LIRIA INTRA MUROS

Vallë i duhet botës një Internet i ri?

John Markoff, i The New York Times, mendon se po.

Gjithnjë e më shumë inxhinierë dhe ekspertë të sigurisë, thotë ai, janë bindur tashmë se siguria dhe privatësia në Internet po bëhen kaq të paarritshme, sa e vetmja mënyrë për ta ndrequr problemin është të nisemi nga e para.

Ende askush nuk e di si do të jetë ky Internet i ri, vazhdon autori, por ka të ngjarë që të modelohet sipas një komuniteti të gardhuar (gated community), ku

[…] përdoruesit do të hiqnin dorë nga anonimitet dhe disa liri, në këmbim të sigurisë. Sot kështu po ndodh me shumë përdorues Interneti në korporatat dhe në qeveri. Sa më gjerësisht të vijë duke u adoptuar ky rrjet i ri, më i sigurt, aq më keq do të katandiset Interneti i tanishëm si lagjje e keqe e cyber-hapësirës. Ti do të hyje aty duke e marrë në sy rrezikun dhe do të kujdeseshe për t’u ruajtur nga ky rrezik, sa kohë të gjendeshe atje.

Lagjja e keqe e cyber-hapësirës? Edhe pse Markoff e ka fjalën për çështje të sigurisë dhe të privatësisë, mua këtu menjëherë më shkoi mendja në një dukuri që e kemi debatuar shpesh këtu: prirjen e disa forumeve të hapëta (të pamoderuara) për t’u shndërruar në mëhalla të pakëshilluara të Internetit shqiptar, ku zërat e arsyeshëm nuk kanë asnjë shans, përballë lukunisë së çartur të junkyard dogs.

Megjithatë, plagët që e mundojnë sot Internetin, si mjet komunikimi mes përdoruesve, por edhe si medium business-i, edukimi dhe informimi publik, i detyrohen kryesisht pamundësisë për t’u mbrojtur ndaj cyber-sulmeve.

maginotPërballë kërcënimeve të reja, thotë Markoff, shumë ekspertë i konsiderojnë përpjekjet konvencionale për t’u mbrojtur si të ishin një lloj vije Maginot kibernetike, duke iu referuar disa fortifikimeve frënge gjatë Luftës II Botërore, të cilat nuk patën asnjë efekt kundër sulmit gjerman, i cili ndiqte një logjikë tjetër, më të avancuar dhe më efikase.

Kjo, megjithëse industria e sigurisë kompjuterike parashikon të arrijë $79 miliard fitime në fund të vitit 2010.

Një numri ekspertësh të fushës po u duket tepër tërheqëse ideja e një Interneti të ri, të ndërtuar rreth konceptit të sigurisë totale; çka do të thotë se hapësira virtuale nuk do të jetë dot më hapësirë publike, dhe anonimiteti do të detyrohet t’ia lërë vendin identifikimit.

Çuditërisht, këtu përvijohet e njëjta paradigmë e cila është shprehur tashmë në fushën e sigurisë publike – meqë qytetarëve në vendet Perëndimore gjithnjë e më shpesh po u bëhet thirrje të heqin dorë nga disa të drejta themelore, në emër të sigurisë, ose të luftës kundër terrorizmit.

Kjo lidhet edhe me atë që shumë sociologë të mjediseve virtuale e konsiderojnë anonimitetin si të drejtë themelore të përdoruesve të Internetit.

Nga ana tjetër, komunitetet e gardhuara janë tashmë një realitet, në shumë metropole dhe zona suburbane, kudo në botë; dhe sa herë që një shtresë e mesme ose e mesme/e lartë shtrëngohet të ndajë të njëjtën hapësirë publike me të varfërit, të degraduarit, imigrantët dhe minoritetet raciale.

Kush jeton në komunitete të tilla, heq dorë me vetëdije nga disa liri që vijnë natyrshëm me jetën në qytet dhe shfrytëzimin e hapësirës publike, për të jetuar në një mjedis më të sigurt, më komod dhe larg turbullirave dhe patologjive sociale të shtresave më të ulëta.

Shkrimtarë të fantashkencës, si Neal Stephenson, prej kohësh kanë përfytyruar një të ardhme ku segmenteve të hapësirës urbane, si komuniteteve të gardhuara, ose komuniteteve e kontrolluara nga grupet kriminale (mafia), do t’u njihet deri edhe sovraniteti.

Nga ana e tyre, optimistët e cyber-hapësirës kanë shpresuar se komunitetet virtuale janë në gjendje të vetë-rregullohen, me vullnet të mirë dhe dëshirë për bashkëpunim. Mirëpo eksperienca e forumeve online flet për të kundërtën; ose pikërisht për prirjen e komuniteteve virtuale për t’u vetëshkatërruar, kur mungon moderimi prej një autoriteti çfarëdo.

gated-communityKa një marrëdhënie të drejtpërdrejtë midis censurimit, mureve dhe post-blloqeve të komuniteteve të gardhuara dhe Internetit të ri të themeluar mbi sigurinë; dhe kjo marrëdhënie i detyrohet bindjes se kompleksiteti i sistemeve mund të ruhet vetëm në kushte të kontrolluara – ose që vetëm muret rrethuese garantojnë entropinë e ulët ose ndarjen e sinjalit prej zhurmës.

Në vështrim të parë ideja duket tunduese; mirëpo të gjithë jemi dëshmitarë të abuzimit me të në sferën politike dhe sociale, sidomos pas 11 shtatorit 2001.

Është tipike për autoritarizmin parafashist që t’u kërkojë qytetarëve të heqin dorë prej disa lirive, në emër të sigurisë së shtuar. Njëlloj, pas propozimit për një Internet të ri, mund të fshihet dëshira për t’ia neutralizuar forcën subversive  Internetit të sotëm, të cilën establishment-i nuk e kontrollon dot mirë.

Nëse muret e mbajnë entropinë të ulët, është njëlloj e vërtetë se përplasja midis kulturave të ndryshme, ose midis palëve të një sistemi heteroklit (plural) shërben si burim idesh dhe vizionesh, ose kusht i pjellorisë intelektuale dhe shpirtërore.

Tek e fundit, forumet e kontrolluara dhe aseptike, si Alb-Shkenca, janë gjithnjë më të mërzitshme dhe intelektualisht më sterile sesa favela-t e Peshkut pa Ujë, ku njerëzit, shenjtët, qentë dhe djajtë jetojnë së bashku dhe shkëmbejnë mes tyre shiringat.

13 Komente

  1. Krijimi i nje interneti te ri (me te sigurte) sic pretendohet ketu eshte utopi ekspertesh te fandaksur sigurie. Kjo per arsyen e thjeshte sepse investimet qe jane bere tashme ne internet jane aq te medha sa askush nuk mund ti lejoje me vetes krijimin e nje interneti te ri.

    Interneti eshte tashme nje organizem ku nderthuren shume interesa. Dhe si cdo organizem ndryshimet do te ndodhin hap pas hapi. Kjo vlen sidomos per sherbimet baze (shkalla e protokolleve baze qe eshte dhe rrenja e pasigurise) mbi te cilat eshte ngritur interneti.

    Nga ana e tyre, optimistët e cyber-hapësirës kanë shpresuar se komunitetet virtuale janë në gjendje të vetë-rregullohen, me vullnet të mirë dhe dëshirë për bashkëpunim. Mirëpo eksperienca e forumeve online flet për të kundërtën; ose pikërisht për prirjen e komuniteteve virtuale për t’u vetëshkatërruar, kur mungon moderimi prej një autoriteti çfarëdo.

    E para: Ne internet bashkejetojne lloje te ndryshme komunitetesh. Nuk duhet pergjithesuar aftesia e disa tipeve komunitetesh virtuale interneti per tu veteshkaterruar tek te gjitha komunitetet. Komunitetet qe e perdorin aktivitetin virtual ne internet jo si alternative por si plotesim te aktiviteteve reale mua me rezultojne si shume te suksesshme. Vete zgjedhja e presidentit Obama qe shembulli me i mire mbi suksesin e ketyre lloj komuniteteve hibride realo-virtuale ndaj komuniteteve teresisht virtuale apo atyre teresisht jo-virtuale. Interneti eshte nje hapesire e re dhe komunitetet e reja jane akoma ne fazen e konsolidimit te normave dhe eksperimentimit. Pse nje tip komunitetesh nuk eshte i afte per te mbijetuar nuk do te thote qe nje tip tjeter (me i pershtatur) komunitetesh nuk do te mbijetoje.

    E dyta: Zhvillimi teknologjik ne internet eshte shume i shpejte. Bile per mendimin tim me i shpejte sesa shpejtesia me te cilat mund te krijohen norma sociale brenda komuniteteve. Teknologji te reja mundesojne lloje te reja komunitetesh. Shihni Twitter si shembull i nje lloji te ri komunikimi me norma te reja te ndryshme nga ato te emailit chat-it apo blogut, rss apo forumit.

  2. Eni, po a nuk e vë re edhe ti, se kjo prirje për siguri në dëm të lirisë po depërton tashmë kudo, madje edhe me pëlqimin “demokratik” të masave paraprakisht të frikësuara?
    Në fakt, mua më bëri përshtypje që Obama vetë ia sqaroi publikut se dilema midis lirisë dhe sigurisë është dilemë false, e shpikur dhe e pompuar nga të gjithë ata që duan të ushtrojnë kontroll të plotë ndaj sendeve dhe njerëzve.
    Vallë a nuk u orvatën SHBA nën Bushin të krijojnë një lloj komuniteti të gardhuar, për t’u mbrojtur nga “terrori”?
    Edhe në Internet, ndoshta siguria do të arrihej më mirë duke u dhënë më shumë fuqi përdoruesve (nëpërmjet edukimit), jo duke forcuar gardhet, telat me gjemba dhe post-blloqet.
    Në një shoqëri ku konsiderohet e natyrshme që siguria të paguhet me liri, pushteti do të përqendrohet në duart e ruajtësve të sigurisë – dhe këtu nuk e kam fjalën për kompanitë që shesin programe kundërvirusale ose mure zjarri.

  3. Markoff-i ja ka plasur kot (ka edhe NYT kuota si për analistët shqiptarë) për disa arsye:
    1. Privatësia bie ndesh me sigurinë ose komunitetet e gardhuara
    2. Shumë nga problemet e sigurisë varen nga sjellja e njerëzve (social engineering), prandaj s’e ndreq dot duke ndryshuar Internetin (mund të ketë gardh por kur ta hap vetë i zoti i shtëpisë derën ç’do bësh?).
    3. Ky Internet është provuar më parë!!! Quhej AOL (http://en.wikipedia.org/wiki/AOL) dhe dihet sa mirë funksionoi.

    1. AC shkruan:

      Markoff-i ja ka plasur kot (ka edhe NYT kuota si për analistët shqiptarë)

      AC, Markoff i njeh mirë këto çështje; aq më tepër që shkrimi i tij mbështetet mbi të dhëna që ka mbledhur poshtë e lart, jo në spekulime të rastit.
      Nuk më rezulton që të ketë kuota për analistët shqiptarë – mund të më ndihmosh duke më sjellë ndonjë provë për këtë (përveç lehjeve të zakonshme në forumet), që të mos thuhet edhe për ty, pastaj, që “ia ke plasur kot”?
      Ti thua: privatësia bie ndesh me sigurinë (komunitetet e gardhuara), si të ishte një kontradiktë në idenë e sjellë nga Markoff. Po sikur komunitetet e gardhuara në Internet të mjaftohen me privatësi të grupit, si p.sh. pjesëtarët e një klubi privat golfi?
      Sa për AOL, atje gjithnjë mund të krijoje identitete të reja; madje, me sa mbaj mend unë, një e-mail i nisur nga një adresë AOL-i nuk mund të identifikohej nëpërmjet adresës IP.

  4. Për mendimin tim, nuk mund të ketë asnjë lloj përmirsimi me identifikimin e plotë të anëtarëve të komunitetit, bile mos çoftë në një udhë tjetër qorre… kjo qoftë dhe nga frika e anëtarëve për të mos thënë ndonjë gjë kundra “politikës” së grupit që çon në “unifikimin e opinioneve dhe aksioneve dhe kjo nuk kontribuon nëpërplasjen e opinioneve për një diskutim të lirë e të hapur (eksperienca e socializmit tek ne, është mjaft e qartë për ta spieguar: Askush nuk guxonte të thoshte diçka kundër “kllasës”).

    Duhet të punohet në drejtime të tjera: Edukim, edukim edukim.
    Edukim përsa i përket vetë edukatës e njohurive të utentëve, për të marrë pjesë me një farë kulture rreth argumenteve që trajtohen dhe të faqeve që të paraqiten me një nivel të lartë… fakti që Albshkenca nuk është e “infektuar” nga budallalliqet tregon se edhe budallenjtë e kanë frikë ambjentin ku trajtohen tema për të cilët ata e dinë që nuk janë në gjëndje të bëjnë si “trima”.

    Kjo edukatë duhet të shoqërohet edhe me reagimin e shëndetshëm të shumicës së komunitetit virtual për të mënjanuar elementë të cilët bëhen të bezdisshëm… dhe jo për të rënë në grackën e sulmeve të organizuara vetëm se “ai” e mendon ndryshe nga grupi, por që të luajë rolin e vetrregulluesit, në rradhë të parë duke u përpjekur që të jetë vetë e “papërlyer” nga mëkatet për të cilat do të duhej të akuzonte të tjerët.

  5. Perdorimi i teknologjise ne menyre te ndergjegjshme eshte per mendimin tim nje nga sfidat e medha te njerezimit. Sa me e fuqishme behet teknologjia aq me e rendesishme duhet te jete edukimi per perdorimin e saj.

    Ne rastin konkret te kerkesave per nje internet te sigurte pergjigjja e vetme eshte: Le te ndertohet e te eksperimetohet me nje internet te tille paralelisht me internetin ekzistues. Ka dy menyra se si realizohet kjo. Ne njeren ane nje internet i tille mund te ndertohet brenda/mbi internetin ekzistues gje qe eshte e veshtire teknikisht. Zgjidhja tjeter eshte ndertimi i nje rrjeti paralel mbi protokolle baze me te sigurta pra nje rrjet qe bazohet jo mbi TCP/IP por mbi nje protokoll me te sigurte. Kjo eshte teknikisht e lehte. Problemi ketu eshte qe ne fillim askush nuk eshte i interesuar te investoje ne kete internet te ri pa patur sigurine 🙂 nese perdorimi i tij do te masivizohet.

    Qe te jemi te qarte. Askush nuk i detyron firmat apo njerezit te perdorin internetin aktual dmth. ate te bazuar mbi TCP/IP. Ky perdoret jo sepse eshte e veshtire te ndertohet nje internet tjeter me i sigurte apo se nuk ka protokolle me te sigurta (ne fakt ka plot) por sepse interneti aktual eshte masiv e perdoret nga te gjithe.
    Interneti aktual nuk lindi brenda dites me dekret te ndonje presidenti apo autoriteti por u zhvillua ne formen e tanishme pergjate nje procesi qe zgjati 15 vjet nga poshte lart. Interneti nuk i perket askujt prandaj thirrjet per ta zevendesuar internetin me dekret me ndonje internet tjeter jane thjesht thirrje qe kane te bejne me deshiren per kontroll total por nuk kane te bejne me teknike e teknologji.

    Zgjidhja ndaj problemeve te sigurise se internetit te sotem duhet bere nepermjet alternativave te reja dhe pershtatjes e seleksionimit. Nese me te vertete interneti ka kaq shume probleme atehere askush nuk e pengon zhvillimin e nje interneti me te mire e me te sigurte dhe konkurencen/bashkejetesen e tij me ate aktualin.

    xhaxhai thote:

    Edhe në Internet, ndoshta siguria do të arrihej më mirë duke u dhënë më shumë fuqi përdoruesve (nëpërmjet edukimit), jo duke forcuar gardhet, telat me gjemba dhe post-blloqet.

    Në një shoqëri ku konsiderohet e natyrshme që siguria të paguhet me liri, pushteti do të përqendrohet në duart e ruajtësve të sigurisë – dhe këtu nuk e kam fjalën për kompanitë që shesin programe kundërvirusale ose mure zjarri.

    Une jam dakort per rolin e edukimit. Nga ana tjeter interneti eshte nje ekosistem i pakontrollueshem nga nje instance e vetme. Do te kete gjithnje shumellojshmeri idesh, paradigmash, teknologjish e autoritetesh qe do te kushtezojne zhvillimin e komuniteteve brenda internetit. Brenda kesaj shumellojshmerie ka vend qofte per komunitete qe kerkojne siguri e kontroll total pra komunitete ku pushteti qendron ne duart e ruajtesve te sigurise qofte per komunitete krejtesisht te hapura e veterregulluese ku pushteti eshte i shperndare nepermjet normash, morali e vlerash tek te gjithe anetaret e komunitetit. E rendesishme eshte ruajtja e shumellojshmerise dhe e diversitetit. Princip ky gjitheperfshires qofte ne natyre qofte ne shkencen e re te sistemeve veterregulluese.

    Nje sistem i standartizuar ku mbizoteron vetem nje lloj paradigme organizative eshte i paafte ti pergjigjet ndryshimeve te menjehereshme te mjedisit ne te cilin ekziston. Psh. standartizimi dhe globalizimi i madh i sistemit bankar e ktheu krizen fillimisht lokale Amerikane ne krizen me te forte boterore qe pas luftes se dyte boterore. Mungesa e diversitetit po e kthen nje krize lokale ne katastrofe ekonomike globale. I njejti princip vlen per internetin. Nje ekosistem i shendetshem nuk duhet te dominohet nga nje paradigme e vetme psh. ajo e sigurise, apo ajo e hapjes.

    Ok e mbylla se e zgjata shume 🙂

  6. Mua me ngaterroi ky postimi:

    1. Mund te krijohet nje internet i ri, me i sigurte, por me me pak privaci, i ngjashem me komunitetet e gardhuara.

    2. Interneti ekzistues vazhdon te jete aty si gjithmone, me pjesmarres te te gjitha kategorive shumengjyreshe.

    3. Zgjedhja e Internetit te Ri ose te Vjeter eshte vullnetare, dikush zgjedh te heqi dore nga disa liri per hir te sigurise, dikush jo.

    4. Kufizimi i lirive per hir te sigurise nga qeveria behet me ligj, eshte i detyruar, nuk ka zgjedhje.

    Ka nje kapercim logjik ketu, apo s’kam kuptuar gje une nga ky muhabet?

    Nuk e gjej dot se ku qendron e keqja e komuniteteve te gardhuara, interneteve te sigurt per sa kohe nuk perjashtojne alternativat, ku gjithsecili eshte i lire te jetoje me ose pa gardh, me ose pa internet te sigurt, madje edhe te jetoje jashte komunitetit ose pa internet fare.

    Ndersa kufizimi i lirive per hir te sigurise nga qeveria eshte ceshtje krejt tjeter. Me ngjan sikur i bije vlera nje problemi teper te rendesishem duke e paralelizuar me kete punen e internetit te ri.

    1. LG, ja si e shoh unë këtë punë:
      Ka një problem të sigurisë në Internet. Në qoftë se tani vijnë e krijohen struktura të barasvlershme me gated communities, siguria në pjesën tjetër, të pagardhuar, do të degradojë vetvetiu.
      Përndryshe, komunitete të mbyllura në Internet ka sot e kësaj dite. Kushdo mund ta bëjë blogun me ftesa vetëm, dhe të englediset me të vetët ditë e natë. Çështja është kur kjo prirje thith burime teknologjike dhe financiare, duke ia marrë ose rrëmbyer Internetit “publik”.
      Sa për kapërcimin logjik, nuk më duket se ka. Kufizimi i lirive për hir të sigurisë së shtuar, para se të bëhet ligj, është dëshirë, ose propozim i politikanëve, i cili nuk bëhet ligj, po të mos ketë mbështetjen e masave. Prandaj, para se të propozohen ligje të tilla, është e këshillueshme që masat të frikësohen pak, p.sh. duke shpërndarë miell antraksi me postë, të cilin ia faturojmë pastaj Saddam-it, ose ndonjë mustaqelliu tjetër.
      Edhe në rastin e Internetit, një skenar i mundshëm (sado spekulativ) do të formulohej kështu: zmadhohen rreziqet e sigurisë, njëlloj siç u bë me problemin Y2K para dhjetë vjetësh; masat si zakonisht alarmohen dhe kërkojnë qeverinë “të bëjë diçka”; qeveria bën diçka dhe ua kufizon masave pikërisht ato liri, të cilat mundësonin atë lloj përdorimi të Internetit, të cilit i druhej qeveria.
      Në Internetin e gardhuar, e para gjë që do të gardhohej është informacioni. Mua më zë tmerri kur mendoj se në një të ardhme lajmet nga bota, p.sh. nga Lindja e Mesme, do të më duhej t’i merrja prej The New York Times

  7. Disa sqarime te shkurtra per te ndihmuar pak ne diskutim.

    1)Cfare eshte interneti? Perkufizimi teknik i internetit qe perdoret ne zhargonin e inxhiniereve te softwarit eshte qe interneti eshte nje shkalle protokollesh te caktuara (me sakte shkalla e quajtur TCP/IP). Pra interneti eshte software!!

    2)Cfare eshte internet i ri?
    Sipas definicionit te mesiperm Internet i ri mund te quhet cdo shkalle tjeter protokollesh pervec TCP/IP qe kryen te njejtat funksione si TCP/IP (pak a shume adresim e shperndarje te paketave te informacionit).

    3)A ekzistojne aktualisht Internete te ri?
    Po, prej vitesh bile. Shume universitete dhe institucione te medha kane rrjete te dedikuara me te cilat ato nderlidhen me njera tjetren te bazuara mbi protokolle te ndryshme nga TCP/IP.

    4)Cfare duhet per te zevendesuar internetin aktual (TCP/IP)?

    Le te bejme nje analize te shkurter te pergjithshme. Nese nisemi nga premisa optimiste se 70 – 90% e softwareve eshte i shkruar keq ( nga gjuhe programimi dhe paradigma te vjetra ose ngaqe principi i perfshirjes [encapsulation] nuk eshte ndjekur rigorozisht) atehere i bie qe 70-90% e softwareve duhet te ndryshohen nese ndryshohen protokollet e internetit. Sipas cilesise se softwareve shkalla e ndryshimit qe do ti duhet softwareve mund te varioje nga 10% -100%. Nese kemi parasysh qe tregu i sotem dhe ai i te ardhmes se afert per inxhniere softwari eshte/do te behet shume i kushtueshem kostot per ndryshimin e internetit jane kolosale (llogarisni si periudhe mesatare projekti per ndryshim softwari rreth 6 muaj).

    Thjesht dhe nje shembull te fundit per te treguar se sa e veshtire eshte ndryshimi i protokolleve baze te internetit. Ka rreth 5 vjet qe ekspertet cirren se po mbarojne adresat ip. Me sakte kjo ka te beje me ate qe protokollit ipv4 te internetit po i mbarohen adresat dhe ka te pakten 5 vjet qe po perpiqet te futet protokolli me i ri ipv6. ipv6 eshte akoma shume larg adoptimit masiv.

  8. Ka një problem të sigurisë në Internet. Në qoftë se tani vijnë e krijohen struktura të barasvlershme me gated communities, siguria në pjesën tjetër, të pagardhuar, do të degradojë vetvetiu.
    Përndryshe, komunitete të mbyllura në Internet ka sot e kësaj dite. Kushdo mund ta bëjë blogun me ftesa vetëm, dhe të englediset me të vetët ditë e natë. Çështja është kur kjo prirje thith burime teknologjike dhe financiare, duke ia marrë ose rrëmbyer Internetit “publik”.

    Po shkruaj dicka dhe per kete pavaresisht se kam shkruar me shume sec duhet ne kete teme.

    Bashkejetesa apo konkurenca eventuale e nje interneti te mbyllur e te sigurte me internetin aktual nuk duhet pare si nje proces statik ku te dy sistemet do te konkurojne per burime pa ndryshuar apo pa u ndikuar nga njeri tjetri. Perkundrazi konkurenca/bashkejetesa do te jete shume dinamike. Sipas shume gjasave te dy internetet do te pershtaten e huazojne nga njeri tjetri. Interneti aktual mund te huazoje mekanizma sigurie nga interneti i ri dhe interneti i ri mund te huazoje nga ai aktuali mekanizma per ruajtjen e anonimitetit dhe sferes private te perdoruesve te tij. Nje proces i ngjashem po ndodh aktualisht midis internetit e televizionit. Televizioni klasik po konkurohet gjithnje e me shume nga interneti dhe po pergjigjet ne dy vija te dukshme. Se pari me permiresime teknologjike qe e bejne televizionin me bashkeveprues. Pra televizioni po merr disa veti te internetit. Se dyti me integrimin e programeve televizive dhe ne internet.

    Nese me te vertete do te vije pika ku dominimi i internetit aktual (TCP/IP) do te vihet ne pikepyetje atehere ai sipas nje llogjike te thjeshte nuk do te vihet ne pikepyetje vetem me nje alternative por me shume alternativa. Pra nese vjen puna nuk do te kete vetem nje internet te ri por disa internete (me sakte shkalle protokollesh) qe do te sfidojne internetin aktual (TCP/IP). Alternativat mund ta kene fokusin tek paradigma e veti shume te ndryshme psh siguria, shpejtesia, hapja, anonimiteti etj. etj. Alternativat mund te vijne nga aktore qe perfaqesojne interesa nga me te ndryshmet, psh. nga universitetet, firmat e medha te softwarit, shtete te caktuara, etj.

    Duhet patur poashtu parasysh qe interneti aktual eshte media me e fuqishme ne shoqerite e informacionit (shih zgjedhjen e Obames). Aktivizimi i burimeve e i nje pjese te vogel te komuniteteve brenda internetit kunder alternativave “te sigurta” mund te coje ne mbytjen e tyre qe ne filiz.

    Se fundi duhet thene qe te gjitha mendimet e mesiperme jane vetem fiskulture teorike pasi zevendesimi i TCP/IP nuk eshte fare real per aresye ekonomike.

  9. I vetmi shans që të mbrohesh në Internetin e ditëve tona është të dish sa më mirë se çfarë po bën vërtet, kusht që mbi 90% e përdoruesve të Internetit nuk e plotësojnë (madje as që i afrohen). Një mekanik të mirë nuk e lë makina rrugës.
    Plus që këto probleme me privacy i kanë vetëm amerikanët. Kur të vjen një attachment nga një adresë e panjohur, mos e hap fare më mirë 🙂

  10. Edhe një koment tjetër:
    TCP/IP po zëvendësohet ngadalë nga IPv6, jo për arsye sigurie, por për cështje numrash (sot vetëm 4 mld kompjutera mund të lidhen direkt me Internetin).
    IP s’ka probleme sigurie në asnjë shkallë. Problemet vijnë nga implementimi i protokollit prej programit përkatës (Kevin Mitnick shfrytëzoi një pasaktësi në vlerësimin e paketave prej programit që i pranonte ato). Rasti i Kevin Mitnick nuk ndodh më, pasi programet janë përmirësuar shumë që nga ajo kohë.
    Autori i NYT besoj se ka në mendje mbrojtjen e fshehtësisë prej organizimeve si Facebook ose Google, që bëjnë mbledhje të dhënash personale në masë, gjë që përsëri nuk prek edhe aq pjesën tjetër të botës.

    Një Internet i ri do të ishte pa interes për jo-amerikanët, pa përmendur kostot që do të ngriheshin dhe për vetë ata prej ri-shkrimit të ç’do pjese software që lidhet me Internetin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin