TEKNOKRACIA E GABIMIT (II)

 

Sapo mora vesh që paska vdekur Michael Crichton, shkrimtar romanesh pulp fantastiko-shkencorë dhe autor njëlloj i sukssesshëm i kinemasë dhe televizionit, i njohur veçanërisht për idenë madhështore të Parkut Jurasik, të nyjëtuar në romanin dhe pastaj në filmin me të njëjtin emër.

Nuk e quaj dot shkrimtar të madh, as janë veprat e tij letërsi e mirëfilltë, por vetëm përralla pedagogjike, me strukturë kallëzimtare mjeshtërore, për komunikimin midis njeriut dhe teknologjisë. Megjithatë, më ka dhuruar shumë orë të këndshme me romanet që ia kam lexuar.

Në disa nga veprat e veta më të mira, si Jurassic Park, Andromeda Strain, Airframe dhe Westworld, Crichton i qaset problemit madhor të gabimeve në funksionimin e sistemeve komplekse të automatizuara ose të drejtuara nga kompjuterët, të cilat gabime çojnë në kriza me pasoja shpesh katastrofike.

Jurassic Park gabimi ka të bëjë me sigurinë e administratorëve të parkut se mund ta kontrollonin pa vështirësi sjelljen e dinosaurëve të klonuar; në Andromeda Strain kriza shkaktohet nga një virus që arrin t’i kapërcejë barrierat hermetike të një laboratori biologjik të sigurisë maksimale; në Airframe aksidenti ajror shkaktohet pjesërisht nga mosmarrëveshja në komunikim midis pilotit të avionit dhe kompjuterit të bordit; në Westworld janë robotët androidë të një parku lojërash që nuk u binden më komandave të padronit.

Tema e gabimit fatal madje katastrofik, të shkaktuar nga një mangësi në ndërfaqen (interface) njeri-makinë është trajtuar edhe më parë nga letërsia fantastiko-shkencore; por Crichton arriti ta aktualizojë, duke e lidhur me çështje me interes të përgjithshëm, të tilla si klonimi dhe manipulimi gjenetik, aviacioni komercial, armët biologjike, inteligjenca artificiale dhe nanoteknologjia (Prey).

Muajin e shkuar, kur tregjet financiare anembanë botës dolën nga kontrolli i mbikëqyrësve institucionalë, për të djegur me miliarda dollarë investime dhe për të dëmtuar rëndë ekonomitë e vendeve më të zhvilluara të planetit, më ka shkuar mendja shpesh te romanet e Crichton, sidomos sa herë që lexoja se përpjekjet e ngutshme për të kufizuar dëmet dhe për ta sjellë sistemin në ekuilibër bëheshin ato vetë shkak për ta keqësuar situatën edhe më.

Shumë makina, makineri dhe sisteme, sado të thjeshta, vijnë me mekanizma sigurie të cilat, në rast keqfunksionimi ose krize, ndërhyjnë për të parandaluar katastrofën. Deri edhe një furrë e thjeshtë elektrike, ose një hekur rrobash kanë termostate, të cilat e ndërpresin furnizimin me rrymë në qoftë se tejkalohet një temperaturë e caktuar dhe makina fillon të mbinxehet. Prej termostatit tek kompjuteri i sotëm që kontrollon çdo aspekt të fluturimit të një Boeing-u 747, zhvillimi ka qenë marramendës, por funksioni i mekanizmave të sigurisë është i njëjtë.

Edhe tregjet financiare mund të konsiderohen si makina të një lloji të veçantë, të vetërregullueshme nëpërmjet mekanizmave të sigurisë – prej të cilëve më i thjeshti është vendimi për ta mbyllur tregun, në rast se shmangia nga vlerat mesatare të shkëmbimeve arrin një madhësi të caktuar. Të tjerë mekanizma janë trupëzuar në programet e kompjuterëve të cilëve u besohen tani një përqindje të lartë të transaksioneve rutinë. Megjithatë, edhe ligjet dhe rregullat që lejojnë mbikëqyrjen dhe kontrollin e tregjeve nga ana e autoriteteve mund të konsiderohen si “termostate”, ose mekanizma që parandalojnë shpërthimin, djegien, shkatërrimin dhe katastrofën.

Drama e shumëpërfolur e presidentit i Federal Reserve Alan Greenspan, që i udhëhoqi e i frymëzoi tregjet financiare botërore për vite me radhë, në bazë të një filozofie të laissez-faire, por edhe të një ideologjie që e konsideronte tregun si rregullatorin kryesor të sistemit, më kujton tani dramën e ngjashme të super-teknokratëve tipikë të romaneve të Crichton, gjithnjë të sigurt për funksionimin e sistemeve që kanë projektuar dhe ndërtuar, por rregullisht viktima të limiteve të tyre mendore, ose robër të kafazeve ideologjike ku e kanë mbyllur veten.

Natyrisht, edhe makinat më të përsosura pësojnë defekte të cilat nuk mund të parashikohen; edhe sistemet më të mbrojtura nga rastësia ose pasojat e dukurive kaotike bien viktimë e një mjellme të zezë (për të përdorur shprehjen e Talebit); edhe kokat e mëdha si Greenspan gabojnë ose përgjumen. Më e frikshme është mundësia që gabime, defekte dhe përgjumje të tilla të jenë pasojë e pikërisht nevojës për përsosmëri, ose e asaj metode intelektuale që pretendon t’i ketë marrë parasysh të gjitha; meqë vetë funksionimi i teknologjisë mbështetet mbi presupozimin se makinat, programet kompjuterike dhe sistemet artificiale komplekse do të funksionojnë sipas parashikimeve të krijuesit.

Crichton vetëm sa e ka eksploruar dramacitetin e këtij konflikti, por pa ofruar dot përgjigje të re. Tek e fundit, këto tema të trajtuara prej tij janë variante të rrëfenjës primordiale të Frankenstein-it, ose të njeriut faustian që kërkon të imitojë Zotin, duke u dhënë “jetë” krijesave ose lodrave të veta. 

Po ku ka vend më të përshtatshëm për të studiuar arrogancën ose hubris-in e teknokratit sesa Wall Street-i?

[vijon]

 

 

3 Komente

  1. Xhaxhai, nuk e di nese gjithe kete arrogance burokratike dhe teknologjike mund ta perngjasojme me rrefimin biblik te Kulles se Babelit.
    Me duket se ka nje ngjashmeri, sidomos per nga sasia dhe paturpesia e mendjemadhesise. Mendoj se e njejta parabole biblike mund te perdoret edhe per thithesit monstruoz te labirinteve financiare. Kjo krize edhe mund te quhet Kulla teknologjike e Babelit, mendjemadhesia e persosjes mizore qe tash po kthehet si nje bumerang planetar.

    Le ta quajme mendjemadhesia mizore e persosjes, qe kerkon te ngritet diku ne qiell, ne ato hapesira transadentale, ne te cilat mendja njerezore mbetet e pafuqishme.
    Duke kerkuar persosjen hyjnore duket se njeriu harroi limitet e veta dhe qetesisht iu dorezua ftohtesise se makinave, krijesave te veta dhe qe me ne fund u be rob i tyre, rob i probabiliteteve qe gjithmone nenkuptojne nje gabim te mundshem minimal, por qe fodullet e Will Street-it e flaken si nje xhakete te vjeter.

  2. Vdiq Michael Crichton? I lehtë qoftë dheu! Mos është ky „The Admirable Crichton“, për të cilin flet Konitza, e që donte të pikturohej me në njërën dorë shpatën dhe në tjetrën pendën? S’e besoj, do jetë ndonjë tjetër. Po nejse, po i shkruaj këto radhë për t’i thënë publikut lexonjës se kam postuar në site-in tim së fundmi nja dy gjëra të vogla, çikërrima: një për Ibn Arabin, një filozof me emër nga të Andaluzisë, një poemë satirike të Ismail Kadaresë, që sa herë e lexoj, grisem së qeshuri (sa shakabërës ke qënë e je bërë, ore burrë!) dhe një transkriptim (një kapitull i akteve të Kuvendit të Arbënit, mbajtur në Mërqi të Lezhës më 1703 dhe botuar më 1706 në Romë në latinisht dhe „scchip“. Lexim të mbarë!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin