TEKNOKRACIA E GABIMIT (III)

 

 

Kur pushkatuan Dukën e Enghien-it, në 1804, me vendim të një gjykate ushtarake të Napoleon Bonapartit, u tha se shefi i policisë Fouché kishte shfryrë gjithë inat: C’est pire qu’un crime, c’est une faute (“Kjo është më keq se krim, është gabim”). Burime të tjera ia atribuojnë shprehjen Talleyrand-it.

Vallë mund të jetë gabimi më i keq se krimi? Ndoshta, sa kohë që krimin jemi mësuar ta përfytyrojmë si të kryer me dëshirën ose vullnetin e kriminelit, i cili ruan, si të thuash, autorësinë dhe kontrollin mbi veprën e vet; ndërsa gabimi është një qyrk që nuk dëshiron ta veshë kush.

Shkaqet e gabimeve janë të shumta, ndoshta më të shumta edhe se shkaqet e krimeve; por mes këtyre shkaqeve spikat besimi i tepruar i gabimtarit në saktësinë ose drejtësinë e opinioneve dhe dijeve të veta, ose në përpikmërinë e perceptimit të tij ose të dhënave që zotëron. Ky besim dhe siguri prekin në mënyrë të veçantë teknokratët, të cilët kanë investuar shumë vite të jetës dhe energji mendore dhe shpirtërore për të përftuar profilin e tyre profesional.

Kriza e tregjeve financiare, së cilës ende nuk po i duket fundi, u shkaktua edhe nga kjo siguri e tepruar ose hubris e specialistëve të financës që punojnë për firmat e investimeve dhe të brokerimit, dhe që janë përzgjedhur mes ajkës së matematikanëve, fizikanëve, kibernetistëve dhe analistëve të sistemeve anembanë botës.

Grekët e vjetër kishin një emër për këtë farë arrogance: hubris, edhe pse në kohët moderne hubris i është bashkëlidhur më tepër mitit të dr. Frankenstein-it ose të dr. Faustit, ose në përgjithësi njeriut që kërkon të matet me Perënditë. Homo tecnocraticus i tregjeve të sotme të bursës, i mishëruar në figurën tragjikomike të plakut Greenspan, është simbol i hubris dhe i narcisizmit për epokën e kapitalizmit financiar, i pompuar edhe nga shpërblimet shumëmilionëshe, stilin përrallor të jetesës dhe iluzionin e kontrollit mbi fatet e planetit.

Nuk është aspak e rastit që ky lloj besimi idhujtar në virtytin teknologjik është kultivuar në Amerikë, ose në vendin gjeometrik të ëndrrës kapitaliste globale – ku iniciativa e lirë ekonomike, barazia sociale, adhurimi i parasë dhe i pasurisë materiale, meritokracia dhe hapësira e pafund për materializim të ambicjes kanë bashkëpunuar prej më se dyqind vjetësh, për t’i dhënë jo vetëm Amerikës, por edhe botës mbarë pamjen që ka sot.

Përmenda në pjesën e parë të kësaj eseje faktin kurioz që Alan Greenspan, sikurse miliona amerikanë të tjerë të etshëm për t’u afirmuar në botë nëpërmjet pasurimit, ishte në të ri dishepull i kultit të shkrimtares dhe filozofes hebreo-ruso-amerikane Ayn Rand, e njohur veçanërisht për dy romanet e saj Fountainhead dhe Atlas Shrugged, që shërbejnë si vetrina për filozofinë e saj të ashtuquajtur objektiviste.

Më duhet ta pranoj menjëherë që nga Ayn Rand kam lexuar dhe deri diku shijuar Fountainhead, dhe sidomos We the Living, një roman që i vendos ngjarjet në Bashkimin Sovjetik të NEP-it, të viteve 1920; por biblën e kapitalistit amerikan, Atlas Shrugged, nuk e kam përfunduar dot; i detyruar ta ndërpres pas rreth 200 ose 300 faqesh, i neveritur përfundimisht nga ideologjia dhe imoraliteti i Rand, por edhe i dekurajuar nga niveli shumë i ulët artistik.

Heronjtë e Rand janë individë narcisikë, shumë punëtorë dhe të talentuar, të cilët janë të vetmit që krijojnë qytetërim dhe, bash për këtë arsye, nuk mund t’u nënshtrohen ligjeve dhe etikës njerëzore. Nuk ia kanë nevojën askujt, përveç ndoshta njëri-tjetrit si pasqyra (narcisësh). Titanë të iniciativës private dhe të rinovimit teknologjik, çajnë rrugën drejt suksesit në luftë jo aq me natyrën, sesa me mediokritetin e masës dhe të institucioneve; veprat e tyre janë monumente sa të industrializmit, teknologjisë dhe prodhimit të madh kapitalist, aq edhe të vullnetit të tyre të papërkulur. Fountainhead më është dukur gjithnjë një përzierje e çuditshme e filozofisë së Nietzsche-s (por pa ironinë e këtij të fundit) me futurizmin dhe fashizmin italian, si dhe modernizmin rus të viteve 1920, të mishëruar në letërsi, ndër të tjera, nga romani i mrekullueshëm We, i Jevgeni Zamjatin; vetëm se nuk duhet harruar që Rand është shkrimtare e patalentuar artistikisht, personazhet e saj janë karikatura manikeiste, dhe dhjetëra në mos qindra faqe të romaneve parashtrojnë teza filozofike, shpesh bajate deri në intoksikim.

Amerika e romaneve të Rand ka diçka nga vrulli kapitalist naiv i viteve 1920 ashtu siç mishërohet ky, bie fjala, në rrokaqiejt e New York-ut dhe në dekorin e Rockefeller Center, veçanërisht statujën e Prometeut të Paul Manship; por më tepër është imazhi i përmbysur i Rusisë sovjetike të ëndërruar nga futuristët dhe modernistët rusë të viteve 1920, si kremtim njëkohësisht hyjnor dhe i frikshëm i lokomotivave, akullthyeseve, hekurudhave transkontinentale, zepelinëve, metalit, ndërtesave qiklopike, elektricitetit dhe, brenda këtij konteksti, si kult kuazi-masonik i ndërtuesve titanikë që kanë për shenjtor të parë pikërisht Prometeun.

Romanet e Rand e trupëzuan këtë teknologji, por edhe frymëzuan breza të tërë teknokratësh dhe sipërmarrësish të cilët kishin nevojë t’i themelonin ambicjet e tyre në një filozofi çfarëdo. Ishte ky optimizëm  që bëri të mundur, ndër të tjera, bombën atomike, luftën e ftohtë dhe pushtimin e hapësirës rreth tokës, edhe nga amerikanët edhe nga sovjetikët, të cilët askund nuk bashkohen më mirë e më harmonishëm, sesa në elukubracionet pseudo-letrare të Ayn Rand.

Kulti i tekonologjisë, i mirëmbajtur dhe i riprodhuar nga kasta e priftërinjve të lartë teknokratikë, filloi të vihej në dyshim nga lëvizja ekologjike dhe shqetësimi për raportet midis zhvillimit teknologjik të shfrenuar dhe mjedisit; por incidenti dramatik spektakolar, që shenjoi edhe fillimin e rrokullimës, ishte shpërthimi i anijes kozmike Challenger në 28 janar 1986, pak vjet para përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe fillimit të epokës së dyshimeve të mëdha.

Një nga mësimet e nxjerra prej atij incidenti, ishte se, sa më komplekse të jenë sistemet, aq më e vështirë është që të kontrollohet rastësishmëria (randomness); një problem ky që entuziastët e zhvillimit teknologjik e kishin shpërfillur krejtësisht. Shpërthimi i Challenger-it gjithashtu tregoi se, një nga shkaqet kryesore të gabimit kishte të bënte pikërisht me informacionin e akumuluar gjatë lëshimeve të mëparshme të këtyre anijeve, i cili ishte interpretuar në një mënyrë të tillë që deri atëherë konsiderohej si e kënaqshme, por që më pas kishte rezultuar tragjikisht e gabuar. Meqenëse operacione të tilla kurrsesi nuk mund të mendohen pa aftësinë për të marrë, analizuar dhe interpretuar me shpejtësi të dhëna nga më të shumtat, një incident i shkaktuar jo nga mungesa e informacionit, por nga prania e tij bëhet shkas për disa pikëpyetje metafizike ndaj raporteve midis teknologjisë dhe progresit, por edhe ndaj rolit ndërmjetësues të klasës teknokratike.

Për ta thënë ndryshe – homo sapiens nuk është biologjikisht i përgatitur për të kontrolluar teknologjinë e sofistikuar që zotëron, çka lidhet drejtpërdrejt me mënyrën si e përpunon truri informacionin. Analizat e katastrofave të ndryshme kanë treguar se në shumë raste gabimi njerëzor i detyrohet në masë të madhe informacionit të tepruar, ose deformimit interpretativ të shkaktuar prej trysnisë së të dhënave. Edhe kolapsi i tanishëm i tregjeve financiare është shpjeguar, nga disa autorë, me besimin e tepruar të super-ekspertëve financiarë ndaj modeleve të tyre të tregut, forcës parashikuese të këtyre modeleve, dhe mekanizmave mbrojtëse të trupëzuara në to. Vetë kompjuterët, edhe pse janë në gjendje të ruajnë gjakftohtësinë edhe në situatat më kritike, nuk janë veçse zgjatime të funksionit tonë biologjik të komputimit, ose përllogaritjes; prandaj kanë trashëguar prej trurit njerëzor jo vetëm racionalitetin, por edhe kufijtë e racionalitetit.

Kapitalizmi utopik i heronjve të Ayn Rand mbështetet mbi bindjen e patundur në sovranitetin e individit të epërm ndaj natyrës dhe turmës; ose mbi triumfin e vullnetit të mbinjeriut të informuar dhe ambicioz. Heronj të tillë, herët a vonë, shpien në katastrofa të kushtueshme dhe dramatike për ekonominë dhe për shoqërinë, pa zënë në gojë pastaj jetët e humbura ose të shkatërruara.

Megjithatë, për oportunistët dhe dinakët ka ende shpresë; sepse mbi gërmadhat e kapitalizmit teknokratik, ose piramidat e rrënuara të faraonëve të kapitalit shkëlqimtar dhe prometean, po gjelbëron tashmë bari i keq i të ashtuquajturit “kapitalizëm i katastrofave” (disaster capitalism, për ta thënë me një koncept jashtëzakonisht pjellor të Naomi Klein), bir bastard i të parit, por njëlloj grykës dhe i pandalshëm si i jati. Kjo është edhe mrekullia e sipërmarrjes private; e pikasur që para një shekulli prej Leninit, që pat thënë njëherë se “kapitalistët do të na shesin deri edhe litarin me të cilin t’i varim”; dhe asgjë nuk do t’i pengojë kapitalistët e së nesërmes që të fitojnë pará nëpërmjet shkatërrimeve dhe katastrofave që kanë shkaktuar kapitalistët e së djeshmes. Çka don të thotë edhe se gjithnjë do të gjendet dikush, që t’i falënderojë qoftë edhe në heshtje teknokratët e gabimit për fitimet e majme.

 

1 Koment

  1. Emfaza qe i dhurohet ne kete analize aynrandizmit si kod etik i perqafuar nga specialistet e finances si Greenspan me duket problematike, sidomos kur llogaritet si faktor ne ekuacionin qe meton te enkapsuloje lidhjen shkakore qe shpuri ne kolapsin e tregjeve financiare.
    ‘Deregulation’, kapitalizmi laissez-faire, ambiciet e sipermarrjes se lire, dhe egozimi racional mund te gjejne lehte udheheqje morale tek aynrandizmi e te frymezohen prej tij, por ato as qe fillojne ta shpjegojne krizen e sotme financiare. Me shume se gjithcka, kjo ishte nje krize e tregjeve te huave, ku aktet e sipermarresve te lire nuk mund te divorcohen kaq lehte nga aktet rregullatore / kontrolluese te qeverise. Ne fund te fundit, ishte Kongresi Amerikan ai qe nepermjet Community Reinvestment Act (CRA) te vitit 1977, iu imponoi te gjitha institucioneve financiare qe gezonin garancite qe ofron ‘FDIC insurance’, detyrimin qe te jepnin hua jo-diskriminuese ne komunitetet me te ardhura te ulta ose te mesme (lexo: “komunitetet me ngjyre”), hua te cilat nuk do te jepeshin kurre bazuar ne kritere pastertisht ekonomike. Pa i hyre meritave dhe mekateve qe mund te kene iniciativa federale si CRA, ia vlen te permendet se nuk ka gje qe te shkoje me ndesh me aynrandizimin sesa intervencione qeveritare te kesaj natyre, te cilat jane te bazuara ne ate cka Ayn Rand quan “altruizem immoral” dhe qe i shkon krye-keput kunder te ashtuquajturit “virtyt i egozimit racional.”
    Nje komentues ne kete blog analogjizonte menyren se si operojne tregjet e kredive dhe derivateve si nje lokal bastesh ku alternativat jane ose te fitosh shume duke luajtur me parate e te tjereve, ose te humbasesh gjithcka qe s’eshte e jotja e ty vete te most te te kete hyre asnje gjemb ne kembe , por te dalesh qe andej dhe te gjendesh prape ne status quo ante. Nje i tille sistem, sado alogjik, behet i mundshem po qe se te parit qe do te te ndaloje tek dera e lokalit i indinjuar nga padrejtesia qe misheron nje sistem i tille, ti i tund para fytyres nje kopje te CRA. Nderkohe, Ayn Rand s’ka pse te mos vazhdonte e patrazuar te shijoje goten e saj me brandy diku ne nje cep te lokalit duke tymosur pipen e saj elegante.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin