MËSIME APO PËSIME?

Kur njihesh sado pak me përbërjen e ekipit qeveritar në Tbilisi (duke shfletuar Wikipedian), nuk mund të mbetesh indiferent ndaj moshës së re të anëtarëve të kabinetit, por edhe ndaj formimit të tyre universitar dhe pasuniversitar dhe natyrës së karrierës së tyre, sado të shkurtër, profesionale.

Presidenti gjeorgjian Mikhail Saakashvili, 41 vjeç, ka marrë një Master në Drejtësi (LLM) nga Columbia Law School në 1994 dhe ka studiuar pastaj në Fakultetin Juridik të The George Washington University.

Kryeministri Lado Gurgenidze, 38 vjeç, ka qytetari të dyfishtë gjeorgjiane dhe britanike, dhe ka studiuar në Goizueta Business SchoolEmory University, SHBA.

Georgi Baramidze, 40 vjeç, ministër i Integrimit Euroatlantik, ka qenë për dy vjet fellow në Institute for the Study of Diplomacy (ISD) të Foreign Service School, Georgetown UniversitySHBA.

Ministrja e Jashtme Ekaterine Tkeshelashvili, 31 vjeç, ka punuar si juriste për Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, dhe më pas ka drejtuar zyrën rajonale të Qendrës për Reformat Institucionale dhe Sektorin Informal të Universitetit të Maryland, SHBA.

Ministri i Mbrojtjes Davit Kezerashvili, 29 vjeç, ka studiuar në Rusi dhe në Izrael dhe mund të jetë akoma qytetar izraelit (të dhënat për këtë janë kontradiktore).

Ish-ministri i Financave, Aleksi Aleksishvili, 33 vjeç, ka një diplomë master në Administrim Publik nga Duke University, SHBA.

Ish-ministri i Drejtësisë Gia Kavtaradze, 38 vjeç, ka një diplomë në Drejtësi nga Indiana University.

Ish-ministri i Sigurimit Shtetëror, Zurab Adeishvili, 36 vjeç, ka studiuar në Groningen Royal University në Hollandë.

Giorgi Arveladze, ish-ministër i Ekonomisë, 29 vjeç, ka studiuar në Universitetin e Tel-Aviv-it.

Ish-ministri i Ekonomisë Irakli Rekhviashvili, 35 vjeç, ka punuar për SHBA dhe për Institutin e Shoqërisë së Hapur, të financuar nga filantropi George Soros.

Edhe ish-ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Alexander “Kakha” Lomaia, me influencë të madhe mbi ekipin qeveritar të Saakashvili-t, më parë punonte si drejtor i Institutit të Shoqërisë së Hapur dhe i Fondacionit Eurasia, në Tbilisi.

Më në fund, ish-ministri i Mbrojtjes dhe për një kohë shef i Shërbimeve Sekrete Gela Bezhuashvili, 41 vjeç, i veshur me jeans dhe me një kapele bejsbolli në kokë, e që prezantohej prej shefit të vet si “i vetmi ministër në Europën Lindore diplomuar në Harvard,” ka studiuar gjithashtu drejtësi, në Southern Methodist University në Dallas, SHBA.

Kur njihesh me të dhëna si këto, kurrsesi nuk mund të rendësh për të nxjerrë përfundime, por edhe indiferent nuk mbetesh dot, sidomos ngaqë edhe Shqipëria, pas zgjedhjeve të ardhshme, mund të përfundojë fare mirë me një ekip të tillë.

Mosha e re e anëtarëve të kabineteve qeveritare “rozë” në Tbilisi dhe arsimimi i tyre universitar në SHBA janë dy çështje të ndryshme, por që, në rastin e demokracive të reja të dala nga ish-blloku komunist nuk ndahen dot lehtë prej njëra-tjetrës, meqë vendet perëndimore, me SHBA në krye, kanë interes të madh të shohin në krye të këtyre vendeve njerëz me të cilët mund të komunikojnë më lehtë.

Nga ana tjetër, kombinimi i mungesës së eksperiencës për arsye të moshës dhe i edukatës teknokratike të fituar në anën tjetër të botës, mund të përbëjë pengesë ose mangësi serioze, kur është fjala për të drejtuar një vend si Gjeorgjia, i cili nuk ka qenë kurrë pjesë as e Europës, as e familjes së vendeve Perëndimore, por gjithnjë e ka pasur Rusinë si pikë referimi, për mirë e për keq. Çfarë do të mendonin në Washington DC e në Bruksel, bie fjala, sikur një vend si Paraguaji të drejtohej nga një qeveri, shumica e anëtarëve të së cilës të ishin diplomuar në Moskë?

Me fjalë të tjera, çështja është nëse mund të drejtohet një vend nga një elitë teknokratësh, thellësisht të ndryshëm nga bashkëqytetarët e tyre dhe që janë kryesisht të interesuar për ta globalizuar vendin vetë, nëpërmjet integrimit politik, ekonomik dhe teknologjik me Perëndimin. Mund të pyetet nëse këta ndiejnë më shumë përgjegjësi ndaj zgjedhësve të tyre, apo kolegëve dhe autoriteteve që njohin në SHBA, ose gjetiu në Perëndim.

Tani, po të vijmë te shembulli konkret i Gjeorgjisë, ishte pikërisht ky ekip qeveritar super-teknokratik, cool dhe energjik, madje vibrant, që shkoi dhe i ra Rusisë së Putinit, duke e futur vendin e vet, qeverinë e vet, NATO-n dhe krejt Perëndimin në krizë. Eksperienca shqiptare tregon se ti mund t’i shpallësh luftë një superfuqie vetëm në qoftë se shpreson të pësosh disfatë dhe superfuqia të të mbajë pastaj me bukë.

Një tjetër tipar i përbashkët i këtij ekipi pothuajse futbollistik që ka drejtuar Gjeorgjinë vitet e fundit është ndikimi i Institutit për Shoqërinë e Hapur dhe i financimeve të George Soros-it në elitat teknokratike të Tbilisit. Faktet duket sikur u japin të drejtë të gjithë atyre që kanë paralajmëruar se financime të tilla kanë pasur gjithnjë për synim të përgatitin elitat e reja pushtetare në vendet e ish-bllokut komunist.

Edhe pse nuk jap dot asnjë gjykim të pavarur për rendimentin e qeverive rinore të dala nga revolucioni rozë në Gjeorgji, as them dot nëse tridhjetë-vjeçarët janë të vetmit që mund ta drejtojnë atë vend në rrugën e reformave dhe të globalizimit, e kam të qartë se ngjarjet e fundit në Oseti dhe disa shenja të tjera që u paraprinë këtyre ngjarjeve, tregojnë se këta të rinj të hiper-edukuar dhe të vaksinuar në klinikat më të mira ideologjike të amerikanokracisë, nuk vepruan duke u dhënë përparësi interesave të vendit të tyre.

Personalisht, kam bindjen se çdo shtet duhet të jetë në gjendje t’i përftojë dhe t’i edukojë vetë elitat që ka në krye; ndërsa super-teknokratët duhen mbajtur gjithnjë në role ndihmëse teknike, jo vendim-marrëse; sepse vendimet politike kërkojnë para së gjithash intuitë politike, ose aftësi për të marrë parasysh të gjithë ata faktorë të cilët zakonisht u shpëtojnë analizave shkencore, racionale, statistikore dhe ekonometrike të teknokratëve.

Gjithsesi, eksperienca gjeorgjiane është për t’u pasur parasysh, sa herë që ulemi të flasim për perspektivat politike të Mjaft-it, grupit G-99, dhe ekipeve të tjera të të rinjve teknokratë, prodhime të universiteteve amerikane e në përgjithësi Perëndimore, që i qasen pushtetit politik në Shqipëri nga perspektiva të integrimit globalist, ose të politikave “ndryshe”.

28 Komente

  1. Jam i te njejtit mendim me ju,z.Xha Xha! Elita fare mire mund te sherbeje si keshill, por, gjithesesi, drejtimin duhet ta kene ata qe jetojne ne vend, se e dine mire se ku”pikon catia?!”. Edhe une jam me ate qe, Shakashvili provokoi apo tatoi “pulsin” dhe, mandej, e pesoi. Nu mohoj, mandej, zullumet e ruseve, por, sidoqofte, zjarrin i pari e ndezi Shakashvili.Tani “rrofte sebepi” dhe ruset rrine ne Oseti dhe”putrat” i kane te renda. Lufta e ftohte pothuaj filloi, se rusi nuk i honeps dot ato raketat “mbrojtese” ne Poloni apo dhe me afer: sheh rrezik edhe tek Ukraina qe do ta perzere rusin nga Sevastopulli, Krimea a gjetke.
    E keqja e gjithe kesaj”meseleje” eshte se rusi tani eshte forcuar dhe vrigellin dhembet. Keq! Bile, shume keq, e mendoj gjendjen. Dhente Zoti qe te ruhet paqja qe eshte aq e brishte!

  2. Kjo është një temë tjetër shumë interesante dhe ngacmuese.
    Xhaxhai thotë ndër të tjera se:
    “Personalisht, kam bindjen se çdo shtet duhet të jetë në gjendje t’i përftojë dhe t’i edukojë vetë elitat që ka në krye;”

    Problemi, gjithsesi, mbetet se kush do të luajë rolin e arsimtarit.

    Sepse, nëse edhe ai është pjesë e “ekipit …super-teknokratik, cool dhe energjik, madje vibrant” siç quan Xha xhai me të drejtë aventurierët gjeorgjianë, atëhere shpresat që një shtet të arësimojë siç duhet elitat e veta do të ishin paksa të zbehta.

    Si vendas, më tërhoqi vëmendjen korrespondenca e botuar në linkun këtu:
    http://www.albmath.org/users/shaska/letra.html
    që deri diku lidhet me temën…dhe që përmban jo pak xhevahire.

    Përfundimet mund të nxirren vetë…

  3. “Faji” i Shakashvili-t eshte vetem tek fakti qe mundohej te orientonte vendin e vet nga perendimi(Europa dhe Nato). Kjo mund te duket utopi kur je fqinj i vogel i Rusise. Megjithate sipas meje adresa e kesaj çorbe ishte per Gjeorgjine, ndersa letra ishte per Ukrainen!!! Ruset treguan forcen ne rastin e pare dhe me pak te kushtueshem.
    Persa i perket statistikave mbi formimin shkollor te qeveritareve gjeorgjane mendoj se kane shume pak peshe. Sipas jush sa gjasa kishte Enver Hoxha te bente ate kasaphane qe beri duke u bazuar tek kurrikulumi i tij?

  4. Elita gjeorgjane e studiuar në SHBA e futi vëndin e vet në një krizë të tmerrshme jo sepse ajo ishte e arsimuar keq, por se dijet e fituara atje ishin krejtësisht jokompatible për nivelin e zhvillimit të shoqërisë gjeeorgjane. Megjithatë këta djem e vajza të mira, të cilët pa pikë problemi mund të porositin për punë 30 sekondash në një restorant Indian në Manhatan një menu prej pesë pjatash, ndërkohë që kartën e pijeve as që kanë nevojë ta hapin fare, në vendin e tyre ndjehen dhe veprojnë sikur të ishin duke luajtur një lojë në kompjuter, pasi pikërisht ky realitet për ta është ai i panjohuri. Këta njerëz janë të rrezikshëm jo sepse janë të mbrapshtë por sepse nga perspektiva lokale janë të paditur. Me atë arsimim shumë të mirë që kanë nuk do të duhet të ngriheshin më shumë se në rangun e këshilltarëve të disa politikaneve më lindorë të dëgjueshëm. Megjithatë ajo që më bën përshtypje në rastin e Gjeorgjisë, e cila nuk ndryshon shumë nga Shqipëria, është që këta politikanë kur ju duhet të përdorin dhunë e bëjnë këtë gjë si lindorë dhe jo si perëndimorë, pra nuk e kanë atë sensin e masës që ka perëndimi. Siç duket t’i “mshosh drurit” nuk u mësoka dot në vijim të një studimi për mastër, është diçka që e mëson me kohë dhe në breza. Ky gjeorgjani ishte ai që me një trëndafil në dorë, i ndjekur nga një turmë njerëzish me çekanë e varé në duar, hyri në parlament dhe përzuri me dhunë deputetët që ishin atje brenda. Bukuri, perëndimi u magjeps nga anglishtja e tij dhe e quajti gjithçka si një zgjidhje demokratike. Kur këtij i doli opozita rrugëve ky i studiuari në perëndim dërgoi policinë dhe ushtrinë të rrihte njerëzit rrugëve, mbylli gazetat, censuroi stacionet televizive, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. A thua se kjo nuk ishte mjaft, ky njeri dërgoi edhe ushtrinë kundër popullsisë civile, të cilët si edhe kudo tjetër ne këtë dynja filluan të gjuajnë civilistë dhe objekte civile me top. Të paktën që nga Lufta e Kosovës është stabilizuar rregulli i pasanksionuar në të drejtën ndërkombëtare publike, që kush i hyn me top pakicave të veta kombëtare separatiste nuk duhet të çuditet gjë shumë, nëse dikush tjetër ja kthen me të njëjtën monedhë. Të gjitha këto gjëra dihen dhe mësohen në perëndim; se pse Shakashvili – i dituri dhe i studiuari – nuk i mbajti mënd më bën të besoj, se pjesë e integrimit akademik dhe kulturor të elitave të reja në perëndim mbeten vetëm menutë e restoranteve vegjetariane të Manhatanit.

    Tjetër gjë. Më këtë luftë vërtetë të panevojshme (në fakt të gjitha luftërat do të duhet të konsiderohen si të tepërta) nuk ka ndonjë komponent evropian. Gjeorgjia sillet në kufijtë jugorë të Rusisë si një marionetë amerikane dhe përgjigja e rusëve ishte pikërisht për llogari të amerikanëve. Është vërtetë për të ardhur keq, që amerikanë edhe në formatin e Ministres së Jashtme të atij shteti e krahasojnë Gjeorgjinë me Çekosllovakinë e vitit 1968, kjo tregon një injorancë të frikshme. Rusët nuk do të kishin të drejtë por do të dispononin të gjitha instrumentet e nevojshëm morale për të justifikuar pushtimin e Gjeorgjisë, marshuar me Tanke deri në Tbilisi, të arrestonin gjithë udhëheqjen gjeorgjane dhe këshilltarët e tyre ushtarakë, t’ju vishnin nga një palë rroba ngjyrë portokalli, t’ju mbyllnin sy, veshë, gojë, t’i rrasnin nëpër biruca të humbura diku në ndonjë bazë të tyren ushtarake në ndonjë shkretëtirë kazake për vite me radhë pa avokatë e pa mundësi për të protestuar dot ne rrugë ligjore, t’i lidhnin nëpër ca rrota mesjetare për koke, këmbësh, duarsh; t’i kthenin përmbys dhe t’ju jepnin përshtypjen se pas pak do të mbyteshin në një kove me ujë ku do t’ju zhytej koka, të cilën nuk e lëviznin dot. Kjo gjë ndodh sot normalisht në botën tonë demokratike në emër të lirisë dhe demokracisë që shijojmë çdo ditë.

  5. Kjo e gjitha me kujton buzeqeshjen ironike dhe te hidhur ne cepin e buzes se Shevarnazes (presidenti i parafundit i Gjeorgjise), kur revolucioni i trendafilte i dhjetor 2003-shit te “te rinjve” te Sakashvilit e rrezoi nga froni. Me kujtohet te kete thene: “Sigurisht qe do ta dorezoj pushtetin. Vetem kujdes me Rusine”…

    Po ashtu kjo me kujton nje video interesante te takimit te R.Alise me nje perfaqesi te rinjsh nje natë dhjetori te vitit te larget 1990 (mund te shikohet ketu: http://bigalbania.eu/index.php?ind=reviews&op=entry_view&iden=314 ne qender te faqes).
    Me shume se vete videoja, interesante eshte menyra e komunikimit midis dy te ftuarve ne studion e TOP STORY-t : njëri nga dy te ftuarit, “i riu” A. Imami, aktualisht shef kabineti i kryeministrit te Shqiperise, edhe pse kane kaluar 17 vite nga ngjarjet ne fjale dhe edhe pse “ka pushtetin”, vazhdon te flase me vetulla te ngrysura, duket i sikletosur e pothuaj inatçi. A thua se eshte ende ne opozite !…
    I ftuari tjeter, “i vjetri” S. Gjinushi, eshte krejt i qete ne reagimet e tij, te cilat shpesh te shoqeruara edhe me buzeqeshjen: “Dove giace il vostro sorriso sepolto ?” (Où gît votre sourire enfoui)… 😉

  6. ne kete shkrim behet nje gabim nga xhaxhai dhe nga nje pjese e komentuesve te tjere. Nuk eshte shume shkollimi perendimor ajo qe i ben elitat teknokratike ne vende te ndryshme te lindjes te papershtatshem per pushtet. Shume me teper eshte katapultimi i tyre ne pushtet pa kaluar ne nje rruge normale te marrjes se pushtetit, pa i provuar sfidat, deshtimet e sukseset e vogla e te medha te rruges drejt pushtetit. Fakti qe ata mund te kene studiuar ne Moske, Berlin, New York, etj luan pak rol ne kete mes. E verteta eshte qe nuk te kualifikon as Harvardi as Columbia as Kuci e as Maci per pushtet. Natyrisht shkollimi ne nje nga keto universitete eshte nje premise e mire por vetem kaq. Duhet gjithashtu/mbi te gjitha nje pervoje e nje shtylle kurrizore personale. Dhe pikerisht katapultimi direkt ne maja eshte nje proces qe nuk lejon te filtrohen te diplomuarit e Harvard & co me apo pa shtylle kurrizore. Ketu eshte problemi per mendimin tim.

    Shembulli me i mire per Shqiperine do te ishte ministri aktual i jashtem per te cilin eshte diskutuar ketu dhe me pare dhe nuk ja vlen te diskutohet me.

    Ne Shqiperi te diplomuarit ne perendim qe jane kthyer e po kthehen po bejne te njejtin gabim duke preferuar kolltuqet e rehatshme te pushtetit te falur ndaj krijimit te nje pervoje personale ne ekonomi e ne te gjitha nivelet partiake apo shteterore. Ne kete menyre ata mbeten elita pa asnje lidhje me bazen dhe si te tilla ato mbeten te varura nga elitat qe pretendojne se po zevendesojne.

  7. Elita gjeorgjane e studiuar në SHBA e futi vëndin e vet në një krizë të tmerrshme jo sepse ajo ishte e arsimuar keq, por se dijet e fituara atje ishin krejtësisht jokompatible për nivelin e zhvillimit të shoqërisë gjeeorgjane.

    Nuk me duket aspak ashtu. Saakashvili ishte vetem nje flamurtar qe u nis yrysh por qe s’e ndoqi njeri nga pas (kur them ‘njeri’ flas per NATO-n). Keta Sorrosianet jane shume misionare e nxitohen, por s’do te thote qe poplli s’eshte me ta.

  8. Në fakt edhe unë nuk kam ndonjë problem me shkollimin e këtyre elitave jashtë vendit, aq më tepër që në periudhën e tranzicionit universitetet edhe në Gjeorgji do të jenë katandisur në klube politike ose zbavitëse, si në Shqipëri. Çfarë më shqetëson mua nuk është aq që Shakashvili me të vetët u diplomuan në SHBA, sesa që këta të rinj rondokopë duket sikur u përgatitën enkas (angl. groomed) për të ardhur në pushtet – por mos më lini të spekuloj shumë. Po a mund të ketë shkollë që t’i mësojë miletit si të bëhen ministra e kryeministra?
    Përndryshe, Enver Hoxha vërtet u shkollua në Francë, por nuk është se e përgatiti Franca për t’u bërë despot i Epirit; edhe pse kur ishte atje u njoh me komunizmin nëpërmjet kontakteve të veta masonike (dihet botërisht se masoneria frënge në atë kohë ishte çerdhe e ideve komuniste). Kush do t’ia ndiqte karrierën në Montpellier, sidomos atë të natës, do të krijonte një ide se ç’po gatuhej me këtë dandy midis një leksioni për Volterin, dhe një tjetri të nesërmen për Molierin.
    Përsëri përndryshe, Shqipëria gjithnjë i ka pasur elitat të shkolluara jashtë – me përjashtim të rastit kur i ka pasur pa shkollë fare. Zogu përdorte teknokratë të formuar në universitetet më të mira të Europës dhe ua dinte vlerën; pa llogaritur specialistët e huaj që mbante pranë vetes. Edhe komunistët që erdhën në fuqi në 1945, në masë të madhe, ishin shkolluar jashtë, në Francë, në Itali e gjetiu. Midis viteve 1945-1960, një numër i madh të rinjsh shqiptarë, nga më të talentuarit, u dërguan për të studiuar në vende të lindjes, kryesisht në Bashkimin Sovjetik, por edhe gjetiu.
    Unë do të dalloja dy grupe mes këtyre të shkolluarve jashtë – ata që u shkolluan për t’u specializuar në fushat e tyre dhe që kur u kthyen pastaj në Shqipëri arritën t’i japin një farë konsolidimi shtetit dhe institucioneve (projektet industriale, ndërtimi, hekurudhat, hidrocentralet, universiteti i Tiranës, shëndetësia, kinostudioja, radio-televizioni, akademia e shkencave, arkitektura, operat, baletet, orkestrat, teatri etj.), dhe ata të tjerët që u dërguan në shkollat e qenve (me respekt të madh për canis lupus, që e dua shumë), ose që u stërvitën për të masakruar shqiptarët në shkollat e sigurimit, të policisë, të partisë e të tjera universitete të spiunazhit e të kërbaçit, ku mësuan si të spiunonin njerëzit, si të torturonin të burgosurit, si të korruptonin agjentët e ardhshëm, si të bënin shantazh, si të mbanin dosje, si të internonin, si të persekutonin, si të përgjonin, si të mbyllnin kufirin e të ndanin njerëzit për së gjalli, si të mundonin bijtë për fajet e etërve, si të vrisnin natën e të qanin ditën e të tjera marifete që të gjithë i dimë edhe ngaqë ca prej nesh i kanë provuar në kurriz. Me fjalë të tjera, një palë e studentëve në Lindje u kthyen në atdhe dhe e bënë Shqipërinë ashtu siç mundën; një palë tjetër edhe ata u kthyen dhe e bënë shtetin totalitar ashtu siç deshën e siç i urdhëruan padronët e tyre, brenda dhe jashtë vendit.
    Prandaj nuk më duket se ka ndonjë lidhje midis faktit që Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Manush Myftiu e të tjerë kishin studiuar në Europë dhe kërdisë që bënë këta në Shqipëri kur morën pushtetin; dhe faktit tjetër që elitat e reja të disa vendeve eksperimentale të Lindjes, si Shqipëria dhe Gjeorgjia, po përgatiten dhe stërviten në Perëndim, për të marrë pushtetin në vendet e tyre të prapambetura, të babëzitura dhe gjithnjë e më provinciale. Janë dy gjëra të ndryshme, të cilat nuk njëjtësohen thjesht ngaqë në të dy rastet është fjala për njerëz që kanë studiuar jashtë. Ka të drejtë GH kur vëren se Shakashvili & Co., kur u vunë të qëllojnë me top qytetet e veta e të vrasin shtetasit e vet minoritarë, nuk u sollën sipas standardeve perëndimore, por sipas një kanuni primitiv automatik që i zgjidh problemet duke likuiduar bartësit e tyre. Perëndimi mund t’u ketë mësuar këtyre kuajve të racës shumë gjëra, por nuk ua mësoi dot si të sillen me zgjedhësit e tyre, me publikun, me qytetarët të cilëve, në thelb, u shërbejnë.
    Si edhe herë të tjera, më duhet të nxjerr përfundimin se kultura liberale dhe pluraliste nuk mësohet në shkollë, madje as në Harvard; sikurse më duhet të kujtoj se universitetet amerikane, para së gjithash, përgatitin elita të përshtatshme për Amerikën, shoqërinë amerikane, kulturën amerikane, ekonominë amerikane, tregun amerikan, ushtrinë amerikane, interesat strategjike amerikane. Absolutisht nuk është provuar ndonjëherë që këto gjëra mund të vlejnë e të japin rezultate edhe po të zbatohen, qoftë edhe me dëshirë të mirë, në Kaukaz, Kashmir, Kamçatkë, Kaçanik dhe Karaburun. Përkundrazi.

  9. Fatet e kombit ne duart e ca “Mjaft”(apo “Boll”), “G-99”, KOP e sajesa te tjera si keto?? Zot na ruaj!! Shikoji e degjoji, si e kur flasin….
    Megjithate, natyrshem me lind pyetja: Po ne duart e kujt, pra?? Jam pa pergjigje, per fat te keq. Shume per fat te keq…!

  10. Megjithese per nga kompleksiteti kjo teme duket e denje per nje “research thesis” ne ndonje nga universitet e lartepermendura (apo edhe per ndonje Harvard wannabe sic eshte Universiteti i Vlores 😉 ) disa fjale qe i referohen disa arsyeve shume te thjeshta perse tipa te tille deshtojne mund edhe te thuhen pa pritur perfundimet e “kerkimeve” shumevjecare. Realiteti i ketyre universiteteve eshte i tille qe, pervec edukimit, i pompon studentet e vete me nje psikologji prej “lideri”, ose thene ndryshe: realiteti i liderve te ardhshem eshte nje lloj “self-fulfilling profecy” e aplikuar gjeresisht ne kurikulumet e tyre. Kuptohet ne rastin e Bushit, Klintonit, Obames etj. kjo lloj perqasje merr nje lloj kuptimi ne hierarkine shoqerore, ku suksesi garantohet pervec te tjerash edhe nga aftesite personale, rangu shoqeror (familja, parate), eksperienca dhe se fundi (?) fati. Pra shkolla nuk eshte edhe aq “ticket for life”, sic u pelqen te mendojne shumices se atyre qe dalin nga bankat e ketyre shkollave, pa i shijuar ende frutet e hidhura te realitetit. Te marresh dike nga nje realitet hiper-akademik, qe perforcon pervec te tjerash nje formim psikologjik teresisht te stisur, perforcuar dhe nga faktoret financiar qe keto shkolla te imponojne, dhe ta vendosesh direkt ne pozicionet e nje ministri apo kryeministri, do te thote ta shkeputesh edhe me shume nga ky realitet. Kjo krijon nje dem te pariparueshem do thosha une, per dike qe ka pasur pretendimet e nje perspektive te “ndritur”. Pra thene thjesht keta individe jane privuar nga mundesite qe te jep qofte akademia, qofte realiteti (jo akademik), duke mos u dhene kohen e duhur per te tretur as njerin as tjetrin.
    Por pa shume llafe, kjo vertetohet nese dikush u hedh nje sy dy rasteve konkrete: presidentit te Gjeogjise dhe kryeministrit te Indise
    Megjithate ajo qe mund te behet eshte nje lloj pershtatje e kesaj prurjeje ne realitetin akademik, administrativ, ekonomik etj. te vendit, pa rene pre e kesi lloj katapultimi, apo edhe shmangje e nje rreziku per t’i perdorur ata si fasade per kushedi cfare qellimesh, sic ka treguar rasti shqiptar.

  11. Duke shkuar permes vorbulles shume interersante te diskutimeve nuk mund te me hiqet nga mendja se, gjithesesi elita aktuale qeritare ne Gjorgji nuk eshte vecse nje rezistence jo aq e planifikuar me kujdes si properendimore se sa automatike dhe reaguese. Gjeorgjia per mendimin tim ka probleme te medha identiteti gje e cila eshte mjegulluar ne vite nga Perandoria Ruse ne histori. Ish Bashkimi Sovjetik nuk eshte asgje tjeter vecse riciklimi i vepres se Ivaneve dhe te Pjetrit te madh…qe vazhdon te gumezhije dhe sot e kesaj dite ne popujt sllave. Figurat e medha historike sic jane per gjermanet Frederiku i madh apo per franket Franku i madh kane krijuar kallo ne mendjet e disa popujve dhe here mbas here ato shfaqen papritur dhe me agrisivitet…aq ne menyre te pabesueshme saqe nuk te shkon mendja per referenca te tilla. Ne kete situate cfare mund ti ngelet nje gjeorgjani vecse te rende tek nje aleat sa me i larget dhe i fuqishem per gjetur mbeshtetje. I larget qe te mos i rrezikohet endra nacionaliste dhe i fuqishem sepse do te gjeje suport te mire per te arritur kete enderr. Eshte pak a shume si rasti i Kosoves kur aleti me i mire ishte U.S. Edhe sot e kesaj dite kuadrot atje po marrin arsimim perendimor. Mendoj se kjo eshte llogjike. Besoj se ne Gjeorgji ashtu edhe Ukraine e te tjera ish-republika pjesa me e madhe jane gati te bejne aleance me cilin do pervecse me Ruset. Kjo krize per mendimin tim nuk eshte gje tjeter vecse mprehja e ketyre qendrimeve te kunderta.

  12. Jam dakort qe vendosja e aguridheve ne postet qeveritare eshte nje lajthitje, por nga ana tjeter nuk i shoh aguridhet ne konfliktin gjeorgjian si pale kryesore.
    Nese midis Fuqise qe ka ende me shume mbushje berthamore ne Bote dhe nje shteti rrembythje kufitar,plas nje konflikt i cili ndizet nga shteti rrembythje, do mendoja menjehere se shteti rrembythje eshte nxitur e po perdoret nga nje Fuqi e Madhe me potencial berthamor te krahasueshem me Fuqine qe sfidohet nga rrembythjet.

    Pra kurrsesi nuk do shihja si pale kryesore Shakashvilin dhe shoket e tij,ashtu sikurse ‘Tomka dhe shoket e tij’ , nuk perbenin pale kryesore, por karrem. Dihet qe sateliti i sherben nje Fuqie te madhe per te mos hyre drejperdrejt ne konflikt,por per ti ngacmuar nervat e testuar kunderpergjigjen.

    Shkollimi i Shakashvilit dhe shokeve te tij ne Amerike e ben te qarte qellimin Amerikan te fuse hundet ne ish republikat sovjetike.

    Nderkaq Rusia deri me sot e ka bere te qarte politiken e saj qe ish republikat sovjetike duhet te mos jene ne duar antiruse e pavaresisht disfates se Lituani, ku ruset u larguan me te mire nga lituanet shumica e ketyre shteteve mbahet nen vezhgimin rus.

    Shkollimi neper univeristetet e huaja perben nje lloj raporti fitimprures per te dyja palet e pervec kesaj nuk mendoj se universiteti i huaj te shkeput nga realiteti i vendit, perkundrazi, te pergatit me teper,pasi i diplomuari jashte ka nje eksperience me teper sesa i diplomuari brenda.

    Nga ana tjeter une mbetem i mendimit tim, se elita pergatit eliten e re e jo universiteti e nese duhet per hipokrizi demokratike te pranohen elemente jashte elite,keta duhet te jene te shkelqyer ne krahasim me bijte e parise.

    Ne raste urgjence si Shqiperia apo Gjeorgjia sa me shume elemente te shkolluar jashte futen ne administrate aq me eficente behet administrata shteterore,sigurisht secili ne vendin e duhur, jo portieri ne vend te sulmuesit , mesfushori portier e sulmuesi mbrojtes.
    Ata qe kane mbaruar psh kursin e plepave e me pas juridikun me korrespodence, do jene te prirur ti presin kembet atij qe mbaron juridikun e magjistraturen jashte shtetit e per kete duhet shteti, te vendose pikat mbi i e jo te loze kukamfshehti me te ardhmen.

  13. ” Nuk me duket aspak ashtu. Saakashvili ishte vetem nje flamurtar qe u nis yrysh por qe s’e ndoqi njeri nga pas (kur them ‘njeri’ flas per NATO-n). Keta Sorrosianet jane shume misionare e nxitohen, por s’do te thote qe poplli s’eshte me ta. ”

    Kreshnik, nuk të kuptoj, ose nuk më ke kuptuar. Ose nuk kuptohemi ndoshta.

    Nuk ka asnjë shtet evropianoperëndimor, i cili u magjeps gjë nga marrëzia e Shakashvilit për të sulmuar ushtarakisht një territor, i cili faktikisht ruhej nga forca “gjoja” paqeruajtëse ruse dhe kjo për të vetmen arsye se Evropa Perëndimore do paqe në rajon dhe bën tregti me Rusinë. Pra thjeshtë për arsye pragmatike. Megjithatë unë nuk do të doja ta shkëputja vëmendjen nga tema që po diskutohet në bllog, dua vetëm të theksoj se ka dhe një mënyrë tjetër për të bërë llogaritë e paqes në këtë kontinent, ku natyrisht ambiciet amerikane për hegjemoni globale luajnë një rol sekondar. Ka shumë artikuj dhe shkrime në shtypin evropian këto ditë, ku shprehet skepticizmi i hapur karshi falkonjve pro-amerikanë në Evropën Lindore, të cilët shikohen si faktorë destabilizues të paqes në rajon, të cilat përmblidhen shumë qartë edhe në një artikull të Süddeutsche Zeitung të datës 14.08 me titull “Für Georgien sterben?” [Të vdesësh për Gjerorgjinë?] ku tenori i shkrimit ishte

    – Rusia është shumë e rëndësishme ekonomikisht për Evropën, për t’i hapur luftë për një shtet mikroskopik si Gjeorgjia.

    – Gjeorgjia bën lojën e amrikanëve ne rajon – loja e amerikanëve nuk është gjithnjë loja edhe e evropianeve

    – Gjeorgjia është një shtet relativisht i trazuar, ku kufiri midis të mbarëve dhe të paudhëve shpesh është i padukshëm.

    – Në planin global perëndimi ka probleme shumë më të mëdha, të cilat zgjidhen dot vetëm me bashkëpunimin konstruktiv me Rusinë, kështuqë ta prishësh punën me këtë faktor kaq të rëndësishëm ndërkombëtar për një aventurë të atij karafilit gjeorgjan është një gafë që Evropa Plakë nuk mudn t’ia lejojë vetes.

    Po i bie për shkurt, se në fakt dua të rekomandoj një libër, por sapo dëgjova në radio, që amerikanët në luftën e tyre kundër terrorizmit ndërkombëtar (myslimaneve të provincës afgane) vranë vetëm sot 76 civilistë. Në këto rrethana më duket se perëndimi i krishterë demokratik i ka të shpërdorura njëherë për një herë të gjitha kreditë morale për të ndërmarrë ndonjë veprim kundër rusëve; dhe nuk jam unë që o them këtë; është e shkruar në çdo faqe të partë të çdo gazete të lexueshme dot.

    Në këto rrethana atë përfytyrimin tënd të atij flamurtarit gjeorgjan që i turret Rusisë dhe i shkon pas pastaj gjithë perëndimi (NATO) nga pas, po e marr një herë për një herë në konsideratë si një shaka. Për sa i përket popullit gjeorgjan, që t’i shkojë edhe ky pas atij misionarit në luftën e tij kundër Gjeorgjisë; edhe kjo më duket si ide pak si e vakët. Lidhjet historike midis Gjeorgjisë dhe Rusisë janë aq të forta, sa një krizë si kjo e tanishmja nuk mund t’i tronditë dot në themel. Natyrisht njerëzit janë të trembur dhe në raste të tilla mblidhen rreth udhëheqjes politike të vendit, si pikërisht kur bie tërmet dhe të nesërmen të gjithë shkojnë në kishë, por edhe këtu u tha relativisht shpejt, se pas përfundimit të krizës çështja e parë që do të shtrohet për zgjidhje në Gjeorgji është pikërisht hetimi i përgjegjësisë politike të udhëheqjes gjeorgjane për katastrofën e luftës së fundit.

    Që të kthehem tek ajo që doja të thoja. Para ca kohësh kam lexuar një libër të një amerikanit rus Gary Shteyngart, i cili më zbaviti pa masë dhe e ka titullin “The Russian Debutante’s Handbook”. Libri mban pa frikë mbi 1.000.000 klishe, por që nuk e bën gjë më pak të vërtetë për realitetin e Evropës Lindore.
    Pas tij lexova një tjetër roman të Shteyngart me titull “Absurdistan”, shkruar se fundi, të cilin pa brejtje ndërgjegjeje do ta kisha rekomanduar me dëshirë jo vetëm për referencat tek zhvillimet aktuale në Gjeorgji, por edhe si një manual të funksionimit të Evropës Lindore; veçanërisht të disa shteteve të formatit të Shqipërisë apo Gjeorgjisë.

    Kwtu mund tw gjehet mw shumw informacion pwr librin e dytw:

    http://www.amazon.com/Absurdistan-Novel-Gary-Shteyngart/dp/0812971671

  14. Kjo qe thote GH, dmth. lufta eshte nje sic thone gjermanet “Vetreterkrieg” (lufte ne-vend-te) midis USA dhe Rusise, eshte per mendimin tim e vertete. Nga ky arsyetim vijojme tek tjetra, dmth. se ata qe jane aty ne pushtet, jane vegla te politikes se jashtme amerikane. Kush e di se ne cfare baze jipen bursat (Fellowships, Scholarships etc.) e studimit nga organizatat e lidhura me qeverite perkatese, nuk mund pervetem se ta konfirmoj kete pikepamje. Sepse askush nuk investon 25000 dollar ne nje figure pa te ardhme. Sesa i ndergjegjshem eshte dikush per -filo-n (dashurin dhe besnikerine) e tij, eshte pune tjeter. Sidoqofte kjo nuk i leron autoritet gjeorgjiane nga faji i tyre. Per arsyen e vetme, se nese ti edhe pse nuk i sherben interesave te huaja (rasti me i mire!), duhet te pakten te njohesh realitetin dhe pozicionin gjeopolitik te vendit ku je pushtetar. (Levizja gjeorgjiane ishte pregatitur me kohe, madje plani (mendimi im) ka qene me siguri i hartuar perpara konferences se NATO-s. Gjermanet dhe Anglezet vepruan me shume mencuri qe nuk e pranuan Gjeorgjine dhe Ukrainen ne Nato. Nato nuk mund te behet instrument i politikes se jashtme amerikane.) Sidoqofte pra gabimi i ketyre pushtetareve ngel qe nuk respektuan ose e injoruan me arrogancen e tyre (burimi: mbeshtetja e USA) realitetin gjeopolitik te vendit te tyre. Kjo tregon pra jo vetem per mungese inteligjence por edhe per doza te larta te arrogances se autoriteteve gjeorgjiane.

    Prandaj dalim tek ajo qe tha Xhaxhai, qe teknokratet nuk mund te behen politikane, ngase profesionalizmi i tyre eshte burim i arrogances se tyre. Dhe perfundojme me kete argument tek ajo qe tha edhe Eni, pra tek largesia e ketij grupi elitar nga baza dhe mungesa e pergjegjsise se ketyre, jo ndaj popullit, porse ndaj politikave jashte sferave te realitetit gjeopolitik.

    Keshtu dolem tek teksti i njohur i Max Weber “Politika si profesion” ku dallohen dy lloje tipash politikanesh, sipas pergjegjsive qe ata edhe mbartin ne veprimet e tyre. Etika e pergjegjesise (verantwortungsethik) dhe e etika e bindjes (Gesinnungsetik). Ta pres shkurt, njeri mban pergjegjesi ndaj grupit dhe pozicionit te tij, ndersa tjetri ndaj bindjeve dhe besimit te tij. Tek i pari pritet gjykim me pragmatizem, dhe nje gjykimi midis veprimit dhe konsequencave (pasojave), tek tjetri pritet te plasi koken mbas murit (se eshte i detyruar te eci drejt dhe nuk mban pergjegjsi per pasojat). Pra gjithsekush qe deshiron te behet politikan duhet te mbaje kete pergjegjsi, dhe jo ndaj nje politike te huaj ose bindjeve dhe -filo-ve te tija, porse ndaj popullit te tij.

  15. GH dhe Kapedani,
    Qe pas luftes se dyte boterore “inisiativa” u merzit aq shume ne Europe, sa i hipi anijes dhe kaloi ne anen tjeter te Atlantikut, dhe qysh atehere nuk eshe kthyer me.
    Europianet sillen ashtu si sillen sepse e dine qe Amerika ka per t’i mbajtur gjithmon ne qafe, prandaj ia bejne shurren ne koke. Kurse me rusin sillen mire se u bie me steke bytheve. Pastaj, keto teorite e konspiracionit qe “te gjithe atyre qe u paguhet shkolla nga Amerika, jane agjente te saj”, tregojne me shume per mentalitetin tone bizantin, sesa per paaftesine per te kuptuar “open-minded policy” te ketyre shkollave, por edhe shume institucioneve perendimore, si filozofi pune dhe jo si “means to an end”. Dhe pastaj vilme ne perfundime si ky:

    Levizja gjeorgjiane ishte pregatitur me kohe, madje plani (mendimi im) ka qene me siguri i hartuar perpara konferences se NATO-s.

  16. Evropa Perëndimore do paqe në rajon dhe bën tregti me Rusinë. Pra thjeshtë për arsye pragmatike… Ka shumë artikuj dhe shkrime në shtypin evropian këto ditë, ku shprehet skepticizmi i hapur karshi falkonjve pro-amerikanë në Evropën Lindore, të cilët shikohen si faktorë destabilizues të paqes në rajon

    Vjen nje kohe qe pragmatizmi i hap udhen ‘shpates te historise’. Kete artikullte Paul Krugman ne NY Times ma percolli Ujku i Zi. Besoj se nuk i ben fare karshillek Süddeutsche Zeitung shkruar (ironikisht) ne te njejten dite me artikullin qe permend.

    Thuji Gjermanit te de-nazifikum: paqja n’Evrope nuk rrezikohet se Rusia nuk eshte n’Evrope

  17. Kurse ky artikulli tjeter i NYT sot qe njftonte per terheqjen e trupave ruse nga Gjeorgjia, ne versionin e shtypur (leter) titullohej “Russia, When the Tanks Work, Pulls the Bulk of Its Forces Out of Georgia”. Cuditerisht ne versionin online ia kishin ndryshuar titullin. Ideja eshte qe logjistika dhe menyra e organizimit te ushtrise ruse eshte aq e vjeteruar sa qe u tregua ne shume apskte te kesaj lufte, qe nga paaftesia per te goditur objektiva, tanket qe nuk punojne, dhe deri tek menyra e centralizuar e funksionimit te ushtrise. Sikur europianet t’i lene menjane ato analizat e holla dhe t’i kishin kushtuar me shume vemendje ketyre vendeve te vogla, neper te cilat rastesisht ndodh te kaloje edhe ndonje tubacion nafte, dhe te kishin ndonje strategji gjeopolitike, Rusia do pyeste njeqind here para se t’i sulmonte ato. Ne kete menyre edhe Gjeorgjia dhe gjithe europa lindore ndoshta nuk do ishin bere edhe aq “falkonj pro-amerikanë”

  18. Kapedani thote: Sesa i ndergjegjshem eshte dikush per -filo-n (dashurin dhe besnikerine) e tij, eshte pune tjeter. Sidoqofte kjo nuk i leron autoritet gjeorgjiane nga faji i tyre. Per arsyen e vetme, se nese ti edhe pse nuk i sherben interesave te huaja (rasti me i mire!), duhet te pakten te njohesh realitetin dhe pozicionin gjeopolitik te vendit ku je pushtetar.

    Ujku i zi sic e sheh une nuk kam leshuar asnje akuze ndaj kolektivit te studenteve qe mbeshteten financiarisht. Dhe per me teper kam folur ne pergjithesi, se ky fenomen nuk vlen vetem per SHBA porse edhe per vendet europiane. Une perdor fjalen -filo, pra sic perdoret ne komposita te tilla si frankofil, italofil ose gjermanofil. Pervoja pozitive/negative qe dikush ka patur ne nje shtet te huaj patjeter qe ndikon ne gjykimin e tij per ceshtje te ndryshme. Praktikat e punes, lidhja me njerez te caktuar ose me kulturen e ketij vendi ndikojne me siguri ne menyren e mendimit. Une sic mund ta lexosh ne komentin tim nuk i paragjykova fare keta, sepse ky ndikim edhe pse eshte, per dike nuk mund te jete i ndergjegjshem. Dhe ky patjeter qe eshte nje ndryshim i madh, dhe nje faktor qe duhet te mirret parasysh perpara se te shpejtojme te akuzojme dike per spiune ose tradhetor.

    Une u bera ca vite ketej jashte dhe e shoh ne menyren e gjykimit tim ndikimin e kultures se ketij vendi, ne disa raste e vleresoj kete pozitivisht, ne disa raste jo, por te pakten jam i ndergjegjshem per kete ndikim (si psh. persa i perket tolerances, kultures se dhunes, formave te miresjelljes, indiferences etj.). Mendo se nese dikush na qeras me nje kafe dhe ne ndihemi borxhli e nxitojme t’ja kthejme ne nje menyre ose tjeter. Por sikur dikush te te paguaj shkollen, te te siguroj ekzistencen per disa vite me rradhe?

    Pra pyetja nuk eshte se a eshte dikush i ndikuar ose a vepron dikush nen detyrim (qe mund t’ja kete vene edhe vetes); porse ai eshte ky person i ndergjegjshem per kete(?). Dhe ne momentin qe ky person behet i ndergjegjshem mund te arsyetoj dhe te gjykoj ne menyre te balancuar: midis pikepamjeve te veta te moralit, thirrjes se situates, kerkesave te kolektivit, etj; dhe gjithmone duke i menduar mire pasojat, se ke do lendoj dhe ke do ledhatoj.

  19. Kapedani, jam dakort me shume gjera qe ke thene ne komentin e fundit, megjithese do desha te besoja qe keto njerez do e perdornin edukimin dhe experiencen e tyre jo per te bere gjykime ne varesi te “besnikerise” sesa ne varesi te rrehtanave sic e ke edhe ti shume mire ne fund. Ajo qe ma verteton naivitetin e pikpamjes time rreth kesaj ceshtje jane absuditete te tilla si ky ketu ketu, ku autori nuk e fsheh ngazellimin se Veliaj po u katapultokerkeshka ne krye te politikes shqiptare si i “perkedheluri” i Obames.

  20. Po lexoja dicka mbi edukimin e brezit te ri dhe rastisa ne nje citat shume te goditur te G. B. Shaw mbi arrogancen e disa individeve, mbase na vlen te gjitheve:

    They are not beautiful: they are only decorated . . . They are not dignified: they are only fashionably dressed. they are not educated: they are only college passmen. They are not religious: they are only pewrenters. They are not moral: they are only coventional. They are not virtuous: they are only cowardly . . . They are not artistic: they are only lascivious . . . They are not loyal, they are only servile; not dutiful, only sheepish; not public spirited, only patriotic; not courageous, only quarrelsome; not determined, only obstinate; not masterful, only domineering . . . not kind, only sentimental . . . not considerate, only polite; not intelligent, only opinionated . . . not disciplined, only cowed; and not truthful at all: liars every one of them, to the very backbone of their souls. (Shaw [1951]: 176).

    Shaw, G.B. 1951. Man and Superman. Harmondsworth, Middlesex, UK: Penguin.

  21. “Enver hoxha vertet u shkollua ne France”..

    Enver Hoxha me zor shtyu dy vjet ne nje kollegj ne Montpelier, por asnjehere nuk u diplomua, dhe jo per faj te kushteve apo ideve komuniste “qe po piqeshin”, apo kushte financiare, apo per faj te tjereve, thjesht nuk ish i zoti per shkolle.

    Ky nuk quhet shkollim por deshtim, ashtu si edhe tere farsa komuniste.

  22. ti njeri ujk i zi, unë nuk kam thënë asnjëherë, që kush u shkollua me paratë e Amerikës është agjent amerikan prandaj të lutem mos më vër në gojë çfarë nuk e kam thënë.

    Tjetër gjë. Mentalitetin bizantin në e kërkofsh në veten tënde, puna yte, me mentalitetin tim mos u merr në këtë blog, se nuk e kam nxjerrë gjë në pazar që të engledisesh ti.

    Kreshnik nuk kuptoj asgjë nga to që shkruan. Nuk e kuptoj shumë se pse je kaq i ndezur për luftë kundër Rusisë, por meqë e paske mprehur shpatën në dorë, shko dhe hidhi një sy mbase statutit të NATO-s për të kuptuar se nuk bëhet gjë fjalë për një kryqëzatë të krishterë, por thjeshtë për një organizatë mbrojtëse.

    Ti shkruan akoma:

    “Thuji Gjermanit te de-nazifikum: paqja n’Evrope nuk rrezikohet se Rusia nuk eshte n’Evrope”.

    Çdo të thotë kjo? E ke shkruar gjë në kllapi? Domethënë nuk je i detyruar t’i përgjigjesh kësaj pyetje, por bëji një të mirë vetes dhe gjeje atë artikullin që të citova, se i referohet kryesisht pozicioneve të mençura konservatore amerikane, të cilat kategorikisht e refuzojnë një konflikt me Rusinë për momentin. Dhe mos merr kot me atë shpatën në dorë se është një veprim shumë absurd e nuk të nderon.

  23. Kurse Umberto Eco ka pasur kete per te thene ne lidhje me aforizmat e Wilde:
    When we consider the countless aphorisms scattered throughout his works, we have to admit that this is a fatuous author, a dandy who does not distinguish between aphorisms, and paradoxes, so long as he manages to épater le bourgoise. What is more, he has the nerve to present as aphorisms witty statements that, aside from the wit, turn out to be wretched commonplaces – or at least commonplaces for the Victorian middle classes and aristocracy. (Umberto Eco on Literature, $26.00 Higher in Canada)

  24. Kreshnik nuk kuptoj asgjë nga to që shkruan

    Thashe (dhe solla Paul Krugman si mbeshtetje) thjesht qe globalizimi ku marrdhenia treg:konsumator eshte primare ka marre goditje te rende. Argumenti nga Moskva eshte qe “nuk ka mundesi gjalle ne bote qe ne ti futemi vendce konsumatorit tone me te mire, BE-ut. Keshtu qe mos kini gajle se kapitulli i Gjeorgjise si u hap, ashtu do mbyllet shpejt e shpejt”. Duket qe Moska i referohet situates qe mendohej te ishte deri para se Saakashvilli t’ja mbeshtillte Tsikhnvalit

    Nqs Krugman ka te drejte, atehere ceshtja eshte me komplikuar se sa kujton. Askush nuk po thote ‘mbeshtillja Rusise sot!’..ashtu sic gjithkush po sheh rrethimin energjitik qe po i behet BE-ut aq sa senatori amerikan Richard Lugar po perpiqet te fuse ne charterin e NATO-s ‘energy blackmail’ si akt lufte.

    Mua me duket qe qendrimi gjerman qe personifikohet te Schroeder-i eshte qendrim i pamatur. Rusia tashme perben nje rrezik te madh per NATOn, te cilen ka shume mundesi ta shperbeje pasi del si organizem jo-relevant sidomos ne kete rastin e Gjeorgjise

  25. Gjermanet dhe Anglezet vepruan me shume mencuri qe nuk e pranuan Gjeorgjine dhe Ukrainen ne Nato. Nato nuk mund te behet instrument i politikes se jashtme amerikane.

    Po i ofruan MAP-in ne Dhjetor? Der Spiegel thote qe Merkel e ka kthyer pllaken ne relacion me Saakashvilin. Me duket se nuk e gjykoni drejt Saakashvilin. Sado flamurtar-misionar te jete, Tbilisin e ka kthyer ne ‘kryqytet te diplomacise nderkombetare’, dhe po te degjojme nje komentatore ruse ‘e ka rrethuar rusine me demokraci te vogla por agresive’. te gjithe u mblodhen bashke ne mbeshtetje te tij.

  26. ””Rusia tashme perben nje rrezik te madh per NATOn, te cilen ka shume mundesi ta shperbeje pasi del si organizem jo-relevant sidomos ne kete rastin e Gjeorgjise””

    NATO eshte shtojce e administrates politiko-ushtarake amerikane e jo nje organizate mbrojtese nderkombetare.

    Amerika ne Gjeorgji testoi Rusine , nuk iu hap barku per problemet e brendshme te Gjeorgjise dhe aspiratat personale te Shakashvilit.
    Ceshtja qe Amerika ka kohe qe ngre eshte: A ka dhembe Rusia e Putinit e nese po sa te mprehte i ka ? Joja ndaj nderhyrjes ne Iran eshte serioze apo jo ?

    Europa eshte ‘kot-biskot’, por gjithsesi i duhet njohur roli i saj si graso kur ndryshken marredheniet Rusi-SHBA. Eshte graso e cilesise se pare,sidomos Franca e Sarkozit,aleatja e vjeter e Rusise.

    A i duhet Nato-ja SHBA-se ? Sigurisht qe po, pasi pa te SHBA-ja rrezikon izolimin nderkombetar.
    A i duhet Nato-ja Europes ? Sigurisht qe po, pasi pa te Europa eshte e pafuqishme jashte vetvetes.

    Kane ndryshuar parimet themelore te Natos, qe Rusia te rrezikoje shperberjen e saj.
    Europa i duhet sa Amerikes aq edhe Rusise e konflikti Rusi-Amerike eshte transferuar jashte Europes pavaresisht kercenimeve ruse ndaj Polonise. Keto jane kercenime qe po te perktheheshin nga ata qe dine ‘rusisht’ do tingellonin: Amerike mos e tepro se Azine naftembajtese nuk ta leshoj per qamet, jo per gje po ti e di qe pa nafte nuk jetohet.
    Jo vetem kaq, po ish- URSS eshte zona ime e influences prej 300 vjetesh.

    Amerika ja kthen: Ok ,raketat do i ve se smund t’ja lejoj vetes bllof ne Iran, bllof ne Gjeorgji e bllof ne Poloni.

    Amerike-Rusi shtrengojne duart deri sa te zgjidhet presidenti i ri amerikan.
    Europa pret te dije fatin e saj. Nuk eshte ne gjendje as per nje replike te hajrit ndaj kercenimeve ruse ndaj nje shteti te saj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin