JEPNI PËR LASHTËSINË

Si çdo kulturë e një populli të vogël që historikisht priret ta gjejë identitetin e vet në teknikat e mbijetesës, edhe e jona i jep rëndësi të veçantë të vjetrës, e cila praktikisht shndërrohet në virtyt të institucioneve, objekteve kulturore dhe monumenteve.

Nuk ka asgjë të keqe në këtë adhurim të së vjetrës, ose të përparësisë në kohë; sepse ky është një mekanizmat me të cilët përcillet tradita kulturore nga një brez në tjetrin, duke u riprodhuar por edhe duke u përsosur.

Kokëçarjet fillojnë kur vjetërsia vjen e përdoret si argument.

Brenda ligjërimit kombëtarist, cilësime të tilla si popull i vjetër, gjuhë e lashtë, legjendë e moçme ndeshen rëndom, në funksionin e mjeteve për të provuar epërsinë historike ose kulturore të shqiptarit – zakonisht në kundërvënie me fqinjët.

Dashamirësit e gjuhës flasin për fjalë të vjetra; etnologët amatorë për zakone e doke të vjetra; folkloristët për epe të vjetra; aventurierët e shpellave për mbishkrime të vjetra. Theksi këtu është te sundimi i përmasës kohore, i cili vetvetiu përkryhet në nocionin kyç të autoktonisë – ne kemi qenë gjithnjë në këto troje, që në fillimet e historisë…

Në adhurimin e së vjetrës plekset patriarkalizmi me romantizmin, konservatorizmi me historizmin; pa folur pastaj në ngushëllimin që kërkojnë të gjithë ata, të cilët zhgënjehen nga panorama e mjerueshme e së sotmes.

Nga ana tjetër, vjetërsia që u atribuohet disa dukurive, objekteve dhe koncepteve, edhe pse mbështetet mbi perceptime metaforike, folklorike ose gjithsesi të gabuara, u jep këtyre objekteve ekzistencë në një përmasë në thelb mitike.

Shpesh ligjëruesit nuk e kanë për gjë të kalojnë nga konstatimi se A është më e vjetër se B (relativ), në konstatimin se A është e vjetër, ndërsa B jo (absolut).

Që disave u priten gjunjët nga emocioni kur marrin vesh se diçka qenka “e vjetër”, kjo ka të bëjë më tepër me psikologjinë, sesa me etjen për të vërtetën. E vërteta, përndryshe, sugjeron se disa gjërave u shtohet vlera me kalimin e kohës (p.sh. verës), ndërsa disa gjërave të tjera vlera u bie (p.sh. qumështit); ka edhe gjëra që, në vite e në shekuj, as fitojnë e as humbasin gjë – p.sh. deti, ose dimri.

Megjithatë, argumentet vijnë e nxehen kur bie fjala për çështje të natyrës shoqërore ose kulturore. Ngrihet tjetri e të thotë, bie fjala, se vjen nga familjet më të vjetra të Beratit. Një gazetar mallëngjehet me një traditë të vjetër që ruhet në një fshat të Elbasanit; një tjetër ngaqë zakoni i mikpritjes është zakon i vjetër shqiptar.

Arsyeja e këtij ngashërimi ka të bëjë me ngushëllimin që na ofron qëndrueshmëria në kohë; ose sfidën ndaj vdekjes, si realitet dhe si simbol. Priremi ta përfytyrojmë gjithçka të vjetër si triumf të filozofisë së mbijetesës.

Nga kjo frymëzohen edhe autorët e klisheve të tilla si kjo tokë e lashtë, ky popull i lashtë, ose edhe më keq akoma, ilirët e lashtë

Kur vjetërsia ose lashtësia e diçkaje sillet si argument në debatet për t’iu qasur së vërtetës, dukuria quhet argumentum ad antiquitam, dhe konsiderohet si një ndër gabimet elementare në arsyetim.

Kjo nuk do të thotë që vjetërsia nuk mund të ketë përparësi, por vetëm që, në qoftë se vërtet mendojmë se diçka e vjetër ose tradicionale ka përparësi praktike ose morale ndaj diçkaje të re ose të paprovuar, këtë duhet ta argumentojmë veçmas. Thjesht konstatimi që kjo diçka është e vjetër nuk mjafton.

Ti vjen nga familjet më të vjetra të Beratit? Kjo nuk të ka penguar të bësh pesë vjet burg për vjedhje me thyerje.

Durrësi është qytet më i vjetër se Tirana? Po pastaj?

Shqiptarët janë popull i vjetër? Në krahasim me cilët popuj të rinj?

Gjuha shqipe është nga gjuhët më të vjetra të Europës? Natyrisht jo, sepse gjuhët nuk janë dokumente, që të datohen; por edhe në qoftë ashtu, çfarë provon kjo? Se vendet e tjera të Europës duhet të na lejojnë të hyjmë të parët në ashensor?

Kanuni është ligj i vjetër i maleve? Natyrisht, por malet nuk pyesin shumë për Kanun, ndërsa fëmijët e ngujuar dhe të vrarët për gjakmarrje dhe familjet e shkatërruara ekonomikisht pyesin dhe vuajnë, madje pyesin pse duhet të vuajnë.

Brenda gjuhës shqipe, disa forma të gegërishtes të tilla si rana, kunora, mullini, anmiku janë më të vjetra se forma të toskërishtes si rëra, kurora, mulliri, armiku. Vallë duhet t’u kushtojmë respekt të posaçëm formave të parotacizuara? T’i renditim të parat në fjalor?

Në argumentimet për vjetërsi, kulturës shqiptare ia kalojnë kulturat fqinje: ka një shkollë të fuqishme në kulturën greke që ngrihet e tëra mbi primatin historik të grekëve në Ballkan dhe në Europë; por edhe serbët me manastiret “e vjetra” në Kosovë, dhe maqedonët, që kanë zbuluar edhe ata thesare të vyera të autoktonisë, që nga Aleksandri i Madh pa ia llogaritur të jëmën. Është e natyrshme që pleqtë kafeneve do të gërricen e do të grinden për përparësitë historike, ose se cili fshat është më i moçëm – Peza apo Preza. Çka nuk është e natyrshme, është që argumenti i vjetërsisë të zërë vend nderi në vademekumet e kulturave kombëtare – jo sepse është vetvetiu malinj, por sepse është i pabazë.

Përndryshe, sendet e vjetra zakonisht i hedhim ose ua japim të vobegtëve: karriket, trikot, kukullat e gocës që u rrit, librat e vitit shkollor që shkoi… Ato veçanërisht të vyerat, i heqim nga qarkullimi, për t’i trajtuar si relike tonat personale; kur nuk ëndërrojmë t’i dërgojmë muzeumeve. Nga të gjithë çibukët e përdorur në historinë e popullit shqiptar, vetëm dy ose tre kanë mbijetuar në stenda prej xhami, dhe pikërisht ata që janë puthur me heronjtë kombëtarë.

Por edhe këta tani nuk puthen e nuk thithen më.

Vizitorëve kureshtarë të Muzeut të armëve, në Kala të Gjirokastrës, gjithnjë u thoshin, në konfidencë, se pisqollave, hutave, naganteve, alltive, patickave, maliherëve dhe mauzerëve të varur mureve ua kishin hequr gjilpërat, që të mos qëllonin.

Të ketë vallë një kontradiktë midis vjetërsisë dhe funksionit? Jo medoemos. Në histori, institucioni i monarkisë është i vjetër, dhe në shumë kultura konsiderohet i kapërcyer; por institucioni i demokracisë është edhe më i vjetër, dhe megjithatë gjëllin shëndoshë e mirë, madje jo vetëm në Athinë.

Ndonjëherë të thonë edhe se e vjetra është e bukur: rrënojat antike, Butrinti, Dritëro Agolli, kisha e Mesopotamit, kënga polifonike, legjenda e Rozafës. Në Vjenë kam parë deri edhe rrënoja të rreme pseudo-antike, në parqet e kështjellës perandorake në Schönbrunn, sipas modeleve aq të admiruara të rrënojave të lashta në parqet e Romës e gjetiu në Itali.

Atëherë m’u kujtuan orvatjet e palodhura të tanëve, për t’ia dhënë një të kaluar imagjinare shqiptarëve të tillë që të shkonte përtej të dhënave historike – ose atyre fare pak gjërave që dihen për ilirët, ilirishten, epirotët, trakët dhe marrëdhëniet mes tyre. M’u kujtua edhe kulti i pellazgëve dhe i etruskëve, që vijon të lëvrohet pa prerë në qarqe të nënujshme, për të nxjerrë kokë në këtë apo atë botim periferik, ose përkthim; si kulti i vjetërsisë epërore, ose kujtimi i një kohe transhendentale që, praktikisht, i ka paraprirë Big Bang-ut indo-europian në historinë e kontinentit dhe në gjuhësinë krahasimtare.

Normalisht, është e shkuara që e ka prodhuar të sotmen, dashur pa dashur. Lëvizjet kombëtariste, të cilat janë edhe ato produkte të historisë, i përmbysin këto raporte dhe nisen nga nevojat e së sotmes, për të prodhuar të shkuarën.

Të gjitha këto ndoshta të përligjura dhe të domosdoshme – por deri në atë pikë sa promotorëve nuk u mbushet mendja se përnjimend lashtësia mund të sillet si argument.

Këtë e ka provuar edhe koha, tha…

15 Komente

  1. “Si çdo kulturë e një populli të vogël që historikisht priret ta gjejë identitetin e vet në teknikat e mbijetesës, edhe e jona i jep rëndësi të veçantë të vjetrës”

    “Kokëçarjet fillojnë kur vjetërsia vjen e përdoret si argument.”

    Xha xha, sic e thua dhe vete, obsesioni me te vjetren eshte dukuri edhe e popujve te tjere, mesdhetare e me tej, do thosha une.

    Mjafton te permendim hebrejte, te cilet argumentin e se vjetres s`kane ngurruar t`a gjejne edhe ne kufijte e rrefimtarise (mitit) per t`iu referuar si dickaje te vertete, perparesi te drejte, e me ne fund, bibel (no pun intended).

    Ndoshta tek kulturat e ‘vogla’ shihet me shkoqur kjo dukuri pikerisht sepse perballe trysnise se kulturave ‘te medha,’ dhe nese arrin te mbeshtese me artefakte argumentin e vjetersise, ajo duket se perfton njefare respekti, veneracioni, ose te pakten, vemendje te perligjur.

    “Argumenti” i se vjetres eshte i demshem, kur perdoret nga rrethe e lukuni jo-shkencore, sepse ne vetvete mbars licence per fashizem dhe hegjemoni.

  2. Xhaxha,

    Ti harron se lashtesia lidhet me kujtesen.., historine. E cfare do te ishim nese nuk do kishim asgje ne memorien tone te “lashte”? Vec bardh a zi. Do te ishte njesoj sikur te fillonim cdo dite blank.
    Lashtesia eshte kujtesa, historia.

    Harry.

  3. Shkrimi per vjetersine, per me teper me duket si nje perpjekje per demitizim. Ne idete dhe sensibilitetin tone identitar me duket se si shume po glorifikohen disa permasa te jetes sone kombetare, te cilat me teper paraqesin nje mjegull te ekzistences sone. Nje filozof rus, i cili ka jetuar ne France ( Nikollaj Berzhajev) autor i librit “Mbi roberine dhe lirine njerezore”, traditen e sheh si nje moment shnderrimi. Sipas tij, gjithcka qe eshte e gjalle dhe qe paraqet nje moment potence mbetet e vlefshme per te ardhmen. Perkunder koncepteve romantike, te cilat vijne si nje mbetje e riperseritshme ne aktualitetin tone, mua me pelqen qe idete identitare ti shoh si nje “plebishit te percdoditshem” qytetarie. Larg nga “fantazmat” e se kaluares, hapesira publike duhet te mbushet me momente krijimtare dhe me boteshikime moderne kulturore. Kultura nuk e nenkupton vetem traditen. Kultura duhet te perceptohet si nje moment shnderrimi te panderprere, si nje ankth krijimi qe nderlidhet perjtesisht me “kohen ekzistenciale”

  4. “Kultura duhet te perceptohet si nje moment shnderrimi te panderprere, si nje ankth krijimi qe nderlidhet perjtesisht me “kohen ekzistenciale””

    Orgesi

  5. ”Atëherë m’u kujtuan orvatjet e palodhura të tanëve, për t’ia dhënë një të kaluar imagjinare shqiptarëve të tillë që të shkonte përtej të dhënave historike – ose atyre fare pak gjërave që dihen për ilirët, ilirishten, epirotët, trakët dhe marrëdhëniet mes tyre.”

    Ne radhe te pare , jane me qindra autore te kombesive nga me te ndryshmet qe kane gjetur ‘gjera’ e mund te te jap te pakten 50 autore te huaj, sa hap e mbyll syte.

    Ne radhe te dyte, logjika perligj pjeset e erreta te historise e biles nje pjese e mire e librave te historise boterore perbehen nga orvatje per te zbuluar pikerisht ‘logjiken qe perligj pjesen e erret’.

    Ne radhe te trete, mbi themele pastertisht hamendesore jane ndertuar jo vetem pjese te gjera te historise se njerezimit ,por deri edhe kombe, si fqinji yne grek psh e keto ‘ndertesa’ shiten per ar te kulluar.

    Ne radhe te katert, ‘specialistet’ zyrtare kane demostruar gjithmone mangesi te medha ne njohjen e gjuheve antike e mitologjive te ndryshme e kjo duket qarte ne botimet e tyre, keshtu qe mund te themi se ka nje hapesire te gjere edhe per profanet e nje hapesire te ngjashme e kane mbushur ne shek 19 ne fushen e arkeologjise, profanet europiane.

    Ne radhe te peste e te fundit, serbet ne europe kane bere te mundur njohjen e kosoves si toke serbe te grabitur prej shqiptareve myslymane ne shek 17-19, keshtu qe edhe ne rast se arrihen perfundime absurde, nje propagande e frytshme mund ti perdore kunder perfundimeve absurde serbo-greke qe kane pushtuar Europen. Mbase ka ardhur koha te mesojme perdorimin e propagandes se jemi ende bebe ne kolipocka.

    ”’Perkunder koncepteve romantike, te cilat vijne si nje mbetje e riperseritshme ne aktualitetin tone, mua me pelqen qe idete identitare ti shoh si nje “plebishit te percdoditshem” qytetarie. Larg nga “fantazmat” e se kaluares, hapesira publike duhet te mbushet me momente krijimtare dhe me boteshikime moderne kulturore”’

    Nuk besoj se je sforcuar aq shume sa e tregon fjala ‘ te percdoditshem’ pasi kjo frazeologji gjendet rendom ne kritikat ndaj identitetit qe kane krijuar ‘te pagdhendurit’,stergjyshet tane e qe ne gjendemi me kete trashegimi bezdisese e cila na pengon ne rrugen drejt asimilimit te shumepritur.
    Por ashtu sikunder shumica e atyre qe perdorin fjalen ‘romantik’ ke ngelur prapa, ne kohen kur tradita ne Europe njesohej me prapambetje, ndersa duhet te shohesh se Tradita ne Europe eshte duke u rehabilituar.
    Ato momentet e krijimtarise moderne, jane tager e joromantikeve e me duket se joromantiket spo e bejne punen e tyre (sigurisht preferojne kritiken ndaj romantikeve,por kritika nuk eshte krijim)

  6. Hyllin, besoj se e ke të qartë që nuk ishte kjo tema e shkrimit tim; sikurse e kuptoj unë që ti dëshiron të diskutosh për ato tema që të interesojnë, njëlloj si ai i dehuri që kërkonte natën çelësin e humbur poshtë llampës së vetme në rrugë, dhe kur e pyetën nëse e kishte humbur pikërisht atje u përgjigj se jo, por po kërkonte poshtë llampës sepse vetëm atje kishte dritë.
    Nga ana tjetër, besoj se e ke të qartë, së bashku me mua, edhe se nga popujt e Ballkanit në lashtësi, vetëm grekët e shkruan gjuhën e tyre dhe shumë herët; ndërsa ilirët dhe trakët nuk e shkruan. Ky është një dallim kaq i madh, sa nuk mund të mbulohet me zhurmën që bëjnë amatorët, dashamirësit, kombëtaristët, sharlatanët dhe budallenjtë.
    Meqenëse ilirët (dhe trakët) nuk lanë asgjë të shkruar, atëherë gjithçka dimë për ta, e dimë nga dëshmi të tërthorta të arkeologjisë, si dhe të dhënat që japin historianët e lashtësisë, të cilët kanë qenë kryesisht grekë dhe i kanë shkruar historitë e tyre nga këndvështrimi i kulturës greke. Për fat të keq, këta historianë kanë mbledhur dhe përpunuar dëshmi e rrëfenja historike, por nuk janë interesuar fare për gjuhët jogreke që fliteshin në Ballkan.
    Mungesa e dokumentimit me shkrim për një kulturë është gjymtim i madh; meqë si teknologji, shkrimi është i krahasueshëm me rrotën. Nuk e kam fjalën vetëm për gjuhën që mbetet e panjohur, por edhe për të gjitha institucionet – politike, kulturore, fetare – që do të ishin përcjellë nëpërmjet atyre dokumenteve. Të gjitha kulturat që ngrenë peshë në histori, që nga lashtësia e deri më sot, janë kultura të shkruara; meqë të shkruarit i jep kulturës, si të thuash, qëndrueshmëri në kohë.
    Këto janë faktet. Të tjerat janë interpretime ose profka, sipas rastit.

  7. Tema eshte e gjere e me duket se perfshin edhe repliken time.
    Kam qene gjithmone i mendimit se ‘koha dhe germadhat’ jane mesuesit me te mire, keshtu qe e quaj te legjitimuar perdorimin e ‘se vjetres’ si argument. Historikisht fisniket e perdornin kete argument deri ne bezdisje. Bota e sotme,sic do thoshte Nice i perket plebeut ,keshtu qe detyrimisht kemi edhe permbysjen e vleresimit mbi ‘te vjetren’. Plebeu i Nices ne folozofine marksiste quhej proletar e pervecse mendoj se ti japesh pushtetin proletarit duhet te denohesh per krim kunder njerezimit, kam edhe bindjen e plote se masa te gjera ne Shqiperi shprehin mbeturinat psikologjike proletariste pikerisht ne luften kunder ‘te vjetres’ . Kam tmerr te vleresoj ndikimin kohor ne psikologjine shqiptare te ‘Revolucionit kulturor proletar’ e ‘Revolucionit plebeo-demokratik’. Shoh vetem qe produkti i tyre eshte nje mase e madhe ‘qytetaresh’ qe jane gati te dalin ne proteste, pse fshatari ka pafytyresine te shese qumeshtin me shtrenjte se uji i gazuar.
    Nga ana tjeter, kemi gjithe Europen qe rrotullohet rreth plebeut-konsumator, keshtu qe jemi te detyruar te pershtatemi, por gjithsesi kjo nuk do te thote qe duhet ta sforcojme ‘te vjetren’ te vdese. Te pakten une keshtu e shoh.

    Persa i perket shkrimit, sigurisht qe shkrimi eshte element i fuqishem ne mekanizmin kulturor te nje populli, por nga ana tjeter shkrimi, sikunder ka thene Kadareja, ngurteson gjuhen e nuk ndjek ne pasurimin e saj, logjiken popullore,pra logjiken mbi te cilen bazohet krijimi i nje gjuhe.
    Sidoqofte , une ende skam kuptuar mbi cte drejte territoret mesapike perjashtohen nga Atdheu Ilirik. Perderisa e zeme Greqia pretendon si te sajat (logjikisht) cdo shkrim ne Magna-Grecia perse atehere ne me shkrimet ne Mesapi bejme shurdhin.

  8. Replika e Hyllit me teper teper me duket nje retorike justifikuese qe pretendon te ruaj matricen e mjegullnajes mitike. Hylli permend modelet greke dhe serbe ne krijimin identitetit. Ne, tashme po e shohim humneren e imagjinates se tyre qe perligjet me disfata te njepasnjeshme, sidomos te serbet. Te greket mendoj se ndryshon ca puna. greket kane nje trashegimi solide, te pakontestueshme, e cila iu sherben si nje sirtar driteplote per dinamiken aktuale kombtariste. eshte tjeter pune qe ne mund ta kontestojme identitetin e tyre shkaku i shprehimesise se ngurt te tyre ne situata te caktuara, por nuk mund ta kontestojme trashegimine e tyre identitare e cila me kohe eshte konsoliduar si kariatide kombtariste e kudopranuar.

    E “percdoditshme”, i dashuri Hylli nuk e nenkupton aktualitetin e paster dhe as eshte ndonje kompozite qe nderlidhet me “aktualitet gazetash”. Plebishit i percdoditshem eshte dinamike vepruese, afsh perpjekjesh qytetare dhe raport shumeshtresor individesh, qe identitetin nuk e kuptojne si nje “konzerve sardelesh”, por si nje maredhenie te thelle njerezore qe nderlidhet me transfigurime te shumta boteformuese. Une besoj ne nje identitet kombetar qe mbeshtet mbi lirine e individit dhe preferencat e tij te lira bashkuese, ndersa historine me teper me pelqen ta shoh si nje “ironi ne levzije”. Sigurisht, nuk eshte askush kunder perftesave historike, ne te cilat identiteti yne ka prajtur rrafsh si fakt historik dhe po na dhuron sot horizontin e pritjeve te medha. Absolutisht jam pro fakteve te mireqena historike dhe kunder “mexhnuneve” dhe “plejbejve” te shkences shqiptare. Edhe ne kete cope atdheu ku jetoj une, tashme ka vershuar mania e vjeterise dhe shume xhambaze perfitojne poste te larta ne emer te “shpikjeve” linguistike te vjetersise. te ngjallin krupe nga menyra e arsyetimit dhe e perdorimit te “fakteve”. eshte tjeter pune t’i njohesh konceptet “romantike” dhe krejtesisht dicka tjeter te levaresh pas tyre sahere qe impotenca mendore rreket ta riperserit shkelqimin e dikurshem.

  9. Xha xha, gjithmone i kritikon keto pseudoteori mbi prejardhjen e gjuhen, dhe me te drejte sipas meje, sepse ato qe kam degjuar deri tani, s’kane ku rrine. Meqe duket se ke lexuar shume prej tyre, dua te te pyes, a ka ndonje studim serioz verdalle? Te shkruar dhe te argumentuar tamam sic duhet. Ndonje qe mund te publikohet ose te jete publikuar ne ndonje nga kongreset/konferencat e ketyre fushave(linguistike,histori) me te mira ne bote psh. Nuk ka nevoje qe te jape pergjigje te sigurte, sepse s’besoj te kete ndonje pergjigje 100% te sakte, mjafton te rradhise hipotezat dhe provat pro e kunder. Ti vete ke ndonje hipoteze?

  10. Nga tanët, unë do të rekomandoja disa libra kryesisht shkencorë-popullarizues që ka botuar këto 10-15 vjetët e fundit Shaban Demiraj (me përjashtim të Gramatikës Historike të Gjuhës Shqipe e cila është tepër teknike dhe jo shumë me rëndësi për parahistorinë e shqipes dhe të shqiptarëve); ka edhe një vëllim të tijin të tanishëm për Epirin dhe pellazgët, i cili nuk më ka rënë në dorë ende, por jam i bindur se do ta rekomandoja edhe atë. Shaban Demiraj, të cilin e kam pasur edhe profesor, nuk ka shumë ide origjinale, por zakonisht ia arrin të bëjë paraqitje shumë sistematike dhe tërësisht të arsyetuar të rezultateve të studimeve të së tjerëve, duke u mbështetur veçanërisht në veprën e Çabejt. Përndryshe, kujt ka këllqe të lexojë Çabejn (më i vështirë se Demiraj, më eklektik, madje edhe më kontradiktor por gjithnjë brilant), do t’i rekomandoja Studime Gjuhësore, vol. IV dhe V (botimet në Prishtinë), për të parë edhe si operonte mendja e ndritur e njërit prej intelektualëve më të mëdhenj shqiptarë të shekullit XX. Nga studimet e të huajve, unë kam mësuar e përfituar më tepër prej veprës The Ancient Languages of the Balkans, të linguistit kroat Radoslav Katicic (dy vëllime).

  11. Orgesi, do me pelqente te me permendje si Hyllin e jo si Hylli. Hylli, meqe le te kuptosh se dicka na identiteti grek duhet te dish ,ka qene emri i ketyre personazheve legjendare:

    1- 2 nga shume djemve te Herakliut,njeri prej te cileve ishte patriarku i Doreve, nepermjet djalit te tij Klodit,kurse tjetri patriarku i fisit te Hylleve te Dalmacise.
    2- djalit te Dardanit dhe sternipit te Dardanit qe ishte dhe themeluesi i Trojes,nga vjen emri i qytetit Ilion.
    3- djalit te Eneas nga doli gens Julia.
    4- nje nga gjigandet te cilin lidet e barazonin me Gerionin e famshem.

    ”’greket kane nje trashegimi solide, te pakontestueshme”’
    Ne fakt 90% e heronjve te revolucionit grek na dolen pakundershtimisht arvanitas keshtu qe dhe aq e pakontestueshme nuk me duket. Ben mire te informohesh.

    ””Plebishit i percdoditshem eshte dinamike vepruese, afsh perpjekjesh qytetare dhe raport shumeshtresor individesh, qe identitetin nuk e kuptojne si nje “konzerve sardelesh”, por si nje maredhenie te thelle njerezore qe nderlidhet me transfigurime te shumta boteformuese.””

    Ne fakt kesaj gjeje i trembem me shume se cdo gjeje, te kuptohet identiteti si ‘marredhenie’ e jo si ‘teresi vlerash’.
    Marredhenie eshte nocion qe mbart nder te tjera perkohshmerine dhe luhatjen, te cilat jane karakteristikat e dobesise, keshtu qe produkti me del me cilesi te dobet .
    Cfare torture do ishte sikur cdo brez te merrej me perkufizimin e identitetit. Do ishte njesoj sikur te mos ekzistonte tradita e te gjithe njerezit do detyroheshin qe perballe nje mije e kusur problemesh te vrisnin mendjen per zgjidhjen e tyre e do kishte njekohesisht aq shume variante zgjidhjesh saqe do kishim shume shpejt nje kaos te plote social.

    ””””Une besoj ne nje identitet kombetar qe mbeshtet mbi lirine e individit dhe preferencat e tij te lira bashkuese, ndersa historine me teper me pelqen ta shoh si nje “ironi ne levzije”. ”””’

    Identiteti yne kombetar eshte i paekuivokueshem persa i perket mbeshtetjes se familjes, keshtu qe individi le te shtremberoje dicka tjeter qe ka te beje me pak me fatin e perbashket.
    Individi nuk e sheh veten brenda nje kombi, por brenda egoizmit e kesisoj brenda globalizmit,prandaj nuk eshte e keshillueshme as te permendesh si themel ‘preferencat e tij te lira bashkuese’.
    Persa i perket historise, te keshilloj mos t’ua permendesh kete interpretim profesoreve te shkencave politike e politikaneve te shkolluar neper universitetet ku japin leksione keta profesore.

    Meqe je ne pergjithesi kundershtar i qendrueshmerise po postoj nje mendim timin, mbase e bej me te qarte mendimin tim, me lejen e xha xhait sigurisht:

    Qendrueshmeri…E nderoj tejmase qendrueshmerine…Asgje nuk me jep me shume siguri sesa qendrueshmeria…Ku fle qendrueshmeria,atje gjej dashine per te qene e jo per te kaluar…
    Eshte e veshtire te gjesh qendrueshmerine brenda kaosit te gjithecfarshem,por nese gjendet, vetengjitjen e shoh vepren me te pelqyeshme e nderueshme qe mund te behet…Sigurisht vetenngjitja eshte proces vetemohimi,por brenda vetemohimit gjejme te kenaqur edhe unin tone…Brenda nesh fle rendueshem dashia e te qenit pjese e madheshtores…Duhet zgjuar sapo te perpelise qepallat,perndryshe duhet pritur serisht e ndoshta edhe pafrytshmerisht e do gjendemi serisht pre e vetvetes,pre e se vogles…

    Shumekush siperfaqesisht ka pretenduar dhe pretendon atcka nuk mund te jete dhurate hyjnore,sepse hyjnite nuk jane aq te vogla sa te kerkojne shfarosjen e vetvetes…Vetem te vegjlit kerkojne pandergjegjesisht shfarosjen e vetvetes…Prandaj duhet te vetengjitemi,qe te shpetojme nga te qenit te vegjel…Madheshtorja kerkon vazhdimisht,nuk nginjet kurre,prandaj dhe eshte madheshtore…Madheshtorja kerkon qendrueshmerine e largon me perbuzje gjithcka qe luhatet…Luhatja eshte shenje dobesie e madheshtorja nuk deshiron dobesi ne vetvete,sepse madheshtorja do te jete e fuqishme e patundshme….Madheshtorja njekohesisht deshiron te rrethohet nga kaos,prej te cilit thith perjetesisht jeten e vet…Ku nuk ka kaos,madheshtorja zhduket…Vendin e saj e pushton vogelsia,kjo shpifesire qe mbartet nga gjithcka e qe adhurohet paturpesisht prej te vegjelve,prej rregulluesve….

    A mund te qendroje qendrueshmeria te vogelsia? A mund ta doje valle Vogelsia Qendrueshmerine?
    Qendrueshmeria eshte tager e te fuqishmes,hyjnite ja dhuruan te fuqishmes qe te mbrohej prej dobesise,ja dhuruan Madheshtores qe te mbrohej prej Vogelsise…
    E megjithate Vogelsia gjen gjithmone adhurues,kudo qe perhapet gjen ushqim,sepse kudo gjen kalbesire….Cka me brengos eshte mohimi i te Fuqishmes e kthimi i Vogelsise ne nje kazan te pamase e ne zgjerim e siper, kalbesirash …

  12. Hyllin, kam pershtypjen se po shkallon ne totalitete melankonike. Se pari, askund nuk e kam kontestuar traditen si nje vazhde qe na ushqen per momente te reja shnderrimi te perhershem. Kam kontestuar vetem “vrimat e zeza” te vetemburjes qe nuk mund te perligjen shkencerisht. Po e zhvendos debatin mbi madheshtine dhe vogelsine si opozicione te konstruktuara fluturimthi dhe me plot letraritet. Po ta them shqip se me pelqen stili yt, por jo edhe shkoqitja e temes. Me teper me duket nje perflakje letrare qe zbulon hiret e bukurshkrimit se sa nje argumentim per ate qe debatojme. Sidoqofte je i kendshem edhe kur zhvendosesh ne arean e figuracionit dhe kur jep goditje niceane te perziera me pak socrealizem, kam parasyshe ketu kalbesirat, diskurs tipik soc-realist.

    Nuk ka asgje te rrezikshme te besosh ne fuqine e individit, ne lirine dhe ‘luhatshmerine” e tij. Liria e individit, bashkimi i kesaj lirie mbi nje platforme afinitetesh paraqet dimensionin social dhe kulturor te tij. Nuk pretendoj te kontestoj matricen gjenerale te identitetit, por me pak fjale po perpiqesha te jape nje botshikim timin mbi ceshtjet e identitetit dhe te kultures. Besoj se nuk luhaten “themelet” e identitetit me disa konceptime mbi dinamiken e tij.

    Perngjitjet krijojne totalitete, qe shpeshhere behen te rrezikshme. Te tilla perngjitje qe rekomandon na cojne ne psikologjine e turmes, ne ate mase amorfe qe di te mendoj vetem me imazhe dhe grafite kuturu. Madheshtia, ne kete rast, qe kerkon perngjitje te pafundme mund te duket si nje perbindshem i pangopshem qe ushqehet me lirine dhe ndjeshmerine tone, deri ne skajshmerite e e pershkruara nga Xhorxh Oruell, te misheruara ne figuren e Stalinit apo te ndonje diktatori tjeter.

    Per me teper te pergjintesh pambarimisht do te thote te kesh frike, te jetosh ne ankth, te zbythesh lirine tende ne madheshtine e turmes, ose te ndonje sajese tjeter, se ciles i dorezohemi si “vogelsira” te padobishme dhe te padenja per t’i dhene vete nje kuptim botes dhe jetes sone.

    Identiteti i dashuri hyllin eshte nje korelacion i pafundem i lojrave te lirise dhe jo mahnitje pas madheshtores, qe per me teper mund te paraqes nje lloj neuroze kolektive. Mendoj se para se te perngjitemi kemi nevoje te diferencohemi nga totalitetet abstrakte qe shfaqen si reminishenca parake. Vete natyra jone e dyte, qe shperfaqet si kulture, paraqet nje lloj diferencimi nga format parake. Per me teper kultura paraqet gramatiken e jetes shoqerore…

    Identiteti jone prane ne kulture, qe ne asnje rast nuk mund te jete nje sistem i mbyllur, por nje sistem i hapur prurjesh te perhershme… Nuk mund te jemi pafundesisht pre e nje paradigme. Para nesh shtrohet imperaitivi i nje paradigme dinamike, qe rigjeneron boteshikime dhe shprehimesi te reja… Besoj se torture do te ishte te pranojme eklipset e madheshtores dhe jo ridimensionimet e identitetit tone, gjithmone i kuptuar si nje kategori e ndryshueshme dhe dinamike….

  13. Shkrimin mbi qendrueshmerine e solla per te bere te qarte mendimin tim mbi lidhjet e pamohueshme midis qendrueshmerise,fuqise e madheshtores, si kunderpeshe ndaj
    nje interpretimi te identitetit qe ne fakt pahnxjerr siperfaqesine e perkohshmerine e individit, por trajtohet brenda nje forme te arrire duke u bere keshtu, burim per nje keqtrajtim te nevojes parore njerezore, pikerisht asaj me qene pjesetar i nje bashkesie e per te pasur nje identitet te caktuar.

    Bera krahasimin me nje zhdukje hipotetike te tradites, sepse strukturimi i identitetit nepermjet ndryshimit te vazhdueshem perfshin nder te tjera edhe perdorimin revolucionar te arsyes dhe ngrirjen jo vetem pamore por edhe ndjesore drejt te ardhmes duke krijuar ne kete menyre premisat per ngercin e spiritualitetit dhe nje mbifunksionim te arsyes , cka mund te sjelle ne nje te ardhme, anarkine e frikshme identitare te brendshme , qe eshte nje nga arsyet themelore te shperberjes se nje bashkesie socio-politike.

    Per kete arsye,kam kundershtuar me shume se nje here edhe xha xhain e kembengul ne qendrimin tim, se indiferenca ndaj elementeve spirituale qe permban identiteti, jo vetem nuk perligjet nga realiteti, por behet shkak per pasoja te renda ne te ardhmen, persa i perket jo vetem shquarjes prej individit te vendit te tij ne bashkesi, por sidomos sjelljes se ketij individi ndaj interesave te perbashketa,qe eshte hapesira brenda se ciles lind nevoja e nje identiteti kombetar.

    Ne jemi duke e perjetuar kete krize identitetare, perndryshe
    nuk do shpjegohej jo vetem largimi masiv drejt perendimit, por edhe indiferenca e sotme e shqiptareve ndaj problemeve te perbashketa si te shtetit ashtu edhe te kombit, keshtu qe interpretimet e ndryshme liberale(per te mos thene revolucionare) po behen ne kohen e gabuar e me shume po legjitimojne shperberjen e kombit sesa forcimin e tij.
    Do thoja qe ne nuk jemi ne nje situate ku teoria duhet te perligje praktiken, por ndodhemi brenda nje anarkie te plote , ku teoria duhet te sherbeje per te ndaluar praktiken, keshtu qe qasja ndaj se vjetres duhet te kete domosdoshmerisht ngjyra te theksuara afektive.

  14. Hyllin, po afrohemi diku ne nje pike te kontradiktes sone. Po e shquan krizen e identitetit dhe indiferencen ndaj problemeve te perbashketa. Ja une po e shtroj ndryshe kete problemeatike. Kemi, apo nuk kemi nje paradigme te re ndaj kesaj katandisjeje identitare. Cilat ishin paradigmat paraprake dhe si funksionuan ato ne kontekstin kohor te paraqitjes? Une po i shquaj vetem dy paradigma kryesore identitare, ate te rilindjes kombetare dhe ate te viteve te 30-ta, me levizjen e neoshqiptarizmes. kuptohet nuk mund ta shmangim edhe “paradigmen” shfarosese te komunizmit. A mund te funksionalizohen keto dy paradigma ne nje kontekst te ri kohor. A i duhet nje kombi dhe nje shoqerie nje ideal qe meshirohet ne funksionimin e nje paradigme? Si te dilet nga kjo anarki dhe nga ky totalitarizem i te ndenjurit menjane? Nese e kemi nje paradigme, a eshte e institucionalizuar ajo. Si funksionojne institucionet ne shperndarjen e nje paradigme identitare? I kemi apo si kemi. Cilat jane ato institucione? Kush jane drejtuesit dhe cilat jane politikat kulturore. Sa funksionon dialogu kulturor brendashqiptar. Meqe jam nga Maqedonia keto pyetje per mua kane rendesi jetike…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin