BRICOLAGE

Për të dënuarit me limonti të përkohshme, Tirana e atëhershme kish vënë mënjanë disa prej sekreteve të veta më ngashënjyese. Kur kujtoj muajt që kaloja me Irmën, më vijnë para sysh ditë të përdiellura, madje verbuese dhe ca shëtitje të pafund nëpër rrugët e rrugëzat e qeta të mëhallës midis rrugës së Elbasanit dhe Bulevardit të madh; e gjithë ajo pjesë e Tiranës që më pas do të shkallmohej pamëshirshëm prej traktorëve e ekskavatorëve, për t’i bërë vend “piramidës” ase mauzoleut Enver. Neve na pëlqente, megjithatë, sepse edhe dielli sikur i binte më ndryshe sesa mëhallave tona, po edhe vilat e zhytura në hijen e thellë të pemëve të vjetra seç rrezatonin një lloj qytetërimi që Tiranës përndryshe i mungonte. Takoheshim mëngjeseve; për ta kapur Tiranën në intimitetin e një tualeti mëngjesor; me amvisa që ndernin ndërresat bardhoshe të djemve në litarë tendosur midis pallateve e me kundërmimin e ngrohtë e aq ngashëryes të tiganeve modeste mbi furnellat me vajguri në gjysmerrësirën e banjave. Me kohë isha mësuar ta mendoja Irmën si një nga ato nimfat e hyritë që popullojnë botën e ndërmjetme midis reales dhe përfytyrimit; krijesa të hijes që marrin jetë përmes dritës; kasnecë të palodhur midis dy realiteteve që aq shumë e kanë nevojën për njëri-tjetrin… Kuturiseshim në një kinema të harruar, për të parë filmin “Babeta shkon në luftë”, ashtu në moshë të thyer e të masakruar nga fetishistët e negativëve; ose vizitonim një ekspozitë të çuditshme të gurëve gjermanë të shahut, katalogu i së cilës ishte i hartuar me një shqipe aq qesharake, sa me siguri do të kish qenë përkthyer nga ndonjë ish-oficer matuf i Reich-ut, i stacionuar këtu gjatë Luftës së Dytë; e më në fund hanim një drekë mrekullisht të shijshme në hotel “Tirana”, me biftek dhe patate të skuqura…

Nuk di si zbuluam pastaj, të dy njëkohësisht, pasionin e përbashkët për të vizituar muzeume kryeqytetase të lëna pas dore a të heshtura; vallë ngaqë brenda këtyre frigoriferëve të kujtesës kombëtare ajri ishte gjithnjë i qetë dhe i freskët, dhe se efekti i mashtrimit politik të rëndomtë në shumë syresh mund të kapërcehej duke ndërruar ritmin; ashtu siç mund të këndohej Internacionalja si cha-cha-cha. Shëtisnim në sallat e gjëra e të mermerta të Muzeumit Kombëtar, përndjekur nga sytë dyshues të ndonjë ciceroneje të rreptë, duke u munduar të lexonim runat e hutave, çibukëve, patllakeve, bastunëve, kallamarëve, biçakëve, kutive të duhanit, qostekëve, xhamadanëve e stilografëve si të ishin pjesë të një poeme surrealiste që grishte për interpretim të guximshëm; por edhe në sallat pak të pluhurosura të Etnografikut, duke prekur nga pak me majën e gishtit dërstilat, vegjat e furkat, postiqet, demiroxhakët, perustitë, mokrat, makaratë e xhubletat – meqë këtu ciceronet ishin më tepër lënesha depresive, që përtonin të na ndiqnin nëpër labirintet e vetrinave të qelqta. Shpesh ndalonim në sallat ende të pandriçuara për t’u nuhatur ndërsa teknikët në fund të korridoreve të luftonin mërmëritës me çelësa e kabina elektrike të papërdorura prej kohësh; sidomos në Muzeun e Shkencave të Natyrës, ku pamja e gjithfarë reptilëve syveshur e pluskues në vazo formaline gjelbëroshe sikur na afronte më shumë te njëri-tjetri; prandaj edhe këtu një puthje nën tmerrin e ngrirë të syve të bufit polar, qiftit, astritit, kukuvajkës e hutinit do të kishte tjetër aromë e kuptim; thuaj pastaj se përvoja e rileximit të lirë të shenjave të djeshme nuk na transformokësh edhe ne të sotmit…

Ditëve të hëna vizitonim shtëpi të lagjeve të vjetra autoktone të qytetit, fisnikëruar ngaqë u kishin shërbyer si tenxhere të rastit gjellëve kritike për të ardhmen e vendit; Shtëpia e Partisë – kurdoherë e freskët dhe interesante për t’u eksploruar, po të mos ishte për atë kutërbim shpues terpentine që i mbante plastika e paneleve të citateve. Ndërkohë, në shtëpinë e heroit Gjosho Branko një grua plakë krejt pa dhëmbë por me një buzëqeshje aq mikpritëse na bënte nga një kafe që të na e servirte pastaj në filxhane të vogla me porcelan fin e të plasaritur prej viteve të shërbimit; me këto filxhane ndoshta e kishin pirë kafenë edhe shokët e udhëheqjes, kur ende e quanin njëri-tjetrin Tarasi, Besniku, Shpati, Profesori, Ekonomi, Tarzani; ndonëse objekte të atilla kaq domethënëse do të kishin përfunduar medoemos në fondet e ndonjë muzeu tjetër më ekskluziv; prandaj me siguri do të ishte fjala thjesht për filxhane të përdorura nga shokët e udhëheqjes sa herë që e kishin vizituar shtëpinë muze të heroit Gjosho Branko për ditë solemne festash e përkujtimesh të përlotura – po edhe aq tepër e kishim.

Të martave, përkundrazi, vizitonim ekspozita fotografike ambasadash të vendeve ende mike, të cilave u hapnin vend në katin e katërt të Pallatit të Kulturës Ali Kelmendi; jo më shumë se dy-tri dhoma me peizazhe industriale të Koresë së Veriut, harta të fiaskos amerikane në Kubë, diagrame të teknologjisë së prodhimit të kakaos në Gana, mrekulli kaltëroshe të pallatit Topkapi në Stamboll, paraqitje artistike të planit rregullator të Hanoit për shekullin XXI; lezeti i këtyre shkëmbimeve kulturore ndërkombëtare kishte të bënte edhe me hafijet që qarkullonin si hije nëpër sallat e vogla e klaustrofobike, duke rregulluar obsesivisht në trup kostumet e prera keq ose kreshtën e mbathjeve që u ish pykëzuar egërsisht midis mollakëve; pse këto hafije ndonjëherë ndërroheshin nga ekspozita në ekspozitë e ndonjëherë jo, por gjithnjë ulnin kokën e vështronin nga ana tjetër kur ne ta pikasnim që po na përgjonin sepse ndërkohë na kishin njohur nga ndonjë ekspozitë e mëparshme; nxënës të urtë të ndonjë shkolle gjysmë sekrete diku andej nga Sauku ose Selita, patjetër që do të na përmendnin në ndonjë temë kursi a punë tjetër jashtë klase të asaj natyre.

Të mërkurave u kushtonim kohë e vëmendje mjediseve të Muzeut Lenin-Stalin, që kurdoherë na tërhiqte me kitsch-in sovjetik të viteve tridhjetë: filmat bardhezi të Eisenstein-it, zërin e ngjethshëm të Leninit në magnetofon, faksimilen e proklamatës së Radio Moskës për fillimin e Luftës së Dytë Botërore, me korrigjimet nga vetë dora e Stalinit në anë. Kujt nuk i kujtohet muzeu aq i madh, me salla të hapësirshme e të freskëta? Personeli e mbante pastër dhe nuk bezdiste shumë, me përjashtim të një Meropi dashamirëse llafazane me siguri rusofile e regjur, e cila përnjëmend besonte se ne kërkonim vërtet të dinim për Revolucionin e Tetorit diçka më tepër se ç’thuhej në tekstet e historisë zyrtare; prandaj edhe detyroheshim t’i vidheshim Meropit të shkretë dhe llomotitjeve të saj me theksin pedant prej studenteje shembullore në “Lomonosov” të Moskës; e të ngjiteshim kalamajçe shkallëve për të humbur gjurmët në mjediset e katit të dytë, ku mund të vazhdonim të shihnim foto të vjetra sovjetikësh të rëndësishëm, veshur me pallto të rënda e kokore, e me shprehje në fytyrë që do të na kujtonin rregullisht albumet fotografike të prindërve dhe dedikimet cirilike të atjeshme që aq shumë do të kishim dashur t’i lexonim kur ishim ende të mitur.

E enjtja, përkundrazi, u rezervohej ekspozitave dhe panaireve industriale, të cilat lajmëroheshin vetëm në një buletin të posaçëm të Bashkimeve Profesionale që ne e shfletonim rregullisht. Lezeti i këtyre ekspozitave ishte se ato hapeshin zakonisht në periferi, prandaj për të shkuar atje na duhej të merrnim autobusë linjash dytësore që përndryshe nuk do t’i kishim provuar kurrë. Kur rrinim në këmbë e të ngjeshur pas njëri-tjetrit në mes të një turme punëtorësh të lodhur a fëmijësh shkollash a grash të rënduara me trasta që të shkelnin me galloshet e tyre të mufatura ndërsa dyshemeja prej katramaje të ulej e të ngrihej sipas gufmimeve të asfaltit rrugor, dëshira na ngjitej si magma në sifonin e vullkanit; pa çka se në autobus vetëm sa mund t’ia përcillnim njëri-tjetrit ngrohtësinë e trupave. Por pastaj kur arrinim në destinacion dhe turma zhdukej sakaq në kapanonet e nxehta ose shpërhapej shesheve të ndërtimit nën shi e fshihej brenda barrakave prej pupuliti, idetë erotike të autobusit na duhej t’i shndërronim në interes të çiltër për makinat shirëse lyer e llangosur në të portokalltë, traktorin e parë të markës shqiptare (atë që kish ngarë dikur vetë kryeministri M.), kontingjentin e parë të vaksinës kundër vrrugut të bagëtive, kovën e ekskavatorit si nofull të llahtarshme të tyrannosaurus rex, çekiçin pneumatik, tullën zjarrduruese, maketin e hidrocentralit të Zabzunit, karburatorin e “Zisit”, trekëndëshat barabrinjës të djathit “Bebe”, shollën prej kauçuku të këpucëve ushtarake, konservat me mish të lopur, bojën anti-ruggio, izolatorin prej qeramike, leshin e xhamit.

Të premteve u vinte radha ekspozitave me vizatime fëmijësh, çelur në palestra gjimnastike e korridore shkollash herë eksperimentale e herë tjetër të pompuara nga aparatçikët e rreptë të seksionit të arsimit të rrethit; ose në mjediset ish-aristokratike të Pallatit të Pionierëve, për të admiruar koleksione fluturash, brumbujsh, merimangash, gjinkallash, pilivesash, karkalecësh, mushicash, buburrecësh, grerash e shumëkëmbëshish që anëtarët e Rrethit të Natyralistëve të Rinj kishin mbledhur me njëmijë mundime nëpër lëndinat e parqeve të kryeqytetit e pastaj ngulur me thumba mbi copa kompensate veshur me pelluz të gjelbër; e më në fund, në sallat rokoko të Teatrit të Kukullave, për të njohur nga afër disa nga personazhet që dikur na patën kallur datën në skenë. Kësulëkuqja do të ishte aty e Borëbardha gjithashtu; Princi dhe i Varfri dhe Pinoku dhe Gishtoja dhe Gjergj Elez Alia dhe Nëna Arushë dhe Shtriga Gërbë dhe Tre Derrkucët dhe Ujku. Të nxjerra nga konteksti e të hedhura panatyrshëm bashkë, këto kukulla të rrudhura e të gërmuqura do të vinin e t’u ngjanin objekteve të magjepsura të rekuizitës të ndonjë shortari; thuase gjatë viteve që i kishin shërbyer teatrit veç kishin thithur në vete tmerrin aq paralizues të fëmijëve në publik; aq sa vetë akti i të vizituarit të tyre do të na përjetohej si i pahijshëm, ndoshta blasfem e gjithsesi i ndëshkueshëm. Irma qëndronte pa lëvizur e pa folur përpara eksponateve për një kohë të gjatë, duke thithur gishtin tregues; në ato momente instinkti i saj prej nëne ndoshta ende nuk mund të dallohej mirë nga dëshira për t’u kthyer mbrapsht në fëmini, e për t’ia besuar punët e rruzullimit dorës së madhe, të ashpër e të ngrohtë të prindit. Gëzimi i fëmijës së dikurshme me siguri ende do të fluturonte lakuriq nate nëpër tavanet e foyer-it; po për të rijetuar ankthin mjaftonte ta lije vështrimin të kapej rob në rruazat e ujshme të syve që të kundronin prapa xhamave të trashë të vetrinave.

Më në fund e në marrëveshje të heshtur, paraditet e të shtunave do t’ia linim Shtëpisë së Arsimit Shëndetësor; ku ende mund të admiroheshin në mur pllakate të hatashme që paraqisnin mizën e shtëpisë ose pleshtin ose fundja edhe morrin aq të zmadhuar, sa dukeshin drejtpërdrejt të dalë nga ndonjë film horror amerikan i dorës së dytë me insekte mutante; por në të vërtetë estetika e zmadhimit të mizës i paraprinte dashurimit hollivudian pas makabres, pse kishte lindur në laboratorë sterilë të shkencës së Lisenkos e të Miçurinit, ku bjondina entuziaste, me përparëse akull të bardha u shpjegonin udhëheqësve të proletariatit avantazhet e një shoqërie të ardhshme pa miza këmbëleshe dhe të tjerë parazitë biologjikë ose socialë. E familiarizuar me labirintin e ngushtë e kërkëllitës të vilës, Irma më ndukte nga dora drejt dhomash krejt të errësuara e antiseptike, ku një publiku shkollarësh të vegjël e jashtëzakonisht të zhurmshëm po i shfaqeshin dokumentarë bardhezi me bebe topçe që gëlltisnin gjilpëra pa kokë, të tjerë që nxiheshin krejt në fytyrë nga difteria ose komplikacionet e fruthit ose ngaqë u ngecte ndonjë komçë në gabzherr; e më në fund një qyqar me TBC, që pështynte me të madhe në trotuaret e një qyteti që fare mirë mund të ishte Kievi ose Sverdlovsku, po edhe Poznani a Timishoara. Në të tjera salla admironim modele gjigante e të kuqërreme më një anë të shiritit të derrit, ekinokokut, askaridit, oksiurit dinak, gëlbazës së mëlçisë e të tjerave gjallesa të pështira që lëvrinin zorrëve e më anë tjetër përsëri të pleshtit të miut e të disa llojeve të morrave, duke përfshirë edhe tani fatmirësisht pak të përhapurin morr pubik, që në regjimet antipopullore kishte pasë bërë kërdinë sidomos në shtresat e paprivilegjiuara. Në atë kështjellë të shëndetit proletar dhomat e katit të sipërm, me grilat e dritareve të gozhduara hermetikisht e ku ilustrohej me mjeshtëri bota sa interesante aq edhe kërcënuese e sëmundjeve veneriane a seksualisht të transmetueshme, mbaheshin në dryn për të mbrojtur fëmijët nga ndonjë ekspozim i rastit; por Irma dinte si t’ia merrte çelësin një mjeku higjienist flokëbardhë e pak tuhaf, i cili punonte në një zyrë çuditërisht luksoze në kat të parë; dhe pastaj humbisnim në hulumtime erotike të drejtpërdrejta, rrethuar nga paralajmërime për ç’rreziqe na prisnin nga konsumimi i pakujdesshëm i aktit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin