GOJËT ME BALTË

 

Pati shumë reagime në mediat shqipe, për mënyrën si iu drejtua lideri i partisë në pushtet kundërshtarit të vet gjatë një fjalimi në Shkodër javën që shkoi. Komentuesve u tërhoqi vëmendjen banaliteti i fjalëve të përdorura, por edhe vulgariteti i njerëzve që qeshën dhe duartrokitën, së bashku me dy fëmijët ornamentalë në tribunë, që ngritën gishtat në formë V-je, sikur ua tërhoqën duart nga lart me fije.

Natyrisht nuk është hera e parë që kjo lloj gjuhe kuajsh përdoret me publikun shqiptar, madje edhe për të fituar kapital politik duke kërkuar dhe gjetur një emërues të përbashkët në nivelin fekal ose gjenital të ligjërimit; ose pikërisht atje ku vrazhdësia martohet me retorikën prej nevojtoreje publike.

Ne që habitemi dhe shqetësohemi me çfarë na lexojnë sytë në forumet shqiptare të Internetit ose në komentet e pamoderuara të gazetave shqiptare online, nuk duhet të habitemi, as të shqetësohemi, kur shohim pastaj politikanin që përpiqet të sintonizohet me këto tonalitete, t’i bëjë të vetat, dhe të dalë si zëdhënës i vulgares përballë masës së qytetarëve tashmë të shndërruar në turmë.

Nga ana tjetër, nuk është për t’u harruar edhe që politikani, kur del t’i flasë publikut, huazon gjithmonë diçka prej aktorit në skenën e teatrit, sepse luan atë rol që ai mendon se publiku pret dhe dëshiron prej tij, madje edhe kur vetëm përpiqet t’i qëndrojë besnik misionit që i ka vënë vetes.

Prandaj edhe gjuha që parapëlqen politikani për të komunikuar, ose teksti që zgjedh për të recituar në publik mbrehet në shërbim të këtij roli, aq sa ta përkufizojë vetë marrëdhënien e folësit me ata që e dëgjojnë dhe, sipas kuvendit, e duartrokasin ose e fishkëllejnë.

Fjalët e qëmtuara, sintaksa e fjalisë, format dhe tonet dialektore të vetvetishme ose të studiuara; zëri i lartë ose i ulët, melodioz ose i çjerrë; gjestet shoqëruese dhe grimasat e fytyrës – të gjitha këto janë pjesë e pandarë e mesazhit të kumtuar, pavarësisht nga dëshirat dhe pritjet e të pranishmëve, të cilët ndonjëherë realizohen si publik pikërisht gjatë komunikimit me liderin.

Prandaj kur lideri i një force politike madhore u flet të vetëve me metafora prej xhambazësh të kuajve, nuk duhet të gabohemi e të kujtojmë se ky është niveli i liderëve që kemi; përkundrazi. Nëse ka vend për t’u shqetësuar, këtë na duhet ta bëjmë për çka është quajtur ndonjëherë padronizim i publikut nga oratori, ose supozimin e heshtur se atij publiku vetëm me atë gjuhë mund t’i flitet. Ligjërimi funksionon kështu si pasqyrë jo e ligjëruesit por e atyre të cilëve u drejtohet.

Edhe fiksimi obsesiv i këtij lloj diskursi me rrafshin gjenital të përfytyrimit dhe me interpretimin e sjelljes njerëzore si sublimim aktesh seksuale, më shumë tregon se ai lloj komunikimi politik nuk mund të kryhet veçse me ndërmjetësimin e një psikologjie ose emëruesi të përbashkët, midis folësit dhe publikut, të themeluar mbi metaforikën vulgare.

Shpesh ndesh në ankimin se politikanët, ose ligjëruesit publikë në përgjithësi, po i shkelin deri edhe normat elementare të komunikimit; sikurse ndesh edhe në shpjegimin se vetë shkelja e normave, kur bëhet në bashkëfajësi me tjetrin, e ndihmon komunikimin duke ia rritur kohezionin grupit nëpërmjet një procesi familjarizimi.

Bashkëfajësia vërtet funksionon si faktor i rëndësishëm i komunionit midis politikanëve dhe publikut të tyre, sidomos në ato rrethana sociale kur është praktikisht e pamundur t’i dallosh kufijtë midis publikut dhe turmës; ose në kontekstet e komunikimit publik të sunduara nga populizmi.

Politikani që flet me gjuhën e xhambazit nuk u drejtohet xhambazëve, por të gjithë atyre që kanë rënë dakord se, mes tyre, u lejohet ta përdorin gjuhën e xhambazit; udhëheqësi që përpiqet t’i afrohet “popullit” e të poshtërojë kundërshtarët nëpërmjet metaforikës gjenitale ose fekale, në thelb është duke u shkelur syrin atyre që ka përpara, ose duke thurur fijet e një komploti komunikativ përtej rregullave të dialogut dhe të ligjërimit publik qytetar.

Ky është edhe politikani që e josh publikun e vet jo nëpërmjet vizionit frymëzues, por vetëm duke ia rikujtuar se edhe mjerimi etik mund të shërbejë si pikënisje për të themeluar veprimin politik, veçanërisht për të sfiduar, nga poshtë, të gjithë ata që ende refuzojnë të heqin dorë nga fisnikëria e misionit ose besimi se e mira mund të realizohet edhe nëpërmjet politikës.

Karta populiste në Shqipëri luhet sepse është e vetmja kartë politike që u ka mbetur në dorë disave; çka provon edhe se shumë ujëra kryesisht të zeza kanë rrjedhur nën urë, që nga epoka e artikujve dhe pardesyve intelektuale të vitit 1990.

Shënim: ky është një version pak më i gjatë i një shkrimi të botuar dje në “Shekulli”.

5 Komente

    1. Xixë, fjala më kishte kaluar pa u ndier, por tani nuk po gjej dot një fjalë shqipe që t’i përgjigjet tamam konceptit – “bashkim nëpërmjet kungimit”. As fjalori italisht-shqip i Leka-Simoni-t, të cilin e përdor shpesh për fjalë të tilla, nuk më ndihmoi në këtë rast; sepse aty gjej vetëm “kungim”. Gjithsesi, unë ndikohem nga gjuhësia kur e përdor termin. Disa autorë, kur përshkruajnë funksionet e gjuhës (langage), përmendin një “phatic communion”, sipas një koncepti të antropologut Malinowski, të përkufizuar zakonisht kështu: “përdorim joreferencial i gjuhës për të përcjellë ndjenja ose për të vendosur një frymë shoqërueshmërie, jo për të komunikuar informacion ose ide; formula të ritualizuara që e mbajnë të hapur komunikimin dhe tërheqin vëmendjen e dëgjuesit.”

  1. «Natyrisht nuk është hera e parë që kjo lloj gjuhe kuajsh…»

    Xhaxha, nuk e kuptoj përse i krahasoni kuajt (që janë kafshë shumë të bukura dhe fisnike, shumë të pastra) me kryetarin e qeverisë… Përse bëni një krahasim të tillë të pavend!
    Natyrisht, banaliteti ligjërimor, këtu tek ne është më shumë një rregull sesa një përjashtim. Për sa i përket aktorëve, ata kanë shumë për të mësuar nga politikani në fjalë: Po ajo shprehje patetike prej idioti të vetëkënaqur, po ato turra ligjërimore plot pasion, të ndrydhura në rini kanë dalë sheshit si pusetat që plasin verës. Kjo është natyra njerëzore, në anën e saj më të ulët, e kam fjalën në nivel historik. Mes publikut dhe folësit në fjalë me kohë janë vendosur mekanizmat e dashuri/urrejtjes, që me kalimin e kohës… kam frikë… do shndërrohen në mekanizmat e urrejtje/urrejtjes. Kanë thënë se jeta imiton artin. Në rastin në fjalë, jeta po imiton Kitsch-in. “Unë ju siguroj ju” ka për t’u prishur edhe për shumë vite gjumin shqiptarëve….

  2. Unë jam në një dilemë këtu… rënia e nivelit të diskutimit në publik, shkon nga lart-poshtë, apo nga poshtë-lart? (mgjse pohoj parimisht marrëdhënien e ndërsjelltë)

    Dmth burimi janë vetë politikanët, apo publiku dhe mbështetësit? Në rastin e Berishës, duke rrezikuar të shprehem politikisht, kam përshtypjen se është e dyta. Dmth vetë Berisha është burim i këtij lloji komunikimi që reflektohet më pas te militantë-mbështetësit e vet. Ndoshta është mendim tepër i personalizuar, po me veprimet që bën kryeministri gjithnjë e kam parë si hedhës në erë i etikës komunikuese, por edhe shkelës i parimeve institucionale. Nëse i besojmë dhe shprehjes “nëse gjenerali vjedh një vile rrush, ushtria shkatërron gjithë vreshtin”, tabloja bëhet më e plotë.

    Kjo praktikë e të shprehurit në mënyrë të tillë, do duhet të ketë oponencë më të fortë sesa një analizim psikologjik i gjendjes.

    Bie rasti ndonjëherë të krahasoj shprehjet e politikës greke me atë shqiptare… politika greke si më e pjekur ka një bazament komunikimi shumë herë më të shëndoshë se ajo shqiptare, dhe më vjen jashtë mase keq për këtë gjë. Politikanët grekë i ruajnë vetes statusin e fituar përmes zgjedhjes dhe mbështetjes që kanë, asnjëherë nuk do shpreheshin në këtë mënyrë.
    Bie në sy gjithashtu përdorimi i një fjalori politiko-terminologjik i cili mungon tek ne, sepse siç shprehet Xha xhai, populizmi nuk lë vend për asgjë tjetër.

    Vërtet, ku humbën ato shprehjet e fillim-viteve 90′ si pluralizëm, demokraci, fjalë e lirë, ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa etj? Normalisht do duhet të ishin zëvendësuar me terma të tjerë të zhvillimit ekonomik dhe kulturor, të denja për elita përfaqësuese të klasave dhe idealeve por jo nallbanëve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin