SHQIPJA E KRIMBUR

 

“Shekulli” i sotëm boton një dokument të rrallë të shqipes, të përgatitur nga studiues të UNYT-së, dokument i cili përbën një dëshmi unike të kësaj gjuhe siç do të flitet në të ardhmen e largët.

Me formën e një artikulli me titullin “Si mund të kemi një Obama te ne?” dokumenti është hartuar nga Dr. Kosta Giakoumis, profesor i Historisë, i Historisë së Artit, dhe zv. Rektor i UNYT-së si edhe studiues i Universitetit të Birmingham-it; dhe Ilir Kalemaj, kandidat për doktor shkencash pranë Universitetit Qendror të Evropës në Budapest, si edhe lektor i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UNYT.

Këtu e më poshtë po sjell disa pasazhe të habitshme nga gjuha e përdorur në dokument, prej nga mund të mësojmë të gjithë:

Aftësia kryesore e udhëheqësit të vërtetë, është të gjallërojë shpresën e popullit, t’i mbushë sytë me lot, të çelë buzëqeshje, të shkaktojë festa spontane dhe gëzim, vetëm nga besimi në personalitetin e tij.

Për herë të parë dëgjoj që në shqip mund të thuash çel buzëqeshje dhe shkaktoj festa spontane. Si mund të shkaktosh festa spontane? A nuk u humbet spontaneiteti kur dikush i shkakton?

Pse të mos kemi edhe te ne një politikan, i cili do të na ngrejë moralin, do të përmbledhë frikërat, dëshirat dhe shpresat e shoqërisë, do të shpreh atë që ndjejmë, me një fjalë, do të na frymëzojë me vizionin e tij?

Vërtet pse? Ndoshta ngaqë askush më parë, në gjuhën shqipe, nuk ka guxuar t’i përmbledhë frikërat?

Autorët as vetë nuk janë të sigurt dhe pyesin:

Cilët janë elementet që përbëjnë karizmën udhëheqese dhe çfarë gjeneron shpresë ndaj popullit? Sigurisht, qëllimet e një udhëheqësi, pavarësisht se shumica i pëcepton në menyrë utilitare: Ato nuk janë as qëllime megalomane, as teprimi i mahnitjes së qytetarëve, e fabrikuar nga demagogë të zot.

Këtej e tutje unë mbetem pa gojë – sepse dua ta tymos edhe unë çfarë kanë tymosur ata të dy, për të arritur në shprehje si teprimi i mahnitjes së qytetarëve.

Ma’, dua edhe unë teprim të mahnitjes.

Ja një pohim që s’ka të sharë:

Qëllimet shoqërohen domosdoshmërisht me kritere radhitjeje të përparësive dhe mjete vlerësimi të cilësisë.

Ja një pohim tjetër, që ka të sharë:

Orkestrimi i dialogut fantastik me publikun, për mendimin tonë, dukej si e modeluar sipas ceremonive fetare.

Një pyetje naive: në cilën gjuhë fjala orkestrim është e gjinisë femërore (orkestrimi… e modeluar)? Përgjigjuni pyetjes, për të fituar si dhuratë po atë metodë për mësimin e shqipes që ka përdorur përkthyesi i këtij artikulli.

Po ju ndihmoj pak:

Obama nuk dha thjesht një fjalim, por u bashkërendua me dëgjuesit e vet, në përmasat që vetë Obama u frymëzua nga trashëgimia e përbashkët politike amerikane.

Është e njëjta gjuhë ku nuk thuhet mbaj fjalim si në shqipe, por jap fjalim; dhe ku një orator bashkërendohet me dëgjuesit e vet.

Ja edhe një e vërtetë e padiskutueshme:

Bindës është vetëm ai që bashkohet përvojat, ankthet dhe ëndrrat e përbashkëta.

Edhe pse parafjala e përdorur me foljen bashkohem është shumë e diskutueshme: në shqipen e sotme themi bashkohem me.

Papritur, autorët e artikullit kapin lartësi të reja, për të na folur bindshëm nga e ardhmja, duke u bashkërenduar me ne lexuesit poshtë:

Pjekurimi i kritereve të vlerësimit të cilësisë njerëzore, në çdo kolektiv mund të jetë i lidhur me një sërë kushtesh dhe koincidentesh heterogjene, por sigurisht rrethanat historike kanë një rol të rëndësishëm në njohjen e epërsisë cilësore të një udhëheqësi.

Një fjalë e panjohur: pjekurimi. Një radhë emrash që çdo marangoz i gjuhës do ta admironte fshehurazi: pjekurimi i kritereve të vlerësimit të cilësisë…; një tjetër fjalë e re: koincidentesh heterogjene (ruajna Zot nga koincidentet heterogjene).

Shqipja e të ardhmes do të jetë edhe më e drunjtë se kjo e sotmja:

fjalinë e tij ngadhënjimtare, Obama nënvizoi ndryshmërinë e tij…

fjalinë e tij ngadhënjimtare? ¡Ayuda! Kur qenka bërë Obama ynë mësues i sintaksës? Po kjo ndryshmëri ç’është xhanëm? Fjalori i shqipes së ardhshme qenka pasuruar shumë.

Nga gjuha te mendimi: kudo plasticitet për ta pasur zili. Por duhet ta pohoj se paragrafin më poshtë nuk e shkoqita dot:

Për tetë vjet, shoqëria amerikane kishte dënuar me votën e saj administratën e Bushit, e cila në emër të luftës ndaj terrorizmit, eliminoi liri themeltare të qytetarëve dhe lejoi përgojimin e Amerikës me praktika rrëqethëse të tipit të Guantanamos.

Si e paska dënuar shoqëria amerikane për tetë vjet me votën e saj administratën e Bushit? Vazhdoj leximin, për të gjetur përgjigjen:

Për më tepër, përtypi dy lufta të pëgjakshme dhe, më në fund, u ngërthye në lakminë e pangopshme të spekulatorëve bankarë dhe toleroi diskretitimin e emrit të saj në botën myslimane, përmes politikave polarizuese.

Përtypi dy luftëra të përgjakshme – ose biftek à la tartare, siç i themi ne këndejza; por vetëm për t’u ngërthyer në lakminë e pangopshme dhe për të toleruar diskreditimin…

Ja edhe ne përtypim artikuj të tillë dhe u pështyjmë ciflat.

Vërejnë autorët:

Falë rrethanave të këtilla, me sa duket, me një ngadalësi të pamëshirëshme, u poq dallimi i cilësive që çoi Obamën në fitore.

Disa nga kombinimet e fjalëve këtu më kujtojnë një teknikë të quajtur cadavre exquis, të shpikur nga surrealistët për të përftuar tekste të egra.

Ja tani edhe një tjetër fjalë e re e shqipes:

Vetëfitues i një fushate polarizuese, Obama nuk paraqiti kundërshtarin e tij politik si një armik për ta larguar, por si pjesë të të njëjtit komuniteti politik.

Vetëfitues? Çfarë do të thotë vetëfitues? Që fiton vetë, që fiton veten, apo që fiton për veten? Apo që fiton vetë, ndaj vetes? Apo që fiton vetvetiu?

Nga ç’gjuhë të jetë kalkuar kjo vallë?

Në të ardhmen edhe gramatika e shqipes do të ndryshojë. Ne sot e përdorim parafjalën megjithë me një emër në rasën kallëzore, por kjo nuk është e thënë që të mbetet ashtu:

Mirësjellja paszgjedhore e të dy kundërshtarëve – deri dje – dhe premtimet dhe thirrjet reciproke për bashkëpunim në të ardhmen, nënvizojnë se, megjithë ndryshimeve të tyre, nuk janë veç pjesë të të njëjtit komunitet politik.

Kjo do ta bëjë shqipen pak të vështirë për të shprehur mendim të qartë:

Kundërshtimi politik nuk na bën armiq. Pra, vëmë re se përtej antagonizmit politik, ku kundështari shihet si armik, sikundër do vërente me të drejtë Chantal Mouffe, drejt një forme agonizmi, ku legjitimiteti i kundërshtarit njihet dhe respektohet, po ashtu edhe idetë e tij, kushdo qofshin ndryshimet ideologjike.

E kuptoni ju paragrafin më lart? E ftilloni dot? Ua shpjegoni dot masave punonjëse?

Në qoftë se përgjigjja juaj është PO, provoni të zbërtheni këtë tjetrin:

Siç dëshmoi situata paszgjedhore në SH.B.A, ndryshimet politike nuk u lejuan të dëmtojnë bashkësinë politike dhe rregullat e lojës proceduriale që garantojnë një zhvillim formal të demokracisë përfaqësuese. Atje, ndonëse si kudo, fushata elektorale mpreh në mënyrë të pashmangshme ndryshmëritë e publikut, pas shpalljes së vullnetit të popullit, e reflektuar në një mazhorancë tashmë të re, kanë filluar të shërohen plagat që shkaktoi rivaliteti politik.

Këtu vë re se edhe shumësi i fjalës plagë ka ndryshuar: një plagë, shumë plaga – ndoshta i ndikuar nga një plakë, shumë plaka.

Por mos harroni t’i mbani të mprehura ndryshmëritë, na kujtojnë dy autorët e UNYT-së.

Doni të dini diçka për Obamën? Ja ku e keni, të marrë nga një enciklopedi e vitit 2050:

Në mënyrë të mrekullueshme, Obama shpalosi një rrjet narrativ, që bashkoi ngjarje të mëdha politike kombëtare, me histori personale. Diskursi i tij indirekt, mes së kaluarës dhe së tashmes, kulmoi kur ai ritregoi historinë e Amerikës, arritjet dhe turpet e saj përmes historisë personale të votueses afroa-merikane qindegjashtëvjeçare, Ann Nixon Cooper.

Pse vallë ishte diskursi i tij indirekt? Apo ngaqë varej mes së kaluarës dhe së tashmes?

Po le të kthehemi te hallet tona. Autorët shpjegojnë me durim:

Në qoftë se politikanët tanë ju duken të shtirë, kjo është sepse gjuha e tyre shpreh ethosin politik zotërues, oportunizmin dhe tarafizmin pa vlerë, mungesën e guximit, polarizimin pa masë, mungesën e respektit ndaj institucioneve, përdorimin e politikës si mjet pasurimi dhe etjen e pushtetit për pushtetin.

Tarafizmin? Enciklopedia me siguri apokrife e vitit 2050 thotë se kjo fjalë hyri në përdorim diku rreth vitit 2025. Duke e futur në shqipe që sot, dy autorët tanë rrezikojnë krijimin e një paradoksi temporal.

Doni të tjera fjalë të reja, të bukura, drejtpërdrejt nga goja e… (kujt?):

Imponimi i “vlerave” kolektive nga regjimi i mëparshëm, çoi në një modernizim të çuditshëm të shoqërisë sonë, i tërhequr nga shtrembërimi i arritjes madhërore (për të kaluarën e Evropës Perëndimore), asaj të mbrojtjes institucionale të të drejtave individuale.

Natyrisht. Nga ana tjetër, nëpërmjet këtyre krijimeve pothuajse artistike:

Do të përvetësojmë kulturë, me të vërtetë demokratike, kur nevoja jonë e parë e përbashkët do të jetë respekti ndaj demokracisë dhe gëzimi nga marrëdhëniet demokratike me njerëzit, pavarësisht nga përkatësitë e tyre politike, dhe jo nënshtrimi ëndjet tona egocentrike, jo konsumimi i politikës.

Kush do të guxojë të flasë nesër për ëndje egocentrike? Përgjigjja: NE.

Në fund të fundit, thonë autorët:

Gjuha politike, meqënëse në kohërat tona fabrikohet nga specialistët e komunikimit, nuk pushon së shprehuri karakterin politik të komunitetit, në të cilin artikulohet.

Prandaj edhe unë pyes: ç’karakter politik ka ai komunitet, që lejon të hartohen dhe të botohen materiale të artikuluara si ky më lart?

 

19 Komente

  1. Z. Gjerazi,

    Përgëzime për analizën e mprehtë dhe ndriçimtare të këtij dokumenti të rrallë të shqipes së vitit 2050!

    Dhe ne të varfërit ankoheshim për shqipen e rektorit të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës…

    Pa fjalë që kjo shqipja e rrallë e zv. Rektorit greko-arvanitas të “University of New York in Tirana’ (vini re theksin në rrokjen e fundit)” do të kujtohet si shembulli i parë i Shqipes së Krymbur ashtu sikurse mbahet Meshari i Gjon Buzukut për Shqipen e Shkruar.

    Unë nuk do të habitesha sikur studentët e Gjakumisit, të cilët paguajnë qimet e kokës për diploma “Bachelor” që s’i hyjnë në punë kurrkujt, t’i kërkonin Ministrit Bejo revokimin e Urdhërit Nr. 385, datê 10/10/2006 të Ministrisë së Arësimit “Për Njohjen e Disa Diplomave etj”. të lëshuara nga Universiteti i Nju Jorkut në Tiranë.

    Mos!! E tërheq paragrafin e mësipërm!

    Sapo vura re se edhe pse në origjinalin në shqip të Urdhërit të mësipërm të Pollos nuk thuhet gjë për “parevokueshmëri”, përkthimi në anglisht, pika III, faqja 2 thotë se:
    “This decree becomes immediately legal and irrevocable…”
    http://www.unyt.edu.al/meducation.pdf

    Gabim përkthimi? Mashtrim?

    Kushedi. Gjithsesi, Universiteti i Nju Jorkut në Tiranë me sa duket paska fituar të drejtën “e parevokueshme” që, të paktën deri në vitin 2050, të vazhdojë të japë diploma “Bachelor” si monumente të patundura të Shqipes së Krymbur…

  2. Unë nuk e di, mbas këtij shembulli që na solli Z. Gjerazi, a e vlen, o xha xha, të marrësh shembuj nga gazetat (dhe “Shekulli” mua më duket ndër më të hajrit) për sprovën tënde “Shqipja e drunjtë”, apo shtypi duhet të skualifikohet automatikisht nga çdo përqasje shkencore thjesht sepse jeton në një univers paralel, gjuhësisht të makthshëm. Më e pakta që mund të bëjë “Shekulli” është të kërkojë falje publike. Pak ndryshim shoh këtu midis gazetës në fjalë dhe firmës që ngriti pallatin me byk që u rrëzua në Gjirokastër. Vetëm në qoftë se kanë dashur të tallen…

  3. Gjerazi pyet:

    “Si mund të shkaktosh festa spontane? A nuk u humbet spontaneiteti kur dikush i shkakton?”

    E para, dikush mund te shkaktoj (krijoj) festa spontane, po ashtu si mendime, ide, ndjenja spontane. E dyta, E humbet spontanitetin brenda te njejtit person (ndivid) sekonda me pare se tek dikush tjeter, ashtu si e humbi spontanitetin edhe shkrimi yt pasi e shkrove dhe jo gjat mendimit dhe shkrimit. Kjo pershtypje jo bindese per fragmentin tuaj te cituar nga une u be shkas qe te vazhdoja se mos gjeja te futej me thell ne vetperplasje interpretimi i referimit tuaj te atij shkrimi, por me provove gabim, perkundrazi u zbavita nga deshira dhe njohja juaj e shkruar. Mund ta quaj kete edhe zbavitje spontane, si dhe festa spontane mund te shkaktohet, mendoj.

  4. Ben Dedja shkruan:

    mbas këtij shembulli që na solli Z. Gjerazi, a e vlen, o Xha Xha, të marrësh shembuj nga gazetat (dhe “Shekulli” mua më duket ndër më të hajrit) për sprovën tënde “Shqipja e drunjtë”, apo shtypi duhet të skualifikohet automatikisht nga çdo përqasje shkencore thjesht sepse jeton në një univers paralel, gjuhësisht të makthshëm. Më e pakta që mund të bëjë “Shekulli” është të kërkojë falje publike. Pak ndryshim shoh këtu midis gazetës në fjalë dhe firmës që ngriti pallatin me byk që u rrëzua në Gjirokastër.

    Ben, për fat të keq, gjithnjë e më shumë prej nesh e shkruajnë shqipen siç del në gazeta, prandaj edhe unë atje jam i detyruar t’i qëmtoj shembujt, sepse atje shprehen më mirë simptomat. Ka shumë shkrimtarë që shkruajnë një shqipe të mirë, të kthjellët dhe të fortë – por këtyre ua mbyt zërin kori i zdrukthëtarëve të gjuhës.
    Sa për shkrimin më sipër, mua më duket më tepër si lajthitje e kujt pandeh se mund të shkruajë shqip – sepse nuk ka shqiptar që t’i bëjë ato gabime. Autori i artikullit e ka vendin në bankat e shkollës, jo në faqet e gazetës – sa kohë që nuk i shkon mendja të përdorë shërbimet e një redaktori të thjeshtë. Megjithatë, këtë artikull unë do ta trajtoja si një kërshëri, ose shëmtim; jo të shqipes, por të asaj mendësie që na e shpërfill gjuhën vetëm e vetëm sepse gjuhës nuk i del kush zot, sepse nuk e privatizon dot kush.
    Artikulli i këtyre dy akademikëve me tuje – edhe pse i dyti, Ilir Kalemaj, nuk besoj se e ka lexuar, meqë më duket si shqiptar nga emri – shërben si provë e një mendësie e cila, kur shprehet gjetiu, i bën njerëzit indiferentë ndaj kujt thotë: t’i rikthehemi edhe një herë, sepse publiku duket sikur ka harruar që, të gjithë ata që i drejtohen me gojë e me shkrim, e kanë për detyrë etike që t’ia përdorin gjuhën mirë.
    Kjo s’është çështje shijesh ose rafinimi retorik, por vetëm kulture publike që duhet treguar nga foltorja. Duke nderuar gjuhën, nderojmë shtetin, qytetarinë tonë dhe vetveten.

  5. Problemet që ka shqipja e shkruar burojnë shpesh nga fakti se tekste të shkruara e më pas të shpërndara publikisht janë hartuar mbi një platformë të formuluar më herët në një gjuhë tjetër, të cilat janë përkthyer në momentin e fundit pa përkujdesje të veçantë redaksionale. Unë kam ndeshur se fundi akte të ndryshme juridike të formuluara për sa i përket rrugës procedurale në mënyrë të rregullt, pra që përmbajnë vulën dhe firmën e noterit, por që janë në një shqipe aq problematike, sa që në momentin e parë të një konflikti midis palëve ky mund të bëhet menjëherë i pazgjidhshëm. Megjithatë shqipja juridike është për mendimin tim ajo pjesë e shqipes publike, e cila i ka rezistuar më mirë marrëzisë së kohës. E kam fjalën për shqipen e pasqyruar në tekstet e legjislacionit shqiptar apo në vendime gjyqësore të gjykatave të instancave të larta dhe jo për atë që përdoret rëndom në komunikim midis institucioneve administrative, pasi kjo do të ishte shqipja burokratike, e cila ka një dinamikë tjetër, që mund të trajtohet ndonjëherë në ndonjë cikël të veçantë.
    Shqipja juridike ka një traditë shumë të mirë, e cila lidhet me periudhën e vetme normale të shtetit juridik shqiptar, pra atë të para 1939. Shqipja juridike u përsos në këtë kohë falë integrimit gradual të shoqërisë shqiptare dhe marrëdhënieve të zakonshme të pronësisë në Shqipëri në një model kapitalist perëndimor. Pjesë e këtij integrimi gradual ishte padyshim edhe përshtatja fillimisht e legjislacionit civil shqiptar në modele italiane, franceze e zvicerane e më pas lindja e praktikës gjyqësore (tërësia e vendimeve të shkruara) po në këtë frymë. Juristët shqiptarë të viteve ’30 nuk e kishin të nevojshme ta shpiknin rrotën për së pari, por ua morën hua fqinjëve shpirtërorë perëndimorë, të cilët nga na e tyre e kishin marrë hua më herët në histori tek romakët. Dhe shumë mirë që u bë kështu.
    Në shqipen praktike juridike të pas 1990 shpesh logjika nuk është kriteri kryesor i përpilimit të kontratave apo i justifikimit të padive apo prapësimeve përkatëse. Shqipja e sotme juridike që rregullon marrëdhëniet e të drejtës ndërkombëtare private hartohet kryesisht në bazë të platformave të përpiluara paraprakisht në një gjuhë tjetër, kryesisht në anglisht dhe si përpiluesit ashtu edhe përkthyesit nuk zbatojnë kritere logjike që do të duhet të rridhnin vetëkuptueshëm nga një logjikë juridike tradicionale evropiane (këtu lipset të hyjë edhe shqipja juridike e viteve 30).
    Juristësh të rinj, më një përfytyrim tepër personal për marrëdhëniet juridike në një shoqëri kapitaliste, filluan të përkthejnë kontrata shitjeje dhe blerjeje (kryesisht toke) të përpiluar më herët nga amerikanë, pa u kujdesur aspak për një përshtatje logjike të mendimit të shprehur fillimisht në anglisht në mundësitë e shqipes juridike, të frymës së legjislacionit shqiptar si dhe në praktikën gjyqësore në Shqipëri. Pa dashur të zgjatem shumë por përkthime të tilla janë fatale, pasi fryma e një kontrate shitjeje e përpiluar në mënyrën anglo-saksone nuk mund të tejçohet në një gjuhë juridike evropiano-kontinentale (ku hyn edhe shqipja juridike) duke ja dhënë njëzetedyvjeçarit të parë që të të dalë përpara dhe të ketë rreshtuar të gjitha masterat që mund të ketë bërë një një nga Dakotat e shumta si provë për aftësitë e tija profesionale.
    Si vetë monarkia shqiptare edhe shqipja juridike e viteve 30 anonte shumë nga gegërishtja dhe ajo pjesë që i shpëtoi masakrës politike së periudhës së diktaturës komuniste sigurisht që u përshtat në shqipen standarde të pas 1972. Megjithatë falë punës së shumë juristëve toskë (sigurisht Omari, Puto, por para të gjithëve Prof. Andrea Nathanaili, civilist shumë i mirë por që fatkeqësisht ka rënë krejtësisht në harresë) u ruajt karakteri logjik i mendimit juridik edhe në shqipen juridike të periudhës së diktaturës. Për të përjashtuar keqkuptimet, kjo që dua të them nuk është aspak, që shqipja juridike e viteve ’30 u ruajt në vendimet me vdekje te periudhës së diktatorit Hoxha, por me shumë sakrifica në kontratat midis kooperative bujqësore dhe SMT-ve; pra e kam fjalën pikërisht për atë banalen e të padukshmen të periudhës komuniste, të zhveshur nga çdo patos e ambicie politike-ideologjike.
    Edhe në fushën e përkthimeve periudha e diktaturës komuniste pruri rastësisht eksperienca të reja në shqipen juridike falë përkthimeve të shumta të literaturës marksiste-leniniste, kryesisht të veprave të Marksit, Engelsit apo Leninit të fokusuar kryesisht në kritikën që i bënin këta sistemeve shoqërore dhe ekonomike parakapitaliste e kapitaliste. Gjatë periudhës së diktaturës komuniste u bë një punë gjigante për përkthimin dhe përshtatjen në shqip të një mendimi intelektual relativisht të komplikuar të lindur në një realitet social e politik krejt tjetër dhe përshtypja ime është, se një gjë e tillë u arrit dot, të paktën po të kemi parasysh, se të gjithë atyre që u është dashur të lexojnë Engelsin apo Leninin, arritën edhe t’i kuptojnë këta astronautë të çuditshëm, paçka se shoqëria ku jetonim gjendej në fund të një pusi. Nëpërmjet analizës dhe kritikës së marrëdhënieve të pronësisë kapitaliste apo parakapitaliste u induktua në shqipen e shkruar edhe ajo shqipe juridike që mund të përshkruante të ardhmen kapitaliste të Shqipërisë.
    Sigurisht që kjo traditë e mbledhur falë eksperiencës intelektuale marksiste u hodh që në ditën e parë të demokracisë, në emër të demokracisë të turmës pikërisht atje ku edhe turma mendonte se e kishte vendin, pra në hale, ashtu siç kishte bërë turma e barbarëve komunistë pas 1944, tek hodhi po në të njëjtin vend të gjithë eksperiencën civile perëndimore të mbledhur edhe në shqipen juridike të viteve 30. Ndoshta ky është mallkimi i shqipes, që nuk e ka aftësinë e ruajtjes së kompleksiteteve intelektuale që gjeneron dot në një moment të caktuar si bazë potenciale për zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës vetë, por që duhet të ndërpresë çdo zhvillim progresiv gjuhësor duke u bërë funksion i cikleve politike shqiptare, të cilat në një rast tjetër do të shërbenin si prova ultimative e ekzistencës së teorisë së kaosit në realitet.
    Shqipja ka pak aftësi të vijojë në mënyrë të vazhdueshme apo të paktën të ndjekë dot sadopak me një vazhdimësi intelektuale, pasi epokat (të paktën si nja tre vetëm në shekullin e XX) ku ajo kalon e detyrojnë të hidhet (e të thyejë qafën) gjithnjë e përsëri nëpër hendeqe gjuhësore të prura çdo 50 vjet nga turma fshatarësh të paditur e palexuar që mësyjnë qytetet shqiptare. Marrëdhëniet me shqipen mbeten të vështira, ngaqë shqipja e shkruar dje është një formë historike e saj.

  6. Jemi ne kohe ndryshimesh; bota me Obamen do jete me ndryshe, palestinezet do marrin tokat e stergjysherve (qe kane qene te katragjysherve izraelite), nga Iraku do largohen trupat amerikane brenda 6 muajsh (mesa duket , makinat ne Amerike nuk heckan me benzine) , ne Amerike te varferit do behen te pasur e te pasurit te varfer (kjo me kujton kujen e nje egjiptiani te para 4 mije vjeteve) , normalisht edhe shqipja duhet te ndryshoje.

    Fjala pjekurimi ishte vertet fantastike, gati-gati ta mbush mendjen. Po ne shqip ka edhe njerezia(teresia e njerezve) edhe njerezimi(teresia e njerezve), ku forma e dyte e shtyu formen njerezia ne nje abstraksion inutil (perderisa kemi afere per affare,pse jo inutil; e shkurter, praktike).
    Atehere thote ai majku (miku) pse pjekuria te mos kete nje pjekurim apo pse te kete maturim e jo pjekurim ?

    Shqiptaret i jane futur privatisht nje pune qe u perket specialisteve, por ka disa veshtiresi, pasi nuk i njohin menyrat e fjaleformimit ne shqip e kur lind nevoja nuk dine ku te plasin koken.

    Keto 17 vjet ne te folur (deri dje ishin vetem ne te shkruar) jane futur shume fjale te reja e jane formuar akoma me shume fjale e megjithate specialistet e gjuhes ndihen shume pak, faji i tyre qe nuk kane kuptuar nevojat a faji i nevojave qe jane te shumta apo faji i nevojtareve qe s’duan keshilla, kete nuk e di, por di qe problemi ekziston e ky virus po futet thelle ne organet jetesore te gjuhes.

    Xha xha merre me nge, ama librin qe po perflitet ketu nise e perfundoje, e po ta besh te nivelit te larte mendoj se mund te t’jape kenaqesi edhe sikur ta lesh si testament.

  7. Shqipe e drunjtë:

    Problemet që ka shqipja e shkruar burojnë shpesh nga fakti se tekste të shkruara e më pas të shpërndara publikisht janë hartuar mbi një platformë të formuluar më herët në një gjuhë tjetër, të cilat janë përkthyer në momentin e fundit pa përkujdesje të veçantë redaksionale.

    Pse jo: …Problemet e shqipes së shkruar burojnë shpesh nga përkthime të bëra me ngut, pa kujdes dhe pa redaktim…?

  8. Po aty:

    Ndoshta ky është mallkimi i shqipes, që nuk e ka aftësinë e ruajtjes së kompleksiteteve intelektuale që gjeneron dot në një moment të caktuar si bazë potenciale për zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës vetë, por që duhet të ndërpresë çdo zhvillim progresiv gjuhësor duke u bërë funksion i cikleve politike shqiptare, të cilat në një rast tjetër do të shërbenin si prova ultimative e ekzistencës së teorisë së kaosit në realitet.

    Pse jo: …Ndoshta ky është mallkim i shqipes, e cila nuk e ka aftësinë e ruajtjes së ndërlikimeve intelektuale të prodhuara në një kohë të caktuar, si bazë potenciale për zhvillimin e mëtejshëm të vetë gjuhës, por i është dashur ndërpresë çdo përparim gjuhësor sipas cikleve të politikës shqiptare…?

  9. Prapë aty:

    Shqipja ka pak aftësi të vijojë në mënyrë të vazhdueshme apo të paktën të ndjekë dot sadopak me një vazhdimësi intelektuale, pasi epokat (të paktën si nja tre vetëm në shekullin e XX) ku ajo kalon e detyrojnë të hidhet (e të thyejë qafën) gjithnjë e përsëri nëpër hendeqe gjuhësore të prura çdo 50 vjet nga turma fshatarësh të paditur e palexuar që mësyjnë qytetet shqiptare. Marrëdhëniet me shqipen mbeten të vështira, ngaqë shqipja e shkruar dje është një formë historike e saj.

    Pse jo: …Shqipja ka pak aftësi për vazhdimësi intelektuale, pasi epokat ku ka kaluar, tre vetëm në shekullin e XX-të, e detyruan gjithnjë të hidhet e të thyejë qafën nëpër hendeqe gjuhësore të prura çdo 50 vjet nga turma fshatarësh të paditur e të palexuar që mësyjnë qytetet shqiptare. Marrëdhëniet me shqipen mbeten të vështira, ngaqë shqipja e shkruar dje është një formë historike e e vetvetes…?

  10. Bujk, ti kerkon nje gjuhe me ekonomike, qe i kursen lexuesit mundimin te lexoj tre rrjeshta per te kuptuar te njejten gje vetem me nje. Por ketu po bisedojme per tjeter gje. Mbase Xha xhai shkruan dicka mbi ekonomizimin e gjuhes shqipe. Kjo vlen sidomos per gazetat, por ato ne fakt duan te mbushin rrjeshtat, sidomos kur informacioni me dashje ose jo eshte gjithmone i cunguar.

  11. Ajo gjuhe e perdorur ne kete artikullin e Shekullit deshmon mosnjohje te gjuhes shqipe ose paqartesi te idese qe kerkojne te shprehin autoret dhe padiskutim mungesen e redaktimit nga ana gjuhesore, gje qe eshte diskutuar njehere ketu e qe ne pergjithesi gazetet e neglizhojne per kursim. Po qe se eshte per paqartesi ideje, atehere nuk ka redaktor qe te mund te redaktoje nje shkrim te tille. Sidoqofte keto i them vetem duke u bazuar ne ekstraktet qe na sjell Gjerazi se artikullin e plote nuk e kam lexuar por pas ketyre as qe kam ndermend ta bej.

  12. A eshte zoti Maks Gjerazi fare a fis me Sokrat Gjerazin?
    Ne se po, atehere do i lutesha qe ti bente me dije se ka njerez ne Perendim, qe kur shkojne ne Shqiperi, dhe hyjne ne ndonje librari, blejne libra te huaj te perkthyer ne Shqip, VETEM kur keto libra jane perkthyer nga zoti Sokrat dhe njerez te seres se tij!
    Perndryshe, libri nuk lexohet!

  13. Z. Gjerazi vëren me të drejtë se:

    “Në të ardhmen edhe gramatika e shqipes do të ndryshojë. Ne sot e përdorim parafjalën megjithë me një emër në rasën kallëzore, por kjo nuk është e thënë që të mbetet ashtu:…” [krahaso “megjithë NDRYSHIMEVE” në shkrimin monumental të Gjakumisit].

    Gjerazi komenton saktë edhe keqpërdorimin e parafjalës “në” tek BASHKOHEM në”, në vend të trajtës së rregullt “bashkohem me”.

    Po ashtu, mua më duket se parafjala “ndryshe” lyp një emër në rrjedhore ose vijohet nga një ndërtim “nga + emërore”
    P.sh. “Ndryshe prej hulumtuesve të Skënderbeut” ose “Ndryshe nga hulumtuesit e Skënderbeut…” etj.

    Gjithaq, ndryshe mund të zëvendësohej me shprehjen parafjalore “në kundërshtim me” që vijohet normalisht me emërore.

    Megjithatë, mbeta i habitur nga fraza e mëposhtme, e cila me sa duket është marrë prej librit të shumëpërfolur të studiuesit zviceran Oliver Jensen Schmitt:

    “Do të ishte një pjesëtar i fisnikërisë së vjetër arbre, Giovanni Musachi(Joan Muzaki), i cili në kundërshtim nga verifikuesit e Skënderbeut përshkroi me të gjitha hollësitë se ç’origjinë kishin Kastriotët.”

    http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=48409

    Pas mendimit tuaj, Z. Gjerazi, a bëhet fjalë këtu për shqipe të drunjtë, të krimbur apo thjesht lajthitje redaktimi?

  14. M’u duk sikur kishte ca gabime gramatikore në fragmentin që kishte botuar Gazeta Shqiptare, por nuk besoj që t’i ketë bërë përkthyesi Klosi.
    Për shembull, fjalia:

    Në pjesën e dytë të shekullit 14 ishin vendosur ndër zotërinjtë serbë në brigjet e liqeneve maqedone edhe fisnikë shqiptarë, në gropat rreth Ohrit, Komino Prespa pranë Prespës, aty ku car Samueli kishte prurë prej Thesalie eshtrat e Shën Akileut, në Arbëri e njihnin atë bazilikë të mrekullueshme që ishte ndërtuar për nder të shenjtorit në një ishull të Prespës së Vogël, rrënojat e së cilës edhe sot përvijohen mbi sfondin e bregut të mbuluar me kallamishte dhe maleve përreth.

    Është gramatikisht e parregullt (ndoshta duhet një pikë pas Shën Akileut).
    I njëjti problem del me këtë fjalinë tjetër:

    Një vizitor katolik që kalonte këndej pari në fillim të shekullit 18, shkruante se Qidhna përbëhej nga një pjesë e poshtme dhe nga një e sipërme e ndodhej në një shpat jo fort të pjerrët të disa maleve jo shumë të larta, ndarë nga Dibra prej lumit Drin, një ishull i vogël në mes të “tmerrit të malësisë”, një copëz vend i bukur, por i mbuluar me borë në pjesë të mëdha të vitit, aty-këtu gjeje të shpërndara kishëza të shumta, dëshmi të një jete të gjallë të krishterë.

    Këto në anglishte i quajnë run-on sentences.
    Ja një fjali e çuditshme:

    Është kjo një pyetje që zor se i interesonte ndokujt në mesjetën e vonë, hiq ndonjë grindje dijetarësh të shekullit 17, por që u ngrit si çështje në shekullin 19, kur propagandistët e mendimit kombëtar neogrek dhe serb, atij shqiptar e në shekullin 20 edhe atij maqedon, filluan të kërkonin për panteonët e tyre popullorë figura të rëndësishme të së kaluarës, mirëpo kjo është jo vetëm anakronike, por nuk përfill fare karakterin e përzier etnik të fisnikërisë evropiane, i cili sapo që lë parëndësinë e hapësirave të vogla, bën martesa pa marrë parasysh kufijtë kombëtarë.

    Cilës fjalë paraprirëse i përgjigjet përemri i cili?
    Ç’do të thotë ‘parëndësinë e hapësirave të vogla’?
    Po ashtu:

    Vjen e shtohet këtu çështja që prejardhja etnike nuk të thotë asgjë për vetëkuptimin e një personi.

    Çfarë është vetëkuptimi?
    Një tjetër fjali me komçat zbërthyer:

    Pinjolli i tyre më i famshëm Skënderbeu, arriti të bëhej zot i Arbërisë, se ç’gjak etnik rridhte në dejet e tij, kjo njerëzve që i shkonin pas nuk i interesonte

    .
    Përsëri më poshtë:

    Duhet supozuar se i ati i Vojsavës do të ketë qenë Grgur Brankoviqi, kjo do të thotë që djemtë e Vosjavës ishin kushërinj me familjen që do të ngjitej në 1427 në fronin (princëror) të despotëve serbë.

    Fjali e keqe. Kjo nuk është shqipja që përdor zakonisht Klosi. Ose ka pasur “ndihmë” në përkthim, ose materiali në Gazetë është kopjuar me dorë dhe gabimet i ka futur kopistja.
    Të presim për librin.

  15. Nuk pata nerva ta mbaroj – skandal! Nuk pritej diçka e tillë nga doktorë. Sigurisht që janë përkthes shumë të këqinj. Dhe nuk dinë fare shqip për më tepër.

  16. Por perderisa ai nuk eshte shqiptar, si mund te akuzohet se nuk e di shqipen mire? Eshte si t’i thuash ambasadorit amerikan qe shqipja e tij eshte e krimbur. Autori i ketij shkrimi nuk eshte shqiptar vendas.

  17. Edi, edhe une s’di greqisht, prandaj s’guxoj te dergoj artikuj ne gazetat greke.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: