HISTORI PER T’U LEXUAR (I)

Dikur në fillim të viteve 1970, Ismail Kadareja botoi romanin Dimri i vetmisë së madhe, ku Shqipëria dhe bashkëkohësia e saj pikturoheshin me një paletë të paparë ngjyrash, tonesh dhe dritëhijesh. Aq u tronditën masat tona punonjëse nga ky roman, sa nuk mbeti tornitor e mjelëse e dalluar, në mbarë vendin, pa i shkruar letër “të madhit” e pa u ngritur në mbledhje, për të kërkuar ndalimin e veprës dhe dënimin e autorit, që kishte guxuar të hidhte baltë mbi realitetin socialist.  

U desh atëherë ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Enver Hoxhës vetë, ose e njërit prej personazheve kryesore të atij romani, për ta shpëtuar autorin Ismail Kadare nga linçimi. Saldatorët, traktoristët pararojë, prashitësit dhe vjelëset e pambukut do të na kishin lënë pa Urën me tri harqe, Vitin e mbrapshtë, Pashallëqet e mëdha, Kush e solli Doruntinën, Pallatin e ëndrrave, Muzgun e perëndive të stepës dhe Prillin e thyer; sikurse do t’i kishin privuar kombëtaristët e sotëm nga njëra prej ikonave të tyre më të shtrenjta.

Ironia e romanit Dimri i vetmisë së madhe (të njohur më pas me emrin e penduar Dimri i madh) ishte se përshkruante, ndër të tjera, ngjarjet e mbledhjes famëkeqe të 81 partive në Moskë, ku një disident i vetëm, Enver Hoxha sfidues dhe kryeneç, u vu përpara prej gjuhënepërkave të lëvizjes komuniste botërore, duke iu nënshtruar një histerie kolektive psikologjikisht të barasvlershme me linçimin ose djegien në turrën e druve. Më profetik se kurrë më parë, Ismail Kadareja kishte përshkruar në roman çka do t’i ndodhte atij vetë me trushplarët në Shqipëri, pasi t’i botohej vepra.

Nuk mund të mos më kujtohen këto dy momente lavdiplotë të fenomenologjisë së turmave, tani që shoh e dëgjoj si shumë burra kombëtarë, nga baza deri lart fare në majë, janë ngritur “në mbrojtje” të figurës së Skënderbeut, duke kundërshtuar sfiduesin e radhës – historianin zviceran Oliver Jens Schmitt, i cili ka guxuar të hartojë një monografi kushtuar heroit tonë, duke i rënë ndesh pritjeve të publikut, ose kurrikulumit të shkollës publike shqiptare pas vitit 1920.

Sikurse çdo histeri tjetër, edhe kjo ka notat e veta komike; njëlloj si në mbledhjen e atëhershme të Moskës, të filtruar nëpërmjet penës së shkrimtarit, faji për prishjen e madhe i lihej pjesërisht përkthyesit – Besnik Strugës, i cili në një moment kritik të negociatave ndërpartiake, kishte përkthyer diçka gabim, duke përdorur sllavishten e vjetër kishtare; edhe tani, përkthyesi Ardian Klosi është vënë në shënjestër, si kallauzi dijekeq i Schmitt-it. E vetmja gjë që po i mungon këtij ekzorcizmi, është djegia publike e librit, mundësisht nën tingujt e këngës korale “Për mëmëdhenë”, ose së paku të kolonës zanore të filmit shqiptaro-sovjetik “Skënderbeu”.

Çfarë ka ndodhur pikërisht? Oliver Jens Schmitt ka shkruar një studim për Skënderbeun, i cili po përflitet tani sikur të ishte sulm ndaj “kryevlerës kombëtare”; edhe pse kritikat negative që kam lexuar deri më sot, me pak përjashtime, vijnë nga njerëz të cilët monografinë e Schmitt-it nuk e kanë lexuar (madje disa tash e tutje as do të denjojnë të prekin me dorë një dokument të tillë kaq armiqësor). Libri është mbështjellë sakaq me një tutkall të trashë opinionesh, i cili e fsheh kumtin e vetë veprës, për të çuar përpara programe ideologjike dhe anti-pluraliste që me historinë e Skënderbeut nuk kanë shumë të bëjnë.

Thuhet me bombastikë të madhe se Skënderbeun nuk do të lejojmë të na e prekë kush, as t’i hedhë kush baltë. Po kush po e prek, e kush po i hedh baltë Skënderbeut? Ç’do të thotë, ekzaktësisht, t’i hedhësh baltë një heroi? Nëse një version i historisë zbulohet se ka qenë i gabuar, a është “baltë” përpjekja për të vënë rregull e për të ndarë shapin nga sheqeri? A është “baltë” të vësh në dukje, bie fjala, se muzetë kushtuar Skënderbeut në Krujë e në Lezhë janë, në thelb, produkte të kultit të këtij heroi të pompuar në Shqipëri pas vitit 1968, në kuadrin e glorifikimit të izolimit shqiptar, autarkisë dhe paranojës së Enver Hoxhës?

A mund ta mohojë kush se muzeu i Krujës nuk është veçse një vepër arti e Realizmit Socialist ose lapidar jashtëzakonisht kompleks, që i ngjan për nga koncepti kabineteve të historisë në shkollat e mesme shqiptare të Shqipërisë, por nuk mund të quhet muze, sa kohë që nuk përmban asgjë muzeale aty brenda, por vetëm përfush imazhe, ikona dhe idhuj të modeluar sipas konceptit dhe mitit kombëtarist për Skënderbeun? Nëse historia e Skënderbeut, ashtu siç na është mësuar në shkolla, mbështetet mbi interpretime dhe hipoteza të ndryshme, për shkak se dokumentimi i drejtpërdrejtë mungon, atëherë si mund të quhet “baltë” kur dikush guxon t’i japë kësaj historie interpretime të tjera? Të gjitha këto pyetje kërkojnë përgjigje me mendje të ftohtë, larg pasioneve populiste dhe orvatjeve për të manipuluar turmën.

Libri i Schmitt-it, të cilin unë ndryshe nga shumë të tjerë e kam lexuar, mbështetet gjerësisht në burime arkivore shumë të pasura dhe në vepra studiuesish të mëparshëm të periudhës së Skënderbeut, shqiptarë dhe të huaj. Ky studim serioz dhe i hapët, nga një autor që e njeh bukur mirë fushën e vet, nuk mund të hidhet poshtë me diatriba politikisht shpërthyese në mediat; por vetëm meriton të lexohet me vëmendje dhe, nëse është rasti, të vlerësohet në mënyrë kritike prej historianëve, të cilët fatmirësisht i kemi. Në vetvete, tezat e Schmitt-it, edhe kur bien ndesh me dijen konvencionale ose me teza të historianëve të tjerë të marra deri më sot si të mirëqena, nuk kanë për synim të rrënojnë mitin kombëtar të Skënderbeut, por veç të bëhen pjesë e një dialogu akademik rreth një teme me rëndësi qendrore për historiografinë shqiptare dhe ballkanike.

Një nga çështjet më kritike të historianit të Skënderbeut janë burimet – ku do të mbështetet? Disa vepra, si Historia e Barletit, Kronika e Muzakës ose një histori tjetër e Dhimitër Frangut nuk i vë kush në dyshim; sikurse nuk e mohon kush rëndësinë e jashtëzakonshme të dokumenteve nga arkivat e shteteve me të cilat jepte e merrte Skënderbeu: Napolit, Venedikut, Raguzës, Vatikanit. Pas këtyre, rëndësi kanë edhe kronikat e historianëve bizantinë dhe osmanë, ose arkivat e oborreve fisnike të shteteve dhe principatave europiane më të largëta, që megjithatë patën marrëdhënie me Skënderbeun. Për fat të keq, arkivat më të rëndësishme, si ato të Napolit, Venedikut dhe Vatikanit janë dëmtuar rëndë nga zjarre e plaçkitje të mëvonshme, dhe pjesa më e madhe e dokumenteve që mund të ketë pasur atje për Skënderbeun kanë humbur.

Njëlloj kanë humbur, pa lënë gjurmë, të gjitha arkivat që mund të ketë pasur në trojet shqiptare ku vepronte Skënderbeu: në Krujë, në Shkodër, në Lezhë, në Berat, në Drisht, në Danjë dhe gjetiu; prandaj historianët janë gjithnjë të detyruar ta rindërtojnë historinë e Skënderbeut së jashtmi, duke u mbështetur në marrëdhëniet e tij me fuqitë e tjera.

Nga ana tjetër, kultura shqiptare e sotme Skënderbeun e njeh kryesisht nëpërmjet historisë së Nolit (dy historive të botuara prej tij) dhe versionit zyrtar të Akademisë së Shkencave, të përpunuar kryesisht nga Aleks Buda; sepse kjo histori u mësohet të gjithë shqiptarëve në shkollat. Edhe po të hiqen që andej retorika kombëtariste dhe përpjekjet e vetëkuptueshme për ta pikturuar Skënderbeun si pararendës ideal të Enver Hoxhës dhe si heroin themelues të kombit dhe të shtetit shqiptar, përsëri mbetet një problem themelor i cili ka të bëjë drejtpërdrejt me burimet që ka shfrytëzuar Noli në historinë e vet.

Dihet se Noli, që është edhe zanafilla e këtij “kulti” të Skënderbeut si themelues i kombit dhe i shtetit shqiptar, u mbështet edhe te Barleti, edhe te vepra e një historiani të njohur si anonimi tivaras (antivarino), shkruar në vitin 1480 dhe botuar nga historiani italian Biemmi, në vitin 1742. Për fat të keq, historinë e botuar nga Biemmi disa filologë të mëdhenj europianë e kanë gjetur të falsifikuar, për arsye që nuk mund t’i parashtroj këtu, me përjashtim të faktit të njohur që Biemmi njihet si falsifikator edhe veprash të tjera. Noli, përkundrazi, e mbante veprën e Biemmi-t si autentike; dhe ashtu u është dashur të veprojnë edhe disa historianëve shqiptarë, mes të cilëve edhe Aleks Buda, të vetëdijshëm se po të pranonin që vepra e anonimit tivaras ishte një sajesë e një italiani të shek. XVIII, do të duhej të rishikonin jo vetëm historinë e Nolit, por edhe krejt versionin zyrtar të historisë që mësohej në shkollat shqipe.

Natyrisht, çështja Biemmi nuk ka të bëjë me përdorimin që i është bërë figurës së Skënderbeut nga regjimi totalitar në Shqipëri, as nga përdorimi që i bëhet prej një takëmi kombëtaristësh sot; sepse në krahasim me historinë e Barletti-t, ajo e Biemmi-t është më e përmbajtur, më pak panegjirike dhe më me këmbë në tokë. Problemi është si duhet vepruar me gjithë ato ngjarje, personazhe dhe interpretime të cilat tashmë janë pjesë e skënderbejadës shqiptare në bazë të përmendjes së tyre nga tivarasi i Biemmi-t, por që duheshin rivlerësuar, po të pranohej se vepra e Biemmi-t ka qenë e sajuar. Që këtej, alarmi i tanishëm për “prekjen” e figurës së Skënderbeut mund të ketë lidhje me bindjen e patundur të Schmitt-it se vepra e Biemmi-t nuk e ka vendin në burimet për historinë e Skënderbeut.

[vijon]

10 Komente

    1. Asnjan’s, ky është versioni i plotë – në “Shekulli” doli një version më i shkurtër (e kam sqaruar edhe në fund të pjesës së dytë këtu).

  1. Biemmi falsifikon..edhe vepra te tjera.Biemmi mund te kete falsifikuar njeqind vepra,a ka prova se ate te Skenderbeut e ka falsifikuar??Nese eshte keshtu edhe Noli nuk eshte i vertete edhe Buda.Nuk me bind shume kjo qe thoni per Biemmi-n.Ka lagona ne logjike.

    1. Luiza, libri i botuar prej Biemmi-t u deklarua si falsifikim nga Kurt Ohly dhe Franz Babinger [K. Ohly, Eine gefälschte Radolt-Inkunabel. Gutenberg-Jahrbuch, 1933, 53-61; Franz Babinger, Ende der Arianiten, München 1963.] Sipas Schmitt-it, i vetmi historian shqiptar që e ka pranuar këtë është Kasem Biçoku. Përkundrazi, në një artikull në Shejzat 12/1-3 1968, një G. Ghetti shkruan se, “sipas Aleks Budës, sikur të hiqej dorë nga Biemmi shoqëria shqiptare do të duhej të hiqte dorë nga elemente shumë familjare të historisë së Skënderbeut, për çka nuk ekziston gatishmëria deri më sot.”

      P.S. Tani që po kontrolloja biografinë e historianit Franz Babinger, lexoj në Wikipedia se ky qenka mbytur aksidentalisht në Shqipëri, në 23 qershor të vitit 1967 (kur ishte 76 vjeç); vetëm një vit para kremtimit madhor të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

    2. Ja edhe ca sqarime të tjera për librin e Biemmi-t.
      Giammaria Biemmi ishte një prift nga Brescia, i cili pretendoi se kishte zbuluar një librave të rrallë latinisht (inkunabël), të shkruar nga një autor i panjohur nga Tivari, me titullin Historia Scanderbegi edita per quendam Albanensem, dhe të printuar nga Erhard Ratdolt në Venedik, në 2 prill 1480; të cilin dorëshkrim e paskësh përdorur si bazë për librin e vet, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, botuar në Brescia në 1742. Sipas Kurt Ohly-t, studiuesi i librave të botuara nga Erhard Ratdolt në Venedik, G. R. Redgrave, nuk e përmendte inkunablin e tivarasit mes botimeve të Ratdolt-it. Me fjalë të tjera, librin e anonimit tivaras nuk e ka parë askush, përveç Biemmi-t vetë. Biemmi kishte falsifikuar edhe dy kronika të qytetit të Brescia-s, dhe po punonte për një falsifikim të tretë të këtyre kronikave, kur vdiq në vitin 1778.

  2. Isha gati t’i përgjigjesha Luizës por shikoj se XhaXhai u përgjigj më përpara. Dua veçse të shtoj se për debatin mbi vërtetësinë e veprës së Biemmit mund të lexohet nga K. Frashëri, Skënderbeu, jeta dhe vepra, Toena, Tiranë, 2002, f. 12-16 ku përmbledh edhe argumentat që janë sjellë nga K. Ohly dhe F. Babinger.

    Ajo që më bën përshtypje është se në këtë libër K.F. shkruan për Aleks Budën (gjë që bie ndesh me dëshminë e Ghetti-t) se: Aleks Buda, i cili është marrë për një kohë të gjatë me historinë e Skënderbeut dhe e ka zhvilluar veprimtarinë e tij shkencore në Shqipëri, e ka shprehur më tepër se një herë qëndrimin e tij ndaj Barletit dhe Biemmi-t. Në recensionin që i kushtoi disertacionit të Fan Nolit, ai e mbështeti pa rezerva vlerën e veprës së Barletit si burim historik dhe në të njëjtën kohë u bashkua me akuzën e Babinger-it dhe Ohly-t ndaj Biemmi-t si historian falsifikator (A. Buda, Fytyra e Skënderbeut në dritën e të dhënave të reja, në ”Buletin i Institutit të shkencave”. Tiranë, nr. 3-4, 1951). Ai shkruan se ashtu si Gegaj edhe Noli, në trajtesat e tyre me vlerë, kanë rënë viktimë e falsifikatorit të rafinuar italian, duke pranuar Anonimin Tivaras si një dëshmi autentike njëkohësisht më të hershme për historinë e Heroit.

    Nënvizimet janë të miat.

    P.S. XhaXha, Babinger-i ka dhënë shpirt në duart e Budës me të cilin kanë qënë shokë.

  3. Një nga çështjet më kritike të historianit të Skënderbeut janë burimet – ku do të mbështetet? Disa vepra, si Historia e Barletit, Kronika e Muzakës ose një histori tjetër e Dhimitër Frangut nuk i vë kush në dyshim

    Kete te Dhimiter Frangut une e ve ne dyshim qe cke me te sepse, pa i bere syri terr, shkruante qe Skenderi me nje levizje te shpates kishte ndare ne dysh nje buall te bardhe qe terrorizonte nje zone te Krujes.

    1. Qafir, kur them “s’i vë kush në dyshim” kam parasysh që janë vepra autentike, jo falsifikime të mëvonshme; po sa për rrëfenjat që sjellin… edhe Barleti nuk mbetet prapa.

  4. E keqja e shqipètarève èshtè se ato akoma e mendojnè heroin si njè gjigant qe e çan rroten e historisè me shpatè nè dorè. Prandaj edhe Shqipèria nuk ka ndryshuar akoma shumè thellèsisht , sepse njerèzit nuk kanè ndryshuar shumè thellèsisht. Duhet tè dimè qè nè ditèt e sotme ka njè koncept pak ndryshe mbi heroin; ”Njè njeri i zakonshèm qè e jeton pèrditshmèrinè e tij me ndershmèri , devotshmèri , pèrkushtim, pasion , mèshirè e dhemshuri .” Ky èshtè heroi modern.Sikur tè kuptohej kèshtu heroi , edhe shumè gjèra tè tjra do tè pèrmirèsoheshin shumè mè shpejt.

  5. Xha Xha, une nuk e kam lexuar Schmitt; por mendoj se megjithate eshte ende heret per ne te veme ne diskutim keta elemente familiare te historise se Skenderbeut. Mendoj se jemi akoma vulnerabile, te komplesuar e shume emotive per te patur mendjen e ftohte. Mendoj se nuk jemi ne gjendje te pranojme se sido qe te jete ne jemi ne me historine tone sado qe ndonje diskutim mund te vere ne dyshim apo te lekunde sado pak centralitetin e figures se Skenderbeut ne historine tone. Ju falenderoj per pergjigjen.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin