LIBER I RI

 

Dje doli në shitje në Tiranë libri im me artikuj dhe esé Folklori i elitave, botuar nga Botimet Morava. Lexuesit e Peizazheve të Fjalës do të gjejnë në këtë libër një pjesë të madhe të temave dhe të ideve të cilat i kemi shtjelluar së bashku në blog, por në një perspektivë më të organizuar.

kopertina3Tani për tani librin mund ta gjeni në këto librari:

1. Friend’s Book House

2. Libraria Adrion

3. Libraria Albania

4. Libri Universitar

5. Libraria Hatibi

Së shpejti do të shpërndahet edhe në librari të tjera, në Tiranë dhe gjetiu.

Ja një fragment nga paraqitja e librit në kopertinën e pasme:

Kanë thënë se shoqëritë përftohen dhe mbahen në këmbë nëpërmjet komunikimit, por aq më bindëse tingëllon kjo sot, kur realiteti na mbërrin në pjesën më të madhe i ndërmjetësuar. Shqipëria lirinë e fjalës të fituar në 1990 e përjetoi më shumë si liri të mediave dhe shkallë-shkallë erdhi duke e konsumuar në dialog me propagandën, dëshirën për informim dhe licensimin e asaj kafeneje virtuale ku mblidhen elitat e sotme, të dyzuara midis trashëgimisë patriarkale tribale dhe teatrit globalist. Ligjërimi publik, mass mediat, Interneti, telefonia celulare, kultura pop, trajtim-manipulimi i imazhit kombëtar dhe dialogu si instrument modernizimi mund të lexohen edhe si mozaik i shndërrimeve të vetëdijes sonë në këtë periudhë përballjesh ekzistenciale me veten, Europën dhe globalizimin. Foklori i elitave shpreson ta orientojë lexuesin në këtë kaos të komunikimit posttotalitar mes shqiptarëve, ku historia realizohet nëpërmjet së përditshmes dhe e ardhmja ia dikton trajtat së tashmes.

Natyrisht ju ftoj që ta bleni. Unë vetë kam vetëm fitim moral nga e gjithë kjo (çka më del e më tepron), por duke e blerë librin do të mbështetni një botues të kujdesshëm dhe profesionist të mirë, i cili ende tregon interes për libra të kësaj natyre; si dhe ato pak librari të Tiranës që përpiqen ta mbajnë ndezur dritën e librit.   

24 Komente

  1. Shumë urime dhe suksese !
    “”Unë vetë kam vetëm fitim moral nga e gjithë kjo (çka më del e më tepron)…””
    T’i shërbesh lexuesit dhe shoqërise në këtë mënyrë, sot, kjo është vërtet për tu admiruar!!

  2. Unë ende po kërkoj Fraktalet e Shqipes dhe s’po e gjej. Nesër që do jem në Gjirokastër shpresoj të jem me fat dhe do porosis edhe këtë. Përmban edhe shkrime të autorëve të tjerë të blogut? Pishaku ku ka humbur?

  3. Të dashur, falemnderit për urimet.
    Po përpiqem të organizoj një prezantim të librit nga fundi i javës së ardhshme, te Friend’s Book House. Do t’ju lajmëroj datën, sapo ta fiksojmë.
    Tannhauser, për Fraktalet nuk di si mund të jetë shpërndarë; për gjerdanin Excipere kujdeset Ledi Shamku-Shkreli. Megjithatë, do t’ia çoj kopje librarisë së mësipërme, që të paktën të gjenden në një vend.
    Libri përmban vetëm shkrime të miat; një pjesë të botuar në Shekulli, një pjesë tjetër të mbështetur në materiale të blogut, por gjithnjë me temë nga mass mediat, komunikimi dhe analiza e shenjave.
    Sa për Pishakun, përkohësisht është tërhequr për shkak të një problemi familjar serioz, të cilin ia uroj, besoj edhe në emrin tuaj, që ta kapërcejë së shpejti.

  4. Kurreshtar ngjarjesh, si celes, mendimi punesohet praktikisht duke shijuar hera-heres vleren e tij teorike ne lexim.

    Jam kurreshtar per kete Liber te Ri . Urime!

    Xha Xhai do ish jo pak me interes te titullohej, libri ose autori i librit te ardheshem.

  5. Edhe unë si përfaqësuesi më në zë i trolleve të uroj suksese…Të shkroftë pena…Meqë deri në leximin e librit kemi vetëm kopertinën, mund të më thuash Xha xha se ku janë elitat. Personalisht shikoj vetëm folklor. Apo mos vallë janë fshehur në rresht të fundit bashkë me të imtat ?!

  6. Librin sapo e porosita të ma blejnë. E kërkon interesi për një mendim të lirë, të zhdërvjelltë dhe aq me tepër të hedhur mbi letër.
    Doja të pyesja për autorin/en e fotografisë në kopertinë, dhe pse një zgjedhje e tillë. Ndoshta duhet të lexojmë librin për ta gjetur përgjigjen. Sodpqoftë do ishte me interes për mua një interpretim i yti mbi këtë imazh.

  7. Asnjan’s, foton e kopertinës e ka shkrepur Elinor Butka. E kam zbuluar rastësisht, duke shfletuar foto të ndryshme shqiptarësh në Flicker. Më pëlqeu ideja e një shoqërie që i nder lëveret e veta në publik…

    Ju lutem më thoni nëse nuk e gjeni librin në ndonjë prej librarive që kam radhitur më lart. Shpërndarja e librit në Tiranë meriton të studiohet nga antropologët, por gjithsesi, do të bëj të pamundurën që libri im të mos kalbet në magazina, teksa njerëzit e kërkojnë më kot librarive.

  8. Ajo cka e ben akoma me interesante fotografine si reprezantim i nje shoqerie, jane hekurat ne dritare, ku dhe jan ndere leveret e saj.

    Ju presim me padurim, ju edhe librin.

  9. pershendetje xha xha
    mua prej kapeles qe mbaj nga i ftohti ,kane filluar te me thone o xhaje
    mendoj se nuk mund te jete vetem folklor,jo kur shkruan ti
    Lati

  10. Xha Xha! Urime te sinqerta per librin edhe pse nuk e kam lexuar ende. Kam bindjen se “do kesh qullosur ndonje gje te mire :)…) Nuk e di nese lejohet shakaja??? Vetem me thuaj se isha te prezantimi i librit, ata qe ishin aty, (je pjese e tyre) ishin te gjithe me ftese, apo sepse ne titull ke vene fjalen elite?

  11. Urime xha xha !

    Mendoj se do jete burim i nevojshem debatesh socio-politike, per cka ka nevoje nje shoqeri e papergatitur ne periudhe krize, ne menyre qe te arrije formen institucionale optimale e te largoje fantazmat e oligarkise dhe diktatures.

    Patriarkale apo patricentriste ?

  12. Urime xha xhai!
    Por eshte e nevojshem te ta shkruaj,ketu ne blog nuk kam per te shfaq me asnje ide time te re.Kam frike,se na ke pak shfrytezu intelektualisht.Lol.

  13. Xha Xha, librin e kam ne duar prej dy tre ditesh dhe ka nje problem. Ne nje moment te caktuar, renditja e faqeve vjen e tille : 84, 93,94,95,96,89,90,91,92,97,98…..
    Dmth renditja e gabuar eshte problem, mungesa e 2 faqeve ( perkatesisht 85-86 dhe 87-88 ) eshte edhe me problem. Uroj te jete problem vetem i kopjes qe kam une por sma ha mendja.

    1. Ton, gjëra që ndodhin ndonjëherë me shtypshkronjën – por kopjet që kam unë të librit nuk e kanë këtë problem. Nëse je në Tiranë, ndoshta mund të shkosh te libraria ku e ke marrë dhe t’u kërkosh të të japin një kopje të saktë – është e drejta jote. Përndryshe, nëse libraria nuk ta zëvendëson librin, të lutem më thuaj, që të bisedoj unë me botuesin dhe të shkosh ta ndërrosh kopjen te libraria e tij (ka një të tillë te Kafe Libri në Tiranë, afër Stadiumit Dinamo; nuk jam 100% i sigurt për emrin e kafes, po librin e ka aty me siguri).

  14. Xha Xha, me shume sesa per kopjen time, mendova te ta shkruaj kete per te te vene ty ne dijeni qe keto probleme te shmangen ne librin pasardhes.
    Gjithsesi kete proven tek libraria ( friends bookhouse ) do ta bej nje here.

  15. Më në fund, sot më rra në duar libri Fraktalet e Shqipes. Rastësisht këto ditë isha duke lexuar një artikull të A. Kostallarit, Fjala e gjallë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, nxjerrë nga vëllimi Norma letrare kombëtare dhe kultura e gjuhës, v. I, Tiranë, 1973, ff. 50-60 (sinqerisht, as që e dija që ekzistonte diku në bibliotekën time) dhe mund të bëj disa krahasime me çështjet që prek XhaXha. Duke lexuar kapitullin “Zhvoshkje”, mbi varfërinë e leksikut të Fjalorit të 1980 dua të të pyes a di gjë pse doli vetëm me rreth 41.000 fjalë kur parashikimet e Kostallarit dhe të Institutit të Gjuhësisë, siç lexoj në librin e sipërpërmendur, flisnin për rreth 60.000 fjalë. Shkruan tekstualisht Kostallari “Duke u mbështetur në këtë pasuri të madhe, në përvojën e leksikografisë sonë e botërore, si edhe në teorinë marksiste mbi gjuhët letrare kombëtare janë studjuar e përcaktuar parimet teorike e praktike të <> dhe prej disa vjetësh ka filluar hartimi i tij. Ky fjalor do të ketë mbi 60 mijë fjalë, d.m.th. rreth tri herë më tepër se fjalorët e derisotëm. Ai do të botohet në disa vëllime.” Madje pak më poshtë flet se mbetet detyrë për të ardhmen hartimi i fjalorit të madh shpjegues me rreth 100 mijë fjalë. Pse dështoi ky projekt?

    1. Tannhäuser, vështirë të thuash çfarë ndodhi pikërisht.

      Një arsye madhore ishte se fjalorit të shqipes iu ndërrua tipologjia – ishte menduar si më shumë filologjik e më pak gjuhësor; por me sa duket puna paraprake që u bë për fjalorin shumëvëllimësh nxori në pah disa vështirësi teknike të pakapërcyeshme, pa përmendur ato të natyrës ideologjike (tekstet fetare që duheshin cituar etj.).

      Fjalori shumëvëllimësh do të përmblidhte krejt shqipen e shkruar dhe të folur; por u la përgjysmë (vetëm shkronja A u përfundua, me sa mbaj mend). U pa e arsyeshme të punohej për një fjalor më praktik dhe më funksional, i cili t’i përgjigjej edhe homogjenizimit gjuhësor të viteve 1960-1970. Ndërkohë ishin ndërruar edhe brezat e leksikografëve dhe Kostallari po e konsolidonte mirë pushtetin në duar. Përshtypja ime është se tipi i fjalorit u thjeshtua për arsye ideologjike – shqipes së njësuar totalitare i duhej fjalori i vet.

      Kostallari ishte leksikograf i shkëlqyer dhe profesionist që s’ia hante qeni shkopin; por hartimi i një fjalori të shqipes kërkonte shumë punë dhe përkushtim kolektiv, të cilat grupit të autorëve e të redaktorëve nuk i munguan, pavarësisht nga natyra politike e ndërmarrjes në vetvete. I kam njohur të gjithë ata që kanë punuar me Fjalorin, dhe jam i sigurt se kulturës shqiptare një ekip leksikografësh aq të përkushtuar dhe të apasionuar pas punës me leksikun nuk i vjen më.

      Që fjalori i 1980-ës është i varfër, kjo nuk diskutohet; por ashtu ishte edhe shqipja së cilës i përgjigjej. Legjendat që miklojnë sedrën e shqiptaristëve të fantaksur, për një shqipe mitikisht të pasur, që ende ruhet në majat e maleve, nuk janë veçse folklor provincial, që nuk e ka vendin në logun e debateve kulturore serioze. Të kesh njëzet emra të ndryshëm për lendet e dushkut ose kakërdhitë nuk është pasuri, por segmentim (atomizim) krahinor i komunikimit. Qëmtimi i fjalëve “të rralla” si veprimtari i ngjan filatelisë; por këto fjalë kanë vlerë në komunikim njëlloj sa ç’mund të ketë një pullë poste e kohës së Zogut, për të dërguar një letër nga Lapraka në Zall-Her.

      Po si shpjegohet rënia nga 60 në 41 mijë? Kjo them unë ka dy arsye themelore: (1) njohja e pamjaftueshme, nga Kostallari & Co., e pasurisë së përdorshme në Kartotekën e leksikut dhe (2) kriteret e hartimit të fjalësit (listës së fjalëve) të fjalorit. Natyrisht numri i fjalëve të një gjuhe nuk është ndonjë kriter absolut i pasurisë së saj, as i suksesit të saj funksional. Shqipja popullore kishte dhe ka saktësisht aq fjalë sa ç’i duheshin dhe i duhen. Çështja është nëse kjo shqipe do t’i përgjigjej dot sfidave të modernizimit dhe të destinimit të saj si mjet komunikimi publik i një shteti të mirëfilltë. Kjo çështje ende nuk ka marrë përgjigjen përfundimtare; dhe nuk e konsideroj teprim të them se, një pjesë e katrahurës së sotme në komunikimin publik, i ka rrënjët sa në mangësitë objektive (strukturore) të shqipes zyrtare, aq edhe në njohjen e pamjaftueshme të saj nga përdoruesit; dhe në këtë pikë varfëria e gjuhës nuk më shqetëson aq shumë, sa ç’më shqetëson varfërimi.

  16. Vleresim shume i drejte.Eleminimi i shume fjale te gjuhes se folur perben nji shkaterrim (te qellimshem ose paqellimshem,ose te paditshem;kjo ska me rendesi tani).Del nje pune e madhe,kuptohet me shume shpenzime,perpara gjuhetareve te rinj ne evdiencimin e njesive te munguara ne fjalor dhe koncpetimet shkencore te reja shpjeguese per cdo njesi si zgjerimi i shembujve ilustrues nga te gjitha krahet e perdorimit;gjuha zyrtyre,gjuha letrare dhe gjuha e folur.theksoj gjuha letrare,sepse ne ndonje rastet shkrimatret kane sensuar gjuhen e vendit te tyre,e kane ngritur me larte ate.Ndersa reth gjuhes se folur,mendoj qe Shqipja ka qendruar shume me pas.Gjuha e folur eshte lene pas dore ne menyre te pa shpjegueshme e te pallogjikshme.
    Pra,me pak fjale gjuhes Shqipe i nevojitet nje fjalor i ri,modern duke ndjekur rrugen qe kane ndjekur fjaloret e perparuar te gjuheve te tjera.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin