PARALAJMERIMI

Qëkur mësoi abetaren, Pëllumb T. e bëri zakon të lexonte, shkronjë pas shkronje, mbishkrimet e kudogjendura në vagonët e trenave të korridorit Tiranë-Durrës, sa herë shoqëronte të jëmën, në vizitat e shpeshta që kjo ia bënte familjes në qytetin bregdetar. Nicht hinauslehnen.

Ende fëmijë, Pëllumb T. nuk shpresonte që nga bashkimi i shkronjave të formoheshin medoemos fjalë të kuptimshme, meqë leximi e dëfrente në vetvete, aq më tepër që, po ta kryente me zë, do të merrte gjithnjë lëvdata prej të rriturve. Não te debruces da janela.

Disa prej mbishkrimeve i kishte mësuar tashmë përmendësh, dhe i përsëriste, ndonjëherë me zë të lartë e të çjerrë, në shtëpi, në kopsht, në rrugë, në park, natën në gjumë. Të shqetësuar nga ky obsesion kaq i hershëm, prindët ishin këshilluar me Sheli C., pediatre e njohur; por kjo nuk i kishte dhënë ndonjë rëndësi. Lëreni fëmijën të rritet siç dëshiron, u kishte thënë. Niet naar buiten hangen.

I armatosur me një laps të trashë të zi, nga ata që përdor shërbimi postar, Pëllumb T. filloi të mbulojë me shkronja muret e shtëpisë së vet. Det är livsfarligt att luta sig ut. Me durim i kishin shpjeguar që këto ishin fraza në gjuhë të huaj, të cilat u kujtonin udhëtarëve se nuk duhej të nxirrnin kokën dhe trupin jashtë dritares kur treni ishte duke lëvizur. Pëllumb T. kishte pyetur, me atë rast, se ku ishin këta të huaj, të cilëve u flisnin mbishkrimet, meqë ai nuk kishte parë kurrë të huaj në trenat, me përjashtim të arixhinjve.

Kishte kërkuar edhe që të takohej me ndonjë nga këta të huaj, mundësisht kur ishte duke udhëtuar me tren, për të biseduar shtruar për mbishkrimet. Ç’kuptim kishte që të përdoreshin kaq shumë mbishkrime për të huajt, ndërsa për shqiptarët asnjë? Apo vallë shqiptarëve u lejohej ta nxirrnin kokën përjashta? Es peligroso asomarse al exterior.

I thanë që ai mund të përgatiste disa mbishkrime shqip me forcat e veta, të cilat do t’i vendosnin pastaj me ngjitëse në dritaret e trenit, sa herë që t’u qëllonte të udhëtonin. Pëllumb T. e mori këtë sugjerim seriozisht, dhe kaloi ditë të tëra duke zhgarravitur mbi copra të vogla kartoni.

I thanë edhe që, për t’i vendosur mbishkrimet e reja në vagona, duhej marrë leje në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave. Pëllumb T. e përfytyroi këtë Drejtori si një muzeum të magjishëm, që i kishte muret të stolisura me gjithfarë fjalësh, lidhur mes tyre në mënyra nga më të çuditshmet – me shkronja të reja, të panjohura, të alfabeteve enigmatike të vendeve të largëta.

Ndërkohë një kushëri i largët ia mësoi si të shqiptonte saktë Ne pas se pencher au déhors, dhe Pëllumb T. e përsëriti atë frazë derisa mbeti pa frymë, u zbeh dhe buza iu bë mavi. Të alarmuar, prindët thirrën një ambulancë, e çuan në spital; mjeku vendosi që ta mbajë të shtruar për një natë, sa për siguri.

E çuan për të fjetur në një dhomë të vogël, me vizatime fëmijësh në muret dhe arinj të fëlliqtë prej pelushi në dysheme; Pëllumb T. kërkoi me sy për ndonjë mbishkrim, por nuk gjeti dot; e zuri gjumi pastaj, një gjumë i keq, me ëndrra të thyera në mijëra gastare. Do not lean out. E jëma ishte shtrirë për t’u shplodhur në krevatin e ngushtë përbri, por si pa e kuptuar ishte përgjumur edhe ajo, e rraskapitur.

Pastaj një tren mallrash kaloi diku tutje afër vijës së horizontit, dhe Pëllumb T. u zgjua pikërisht në kohë për të dëgjuar vërshëllimën e shqetësuar të lokomotivës; ose ishte vërshëllima e ajrit përmes buzëve gjysmë të hapura të së jëmës që e zgjoi – kjo nuk do të merrej vesh kurrë.

U ngrit si në jerm, duke ecur zbathur në dhomën krejt të panjohur, iu afrua dritares së veshur me avull dhe e hapi tejendanë, për të parë më mirë qytetin që shtrihej poshtë me xixëllima. Ajri nga jashtë vërshoi i freskët, plot sugjerime të kthjellëta, fjalë të kaltra të thella, por të kuptueshme. È pericoloso sporgersi.

3 Komente

  1. Një tjetër perlë letrare e zotit Gjerazi! Kush ka udhëtuar në trenat shqiptarë e kupton mirë se përse bëhet fjalë.
    Autori shquhet për mprehtësinë e vëzhgimit [“lapsi i trashë i zi i shërbimit postar”], si dhe rrjedhshmërinë e penës.
    Sprova duket e pafajshme si foshnja, por në të vërtetë ngre probleme të rëndësishme.
    Po të bredhësh edhe sot në Shqipëri, e gjen atdheun të mbushur me fjalë, ndërtime e togfjalësha të huaja, që nuk janë të domosdoshme në shqipen.
    C-ja e AlbTelecom-it – që të gjithë e lexojnë K, apo togfjalëshi Top Channel të vijnë njëherazi në mendje.
    Pa përmendur baret, restorantet e ndërmarrjet e panumërta me emra kumbues dhe të pakuptimtë, mundësisht amerikanë.
    Nëntema me arixhinjtë apo “egjiptianët” e sotëm, gjendja e spitaleve, përdorimi i fjalës së harruar “gastare”, si dhe ndërfutja në tekst e shprehjes “mos u varni nga dritarja”, nuk të bëjnë veç të presësh për të tjera nostalgji të arrira nga z. Gjerazi.
    Dhe së fundi, në vijim të aventurës së Pëllumb T.-së, ndofta mund të përmendnim edhe thashethemnajën e përhapur asokohe në korridorin hekurudhor Tiranë-Durrës se ato trenat evropianë me fraza në gjuhë ca të kuptueshme dhe shumica të pakuptueshme – ndryshe nga kinezët – i ishin shitur lirë shtetit shqiptare edhe pse ishin jashtë standardeve evropiane për arësye të pranisë së azbestit në to…

  2. ‘E pericoloso sporgersi’,nje prodhim Franko-Rumun.Fillon me shinat hekurudhore,ne mes barishteve gjysem te thara.Paranoja komuniste,do te humorizohet qysh ne fillim,kur komandanti i nje skuadre ushtarake qe stervitej ne lendinen djerre,aty prane,do te nderonte ushtarakisht,me doren e ngritur anes temthave,kalimin e trenit te vjeter te udhetareve.Kjo pershendetje ushtarake do te shendrohej me nje pershendetje normale njerezore,kur ai do te shikonte nje vajze ne dritaret e vagonit te fundit.Dhe me tej nje mesuese qe i jep nje problem nxeneses me “a moteur a excitation-derivation=un motor ku ekçitajcije derivacije” mes te qeshurave te perseritura te nxensve..
    Neorealizmi eshte pozitiv ne etapen e pare te rindertimit te nje shoqerie..

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin