IMAZHIMI VRASTAR

Primum non nocere, thotë një nga porositë themelore të etikës mjekësore – para së gjithash, mos bëni dëm.

Ndonjëherë, jo pa ligësi, këtë porosi e dëgjon të shndërruar në frazën cinike “kura bën më keq se sëmundja”, e cila u atribuohet, primum, atyre mjekëve që i sfilitin të sëmurët me gjithfarë testesh dhe kurash invazive, të bezdisshme, ndonjëherë të rrezikshme, shpesh të panevojshme.

Shto këtu edhe fitimet e mëdha monetare të institucioneve mjekësore nga testet diagnostike dhe procedurat kuruese që kërkojnë aparatura të teknologjisë së fundit, dhe tabloja shndërrohet në një shpërthim në pritje të bombës.

Prej mjekësisë presim që të na kurojë prej sëmundjeve që kemi, të na lehtësojë vuajtjet kur nuk na i kuron dot, të na ndihmojë t’i administrojmë këto sëmundje, të na tregojë si të ruajmë shëndetin tonë dhe të së tjerëve…

Kurrsesi nuk presim që mjekësia, para se t’i kurojë këto sëmundje, t’i shkaktojë ato – pavarësisht nëse krejt pa dashur, ose për shkak të idiotizmit që, pashmangshëm, i bashkëlidhet specializimit të ngushtë (këtë e ka thënë Bernard Shoë para meje).

Lexoj tani se, sipas një raporti të Këshillit Kombëtar Amerikan për Mbrojtjen nga Rrezatimi (National Council on Radiation Protection and Measurement), amerikanët sot i ekspozohen një rrezatimi shtatë herë më të lartë se në vitin 1980.

Raporti gjithashtu thekson se mjekët po i përdorin testet në mënyrë të tepruar për të rritur fitimet e tyre, duke i ekspozuar pacientët ndaj rreziqeve për shëndetin, përveçse duke i rritur artificialisht kostot e përgjithshme të kujdesit shëndetësor.

Mjekët, gjithnjë e më të varur nga aparaturat diagnostike dhe të pasigurt për t’i besuar përvojës së tyre ose intuitës; por edhe të frikësuar nga kërcënimi i padive gjyqësore prej pacientëve, ngaqë pacientët vetë ua kërkojnë këto teste me ngulm, të nxitur edhe nga reklamat e panumërta; dhe disa edhe të shtyrë nga qëllime moralisht të ulëta për të fituar më shumë para, po u drejtohen gjithnjë e më tepër procedurave të imazhimit.

“Imazhimi është shndërruar në fenerin ndriçues të praktikës mjekësore,” thotë dr. James Thrall, president i Këshillit të Kancelarëve të Kolegjit Amerikan të Radiologjisë.

“Për fat të keq […] shumë mjekë e shohin imazhimin si zgjidhje të problemeve të tyre financiare,” shton Thrall. Teknologjia e imazhimit ka krijuar, në fakt, një incentiv financiar për disa mjekë, të cilët u rekomandojnë pacientëve e tyre teste imazhimi në praktikat e tyre private.

Për fat të keq, qindra në mos mijëra mjekë jo radiologë kanë blerë pajisje imazhimi për studiot e tyre dhe i përdorin vend e pa vend për të shtuar fitimet vetjake.

Këto procedura dëmtojnë jo vetëm kuletat e pacientëve, por edhe shëndetin e tyre. Sipas një artikulli të botuar dje në La Repubblica, një ndër katër radiografi është e panevojshme; dhe në vendet perëndimore çdo individ, pavarësisht nëse i shëndetshëm apo i sëmurë, i ekspozohet çdo vit një sasie rrezatimesh të barabartë me 150 radiografish rutinë të gjoksit.

Këtu lind edhe paradoksi – sipas një studimi të kohëve të fundit, 1.5-2 % e të gjitha tumoreve sot shkaktohen nga ekzaminimet e tomografisë së kompjuterizuar. Kjo e dhënë vjen e bëhet edhe më absurde, po të kihet parasysh edhe se të paktën 25% e këtyre ekzaminimeve janë të panevojshme…

Mjekësia i shkaktoka tumoret para se t’i kurojë?

Sipas disa të tjerëve, përqindja e ekzaminimeve radiologjike të panevojshme është shumë më e lartë se 25%; duke iu afruar 50%-shit.

Rreziku i tumoreve jatrogjenike, thonë mjekët, është më i lartë në fëmijët – katër herë më i lartë se për një të rritur 50-vjeçar. Nga rrezatimet në laboratoret mjekësore, shkaktohen zakonisht leucemitë, kanceri i mushkërive dhe i gjëndrës tiroide.

Eugenio Picano, që është drejtor i Institutit të Fiziologjisë Klinike të CNR në Pisa, e quan këtë dukuri “obezitet diagnostik”, dhe vëren se ka marrë përmasa veçanërisht shqetësuese në SHBA, ku mund të shohësh poster-a në anë të autostradës, të cilët i ftojnë automobilistët t’u dhurojnë prindërve, me rastin e festave, një ekzaminim kardiotac. “Harrojnë të shtojnë,” thotë Picano, “se ky ekzaminim i ekspozon pacientët ndaj një rrezatimi të barabartë me 750 radiografi në vit.” Me fjalë të tjera, nëse 50 milion amerikanë kryejnë kardiotac çdo vit, kjo do të shkaktojë rreth 75,000 raste të reja kanceri.

Ky lajm nuk mund veçse të pritet mirë nga fabrikantët e aparaturave mjekësore, klinikat onkologjike dhe mjekët e paskrupullt, që mbushin xhepat jo vetëm duke i kuruar këto sëmundje vdekjeprurëse, por edhe duke i shkaktuar ato herë pas here.

2 Komente

  1. Xhaxhai thotë:

    “Mjekësia i shkaktoka tumoret para se t’i kurojë?”

    Mjekësia shkencë apo mjekësia biznes xhaxha?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin