FLETË-RRUFEJA

 

 

Në pranverë të vitit 196…, qytetarja Durije M., me profesion llogaritare në NSHRAK, afishoi një fletë-rrufe ku akuzonte floktoren lokale se i kishte kërkuar të paguante një çmim tepër të lartë për shërbimin e thjeshtë të larjes dhe të lyerjes së flokëve me bojë. E ngazëllyer nga fjalët e Diktatorit dhe nga fryma revolucionare e atyre ditëve, Durija e kishte përgatitur vetë fletë-rrufenë, duke shkruar me dorë, pa frikë dhe me shkronja të mëdha, mbi anën e pasme të një tabaku të madh kartoni që, më parë, kishte shërbyer si tabelë për t’u përkujtuar njerëzve që të mos pështynin përtokë.

E ekspozuar në këndin e posaçëm që ishte vënë në dispozicion nga autoritetet e lagjes për këtë qëllim, fletë-rrufeja u ndoq me kërshëri të madhe nga kalimtarët; ndoshta vërtet kishte ardhur koha që disa padrejtësi të ndreqeshin, një herë e përgjithmonë. Mirëpo ankimi i një qytetareje për shërbimin e ofruar nga floktorja tërhoqi vëmendjen edhe të një grupi të rinjsh që sapo ishin kthyer nga aksioni me punë vullnetare, për higjienizimin e nevojtoreve të fshatit N. E madhe ishte zemërata e tyre, kur krahasuan përkushtimin e tyre ndaj çështjes publike dhe interesit të përgjithshëm, me preokupimin meskin të një individi, i cili dukej se nuk shihte dot më larg se hunda e vet.

Autokritika e floktores dhe kundër-fletë-rrufeja e vullnetarëve të higjienizimit u afishuan të dyja së bashku njëkohësisht. Në autokritikën e tyre, punonjëset e floktores i pranonin defektet e rënda në strukturën e çmimeve, të cilat kishin të bënin me disa mbeturina të mendësisë mikroborgjeze me të cilat ende përlesheshin ditë e natë. Përkundrazi, kundër-fletë-rrufeja e të rinjve të gropave sanitare i drejtohej ashpër qytetares Durije M., për të vënë në dukje kontrastin flagrant midis botëkuptimit të saj meskin dhe entuziazmit të masave punonjëse, të cilave lufta për ndërtimin e socializmit nuk u linte kohë për të shkuar floktoreve dhe për të pretenduar që flokët t’ua lanin apo lyenin të tjerët.

Teksa Durija i gdhiu disa netë radhazi duke hartuar përgjigjen e vet autokritike ndaj kësaj kundër-fletë-rrufeje, në stendën e lagjes u shfaqën një numër fletë-rrufesh të tjera, nga qytetarë të thjeshtë, të cilët shprehën distancimin e tyre spontan nga zakonet e vjetra dhe të pahijshme të shërbimit të njeriut nga njeriu, si dhe nga vetë praktika e lyerjes së flokëve, që nuk ishte veçse shprehje e dëshirës mikroborgjeze për ta mbuluar thelbin me dukjen, në mënyrë të tillë që shfaqja të mashtronte. Gratë dhe motrat tona, thuhej në këto fletë-rrufe, nuk kanë asgjë të përbashkët me koketat e bulevardeve të Perëndimit, ku vlera e femrës matet veç me aftësinë e saj për të tregtuar hijeshitë e trupit.

Autokritika e thellë e Durije M. u afishua pikërisht kur një grup tjetër vullnetarësh të rinisë, kësaj here të sapokthyer nga aksioni për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier, kërkuan publikisht mbylljen e floktoreve në kryeqytet, duke arsyetuar se vatra të tilla të mykura vetëm sa kultivonin individualizmin dhe në vend që ta ndihmonin emancipimin e gruas, e devijonin atë në rrugën pa krye të ekzibicionizmit, duke e shndërruar gruan në skllave të tregut. Durije M., nga ana e saj, falënderonte të rinjtë vullnetarë që e kishin ndihmuar të kuptonte se problem i vërtetë nuk ishin çmimet e larta të shërbimeve të floktores, por varësia e sëmurë që ajo vetë kishte krijuar ndaj këtyre shërbimeve.

Pas këtij shkëmbimi të frytshëm, komiteti ekzekutiv i rrethit të Tiranës vendosi që floktoret e grave të ofronin vetëm shërbime esenciale të prerjes së flokëve me gërshërë, të domosdoshme sa kohë që leshrat e gjata të vajzave dhe të grave shqiptare nuk pajtoheshin më me rolin e ri të gruas si faktor aktiv në industri, në bujqësi, në ndërtim dhe në mbrojtjen e atdheut.

 

11 Komente

  1. Do të ishte mirë ta botoje tek “Obobo News”… megjithse për humorin e hollë që përdorin ata, do ta konsideronin shumë të cekët dhe të pavlefshëm për t’u botuar ky artikull

  2. A ka ndodhur vertet keshtu sic pershkruhet kjo ngjarje?

    Groteske dhe interesante njeheresh, sidomos per brezin tone, qe nuk e ka jetuar ate periudhe te fleterufeve (gabohem apo vertet kane pas qene vendosur dikur aty ku me vone ishin reklamat e kinemave?) .

    Te nise me nje ankim publik per cmimin e bojes se flokeve e te arrije puna deri ne qendrime sociopolitike te stilit te flokeve… hehe.

    Atij emisionit te Pandi Laços “Histori me zhurmues” do t’i shkonte shume ky detaji i fleterufeve me baze boje flokesh.

  3. Blend, disa nga këto histori që kam shkruar e kanë një bazë reale, disa janë produkt i fantazisë sime, disa të tjera produkt i fantazisë, por nuk përjashtohet që të kenë ndodhur vërtet. Kjo e fletë-rrufesë, gjithsesi, ka ndodhur vërtet (fatkeqësisht po, Edrus).

    Ka pasur disa stenda fletë-rrufesh. Ajo që kam unë në mend, ka qenë te Rruga e Kavajës afër Institutit të Folklorit.

  4. Maks, as që e vë në dyshim që kjo fletrrufe mund të ketë qënë reale, sepse fenomeni i fletrrufeve është një fenomen (kulturor kinez) që e kam përjetuar dhe që ka bërë t’i dridheshin leqet e këmbëve kujtdo në atë kohë… por unë e kisha me guarniturën e “aksioneve higjenizuese” që ndoshta të është dukur sikur karikaturizonte më tepër situatën e atëhershme, por kështu duke bërë, del se edhe fletrrufetë kanë qënë një karikaturë… por që fletrrufeja atëhere ishte një cen që të bashkëngjitej në biografi e që të nxinte jetën.

  5. Edrus dhe Blendi!

    Ato qe shkruan Maks Gjerazi jane shume pak . Mbase ne qytetet e medha opinioni ishte disi edhe disident e dacibaove u behej jehone deri ne nje fare pike por te shihje qytetet e vogla si psh. Cerrikun,Gramshin Q.Stalin etj keto dacibao ishin vertete shtypese saqe viktima e tyre mund te tentonte edhe vetevrasjen . Falemindarit Maksi qe po i risjell edhe njehere ato ndodhi sa groteske dhe eksentrike aq edhe te trishta e frustruese . Kjo per te mos harruar.

  6. Edrus, ka shumë gjëra të sajuara në rrëfenjat të MaGjes (ai nuk ka pretenduar se janë histori “të jetuara”), por në letërsi e vërteta ashtu përcillet, nëpërmjet trillimit (fiction). Pastaj, ndonjëherë për t’u ndarë me disa gjëra rivizitimi i kujtesës në formë shakaje ndihmon më shumë se gishti akuzues, ose ligjet e lustracionit.
    Në vitet 1966-1970 ka pasur ekipe të rinjsh që shkonin të higjienizonin zonat e thella fshatare, sidomos në mal. Këta shpesh u mësonin fshatarëve deri edhe si të përdornin nevojtoret dhe të lyenin muret me gëlqere dhe t’u prisnin thonjtë kalamajve.
    Bënin punë të mirë, edhe pse ndonjëherë i shkatërronin strukturat e vjetra (patriarkalizmin) pa i zëvendësuar dot me të reja. Prishnin fejesat e bëra që në djep e prisnin gërshetat e çikave por nuk ishin të ndërgjegjshëm se ashtu do t’i linin meshkujt e fshatrave pa martuar dhe do ta dënonin vetë fshatin me vdekje (shihe si është katandisur sot, nga pikëpamja demografike).
    Nejse, unë e kam fjalën për higjienizimin këtu. Kishte fshatra ku nuk dinin ç’ishte nevojtorja, kishte fshatra të tjera ku njerëzit flinin të rrethuar me bajga lope. Kishte fshatra ku njerëzit hanin me duar, ku nuk dinin ç’ishte pjata as gjella, ku fëmijët shkriheshin e treteshin nga disenteria dhe sëmundje të tjera. Kishte fshatra që ujin shkonin e mbushnin me bidona në anën tjetër të malit e s’iu dilte as për të pirë jo për t’u larë. Kishte fshatra ku lepra “trashëgohej” si sëmundje duke u përcjellë nga prindi te fëmija, nëpërmjet kontaktit të ngushtë e të zgjatur. Kishte fshatra ku gratë i zhysnin xhubletat në vaj, që të mos i lanin më kurrë pastaj.
    Dhimitër Shuteriqi ka shkruar njëherë një tregim për një fshat ku burrë e grua kishin vetëm një palë rroba, prandaj kur dilte burri në qytet, gruaja rrinte mbyllur në shtëpi cullak. Tani edhe ai tregim ka qenë, por të jep një ide për prapambetjen. Sidomos malësia e Veriut ka pasur një prapambetje të paimagjinueshme, pavarësisht nga rapsodët dhe lahutat.
    Tani, ka një paralele midis higjienizimit sanitar, që kryenin këto grupe në zonat e thella, dhe higjienizimit ideologjik të shoqërisë, nëpërmjet fletë-rrufeve, apo jo? I pari bëri edhe gjëra të mira, i dyti i korruptoi njerëzit – ca i trembi, ca të tjerëve u mësoi si të bënin karrierë. Por ideja e pastrimit ishte e përbashkët për të dy fushatat, apo jo?

  7. Xha Xha, e keqja ime kur flas dhe komentoj është se i konsideroj si të njohura dhe të ditura edhe nga të tjerët argumentet për të cilat diskutohet (dhe ka shumë që ma vënë në dukje përdorimin e tepërt të trepikshit…). Nuk e bëj për mëndjemadhësi, por thjesht sepse respektoj të tjerët duke i vënë në një nivel më të lartë njohurish e dijesh se vehtja ime.
    Për t’ju kthyer artikullit: shikoni p.sh komentin e Blendit, sot nuk i bën përshtypje që e ndalojnë për kontroll çdo 5 mt në aeroport, por i duket paradoksale diçka që ka ndodhur NË ATO VITE e që po i “përjeton” nëpërmjet shkrimit.
    Ndoshta mbas 20-30 vjetësh, dikush tjetër do të shkruajë për absurditetin e kontrolleve në aeroporte sot… dhe do dalë ndonjë “Blend” që të çuditet sërish…
    Pra, nëse duhet folur, duhet folur duke llogaritur edhe mentalitetin mbizotërues në kontekstin kohor.

    Përse të mos merrej si shëmbull aksioni i atyre të rinjve për higjenizimet (dhe kulturën e higjenizimit) që i bëri NJERËZ shumë fshatarë që flinin akoma me lopën në një dhomë për të bërë që të rinj të tjerë (dhe ka shoqata e organizma joqeveritare sa të doni, që marrin fonde për këto punë) të mos dalin dhe të bëjnë një fushatë për sensibilizimin e qytetarëve ndaj keqpërdorimit prej mosdijes të automjeteve (p.sh) dhe krijimit të kaosit në trafik.

    Akoma sot, ‘la pubblicità progresso’ përdoret prej qeverive… nuk e di nëse e bëjnë se ju vjen keq për njerëzit apo se me një të rënë të lapsit e shikojnë që është më mirë të paguhet për t’i sensibilizuar njerëzit se sa të paguajnë shpenzimet e spitaleve për të kuruar ata që mbërrijnë në to nga kryerja e veprimeve prej injorancës.
    Po ashtu, edhe ato “aksionet” e atëhershëm (që mund të ishin ideollogjikë, edukues ose thjesht të nisur nga faktori ekonomik që shteti llogariste të kursente) mund të merren si të doni, por jo që të banalizohen, duke e ditur që në ATË kohë akoma kishte njerëz që hale/guzhinë e stallë i kishin të gjitha pranë vatrës.

    P.s: Xhaxha, njerëzit pretendojnë të rrisin sigurinë e tyre të udhëtimit në makina, duke pretenduar dispozitivë sigurie gjithnjë e më të avancuar prej prodhuesve të automjeteve… dhe sot shikon makina me rripa sigurie, 7 AirBag (frontali e laterali), ABS e antislitamento…. e kjo përse? Për t’ju dhënë sigurinë hajvanëve, që edhe nëse duan të bëjnë çmëndurira me makinën, të paktën të dalin gjallë nga hekurat.
    Pyetja ime: Nëse në vënd të rripit të sigurimit, përpara qafës së shoferit të vihej tehu i një shpate, kujtoni se do të kishte më idjotë që do të kërkonin të ecnin shpejt dhe të mos respektonin distancën e sigurisë???
    Mund të diskutojmë sa të duam për metodat, por përsa i përket efikasitetit, shikohet që njëra prej tyre do të ishte shumë më frytdhënëse.
    Prej këtu edhe përgjigjem pyetjes tuaj finale: PO, ishte pastrim; megjithse me fletrrufetë u abuzua (siç përmëndej edhe më lart) deri dhe për qëllime meskine apo inatesh personale, gjë që bëri të humbisnin vlerën (por jo tmerrin prej tyre) deri sa u bënë për barcaleta.

  8. Shiko Blend të të tregoj një histori nga fëmijëria ime, që normalisht sot do dukej “çudi”.

    Ishim mbledh njëherë ne fëmijët e pallatit e kishim vendos të pastronim gjithë pallatin përpara nga mbeturinat, madje filluam të fshinim e lanim shkallët që nga kreu deri në katet e para. Formuam një si skuadër, e vendosëm një si “komandant” 😛 që kishte të drejtë të bënte ca si “gjyqe” për të gjithë pjesëtarët e grupit që shkelnin rregullat e shoqërisë.

    Kur erdhi demokracia, para pallatit shpërthenin përvit ujërat e zeza, tubi nga kalonte uji i pishëm u çpua në një vend edhe të gjithë anët e pallatit u shtuan me “shtesa” që do të thoshte të paktën dy dhoma më shumë për çdo hyrje…

  9. Kjo teme, tregon paaftesine e sistemeve te ndryshme shqiptare per te gjetur metoden me te mire te mundshme per tu rritur!

  10. O J. pse e con aq larg. Ne Vlore eshte nje amerikan ndoshta rreth te 60-ve qe cohet cdo mengjes ne ora 6 dhe fillon e mbledh plehrat rreth pallatit ku ai banon.
    nja dy here i jam bashkuar dhe une,ngaqe jam cuar ne ate ore dhe meqe kam pak muahebet me te, te tjeret kalojne indiferente ose shikojne nga ballkonet dhe dritaret sikur ky te ishte UFO.

    Jam dakort me Edrusin qe prurje te tilla, sado paradoksale te duken sot, nuk i bejne mire shoqerise sone te dobet.

    Shume perfshi dhe Kadarene u indinjuan dhe vollen vrer nga filmi L’America e Xhani Amelios kur ne fakt ai ishte nje film solidarizimi me shqiptaret, ishte nje fjale e ngrohte qe ne mos te demoralizoheshim.

  11. Une ne fakt nuk mbaj mend ndonje tekst te mirefillte te flete-rrufeve.
    Me kujtohet vetem mesuesja e klases se trete qe per cdo gabim ,pyeste :”Ku e ka qendren e punes mami dhe babi?”.
    Me ngjan si nje pale pantallona xhinse te kombinatit”Stalin” te varura tek dritarja e ndonjeres prej zyrave te komitetit qendror.Femijet e tyre i kishin si buke e djathe,kurse ndonjeri nga ne do kete kaluar femijerine ne Spac,duke kalitur veshtrimin pertej hekuarve te qelise.

    Po vertete jam kurioze te di se si kane qene tekstet e flete-rrufeve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin