PERËNDIA NË DETAJET

Shoh sot në “La Repubblica” se Saimir Strati, të cilin Wikipedia e quan “një nga artistët më të njohur në botë të mozaikut modern”, po ndërton një afresk prej 96 m2, duke përdorur tapa shishesh, rreth 300.000 të tilla.

Gjithnjë sipas gazetës italiane, me këtë vepër, autori shqiptar shpreson të hyjë në Guinness të rekordeve, pas suksesit që ka patur në 2006, kur realizoi një portret të Leonardo Da Vinci-t duke përdorur rreth 400 kg gozhdë, dhe në 2007, kur realizoi një figurë kali duke përdorur 1,5 milion kruajtëse dhëmbësh, të cilën vepër pastaj deklaroi se ia kushtonte arkitektit katalan Gaudí.

Po në Wikipedia, lexoj se Strati ka sajuar gjithashtu një portret të Elvis Presley-t, duke përdorur vetëm CD.

Faqja për Stratin e kësaj enciklopedie, përmban edhe një thënie origjinale të autorit: “Nothing is impossible.”

Artisti vlonjat ka edhe një faqe Interneti të vetën, e cila që nga data 16 shkurt 2007 deri sot, 23 gusht 2008, është vizituar 9557 herë.

Duke u njohur me arritjet dhe rekordet e Stratit, gjithnjë kam pyetur veten nëse mund të gjendet ndonjë pikë e përbashkët midis artit dhe rekordeve të Guinness – dhe sidomos nëse mund të konsiderohen art këto vepra artizanale të një personi me durim të pashembullt e me siguri duarartë, por pa ndonjë shkëndijë krijuese të veçantë.

As arrij të gjej diçka të përbashkët midis kruajtëseve të dhëmbëve dhe Da Vincit ose Gaudísë; ose tapave të shisheve të verës dhe kitaristit. Përkundrazi, lidhja midis Elvis Presley-t dhe CD-ve nuk mohohet dot.

Ndërmarrja e Saimir Stratit, pa dyshim e denjë për Guinness të rekordeve, ndoshta duhet klasifikuar brenda disiplinave të cirkut: ecjes në litar, kontorsionizmit, zhonglimit dhe të tjerave bëma të paarritshme për njeriun e zakonshëm.

Më kot kërkoj shenja ironie, ose referencash të kryqëzuara në kitsch-in e kuajve dhe të kitarave; ndoshta vetë dëshira ime për t’i kërkuar këto gjëra është kitsch. Në veprat e Stratit që munda të shoh, ka edhe diçka nga arti i skulptorëve anonimë të femrave prej rëre ndonjë pasdite të vonë në plazh, ose i tatuazheve ndonjëherë tepër të komplikuara që i duken poshtë mëngëve të këmishës ndonjë rusi të verdhë dyllë, në metro të New York-ut.

Folklor? Autori vlonjat, që ndoshta është artist ndoshta jo, synon të thyejë rekorde, jo të dialogojë me publikun ose vetveten, as të ndërtojë ura midis mizërisë së materialeve të veta dhe imazheve kinse eterike që kërkon të evokojë në sytë e publikut, me shpresë se publiku do të gjejë ndonjë gjë atje për të admiruar përtej teksturës, strukturës intime, grimcave të lëndës, kohës që ka shpenzuar autori tashmë të materializuar në hapësirë.

Kishte një art të tillë, që mua fëmijën gjithnjë më magjepste me thjeshtësinë e vrazhdë të formës; qëkur disa gango në Tiranë filluan të ndërtonin thurima jashtëzakonisht komplekse, me plastikën ngjyra-ngjyra që vishte telat e bakrit të prodhuara në Shkodër; ose medaljonë të rëndë prej plastiglas-i. Kishte edhe shoferë meraklinj, ndoshta Heronj të Punës Socialiste, që i zbukuronin kamionët e tyre si kioske panairi, me shirita me ngjyra, tuba nikeli dekorativë, bori dytësore, flamurka, pasqyrka, guarnicione të kadifenjta, skapamento farfuritëse. Kam parë edhe karroca me kushineta, me dritëza dhe bilbila dhe zilka tringëlluese, që të hipnotizonin me përkushtimin e tyre ndaj ornamentit…

Ka edhe një raport të njeriut me materialin, i cili mund të shndërrohet, nëpërmjet masazhit të dorës, në mesazh – vizat dekorative në një bastun në muze, një motiv lulesh të mbjella rreth e rreth në lehet e një lulishteje në periferi, qëndisma në një jastëk plakash çfarëdo, dantellat e perdes në një dritare të thellë në Vuno ose në Trebinjë. Njeriu mbetet anonim, i shkruar vetëm në çka lexon syri yt.

Në shkolla të artit u mësojnë studentëve që, kur vizatojnë një mur me 600 tulla, të mos i japin në detaje të 600 tullat – por vetëm ato që duhen.

Saimir Strati ndërton një mozaik të murit 600-tullësh, duke përdorur 600.000 copra të thyera tullash; por vetëm e vetëm për t’u matur me pamundësinë. Libri Guinness i rekordeve ka ende faqe të zbrazëta.

Megjithatë, ndoshta do ta quaja Stratin artist thjesht për nga mënyra si komunikon me materialet, sidomos me ato objekte që ekzistojnë në trajta mizërish, në thërrmija, në sfera të vogla, fara molle e kungulli, haviar, fundja edhe grimcat browniane, milingonat, shkronjat e enciklopedisë britanike, bashkësia e letrave të bixhozit në Las Vegas.

Akrobatët e cirkut, që ecin të drejtpeshuar në litar, nuk ma merr mendja se shohin dot një kabllo telefoni a elektriku të varur në rrugë midis dy shtyllash, pa e përfytyruar veten atje. Zbutësi i egërsirave, kur viziton zooparkun, e kap veten duke përpunuar me mendje mënyrën më të mirë për t’iu afruar luanëve përtej gardhit.

Strati artist ecën shpenguar në pazar, dhe krijon në mendje art – me flokët që fshin me fshesë berberi, thonjtë e derdhur në plehra nga manikyristi, shishet e penicilinës, karficat që u bien gocave, shapkat e vjetra të vlonjatëve, copat e çamçakizit të ngjitura në asfalt, zaret e kazinosë, gëzhojat e fishekzjarreve… madje edhe shrapnel nga Gërdeci.

Edhe se faqe i mbeten pa shkruar Librit të Rekordeve?

Strati sportist ndërton imazhe që janë kopje imazhesh që janë kopje imazhesh; si ai kërcyesi së larti që gjithnjë matet me të njëjtën thupër horizontale, për ta kapërcyer jo për ta magjepsur.

Kali, kitaristi, Elvis Presley, katër stinët e Vivaldit, Da Vinci – më pas ndoshta e ka radhën La Gioconda, ose Nënë Tereza; më pas akoma Kulla Eiffel, Statuja e Lirisë, autoportreti i Van Gogut. Edhe materialet janë të pafund në premtimet e tyre: brumbuj, vezë harabeli, shtytës karabinash “Simonov”, gurë veshkash, rezerva stilolapsi, sapunë të vegjël hotelesh, tesera të vjetra të PPSH, brisqe Astra, kafka pulash, susta kolltukësh, pipëza klarinetash, kuti sardelesh, dhëmbë të kontrabanduara nga klinikat dentare private.

Nothing is impossible.

Strati komunikator më përcjell normalitet – sidomos kur e lexoj lajmin në faqet e një gazete të huaj; pothuajse ngazëllehem që Shqipëria nuk po përmendet për budallallëqe, skandale, krime të ulëta, drogë, prostituta, korrupsion, benzat Mercedes, xhamitë; as për pallatet e Tiranës, të lyera me bojëra “vibrante” nga kryetari piktor; as për fishekë të skaduar, plane për centrale me qymyr, shkrumbatore plehrash.

Është një shqiptar që kërkon të thyejë rekordin nuk di çfarë, për t’u futur në librin e Guinness; një imazh kali ose kitare ose i një vajze gati për t’u mbërthyer në kabinë të një kamioni jashtëzakonisht ndërkombëtar; ndërtuar me dorë atom pas atomi, shenjë e paqes, durimit dhe modestisë.

Para një muaji, një gazetë tjetër, nuk di nëse nga South Carolina ose nga Australia, e shoqëronte një lajm për plazhet me fotografinë e një çifti që diellzohej në plazhin e Dhërmiut. Edhe atëherë fotoja më dha një ndjenjë qetësie me zbrazëtinë e vet; sepse lajmi nuk ishte për bregdetin tonë, por bregdeti ynë i kishte vlejtur lajmit.

Pastaj vjen një ditë dhe Saimir Strati niset përnjimend të ndërtojë një hartë të detajuar të Shqipërisë mediatike, që t’i ngjasë në çdo hollësi origjinalit në shkallën 1:1 – si në atë rrëfenjën e Borgesit. Harta do të përmbajë gjithçka sjellin lajmet për atë vend e për atë popull: parlamentin, statujën e Skënderbeut, master planin e Tiranës nesër, politikanët duke përtypur kravata, NATO-n, kontrabandistët, vizitën e Bushit në Fushë-Krujë, gazetën “Sot”, turbinat e plogëta të Fierzës, Rrapin e Trishit, shtëpinë e Saimir Stratit, të riprodhuar pikë për pikë, me saktësi prej artisti dhe sportisti, me librin Guinness të Rekordeve, në bibliotekë.

Nothing is impossible, tha.

5 Komente

  1. Pika e përbashkët e artit me rekordet Guinness janë veprat e artit … elementë të të cilave shprehur në shifra ja u kalojnë simotrave të veta.
    Nëse Guinness do të kishte përfshirë sot në rekordet, fjala vjen, “E djelë mbasdite në ishullin e La Grande Jatte” e babait të pointilizmit, George Seurat duke na thënë se për tre vjet punë krijuesit ju deshën të hidhte në kanavas 207, 630, 800.00 (numri jo dhe aq imagjinar) pikëza boje vaji, besoj se të sotmit do të shprehnin admirimin, ndërsa kritikët e artit të kohës së tij, pointilizmin si term, e gjetën për të tallur artistët që e përdornin këtë teknikë.
    Veprat e Stratit janë art, sepse ato i japin syrit kënaqsi. Nuk janë origjinale? Tjetër problem. Nisur nga vetë fjala, ai bën mosaikë, krijon imazhe me materiale të tjera përvec tradicionalëve gur a copa xhami, që duam apo jo quhet art. Qëllim i keq në vetvete, synimi i rekordeve? Mbase, por ai kështu ka gjetur atë që e kërkojnë me qiri dhjetra artistë – patronin. Besoj se duhet ndarë, duhet lënë në studion e krijuesit, lënda që ai përdor dhe vepra që ai nxjerr prej saj. Lëndët bazë janë të tilla, të rëndomta, të vrazhda, me erë të keqe, që të ndotin, gur, bojë vaji, stearinë, kanavace, tush, etj, por nuk kemi pse i përballim këto me mjeshtrat. Kur Vangjush Mioja pikturonte liqerin, të ndodhurit pranë bregut orientoheshin me shprehje si “ja tek ai bojaxhiu”. Por nisur dhe së këtejmi, fakti që unë derdha (lyeva me) dy gallonë e gjysëm bojë vaji nëpër shkallët e zjarrit të shtunë, është një hiç, një zero, në pretendimin tim për të qënë … artist; nuk janë materialet që përdorim ata që na bëjnë artistë, por ajo që ne nxjerrim prej tyre.

  2. Cfare ka te keqe, nese Strati, me vepra origjinale ose jo, arrin te realizoje objektivin e tij final? Jo te gjithe mund te jemi “origjinale”, jo te gjithe kemi aftesine te krijojme apo fantazojme vepra origjinale; kjo nuk na ndalon nga e drejta per t’i vene objektiva vetvetes…qofte edhe per tu rregjistruar ne librin e famshem te Guinnes. Une mund te mos jeme e afte te pikturoj ose vizatoj nje skene apo peizazh, te denje per tu vendosur ne faqe te murit, si objekt dekorativ dhe i kendshem per syrin,sikur edhe ne versionin aplikativ (e qendisur, p.sh.). Por, nese une arrij ta qendis ate krijim jo timin, ne menyren me te mrekullueshme te mundshme (dhe ju siguroj, se kete mund ta bej), pse te mos e paraqes si nje veper, tashme timen, te denje per te konkuruar per librin e famshem?? E rendesishme eshte qe njeriu te kete objektiva te rendesishme ne jete per t’i dhene asaj kuptim e per ta pasuruar, ne te gjitha drejtimet… Dhe cka tjeter eshte e rendesishme, per nje artist si Strati, personalisht do e pergezoja, pasi do i jape shanse vendit te vet, qe te pakten per disa kohe te komentohet ndryshe, pozitivisht, si nje vend qe nuk kultivon vetem hashash e prostituta, por ca me shume, individe qe mundohen t’i ndryshojne emrin, tashme mjaft te perbaltur….

  3. “Kishte një art të tillë, që mua fëmijën gjithnjë më magjepste me thjeshtësinë e vrazhdë të formës; qëkur disa gango në Tiranë filluan të ndërtonin thurima jashtëzakonisht komplekse, me plastikën ngjyra-ngjyra që vishte telat e bakrit të prodhuara në Shkodër; ose medaljonë të rëndë prej plastiglas-i. Kishte edhe shoferë meraklinj, ndoshta Heronj të Punës Socialiste, që i zbukuronin kamionët e tyre si kioske panairi, me shirita me ngjyra, tuba nikeli dekorativë, bori dytësore, flamurka, pasqyrka, guarnicione të kadifenjta, skapamento farfuritëse. Kam parë edhe karroca me kushineta, me dritëza dhe bilbila dhe zilka tringëlluese, që të hipnotizonin me përkushtimin e tyre ndaj ornamentit…”

    Te pakten nuk dola me kohe te dhene e pa shperblim ne leximin e shkrimit, ku mund te vihet re i njejti durim obsesiv i Maksi Gj. per te bere kete shkrim, si i Saimirit.

    Fragmenti i vecuar nga shkrimi i mesiperm eshte ajo pjese qe une do ta justifikoja si artistike ne mes te shume te tjera detaje vezhguese rreth temes ne fjale, po aq vlere ne raport fizik gjen edhe ne punen e Saimirit, pra vetem obsesioni, cdo gje tjeter nuk del dot nga rutina e te parendesishmeve, ashtu si edhe Maksi ve ne dukje si i mire informuar rreth ceshtjes ne fjale.

  4. Aftësinë për të bërë një fotografi çfarëdo, tashmë e kemi që të gjithë. Nëse nga i njëjti aparat fotografik, pa ndryshuar fokusim, distancë e në kushte të njëjta drite do të shkrepnim nga një fotografi si unë dhe Oliviero Toscani, besoj se autori është i bindur që revistat do ishin shumë më të kënaqura që të paguanin miliona tek Artisti se sa të më ofronin qoftë edhe një kafe mua hiçit, për të njëjtën fotografi.
    Në këtë rast, nuk besoj se vlerësohet vlera artistike e artit/fotografisë (se me qënë merrnin edhe foton time), por vlerësohet dhe gjithë ajo që ka bërë dhe realizuar më parë ai tjetri…

  5. Saimir Strati kerkon te beje me 300 mije penela mozaikun e Majkell Xheksonit; apo nga mishngrenes te shndrohet ne kanibal.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin