APOLOGJIA E MOSDIJES (IV)

Kisha pasur në mend t’i përdorja shembujt nga arti vetëm për të ilustruar pikëpamjen time për raportet midis njohjes dhe informacionit, por disa degëzime të diskutimit meritojnë të trajtohen veçmas.

Pata përmendur dikur, në një temë tjetër, si e kisha kërkuar në Romë kishën San Pietro in Vincoli, për të parë dhe admiruar atje statujën e Moisiut nga Michelangelo – vetëm e vetëm ngaqë pak kohë më parë kisha lexuar një ese të Freud-it për atë statujë. Kishën e gjeta, statujën e pashë, eksperienca më ka mbetur edhe sot e gjallë në mendje, madje në trajta vizuale. Megjithatë, sot kam të drejtë të pyes nëse kënaqësia që ndjeva atëherë ishte kënaqësi intelektuale e dikujt që arrin të bashkërendojë informacionin që ka marrë nga librat me informacionin shqisor; por nuk kishte të bënte me përvetësimin estetik të statujës prej meje.

Kjo dilemë mund të formulohet edhe kështu: a mund ta kompensojë informacioni mungesën e intuitës?

Thonë që intuita nuk është veçse produkt procesesh arsyetuese që shtjellohen në nënvetëdije; por nuk jam i sigurt nëse kjo vlen edhe për intuitën artistike. Përndryshe, nëse pranohet një element irracional ose intuitiv në krijimin artistik, përse të mos pranohet i njëjti element edhe në përvetësimin e veprës artistike? Me fjalë të tjera, a nuk kërkohet vallë talent edhe për të qenë lexues, dëgjues ose në përgjithësi, publik?

Më ka mbetur në mendje një tregim i shkurtër i Dritëro Agollit, i quajtur “Sonata e 8-të”, ku rrëfimtarit i shkon për vizitë në shtëpi një i njohuri i vet, plak, nga fshati i lindjes; dhe i zoti i shtëpisë i vë për të dëgjuar, nuk di për ç’arsye, Sonatën e 8-të të Beethoven-it – nuk e mbaj mend nëse sonatën “Patetike” për piano, apo sonatën e 8-të për violinë. Plaku nga fshati, një bujk që e ka kaluar jetën arave, rri e dëgjon sonatën deri në fund, pastaj psherëtin thellë dhe thotë “E shkreta plakë, sa vuajti…”

Tani, për çdo plak fshatar nga Devolli ka me dhjetëra profesorë të historisë së muzikës (beethovenologë) që mund të të përshkruajnë me hollësi të habitshme strukturën melodike dhe harmonike të këtyre sonatave, lidhjet me sonata të mëparshme; ose përkundrazi, kujt ia ka dedikuar Beethoven-i, ose kë kishte të dashur gjatë asaj periudhe dhe nga ç’sëmundje veneriane vuante e kështu me radhë. Nuk dua të them se këta virtuozë të informacionit e kanë humbur lidhjen intuitive me veprën e artit, por vetëm që kam frikë se është fjala për dy lloje të ndryshme informacioni, të cilat nuk mund të shkëmbehen lirisht mes tyre.

Çështja nuk është aq triviale sa ç’mund të duket. Mund t’i kërkojmë një antropologu të na shpjegojë në hollësi një vepër arti të një kulture tjetër, p.sh. një figurinë druri prej Ishullit të Pashkëve, duke përfshirë edhe kontekstin kulturor dhe historik ku kjo është krijuar dhe ku përvetësohet; por asnjë informacion i këtij lloji nuk na ndihmon dot ne perëndimorëve për ta shijuar këtë figurinë, përveçse si objekt ekzotik.

Nuk di nëse ju ka qëlluar ndonjëherë të hani drekë me ndonjë njohës të mirë verërash, ose connoisseur, që papritur fillon të dërdëllitë për “nota dardhe dhe limoni të egër, të cilat pas pak i lënë vend një pas-shijeje të lehtë gjalpi deleje të Pirenejve dhe guaskash deti, të cilën disa e kanë krahasuar me nuanca rebele të gëlqeres së freskët, por gjithnjë më të rrumbullakosur dhe si prej kadifeje.”

Kur i dëgjoj këta snobë që ta zënë drekën në fyt, më shkon mendja menjëherë te shprehja që ia kanë atribuar, ndër të tjera, Hermann Goering-ut: “Kur dëgjoj fjalën kulturë, më shkon dora te koburja.” (Wikipedia shpjegon se kjo shprehje e ka origjinën në një pjesë të dramaturgut Hans Johst: “Wenn ich Kultur höre … entsichere ich meinen Browning”).

Përsëri, informacioni ndërhyn, madje brutalisht, midis gotës së verës dhe gojës – sepse vera e mirë është bërë për t’u pirë, jo për t’u lexuar, njëlloj si muzika e mirë ose piktura ose poezia e bukur.

Ata që thonë se informacioni mund të zëvendësojë akulturimin, ose procesin e gjatë dhe kompleks të formimit të dikujt si bartës, përçues dhe përftues të një kulture të caktuar, janë të njëjtët që pretendojnë se një ditë makinat përpunuese të informacionit do të mund të bien në dashuri me njëra-tjetrën ose me mirëmbajtësit e tyre ose me koshin e plehrave; dhe të shkruajnë romane për eksperiencën e tyre.

Vërtet jemi produkte të kulturës të cilën pretendojmë se jemi në gjendje ta kuptojmë ose ta interpretojmë drejt; dhe nuk rrezikojmë të urinojmë gabimisht mbi kryevepra të artit modernist, meqë të gjithë i kemi bërë detyrat në shkollë. Mirëpo kultura e sotme, e dominuar nga teknokracitë dhe përpunuesit e informacionit, imponon një botëkuptim të tillë që nuk di ç’të bëjë me intuitën ose format joracionale të përvetësimit, duke përfshirë këtu edhe trajtimin ose manipulimin e simboleve.

Kam frikë se në të ardhmen, epoka e tanishme do të mbahet mend si epoka kur njerëzit kujtonin se çakmakët e mbajtur në xhep ose në çantë shkaktonin kancerin e mushkërive – meqë këtë e sugjeronin “të dhënat” statistikore.

17 Komente

  1. Xha pyet, si me poshte:

    “Kjo dilemë mund të formulohet edhe kështu: a mund ta kompensojë informacioni mungesën e intuitës?”

    Informacioni varet se i kujt eshte, kujt i sherben. Kompjuterit? Njeriut?
    Ne rastin e kompjuterit, ai(informacioni) eshte dhe mbetet informacion, ndersa ne rastin e njeriut, informacioni i cdo faze, lloji, etape, shoqerohet nga intuite analoge. Pra intuita nuk kompesohet ne munges, me informacion, por eshte ceshtje tjeter kur intuita eshte e bombarduar nga informacioni dhe si rrjedhoj as konsiderohet, per me shume edhe mohohet, si ne rrethana te nji mbingarkese te informimit teknologjik.

    Pyetje vazhdojne te formulohen nga Xha, si me poshte:

    “Thonë që intuita nuk është veçse produkt procesesh arsyetuese që shtjellohen në nënvetëdije; por nuk jam i sigurt nëse kjo vlen edhe për intuitën artistike. Përndryshe, nëse pranohet një element irracional ose intuitiv në krijimin artistik, përse të mos pranohet i njëjti element edhe në përvetësimin e veprës artistike? Me fjalë të tjera, a nuk kërkohet vallë talent edhe për të qenë lexues, dëgjues ose në përgjithësi, publik?”

    Ne vazhdim Xha, po ashtu, bindshem per sinqeritetin e pyetjeve qe shtron, me nxit te them dy fjale;

    Intuita eshte nji per cdo fushe, si edhe ate artistike. Kjo nuk do te thote qe elementi irracional-intuitiv eshte i njejte ne subjekte (individ) te ndryshem, duke i lene interpretim te pamvarur subjekteve qofte kur behet fjale per krijues apo shikues-lexues. Vlen te theksojme se shikues dhe lexues, nga te paret e nje vepre arti, letrare, muzikore, eshte vet autori, qe edhe ai vet ndryshon ne referimin-leximin e vepres se vet, pra si te themi, kemi dy referenca per te njejten veper nga i njejti autor; njera eshte vepra dhe tjetra eshte leximi-diskutimi i saj. Pra kjo me siper eshte pergjigje per pyetjen; “a nuk kërkohet vallë talent edhe për të qenë lexues, dëgjues ose në përgjithësi” Me thjeshte pergjigja eshte po, natyrisht qe duhet talent te shohesh, lexosh, degjosh, ne pergjithesi (edhe ne vecanti).

  2. Me fjalë të tjera, a nuk kërkohet vallë talent edhe për të qenë lexues, dëgjues ose në përgjithësi, publik?”

    Edhe une do te pergjigjesha me nje “PO” te madhe:-)
    Ke kapur nje aspekt shume shume te mprehte Xhaxha, i mprehte si gjithmone me pak fjale 🙂

    Me ka qelluar dhe mua shpesh te ndodhem ne biseda “analizuesish” te piktures apo muzikes apo nje filmi..apo apo karakteresh njerezish.. Jo te gjithe analizuesit jane “acarues”. E kam fjalen per ata qe perkufizojne dhe “nxjerrin perfundime”, vetem duke cituar c’kane studiuar e jane informuar, qe ne fakt per mua nuk eshte nje perfundim apo rezultat, eshte vetem nje recitim i atyre informacioneve qe kane rreth subjektit qe diskutojne.

    Pa ate intuiten, ate te uruar qe te flet nga brenda e te ben te te terheqe e ta lidhesh si pa e ditur ndonjehere me pare, me pikerisht ate qe transmeton vete vepra, nuk vlen as nje volum informacioni qe mund te kemi ne koke. Sikur te gjithe wikipedian te kishim ne koke, nuk do te vlente.

    E kam vene re kete qe ne moshe pothuajse te vogel. Te njejtin liber,roman etj. une e perjetoja ndryshe, nje shoqe tjeter ndryshe e nje tjeter po ndryshe. Te tjera emocione kisha perjetuar e tjeter mesazh i kisha dhene vetes une, e tjeter te tjere..
    Nuk e di sa e sakte kam qene une ne ato mesazhe qe kam ditur te gjej, por di qe shume here me ndodh te me “kujtohen” ne aspekte te ndryshme te jetes…

    Nese te pakten njehere te vetme jemi ndodhur ne situaten e atij fshatarit te Devollit, pra kemi vleresuar shume dicka te panjohur me pare per ne, dhe qe ajo vertete ka vlera te padiskutueshme..atehere kjo eshte prova qe e kemi ate te uruar intuite 😉

    Duhet paktalent Xhaxho, duhet pak intuite ta marre e mira ta mare 😉
    Perndryshe fillon e mbizoteron mediokriteti, dhe mediokriteti do “krijoje” per mediokritetin … gje qe e shoh si fenomen dhe me shqeteson shume these times

  3. Xha xha: “Më ka mbetur në mendje një tregim të shkurtër të Dritëro Agollit”.

    Xha xhai, kjo fjali nuk me duket ne regull. Mendoj se duhet te jete ” Me ka mbetur ne mendje nje tregim i shkurter i Dritero Agollit”.

    Mendoj se keshtu duhet te jete!?

  4. Xhaxha e prisja qe do e sillje kete lloj argumenti me intuiten, se per ketu ishe nisur, prandja edhe te kisha shkruajtur me tek Apologjia III:

    Shkurt, informacioni sherben jo vetem per demisitifikimin e autorit dhe te vepres letrare, porse edhe i jep edhe nje lloj racionaliteti (arsyetim llogjik) lindjes se nje vepre, qe nuk ka zbritur nga qielli (nga gjenialiteti). Pra vepra eshte rezultat i nje proces mendor, dhe si e tille brenda disa rrethanave te caktuara, mund te krijohet nga cdo njeri (dhe jo vetem nga gjysem-perendite).

    Eshte e veshtire te perkufizosh intuiten. Dhe me ato koncepte qe eshte e veshtire te perkufizohen mund te lozesh me lehte, mund ti hermetizosh edhe me lehte. Kjo qe thua ti perjashton ata qe nuk e kuptojne nje veper arti. Krijon ndasi dhe specializime, aristokraci mbase te nje grupi qe e kupton artin dhe te atyre qe edhe po te duan nuk mundin, se nuk e kane te lindur kete shqise.

    Morra shembull ate “Britmen” e E. Munch. Me nje shikim te pare, aty nuk ka asgje per tu kuptuar nga intuita, mbase nje fantazem (pervoje e kushtezuar nga perjetimi i meparshem dhe mjedisi kulturor yni, se mbase per nje afrikan do te ishte nje plake me goje hapur, ose per ata ne ishujt Java “vdekja”.) Por ndjesia ndaj artit rritet me informacionin qe marrim, edhe me perspektiven qe mesojme per te lexuar veprat e nje periudhe te caktuar kohe. Dhe mbi te gjitha ndjesia per artin mesohet. Nese duam ta kuptojme artin duhet te ushtrohemi ne veshtrimin dhe kuptimin e tij, ashtu si ata qe pine vere e stervisim qiellzen (mendoj une, me intuite, se une vete nuk e pi veren), ne stervisim syte, shpirtin dhe arsyen.

  5. Kapedan, asnje nuk eshte kunder informacionit, perkundrazi informacioni besoj se na ndihmon te kuptojme mire dhe interpretojme,po dhe lidhim me realitetin apo te ardhmen, ate qe na thote intuita.

    Meqenese solle Britmen si shembull, me lejo te te them, qe te njejten ndjenje me le kur e shoh edhe tani, njesoj si para shume vitesh kur e pashe per here te pare (vitet e para studente) dhe atehere kisha shume pak informacion rreth piktorit apo rrymes se asaj pikture.

    Kshu qe nuk jam dakort me ju, qe per te ndjere Britmen duhet te kesh pak info njehere 😉 Ate e shikon dhe te rrenqethet trupi i tere, sepse menjehere te ben ta perfytyrosh veten ne nje gjendje tmerri..dhe kushdo qe perjeton nje gjendje tmerri, nese do e pyesnin si do i dukej vetja ne ato momente, do tregonte me gisht pikerisht Britmen 😉

  6. Kapedani shkruan:

    [N]djesia ndaj artit rritet me informacionin qe marrim, edhe me perspektiven qe mesojme per te lexuar veprat e nje periudhe te caktuar kohe. Dhe mbi te gjitha ndjesia per artin mesohet. Nese duam ta kuptojme artin duhet te ushtrohemi ne veshtrimin dhe kuptimin e tij, ashtu si ata qe pine vere e stervisim qiellzen (mendoj une, me intuite, se une vete nuk e pi veren), ne stervisim syte, shpirtin dhe arsyen.

    Kapedan, jam dakord me ty. Mirëpo me të gjithë këtë seri shkrimesh unë kam dashur të diskutoj se çfarë informacioni e shton ndjesinë ndaj artit dhe çfarë informacioni, përkundrazi, e dobëson këtë ndjesi; çfarë informacioni na ndihmon t’i qasemi veprës dhe çfarë informacioni tjetër na largon na vepra dhe na grish t’i qasemi autorit. Ky është thelbi, për këtë kam dashur të diskutoj.
    Nëse e pranon, së bashku me Ujkun e Zi dhe me mua, se është gjithnjë e nevojshme t’i thuhet ndal, basta, enough përroit të informacionit; dhe se pikërisht te ky gjest, te kjo mbyllje grilash dhe dyersh fillon përvetësimi i veprës nga publiku, atëherë me siguri do t’ia kesh bërë pyetjen vetes se si përcaktohet pikërisht momenti kur duhet konsumuar ky gjest. Kur duhet mbyllur dera? Informacioni nuk njeh masë, as është i qepur për ty me porosi; përkundrazi, informacioni synon që të të transformojë ty në mënyrë të tillë që ti pastaj të funksionosh si rele, ose antenë, ose makinë riprodhuese, për ta përhapur më tej.
    E kam fjalën për genet dhe memet, por kjo temë do trajtuar veç.
    Prandaj t’i kthehem shluzave në përroin e informacionit: kush i vendos aty, dhe kush ua jep komandat për t’u ulur ose ngritur? Përgjigjju kësaj pyetjeje, dhe do të kesh identifikuar elitën që kontrollon komunikimin artistik, por që nuk ka fare të bëjë me elitën e përshkruar prej teje, e cila e paska më të zhvilluar intuitën artistike sepse i ka pasur mjetet (financiare) për t’i qëndruar artit më pranë e për të marrë në kohën e duhur edukimin përkatës.
    Pikëpamja ime është se, në fushën e artit, por jo vetëm në fushën e artit, edukimi duhet të synojë kultivimin e aftësive për t’ia mbyllur dyert informacionit në momentin e duhur. Jo për të mbetur i paditur, primitiv, shpellar, intuitiv, spontan dhe natyral; por për të ruajtur kontroll ndaj rrymës, ose përmbytjes me informacion.

  7. “Pikëpamja ime është se, në fushën e artit, por jo vetëm në fushën e artit, edukimi duhet të synojë kultivimin e aftësive për t’ia mbyllur dyert informacionit në momentin e duhur. Jo për të mbetur i paditur, primitiv, shpellar, intuitiv, spontan dhe natyral; por për të ruajtur kontroll ndaj rrymës, ose përmbytjes me informacion.”

    Xha Xha,
    mire, qellimi yt eshte te mbyllesh dyeret e informacionit ne momentin e duhur, per te ruajtur kontroll ndaj rrymes, ose permbytjes me informacion, por, a s’na thua; ku ndryshon perpjekja e cdo individi, per tu quajtur rryme permbytese informacioni edhe pse cdo individ qe te ndaloj dicka ne te njejten kohe lejon dicka tjeter. Kjo dickaja tjeter (qe ruhet nga informacioni) eshte dhe lejon veten si nje lloj informacioni.

    Qellim i edukimit tend, me sa kuptoj, eshte duke me thene se; duhet te mesoj te ndaloj informacionin e tepert. Por nuk kuptova se cili eshte qellimi i edukimit per informacionin e duhur (jo te tepert), qe gjykon per te ndaluar ate te tepermin.

    Nuk e ve ne dyshim qe ke qellim per cfar informacioni deshiron te perdoret ne edukim per artin, por mendoj se eshte jo me pak e diskutueshme edhe ajo ane e medaljes ne se e spjegon, krahasuar me ate qe te shqeteson.

    Megjithe ate, une ve re se edhe duke aplikuar liri te “plote” ne edukim, nuk perjashtohet sensi i mases “kufirit tek thana”. Cdo etap njohje ka edhe dozen e mosnjohjes, kjo e fundit eshte frenimi, ndalimi, qe vjen natyrshem dhe jo i qellimshem, si e theksoni ju Xha per qellim ne edukim.

  8. Informacioni eshte rruga drejt dijes , keshtu qe fjala ‘i tepert ‘ duhet hequr si percaktues sasior i informacionit, nese njeriu i sotem kerkon dijen (keshtu thone volterianet qe kam njohur) .
    Nga ana tjeter u duhet perballur me bezdisjen qe sjell lumi i informacionit e per kete me duket se njeriu eshte pajisur me ‘moskokecarjen’. Atij njohesit te veres ne tavoline i duhet thene te hape krahun. Problemin une e shoh, nese ky shijetari, mua qe jam shume i interesuar ma pershkruan(bombardon) Kiantin( e kuqe tipike, 13 grade) si Romanelen( pak e gazuar,11 grade).

    Ne parim une jam dakort me kufizimin e dijes, meqe njeriu pergjate historise se tij ka synuar me ane te edukates te nxjerre ne jete nje individ eficent e jo nje individ te ditur. Sot dija e ben njeriun me eficent, por ne kohen e baba Qemos shume dege te dijes ishin ngarkese e kote . Ta zeme, Da Vincit i shkoi dem nje pjese e mire e dijes fiziko-matematikore dhe e vete gjenialitetit.

    ””Pikëpamja ime është se, në fushën e artit, por jo vetëm në fushën e artit, edukimi duhet të synojë kultivimin e aftësive për t’ia mbyllur dyert informacionit në momentin e duhur””’

    Arti eshte teper i lidhur me kulturen e nje vendi , sikur vetem per shkak te simboleve e ngjyrave, per tu marre si shembull ideal, biles ka elemente te qarte natyrore. Zezaket(dhe evgjitet) psh parapeqejne ngjyrat e ndezura, te bardhet shkojne me teper tek bardhe e zi (jane bere studime per kete). Ne Shqiperi per ke perdor shume lajle-lujle ne te veshur, thuhet se eshte veshur si evgjit.

    Nga ana tjeter mund te mos kuptosh mesazhin po ama nese kulturalisht nuk je shume larg mund te shijosh bukurine e vepres.

    Stervitja qe permendte kapedani eshte thelbesore ama duhet te kesh edhe lende te pare cilesore perndryshe veshtire se cdo gje i shpeton mediokritetit. Intuita eshte lende e pare ne shijimin e artit ashtu sikunder inteligjenca per shkencetarin apo talenti per aktorin.
    Nuk jane gjithe njerezit njesoj, natyra privilegjon pakicen dhe i jep derrmen shumices e nuk ka organizim njerezor qe mund ti beje derman, prandaj per mua edukimi pervec eficences duhet te synoje tek zbulimi i aftesive natyrore te individit,keshtu perfiton individi dhe vete bashkesia.

    Ka nje aristokraci eshte ne keto gjera o kapedan,se nese bejme cmos ti biem atehere do sheshohemi ne mediokritet.
    Rreziku kryesor i homogjenitetit te plote(liberte,egalite,fraternite) ,eshte idiotezimi i bashkesise. Ti themi po homogjenitetit, por ti njohim te drejten e ekzistences edhe piramides natyrore, keshtu te pakten evitojme sundimin e mediokracise (shihe ndac si kracine e mediokritetit e ndac si te shtreses se mesme).

    Personaliteti i forte apo karakteri i forte nuk pyet per teprice informacioni, meqe farketohet brenda nje sistemi vlerash antike, por vuan informacionin e pjesshem e te paqarte, ndersa karakteri i dobet vuan cdo stuhi meqe ‘kthen gunen andej nga fryn era’.

  9. Ok, edhe une jam dakord nga kjo pikepamje. Me kujtohet para ca vitesh ne nje konferenc per nje cmim ne Frankfurt Susan Sonntag foli mbi keqinterpretimin e vepres se Kafkes (une lexova fjalimin ne FAZ, ne anglish eshte <a href=”http://sfs.scnu.edu.cn/blogs/linghh/uploadfiles/200610611028550.pdf” ketu ). Nje arsye pervec interpretimeve psiko-analitike ishte dhe futja e informacioneve biografike ne interpretimin e vepres. Mbase tek Kafka une mendoj se eshte ekzagjeruar shume ideja se marredheniet At-bir kane qene problematike, ose disa shkojne e me larg e flasin per homoseksualitet latent. Keshtu qe ne kete rast informacioni eshte i tepert, sidomos per nje shkrimtar qe ka shkruar mbi fenomene psikosociale te shoqerise ku jetonte dhe jo per vete (duke menduar se ka qene nje njeri i suksesshem profesionalisht). Ka pra shume vepra autoresh qe jane keqkuptuar ne kete menyre, por ka vepra dhe artiste per te cilet informacioni eshte nevojshem.
    Ne fakt te jap te drejte Xhaxha nese informacioni psh. ben qe te degradohet nje autor ose vepra e tij (por a eshte kjo negative? mbase kjo motivon te tjere autor). Sidomos kur ne, shikuesit, ngaterrojme artin si rezultat (outcome) me artin si qellim (motivin e autorit, income). Ne shohim vetem rezultatin, nje veper arti, psh. “Britmen” ose “Lulet e diellit” (Van Gogh) dhe mendojme se kjo veper, ne vetvete, ka qene qellimi i autorit. Por me pak informacion mesojme se E. Munch ka vuajtur nga Skizofrenia dhe Van Gogh nga Xanthopsia (dominimi i te verdhes ne veshtrim). Keshtu qe ne vepren e tyre e interpretojme ose nga pozicioni yne, ose te ndikuar nga informacioni qe kemi marre, dhe si pasoj keto vepra humbin magjine e tyre.
    Prandaj ky kendveshtrimi yt Xhaxha sjell me vete pasoja politike. A jemi gati te “cmagjepsemi”? A duam te rationalizojme cdo gje ne kete bote dhe ta shohim boten si nje makine gjigande? Apo te vazhdojme ti gezohemi padijes sone e te shijojme “thagmen”/emocionet/mistiken qe na pregatit bota dhe njerzit qe na rrethojne? Keto jane dy alternativat. Ceshtja zgjidhet individualisht.

  10. “te ndikuar nga informacioni qe kemi marre, dhe si pasoj keto vepra humbin magjine e tyre.”

    duke marr se shpesh here artisteve o u vishet o veshin petkun e gjenise, ndoshta po per ato pasojat politike, duhet qe artistet, jo domosdoshmerishte vepra e tyre, te humbin magjine qe shpesh here i rrethon duke i bere ato heronj e gjeni.

  11. Kapedani,
    Mire te verdhes se Van Gogut ia gjetem shpjegimin tek semundja e vet, po atyre pikturave qe nuk e kane kete lloj te verdhe si t’i shpjegojme? Po letrat e Van Goghut dhe shpjegimet e tij per veprat e veta a duhet t’i marrim te mireqena, apo dhe keto duhet t’i interpretojme si pasoja te ndonje semundje? Apo perkundrazi mos duhet thjeshte te perqendrohemi ne faktin qe perdorimi i ngjyrave dhe teknika e Van Goghut ishte nje risi per artin dhe qe 200 e kusur piktura qe ai beri ne Arles flasin me shume per ate vend se gjithe informacioni qe mund te merret ne google wikipedia, flicker, Y Tube dhe gjithe enciklopedite e botes te marra se bashku?

  12. Kolektiviza,
    Pervec Edi Rames, kryebashkiakut qe vesh petkun e artistit, nuk njihet ndonje artist qe i ka veshur rolit te vet rol te drejtperdrejt politik ne ate mase saqe do duhej patjeter t’u dekonstruktonim personalitetin per t’ua a sjelle ate te gatshme masave qe ta pertypin.

  13. /Zezaket(dhe evgjitet) psh parapeqejne ngjyrat e ndezura, te bardhet shkojne me teper tek bardhe e zi (jane bere studime per kete)./

    Po hyllin.
    Do te shtoja dhe ngjyren e verdhe.Ndonjere kombinojne te verdhen me jeshilen e hapur,gje qe per ne asht e papranueshme.
    Shiko makinat e tyre ne Shqiperi ose karocat,u shtojne lloj lloj zbukurimesh shumengjyreshe.
    Po te degjosh muziken e arixhinjve,ajo te jep nje tjeter ndjesi,nje si reshqitje,velje,dehje alkolike.Plus kesaj,ndjehet brenda saj mungesa e koncepetit te punes,te lodhjes.
    Kjo vjen ngaqe pervec arsyeve shkaktesore(te cilat prodhojne kete muzike),edhe sepse ata kane me shume mundesi ne ekzekutim ne krahasim me instrumentistet e shkollave.Ata ekzekutojne jashte temperimit ose modeve minore dhe maxhore te muzikes bashkohore.Diapazoni i modit te tyre asht me i madh.Ata punojne sic i thone ne gjuhen popullore “me cerekshe”,e cila asht 1/4 e tonit.
    Sekreti mendoj qendron ne ate qe ne paragjykojme me ane te informacionit qe kemi marre me pare,mbi ate qe do vrojtojme,shikojme ose arsyetojme.
    Ne duhet te shikojme me syte tane,te arsyetojme me mendjen tone dhe te vrojtojme pa imagjinuar.

  14. Xha xhai thote:

    Pikëpamja ime është se, në fushën e artit, por jo vetëm në fushën e artit, edukimi duhet të synojë kultivimin e aftësive për t’ia mbyllur dyert informacionit në momentin e duhur. Jo për të mbetur i paditur, primitiv, shpellar, intuitiv, spontan dhe natyral; por për të ruajtur kontroll ndaj rrymës, ose përmbytjes me informacion.

    Une do thosha te njejten gje por disi ndryshe: edukimi duhet te synoje kultivimin e aftesive per te perkufizuar. Eshte perkufizimi qe i bejme fenomeneve qe na lejon t’a ndajme nje informacion ne te nevojshem ose ne te panevojshem. Ky synon dallimin gjithashtu midis edukimit dogmatik, i cili bazohet thjeshte ne marrje informacioni pa e vene ate ne pikpyetje, dhe nje edukimi te hapur, i cili synon aftesine e dikujt per te shtruar pyetje, ndertuar pekufizime, dhe sigurisht filtruar informacion.

  15. “Pervec Edi Rames, kryebashkiakut qe vesh petkun e artistit, nuk njihet ndonje artist qe i ka veshur rolit te vet rol te drejtperdrejt politik ne ate mase saqe do duhej patjeter t’u dekonstruktonim personalitetin per t’ua a sjelle ate te gatshme masave qe ta pertypin.”

    Ujku i zi, shoh te besh me pasion te semur propagand te ulet per individ qe s’eshte koha dhe vendi te diskutohet. Ti duket te mos kuptosh se e infekton gjykimin dhe se je pjese e “masave qe te pertypin”

  16. kur perdora termin politik nuk kisha parasysh politiken alla Edi Rama (megjithse historia ka plot shembuj te tjere ku artisti ka qellime te qarta per pushtet)
    por kisha parasysh marrdhenien (politike) qe behet midis artistit dhe publikut: ku artisti eshte gjeniu (agjent aktiv, krijues, mjeshter, aftesi) dhe publiku/spektatori (mase, pasive, veshtrues, injorante, paftesi)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin