TURPI

 

Supermarketin e parë shqiptar e hapën, në fund të viteve 1960, te Rruga e Kavajës në Tiranë, përballë ish Kishës Katolike, në një dyqan të vogël njëkatësh, të cilin e pagëzuan “Vetëshërbim”.

Që nga vetrinat e tejpashme, mund të shihje pakot e makaronave, tubetat e salcës së domateve, shishet me vaj ulliri, kallëpet e sapunit, shtambat prej balte, locionet “Figaro”, zarfet me limontoz, karafil dhe kanellë, qeset me kikirik, flakonet me vaj plazhi, konservat e qumshtit të kondensuar, kavanozët me ullinj, kutitë me sardele, dhe pakot e vogla me djathë “Bebe”, të renditura në raftet e pastra e të ndriçuara me një të bardhë verbuese neoni.

Blerësit e paktë shëtisnin ngadalë në rruginat midis rafteve me shportat prej kashte në duar, të trullosur nga afërsia e papërballueshme me mallin. Për të parandaluar vjedhjet, por edhe frenuar tundimin për të vjedhur, kishin instaluar mbi raftet pasqyra të mëdha të pjerrëta, të cilat mbikëqyreshin në distancë prej rojeve. Kishin thirrur edhe një polic, që të ndërhynte me autoritetin e ligjit në rast se cenohej rendi publik; ky ishte një djalë i ri me sy të butë e të zbërdhylur prej fshati, që shullëhej në diell përpara dyqanit, shihte veten herë pas here në xhamat llamburitës të vetrinave, rregullonte kapelen që i rrinte e madhe, hante fara kungulli dhe ua pështynte lëvozhgat në trotuar. Në përgjithësi, atmosfera nuk ishte aspak kërcënuese.

Ditën e dytë, një grua vodhi. Kjo ishte rreth të dyzetave, trupmadhe e bardhoshe, me flokë të mbledhura topuz dhe vathë të vegjël floriri, me fytyrë të rrumbullakët si të kish dalë nga ndonjë tablo e Boteros. Nuk e kishte kuptuar dot atë punën e pasqyrave, prandaj kur iu duk se nuk po e shihte asnjë prej dy rojeve të dyqanit, zgjati dorën dhe rrëmbeu 2-3 pako gjalpi nga rafti, të cilat i futi sakaq në gji, poshtë bluzës prej leshi që kishte veshur.

Rojet e pikasën, lajmëruan policin, polici hyri në dyqan dhe iu afrua gruas që kishte vjedhur, i tha diçka që nuk u dëgjua mirë, për shkak të zhurmës gumëzhitëse të frigoriferit. Gruaja, që e kishte emrin Hasibé M., u zbeh menjëherë, dhe bëri “jo” me kokë; polici i foli përsëri, ndërkohë u afruan edhe dy rojet, më tepër për të bërë sehir.

Më vonë u mor vesh se polici i kishte kërkuar që t’i nxirrte nga gjoksi ato që kishte vjedhur, por ajo kishte refuzuar. U dha urdhri për të mbyllur derën e dyqanit, dhe polici i telefonoi rajonit të policisë, për të kërkuar që të dërgohej në dyqan një police femër, për t’i bërë kontrollin trupor Hasibesë M.; në dyqan u shfaq edhe Isuf B., një oficer i liruar dhe aktivist i shquar i bllokut, të cilin e informuan shkurtimisht për incidentin.

Hasibé M. vështronte rreth e rrotull, si e kapur në çark, por nuk fliste; vetëm bënte “jo” me kokë, dhe fshinte djersët me një shami të zhubrosur. I sollën një karrike dhe një shishe me pak ujë të ndenjur. U ul, dhe i shtriu përpara këmbët e fryra, si mortadela të mëdha; atje ku llastiku i çorapeve të shkurtra i shtrëngonte lëkurën, mu poshtë gjurit, mishi i kishte marrë ngjyrë blu. Isuf B. u largua, për të bërë disa verifikime në lidhje me qëndrimin politik të familjes së të arrestuarës, por sakaq mbërriti policja, një vajzë pak zeshkane, me sy të mëdhenj prej fallxhoreje dhe një mustaqe të hollë mbi buzën e lyer me të kuq.

Hasibésë M. tani zbehtësia iu shndërrua në skuqje të përgjithshme, prej skarlatine; djersët i rridhnin çurg poshtë veshëve drejt gropëzës së qafës, ndërsa të tjera rrëke ia grumbullonin lagështinë te diga midis gjoksit dhe belit të fundit të zi. Policja, Violeta D., i kërkoi me mirësjellje që të futeshin në një dhomë të vogël, gruaja në fillim refuzoi, por me gjysmë zemre, por pastaj u ngrit dhe u drejtua për andej, duke i tërhequr këmbët zvarrë, teksa Violeta D. e mbante nga krahu, duke ia kapur llërën e ujshme si të kishte frikë se Hasibé M. do të plandosej përdhé.

Çfarë ndodhi pikërisht në kthinën e vogël, të cilën e përdorte arkëtarja e dyqanit si zyrë dhe dhomë ngrënieje, u mor vesh vetëm të nesërmen, nga raporti i hartuar prej polices Violeta D. Pasi kishte hyrë në kthinë, Hasibé M. kishte pranuar të zhvishej, duke filluar nga këpucët e sheshta, të shtypura e të plasaritura ngjyrë balte të tharë të periferive.

Violeta D. e kishte ndihmuar të hiqte bluzën prej leshi, duke ia rrëshqitur mbi gjinjtë e rëndë prej gjysheje e nëpër qafën me rrathë të pafajshëm dhjami. Ngjitur mbi sisët e ngrohta kishin ngecur dy-tre letra gjalpi, të shpalosura shkeleshko, si gazeta të vjetra; gjalpi vetë, i shkrirë nga nxehtësia e turpit, kishte rrjedhur poshtë, duke iu lëpirë lëkurës së lëmuar të barkut për të përfunduar ca i thithur nga të mbathurat e trasha prej pambuku, ca i ngrirë sërish si dyllë në sipërfaqen e brendshme të kofshëve, deri poshtë në gungat e brumta anash gjunjëve.

 

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin