SHQIPJA E DRUNJTE (IX)

 

Ndajfoljet janë pjesë delikate e ligjëratës, meqë duan të sillen me foljet siç sillen mbiemrat me emrat, por u mungon pasuria, përkulshmëria dhe pranueshmëria e mbiemrave.

Shumë ndajfolje formohen drejtpërdrejt nga mbiemrat e nyjshëm, nëpërmjet largimit të nyjes: i mirë/mirë, i keq/keq, i bukur/bukur, i qetë/qetë, i pastër/pastër, i zbathur/zbathur, i dobët/dobët, i qartë/qartë, i shkëlqyeshëm/shkëlqyeshëm etj.; megjithatë jo çdo mbiemër i nyjshëm e duron shndërrimin në ndajfolje. Nga ana tjetër, një numër mbiemrash të nyjshëm janë formuar drejtpërdrejt nga tema ndajfoljore: pak/i pakët, shumë/i shumtë, thjesht/i thjeshtë, plot/i plotë, etj. Drejtimi i procesit fjalëformues është gjithsesi konvencional, meqë shpesh nuk është lehtë të dallosh nëse ka ardhur më parë ndajfolja apo mbiemri; madje as ka kuptim ta bësh këtë dallim, meqë dallimi mbiemër/ndajfolje, në shembujt e mësipërm, mund të interpretohet edhe si kontekstual.

Gjithsesi, kjo parantezë teorike vlen për të vënë në dukje që këto dy pjesë të ligjëratës, mbiemrat dhe ndajfoljet, janë parimisht të ndërkëmbyeshme.

Shqipja ka edhe një numër prapashtesash të specializuara për të formuar ndajfolje, si -as/-azi, -çe dhe -isht (haptazi, pabesisht, hajdutçe, vjedhurazi, rishtas, qëllimisht, lirisht).

Vështirësitë në ligjërim fillojnë atëherë kur gjuhës i mungojnë ndajfoljet për të shprehur të njëjtin kuptim për të cilin ekziston mbiemri. P.sh. ekziston mbiemri i përpiktë, por jo ndajfolja përkatëse. Në këto raste, shqipja e kompenson mungesën nëpërmjet një shprehjeje parafjalore që funksionon si të ishte ndajfolje: me përpikmëri. Për të kaluar nga mbiemri në ndajfolje, përdoret një ndërtim me parafjalën me (ose pa) dhe një emër abstrakt cilësie që i përgjigjet mbiemrit përkatës (përpikmëri nga i përpiktë).

Megjithatë, edhe ky mekanizëm nuk funksionon gjithnjë; ose folësit nuk janë në gjendje ta përdorin automatikisht. Kjo pasiguri e folësve ka bërë që, veçanërisht vitet e fundit dhe për shkak të përkthimeve të pakujdesshme, të shtohen shumë në ligjërim ndërtimet e tipit: në mënyrë (të) + mbiemër, të cilat zakonisht mund të shmangen lehtë.

Në shembullin e mëposhtëm:

Gati 80% e biznesit i është dhënë një kompanie tjetër, në mënyrë të paligjshme.

Meqë shqipes i mungon ndajfolja që t’i përgjigjet kuptimisht mbiemrit i paligjshëm (përveç versionit ilegalisht), atëherë folësi praktikisht detyrohet të parafrazojë, duke e kthyer mbiemrin në ndajfolje nëpërmjet shprehjes parafjalore kabá në mënyrë (të).

Kjo ndodh shpesh me mbiemra të përdorimit libror, të cilët janë huazuar nga gjuhë neolatine ose anglishtja: në mënyrë optimale, në mënyrë flagrante, në mënyrë komplekse, në mënyrë konstruktive, në mënyrë racionale, etj., meqë këta mbiemra nuk kanë pasur kohë të formojnë ndajfoljet përkatëse në shqipe.

Megjithatë, nuk ka arsye që ndërtime të tilla të përdoren lirisht edhe kur ekzistojnë mundësi të tjera, më elegante dhe kompakte, për t’i shprehur ndajfoljet.

Shpesh, shprehja parafjalore nuk ka nevojë të përdoret fare (meqë nuk bën gjë tjetër veçse e zëvendëson ndajfoljen me përkufizimin e saj):

Pasagjerët në karriget e pasme tani mund të hyjnë në mënyrë të lehtë prapa [lehtë mjafton].

Një organizatë arsimore bën thirrje që të rritet në mënyrë të konsiderueshme numri i studentëve amerikanë jashtë shtetit [konsiderueshëm mjafton].

BFI apelon që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të qetë [qetë mjafton; përndryshe me qetësi është për t’u preferuar].

Përvetësoni aftësi të mira komunikimi që t’i përcillni mesazhet dhe idetë tuaja në mënyrë të saktë./Përvetësoni aftësi të mira komunikimi që t’i përcillni saktë mesazhet dhe idetë tuaja. [këtu duhet ndërruar edhe rendi i fjalëve, për ta afruar rrethanorin ndajfolje me foljen]

Përdorni në mënyrë të drejtë rripat e sigurimit dhe vendosni fëmijët mbi karriget përkatëse [drejt mjafton].

Drejtësia shqiptare është një nocion fiktiv që në mënyrë të drejtpërdrejtë dëshmon njëanëshmëri totale në dhënien e vendimeve [drejtpërdrejt mjafton].

Të përdorësh një telefon celular për më shumë se dhjetë vjet rrit në mënyrë të ndjeshme rrezikun për t’u prekur nga tumori në kokë [ndjeshëm mjafton].

Ajo që sapo është pohuar nga Nënë Tereza, duhet të lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me atë që ka provuar vetë Jezusi në kryq [drejtpërdrejt mjafton].

Nëse dita juaj nis në mënyrë të këndshme, do të jeni e mbushur me energji dhe kështu lëkura juaj do të ketë një pamje më të bukur [këndshëm mjafton].

Herë të tjera shprehja parafjalore mund të shmanget, duke e zëvendësuar me ndajfoljen përkatëse, e cila ekziston tashmë:

Pjesën e dytë të këtij programi trajnimi e kemi përpiluar në mënyrë të veçantë për menaxherët në vendet e Evropës lindore [veçanërisht].

Në mënyrë miqësore ia shtrëngova dorën [miqësisht].

Si mund të dobësohemi në mënyrë normale [normalisht].

Pala e tretë e paanshme, ndërmjetësi, i ndihmon palët në mosmarrëveshje që në mënyrë vullnetare të kërkojnë një zgjidhje të tyren [vullnetarisht].

Rrethanat e ngjarjes janë pasqyruar në mënyrë të hollësishme në rekomandimin zyrtar drejtuar Prokurorisë [hollësisht].

Ne nuk po realizojmë dot në mënyrë të ndershme zgjedhjet brenda Shqipërisë, le më pastaj të organizohet në mënyrë të ndershme e rigoroze vota e emigrantëve [ndershmërisht, rigorozisht].

Njerëzit që në mënyrë të rregullt udhëtojnë për në vendin tonë duhet ta dinë se janë të mirëpritur [rregullisht].

Pra kompensimi i ish-pronarëve bëhet në mënyrë të njëkohshme [njëkohësisht].

Projektvendimi zhvillon në mënyrë të plotë kriteret dhe rregullat për kushtëzimin e përfitimit të NE me punë komunitare [plotësisht].

Bushi në mënyrë të fshehtë ka aprovuar sulm në Pakistan [fshehurazi].

Transferimi i Radovan Karaxhiqit në Tribunalin e Hagës do të bëhet në mënyrë të fshehtë [fshehurazi].

Një prej problemeve të mëdha është se nuk ka stimuj financiarë që njerëzit të mbledhin plehrat në mënyrë të ndarë [ndarazi].

Më në fund, shumë herë ndërtimi me shprehje parafjalore të cilave në shqipe nuk u përgjigjen ndajfolje njëfjalëshe, mund të zëvendësohet me ndërtime ndajfoljore më koncize:

Mjetet e plehërimit dhe të mbrojtjes së bimëve duhen përdorur në mënyrë të kujdesshme [me kujdes].

Kjo është arsyeja që Vladimir Putin po përpiqet në mënyrë këmbëngulëse që të fitojë mbështetjen e disa aleatëve të SHBA [me këmbëngulje].

Ne duhet të vendosim vetë në mënyrë largpamëse për të tashmen e të ardhmen tonë [me largpamësi].

Thënia e së vërtetës mund të bëhet në dy mënyra kryesore; në mënyrë të ëmbël ose në mënyrë të vrazhdë! [me ëmbëlsi, me vrazhdësi]

Shqipëria duhet të luftojë në mënyrë të vendosur ata që shkojnë kundër rregullave [me vendosmëri].

Mbetjet kimike në Shqipëri po menaxhohen në mënyrë të pakujdesshme [pa kujdes].

Ndërtimet perifrastike me emra abstraktë vlejnë edhe si alternativa stilistike të ndajfoljeve njëfjalëshe, kur e kërkon ritmi i fjalisë ose për të thyer monotoninë, ose për arsye të tjera çfarëdo:

Rrethanat e ngjarjes janë pasqyruar në mënyrë të hollësishme në rekomandimin zyrtar drejtuar Prokurorisë [hollësisht/me hollësi].

Ne nuk po realizojmë dot në mënyrë të ndershme zgjedhjet brenda Shqipërisë, le më pastaj të organizohet në mënyrë të ndershme e rigoroze vota e emigrantëve [ndershmërisht/me ndershmëri, rigorozisht/me rigorozitet].

Transferimi i Radovan Karaxhiqit në Tribunalin e Hagës do të bëhet në mënyrë të fshehtë [fshehurazi/në fshehtësi].

 

4 Komente

  1. Një tjetër shkrim shumë i mirë; përgëzime autorit.
    Një pyetje mund të bëhej në këtë kontekst.
    Mund të themi, pra, se shprehjet parafjalore, edhe pse shpesh të panevojshme, e bëjnë një punë sidomos kur mungon ndajfolja përkatëse. Duke u kthyer tek pjesët e përparshme të “Shqipes së Drunjtë” a mund të themi, për analogji, se edhe dukuria e emërzimit jo gjithmonë është e dëmshme?
    Kur është i dobishëm emërzimi?

  2. Vlora Vlora, falemnderit.
    Sa për dobinë e emërzimit, do t’i vijë radha – jam duke mbledhur material, por do të shkruaj së shpejti.

  3. Një tjetër shkrim shumë i mirë; përgëzime autorit.
    Një pyetje mund të bëhej në këtë kontekst.
    Mund të themi, pra, se shprehjet parafjalore, edhe pse shpesh të panevojshme, e bëjnë një punë sidomos kur mungon ndajfolja përkatëse. Duke u kthyer tek pjesët e përparshme të “Shqipes së Drunjtë” a mund të themi, për analogji, se edhe dukuria e emërzimit jo gjithmonë është e dëmshme?
    Kur është i dobishëm emërzimi?

    1. Falemnderit! Gjithnjë kam dashur t’i kthehem kësaj teme; dhe do t’i kthehem – duke shtjelluar edhe si e mendoj përgjigjen ndaj pyetjes suaj për dobitë e emërzimit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin