RAISON D'ÉTAT

Kompozitori i njohur Llambi H., autor ndër të tjera i këngëve korale “Me ty Parti” dhe “Kënga e shkrepëtimës”, kishte studiuar në Konservatorin e Moskës dhe aty ishte njohur edhe me shoqen e vet të jetës, pianisten ruse Ruslana R., me të cilën ishte kthyer pastaj në atdhe, pas diplomimit triumfal në 1957.

I njohur në rrethet muzikore të kryeqytetit sovjetik si pjesëtar i një grupi të vogël artistësh që e denoncuan me forcë, si moderniste dhe dekadente, simfoninë e dhjetë të Shostakoviçit, Llambi me të shpejtë kishte ngjitur shkallët e famës artistike në Shqipëri, sidomos me oratorion e titulluar “Vegimi”, për të cilën edhe u laureua me Çmimin e Republikës të shkallës së tretë.

Siç mund të pritej, prishja e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike në fillim të viteve 1960 ndikoi negativisht në jetën publike të çiftit, edhe pse shokët kryesorë të Partisë dhe të Shtetit e kishin siguruar Llambin se besnikërinë e tij dhe të familjes së tij ndaj vijës nuk e vinte kush në dyshim.

Ndryshe nga disa bashkatdhetare me prioritete të tjera, Ruslana refuzoi të largohej nga i shoqi dhe Shqipëria, çka i bëri disa drejtorë drejtorish në ministritë e Brendshme dhe të Jashtme të ngrinin vetullat dhe të hapnin dosje e ndonjëherë nëndosje të reja; por Llambi ndërkohë po punonte me ngulm për një opera të kushtuar ditëve të hershme të Diktatorit në Gjenevë dhe kontakteve të tij të dendura me proletariatin e Konfederatës Zvicerane.

Megjithatë disa dukje kërkonin kujdes; Vehip L., zyrtar i lartë, anëtar i Këshillit të Shtetit dhe confidante i gruas së Diktatorit, i foli Llambit për kontradiktën midis konfliktit shqiptaro-sovjetik dhe pranisë fizike të Ruslanës në rrugët e Tiranës. Kjo kontradiktë, kishte precizuar zyrtari, mbetej joantagoniste por mund të shndërrohej në antagoniste, po ta kërkonte populli.

Vetë Llambi nuk kishte as më të voglin dyshim se, në ato kohë me ré dhe suferinë, ç’donte populli bënte Partia dhe vice-versa; ai vetë, po t’i duhej të vendoste për çështje të një delikatese të tillë, nuk do të ngurronte të sakrifikonte interesin personal, në emër të interesit të përgjithshëm.

Ruslana ende jepte mësime të pianos në një shkollë të mesme të muzikës, kur Llambi kontaktoi arkitektin e njohur Nesti V., për një modifikim të dhimbshëm, por të domosdoshëm në vilën e tij të bollshme, që ia kishte vënë në dispozicion Partia për të krijuar. Njëra prej dhomave, që dikur i kishte shërbyer Ruslanës si studio private, u përshtat në mënyrë të tillë, që kësaj gruaje të virtytshme të mos i mungonte më asgjë – përveç pianos, u vendos atje edhe një radio me valë të shkurtra e markës “Riga”, një gramafon, një koleksion pllakash me opera të njohura të kompozitorëve rusë të traditës (të cilët kurrsesi nuk duheshin ngatërruar me revizionizmin hrushovian), një shtrat i rehatshëm, veprat e plota të Leninit në rusishte dhe shqipe, dhe një skrivani së bashku me mjetet e nevojshme për të shkruar; pa përmendur shërbimet sanitare personale, me ujë të rrjedhshëm, dush dhe bidé, të tilla që as hotelet më të mira të asaj kohe nuk i siguronin dot.

Sipas projektit mjeshtëror të arkitektit Nesti V., kjo kthinë komode dhe jashtëzakonisht intime u nda prej pjesës tjetër të shtëpisë me një strukturë metalike të manovrueshme, të cilën vetëm një provokator ose cinik do ta kishte quajtur kafaz; sepse në të vërtetë, ishte në të mirën e Ruslanës që hyrjet dhe daljet e saj në hapësirën publike të Tiranës të kontrolloheshin me dashamirësi nga i shoqi, i cili ishte jo vetëm komunist nga më të besuarit, por edhe njeri i shkëlqyer.

Çuditërisht, që nga ajo kohë Llambi dhe Ruslana u afruan edhe më mes tyre, për t’iu përkushtuar së bashku djalit të tyre të vetëm, dikur të quajtur Nikita, por më pas të ripagëzuar Alketa, sipas emrit të një heroi kryengritës ilir që i kish ndalur me vite ushtritë e Romës, superfuqisë së vetme të lashtësisë.

Derisa vdiq nga ruptura e aortës, Llambi nuk i lëshoi kurrë nga dora çelësat që hapnin dhe mbyllnin derën e kafazit ku e kishte sistemuar të shoqen; në biseda me shokët e vet të afërt e quante veten rojtar dhe shpëtimtar të saj, sa kohë që gra të tjera lindore kishin përfunduar burgjeve dhe internimeve, të akuzuara për spiunazh, veprimtari antipopullore ose mungesë entuziazmi për fitoret e njëpasnjëshme; edhe pse ato kishin marrë dënimin e merituar, çka provohej edhe thjesht nga fakti që Ruslanën nuk ia kishte prekur as akuzuar kush për asgjë.

Fqinjët sa frikacakë aq kureshtarë shijonin herë pas here tingujt e pianos që rridhnin prej dritareve të hapura të vilës së kompozitorit; disa madje bënin bé se ia dallonin dorën ruses së famshme; të tjerë pëshpëritnin se Ruslana tashmë ishte egërsuar, dhe miqtë mjekë të kompozitorit të madh nuk e lejonin të dilte më nga kafazi, pa e qetësuar më parë me injeksione neuroleptikësh ose lëndësh të tjera psikotrope, pavarësisht prej efekteve anësore.

Ndërkohë Llambi për pak sa nuk rrëmbeu edhe një tjetër çmim republike, për simfoninë e re “Agimet e kuqe” me motive këngësh partizane, por pastaj u tha se Diktatori kishte preferuar që çmimi t’i jepej një më të riu. U përfol se ky joçmim e kishte dëshpëruar muzikantin plak dhe se ia kish përshpejtuar vdekjen, që i erdhi në gjumë, me krahët e ndonjë ëndrre të harruar prej kohësh.  

Ruslana, gjithnjë e shpupurisur, refuzoi të dilte nga kthina e saj për ta shoqëruar bashkëshortin në banesën e fundit; ndoshta edhe nuk e kuptoi se çfarë kishte ndodhur pikërisht, meqë ajo vetë e kishte njohur tashmë vdekjen në shumë forma të tjera, më të organizuara. I biri, Alketa, u kujdes me përkushtim dhe heshtje për të jëmën, këtë kafshë nga më ekzotiket të kopshtit zoologjik të diktaturës, derisa dha edhe ajo shpirt në një natë dhjetori pa drita të vitit 1990; u tha se ambasadori sovjetik, i sapo-emëruar në Tiranë pas gati tridhjetë vjetësh, mbajti një fjalim prekës në varrim, edhe pse para një turme absolutisht të rralluar.

10 Komente

  1. Njoh dike, gjyshi i te ciles, pas “zbulimit” dhe “shpartallimit” te grupit anti-parti te B.Ballukut ne ushtri u mbyll brenda ne shtepi per disa vite rresht, pa dale as edhe nje dite jashte pragut. Major ne Ministrine e Mbrojtjes, u shkarkua dhe u perjashtrua edhe nga partia. Dereziu, kuptoi se qe te mos shkonte si shume te tjere duhet te “zhdukej” dhe realisht u zhduk… .
    Por te pakten mbeti me familjen…

    Interesante eshte se, sado alucinante te duket proza e Magjes, lexuesi serish diku thelle brenda vetes e ka ndjesine qe dicka aty eshte e vertete.

  2. Nga bunkeri i errët i së kaluarës komuniste dalin histori që nuk dallohen a janë fantazi ballkanike apo te vërteta shqiptare . Unë po pres momentin qe do më thonë që “Xhaxhi” na paskësh qën “alien” i zbritur në tokë për të bërë eksperimente mbi njerëzit dhe që tani është gjallë e mirë në një planet në hapësirën kozmike XK4 dhe një ditë do të kthehet përsëri në tokë për të parë rezultatet e eksperimentit. Në fakt mauzoleu nuk është piramide por disk fluturues!!

  3. Apokalypsis!
    Po e furnizoj une Maksin dhe ju,me nje histori te vertete.Kam pasur nje fqinj,ne qytetin tim te lindjes,i cili kishte mbaruar studimet e larta ne Rusi.Ai,si shume studente te tjere shqiptare,dashurohet ne Moske me nje ruse.
    Cifti beri dy femije,djale e vajze.Te dy ishin nxenes te shkelqyer,all dhjeta.Vajzes,emri i vertete i se ciles eshte Masha,e cila ishte ne te njejten moshe me mua,pas mbarimit te gjimnazit nuk i dhane te drejten e studimeve per me tej.Pasi ajo priti me shprese reth tre vjet per te shkuar ne shkolle te larte,ajo pesoi nje depresion te rende.Shkalle,shkalle semundja e saj u rendua deri sa pothuaj u cmend.Me vone,pasi ajo kishte periudha permerisimi,i dhane te drejten,por ajo pasi shkoi ne Universitet semundja nuk e linte te vazhdonte rrugen e deshires e saj.Ajo qendroi vetem disa muaj ne konviktet e qytetit studenti.Pjesen tjeter te jetes,kur hyn dhe koha e tanishme ajo e kalon mbyllur brenda ne shtepi.Ajo jete,qe prej moshes me te bukur u shkaterrua njehere e pergjithmone.E mbaj ment,ashtu te holle elegante,me floket gjysem te verdha,gjithmone te drejta,kur ishte e shendetshme.Njeriu mund te vritej edhe ne kete menyre,pa e denuar,pa e internuar.

  4. Kete lloj mbyllje “vullnetare” ne shtepi nuk eshte hera e pare qe e degjoj, me thene te drejten. Di dhe une nje rast, gjyshi i nje te njohuri, pas denimit qe vuajti u mbyll ne shtepi derisa vdiq. Dinte 8 gjuhe te huaja, parlamentar i kohes se Zogut.

    Ishte vertet efikase kjo lloj zhdukje nga qarkullimi per te mbrojtur te afermit e tu?

  5. Sa keq…!!!
    Jete te vyera njerezore, qe kurre nuk u perfillen apo vleresuan. Rini e hedhur tutje, si pa gje te keq! Sa trishtim!
    Na ktheve pas ne vite te perzishme, Gjerazi! I takoj asaj kohe, me gjithe te keqiat dhe vuajtjet e veta! Ka lene gjurme qe, zor se mund te fshihen.

  6. Dalloni alegorinë në këtë parabolë të Magjes. Vini imagjinatën në veprim. Ose, thirrini arsyes; për analogji: a nuk jemi të gjithë duke fshehur emrat tanë të bukur, në kthinat e padukshme të kibernetikës? Nuk është vetëm punë emrash e nikash. Kam frikë se po fshehim vetet tona të vërteta, e po shfaqim virtualët. (Sqarimet i ka shkruar Magje.)

    Vërejtja ime kryesore është për gjuhën e përdorur, sa më thellë aq më rude. Nuk më duket e shtatëshme “… këtë kafshëzë …” Për kët (me shaka) mund t’t’thojsha: T’ka dal buka e hidhnume. Mos t’ka hy krymi n’magje.

  7. Ajo kohe mos ardhte kurre!!!
    Por dhe keto 20 vjet te tranzicionit mos kujtoni se kane ndryshuar shume gjerat!
    Ok, sot nese ndihesh i “perndjekur” blen nje vize e degdisesh si fillim ne ndonje bodrum te EU-se apo US-e e fillon e punon ku te te dale e i le te gjitha kursimet neper dyert e avokateve per leje qendrimi ..
    Dmth sot… mire keq ka nje zgjidhje ..
    Por ka dhe shume qe nuk arriten te gjejne zgjidhje, se u derguan ne ate bote, pa patur kohe ta kuptojne kete!

    Pjellat e Enverit dhe te devotshmit e atij sistemi si Sala me shoke, te formuar e krijuar ne ate sistem, nuk kane si te dine menyre tjeter per te perballuar nje kundershtar, pervecse me “asgjesim” absolut!

    Megjithate e perseris eshte me ndryshe, tani perndjekja thjesht eshte shperndare pak me shume, dhe i gjithe populli, rri e shikon e degjon si dele e shashtisur brockullat qe Sala ia shet per djath me keq se ai i lojturi i pare qe i mbsuhi mendjen se hante bar me luge floriri!!!

  8. Se di pse, po kjo menyre e te injektuarit te trishtimit me histori te denja per diktature por jo aq te denja sa per te mbyllur syte nga cfare po ndodh sot(qe me ndergjigjie duket se keto histori e bejne), me shtyn te mendoj se i humbet pak nga vlera(emocionale) qe do te fitonin nese do te trajtoheshin me dinjitet dhe jo kaq me ndjesi meshire. Duket sikur duke treguar histori te tjereve, (heroit-viktime) blihet dhe detyrimi per ta hiperbolizuar dhe renduar ne ate fare feje, sa te fitoje statusin e realizmit qaraman. Magjia e ketyre dhimbjeve, duket sikur i ka lene te gjithe indiferente ne ate kohe..per te qene fajtore sot. E them, se eshte e disata here qe heroi-viktime i kohes se diktatorit nuk ka fjale por vetem vuajtje te vezhguar nga jashte. Gjej pa vend dhe menyren sesi dizenjohet diktatori, qe vend e pa vend eshte i eger dhe njekohesisht qesharak. Veprimet i urdherohen prej ndonje shkaku organik, aq sa per tu qesendisur ne cdo-fund historie me epitete, si xhaxhi, Dulla, njeriu qe i shkoi keq petulla etj. Tentativa e autoreve, per te kujtuar historine me ngjyra ishte e mire ne fillimin e viteve 90, por e ka mbyllur ciklin perfundimisht(sipas meje sigurisht). Duke qene se brezat qe pasvijne nuk do te jene ne gjendje te lumturohen nga kjo “furbizia” qe rrjedh nga fakti qe ja hodhem(thjeshte prej arsyesh biologjike) diktatorit. E kjo na ben ta tallim, se vetem ne ket’ model nuk na tremb me. Se di, ndoshta gabohem…por nuk jam me entuziast per kete stil te kujtuari.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin