitha sorollateshin mbi te njejtin domain, ‘kartat e identitetit”. Vjen nje Kryeminister dhe i duhet t’u pergjigjet gazetareve per ceshtje krejt teknike. Megjithe deshiren dhe aftesine e Sales per te improvizuar, ato pyetje kerkojne me te vertete shpjegimin e atij qe merret direkt me ate ceshtje. Ketu nuk e njohin akoma delegimin e kompetencave dhe sesi funksion nje institucion. Jemi akoma me mendesine e baces, qe i di te gjitha.

    3. Shkurt biseda ishte nje parodi. Madje Blendit, moderatorit, i duhej disa here te shtynte gazetaret te benin pyetje se pati disa momente qetesie (mbase habie) pas pergjigjeve te Sal Dijemadhit.

    4. Nje tjeter dukuri qe kam verejtur tek keto debatet, rasti i fundit ai midis Gjinushit/Mustafaraj dhe Pollos, ishte banaliteti deri ne peshtirosje i disave, te cileve pushteti politik u eshte rritur si nje gjymtyre ne koke. Nuk kane asnje respekt per degjuesin, fillojne thumbojne njeri-tjetrin e hedhin romuze sikur spektatoret nuk kuptojne gje. Pra kane shume deshire t’a kontrollojne bashkebiseduesin jo me argumenta por me sisteme te tilla kontrolli sic eshte mos-marrja seriozisht, ngerdheshja, shantazhi dhe karagjozlleku. Shkurt debateve zakonisht u mungon teresisht serioziteti. Pse? Sepse klasa politike eshte ndare krejtesisht nga zgjedhesit dhe askush nuk merr pergjegjesi morale (se ligjore jo e jo) per cka flet. Qe te flas konkretisht ishte Skender Gjinushi ai me karagjozi, pra ka me shume gjasa qe te jete kjo klasa e vjeter politike.

    4. Tjeter fenomen qe shkon me kete karagjozllekun eshte ky Arjan Cani. Aty marrin pjese per promovim shume shkrimtar dhe politikane. Nuk eshte strategji e keqe, duke u nisur nga numri dhe gama e shikuesve, porse nuk besoj se grupi i degjuesve te Canit eshte i njejti me lexuesit potencial te nje vepre te mire dhe serioze.

    Shkurt sic edhe permendi Xhaxhai persa kohe te kete nje ndarje te pritshme te roleve ne keto debate eshte zor te zhvillohet nje debat kritik ndaj rrethanave dhe ceshtjeve politike. Eshte si puna e atij Klounit apo gazmorit, qe te ben te qeshesh vetem sa e sheh, edhe pse ai nuk ka folur apo vepruar akoma.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin