MËNGJES HERËT 1986

Mëngjes i një nisjeje për aksion filmuar nga terraca e Muzeut Kombëtar; ose edhe e Bankës së Shtetit, që duhet ta ketë pasur parapetin më të ulët. Autobusë në gjendje pune të shkëlqyer, shoferë të komanduar, që thithin ngeshëm cigaret “Partizani” të Shkodrës; një sekretar i Komitetit të Partisë së Rrethit me pallto ngjyrë granili duke parë hartën topografike të rrethinave të Tiranës.

Ky filmim ka për qëllim të kapë blunë e mugëtirës zënë gafil nga mijëra vështrime të përgjumura por të parakohshme; dritën ende të ngecur në brekët titanike të Malit të Dajtit, pak të klorinuara në fillim të marsit, mjaftueshëm të gjëra për të fshehur në vetvete lodra ekstravagante me nuancat që përndryshe ditës i mungonin.

Sikur të ishte e mundur të kapej në celulozë edhe era e ndenjur dhe pak e athët e majasë së birrës në një copë buke 52-she, të nginjur në gjalpë verdhëllosh pak të kërcyer nga një ndërprerje energjie shqetësuese në frigoriferin e dyqanit të bulmetit; por prapë i ushqyeshëm madje i domosdoshëm për të mbajtur në nivele normale acetilkolinën; ose vallja e shkronjave të njoma prej plumbi që pa u ndier transferoheshin prej gazetës mbi një llokmë të pafajshme domateje të rrumbullakët si bebe, ose në faqen e zbehtë gati kortizonike të një rrotulle mortadelë të vjetëruar; milingona shijevrasëse, efekt anësor i papritur i propagandës së shtypit – po të mos llogaritim një formë të majasëllit toksik që u shpifej përdoruesve pak a shumë të rregullt të “Zërit”.

Nuk e kam fjalën për të përjetësuar Yllin e Mëngjesit që do t’i tregonte rrugën karvanit kokulur të fizarmonikave teksa i qepeshin Kërrabës, kortezh zvarranikësh që i largohen ujërave të mjegullta të liqenit të fushëtirës poshtë…

As ndriçimin hënor të fytyrave për shkak të shpëlarjes së lëkurës me ujë të akullt; as mavijosjen e buzëve që aq shumë kanë nevojë të putheshin; nuk ka pasur kryeqytet në Evropë ku buzët të putheshin më pak se në Tiranë. Po fundja një plan fare i afërt i një palë buzësh anonime mund edhe të pranohet nga publiku e ndoshta nga kritika, me kusht që filtri të jetë i tillë që t’i japë së tërës një konsistencë kromatike prej morgu, ose gjithsesi një ambienti ku koloriti të jetë djegur, për shembull, për shkak të një shpërthimi atomik ose përzhitjes së troposferës planetare nga një kometë me orbitën tepër, po tepër eliptike.

Me urdhër të Kryetarit të Këshillit të Rrethit ose Sekretares së Përgjithshme të Bashkimeve Profesionale ose Nënkryetarit të Frontit Demokratik ose Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Rinisë ose Përgjegjësit të Zyrës së Shtypit pranë Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë ose Sekretarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor disa neone janë lënë ndezur edhe në atë orë të herët të mëngjesit kur rrugët shtrohen me një si pluhur të lehtë rozë për shkak të difraksionit prizmatik në qiellin ngjyrë qelqi nginjur partikulatesh.

Në raste të tilla nuk ka kuptim të zbatohet regjimi i kursimit, mendohet të ketë thënë personi i cili ka urdhëruar lënien ndezur të neoneve ose mosfikjen e tyre; ose ndoshta që vetëm sa nuk ka urdhëruar fikjen për këtë apo atë neon specifik në atë rast të pagjasë por jo të pamundshëm që fikja e secilit neon duhej urdhëruar nga një instancë përkatëse dhe pastaj miratuar nga një tjetër instancë po aq përkatëse.

Këtë moment kaq performativ nuk mund t’ia japim dot publikut përveçse të nënkuptuar; por të paktën mund të përqendrohemi në atë përzierje të çuditshme prej pishine hoteliere midis borëtimit të kaltëremë të neonit, eksfiltratit ngjyrë shisheje që ende rrjedh prej të ndenjurave të Dajtit dhe rimelit të qiellit sipër hotel “Vjosës”; metafora e pishinës në këtë rast ka të bëjë me gjendjen shpirtërore nënujore të të gjithë atyre që presin vagonat e autobusave në sheshin e pudrosur nga mjegulla.

Natyrisht, në tarracën aq institucionale ku kemi vendosur kamerat ende gjenden gëzhoja të shuara të fishekzjarrëve shpërthyer për nuk di ç’festë të papërsëritshme; madje po të kërkonim më këmbëngultas edhe vetë mortajën do të mund ta gjenim mbështetur pas ndonjë oxhaku të ngrohtë e aq të qymyrtë; por filmimin e gëzimit që i bie qytetit nga qielli e kemi lënë për një etapë të dytë.

Tani për tani duam të filmojmë qytetin që i ngrihet gëzimit së poshtmi.

Nuk mund të shmangim figura jofunksionale grash këmbëparruara radhash qumshti ose gjize; as atë qenin me tre këmbë që ndaloi t’i merrte erë bagazhit të “Vollgës” së Sekretarit të Komitetit të Partisë të Rrethit; as kanotieret varur për t’u tharë në një litar që ka lëshuar tashmë bark, tejpërtej fasadës të së vetmit pallat banimi që kemi përballë; edhe pse kemi frikë se e bardha e lodhur e pambukut tanimë të tharë mund ta komprometojë përfundimisht efektin që kërkojmë të fiksojmë e që, tek e fundit, do të na japë çmimin ndërkombëtar të merituar.

Kur të dalë dielli sheshi do të jetë zbrazur krejt; s’do të ketë mbetur asgjë, veç një autobusi që nuk u nis dot – me shoferin e tultë që tani mbllaçit drekën parakohshëm ndërsa ngjyrat e ajrit renditen të rregullta, si argjila që është lënë të precipitojë në fund të një epruvete laboratorike mbushur përgjysmë me ujë industrial.

Ky mëngjes i një nisjeje për aksion u xhirua tentativisht nga tarraca e Muzeut Kombëtar ose e Bankës së Shtetit Shqiptar duke përdorur filtrin polarizues Cokin X-Pro CR-87.

16 Komente

  1. Ky lloj filtri përdoret tek xhamat e syzeve?
    Është e kotë që të them provo hiqi syzet, se pa to nuk do të mund ta shikoje të shkuarën (këtu qëndrokërka magjia e Cokin X-Pro CR-87).
    Është për të ardhur keq që energji dhe aftësi e tillë për të shkruar të mos gjente “një filtër” për të na treguar të sotmen (për të mos egzagjeruar dhe kërkuar dhe të ardhmen), por që si më “për kollaj” i kthehn së shkuarës.
    Personalisht ky shkrim më la një efekt krejt të kundërt me atë që ndoshta kishte autori… në ktë shkrim pashë pamundësinë e tij për tu shkëputur nga ajo e shkuar… bile dhe përpjekje për të gjetur “marifete” për të arrirë që të mos humbasë ato nuanca ngjyrash dhe shijesh (prej mortadelle!!!???)

  2. Edrus
    Ju shkruani:
    … pashe pamundësine e tij për tu shkëputur nga ajo e shkuar …..
    Eshte çeshtje botekuptimi personal, pse u dashka te shkeputet autori nga e kaluara, njeriu nje histori ka te veten, qe fillon me lindjen, moshen e rritjes, pjekjen, plakjen dhe perfundon me vdekjen. Nga te gjitha keto periudha te jetes ajo e femijerise dhe e rinise lene gjurmet me te thella ne kujtesen e njeriut (ko eshte absolutisht e vertete per kedo). Keto ne njefare menyre influencojne karakterin e njeriut per pjesen tjeter te jetes.
    Maksi na dha nje moment nga jeta e shoqerise shqiptare e dikurshme sipas vizionit te tij (ne thelb te qendrueshem nga atehere deri sot), mund te komentohet a nxirret ndonje konkluzion, a te pelqen vete thelbi apo menyra e te shkruarit por nuk shoh asnje aresye per te mos shkruar per te kaluaren, sikurse kjo do te ndodhe vazhdimisht edhe me brezin e ri te tanishem, qe me siguri do te shkruajne pas 40 vjetesh si u be katrahura e vitit ’97 ne Shqiperi, si mbijetuan ate katastrofe etj etj.
    Mendoj askush nuk mund te lere te pa shkruar te kaluaren perderisa disponon mjeshterine e penes per ta bere kete.
    Edhe une temat qe sme interesojne ne kete blog i kaloj pa i bere fare koment me natyre te atille sic beni ju.
    Me nje fjale, ste pelqeu, ste terhoqi tema, kaloje vazhdo me tej…

  3. Edhe vetë emri i shkruesit, Maks, i shoqëruar nga mbiemri Gjerazi, është emërtim tetëdhjetegjashtas.
    Për të thënë me këtë hiçasgjë tjetër, përpos asaj se këtu, në këtë shkrim, filtra nuk ka.
    Syzet janë sytë. Ajo që përmendet si Cokin e më the të thashë nuk është se vetëm shtresa më e jashtme e kornesë, kornea all inclusive.
    Maksim Gjerazi është, në një pamje tjetër, Maskimi: maskoti i një romantiku me pantallona teritali të bëra nga ç’teproi nga fundi i nënës , heroi kombëtar i mungesave, Don Kishot, të cilin kalorësinë ia morën pa e pyetur shitëset androfilike të bulmetit të cilën revolucionin e kuptuan me minimin e kosit me ujë 2:1.
    Personalisht, Maksimi Gjerazi më pëlqen si shkruan. Duket se kur shkruan nuk merret me punë tjetër, e për më tepër, shkruan në një tokë të sigurt. Për më, do kërkoja që Maskim Gjerazi të shkruante, po qe se e mundur vetëm për të shkuarën.
    Përshëndetje dhe faleminderit.

  4. Tifoz gjerman, sikur të mos më kishte pëlqyer se si kishte shkruar as do isha ndalur që të komentoja…
    Nëse pas 30 vjetësh ndokush do të shkruajë për dhallën, ti si person, që e ke përjetuar këtë periudhë,ndoshta do të të kujtohet gota e dhallës tek VUP-i i Ypit që ke parë në televizor… por mua nuk më kujtohet mortadellë e atyre viteve (me përjashtim të peripecive doganore të S:Lorenit në një film diku në Amerikë).
    Pastaj, dakord me vitin, por kur flet për muajin….VETËM në Mars nuk kish ku dreqin të bëhej punë vullnetare, sepse nuk ka as misër a patate për të prashitur,grurë o domate për të mbledhur.
    Janë ca “detaje”, që ndonjë tifozi gjerman që nuk i ka jetuar ato kohë, ndoshta edhe do ti dukeshin simpatike, por për ndokënd tjetër, që ato kohë i ka njohur jo nga artikujt e gazetave, “ja vrasin veshin”.

  5. Disa detaje Edrus

    Sa per dijeni une vet kam qene ne muajin mars ne aksion (1977) ne maje te malit (rreth 700-800 m mbi nivelin e detit) per te mbuluar kokrat e grurit te hedhura pasi plisat e ngrire e te bera gur nuk i merrnin. Keshtu u deshem ne (kupto donte partia) rinia (ishim tmerresisht te forte se cdo gje asaj ja besonin) te zhgryheshim me plisat se kur dilte dielli, aty behej lluce se shkrinte ne siperfaqe toka.
    Sidoqofte i kemi provuar edhe ne ne kurriz se cfare eksperimente qesharake beheshin me fshatarin duke e detyruar te mbjelle grure atje ku sbehej dhe politika nuk pyeste per kohen kur do te hidhej ne aksion rinia sic ndodhi dhe me ne ne rastin e mesiperm.

  6. Dhe me ktë do të më mbushësh mëndjen që qe shkulur e gjithë Tirana atje?
    Pastaj, me të thënë të vërtetën, ishte një frazë tjetër që mi ngriti nervat tek shkrimi, por u përpoqa që ta “kritikoja” për detaje shijesh (mortadelle) dhe periudhe (marsi), sepse nuk doja që të hapja një diskutim mbi FUNKSIONALITETIN e “figura jofunksionale grash këmbëparruara” sepse do të më duhej të përmëndja dhe nënën time bashkë me të autorit, ashtu si mamatë e të gjithëve që janë rritur në atë periudhë… por fakti që ne jemi, do të thotë që “edhe pse me këmbë parruajtur” ato një funksion e kanë kryer: Misionin e Nënës.

  7. Edrus,
    Ashtu sic e ke cituar ti thote “figura jofunksionale grash” dhe jo “gra jofunksionale” sic e pershtat interpretimi yt.
    Eshte letersi, nuk eshte fletrrufe!

  8. Ujk, si përfundim, ishte hoxhë Aliu apo Ali hoxha?
    Nuk e mora vesh se pse e paske konsideruar opinionin tim si “fletrrufe” kur (nuk) kërkoja vetëm një diskutim për FUNKSIONALITETIN … dhe nëse të duket se VETËM “figura është jofunksionale” (po e heq gruan), atëhere i mjaftonte që të na sillte ndonjë shkrim për Çiljetën (besoj se do të ishte një përfaqësuese e denjë për sa paraqitet në mediat sot, si “figurë funksionale”.

    Gjithsesi, ndryshe nga Karmapolitik, shpresoj ta shikoj të shkruaj autorin (jo domosdoshmërisht për Çiljetën, sepse sapo ka shkruajtur Ypi), për/me një realizëm më kritik për gjëra që nuk do të konsideroheshin nga të tjerët si fletë…rrufe

  9. Një pyetje kisha unë edrus, meqë nuk e kuptoj fare atë që shkruan, natyrisht jo për faj tënd
    dy pika
    A mund të na thuash atë që do të thuash, por mundësisht pa thonjza, kllapa, dhe vija të pjerrëta: ku është saktësisht por sipas teje, problemi me këtë shkrim?

    Faleminderit.

  10. Edrus, kur po lexoja komentin tend thashe me vete “Shyqyr qe Maksi e shkruajti kete tregim per te shkuaran! Sepse po ta kishte shkruar te njejtin tregim ne emer te “realizmit kritik”, pra ne ate kohe kur edhe zhvillohet ngjarja do kishte perfunduar burgjeve.” Dhe e di pse? Sepse do i kishte dale ndonje si puna jote ne mbledhjen e organizates baze dhe do ta kishte kritikuar pikerisht per ate frazen “figura jofunksionale grash këmbëparruara”, dhe do t’i kishte kujtuar se si i kishte fyer gjithe grate socialiste ne mbare boten dhe vete internacionalizmin proletar, perfshire ketu edhe nenen e vet autorit. Dhe pasi ta kishin detyruar te bente edhe nje autokritike, do ta degdisnin nuk e di ne cfare burgu – sigurisht nese do kishte fatin te mos kishte perfunduar i pushkatuar.

  11. Karmapolitik, ç’kisha për të thënë e pata thënë tek komenti i parë:“Është për të ardhur keq që energji dhe aftësi e tillë për të shkruar të mos gjente “një filtër” për të na treguar të sotmen (për të mos egzagjeruar dhe kërkuar dhe të ardhmen), por që si më “për kollaj” i kthehn së shkuarës.”

    Nëse do të dish edhe se pse: Sepse, edhe ato forca politike që e kanë ndërtuar suksesin e tyre politik në emër të luftës kundër komunizmit dhe komunistëve, sot kanë arritur ta kuptojnë se nuk ishte vetëm komunizmi i asaj kohe që na kishte lënë prapa bote, dhe nëse do të shaje të tjerët për paaftësi, do të thotë që të ishe të paktën i aftë sa ata.

    Ky ishte dhe sensi i komentit tim të parë, ku për të vënë në dukje se mortadellën nuk e njihte njeri në atë kohë, në thonjëza, doja që të thoja që autori, nëse e kishte njohur mortadellën s’kish pse ti rikthehej së shkuarës me këto nuanca, sepse ai e paskësh shijuar kur të tjerët nuk ja njihnin as emrin.
    Do të më duhej ti replikoja tifozit sepse kërkonte detaje të tjera, dhe përsëri nuk ja vura fletrrufenë (!!) autorit, por i kujtova pasaktësinë me aksionet e Marsit (ndoshta i kujtohet atij se ku e kanë mbjellë atë grurë para 15 prillit në tokë shqiptare!!) , dhe pas replikimit të tretë nuk mund të mos përmëndja këmbët e parruajtura të asaj figurës jofunksionale..

    Nuk e di se nëse kam arritur të shprehem qartë Karma, por këta që më shkruajnë historira, qofshin historira për Voskopojën ose të 20 vjetëve më parë, më lënë një shije të hidhur. Nëse më lënë një shije të hidhur mua, kjo s’do të thotë që të ngelesh pa gjumë ti ose Ujku, sepse në fund të fundit gjithsekush ka shijet e tja dhe mendimet e tija, unë ato fjalë në atë koment ja drejtova shkrimit dhe autorit dhe s’kisha ndërmënd që të hapja një diskutim kaq të gjatë rreth këtij problemi, por meqë vajti kështu, të më falë autori dhe autorët e blogut që e zgjatëm pak, por besoj se jam përgjigjur vetëm se në komentet e tjerë kam qënë thërritur me emër për tu përgjigjur dhe jo thjesht se “unë paskam probleme me shkrimin”.

  12. Mortadela eshte ngrene ne Tirane deri nga fundi i viteve 70 dhe ka qene shume e mire, por pastaj u zhduk, bile dhe proshuta, tek dyqani ne rrugen e Dibres… Sa per kembet, nuk ishin te parruara, vecse perdornin makinat e rojes te destinuara per burrat. Per hir te se vertetes… Ne rrethet? nuk e di

  13. …. e verteta eshte se shkrimi ka permbajtje per nje brez qe ka jetuar ne ate kohe, nje brezi tjeter qe nuk dinte se cbehej dhe vetem me te degjuar di dicka se cbehej atehere eshte e veshtire ta kape e jo me ta shijoje. Fjala “aksion” per mua ka kuptim te thelle, kurse po tia them psh kete fjale djalit tim, ai kthehet e pyet: cfare the?

  14. tifozi_ gjerman shkruan:

    “…e verteta eshte se shkrimi ka permbajtje per nje brez qe ka jetuar ne ate kohe, nje brezi tjeter qe nuk dinte se cbehej dhe vetem me te degjuar di dicka se cbehej atehere eshte e veshtire ta kape e jo me ta shijoje…”

    Eshte me se e vertete! Eshte ceshtje brezash. Kush e ka perjetuar ate kohe, mund edhe te beje vleresimin, nese duhet apo jo shkruar per kete lloj te shkuare. Megjithate,shkrim shume i bukur, e nostalgjik, njekohesisht!
    personalisht, edhe kam qeshur shume (edhe deshperuar po ashtu) me detajet…“figura jofunksionale grash” etj.- a e di ky brezi i sotem se grate e asaj periudhe,edhe per pak do pesonin metamorfozen me te dhimbshme te races humane, ne Shqiperi? Ate te kthimit ne…burra?? Sigurisht, nuk e dine, e besoj, as qe kane marre mundimin qe tua tregojne (apo mund edhe ta kene harruar, nese dikush ua ka treguar si anekdote). Prandaj, duhen edhe keto lloj shkrimesh-per te shkuaren- qe te mesojne brezat! Dhe mos u mundoni qe togfjaleve te tilla t’i bashkangjisni interpretime apo komente “denigruese”. Eshte shume e goditur, do thoja. Ne mos ishin “kembet e parruara”, ishte kazma ne supet e tyre, kalla dhe draperi i qethjes se ferrave ne duart e tyre, qyreku per prashitjen e ullinjve dhe te ngastrave ne duart e tyre, “shalli i aksionistes” ne qafat e tyre, stema e “aksionistes se dalluar” ne gjokset e tyre……..kinezerira e percudnime te pafund te figures femerore ne kokat e nxehta, te pa mend e xhahile te udheheqesve te tyre te asaj kohe!! Ja pse eshte ceshtje brezash, qe te kujtojme e te mos harrojme!

  15. “a e di ky brezi i sotem se grate e asaj periudhe,edhe per pak do pesonin metamorfozen me te dhimbshme te races humane, ne Shqiperi? Ate te kthimit ne…burra??”

    Noname, me shtimin sot të “figurave FUNKSIONALE të burrave” (këmbërrojtur e të depiluar) shpresoj të vazhdosh të rikujtosh “nostalgjikët” dhe “denigruesit”… vërtet e ÇLIRUAT(!!) gruan, por sot po mungojnë burat (po ta lë mënjanë një R nëse do t’ja shtosh 😉 )

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin