LIGJËSIMI I PATRONAZHIT

Fotografisë publike sot i duhet të gjejë një identitet të dallueshëm nga imazhet video, të cilat tashmë regjistrohen, shumohen dhe shpërndahen shumë më lehtë se dikur; çka të kujton përpjekjet e djeshme të pikturës utilitare për të gjetur një identitet të dallueshëm nga fotografia.

Në Shqipëri, fotoja e politikanit që llamburit krah për krah të fuqishmëve të planetit, ose edhe më mirë, i përqafuar me ta e i rrokur në mbërthim të gjithanshëm dhe asfiksues, synon në thelb ligjësimin dhe certifikimin e pushtetit, duke konfirmuar atë lloj patronazhi i cili politikën shqiptare e ka shoqëruar që në fillimet e veta; por edhe e synon e ndonjëherë e arrin këtë ligjësim duke përdorur marifetet dhe teknikat e reklamës.

Politikani në fotografi publike shpesh kërkon të ofrohet –­ si kandidat, si garanci, si prani e pashmangshme ose e dëshiruar; dhe në rrethanat kur ekonomia e tregut e shndërron publikun në masë konsumatorësh, politikanit nuk i mbetet tjetër, veçse të ofrohet duke u shitur, përkundrejt votës, mirëbesimit, respektit, ndonjëherë edhe frikës.

Kanë thënë për fotot në mediat se fiksojnë momentin “siç ka qenë”, me vërtetësi po aq të garantuar kundër rishkrimit sa edhe vetë e shkuara. Ndryshe nga videoja, vërtetësia e së cilës vjen duke u holluar në aksin kohor të shtjellimit të imazheve, fotoja gjithnjë distilon, duke i filtruar zhurmat e rrjedhës dhe duke ruajtur një ekuilibër pothuajse të përsosur midis voyeurizmit dhe ekzibicionizmit.

Politikani që ka nevojë të legjitimojë vasalitetin e vet nëpërmjet një fotoje publike me të zotin, autoritetin, ose sulltanin e radhës, njëkohësisht konfirmon kahun pervers të përfaqësimit në shoqërinë e sotme; ku për të kaluar nga patronazhi në arrogancë dhe arbitraritet mjafton të provosh, nëpërmjet këtyre fermaneve e myhyreve fotografike, se “ata” të kanë zgjedhur “ty” si mëkëmbës.

Në një botë të globalizuar, njerëzit që mbajnë në duar valixhet më pará dhe të kodeve të raketave bërthamore balistike mbahen për shoqëri e lartë; dhe bash në këtë kontekst, momentet e shtrëngimit të duarve me të fortët shërbejnë pastaj për t’i zbukuruar muret e pallateve të pushtetit me ikonat përkatëse, të cilat vijnë e u ngjajnë, dashur pa dashur, portreteve të pikturuara, që hijeshonin sallonet e aristokracisë së dikurshme.

Videot ose filmimet nuk e kanë kurrë këtë forcë; sepse në videot përmasa kohore i shërben jo vetëm shpërqendrimit, por edhe vjetërimit të shpejtë. Ashtu, mësohemi që të shohim në filma Hitlerin dhe Musolinin, ndërsa në foto Stalinin, Churchill-in, dhe Roosevelt-in. Fotoja publike e shndërron momentin në monument, dhe si monument i reziston kohës duke e gënjyer; madje edhe sot, në epokën e Photoshop-it, kur syri i kameras fotografike nuk e garanton dot më autenticitetin.

Megjithatë, këto të ashtuquajtura photo-ops të politikanëve shqiptarë me liderët e planetit shpesh ia arrijnë të paraqiten si ngjarje dhe, më keq akoma, si lajme; në thelb duke e mashtruar publikun. Kjo farë magjie arrihet nëpërmjet konfuzionit; normalisht, një fotografi e përbashkët duhej të kremtonte e të përkujtonte rëndësinë reale ose simbolike të një takimi të rëndësishëm në vetvete, ndërsa tani është vetë fotoja ajo që na paraqitet si ngjarja e rëndësishme, për të cilën publiku meritoka të informohet.

Mirëpo, pavarësisht nga buzëqeshjet kilometrike dhe entuziazmi i shtirur, publiku esëll gjithnjë e ka të lehtë të dallojë se prapa këtyre photo-ops fshihen tri komplekse relativisht banale: i inferioritetit, i patronazhit dhe i përfaqësimit.

Prandaj këto foto kaq të dëshiruara, të kremtuara me forcë e të pompuara anembanë në mediat nuk mund të lexohen veçse si retushime amatoriale të veprimtarisë politike të tanëve; e cila, natyrisht e normalisht, zhvillohet e tëra shumë larg tryezave ku vendosen fatet e planetit.

 

2 Komente

  1. Interesante. Fotografia ne politiken shqiptare fsheh potenciale te jashtezakoneshme interpretimesh. Fotot e periudhes se diktatures jane nje thesar i vertete, qe nuk eshte zhfrytezura fare.
    Ne rastin e shkrimit te mesiperm, qe eshte edhe fillimi i nje interpretimi sociologjik te fotografise per ne, nje ilustrim i mire i ideve qe hidhen do te ishin fotot e shumta te zonjes Topalli me sheike te ndryshem arabe dhe… p.sh. faktit se Konferenca Islamike nuk e ka njohur ende Kosoven si shtet te pavaruar.

    Atehere, per ke pozon kjo zonje me kaq brio? Nuk do te ishte me mire qe keto foto te fshiheshin? Ah, jo sepse zonja nuk e kupton se ato e asgjesojne funksionin e saj. Ajo eshte fiksuar pas idese se ato lartesojne personin e saj privat ne rrangun e te fuqishmeve te kesaj bote. Medet!

  2. Me kete logjike shyqyr qe puthjet “alla Brezhnjev” te shokut Enver me shokun Hrushov, e ca me keq me shokun Çu En Lai nuk qendrojne monumentalisht si fotografi, por si video me deshmitare okulare vetem ca ushtare besnike te truprojes dhe byroiste qe tani nuk jane me.

    Mos po sugjeroni Xha Xha qe fotot te mos publikohen? Apo do me thoni se keta tanet u zene rrugen te shkallet Te forteve te planetit duke u sinkronizuar me blicin e aparateve?.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin