PERTEJ MBRETIT DHE BABES

Po të dëgjosh e të lexosh gjithë sa ç’thuhen e thonë për “inaugurimin” e presidentit Barack Obama, të duket sikur nuk po merr detyrën një qytetar i zgjedhur, po sikur po kurorëzohet ndonjë mbret i këtij krahu të galaktikës, me një ceremoni që, për fat të keq, i ruan tonet dhe simbolikën e fortë mesjetare dhe monarkike.

Dhe meqë ne shqiptarët, si më filo-amerikanët në Europë, i mbajmë gjithnjë sytë të kthyer nga SHBA për ide, modele, simbole dhe frymëzime, nuk mund të mos të të shkojë mendja për kontradiktat që shoqërojnë figurën dhe rolin e Presidentit të Republikës në politikën e sotme shqiptare.

Prej Presidentit në Shqipër të gjithë presin shumëçka – realizimin e iluzioneve autoritare; pozicionime dhe deklarata bombastike kombëtariste ose vëmendje gati paternaliste ndaj njeriut të thjeshtë; bindje ndaj palës politike që e ka sjellë në fuqi, ose rebelim të hapur ndaj saj në emër të parimit balancues të pushteteve; kultivim të respektit ndaj ligjit ose, përkundrazi, interpretimin e tij human; bashkërendimin e komunikimit mes institucioneve dhe nisma për reformimin e thellë të po këtyre institucioneve; fytyrën protokollare të shtetit dhe përpjekjet e palodhura për t’u shërbyer si kontekst institucional të gjitha veprimtarive politike domethënëse, edhe pse larg kamerave dhe syve të medias.

Tradicionalisht shqiptarët janë mësuar të kenë një të parë ose të fortë mbi kokë; dhe ashtu ka qenë kultura politike që pa u bërë akoma e pavarur Shqipëria, që nga komunitetet e vogla e deri te përkatësia në perandoritë. Kishte pushtet Sulltani, por kishte edhe pashai, sikurse kishte edhe bajraktari e beu, dhe ashtu nga lart poshtë në hierarkitë deri në familje, ku pushtetin e mbante dhe e ushtronte plaku ose babai. I njëjti model absolutist realizohej në figura autoritare të ndryshme, por sipas po asaj logjike ose raporti me pushtetin. Ndërkohë, presidenti i tanishëm i Republikës, siç e përcakton Kushtetuta, nuk i ngjan aq mbretit ose babait autoritar të kombit; por më tepër përftohet si rol nëpërmjet veprimtarisë së tij ndërmjetësuese midis institucioneve, ose lubrifikuese të jetës së shtetit.

Paradoksalisht, shqiptarët e patën ndoshta më të lehtë kapërcimin nga mbretëria në diktaturën totalitare, sesa nga kjo e fundit në republikën pluraliste dhe demokratike, meqë shndërrimi i dytë guxoi të reformojë ose të korrigjojë me themel modelin e stërlashtë patriarkal-autoritar. Vetë kalesën nga sistemi politik i vjetër si projeksion i kulturës patriarkale në sistemin politik bashkëkohor të ndarjes së pushteteve dhe të sovranitetit të ligjit e kanë shoqëruar vështirësi psikologjike, të cilat pastaj kanë pështjelluar opinionin publik dhe kanë shkaktuar keqkuptime ose shtrembërime në mediat.

Dinjitarë të lartë, sidomos të ekzekutivit, e kanë ndonjëherë të vështirë të orientohen në prani autoritetesh paralele dhe të pavarura; dhe këto probleme të referimit rreken t’i maskojnë pastaj si kontradikta të Kushtetutës, ose t’i zgjidhin duke ia qepur Presidentit rishtas kostumet, sipas shijeve të tyre politike. Mirëpo në kushtet kur një forcë politike arrin të shtjerë në dorë shumicën parlamentare dhe të mësyjë me ushtarët e vet institucionet siç e do zakoni në Shqipëri, Presidenti i Republikës shpesh vjen e shihet nga publiku si alternativë ndaj partitokracisë, ose si përfaqësues i institucioneve shtetërore, çka është për t’u përshëndetur dhe mbështetur.

Nga ana tjetër, ka një kategori shqiptarësh që me “president” kanë gjithnjë parasysh kryetarë republikash presidenciale, si presidenti i SHBA ose presidenti francez, edhe pse këtu është fjala më tepër për një ngatërresë të ndjellë nga vetë termi, meqë SHBA dhe Franca janë republika presidenciale, ndërsa jona parlamentare; por kam frikë se e njëjta ngatërresë i ka rrënjët edhe në dëshirën për të parë, më në fund, një burrë të fuqishëm në krye, një dorë të fortë dhe autoritare, që të mos i tutet ligjit.

Për shkak të dukshmërisë në mass mediat, presidenti amerikan imponohet më shumë se kushdo tjetër si model i autoritetit jomonarkik, ndonëse kultura amerikane pop presidentin vazhdon ta përfytyrojë sikur të ishte monark pa kurorë dhe jo vetëm në ditën e inaugurimit; mjaft të mbahet parasysh me ç’vëmendje privilegjiuese ia ndjekin mediat familjen e veçanërisht bashkëshorten. Tani vonë të njëjtat histori e bëma të denja për revista floktoresh po përcillen edhe për Zonjën e Parë të Francës, thuase e kaluara e saj nga një blic në tjetrin do t’ia shtojë një përmasë estetike madje dramatike politikës franceze.

Mirëpo në republikat parlamentare të Europës, kushtetutat u kërkojnë presidentëve zotime dhe përpjekje të tjera, më pak të dukshme për publikun, por ndoshta tepër të rëndësishme për funksionimin e institucioneve. Që presidentët shqiptarë ndonjëherë perceptohen madje edhe kritikohen, gabimisht, si të dobët, kjo kryesisht vjen ngaqë kultura politike në Shqipëri instinktivisht ende e kërkon autoritetin të mishëruar në një burrë prej mishi dhe gjaku, pa u mjaftuar dot me autoritetin suprem të ligjit.

Megjithatë, jeta politike parlamentare në Shqipëri mbetet aq e polarizuar, dhe palët kundërshtare aq të groposura në pozicionet e tyre, sa roli i Presidentit edhe pse ndonjëherë i padukshëm, është vendimtar për funksionimin e shtetit; në një kohë që imitimi prej mass mediave i zakonit amerikan e tashmë francez për ta trajtuar e mikluar familjen presidenciale si të ishte familje mbretërore e një mbretërie fantazmë brenda republikës shqiptare nuk i shërbejnë askujt dhe asgjëje, ndoshta përveç banalizimit të politikës.

Për t’u kthyer tani tek inaugurimi i Obamës, ndoshta do të ishte më kuptimplotë sikur presidentët amerikanë dhe në botën mbarë të kremtoheshin jo në momentin kur u dorëzohet detyra, por kur gatiten ta lënë. Jam kureshtar të dija sa dinjitarë të lartë, politikanë të rinj e të vjetër, liderë komunitetesh fetare, gjeneralë e pashallarë, personalitete televizive, figura të mëdha të artit dhe të kulturës, bosë të industrisë dhe të financës, çmime Nobel në fizikë dhe në kimi, këngëtarë të pop-it e të tjerë si këta do të vinin për t’i dhënë lamtumirën, bie fjala, George W. Bushit.

Ashtu do të vlerësohej vërtet puna, mundimi, përkushtimi, prodhimtaria intelektuale, profili etik dhe dinjiteti i një presidenti – me cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe institucioneve, jo nëpërmjet shpresave dhe ëndrrave në diell. Tolstoj thotë diku se romanet zakonisht përfundojnë me martesën e heroit; edhe pse pikërisht me atë martesë duhej të fillonin. 

 

10 Komente

  1. Presidenti ne demokracite parlamentare eshte mbeturine e ekzekutivit, figure qe rron per hir te se kaluares monarkike, dmth thjesht nje simbol qe buron nga tradita.
    Roli i tij politik eshte kaq delikat, saqe me shume sjell probleme sesa te mira.
    Ky lloj presidenti ka prerogativen antike te kryetarit te shtetit, si kryekomandant i ushtrise, vecse sic deshmon Cercilli, kryekomandantin fare mire mund ta beje edhe kryeministri.
    Prerogativa tjeter, kryetar i keshillit te larte te drejtesise, vjen po nga antikiteti, ku monarku ishte edhe kryegjyqtar(Ali Pashai eshte shembull me i afert) por e dime te gjithe qe mund te beje fare mire edhe pa te.

    Pra i vetmi rol real i ketij lloji te shperfytyruar kryetari shteti, eshte te luaje domino ose spathi me ‘pleqte e Kelcyres’, ashtu si Napolitano ne Itali luan monopoli me nipcet.

    Cdo veprim i ketij presidenti ne fushen e ekzekutivit ka me teper formen e keshillimit sesa te marrjes se pergjegjesive, per cka kujdeset vete kushtetuta, e cila e quan te papergjegjshem per cdo veprim ekzekutiv qe nuk eshte tradhti e larte ndaj Atdheut.

    Kete anomali te ekzekutivit e gjejme vetem ne vende ku mafia bashkepunon me pushtetaret,si Itali, Shqiperi e Greqi e ndonje vend tjeter qe dashuron anomalite e qe aktualisht ndodhet ne demokraci delikate.

    Ndryshe eshte ne France e Amerike apo ne demokracite kancelareske te Austrise e Gjermanise e ne demokracite monarko-kancelareske te mbreterive europiane, qe nga Spanja e Anglia e deri tek Suedia e Danimarka.

    Ky lloj presidenti nuk eshte as mish e as peshk e ndalon zgjedhjen e kreut te ekzekutivit nga populli, pra shkeput ekzekutivin nga burimi i drejteperdrejte i pushtetit, dmth nga populli.
    Zgjedhja e kreut te ekzekutivit nga legjislativi(parlamenti) e ben ekzekutivin te varur nga legjislativi, sepse aty gjen burimin e pushtetit.
    Keshtu parlamenti dmth legjislativi ben kohen e mire e kohen e keqe me ekzekutivin ,si me kryeministrin ashtu edhe me presidentin, me pak fjale ndarja e pushteteve nuk ekziston, meqe nje pushtet varet nga tjetri, dmth ekzekutivi nuk eshte i pavarur por varet nga legjislativi.

    Kjo eshte anomali e dukshme, por qe cuditerisht na shitet si ndarje e pushteteve, sikur masa poshte te mos kete fare ‘cognizione di causa’ , keshtu qe eshte lehtesisht e manipulueshme.
    Masa poshte e di fare mire se atje lart duhet nje i pushtetshem,sepse e njeh fare mire hierarkine natyrore, si e vetmja forme qe jep siguri dhe e di fare mire se oligarkia nuk eshte me e mire se monarkia.

    Pikerisht ky degjenerim i hierarkise natyrore ne demokracite parlamentare, nuk pertypet mire nga masa e cila nuk i njeh degjenerimit kurrfare konsensusi te hapur, por nje konsensus te heshtur mjaft delikat qe varet me shume nga aftesia e degjenerimit te mos shkaktoje probleme te renda.

    Ndarja e pushteteve , pertej retorikes , nenkupton qe pushteti , qe buron nga populli, ndahet ne 3 dege, pra kemi popullin i cili ushqen ne menyre te pavarur 3 dege, duke i garantur keshtu seciles dege pavaresi nga tjetra por varesi nga dhenesi i pushtetit dmth populli.
    Keshtu qe ndarje e pushteteve, nenkupton, zgjedhjen nga populli te parlamentit me votim te pergjithshem, zgjedhjen me votim te drejtperdrejte te kreut te ekzekutivit, dmth presidentit apo kryeministrit dhe zgjedhjen me votim te gjyqesorit dmth gjyqtareve.

    Vetem Amerika ka ndarje ideale te pushteteve, ku asnje pushtet nuk zgjidhet nga nje tjeter.

    Parlamentarizmi nuk lejon as zgjedhjen e kreut te ekzekutivit e as zgjedhjen nga populli te gjyqsorit.
    Legjislativi si i vetmi pushtet qe buron drejtperdrejt nga vota e popullit, behet ndermjetes midis popullit dhe 2 pushteve te tjera, pra kemi film me nje protagonist(legjislativi) ne vend te filmit me 3 protagoniste.

    Ky protagonizem i legjislativit nuk eshte aspak koherent me nevojat e popullit, perhere nevojat e popullit kane treguar nevojen e nje ekzekutivi protagonist ,por qe ne protagonizmin e tij duhet te varet nga ligji e morali.

    Te varet nga ligji, ne kohen e sotme keqkuptohet si te varet nga parlamenti e keshtu ligjerohet anomalia, por te varet nga ligji nenkupton te respektoje ligjin, te cilin nuk e bejne parlamentaret e 4 viteve , por eshte krijuar pergjate tradites ligjore dhjetra apo qindravjecare.
    Ne 4 vjet mund te behen ligje anesore, pra nevoja e parlamentit eshte minimale ne krahasim me nevojen e ekzekutivit, keshtu qe pikerisht nga kjo nevoje i duhet hequr sa me pare legjislativit roli protagonist per t’ja kaluar
    ekzekutivit.

    Nuk eshte aspak anormale qe si ne Shqiperi ashtu edhe ne Itali, kryeministrat Berisha e Berluskoni tallin menderen me parlamentin, sepse parlamenti ka marre persiper prerogativa te cilat nuk i perkasin, jo vetem nga tradita e vendeve por edhe nga teoria e ndarjes se pushteteve.

    Nje gje e fundit, stabiliteti qe garanton ekzekutivi i zgjedhur direkt nga populli, vjen edhe nga fakti qe lojrat politike , si nderrimi i krahur te nje partie te koalicionit qeverises, nuk i sjell krize institucionale vendit e as lejon nje parti te vogel ti beje shantazh kryeministrit per ndonje vend ne qeveri,apo te blihen 4-5 deputete per rrezimin a ngritjen e nje qeverie, sepse ky kryeminister apo president vjen nga populli e jo nga manovrat e uleta politike qe pasqyrohen ne parlament.

    Ne duam vertete ndarjen e pushteteve le te heqim dore nga kjo anomali aktuale, ne duam pastaj te bejme muhabet mbi shqisat e ndjesite shqiptare e pasojat e tyre nese ndarja e pushtetit kalon nga retorika ne praktike, atehere me mire ti heqim dorashkat e te diskutojme mbi shqisat e subkoshencen shqiptare.

  2. Te gjithe jane shqiptare!

    Ceremoniali i Obames, por edhe i figurave te tjera te ngjashme te vendeve te ndryshme, shpreh qarte se nje fare idiolatrie e vulgut per kryet e vendit nuk eshte thjesht cilesi shqiptare apo e popujve ne kushte te ngjashme. Ne fillim edhe une mendoja keshtu, por vitet qe shkojne nuk po ma vertetojne nje gje te tille.

    Ne thelb popujt kane qejf te mbeten te vegjel e te gezojne mbrojtjen e dikujt,kreut, babait. Nga ky rregull, pjese e instinktit te mbijeteses, nuk perjashtohet askush. Prova? Pershkrimi qe i ben xhaxhai rastit amerikan ne ceshtjen Obama.

    Francezet me buzeperveshjen dhe skepticizmin e perjetshem, jane me realiste. Kur Sarkozi i sapo zgjedhur president shkoi ti jape doren popullit, te themi, gjate nje panairi, populli i tha: Mos me zgjat ate dore se me ndyn! Gjetiu e kam te veshtire te pranoj se presidenti mund te shihet se nje qenie inferiore e ne mos semundjengjites.

    Edhe pse ka shume te ngjare te jete e vertete ajo qe thote xhaxhai, pra se imazheria e pergjitheshme e nendergjegjes kombetere te kete lehtesuar ardhje ne fuqi te diktatures koimuniste ne Shqiperi, ndonese vete nuk jam i bindur, shtoj se e njejta gje duhet te thuhet edhe per ardhjen ne fuqi te nazizmit e fashizmit apo regjimeve diktatoriale ne Itali, Gjermani, Spanje, Portugali, te regjimeve korporatiste ne Bullgari, Rumani etj.

    Por ka nje ndryshim, ne veshtrimin tim. Ndersa kurthi ku rane shqiptaret perligjet ne nje fare menyre per shkak te trishtimit qe eshte i pranueshem ne cdo faqe te historise se tij te kaluar, dhe rendja pas nje mirazhi qe ofruan shume mjeshterisht komunistet nuk ndodhi aq kaqolshe, cfare te them une per gjermanet qe shkuan e i dhane votat Hitlerit, nderkohe qe kishin njohur mundesine e egzistences se nje lloj Republike te Weimarit, qe u binden se jane rrace e fisme e per me teper qe ne kete bote ka popuj qe nuk meritojne te qarkullojne mbi toke por nentoke?

    Ceremoniali i Obames, menyra se si u paraqit Fjetja e tij e Mire fetare ne nje hotel lluksoz perballe Shtepise se Bardhe, ne pritje te mesyje brenda ne Jeruzalem nje ore e me pare, po me luan mendsh. Jo me fort per ate qe ben ai se sa per ate qe presin amerikanet prej tij. A ka njeri aty tu shpjegoje konteksin boteror te problemetikes me te cilen po ndeshen? Natyrisht qe ka. Por amarikanet po perthyejne gjunjet e po ulin moshen e tyre me qellim qe te perligjin besimin se megjithate, baba eshte i zoti ta beje zap edhe krizen!

    Ne te vertete shqiptaret priten diçka nga persidenti tyre me 1946, diçka shpresuan edhe tek tjetri me 1992, por prej atehere as prej tij e as prej kryeministrit nuk me duket se po ekzaltohen aq sa te tjeret, pervec perfitimit klanor, qe edhe ky eshte i pranishem kudo ne bote.

    Mbase rritja e vertete e kombeve duhet te matet me aftesine qe kane popujt te matarojne emocionet e tyre dhe te veshtrojne me realisht boten? Pse jo? Po qe keshtu, ka shenja se me ne fund edhe ne po rritemi!

    Atehere? Hiç, amerikanet mund ta kthejne ndonjehere koken edhe nga ne, se nuk jemi aq pisanjose e morracake:-))

  3. Lyss , me De Golin a do e kishin bere valle ? Sarkozi , per mua eshte produkt i dobesise se pergjithshme ideologjike te se djathtes franceze, dobesi qe ka vite qe verehet. E djathte qe kryesohet nga nje bir emigrantesh e me anomali te tjera ,si bashkepunimi i demokristianeve me radikalet (shprehimisht ateiste e ne Itali mbeshtetin shume iniciativa te majta), me centriste qe ngjajne me shume te majte apo me nje grup homoseksualesh etj.

    Kete te djathte une se marr vesh, po ka ndikim ne disa levizje te Finit ne Itali, sidomos persa i perket politikave te emigracionit ( megjithese e tepert, po e them qe pjesa tjeter e se djathtes italiane nuk eshte aspak dakort).

    Sarkozi i degon pershendetje te zjarrta Obames. (?!)
    Berluskoni: Obama è giovane, bello e abbronzato ! ( sikur po komentonte mbi fituesin e konkursit te bukurise ‘Mister America’ )

    Jam dakort tek perfitimi klanor, i pare si produkt i cdo populli, diku me shume e diku me pak, biles nepotizmi ben kerdine ne Itali, ‘i raccomandati’ jane me shume se c’duken.

    Problemi i Shqiperise eshte vete pozita gjeografike, prane Italise e Greqise e perendimi vjen ne nje forme qe perthithet si vazhdueshmeri deri diku besnike e se shkuares e me e keqja nxit edhe elementet degjenerues si mafia brenda shtetit, korrupsioni si zgjidhje problemesh me shtetin, oligarkia parlamentare, debate te pafrytshme politike (ne Itali, e djathta akuzon te majten si komuniste, e majta ja kthen se jane fashiste, keshtu perfundohet qe Berluskoni thote se eshte e pamundur te dialogohet me te majten), evazioni fiskal ( ne Itali 100 miliard euro ne vit i prodhon Mafia e 100 miliard te tjera vijne nga evazioni fiskal i ndermarrjeve private) e me e keqja renia e besimit tek e ardhmja si pasoje e pasigurise per pune te qendrueshme.

    Te gjitha keto probleme, kane nje emerues te perbashket; shtet rrembythje apo ndryshe, ekzekutiv ineficent.

    Pikerisht per kete arsye, mendoj se ekzekutivi duhet fuqizuar e kryeministri ‘kancelar’ duhet te kete mundesi te beje nje pastrim te pergjithshem, pa pyetur shume per demet politike qe mund ti shkaktoje brenda aleances qeverisese, prekja e interesave te partive te vogla te koalicionit.
    Dualizem te paster si pasoje e sistemit mazhoritar, zgjedhje e drejtperdrejte nga populli te kreut te ekzekutivit (kancelarizem ose presidencializem), zgjedhje e gjykatesve nga populli e jo nga prapaskenat politike, keto jane per mendimin tim masa urgjente, ne duam vertet te pastrohet ndryshku qe ka zene ingranazhet e administrates shteterore (drejtesia mbi te gjitha) e te jetes politike.

    Oligarikia parlamentare qe eshte prodhuar keto vite, eshte krejtesisht ineficente, ajo qe eshte ne syte e te gjitheve se parlamentaret vjedhin sa zhdepen, tregon qarte sa thelle i ka futur rrenjet oligarkia ne demokracine tone e arsyeja kryesore pse oligarkia bie eshte pikerisht pafytyresia e grykesise qe paraqet, pasi behet e sigurte ne pushtetin e saj.

    Parlamenti si institucion ligjvenes eshte thuajse i papune, nese nuk i vijne dekretet e ekzekutivit per miratim, pra pikerisht nga kjo pike, duhet kuptuar se shumicen e ligjeve e projekton ekzekutivi, ndersa parlamentit i duhet ti ligjeroje apo me sakte ti perligje.
    Pra parlamenti ka funksion kontrolli, pra duhet pare si kontrollues ligjshmerie i punes se ekzekutivit.
    Ne Shqiperi ne vend qe parlamenti te merret me kontrollin e
    ligjshmerise se punes se ekzekutivit, merret me prodhimin e politikes, prapaskena per nje vend ministror, per gjykatesit, per presidentin, merret me cupen e Berishes e me te Sabri Godos, akuza te kota politike qe smbarojne me retorike te peshtire ku dallohen demagoget partiake e me the e te thashe, skandale nga me te ndryshmet.

    Parlamenti trashegon mbledhjen e parise aristokratike se dikurshme e ashtu si atehere qellimi i tyre kryesor ishte te merrnin sa me shume fuqi ekzekutive ashtu edhe sot qellimi i parlamentit eshte perfitimi i fuqise ekzkutive, te cilen ne ja kemi lejuar me kushtetute e ashtu si aristokrati i dikurshem qe kontrollonte adiministraten e nje zone te shtetit edhe sot shume nga deputetet sillen ne qytete a krahina te ndryshme ku jane zgjedhur si te plotfuqishem.
    Kjo eshte ne kundershti te plote jo vetem me parimet demokratike por me vete mbarevajtjen e puneve te shtetit si dhe eshte arsyeja kryesore e dobesise se shtetit.

  4. Hyllin, analiza tende eshte e drejte me kusht qe tema e radhes se xhaxhait te ishte edhe ajo nje veshtrim i gjendjes politike. Po ka nje ndryshim, tema nuk eshte thjesht aktualiteti politik dhe perthyerjet e tij ne vende te ndryshme, sipas sistemit kushtetues qe kane.

    Me sa kuptoj une eshte fjala per nje veshytrim sociologjik per te kuptuar sjelljen e popujve te ndryshem ne raport me kreun, pushtetin.

    Qe kur greket gjeten mekanizmat e demokracise, jane krjuar e poropozuar versione te shume llojeshme qe synonin te rrisnin cilesine e saj… por prej dy mije e peseqindvjetesh nuk me duket se ka ndryshuar veshtrimi i popujve ndaj zoteruesit te pushtetit,qe here e identifikon me baben e here me kryetarin e fisit, nga i cili drejtonin syte me mallengjim, qe ai tu hidhte nje cope me temadhe se te tjeret, nga mishi i qenit te fisit armik qe sapo kishin vrare. Ose qe ai di nje sekret per te na i mbushur qilaret me pasterma, mu ne te dale te dimrit.

    Une shpreha habine, qe diçka te tille po e shoh edhe me amerikanet, por me e drejte do te ishte te habitesha me habitjen time….

  5. Fillimi perben inagurimin e shpreses se premtuar te vazos dyperberese m&m.Siper qendron shtresa e mjaltit.Poshte saj,fundi i saj,realiteti i hidhur pas endres se bukur se shtreses se siperme shpresmjalte.Prandaj ne fund,xha xhai, nuk ka inagurim,sepse nuk ka cfare te shkruhet ne statujen e gurte te presidentit te llojit amerikan ose te kryeministrit te tjeterllojit europian.Shumica kur behet nje ngushtohet shume,aq sa humbet.

  6. Lyss e kuptoj cdo te thuash, vecse xha xhai e ka vene tek kategoria ‘politike’ (presidenti) e jo tek kategoria ‘sociologji’.
    Ky eshte ne fakt argument i mirefillte socio-politik, as tipik sociologjik e as tipik politik.

    Nga pikepamja sociologjike jam shrehur se hierarkia natyrore shfaqet mjaft mire tek ekzekutivi i forte, tek piramida e tij, ku maja e dobet, shkalafit gjithe piramiden.
    Pas ketij parimi sociologjik vijon arsyetimi politik.

    Kjo mund te vihet re edhe ne familjet numerike. Nese aty mungon kryefamiljari apo vendimet e tij kundershtohen shpesh nga anetare te tjere te familjes, atehere ajo familje nuk shfaq jashte kurrfare force, por merret si shembull negativ i familjes ku ka gjithmone sherr, si pasoje e nje kryefamiljari te dobet, autoriteti i te cilit nuk njihet, per shume arsye, nje nga te cilat eshte paaftesia e tij te punoje per te miren e familjes, nje tjeter emotiviteti i tepruar apo edhe karakteri i dobet.

    Pra hierarkia fillon qe ne familje, pasqyrohet ne fis, pasqyrohet ne cdo aktivitet njerezor (perfshire cdo pune) e pastaj ne komb a shtet.

    Demokracia nuk ka pse te luftoje autoritetin e kreut te ekzekutivit, sepse demokracia supozon nje kryetar ekzekutivi te afte e aq te pushtetshem sa te jete ne gjendje te marre masa urgjente, nese dicka nuk shkon, prandaj edhe ne demokraci kreu i ekzekutivit, ka te drejten e ‘dekret-ligjit’, ka te drejten te komandoje ushtrine(rast emergjence) apo si kryegjyqtar (kjo kujton pushtetin ‘gjyqesor’ te kryefamiljarit qe ndeshkon apo fal fajet e nje anetari te familjes).

    Perikliu sundoi 30 vjet ne Athinen e lashte e nuk eshte se e mbajti me dhune, perkundrazi, demosi pa nje njeri te afte, te pergatitur, te forte, shpirtmadh, inteligjent e karizmatik, te cilit i dha te drejten qe femija instiktivisht i njeh babait.
    Platoni e quante Perikliun mbret pa kurore i zgjedhur nga populli.

    Mendoj se ne ku ta gjejme nje individ te tille, keta individe historia nje populli ia jep me kursim, perndryshe ky popull behet shume i fuqishem e prish ekuilibrin natyror.

    Pushteti eshte semundje e cila kap shumicen derrmuese te njerezve e ky pushtet te kontrollon, njesoj si ‘unaza e Frodos’ dhe drejton shumicen derrmuese te veprimeve.

    Nje individ qe nuk e sheh pushtetin si qellim ne vetvete, por si mjet dhe kur e arrin pushtetin, nuk semuret, ky eshte per tu mbajtur e ruajtur me perkedheli.
    Nuk me intereson fare biles, as politika e as parlamenti nese Zoti me garanton se gjate gjithe jetes time do sundohem nga individe te tille.

    Meqe Zoti nuk ma garanton dot, atehere i futem edhe une punes se lodhshme e te pafrytshme te shquarjes se dikujt qe ben zap pushtetin e nuk behet zap prej tij.
    Sala psh, ka shfaqur perhere dashuri morboze per pushtetin, e nese ti dashuron me pasion dike apo dicka, nuk je ti qe e kontrollon dikushin apo dickane, por dikushi apo dickaja te sjell verdalle sipas qejfit.

    Sala absolutisht nuk duhet te kete pushtet.
    Rama qe do fitoje kesaj radhe, shfaq edhe ai, dashuri morboze per pushtetin (mjaft te shohim sjelljen partiake, qe nuk eshte autoritarizem por diktature) prandaj as Rama nuk eshte parimisht ‘I zgjedhuri’ qe duhet pas ketyre 17 vjet bordellizimi total te cdo aktiviteti publik.

    Parlamenti ka lindur si rival i monarkut, jo vetem si rival legjislativ, por edhe rival ekzekutiv, te kujtoj ‘frondat’ e famshme franceze ne mes te shek 17.

    Kur Amerika beri ndarjen e pushteteve e kishte te qarte kete pasion te parlamentit per pushtetin ekzekutiv,pasion qe eshte ne natyren e parlamentit e qe shfaqet ne menyre indirekte, prandaj
    dhe Amerika ka formen e qeverisjes qe ka, dmth parlamenti
    nuk ka pike fuqie ekzekutive(indirekte) sepse Presidenti i thyen koken.

    Nderkaq ne, e kemi bere te vetmin pushtet te legjitimuar drejtperdrejt nga populli, e leme te zgjedhe kreun e ekzekutivit, te zgjedhe nje pjese te gjyqtareve (direkt apo indirekt) , te rrezoje ekzekutivin sa here ti teket e anomali te tjera.
    Ne kete pike ekzekutivit i duhet te kontrolloje parlamentin per ti garantuar jeten vetvetes, opozita e kthen parlamentin ne bordello sa here ti vije rasti, partitokracia behet e paevitueshme dhe vete jeta politike fillon e ngercet e ndryshket, duke e bere popullin apatik ndaj saj.

    Pastaj del dikush e akuzon popullin si te papergjegjshem sepse eshte bere apatik, kur jemi ne krize e eshte e domosdoshme nderhyrja(apo zeri) e popullit, ngrihet nje shoqate e rene nga vafti si Mjafti me parullen ‘Une votoj’ apo Rama qe flet per nje politike ‘Pertej te majtes e se djathtes’.

    Ndarja reale e pushtetit eshte ajo qe stimulon masat ne raste krizash si kjo e jona, te behen aktive, apatia eshte produkt i partitokracise parlamentare, apo oligarkise parlamentare apo formes tjeter te korruptuar, diktatura apo tirania.

  7. Neser eshte dita e ardhje se Obames ne pushtet.
    Me aftesine e pakufi per optimizem hollivudian, me te cilet amerikanet jane ne gjendje ta frymezojne veten fare lehte e kollaj, cudia eshte qe asnje forme e shtypit amerikan nuk e ndjen veten te denje per lartesira curcilliane e te deklaronte, ne mos tjeter, vetem per hir te historise, se …” kurre me pare ne historine e njerezimit kaq shume njerezi te jene ndjere kaq borxhli ndaj nje njeriu te vetem…”.

    Kete levizje ne kreshendo, e cila qe prej nje viti, pak nga pak eshte shtrire ne te gjithe boten, neser e kurorezojne me venien ne krye te shoqerise qe eshte perfaqesuesja me e plote e qyteterimit perendimor, te nje afro-amerikani, i cili eshte bere simbol i nje dickaje qe shume veta e enderrojne, e mendojne, e kerkojne dhe e deshirojne, simbas pasioneve te tyre, por asnje nuk e di dot se cfare forme do te kete ajo. Obama, le te shpresohet se me vetedije te plote, ka pranuar te behet kjo dicka, per gjithshka dhe per gjithke. Pra me perpjekjen si nga ana e kultures popullore (njerezit me hallet e tyre te perditshme ) ashtu edhe asaj me te sofistikuar ( interesat e ndryshme economike, ideologjike, politike, sociale e kulturore) Obames po i vihet mbi shpatulla nje mantel i madh i cili ka nevoje per forcen e nje mbinjeriu per tu mbajtur mbi supe. Ky mbinjeri, duhet te jete i ditur si nje perendi, duhet te jete i shenjte si nje perendi, duhet te jete i forte si nje perendi, dhe i drejte si nje perendi. Pervecse ne imagjinaten e njerezve, historia ka treguar se nje njeri i tille nuk ekziston. Edhe atehere kur ai i eshte ofruar permbushjes se letyre kushteve, ai perhere ka rene pre e vetvehtes. Prandaj dhe Aristoteli arrinte ne perfundimin se kush komandohet nga ligji komandohet nga zoti dhe nga arsyeja dhe se kush komandohet nga njeriu, zere se komandohet nga kafsha. Ligji, simbas tij, eshte “Arsye e cveshur nga cdo pasjoni”.

    Qe qyteterimi me i avancuar i botes se sotem, si nga ana shpirterore, ashtu edhe materiale, te arrije ne kete pike, sa te kete nevoje per nje hajmali, qofte ajo edhe ne formen e nje njeriu me lekure te zeze, dukes shpresuar se do ia zgjidhe keshtu te gjitha hallet dhe shqetesimet e veta, ne opinionin tim, ky eshte nje paradoks ekzistencial i vete menyres te qenit te kesaj shoqerie. Dhe nese kjo gjendje eshte me shume se sa nje periudhe kalimtare dhe eksperimentuese, atehere, kjo shoqeri i ka hapur deren dhe eshte ne prag ndryshimesh fondamentale, si rezultat i te cilave vlera e atyre cka ne kemi pranuar , njohur dhe mesuar gjithe jeten tone, do te duhet te vertetohet perseri.

    Ndryshimet e reja nuk behen me njerez te vjeter, tha…

  8. idashur, cfare thone kur te del para nje mace e zeze ? Ka pasur nga ata qe mbanin mace te zeze, me shpresen se nuk do i kapte syri i keq.
    Amerikanet me duket se po luajne rolin e atyre qe mbanin macen e zeze.

    Nje profesor rus kishte bere fallxhoren e lagjes para ca kohesh e kish thene se Amerika do shperbehet si pasoje e shume faktoreve, nje nga te cilet ishte zgjenjimi i thelle qe do shkaktonte Obama.

    Nje rast njihet kur nje individ i vetem ka mbajtur kupen qiellore mbi supe per shume kohe, Atlanti i shkrete, vecse ai ishte Titan e jo kenian. Herkuli qe ishte gjysemnjerezor e mbajti per pak kohe po edhe pse nuk e thone me siguri ka pasur probleme me shtyllen kurrizore.
    Obama sta mbush as mendjen, se te ishte Arnoldi, eh edhe mund ta kisha besuar.

    Produkti me i keq i populizmit eshte se thesi me genjeshtra qe ke hapur, nuk mbyllet me e ne disa raste zere se ke hapur pakon e Pandores (shpresoj mos te jete ky rasti).
    Genjeshtra do mbuloje genjeshtren, aparati propogandistik behet jetik per mbajtjen e pushtetit e vijon lehte ne autoritarizem.
    Ne kohe e vende te tjera, Obama per nga thesi me genjeshtra qe ka hapur dhe popullariteti qe ka do ish bere diktator nga halli. Kam pershtypjen se do kete perdorur ne fushate ndonje model (apo elemente) populizmi te Amerikes latine, se atje behet kerdia me populizmin.

    Ne ndryshim nga ti mendoj se jane dyshimet mbi moralin e etiken qe populli amerikan ka perftuar 2 dekadat e fundit, qe kane tronditur rende financat shpirterore , duke bere te mundur mbajtjen ne shtepi te maces se zeze.

    Obama me vlerat demokratiko-humaniste ka luajtur ping-ping me popullin amerikan gjate gjithe fushates e biles edhe pardje ne mos gaboj, kur i beri nje te rruar e qethur atyre vlerave me aftesine e beberit qe ka nje jete qe ushtron ate mjeshteri te nderuar.

    Amerika ne subkoshencen e saj ka dy vecori qe bien ne kundershti me njera- tjetren e ne pamje te pare mund te duken paradoksale, izolimi dhe imperializmi.
    Por nuk jane paradoksale, jane plotesuese te njera-tjetres e fomojne nje te tere.

    Amerika eshte krijuar kryesisht nga kristianet e perndjekur ne Europe, keshtu ne ADN perftoi idene se nga jashte do i vije e keqja, pasi ata jashte na duan te keqen, jane erresira, ndersa ne jemi drita dhe e ardhmja.
    Kete bindje e kane edhe sot, sidomos qe jane drita dhe e ardhmja.

    Kjo ide polli, ne radhe te pare izolimin , dmth ne rrime per hesap tone, shikojme punet tona, ata jashte dine vetem te vriten, mentalitet qe sundoi sidomos nga 1920- 1940, e padyshim gjate periudhes koloniale e fillimit te pavaresise kur nga brenda ishte si kembet e dhise, e percare e kur cdo shtet donte pavaresine. Kjo mund te shihet si egoizmi amerikan.

    Po kjo ide, ngaqe lindi edhe ne lufte me indianet e Amerikes, polli edhe imperializmin.
    Ne jemi drita keta jane erresira e ne kemi detyre nga zoti qe ti ndricojme e te perhapim demokracine e civilizimin.
    Ky eshte altruizmi amerikan.
    Ne ju bejme lufte per tju ndihmuar te kuptoni se e keni gabim, sepse ngaqe keni syte e mbyllur nga erresira, nuk shihni driten qe ne perhapim.
    Po ashtu, toka e perendise nuk duhet te rrije ne duart e paganeve indiane (apo islamikeve barbare) por te punohet qe populli i perendise te shumohet e zhvillohet sipas mesimeve te Zotit.
    Ky konceptim ne fakt beri edhe bashkimin e 13 shteteve pas pavaresise, ne periudhen e veshtire nga 1783-1789.

    Perhere, me saktesine e ores zviceriane, pas cdo epoke imperializmi, amerikanet kane perftuar krize shpirterore si pasoje e ndjenjes se fajit, kur vinin lajme te vdekurisht civile, indiane, gjermane, vietnameze apo sot irakene e perhere i jane vene kunder ketij instikti amerikan , ngaqe i vriste ndjenja e fajit e kane bere protesta masive, ku parrulla me e shkelqyer ngelet ‘Make love, not war’.
    Biles edhe bomba atomike ka shkaktuar ne shume persona ndjenje faji ( po te kishin me shume vite mbi shpatulla si popull nuk do e kishin hedhur kurre mbi civilet).

    E njejta gje ndodh pas izolimit, Amerika me hov te madh hidhet ne sulm per te perhapur driten ne gjithe boten, qe kjo bote e madhe te hape syte e te shikoje madheshtine e shkelqimit amerikan.
    Hollivudi eshte specializuar tash e sa kohe si mjet propagande i mitit ‘nation’krijues amerikan.

    Mendoj se keto 2 dekada pas mposhtjes se Rusise, lufterave ne gjirin persik 1991 e 2003, ne bosnje, kosove, afganistan e kane lodhur imperializmin amerikan, sidomos sepse si perfundim ne vend te kene perfitime, paten cmimin e naftes ne qiell e krizen financiare te pashembullt.
    Edhe une te isha Amerikan i thjeshte do pyesja; ore cme duhet mua lufta me shpenzime te medha (qe ne fakt eshte ankim pse nuk sjell fitime) ne filifistun kur ketu kam krize.

    Pra Obama lozi poker me nje flosh imperial ne dore, kish deshiren per izolim, ndjenjen e fajit ndaj zezakeve, integrimin e minorancave, ekonomine ne krize dhe vlera humaniste per tu dhene prerjen e krehjen e duhur.

    Fitoi dhe thelle, vecse e ekzagjeroi me genjeshtra , hapi nje thes qe edhe te mos e hapte do kish fituar, sigurisht me ngushte se zezaket ne tavolinen e pokerit ne ca zona nuk u lejohet te luajne, e sikur te mos mjaftonte zezak komunist e pacifist.

    Tani te presim, po une shikoj nje presidence te veshtire me shume te zhgenjyer, pacifistet in primis.

  9. Pak jashtë teme, por ja edhe një provë se në çfarë farse është katandisur parlamentarizmi në Shqipëri:

    Pas një mungese gjashtëmujore, ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, ka zgjedhur pikërisht çeljen e sesionit të ri parlamentar, për të bërë ndoshta “xhiron” e fundit nga salla e Parlamentit, para se ta mbyllë këtë mandat deputeti. […] Ish-kryetari i PS-së dhe ish-kryeministri Fatos Nano, deputet i zgjedhur në zonën e Sarandës, është deputeti i cili ka numrin më të madh të mungesave në sallën e Kuvendit. Nano vjen çdo gjashtë muaj në seancë, duke mos rrezikuar kështu mangësinë e djegies së mandatit të tij. Sepse, rregullorja e Kuvendit e përcakton mjaft qartë, nëse një deputet mungon më shumë se gjashtë muaj pa arsye në sallën e Kuvendit, ditën që kalon ky afat mandati i tij digjet. Por, deputeti Nano deri më tani nuk e ka rrezikuar një gjë të tillë, pasi gjithmonë në limitet e fundit të afatit gjashtëmujor ai është paraqitur për pesë, ose dhjetë minuta në sallën e Kuvendit. Pjesëmarrja e djeshme në seancën parlamentare i krijon mundësinë atij që ta mbajë edhe për gjashtë muaj mandatin e deputetit.

    Marrë nga gazeta “Shqip”

  10. Më e pakta qe mund t’i ndodhte te “nderuarit” deputet, do të kishte qenë ndërprerja e pagës mujore, pasojë e thyerjes së disiplinë në…..PUNE. Por,jo, as kjo nuk ndodh. Kontrata e “pazarit” duhet të respektohet nga palët!
    A, loja ka rregulla, të forta madje..!
    Si i thonë kesaj?? Ah, po, parlamentarizëm, alla shqiptar.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin