TEKNOKRACIA E GABIMIT

 

Pak ditë më parë, i thirrur për të dëshmuar para Komitetit për Mbikëqyrjen dhe Reformën Qeveritare të Dhomës së Ulët të Kongresit Amerikan, ish Presidenti i Federal Reserve Alan Greenspan pranoi se u kishte besuar së tepërmi aftësive vetë-korrigjuese të tregut të lirë, dhe nuk kishte arritur të parashikonte fuqinë vetë-shkatërruese të huave hipotekare të papërligjura.

Greenspan, që qëndroi në krye të Federal Reserve – sistemit bankar qendror të SHBA – për 18 vjet, para se të largohej që andej në janar 2006, mbahet për autoritet të padiskutueshëm në fushën e financës, dhe një nga kalorësit më heroikë e të lavdishëm të kryqëzatës së ekonomisë së tregut, si realitet dhe model i botës unipolare dalë nga gërmadhat e Murit të Berlinit.

Megjithatë, Greenspan tani akuzohet si një nga fajtorët kryesorë të krizës financiare që po shkatërron ekonominë botërore, meqë për vite me radhë nuk bëri asgjë për të frenuar ortekun e huave hipotekare, edhe pse një ligj i vitit 1994 (Ligji i Mbrojtjes së Investimeve të Pronarëve të Shtëpive) ia kishte lënë duart të lira për të vepruar.  

“Ju e kishit autoritetin për të parandaluar praktikat e huadhënies së papërgjegjshme që çuan në krizën e hipotekave subprime (me risk të ngritur). Shumë vetë ju këshilluan që të vepronit ashtu,” i tha Greenspan-it kongresmeni Henry A. Waxman nga Kalifornia, president i komitetit. “A nuk ju duket se ishte ideologjia juaj që ju shtyu të merrnit vendime të cilat tani dëshironi të mos i kishit marrë?”

U përgjigj Greenspan: “Po, tani e kam gjetur të metën. Nuk di sa domethënëse ose e qëndrueshme është. Por më ka shqetësuar shumë fakti që e kam gjetur.”

Greenspan gjithashtu pranoi se i ishte dobësuar disi besimi në deregulation, dhe se praktika jashtëzakonisht e përhapur dhe e pambikëqyrur e shpërndarjes së riskut financiar nëpërmjet përdorimit të instrumenteve financiare ekzotike, të quajtura derivate (derivatives), kishte dalë tashmë jashtë kontrolli, duke e rënduar edhe më krizën e tanishme; në një kohë që ai vetë, prej shumë vjetësh, kish qenë kundërshtar i vendosur i rregullimit të derivateve. 

“Me fjalë të tjera,” tha Waxman, “ju zbuluat se botëkuptimi juaj, ideologjia juaj, nuk ishin të drejta, nuk po funksiononin mirë.”

“Pikërisht ashtu, patjetër,” u përgjigj Greenspan. “Prandaj edhe unë u shokova, sepse për dyzet vjet me radhë unë kisha qenë i bindur se po funksiononin jashtëzakonisht mirë.”

Waxman i kujtoi ish presidentit të Federal Reserve se, deri dje, ky kishte argumentuar që rregullatorët qeveritarë nuk kishin ndonjë përparësi ndaj tregjeve vetë, për të imponuar disiplinë.

“Gabuat vallë?” e pyeti Waxman.

“Pjesërisht,” u përgjigj Greenspan.

Në një kohë kur SHBA dhe praktikisht planeti mbarë kremtojnë fundin e epokës brutale Bush në politikën amerikane, kryqëzimi intelektual i një korifeu si Greenspan në Kongres përfaqëson një incident me përmasa edhe më globale, sidomos në rrethanat kur kriza e sotme financiare pritet të kushtëzojë seriozisht politikat e administratës së ardhshme në DC.

Këtu nuk është fjala vetëm te gabimet e një gjeniu, as te dështimi i një vizioni radikal të frymëzuar nga idhujtaria e tregjeve; por te diskreditimi i i pashallarëve të financave planetare deri dje të adhuruar si modele prej turmave të investuesve dhe të biznesmenëve anembanë. Wall Street-i, ky Vatikan i business-it post-modern i kontrolluar nga një klikë kardinalësh super-teknokratikë me IQ marramendëse dhe arrogancë prej mandarinësh kinezë, e humbi vellon e pagabueshmërisë.

Domethënia e fiaskos së Greenspan dhe kumarxhinjve teoricienë të financës bëhet edhe më e qartë po të analizohen lidhjet shpirtërore të ish presidentit të Federal Reserve me filozofinë objektiviste të Ayn Rand.

Praktikisht e panjohur në Shqipëri dhe pak e njohur edhe në Europë, shkrimtarja dhe filozofja amerikane Ayn Rand (1905-1982), një hebreje e emigruar nga Rusia në Amerikë në vitin 1926, njihet mirë nga publiku i SHBA, veçanërisht nëpërmjet romanit të saj Atlas Shrugged, i cili konsiderohet si një nga veprat më të lexuara dhe më ndikuese gjatë shekullit XX, të paktën për sa i përket kulturës amerikane. Sipas një ankete të Bibliotekës së Kongresit dhe të Book of the Month Club, e kryer në 1991, ky libër renditej i dyti pas Biblës, për nga popullariteti mes lexuesve amerikanë (rezulton i lexuar nga rreth 8% e amerikanëve të rritur).

Filozofia objektiviste e Ayn Rand kremton egoizmin racional, grykësinë (greed) dhe individin e suksesshëm, i cili mund ta arrijë lumturinë vetjake vetëm brenda një sistemi kapitalist laissez-faire, të ndarë prej shtetit njëlloj si edhe kisha. Veprat kryesore të Rand, Atlas Shrugged dhe Fountainhead e ilustrojnë këtë filozofi në mënyrë jashtëzakonisht metodike.

Në të ritë e vet, edhe Alan Greenspan ishte një prej pjesëtarëve të një grupi të ngushtë admiruesish të kësaj “kryepriftëreshe të kapitalizmit të papenguar”, siç e quan Paul Krugman; të cilët i kalonin mbrëmjet në apartamentin e Rand në Manhattan për të ripërtypur ngjarjet e ditës nga këndvështrimi objektivist.

Në një ese të vetën, të botuar në buletinin e Rand, në 1963, presidenti i ardhshëm i Federal Reserve e quante “mit kolektivist” idenë se biznesmenët, po të liheshin të pakontrolluar, “do të përpiqeshin të shisnin ushqime dhe barna me cilësi të dyshimtë, tituj financiarë mashtrues, dhe shtëpi të ndërtuara keq.” Përkundrazi, shpjegonte Greenspan, “është në interesin vetjak të çdo biznesmeni që ta ruajë reputacionin e vet për praktika tregtare të ndershme dhe produkte cilësore.”

Mirëpo kriza financiare këtë vjeshtë tregoi se, të lënë të pakontrolluar, biznesmenët nuk merren aq me reputacionin e tyre, por priren të ndjekin instinktin e tyre të pasurimit të paskrupullt, shkatërrojnë në fillim hareshëm njëri-tjetrin, pastaj krejt ekonominë botërore, në një orvatje titanike për t’ia rrjepur lëkurën për së gjalli çdo qyqari të planetit. Edhe kapitenët e financës, që dështuan aq bujshëm në Wall Street, ishin heronj tipikë të romaneve të Rand – inteligjentë, largpamës, të përgatitur, egoistë, ambiciozë, virtuozë të punës, megalomanë, arrogantë: ajka teknokratike e planetit.

Për ta thënë me një varg të këngëtarit tim të preferuar Paolo Conte:

Era un mondo adulto, si sbagliava da professionisti.

[vijon]

8 Komente

  1. Dhe të mendosh që Zoti Greenspan, gjatë kohës që ishte President i FR kishte marrë edhe ai për veten një financim për të blerë shtëpi…me taksë interesi fikse. I pyetur, pse nuk kishte zgjedhur taksën e lëvizshme të interesit, u përgjigj që “ishte një njeri që i pëlqente siguria, të ishte me këmbë në tokë”

  2. Kjo eshte e pagelltitshme. Si ka mundesi qe anomalia ishte shume e qarte per njerez te thjeshte dhe jo per zotin Greenspan. Me cudit shume menyra se si flitet per krizen financiare, sikur te ishte nje rrufe ne qiell te paster, me duket nje genjeshter me bisht.
    Ne te njejten menyre eshte folur per mungesen e aremeve te shkaterimit tne mase ne Irak.
    I vetmi shpjegim qe kam nuk eshte injoranca por grykesia, shume njerez bene shume para ne proces e siper.

  3. Kete e mora nga peshku. Permetari shkruan:

    Shkaku i krizes ekonomike brenda Amerikes nuk eshte politika e jashtme e Bushit, dhe s’ka si te jete. Kriza ishte financiare dhe sigurisht qe do te kishte efekt mbi ekonomine. Te dyja partite ketu ne Amerike kane pergjegjesi per kete krize sepse ajo nuk eshte pasoje e politikes se viteve te fundit — e ka burimin me heret. Filozofia e republikaneve eshte qe shteti te nderhyje sa me pak ne punet e bankave dhe politikes se tyre te kredidhenies. Ato mendonin se shteti duhet te kete nje rol moderator ne tregun e stoqeve dhe transaksionet e tjera financiare. Sipas tyre, bankat do te jene te pergjegjshme per te menaxhuar parane e tyre apo te investitoreve. Demokratet, nga ana tjeter, jane per nje rol shume me te madh te shtetit sidomos ne politikat kredidhenese te bankave. Qysh ne 1992 Kongresi me shumice demokrate mandatoi qe institucione financiare te tilla si Fannie Mae and Freddie Mac te rrisin blerjet per kredite e dhena familjeve me te dhena te ulta e te mesme. Edhe ne vitet ne vazhdim, administrata e Klintonit u ka bere presion te madh bankave per t’u dhene kredi familjeve me te ardhura te uleta dhe minoriteteve. Sipas tyre cdokush ka te drejten te zoteroje nje shtepi, pavaresisht ne se ka te ardhura te paguaje per te apo jo — Sekretari per Strehimin dhe Zhvillimin urban ne adminstraten e atehershem, Andrew Cuomo, investigoi Fannie Mae-n per diskriminim racor dhe propozoi qe 50% e kredive qe Fannie Mae and Freddie Mac t’u jepeshin familjeve me te ardhura te ulta e te mesme. Administrata e Klintonit arriti deri aty sa te kercenonin bankat se do t’i conin ne gjyq ne se ato nuk e konsideronin ndihmen sociale (welfare) si te ardhura ekonomike!!?? Edhe me pas kur balancat ndryshuan ne Kongres, dhe kur republikanet paralajmeruan per rrezikun qe mund te vinte nga keto praktika, demokratet reagonin se s’ka fare rrezik te tille, dhe madje sulmuan republikanet me karten e races, sikur kjo eshte perpjekje e racisteve republikane per te hequr qafe politikat pro-minoriteteve. Ka video ne youtube sa te duash per keto seanca te Kongresit qe e provojne me se miri kete qe po them. Ajo qe me cudit mua ne kete mes eshte se megjithese demokratet paten nje rol tejet negativ ne kete histori, fajin publik per kete qe ndodhi e mori administrata e Bushit. Eshte humane te besh gabim — ka thene njeri — por eshte gjeniale qe gabimet e tua t’ia ngarkosh tjetrit. Dhe ne kete drejtim, s’duhet t’u hame hakun demokrateve.
    Bankieret, nga ana tjeter, si qenie njerezore qe synim te pare e te fundit te tyre kane fitimin, i vune ne loje te dyja palet e politikes. Ato u bene qejfin demokrateve duke u dhene kredi, si themi ne “me kuc e me mac”, duke thyer gjithe rregullat e kredidhenies edhe pse ishin te ndergjegjshem per rrezikun. Nga ana tjeter, duke perfituar nga filozofia e republikaneve per mosnderhyrjen e shtetit ne politikat e brendshme te bankave, bankat ua shisnin kredite institucioneve te tjera financiare duke mbajtur per vete nje pjese te fitimit. Eshte dicka shume e ngjashme me skemat piramidale, dhe patjeter qe do te vinte nje dite kur ato do te binin. Shume e paralajmeruan kete, por pak e dinin vertet se kur do te ndodhte ekzaktesisht. Edhe guru te finances, si Greenspan, pranoi se e ka pat gabim kur mendoi se bankat do te sillen ne menyre te pergjegjshme ndaj parase se investitoreve.
    Ajo qe une doja te thoja eshte: Jepi Cezarit, ate qe i takon Cezarit. Jo per te gjitha gjerat e keqija qe ndodhin ne Amerike eshte pergjegjes Bush-i, mundohu te informohesh e te fusesh ne pune trurin — gjeja me e lehte ne kohet e sotme eshte te lesh te tjeret, sidomos median ndermjet te tjerash, te bejne analizen e nxjerrin konkluzione per ty.

  4. Xha xha,

    Kjo puna e Wall Street qe drejtohet nga “greed” eshte si puna e motorrit te makines qe nuk punon pa nafte. Puna nuk eshte te ndalosh grykesine ne Wall Street, sepsendryshe e ke kthyer ne institucion te vdekur, puna eshte si ta izolosh fenomenin e grykesise aty ku mekanizmi e kerkon dhe mos ta lejosh te perhapet gjithandej ne shoqeri. Eshte njesoj si puna e makines qe per te ulur ndotjet qe vijne nga djegja e naftes nuk eleminojme vete naften – prodhuesin e energjise – por kontrollojme gazrat.
    Nese do t’i riktheheshim problemit te institucioneve financiare qe folem tek tema tjeter, une nuk e konceptoj dot se si institucionet financiare mund te perjashtohen nga bursa sepse pa ato une nuk e di se si mund te kete nje te tille, por mendoj se gabimi ka qene teresisht tek institucionet e kontrollit. FBI beri publike para pak ditesh e-mailet e disa punonjesve te MOODY qysh ne 2006-en te cilet nen presionin e shefave benin vleresime fiktive dhe shprehimisht i thoshin njeri tjetrit: “shpresoj qe kur te bjere kjo shtepia prej letre qe po ndertojme te kemi dal ne pension dhe te jemi larg prej ketu…” Por me sa duket katastofa ishte me afer sec ata e parashikonin.
    Pra nuk eshte faji i “greed-ti” si koncept por eshte faji i institucioneve shteterore si Federla Reserve dhe FBI, si dhe atyre private si MOODY & S&P qe nuk ben punen qe supozohej se duhet te benin si filtrues dhe izolues, duke i lene gazrat e finances te perhapen ne ekonomi dhe ne shoqeri per me teper.

  5. Eshte dicka shume e ngjashme me skemat piramidale, dhe patjeter qe do te vinte nje dite kur ato do te binin.

    Keto lloj krahasimesh te bejne te dyshosh se sa pak ia ka idene shkruesi menyres se si funksionon financa.
    Skemat piramidale sipas wikipedia: A pyramid scheme is a non-sustainable business model that involves the exchange of money primarily for enrolling other people into the scheme, without any product or service being delivered.
    Kurse derivatet jane asete me risqe te cilat perdoren per financimin e prodhimit dhe sherbimeve. Pra jane ne thelb te ndryshme. Derivatet kane rriskun e tyre, qe supozohet i kontrollueshem si cdo lloj biznesi, kurse skemat piramidale jane 100% te pasigurta.

    Edhe ne vitet ne vazhdim, administrata e Klintonit u ka bere presion te madh bankave per t’u dhene kredi familjeve me te ardhura te uleta dhe minoriteteve.

    Nderkohe nuk jane politikat sociale te Klintonit ato qe ben hatane por masat jorregullatore qe ai ndermori, sic eshte abrogimi i Glass Stiegel Act qe ndante institucionet financiare dhe ato bankare nga njeri tjetri duke i lejuar te jene tashme ne te njejtin institucion dhe te pakontrolluara nga njeri tjetri.

  6. I dashur Xha Xha,

    mendo nese ne nje lokal bastesh do te te jipej mundesia qe te hiqnit nje bast ne te cilin, ne qofte se e fiton, shperblehesh me, po themi, 100 dollare dhe ne te kundert, nese e humbet bastin, thjesht te nxjerrin nga lokali pa t’u dashur te paguash asnje cent nga xhepi yt. Cfare do te ishte reagimi llogjik i cdo njeriu te arsyeshem ne kete situate? T’i kthej kurrizin lokalit apo te hyj brenda dhe te heq sa me shume baste qe te jete e mundur sa kohe qe eshte aty brenda??

    Jo shume ndryshe ka funksionuar edhe tregetia e letrave me vlere dhe perdorimi i derivateve neper ‘dealing-rooms’ te shume bankave; sa me teper risk qe te futesh ne portofolin e bankes aq me i madh eshte bonus-llokumi ne fund te vitit, natyrisht nese ke kapur anen e duhur te litarit. E ne rast se e ke terhequr litarin ne anen e gabuar, e shumta qe do te humbasesh eshte vendi i punes dhe rrogen per aq kohe sa te gjesh nje pune (lokal) tjeter, kurse humbja (k*pili) i ngelet bankes ne dere…

    Po keshtu e bejne llogarine edhe bankat nga ana e tyre – sa me shume risk neper portofolet e veta aq me i madh fitimi i mundshem per banken dhe per aksioneret; dhe nese risku u del huq, si kesaj heres se fundit me kredit-derivatet, atehere kercen shteti e Fed-i me nja shtateqind-e-ca miliarde e i nxjerrin nga bataku; se vertet bankat jane institucione private por depozitat neper to i perkasin publikut dhe si te tilla bankat jane, implicit, edhe institucione publike, qe nuk mund te lejohen qe te bien, pa shkatuar deme edhe me te medha etj etj… keshtu qe ne fund, k*pili shkon te dera e taksapaguesve.

    Llogjike racionale? Perverse? Te dyja bashke?

  7. Ujk i zi,

    shpresoj të të kujtohet diskutimi që patëm në lidhje me idenë e përcjellë prej meje se bankat e investimeve dhe institucionet e brokerimit nuk duhet të kuotohen në bursë (e nisëm te tema McCain Bardhezi dhe e vazhduam këtu).
    Sot lexoj një artikull të Michael Lewis në “Portfolio.com”, i cili e shpjegon këtë ide në detaje. Thelbi i shpjegimit të autorit është se, duke i bërë kompanitë private të brokerimit publike, drejtuesit e tyre ia dolën ta transferojnë riskun nga vetja tek aksionistët, të cilët nuk e kuptonin dot se çfarë po ndodhte pikërisht me investimet e tyre.
    Shkruan Lewis:

    John Gutfreund iu fut me vare rendit social të Wall Street-it – duke fituar njëkohësisht edhe nofkën Mbreti i Wall Street-it – kur e shndërroi firmën e vet Salomon Brothers nga një partneritet privat në korporatën e parë publike të Wall Street-it. Ai e shpërfilli krejt indinjatën e partnerëve të dikurshëm të Salomon. (“Materializmi i tij më kallte krupën,” më kish thënë njëherë William Salomon, djali i themeluesit të firmës, që e kishte emëruar Gutfreund-in CEO vetëm pasi ky i kishte premtuar se nuk do ta shiste kurrë firmën.) Mosmiratimit moral të kolegëve të tij CEO të Wall Street-it Gutfreund iu përgjigj duke i treguar gishtin e mesit. Dhe pati fat. Ai dhe partnerët e vet jo vetëm patën sukses menjëherë, por edhe ia dolën të transferojnë riskun financiar themelor nga vetja te aksionistët e tyre. Tek e fundit, kjo nuk është se u vlejti shumë aksionistëve. (Një aksion i Salomon Brothers i blerë në 1986 me çmimin e atëhershëm të tregut prej $42, sot do të vlente $27). Por iu vlejti në mënyrë fantastike bankierëve të investimeve. Që nga ai moment, megjithatë, firma e Wall Street-it u shndërrua në kuti të zezë. Aksionistët që financonin riskun nuk e kuptonin mirë se çfarë po bënin tamam riskuesit (risk takers), dhe meqë operacionet e riskimit po bëheshin gjithnjë e më komplekse, aksionistët po kuptonin gjithnjë e më pak. Në momentin që Salomon Brothers tregoi se çfarë fitimesh mund të nxirreshin, potencialisht, nga shndërrimi i bankave të investimeve në korporata publike, themelet psikologjike të Wall Street-it rrëshqitën nga mirëbesimi në besim të verbër.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin