EXCELSIOR

Pas infarktit të dytë, mjekët filluan t’ia ndalojnë Diktatorit disa gjëra, mes të cilave edhe të ngjiturit e shkallëve, të bindur se zemra e tij e uritur për oksigjen tashmë nuk do t’i funksiononte dot si më parë dhe mund të ngjante ndonjë aksident sa i padëshirueshëm për kombin, aq edhe i evitueshëm e i parandalueshëm.

Diktatori, që në të ri i ishte përkushtuar seriozisht alpinizmit, madje kishte pushtuar disa nga majat më të larta e legjendare të Alpeve të Zvicrës, nuk e mirëpriti vendimin e mjekëve, edhe pse sëmundja ia kishte ripërtërirë tani frikën ndaj vdekjes, e cila po i shfaqej si pafuqi e mushkërive për t’u mbushur me ajër, ose në ëndrra, si dihatje poshtëruese e myezinit plak, të kapur në kërmillin e shkallëve të një minareje të bardhë të përtejme.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Shtetit debati u shtjellua i ashpër dhe të gjithë anëtarët njëzëri votuan për të pajisur me ashensorë urgjentisht të gjitha institucionet kryesore të Republikës, shtëpitë e pritjes dhe rezidencat private që frekuentonte diktatori; me ç’rast u krijua edhe një grup pune ad hoc që do të mbikëqyrte blerjen, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e këtyre ashensorëve anembanë vendit.

Siç pritej, Diktatori i prekur në sedër e kundërshtoi këtë propozim në krye, duke përmendur koston e lartë të materialit dhe të fuqisë punëtore të kualifikuar, por i vënë përballë fakteve kokëforta u detyrua t’u lëshonte pé kolegëve në Këshill dhe të pranonte se, tek e fundit, shëndeti i tij mbetej çështje me rëndësi kombëtare, e mbrojtur me ligj; aq më tepër që ashensorët, pasi të viheshin në punë, mund të shfrytëzoheshin edhe për të transportuar drejt lartësive kuadro të tjera të larta të shtetit dhe të institucioneve, të goditura mizorisht nga mosha ose të konsumuara nga stresi i pashembëllt në detyrë.

Megjithatë, këmbënguli që të thirrej në mbledhje njëri prej fizioterapeutëve që kishin nënshkruar ekspert-raportin e shkallëve, për ta pyetur nëse i lejohej, së paku, që t’i zbriste shkallët vetë, për çka mjeku u gjend i papërgatitur dhe u përgjigj se mundej, meqë zbritja vërtet mobilizon muskuj të rëndësishëm të gjymtyrëve, por jo miokardin si të tillë. Veçanërisht i kënaqur nga kjo përgjigje, Diktatori i kërkoi formalisht Këshillit të Shtetit që ashensorët, nëse duheshin instaluar vërtet, të programoheshin për ta zhvendosur udhëheqjen e Shtetit nga poshtë lart, jo nga lart poshtë.

Diktatori vdiq pak kohë më pas i mbytur nga një copë e vogël bakllavaje që i shkoi ligsht, pa arritur dot të gëzonte asnjë prej 242 ashensorëve të ndërtuar, me vendim të Këshillit të Shtetit, anembanë vendit; të pasurit e një ashensori të tillë dhe mundësia për t’u mburrur me të e për t’ua treguar mysafirëve të shquar nga brenda e jashtë shtetit vlente tani si shenjë e vyer prestigji dhe statusi për këdo institucion, shtëpi pritjeje ose rezidencë private; prandaj askush nuk guxoi të kërkonte pezullimin e ndërtimeve ose çmontimin e aparaturave dhe të infrastrukturës.

Kompania çekosllovake, që projektoi dhe ndërtoi, në kohë rekord dhe me porosi të posaçme, 242 ashensorë qeveritarë të programuar për transportim pasagjerësh ekskluzivisht nga poshtë lart, mbahet në këmbë sot e kësaj dite me porosi që i vijnë për pjesë këmbimi të atyre ashensorëve dhe shërbime të tjera teknike sa delikate aq edhe të nevojshme.

3 Komente

  1. “Kompania çekosllovake, që projektoi dhe ndërtoi, në kohë rekord dhe me porosi të posaçme, 242 ashensorë qeveritarë të programuar për transportim pasagjerësh ekskluzivisht nga poshtë lart, mbahet në këmbë sot e kësaj dite me porosi që i vijnë për pjesë këmbimi të atyre ashensorëve dhe shërbime të tjera teknike sa delikate aq edhe të nevojshme.”

    E thelle kjo:)! D.m.th, ata lart, i kemi peshqesh nga ashensoret sllave, eeeeee?! Dhe do na rrine lart, se s’ka mjet ti zbrese poshte, eeeeee?! Dhe ajo Kompania vijon te ofroje sherbime teknike dhe delikate ne Shqiperi, eeeeeeee?!

  2. Po e nis me nje shkrim shume t’vjeter,t shkruajtur dikur ne nji gur ne maj t’nji mali te quajtur mendohet, “dite”.Une personalisht nuk jam vetem i bindur per “e” e fundit.Eshte ajo “e” apo “ë”.Asnjehere nuk me kane pelqyer si te tjeret e kane zberthyer dhe dhene kuptuar.Ajo na diktohet prej të tjereve si “wo-ro-de-wi-jo-jo me-no di-ka-ta-jo di-we”=Ne muajin e trendafilave,(dhurate) Zeusit Diteoi/.Ku qendron gabimi i diktatit?.Eshte shume i thjesht.Ne te katit te poshtem,ose te rrezes se malit “dite”(Çamerisht-e dite=Une e di),e cila per mua del“Ne varr te ve e mendo ti ke ata o didhe”.Nuk ka diktat,nuk ka Zeus,nuk ka Diteoj,nuk ka trendafila,nuk ka muaj.por le nje dyshim sepse mund te jete “vorro” por mund te jete dhe “dhoro”.Nese kemi nje mundsi te dyte do te ishte “Dhurate te dhijoj e mendo ti ke ata o didhe”.Pra kemi nje “di” e cila behet “diktat”,e cila behet “dio” e cila behet .Kemi nje “dhe”e cila merr “di” e “di”-tet brenda vetes.
    Ateher,kemi nje kat te fundit gjithmone,i cili eshte kati i vdekjes.Ecim ne nje tendece nga lart poshte.Poshte eshte dheu,lart eshte “diktati”.Ky diktat fillon kur sa ne kuptojme boten prej prinderve,me vone prej shkolles,e me vone prej shoqerise,lekut,punes,gruas…ku kemi nje liste te gjate te pafundme.Pra kemi nje gabim konstant,perserites dhe neutralizues i cili prodhon diktatore njejes e shumes,por qe ne fund kthehen pakuptimerisht ne dhe.Mbi dhe ne vendosim trendafila,dhurata.Nen dhe ne vendosnim ar,argjent.Lart trendafilat vyshkeshin,gje qe ne e dinimin sepse ashtu eshte jeta.Posht ari,argjenti nuk ndryshonin,gje qe ne deshirojme,sepse pafundesisht diktat kerkojme.

  3. Ishallah, nuk do vazhdoje te ndodhe keshtu,PNH!!! Se duan te thone qe, ceket, ata te vetet qe iu ndynin vendin ku shkelnin,qe me 1992, i paskan bo “dalje” me ligje..te forta (si do Zot, ky qe do dekretoje Presid. yne, se shpejti)!
    Por, mos, valle i kane bo dalje andej per t’i transferu
    “hyrje permanente”, tek ne, kendej…!!?? Bir,nona vet, tha!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin