SKËNDERBEU ARBËRESH

Në literaturën mbi Skënderbeun merret zakonisht si e mirëqenë se kujtimi i tij, edhe pse mbeti shumë i zbehtë në trojet shqiptare në Ballkan, u ruajt mirë, përkundrazi, ndër arbëreshët e Italisë. Sot e kësaj dite kultura arbëreshe identifikohet fort me Skënderbeun.

Si provë e pakundërshtueshme për ruajtjen e kujtimit të Skënderbeut në ngulimet arbëreshe, janë sjellë disa këngë popullore arbëreshe për heroin kombëtar të shqiptarëve, të cilat janë mbledhur dikur aty nga mezi i shekullit XIX.

Kënga e parë arbëreshe mbi Skënderbeun është botuar nga Vinçenc Dorsa, në vitin 1847, në një kohë që asnjë autor arbëresh para Dorsës nuk përmend praninë e këngëve të tilla në katundet e ngulimeve.

Të plota, këngët arbëreshe për Skënderbeun u botuan për herë të parë nga De Rada, në vitin 1866, nën titullin “Rapsodi të një poeme arbëreshe të mbledhura në kolonitë e zonës së Napolit”. Është fjala për tetë këngë, me titujt “Trimi dhe vasha”, “Motra e Skënderbeut”, “Skënderbeu dhe Miloshini”, “Martesa e Skënderbeut”, “Skënderbeu dhe Ballabani”, “Vjehra e keqe”, “Skënderbeu dhe Vdekja”, “Vdekja e Skënderbeut.”

Dyshimin se këto këngë mund të mos jenë autentike e kam ndeshur në krye te Arshi Pipa, por tani gjeta një artikull të Dhimitër S. Shuteriqit, të vitit 1949, ku përsiatet për herë të parë kjo hipotezë. Artikulli mban titullin “Skënderbeu në poezinë epike të arbëreshëve të Italisë”, dhe është botuar në vëllimin “Nëpër shekujt letrarë”, 8 Nëntori, Tiranë, 1973.

Shuteriqi mbron tezën se këngët e botuara nga De Rada nuk janë autentike, por të sajuara nga mbledhësit e tyre (De Rada dhe të tjerë arbëreshë), të shtyrë nga dëshira e mirë për t’ua dhënë arbëreshëve (dhe shqiptarëve) një faktor themelor të identitetit.

Sipas Shuteriqit, në disa prej këngëve Skënderbeu është futur si një afterthought, meqë përndryshe është fjala për këngë të rëndomta dashurie, ose legjenda me motive të rinjohjes, të përhapura në të gjithë Ballkanin bizantin.

Disa këngë të tjera, përkundrazi, tregojnë se kush i ka krijuar, ka njohur Barletin dhe Biemmi-n (p.sh., në njërën prej këngëve, gruaja e Skënderbeut del me emrin Marina, siç e quan Biemmi); çka konfirmon se këngët nuk mund të jenë “popullore”.

Po ashtu, te “Skënderbeu dhe Ballabani”, poeti anonim përsërit disa motive të marra nga Barleti, të cilat Barleti vetë dihet se i kishte marrë madje kopjuar nga Tit Livi.

Disa prej këngëve kanë paralele të forta me epikën mesjetare greke, veçanërisht me atë akritike. Aty përmenden edhe emra vendesh të Moresë, prej nga mërguan drejt Italisë një pjesë e madhe e arbëreshëve.

Shuteriqi beson se këngët arbëreshe për Skënderbeun pjesërisht janë këngë popullore standard, të prekura nga autorë të lëçitur, të cilët kanë shtuar aty Skënderbeun; dhe pjesërisht janë shkruar prej këtyre autorëve, sidomos De Radës.

Vetë De Rada pat përsiatur se këto këngë që ai kishte gjetur, nuk ishin veçse mbeturina të një epike popullore shqiptare për Skënderbeun; çka edhe e përligj deri diku dëshirën e atij poeti për t’i ndrequr dhe plotësuar këngët, duke e “rindërtuar” epikën. Në kulturat e ndryshme europiane, kjo dukuri njihej me emrin osianizëm, që prej një mistifikimi të poetit skocez MacPherson, i cili botoi një cikël poemash kinse të shkruara prej poetit legjendar Osianit.

Shuteriqi thotë se kultura arbëreshe është në thelb toske, me elemente të forta ballkanike-bizantine; në një kohë që Skënderbeu si dukuri i ka përkitur më tepër Arbërisë gege. Arbërorët që jetonin në Moré nuk kishin ndonjë arsye të fortë t’i këndonin Skënderbeut, meqë nuk u prekën nga përpjekjet e tij çerekshekullore; por edhe arbërorët e viseve jugore të Arbërisë përgjithësisht nuk morën pjesë në Skënderbejadë.

Megjithatë, është fakt se këngët popullore arbëreshe për Skënderbeun janë kënduar ndër ngulimet si të ishin këngë folklorike autentike. Diçka e ngjashme ka ndodhur më pas edhe në Shqipëri, ku vargjet e Naimit dhe të Fishtës këndoheshin nga populli deri vonë, madje edhe nga rapsodë e artistë popullorë që nuk ua dinin prejardhjen.

Ideja se folklori gjithnjë përcjell materiale autentike e të pastra, është ide romantike, pa bazë shkencore. Përkundrazi, është në natyrën e foklorit, sidomos në shoqëri relativisht të pazhvilluara, që të përvetësojë e të ripërtypë produkte kulturore diturake, për të kënaqur nevoja të caktuara. Mjaft të sjell këtu si shembull muzikën qytetare korçare, e cila nuk ka asgjë shqiptare në origjinë, por me kohë është bërë po aq shqiptare sa edhe kënga majekrahi ose lahuta.

Megjithatë, shartimi i Skënderbeut në këngët popullore të arbëreshëve, ose falsifikimi i këtyre këngëve në emër të organizimit të kulturës dhe të identitetit kombëtar modern të shqiptarëve, është operacion i një lloji tjetër. Këtu janë elitat kulturore të cilat u imponojnë një kujtesë artificiale masave, njëlloj si mjeku që u sugjeron kujtime të sajuara pacientëve në hipnozë.

Pa qenë specialist i fushës, unë e kam të vështirë ta gjykoj këtë hipotezë të Shuteriqit; edhe pse argumentet e tij më duken bindëse – dhe nuk është rastësi që këto argumente i ka marrë më pas edhe Arshi Pipa (në mos gabohem, në veprën Albanian folk verse: Structure and genre, Munchen, Trofenik, 1978).

Natyrisht, këtu nuk është fjala për të zbërthyer një mit – atë të kujtimit të Skënderbeut të ruajtur ndër arbëreshët; por për të kuptuar procesin e krijimit të identitetit tonë kombëtar, nëpërmjet një manovrimi elitar tipik. Operacione të tilla janë kryer deri vonë; mjaft të kujtoj Muzeun e Krujës, i cili është në thelb një obelisk në trajtë ndërtese (përveçse tempull i kombëtarizmit shqiptar), por që me kalimin e kohës ndoshta do të besohet edhe ai si “autentik”. Po ashtu, sot të qëllon të dëgjosh shqiptarë që të argumentojnë se ne jemi pasardhës të ilirëve, duke të sjellë argumentin se prindët e tyre quhen Agron dhe Teuta.

7 Komente

  1. Ne muzikologjine hungareze dhe spanjolle figura e Gjergj Kastriotit shfaqet qe ne shekullin XV-XVI duke prekur kulmin e madheshtise dhe heroizmit te tij ne 1700 me operen teatrale te Vivaldit.

    Te kete qene me shume hero i Europes se sa i arberise valle Gjergj Kastrioti?
    Te kete luftuar valle me shume per Spanjen e Hungarine?

  2. Xha xhai thote:

    “Arbërorët që jetonin në Moré nuk kishin ndonjë arsye të fortë t’i këndonin Skënderbeut, meqë nuk u prekën nga përpjekjet e tij çerekshekullore; por edhe arbërorët e viseve jugore të Arbërisë përgjithësisht nuk morën pjesë në Skënderbejadë.”

    Xha xha, perse emigruan ne Italine e Jugut arbereshet? Na eshte thene qe ishte per shkak te pushtimit te viseve te Arberise nga turqit. Nqse nuk moren pjese shume ne Skenderbejade, a thua turqit te jene hakmarre ndaj njerezve te pafajshem? Apo ndoshta arbereshet kane qene te shtrire edhe ne veri te Shqiperise? Ne nje shkrim mbi origjinen e termave “Shqiperi”, “Shqiptare”, “Shqip” etj etj, thoje qe arbereshet mund te ishin pjesa e arberoreve qe mori pjese ne lufterat e Skenderbeut, qe jetonte ne qytete, aristokracia si te thuash, dhe qe u ndeshkua prej turqve. Hipoteze ishte edhe kjo, por ngjan bindese. Ndoshta kane marre pjese ne lufte me Skenderbeun, ndoshta kenget mbi Skenderbeun i kane pasur me te vertete.

    1. Profan, arbëreshët nuk emigruan vetëm drejt Italisë së Jugut, por edhe drejt zonave të tjera: rreth e rrotull Romës (në Latium), në Marche dhe në Veneto.
      Gegët emigruan kryesisht në zonat qendrore dhe veriore të gadishullit të Apenineve, toskët në Jug.
      Drejt Italisë së Jugut ka pasur edhe një dyndje të dytë të madhe arbërorësh nga Moreja, pasi fortesat veneciane të atjeshme ranë në duar të turqve, në shek. XVI.
      Fakti që sot gjejmë ngulime arbëreshe vetëm në Jug të Italisë, jo në Veri, nuk duhet të na gabojë e të na bëjë të besojmë se kjo pasqyron drejtimin e dyndjeve të atëhershme.
      Përkundrazi, arbërorët në Itali të Jugut kanë mbijetuar, ndërsa ata të tjerët jo, për arsye gjithsesi aksidentale – p.sh. që Italia e Jugut ka qenë e izoluar dhe e prapambetur, por edhe e sidomos ngaqë arbërorët toskë ishin të ritit ortodoks (di rito greco/bizantino), çka krijonte një barrierë mbrojtëse mes tyre dhe italianëve katolikë përreth.
      Gjithsesi, arbëreshët e Italisë së Jugut kanë një komponente të fortë kulturore bizantine – e cila u vjen jo vetëm nga riti fetar që ndjekin (cattolici di rito bizantino), por edhe nga ç’kanë sjellë me vete prej Moresë.
      Në veri të Italisë, arbëreshët gegë u asimiluan shpejt, për shkak të dinamizmit ekonomik të atjeshëm, por edhe fesë së njëjtë që kishin me vendësit italianë.
      Sa për arsyet e këtyre emigrimeve, luftrat e Skënderbeut kanë ndikuar, por nuk kanë qenë e vetmja arsye. Ducellier ka shkruar një vepër të tërë për këtë çështje, dhe anon nga shpjegimi ekonomik, ose i varfërisë së madhe të trojeve arbërore në Ballkan.
      Të mos harrojmë se shpjegimi konvencional, për arbëreshët që ikën për t’i shpëtuar “qenit turk”, është shumë i thjeshtuar madje i infantilizuar, dhe më shumë përrallë se e vërtetë.
      Briciolo, ka një kontradiktë në argumentin tënd – Skënderbeut vërtet i është kënduar në oborret e Europës, por pikërisht, në oborret. Opera si ato të Vivaldit, ose histori diturake, si ajo e Barletit, ishin vepra që i drejtoheshin një publiku të rafinuar dhe aristokratik. Skënderbeu ka qenë për një kohë të gjatë hero i elitave; në një kohë që elitat arbërore u shkatërruan me rrënjë.

  3. ””të mos harrojmë se shpjegimi konvencional, për arbëreshët që ikën për t’i shpëtuar “qenit turk”, është shumë i thjeshtuar madje i infantilizuar, dhe më shumë përrallë se e vërtetë.””’

    Vallaj keta te Shqiperise iken pas vdekjes se Skenderbeut, ata te Morese, pasi turku pushtoi peloponezin…. Shume perralle qenka ne fakt e nuk duket hic fare emeruesi i perbashket. Shume gjeniale ti thuash motivit kryesor perralle. Po edhe varferia kur turku te shkreton tokat e te merr devshirmen per te mbushur radhet e jenicereve, lidhet me turkun e jo me pjellorine e tokes e dellin punetor.

    ””’Ducellier ka shkruar një vepër të tërë për këtë çështje, dhe anon nga shpjegimi ekonomik””’
    Nuk beheshin para epokes moderne eksode qindramijshe, per arsye varferie jo se gjithe europa e asaj kohe kishte shume me pak diferenca ekonomike se sot, fshatari atehere kudo vdiste per buke, si ne ballkan ashtu edhe ne france,itali, angli apo rusi.
    Arvanitet shkuan ne Greqi si bujq-luftetare, nje lloj statioti, nuk shkuan se ishte varferi e madhe ne Arberi.
    Per ate zot, na shkaterroi krejtesisht historine ky materializmi historik.
    Si ka mundesi qe ne blog sjell perhere autore me bindje te majta apo qe bazohen tek materializmi historik ?

  4. Nje nga momentet kryesore te peshtjellimit dhe zhvendosjes se popullsise se Arberise ne cdo lloj drejtimi, ka qene periudha mbas betejes se Kosoves ne 1389.
    Tronditja e sistemit preekzistues prej kesaj ngjarje do te kete qene e nje magnitude aq te madhe sa ajo do kete sjelle shembje ose dobesim deri ne irelevance te shume strukturave sociale e ligjore te kohes. Shqiptaret ( si dhe ne kohet moderne te 1990 e tehu) shisnin shiptaret si skllever ne cdo cep e treg te mundeshem.
    Diku kam lexuar se rreth 80.000 mije shqiptare u shiten si skllever nga bashkeatdhetaret e tyre.

  5. Kam mendimin se përfundimet filologjike të Dh. S. Shuteriqit bota shkencore i ka pranuar si fakte tashmë. Në një libër mbi Skënderbeun në literaturën greke (Γεώργιος Καστριώτης ο Σκεντέρμπεης στα Νεοελληνικά Γράμματα, Αθήνα, Δωδώνη, 1994 – Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Literaturën Neogreke, bot. III), të albanologut të mirënjohur Titos P. Jochalas (duhet t’a kesh dëgjuar besoj XhaXha; është mjaft i njohur në Itali nga puna e tij mbi Arbëreshët si dhe në Shqipëri nga kontaktet e tij me A. Klosin etj) f. 58 po lexoj: “Së fundmi (libri është shkruar në v. 1975 – Shënim nga Tannhauser) kisha mundësinë të hulumtoj dy studime shumë interesante të Dh. Shuteriqit në lidhje me origjinën e këtyre këngëve italo-shqiptare rreth Skënderbeut [këtu jep citimin që dhe edhe ti Xhaxha më lart nga veprat e Dh.S.Sh – shënim nga Tannhauser]. Shuteriqi pas një analize shëmbullore (=υποδειγματική) të të mësipërme tregon se këto janë krijesa erudite të patriotëve italo-shqiptarëDe Rada, Dorsa, Santori dhe Basile. Madje arrin të përcaktoje për disa prej tyre elemente historike të nxjerra nga biografitë e Skënderbeut të shkruara nga Barleti, botimi i Brescias i Biemmit (1742), madje edhe nga botimi italian i Andrea Papadhopoulo-Vretos (1820)!”.

    I vetmi kundërshtim që kam hasur unë të paktën, deri tani është i arbëreshit Françesko Altimarit i shprehur fillimisht në artikullin “Mbi figurën e Skënderbeut në letërsinë gojore arbëreshe”, “Studime Filologjike”, 2/1980, f. 73-80, i ribotuar në vëllimin Çështje të Folklorit Shqiptar, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, I, Tiranë, 1982, f. 278-288 ku Altimari sjell edhe argumentet në të mirë të mendimit të tij. Diçka të ngjashëm me këtë artikull mbajti si referat (Altimari) në konferencën shkencore kushtuar Skënderbeut në Tiranë, 2005. Referati titullohej “Miti i Skënderbeut ndër arbëreshët e Italisë” dhe u botua në f. 306-313 të vëllimit Skënderbeu dhe Evropa, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë, 2006.

    Nga këto punime të Altimarit shikoj se të parët që hodhën dyshimin mbi këngët arbëreshe kanë qënë Gustav Meyeri dhe August Dozon qysh në vitet 1888 i pari dhe 1878 i dyti. Dozon ishte shprehur: “…veçse s’është e mundur t’i shpëtosh dyshimit rreth origjinës vërtet popullore të këtij qëmtimi, meqë botuesi nuk njofton asgjë nga rrethanat në të cilat u mblodhën këto raporte të nënshtruara një aranzhimi kryekëput arbitrar…”.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: