VIGJILENCE

 

Kur pacientja Hrisulla L. i kërkoi dentistit Rrok F. që t’i përgatiste këllëf floriri për dy dhëmballë, Rrok F. i kërkoi që t’ia sillte vetë arin, meqë klinika dentare ofronte vetëm këllëfë tradicionalë prej argjendi. Hrisulla L. i tha se kishte në shtëpi një monedhë të vjetër që dukej si prej floriri; të cilën edhe ia solli dentistit vizitën e ardhshme, duke iu lutur që të merrte prej andej aq ar sa ç’duhej për dhëmbin, dhe pjesën e mbetur t’ia kthente.

Në ato kohë kush kishte monedha floriri duhej t’i dorëzonte në Bankën e Shtetit, por përdorimi i tyre për sende të vogla të nevojshme, si unaza martese ose dhëmbë floriri tolerohej.  Rrok F., djali i vetëm i numismatikut të madh shkodran Ludovik F., e vuri re menjëherë që pacientja e vet sapo i kishte dhënë në dorë diçka që dukej si monedhë floriri 5 dollarëshe amerikane Half Eagle, e vitit 1847; të tillë siç kishte pasur në koleksionin e vet i jati, para se t’ia shtetëzonte regjimi në vitin 1946. Po të ishte vërtet autentike kjo monedhë e rrallë, vlera e saj në tregun numismatik do t’i kalonte një mijë dollarët; por Rrok F. u tregua i kujdesshëm dhe nuk e pranoi, pastaj i kërkoi pacientes që t’i sillte më mirë ar të blerë tek argjendari.

Në të vërtetë, Hrisulla L. punonte për llogari të Sigurimit të Shtetit, dhe monedha që ishte orvatur t’i jepte dentistit ishte një ekzemplar i rremë prodhuar në Bashkimin Sovjetik; shteti kishte dyshime të forta se Rrok F., duke këmbëngulur në gjurmët e të jatit, merrej ende me kontrabandë floriri dhe koleksiononte monedha të rralla, sidomos nga familje të vjetra qytetare shkodrane. Rrok F., nga ana e vet, po atë mbrëmje dhe për të qenë brenda, shkoi dhe bëri denoncimin përkatës në Degën e Brendshme. Punonjësit që i mbulonte këto çështje për Drejtorinë D3-C të Ministrisë së Brendshme raporti i denoncimit të bërë nga Rrok F. i mbërriti në tryezë të punës njëkohësisht me relacionin e përgatitur, për të njëjtin incident, nga Hrisulla L. Si edhe herë të tjera të ngjashme, dy dokumentet përkonin.

5 Komente

  1. Te te bejne spiun me zorr i thone kesaj. Po ti kishte ardhur gjynah Rrokut e mos te kishte denoncuar gje do ta kishte ngrene vete. Jeta e perditshme ishte nje konfrontim i njepasnjeshem me dilemen e te burgosurve (prisoners’ dilemma). Te spiunoje apo mos te spiunoje?

  2. Kush ishte gjahtari dhe kush ishte preja në këtë rast?
    Dentisti e bëri denoncimin sepse e ndjeu që ishte provokim, sepse ju përgjigj ndonjë urdhërese të veçantë që mund të kishin dentistët për këto raste apo e bëri se ndjeu nevojën,si qytetar, të denonconte diçka që, sipas tij, shkonte kundra rregullave të vendosur nga shteti?

    Po sot, si do të na duhet ta konsiderojmë?
    Spiun???

  3. Problemi eshte se Rroku nuk mund te ishte i sigurte nese po i benin provokim apo klientja ishte thjesh pak rrote. Ky rasti i ketushem eshte pak a shume i qarte por gjate komunizmit mund te dyshoje per kedo deri edhe per njerez brenda familjes. Beheshe paranojak me zor. Kur ndonjeri te thoshte me te drejte “buke e keqe kjo qe na shiten sot ke dyqani” ishte thjesht qytetar i zemeruar apo provokator dmth. duhet ti jepje nje te qeshur apo duhej te vrapoje tek ministria e brendshme per ta denoncuar?

  4. Një përpjekje interpretimi

    Edhe pse gjithmonë kam qenë kundër interpretimit alegorik të një teksti i cili nuk pretendon të jetë i tillë, aq më tepër të kabalizmave, po paraqes një mënyrë të tillë leximi të ”Vigjilencës”.

    Emrat e protagonistëve

    Janë gjetur rastësisht? Jo; shërbejnë sigurisht atë çka quhet intentio auctoris. Pacientja quhet Hrisulla, emër grek (përkëdhelës) që do të thotë ”e artë” (nga gr. χρυσός = ar) . Pra e arta kërkon të veshi dhëmb floriri. Personazhi mashkull i tekstit quhet Rrok, që vetë emri përbën foljen rrok, pra shtrëngoj diçka, kap, që tregon se është gati personazhi të kapi floririn (me të dy kuptimet, edhe materien edhe femrën) që i jepet e që kërkon ta korruptojë.

    Faktet

    Floriri është një monedhë amerikane. Pse jo turke apo franceze? Pasi në Shqipëri do ishte më e lehtë të gjendej një turke apo franceze (napolonat), autori kërkon të na thotë diçka për origjinën e pacientes. Ajo duhet të jetë me origjinë nga Shqipëria juglindore (Korçë, Kolonjë etj) që kishin lidhje tradicionale me ShBA e kolonitë shqiptare atje (nuk përjashtohet që origjina e pacientes të jetë vllahe a greke duke e ndërlikuar edhe më shumë intrpretimin). Emri i pacientes natyrisht e përforcon mendimin tonë. Vetë karakteri i monedhës (amerikane) tregon se autori do të na thotë se nga Amerika, nga bota e re, po vjen korruptimi i botës së vjetër europjane. Emërtimi sigurisht i monedhës (Half Eagle = Gjysëm Shqiponje) tregon se Shqypja Dykrenore shqiptare rrezikon të përgjysmohet nga mungesa e vigjilencës. Disa mendime që Gjysëm Shqiponjën kërkojnë ta barazojnë me gjysmën e trojeve shqiptare që janë jashtë kufijve të RSH duhen shmangur si joreale.

    Sociologjia

    Natyrisht autori është infuencuar shumë nga punimet e Arshi Pipës mbi stalinizmin shqiptar. Nuk ka dyshim për këtë. Pacientia, që akualisht është toske (pas gjasash me traditë ortodokse) dhe punon për Sigurimin e Shtetit, kërkon të vëj në kurth dentistin, një geg (pas gjasash me traditë katolike). Pra, siç nënvizonte edhe Pipa, dukuria e komunizmit shqiptar është një produkt i bizantinizmit tosk.

    Si konkluzion, do presim të hapen dosjet që të zbardhet çështja.

  5. Unë Hrisullën e kapa si simbol ashtu siç e përshkruan Tannhauser, por për etimologjinë e emrit vetëm. Edhe përcaktimi si monedhë amerikane i përgjigjet simbolit të kapitalizmit, dhe është e dukshme. Është falsifikuar në BS, sepse edhe këtu, BS tregon kopjimin e praktikave që ndiqeshin në shtetin shqiptar. Pra gjithë kjo procedurë kopjohej prej sovjetëve.

    Mirëpo interesante del të jetë emri i monedhës si “Half Eagle”. Edhe shkrimi pjerrtas i emrit, tregon se autori do të na tërheqë vëmendjen për këtë fakt. Nuk ndalet këtu, por jep edhe datën kur ishte prerë monedha.
    Nga wiki tani, te Half Eagle, datat kanë rëndësi për simbolikën, moton dhe gdhëndjen e figurave në të. Kam përshtypjen se autori e përqëndron vëmendjen te motoja e monedhës që në atë kohë kur ishte prerë, ishte: “E pluribus unum”, apo në anglisht “out of Many, One”. Këtë shprehje e përdor pë të na thënë se përtej rasteve TË SHUMTA (many), ka zgjedhur vetëm NJË, të zakonshëm duke tentuar kështu të na bindë se këto provokime, apo kjo rrjedhë ngjarjesh ishte normale të ndodhte. Siç edhe e thotë në fund këtu:

    “””Si edhe herë të tjera të ngjashme, dy dokumentet përkonin.””””

    Lidhur me interpretimin e mëtejshëm të Tannhauserit, më duket se më shumë lidhje shpirtërore kishte Rroku me Amerikën dhe numizmatikën sesa vetë Hrisulla. Për Hrisullën nuk thuhet gjë mbi background-in e vet, duke e kufizuar vetëm si mjet utilitar dhe tundues. Me fjalë të tjera na pret dhe rrugët e shumë aludimeve. Hrisulla mund të ishte “Arta”. Po Arta nuk është emër për kësi tregimesh… nuk i shkon.

    Në rast se do ndikohej nga Arshi Pipa, Maksi, nuk kishte për ta lënë me kaq. Mund t’i atribuonte ndonjë të dhënë tjetër mbi familjen, mbi besimin, mbi gjendjen sociale etj. Sepse tundimi është shumë i fortë për ta bërë, dhe në këtë formë siç është, vetëm një sy i mprehtë mund ta kapë (siç e bëri Tani), këto teoritë konspirative, nuk duan sy të mprehtë, më shumë u pëlqen populizmi. (lexoni Bimbashin)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin