KONFEKSIONIM MENDJESH (III)

 

Çështjen e dijes dhe të padijes këtu në blog e kemi diskutuar në dy aspekte: më një anë arsimi, më anë tjetër informacioni. Besoj se të gjithë jemi të një mendjeje, që arsimi i përgjithshëm duhet të na nxitë kuriozitetin ndaj botës, respektin për të vërtetën, virtytin dhe besimin në forcën njohëse të arsyes; si dhe të na japë instrumentet e duhura jo vetëm për të marrë dhe përpunuar informacion, por edhe për të përzgjedhur se çfarë informacioni na duhet dhe çfarë jo. Përkundrazi, prej arsimit profesional presim që të na mësojë dije ose mjeshtëri konkrete dhe të dobishme, të cilat të gjejnë zbatim praktik të menjëhershëm. Që këtej, disa flasin për education dhe training.

Tani, kur vjen puna tek informacioni, sot njerëzit këtë e marrin jo vetëm në shkollat e jo vetëm në mënyrë të kontrolluar, por edhe e kryesisht nga mediat, dhe në mënyrë të pakontrolluar, ose më mirë të kontrolluar nga forca të tilla të fshehta si tregu, propaganda politike, propaganda fetare e kështu me radhë. Gjatë shekullit XX, teknologjia e komunikimit u zhvillua me ritme shumë të shpejta, në një kohë që shkolla, si teknologji e arsimimit dhe e edukimit moral, mbeti praktikisht e pandryshuar. Që këtej, askush prej nesh nuk mund të thotë se shkolla e ka përgatitur për t’u orientuar në një botë komunikimi të sunduar prej mass mediave; dhe jo vetëm prej nesh të shkolluarit në Shqipërinë totalitare, por edhe të tjerëve, të shkolluarve në perëndim.

Në vështrim të parë, duket sikur mediosfera është organizuar sipas një parimi pluralist; kudo gjen gazeta, televizione, radio të ndryshme, publike dhe private, të majta dhe të djathta, fetare dhe laike; Interneti është pluralist me përkufizim; si kurrë ndonjëherë qytetarët e vendeve që pretendojnë të jenë demokratike janë në gjendje të zgjedhin, virtualisht, midis mijëra burimeve të informacionit, madje edhe t’i qasen së vërtetës në rrugë krahasuese. Megjithatë, ka autorë që prapa këtij pluralizmi shohin rrezikun e segmentimit social, në kuptimin që po ajo teknologji e cila po e bashkon botën në një fshat të vetëm global, po i ndan mendjet nga njëra-tjetra.

Kësaj kontradikte i kushtohet libri True Enough, i Farhad Manjoo, gazetar i njohur i Slate dhe Salon. Këtu dhe më poshtë do të cek çështje të ndryshme nga libri, duke i pasuruar me komente të miat dhe shembuj të nxjerrë nga realiteti mediatik shqiptar.

Problemet që ngre Farhad Manjoo në këtë libër vlejnë jo vetëm për SHBA, por edhe për demokraci të reja si Shqipëria, e cila njëlloj përballet me realitetin e ri, të pakontrolluar e të pakontrollueshëm, të harlisjes së mediave, të reja e tradicionale, të shtetit dhe të privatëve. Ka vend të pyetet se si po e përpunon sot informacionin publiku shqiptar, si i interpreton provat dokumentare në një botë të mbytur me video, foto dhe regjistrime zanore; dhe si vendos kujt t’i besojë, në një mjedis ku, për çfarëdo lloj pikëpamjeje, gjithnjë do të gjendet një ekspert që ta mbrojë me shifra dhe argumente prej “eksperti”.

Sot ne kemi jo vetëm opinione të ndryshme, thotë autori, por edhe perceptojmë fakte të ndryshme. Gjithnjë e më shpesh, nuk diskutojmë mes nesh për çfarë duhet bërë, por për çfarë po ndodh. Shkencëtarët politikë e përkufizojnë epokën tonë si të polarizimit të madh; por tani partizanía po nis të na përçudnojë deri edhe perceptimin e realitetit, për të na bërë të dyshojmë se çfarë është reale dhe çka reale nuk është.

Mjafton të ndjekësh ngjarjet e mëdha të vitit 2008 në Shqipëri – që nga Gërdeci, te korrupsioni i lidhur me emrin e Damir Fazlliçit dhe vdekja/vrasja e Kosta Trebickës, e më në fund te korrupsioni tjetër i lidhur me kostot e mufatura të rrugës Durrës-Morinë, për t’u bindur se publiku shqiptar, në Shqipëri dhe gjetiu, i percepton këto ngjarje në pajtim jo me aftësitë e veta për të lexuar realitetin, por me përkatësinë politike. Të njëjtat ngjarje, kanalet televizive dhe gazetat e krahëve të kundërta të spektrit politik i përshkruajnë në mënyra të ndryshme; në kuptimin që diferencat nuk mjaftohen vetëm në interpretimin e fakteve, por edhe në vetë perceptimin e tyre.

Sipas Manjoo, mediave mainstream në SHBA po u thahet shtrati, teksa gjithnjë e më tepër publiku po priret të organizohet në niches. Edhe pse informacioni tani rrjedh më lirisht se në të shkuarën, panorama e lajmeve është e tillë, që secili e ka më të lehtë, madje nxitet të kultivojë paragjykimet (bias) e veta dhe besimet e veta para-ekzistuese. Në qoftë se unë, sapo hap sytë në mëngjes, lexoj edhe “Shekullin”, edhe “Gazetën 55”, ky është pluralizëm; por në qoftë se unë, çdo mëngjes, lexoj vetëm “Shekullin”, ndërsa ti vetëm “Gazetën 55”, ky nuk është më pluralizëm, por segmentim. Ti dhe unë tashmë jo vetëm u përkasim forcave politike të ndryshme, por edhe jetojmë në dy botë të ndryshme. Në botën time Rama është njeri i së ardhmes, intelektual dhe liberal; në botën tënde Rama është njeri i degraduar dhe i korruptuar. Në botën time Basha ka vjedhur paratë publike të investuara në rrugën Durrës-Morinë; në botën tënde, Bashën nuk e zë gjumi natën, i shqetësuar që Shqipëria dhe Kosova ende nuk e kanë një rrugë madhore që t’i bashkojë.

Teknologjitë e reja, si p.sh. Interneti, vërtet i lehtësojnë lidhjet mes njerëzve, por njëkohësisht lehtësojnë edhe krijimin dhe mirëmbajtjen e një vizioni të njëanshëm për botën, duke na mbajtur gjithnjë në kontakt me ata që ndajnë mendime dhe pikëpamje të njëjta me ne. Sot është krejtësisht e mundshme, bie fjala, që të kalosh kohën duke diskutuar në një forum virtual, online, ku të gjithë pjesëtarët të besojnë se shqiptarët janë racë e zgjedhur, më të vjetrit në Europë, më fisnikët; me gjak arian në deje; ose përkundrazi, ku të gjithë e pranojnë se Berisha punon për agjenturat serbe…

Mirësevini në botën Rashomon, thotë Manjoo, duke iu referuar filmit të njohur të Akira Kurosawa, ku një krim përshkruhet nga katër dëshmitarë në katër mënyra të ndryshme, kontradiktore mes tyre.

Për të mbështetur dhe shtjelluar tezën e vet, Manjoo u drejtohet për ndihmë disa eksperimenteve psikologjike, të cilat duket se vërtetojnë ekzistencën e një efekti të quajtur ekspozim selektiv (që ndryshe njihet edhe si disonancë konjitive); dhe që praktikisht ka të bëjë me atë që ne priremi t’i rrimë larg atij informacioni që bie në kundërshtim me çka kujtojmë se dimë. Kështu, kur dëgjojmë ose lexojmë lajme që bien ndesh me besimet tona, ose me çka presim të dëgjojmë, atëherë ne i filtrojmë këto, për të mos lejuar që ta i modifikojmë këto besime, pritje dhe bindje.

Të supozojmë, bie fjala, se pjesëtarëve të një forumi kombëtarist u përcillen dy lajme: i pari për një studiues gjerman që ka provuar se shqipja e sotme ka afëri të madhe me trakishten, ndërsa i dyti për një libër që studiuesi i madh Ahmet Musai ka zbuluar në arkivat e Dubrovnikut, e që rezulton të jetë shkruar shqip në shekullin XII (të dy shembujt i kam sajuar). Ekspozimi selektiv do ta bëjë forumin që të reagojë menjëherë ndaj lajmit të parë, duke e quajtur gjermanin si sharlatan, ose të paguar nga serbi; ndërsa “zbulimin” e Ahmet Musait të gjithë do ta përshëndetin dhe do ta pranojnë si fakt, pa e vrarë shumë mendjen për ta verifikuar. Në të vërtetë, diçka e ngjashme ka ndodhur me fiaskon e librit shqip të Teodor Shkodranit, të lajmëruar me pompë të madhe nga Musa Ahmeti, por që më pas nuk u bë kurrë i njohur për publikun, sidomos kur disa filologë shprehën dyshime serioze për këtë “zbulim”. Po ashtu, vepra që e vënë shqipen në themel të të gjitha gjuhëve europiane, marrin gjithnjë ekspozim shumë më të gjerë, bie fjala, se vepra si ajo e studiuesit gjerman Schramm tani vonë (1994), i cili është përpjekur të argumentojë se shqiptarët janë pasardhës të fisit trak të besëve.

Ekspozimi selektiv ka të bëjë me mënyrën si na funksionon mendja dhe do marrë si rezultat i proceseve evolutive mijëravjeçare; por teknologjitë e sotme të komunikimit e ndihmojnë shumë, meqë i lejon njerëzit ta sajojnë vetë mjedisin mediatik personal, për të dëgjuar, parë dhe lexuar vetëm çka na i konfirmon ato që i besojmë, thellë-thellë, si të vërteta.

Kjo don të thotë edhe se, edhe po t’u japësh njerëzve informacion që bie ndesh me bindjet e tyre të thella – p.sh. t’u japësh kreacionistëve prova të evolucionit ose kombëtaristëve grekë prova se Epiri ka qenë banuar nga popullsi jogreke – kjo nuk do t’i bëjë që t’i rikonsiderojnë idetë e tyre medoemos.

Shumë eksperimente të kryera me grupe të vogla, shpjegon Manjoo, kanë dokumentuar se, çfarë ne e kujtojmë si të pranueshme, ose e marrim për të vërtetë, përcaktohet nga marrëdhëniet që kemi ose nga mënyra si ndërveprojmë me njerëz të tjerë. Këtë mjedis ku perceptimi ndikohet nga marrëdhëniet ndërnjerëzore e kanë quajtur edhe “realitet social”. Në raste të tilla duket sikur grupi fiton autoritet ndaj individit, duke i diktuar edhe se çfarë të shohë dhe si ta interpretojë atë që ka parë.

Nga ana tjetër, vëren Manjoo, sot teknologjia e ka ndryshuar, shpesh rrënjësisht, mënyrën si përftohen dhe riprodhohen grupet; meqë mundësitë që krijon, bie fjala, Interneti, lejojnë që grupet sociale sot të themelohen në bazë të ekspozimit selektiv; sa kohë që individët kërkojnë online dhe gjejnë individë që gjërat i mendojnë dhe i gjykojnë në mënyrë të ngjashme. Kështu ekspozimi selektiv jo vetëm na lejon të zgjedhim informacionin që na përshtatet, por edhe njerëzit që na përshtaten.

Kështu, një forum në Internet që specializohet në “kritikën” e mendimit publik shqiptar, ashtu siç shprehet në mediat e Tiranës, do ta lexojë çdo instancë të këtij mendimi si konfirmim të premisës së vet themeltare, madje deri në atë shkallë sa çdo artikull, ese ose analizë e marrë në shqyrtim dhe e hedhur për debat, do t’i shërbejë, para së gjithash, riprodhimit të forumit nëpërmjet “kritikës” kolektive. Nëpërmjet këtij procesi, që gjithnjë ndodh shkallë-shkallë, grupe të nisura si mainstream, ose të hapura ndaj pikëpamjeve të kundërta, priren të përfundojnë në fringe, ose në pozicionime rregullisht radikale, sa kohë që, në kushte të barabarta, shqiptimet më radikale dhe të vendosura marrin gjithnjë përparësi ndaj shqiptimeve më të moderuara.

Pikërisht ky është edhe momenti kur pluralizmi shndërrohet në segmentim; sepse filtrimi dhe përzgjedhja që u bëjmë burimeve të informacionit e dëmtojnë aftësinë e kulturës për të përcaktuar çfarë është reale.

[vijon]

8 Komente

  1. Ndersa analiza e xhaxhait mbi segmentimin qe mundeson interneti si media eshte krejtesisht e drejte duhet patur parasysh qe zgjidhja ndaj ketij problemi nuk eshte te ndalojme teknologjine apo internetin si media. Shume me teper zgjidhja me e mire me duket se eshte pershtatja e institucioneve te arsimit ndaj sfidave te reja teknologjike.

    Shkolla duhet te ofroje pergjigje ndaj ketij problemi dhe ndaj perdorimit te teknologjise ne menyre te ndergjegjshme. Kjo arrihet jo duke anatemuar e demonizuar teknologjine apo mediat specifike ne vetvete por duke mesuar se si perdoren ato ne menyre te ndergjegjshme. Duke i trupezuar keto teknologji ne sistemin arsimor e duke i perdorur ato per te mesuar e per te hapur horizontin.

    Qe ne internet eshte me e lehte te ndahesh sesa te bashkohesh, me e lehte te krijosh “niche” sesa nje grup gjitheperfshires eshte nje defekt teknik i cili nuk kerkon asgje me shume sesa nje zgjidhje po teknike. Nuk kerkon asgje me shume sesa nje mjet komunikimi midis “niche”-ve te shumta me njera tjetren. Ne internet sapo kane filluar te lindin platformat e medha sociale te cilat kane mundesine te krijojne segregime brenda tyre por edhe ofrojne kanale komunikimi midis ketyre “niche”-ve. Keto kanale komunikimi thjesht nuk jane pjekur e mbruajtur aq shume dhe duan pak me shume kohe. Kjo eshte ajo qe une propozoja tek shkrimi i xhaxhait mbi Peshkun pa uje: krijimin e segregimeve dhe njekohesisht te kanaleve te komunikimit midis ketyre segregimeve (nje sistem pra i ngjashem me shoqerine reale).

    Interneti ne perspektiven e tij si shoqeri dinamike po shnderrohet dalengadale ne nje imitim te shoqerise reale sepse lidhjet ekskluzive virtuale nuk mbajne! Interneti mund dhe duhet perdorur si media ndihmese si plotesuese ndaj realitetit por jo si zevendesuese e realitetit.

  2. Xha xha,

    nje nga shkaqet kryesore te segmentimit eshte mungesa e komunikimit, shkembimit te ideve, pikeveshtrimeve etj etj. Interneti, per nga menyra se si u konceptua qe ne fillimet e tij, eshte mjeti ku komunikimi lehtesohet ne menyre te jashtezakonshme, sic e thoni edhe ne kete shkrim. Vertet lehteson ate dukuri te trurit qe e kane quajtur ekspozim selektiv, por lehteson edhe ate tjetren qe quhet kuriozitet. P.sh. tek Peshku Pa Uje para disa ditesh dikush vuri lidhje interneti (links) me libra mbi Shqiperine te shkruajtur nga udhetaret e huaj dhe nga disa prej intelektualeve shqiptare te viteve ‘800 e fillimit te viteve ‘900, te mbajtur nga Google Books e site te tjera. Falas. Ose ne Google Books mund te gjesh disa libra te Edith Durham-it. Ne arkivat e artikujve te NY Times, ne Internet, mund te gjesh artikuj per Shqiperine e Ballkanin te vitit 1912 psh. Ne Archivio Luce te Italise, po ne Internet, mund te gjesh dokumentare per Shqiperine, ku mund te shihen aspekte te Shqiperise duke filluar qe nga vitet ’30. Po permend keto shembuj, meqe tema e kombit duket sikur eshte ne mode keto kohet e fundit, por ka edhe shume shembuj te tjere, psh lehtesia e madhe per te gjetur artikuj shkencore, ose per te ndjekur ngjarjet ne bote nga burime te ndryshme, ose mundesia per te shkruajtur ne nje blog ne veten e pare shumes :-). Po te mos ishte kjo infrastrukture komunikimi, segmentimi i shoqerise/shoqerive do ishte shume me i theksuar.

  3. “Pikërisht ky është edhe momenti kur pluralizmi shndërrohet në segmentim; sepse filtrimi dhe përzgjedhja që u bëjmë burimeve të informacionit e dëmtojnë aftësinë e kulturës për të përcaktuar çfarë është reale.”

    Xha xha, mos ke dashur te thuash: “…demtojne aftesine e kultures per te gjetur konsensus?”

    Nese eshte keshtu, mendoj se alarmi qe ngre Manjoo eshte rrjedhoje e te njejtes sindrome te “ekspozimit selektiv” qe ai analizon. Ai e sheh problemin e mendjave nga kendveshtrimi i medias tradicionale, e cila duhet thene se asnjehere nuk ka mundur te tregoje te “vertetat” por ka mundur gjithesesi te gjej “konsensusin” ne sistemet me demokraci te konsoliduar.

    Problemi me median e pakontrolluar eshte se ia heq/largon vetes rolin e atij qe gjen konsensusin, duke ia hedhur teresisht ne preher kete rol politikes.

    Nese sistemi politik ne vende si ShBA eshte gjetur fillimisht i papergatitur per kete, qe deshmohet fare mire nga pervoja politike e tete viteve te fundit ku sistemet e informimit apo segmentimi i shoqerise u perdor me efikasitet nga grupet e interesit (shih strategjine e Karl Rove dhe ndikimin e tij ne zgjedhjen dhe ne politikat e Bushit), pervoja e Obames flet pikerisht per te kunderten. Jane pikerisht mediat jotradicionale qe mundesuan ngritjen e tij dhe konsesusin e gjere ne shoqerine amerikane per menyren se si i adresoi problemet politke Obama. Sigurisht ky lloj konsesusi nuk do ishte gjetur nese nuk do ishin prezente nje sere faktoresh te tjere, si per shembull kriza ekonomike qe e pershpejtoi ate, por gjithesesi deshmon per nje lloj ripershtatje te mardhenieve media-politike.

    Kurse problemet e Shqiperise per fat te keq paraqiten disi ndryshe, ne kuptimin qe sistemi politik dhe demokracia, nuk kane qene ndonjehere as pluraliste dhe as konsensuale (flasim per konsensus shoqeror). Per shembull edhe nese ka nje konsensus te formuar se politika eshte e korruptuar, pa qene nevoja te lexosh Shekullin apo 55-en, asgje nuk ndryshohet sepse sistemi politik eshte sistem oligarkik dhe nje farse pluraliste, ku si te qenit e Rames si te qenit e Berishes ne pushtet nuk ndryshojne realitetin social (te segmentuar apo te pasegmentuar).

  4. Obama po i jep nje drejtim ndares Amerikes.Ai po ben te njeten gabim te nje presidenti tjeter amerikan,te cilit spo ja permend emrin.Ndarja ne miq e Armiq,karakteristike e ballkanit dhe pjeserisht e Europes nuk eshte pozitive per Ameriken.
    Cilesia e keshillareve,te cilet mbledhin dhe perpunojne informacionin per presidentin ndikon ne vendimarjen e tij.Proceset jane gjithmone te komplikuara dhe fshehin raporte interesash te fuqishme.
    Kur kemi kete deformim per kreun e shtetit,merret me mend sa zmodhohet deformimi ne mediat e “lira”.
    E verteta ne kendveshtrim absolut nxirret vetem duke zhveshur “interesat”.Nese Grekerit besojne sot qe Epiri eshte grek,jane thjesht interesat monetare e nje pakice pasurore greke e cila ve ne levizje qeverine ,kishen mediat,”instutet” shkencore ne funksion te krijimit te kesaj te “vertete”.Po keshtu te vertetat mbi “Irakun” ose “Iranin”,burgun e guatanamos.

  5. Xhaxha, ka te pakten dy dite qe une perpiqem ti gjeje anen bisedes qe ju parashtroni dhe sa me shume kohe kalon aq me shume me duket se shtohen “bisedat” (ceshtjet, problemet dhe problematizimet) ne shkrimin e mesiperm duke e bere disi te veshtire fokusin dhe per rrjedhoje, duke i njohur vetes paaftesi te larmishme, pjesemarrjen time koherente dhe te dobishme, apo se paku argetuese per palet. Ne fakt, qe te rri shtrember dhe te flas drejte, nje shkak madhor eshte edhe pertacia ime penale te cilen jam i denuar ta vuaj sporadikisht.
    Ekziston nje artikull seminal ne lidhje me fragmentarizimin e popullates (virtuale) i publikuar me 1996 nga Marshall Van Alstyne dhe Erik Brynjolfsson me titull “Electronic Communities: Global Village or Cyberbalkans?” (lehtesisht i gjendeshem online): studim ne te cilin argumentohet se mundesia e krijimit te fshatit global ka (matematikisht) gjasa me te pakta (edhe pse eshte nje nga produktet) nga sa ka fragmentarizimi, apo sic thuhet ketu, segmentimi, i metejshem dhe pervecimi.
    Nese ne studimin e permendur e vetmja ceshtje qe shyrtohet nepermjet analizash matematike dhe grafikesh eshte saktesimi i pershkrimit te afilimeve socio-ideore te popullateve online modalitet e tyre dhe impakti i kesaj pjesemarrjeje ne shoqeri (ate reale!) dhe…
    une nuk e kam lexuar librin e Farhad Manjoo pervec sa munda te shoh ne Amazon nepermjet “look inside” dhe vura re se faqet e para i kushtohen strategjise se perdorur kunder Kerry-it gjate fushates se ketij te fundit, me se shumti e ekzetuar (strategjia kunder) nepermjet manipulimi te fakteve, shpifjeve proceduriale dhe lojrash te tjera me kembe, por marr me mend (ndoshta gabimisht) se kjo (i) ka sherbyer si shembull per te argumentuar ne terren dhe konkretisht propozimin e studimit tashme te shumeperfolur si dhe te problematizoje implikimet e mundshme duke shtjelluar ndonje (apo me shume) qendrim/e moral dhe mesa duket ekzistencial/e (meqe u dyshoka “realiteti”); ne shkrimin tuaj, edhe pse pjesa me e madhe i kushtohet Ferhadit, (dhe une besoj se permbledhja eshte e sakte) ngrihen njeheresh ne nje forme implicite nje sere problemesh si ai i edukimit, informimit, arsimit, kultures dhe ne pergjithesi konstruktimit social te individidit dhe nuk ka si te mos mendohet si esenciale dhe ne qender te problematikes ceshtja e niveleve te ndryshme, shpesh veshtire te krahasueshme, te pervetsimit dhe zoterimit te njohjes nga individet. Ne kete kontekst kush jane autoret e “shqiptimeve me radikale dhe te vendosura” te cilet marrin perparesi dhe behen de facto mainstream? A ka impakt ne jeten reale dhe ne cfare forme dhe deri ne c’mase? Dhe nese pergjigja eshte pozitive dhe masa e konsiderueshme atehere perceptimi difektoz i realitetit nuk eshte me hipoteze por realitet (no pun intended) rast ne te cilin shtrohet pyetja tjeter: me cfare kriteri ne gjykojme vertetesine e opinionit dhe cfare mund ta garantoje kriterin tone si etalon te miratueshem dhe perfundimisht te pranuar me marreveshje?
    Dhe se fundi, nese bota virtuale imiton ose riprodhon ate reale dhe anasjelltas: demokracia quasi anarkike qe mbreteron online ne c’aspekt eshte me e paperkryer sesa demokracia ideologjike e perendimit? A do paraqitej ndryshe situata nese interneti nuk do ishte i perdorur prej milionave?

    1. Fernando, kur e nisa këtë shkrim, nuk e kisha parashikuar që do të shtjellohej kështu, edhe pse tani në fund më duket sikur ka një “ngjashmëri familiare” midis seksioneve.
      Më duket se padija, grupimet klanore dhe segmentimi social lidhen në atë mënyrë që e ka përshkruar Banfield, në një kohë kur Interneti nuk ekzistonte fare.
      Sa për efektin që ka rritja e numrit të përdoruesve në Internet, këtë nga përvoja ime e gjykoj si negativ. Forumi i parë ku kam marrë pjesë ka qenë Albanian List në 2006; i dyti Alb-Club (2000-2007); i treti Peshku pa Ujë (2007-2009). Rënia filloi dikur andej nga vitet 2003-2004, në Alb-Club; deri atëherë, përdoruesit kishin respekt për njëri-tjetrin, megjithë kundërshtimet dhe kundërvëniet shpesh të ashpra; dhe dukej se mendësia mbizotëruese ishte liberale, në kuptimin europian të fjalës (jo amerikan).
      Unë nuk kam ndonjë iluzion të madh për demokracinë në Internet; as mendoj se do të na vijë shelbimi që andej. Nga përvoja ime, të siguroj se forumet e kontrolluara janë jashtëzakonisht më produktive se ato që nuk kontrollohen; meqë liria e fjalës nuk mund të garantohet, pa garantuar edhe lirinë e folësit.

  6. **Nga përvoja ime, të siguroj se forumet e kontrolluara janë jashtëzakonisht më produktive se ato që nuk kontrollohen; meqë liria e fjalës nuk mund të garantohet, pa garantuar edhe lirinë e folësit.**
    Jashtezakonisht e sakte.Por,eshte kryesore se c’fare vendosen si regulla kontrolli,si dhe sa ato nuk mbajne subjektivizmin diktatorial te administratorit.Cilesia e Regullave percakton ose zeron cilesine e ketij produktiviteti.Sic eshte negative edhe e kunderta;lenia e lire e anarkise mendimore.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin