PARABUZUKU

Gazeta Tirana Observer e datës 21 janar 2009, nëpërmjet një artikulli të Qamil Xhanit, njofton lexuesit e vet se albanologët austriakë mund të kenë zbuluar një libër shqip para Buzukut.

Po të ishte i vërtetë, ky lajm do ta kishte tronditur, me forcën e një tërmeti, krejt dijen albanologjike – gjuhësinë, historinë dhe historinë e feve.

Për fat të keq, i vetmi zbulim që lidhet sado pak me këtë lajm, do të ishte që Tirana Observer tashmë i ka bjerrë edhe standardet minimale që duhet të plotësojë një organ i shtypit; pa folur pastaj për etikën profesionale dhe misionin social të shtypit, të cilat në Tiranë konsiderohen tashmë fjalë të mëdha, madje “elitiste”.

Shkruan me dorë të sigurt Qamil Xhani:

Janë përsëri ata, austriakët, të dashuruarit e përjetshëm me shqipen, që këtë radhë na befasojnë me një tjetër zbulim. Bëhet fjalë për një dokument që mund të hedhë dritë për shkrimin më të hershëm të gjuhës shqipe. Profesorët Stefan Schumacher [dhe] Joachim Matzinger nga Akademia e Shkencave Austriake kanë arritur të zbulojnë një dokument që mendohet t’i përkasë shekullit të XIV, ku shkruhet një shqipe me gërma latine.

Asnjë të vërtetë nuk ka në këtë pohim. Edhe pse dy profesorët në fjalë merren prej kohësh me studimin e gjuhës shqipe dhe të historisë së saj, dokumentin e shqipes të shekullit XIV e ka zbuluar vetëm Qamil Xhani, ndoshta i ndihmuar edhe nga heroi i albanologjisë kombëtariste, Indiana Jones i arkivave “sekrete” të Vatikanit, dr. Musa Ahmeti, i Teodor Shkodranit të shekullit XIII.

Shpjegon, me dorë po aq të sigurt, Qamil Xhani:

Dy profesorët në studimin e tyre kanë arritur në përfundimin se një pjesë e gjuhëve si latinisht, gjermanisht dhe thuajse pjesa më e madhe e gjuhëve të Ballkanit, kanë elementë të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Fakti se një pjesë e foljeve kryesore të shqipes gjenden në këto gjuhë, e vërteton më së miri këtë gjë.

Edhe ky pohim ka dalë nga mendja pjellore e gazetarit Xhani; sepse që latinishtja dhe gjermanishtja kanë elemente të rëndësishme të gjuhës shqipe, këtë e kanë provuar specialistët e Institutit të Shqipes si Mëmë e të Gjitha Gjuhëve, por jo të shkretët Schumacher dhe Matzinger, të cilët ende s’e kanë kuptuar se për një takëm shqiptarësh të marrë, kërkimet albanologjike meritojnë vëmendje vetëm kur shoqërohen me zbulime marramendëse.

Vazhdon mjeshtërisht Qamil Xhani:

Dy profesorët kanë paraqitur fletën e një libri të Biblës që dokumenton gjuhën shqipe të shkruar në fillim të shekullit të XVI. Nëse do të vërtetohet origjinaliteti i këtij dokumenti, atëherë kemi të bëjmë me një libër më të hershëm se “Meshari” i cili daton në mes të shekullit të XVI.

Në fakt, fleta e librit që kanë “paraqitur” profesorët nuk është nga ndonjë “libër i Biblës”, as dokumenton gjuhën shqipe të shkruar në fillim të shekullit XVI (por edhe sikur ta dokumentonte, kjo përsëri nuk do të provonte gjë për atë zbulimin tjetër, të madhin fare, të librit shqip të shekullit XIV). Çdo student i filologjisë shqipe duhet të jetë në gjendje të dallojë se ajo fletë i përket veprës Çeta e Profetënve të Pjetër Bogdanit, e cila është shkruar dhe botuar në shekullin XVII.

Vazhdon pa iu dridhur qerpiku Qamil Xhani:

Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një zbulim të mirëfilltë shkencor apo jo. Dokumenti që publikohet në web-in zyrtar të Akademisë së Shkencave të Austrisë pretendon se bëhet fjalë për shqipe të shkruar rreth shekullit XIV. Përcaktimi më i saktë i datës do të shërbente për të vërtetuar nëse “Meshari” i Gjon Buzukut është i pari libër i shkuar në shqip apo më në fund gjuhësia ka arritur të gjejë dokumente të tjerë që e vërtetojnë këtë gjë.

Po ku është publikuar ky dokument vallë? Natyrisht, faqja që Qamil Xhani e quan faqe zyrtare të “Akademisë së Shkencave të Austrisë”, është në të vërtetë faqja e fondacionit FWF që, mesa shoh unë, është një institucion që financon kërkimet shkencore në Austri; dhe nga ana tjetër, gjuhëtarët Schumacher dhe Matzinger nuk janë anëtarë të Akademisë së Shkencave Austriake. Faqen që përshkruan natyrën e projektit të këtyre dy gjuhëtarëve mund ta shihni vetë këtu, pastaj ta krahasojeni me përçartjen e Xhanit.

Me fjalë të tjera, gazetari i Tirana Observer ka shpikur zbulimin sensacional të dokumentit të parë shqip nga dy austriakë “të dashuruar të përjetshëm me shqipen”, dhe e ka mbështetur këtë duke botuar një riprodhim të nxjerrë nga më i studiuari prej librave shqip të autorëve të vjetër – Çetës së Profetënve të Bogdanit.

Nëse gazetari Xhani duhet lajmëruar që, për një farë kohe t’u qëndrojë larg temave albanologjike dhe, në përgjithësi, çdo materiali të shkruar në gjermanishte, nuk mund të diskutohet në hapësirën e këtij blogu. Përkundrazi, ia vlen të diskutohen arsyet pse gazetat shqiptare u japin vend budallallëqeve të këtij kalibri.

Për mendimin tim, kjo ndodh kryesisht ngaqë autorët dhe nxitësit e kësaj politike editoriale janë të bindur se lexuesi tipik i gazetave si Tirana Observer në një farë mënyre pret që të lajmërohen thagma të tilla; sepse këtë lexues kaq e kanë manipuluar dhe kaq ia kanë shpëlarë trutë, sa të kujtojë se albanologjia e vërtetë dhe burrërore, ajo që shqiptarët meritojnë por që u është mohuar prej armiqve të shumtë dje dhe sot, nuk mund të procedojë veçse nëpërmjet rekuperimit agresiv të së shkuarës, ose zhvarrosjes nga gropat e harresës ku e kanë mbuluar ata që nuk na duan.

Imagjinoni për një çast çfarë do të ndodhë me këtë lajm; edhe sikur Tirana Observer ta përgënjeshtrojë, nuk do ta bëjë në faqen e vet të parë, dhe një pjesë e mirë e shqiptarëve do të besojë se një libër shqip më i vjetër se Buzuku është zbuluar tashmë (disa do ta ngatërrojnë me zbulimin tjetër verbues, Teodor Shkodranin e Musa Ahmetit). Ky zbulim do të festohet me ngazëllim të madh, madje duke përfituar nga rasti nuk do të kursehen sharjet e radhës për analistët, pseudo-intelektualët, anti-shqiptarët e përjetshëm, vllehët me lëkurë qingji dhe agjentët e paguar për t’u hedhur hi sy shqiptarëve të ndershëm.

Dhe meqë më pas këtë zbulim nuk do ta përmendë më askush, atëherë një pjesë e këtyre lexuesve do të kujtojnë se edhe një herë tjetër armiqtë tanë shekullorë ia arritën të zhdukin dëshmi të vyera të lashtësisë dhe të epërsisë sonë. Ndoshta vetë Schmitt-i i mnershëm ka shkuar dhe i ka vënë zjarrin Akademisë Austriake të Shkencave, për të asgjësuar një herë e mirë të gjitha pasuritë që fshihen në arkivat sekrete të atjeshme, duke përfshirë edhe provat e pakundërshtueshme që gjermanishtja rrjedh nga një formë e lashtë e shqipes.

8 Komente

  1. E lexova kete lajm prej sharlatanesh dhe deshperues njekohesisht, ne nje forum tjeter te madh perpos “Peshkut pa uje”. Turp ku ka arritur shtypi i shkruar dhe media ne teresi ne Shqiperi. Madje ne forumin ku e lexova, vete anetari qe e kishte postuar dukej qe ishte ne ekstaze feminore. E keshtu me rradhe dhe nje pjese e anetareve te cilet duke mos qene te informuar sic duhet behen pre e keqinformimeve dhe gezojne si femije dhe ato per zbulime te paqena. Mendoj se duhet te dale serisht ne qarkullim gazeta e dikurshme “Hosteni” pasi ka boll material nga jeta e perditshme shqiptare per te mbushur faqet e saj.

  2. Problemi eshte se keta kombetaristo-katoliket po marin avash -avash ne dore edhe celesat e formulimit te teksteve shkollore qe nga fillorja e deri tek e mesmja. Imagjinoni katrahuren qe do te ndodhe me pas .Nuk u mjaftuam gjate diktatures me propagande totalitare komuniste por tani femijet tane po behen pre e propagandes se felliqur kombetaristo-katolike. Per mendimin me te vogel kundra te bejne armik shqipetarine e kane shendrruar ne fe me rite dhe objekte kulti, Migjenin e kane perjashyuar fare nga tekstet , ndersa figurat e mirefillta fetare (si psh. Muhamedin) e trajtojne si reformator social qe genjente arabet per ti bashkuar e per ti bere komb????!!!! Keshtu si po punohet ne sistemin tone arsimor perspektiven e shoh te zymte.

  3. Ne Thraki(E dime te gjithe prej pak kohesh) ka ekzistuar nje civilizim i madh mijera vjeçar,me i vjeter se ai Sumer.Jo shume vite me pare jane gjetur tovoletat Tartare dhe shkronjat e para sumere-babiloneze-egjyptiane gjenden ne te.Duket qarte qe pikerisht ne Thraki sumeret zbuluan artin e te shkruajturit.Ndoshta me vone tregtaret(fenikasit) ne kontakt me Thraket kopjuan,zhvilluan dhe dhane idene e alfabetit.Shkronja “N” thrake,5500 vjeçare,eshte e njejte ne te gjitha shkrimet sumere,egjiptiane,fenikase,etruske,greqishte e vjeter,latinishte.
    Tavoletat Tartare kane vene ne diskutim origjinen e shkrimit.Kur u zbuluan,disa gjuhetare u shprehen qe ato u gjeten atje ku nuk duhen te ishin(Versioni i histories moderne mbi origjinen e shkrimit bie ne kundershtim dukshem llogjike).Duket qarte qe parahistoria e Europes ka lindur ne Thraki.
    Ku ishin para ardhesit e shqiptareve ne ate kohe.Historia nuk jep pergjigje.Versioni i histories le ne pikpyetje origjinen tokesore te shqiptareve.A shkruanin para ardhesist e shqiptareve ne ate kohe?Historia nuk jep pergjigje?Versioni i sotem i historis i le pa libra te hershemshkruajtur,ndoshta shkruesit e pare te njerezimit.Prandaj shkecetaret dhe ndermjet tyre dhe ata shqiptare jane ne kerkim te vazhdueshem shkencor ne kete drejtim(jo vetem te librave).
    A eshte i vertete ky “lajm”?Ndoshta realisht jo,por pontecialisht,po.Nuk do te jete e larget dita kur do te dali ne drite “zbulimi”,pamvaresisht devijimit te se vertetes prej historise leketare Europiane-Anglosaksone.Nuk e di perse disave u vjen hidhur nga kjo.Çfare te keqe ka ose vjen nga ky drejtim???!!!
    Nuk edi pse disa e lidhin qellimisht me propaganden komuniste(ajo ska lidhje fare).
    Nuk e di pse disa e lidhin me mitin nacionalist(Ajo nuk aspak lidhje).
    Nuk edi pse disa e lidhin me sistemin arsimor(ketu ka shume lidhje).
    Brezave te ardhshem ndoshta disa duhet ti zerojne kujtesen??!!!!!

    1. Orakull, komenti yt është jo vetëm irrelevant, por edhe dashakeq. Të lutem, mos na e dëmto blogun, as mos na largo lexuesit. Diskutimin për qytetërimin e lashtë të Trakës bëje atje ku duhet, jo në këtë temë që i kushtohet degradimit të gazetarisë shqiptare. Të lutem, mos e përdor hapësirën e komenteve për të shkruar rreth çështjeve që të interesojnë ty – hap një blog tëndin, dhe shkruaj atje natë e ditë për lashtësinë parahistorike të shqiptarëve. Ky është paralajmërimi i fundit që po të bëj, sepse me gjithë predispozimin pozitiv, nuk kam më kohë të merrem me disiplinimin tënd.

  4. Mua ajo që ka shkruar Bimbashi më duket provokim shumë herë më i keq…
    Për korrektesë, Orakulli është vërtet jashtë teme.

    1. J., le t’i japim Bimbashit the benefit of doubt, meqë është i ri këtu. Orakulli e ka tepruar, prandaj m’u desh t’ia them dy fjalë në publik.

  5. xha-xha ! Te falenderoj per mirkuptimin.
    I/e nderuar J. nuk kam pasur aspak qellim te provokoj por nese jam perceptuar si provokator mbase eshte mire qe ti rikthehemi edhe njehere konfeksionimit te mendjes. Ajo qe une kam dashur te shpreh eshte alarmi per mungesen e seriozitetit dhe metodes shkencore ne sistemin tone arsimor. Ne nje vend si ky i yni kur edhe veterineri Topi hyn e behet pale ne nje dedat shkencor per figuren e skenderbeut dhe akdemia ha fara kungulli dhe pi duhan , kur ish sherbetoret e regjimit totalitar na dalin e na shesin dengla per shoqerine e hapur nuk mbetet tjeter vecse te recitojme Nolin: Ti halim qe sdi kendim/je minister per arsim…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin