SI I DUAM TABUTË

Një mënyrë për të kuptuar si funksionon sot shoqëria shqiptare, ose si nyjëtohen marrëdhëniet e politikës me shoqërinë civile dhe me publikun, është t’u kushtosh vëmendjeve tabuve në ligjërimin publik, ose atyre temave, opinioneve dhe politikave që mbahen forcërisht jashtë.

Jemi mësuar me idenë se vetëm totalitarizmi, ose diktaturat e mbështetin pushtetin e tyre edhe mbi kontrollin e rreptë të temave, çështjeve, problemeve dhe opinioneve që qarkullojnë në publik; ndërsa një sistem i hapur, si ai i sotmi në Shqipëri, themelohet së paku formalisht mbi pluralizmin e ideve, i cili ndonjëherë shtjellohet në mënyrë krejt kaotike. Megjithatë, në vende pa tradita liberale si yni, ligjërimi publik priret të vetëcensurohet, edhe kur nuk ka ndonjë institucion që t’i imponohet haptazi.

Një vështrim i shpejtë mbi disa tabu të vetimponuara, lejon të përcaktohet më mirë tabloja:

1. Ideja kombëtare

Këtu unanimiteti merr trajta të frikshme; sepse as që mund të mendohet që një forcë politike, ose një përfaqësues a institucion i shoqërisë civile të pozicionohen në mënyrë kozmopolite e globaliste, ose të denoncojnë teprimet dhe manipulimet në çështjen kombëtare, ose të përkrahin – bie fjala – ato forca në Kosovë që kërkojnë diferencimin, edhe politik edhe kulturor, nga Shqipëria. Ekziston një opinion, edhe ai i pakontestuar, se nuk ka pluralizëm në çështjen kombëtare; çka e kthen sistemin politik shqiptar në një diktaturë të rëndomtë nacionaliste, nga ato që i gjen me dy lekë copa në tregun e regjimeve politike të përdorura dhe të falimentuara. Me tabunë kombëtariste lidhen edhe shfaqje të tilla banale si stereotipizimi i grekëve dhe i serbëve, lufta kundër Janullatosit, anti-sllavizmi, entuziazmi me të cilin përcillen bëmat dhe sidomos “bëmat” e shqiptarëve anembanë botës. Natyrisht, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar me atdhedashurinë e shprehur ose me përqendrimin e vëmendjes ndaj çështjeve dhe temave shqiptare (“Peizazhe të fjalës” është shembull preokupimesh të tilla); përkundrazi, mungesa e alternativës vlen të vihet në dukje.

2. Pro-amerikanizmi

Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në botë ku diskursi publik anti-amerikan nuk ekziston – dhe këtu përfshij edhe vende të tilla si SHBA dhe Izraelin. Paradoksi i këtij qëndrimi ka të bëjë me praninë aq kapilare të politikës amerikane në Shqipëri, siç duket edhe nga roli i amplifikuar i ambasadorit amerikan dhe hapësira ndonjëherë groteske që i jepet këtij funksionari në forumet politike dhe në mediat e Tiranës. Të dyja forcat madhore politike, PD-ja dhe PS-ja, betohen mbi flamurin amerikan, në një kohë që presidentit Bush iu bë një pritje aq triumfale, sa këtij iu duk sikur kishte zbritur, pa dashje, në ndonjë univers paralel. Shfaqje e pro-amerikanizmit është edhe gatishmëria në kufijtë e panikut, e shprehur nga politikanët e të gjitha ngjyrave, për ta futur Shqipërinë sa më shpejt në aleancën ushtarake të NATO-s, e cila nuk është veçse një formë më e pranueshme me të cilën u imponohen SHBA aleatëve të vet; ose zelli i qeverive shqiptare për t’u përfshirë, ushtarakisht, në operacionet e NATO-s ose të koalicioneve të tjera të udhëhequra në SHBA në Irak, në Afganistan dhe kudo gjetiu.

3. Lufta në Irak

Kur amerikanët vendosën të ndërhynin ushtarakisht në Irak, pati shumë kundërshtime, madje edhe nga aleatë të ngushtë të SHBA, si Franca dhe Gjermania; pa llogaritur objeksionet e fuqive të tjera të mëdha, si Rusia dhe Kina. Realiteti u dha të drejtë të gjithë atyre që e kishin këshilluar, në kohën e duhur, presidentin Bush që të hiqte dorë nga ajo aventurë gjakatare, e cila do t’i sillte Irakut shkatërrime të paimagjinueshme, humbje të pallogaritshme në jetë njerëzish dhe në infrastrukturë; do të fuqizonte pa masë ndikimin e ekstremistëve dhe terroristëve fondamentalistë islamikë në Irak, në Pakistan dhe në vende të tjera arabe; dhe do të shpinte, objektivisht, në krizën ekonomike që po përjetojmë sot, e cila lidhet edhe me çmimet e naftës, edhe me gjendjen alarmante të sistemit financiar amerikan dhe të dollarit si valutë globale. Megjithatë, në diskursin publik shqiptar tema e fiaskos amerikane në Irak mbetet tabu (në një kohë që në mediat amerikane, të majta e të djathta, elitare e populiste, nuk flitet për gjë tjetër). Edhe pasi u bë e qartë se në Irak nuk kishte armë të shkatërrimit në masë, dhe se irakenët vetë nuk dëshironin që rendin publik t’ua ruanin të huajt e paftuar, asnjë zyrtar i lartë shqiptar nuk ka guxuar ose begenisur t’i shpjegojë publikut se ç’po bëjnë ushtarët tanë atje dhe për ç’arsye. Fatos Lubonja ka folur gjithashtu disa herë për këtë çështje në lidhje edhe me pro-amerikanizmin, me arsyetime dhe shtjellime që përkojnë me të miat.

4. Integrimi europian

Shqipëria është nga ato vende ku dëshira për t’u integruar plotësisht në strukturat europiane ndeshet në nivele më të larta se kudo gjetiu në kontinent; çka përkon me distancën e këtij vendi nga mesatarja europiane në çdo pikëpamje. Përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe të institucioneve të tjera kontinentale bëjnë ligjin në Tiranë, çka duhet interpretuar se mbajnë me para institucionet e brishta të shtetit shqiptar, përkundrejt logjikës elementare që do t’i kishte varrosur me kohë, si fasada të pafrytshme e të bojatisura keq të një regjimi që mbështetet në shkëmbimet kriminale midis qendrave të pushtetit. Megjithëse një pjesë e madhe e publikut shqiptar nuk ka asnjë lidhje shpirtërore me Europën e sotme dhe e kundron si burim magjik dërgesash të emigrantëve, mallrash konsumi dhe pornografie, asnjë zë në diskursin publik nuk di të jetë dëgjuar ndonjëherë, për ta kundërshtuar integrimin total.

5. Feja

Megjithë gjallërimin e institucioneve fetare këto njëzet vjetët e fundit, përsëri e për arsye të ndryshme jeta fetare e shqiptarëve mbetet e mekët; dhe diskursit publik i mungon krejt përmasa shpirtërore. Vetë përfaqësuesit e institucioneve fetare nuk duken shumë të angazhuar në jetën qytetare, përtej përpjekjeve për të ndërtuar tempuj dhe për të rregulluar marrëdhëniet me pronat dhe pasuritë e patundshme anembanë vendit. Megjithatë, kritika ndaj këtyre institucioneve, rolit të tyre në jetën e vendit, dhe pozicioneve të tyre për çështje të ndryshme sociale mungon krejt, edhe nga e majta edhe nga e djathta. Zhurma e madhe kundër Janullatosit në krye të KOASH-it, ose manovrimeve të fondacioneve nga Arabia Saudite dhe Irani nuk ka të bëjë fare me fenë, por me kombëtarizmin nga njëra anë, dhe rreshtimin e Shqipërisë në koalicionet anti-terrorizëm nga ana tjetër. Krerët e shtetit shqiptar nuk lënë rast pa humbur për t’u përfshirë televizivisht në festat e kremtimet fetare; sikurse nuk harrojnë kurrë pa përmendur “Zotin” në fjalimet e tyre, si koncesion të detyruar ndaj një përmase të jetës publike, për mungesën e të cilës edhe ata vetë mbajnë përgjegjësi tashmë.

6. Hierarkitë kulturore

Si rregull, hierarkitë kulturore i shërbejnë “idesë kombëtare”, prandaj çdo orvatje për t’i vënë në krizë ose edhe thjesht në dyshim shihet shtrembër, si punë në mos e paguar nga armiku, të paktën objektivisht në shërbim të synimeve anti-shqiptare. Segmentimi kulturor i shqiptarëve sipas prejardhjes fetare ka çuar edhe në një përvetësim të heronjve kulturorë nga ana e pakicave dhe tabuizim të tyre. Është e pamendueshme që dikush ta quajë sot Naimin publikisht bejtexhi ose Fishtën poet arkaik; edhe pse nivelet e pamundësisë arrijnë zenitin kur është fjala për Ismail Kadarenë, i cili tashmë vetëm adhurohet, si të ishte mumje. Kjo nuk pengon, megjithatë, që kritika shpesh të padenja t’i bëhen këtij të fundit për arsye politike, çka lidhet me praninë e tij në jetën publike dhe shqiptimet e tij për çështje të rëndësishme të aktualitetit dhe të historisë shqiptare. Përkundrazi, vepra e tij, ose produkti i tij më i çmuar, po muzeifikohet me shpejtësi; dhe nuk mund të mendohet kurrsesi që një kritik letrar të dalë nesër me një artikull, për të provuar se aksh roman i fundit i këtij autori është vepër artistikisht e dështuar.

Këto ishin vetëm disa prej tabuve që e mundojnë sot jetën shqiptare; dhe fakti që këto ligjërimi publik shqiptar sot po ia imponon vetë vetes, pa ndërhyrjen e ndonjë institucioni këshillues ose policor nga brenda e nga jashtë Shqipërisë, tregon se shoqëria atje ende mbetet e organizuar në funksion të figurës së padronit, real ose të imagjinuar; në kuptimin që, edhe kur padroni nuk ekziston ose nuk ka interes të merret me punët tona, ne përsëri ia gdhendim idhullin pasionalisht dhe ulemi ta adhurojmë e t’i ofrojmë sakrificat përkatëse.

Nga ana tjetër, mungesa pothuajse totale e një opozite çfarëdo ndaj politikave të sotme njëzëri pro-amerikane, të futjes në NATO, të integrimit europian, të dërgimit të forcave të armatosura jashtë Shqipërisë e kështu me radhë dëshmon se këto politika nuk burojnë aq nga interesat e mirëfillëta të Shqipërisë dhe të konstituencave politike përkatëse, sesa nga interesat e politikanëve përkatës për të mbetur në pushtet, duke iu konformuar skllavërisht asaj vije qëndrimesh politike që duket se ua siguron këtë farë permanence. Me fjalë të tjera, mungesa e opozitës ose e pluralizmit të ideve dhe të opinioneve për çështje madhore dhe ekzistenciale, i vë në krizë vetë qëndrimet tona zyrtare, unanime dhe “të natyrshme” për këto çështje; duke nxjerrë në shesh natyrën e tyre sipërfaqësore, oportuniste dhe djallëzore.

3 Komente

  1. Xha, më duket se këto tabu që ke radhitur janë në thelb mite, imitojnë mitet ose kanë marrë përmasa mitike. Nëse në rastin e miteve përsëritja është vendimtare, në rastin e tabuve heshtja funksionon njësoj.

    Çka nuk përmendet, nuk i zihet emri me gojë na qenka po aq e rëndësishme sa dhe vetë jehona e miteve!

  2. PA, ti thua tabutë janë mite; vërtet, ndoshta janë ana e pasme e mitit, its dark side. Si të thuash, tabutë janë një nga mënyrat me të cilat na sundon miti, duke na u shfaqur si vetëcensurë. Njëfarë super-egoje kolektive.
    Vetë mitet tona mund të përthyhen e përkthehen si dëshira – sado instinktive, sado të pavetëdijshme edhe ato: dëshira për padron, dëshira për nënshtrim (subserviencë), dëshira për prostitucion, dëshira për t’u konformuar; ose si frikëra, njëlloj primordiale e të pavetëdijshme: frika nga vetmia, frika nga e nesërmja, frika e të mbeturit pa klientë, frika nga etërit, frika nga sovraniteti shtetëror (agorafobia gjeopolitike).

  3. Nje analize e shkelqyer.
    A mund te shtoj ketu dhe nje tabu tjeter,ate te monizmit ideologjik?
    Domethene menyra militantike tipike e ish-vullnetareve te Enverit, me te cilen shqiptaret e sotem mbeshtesin dhe “mbajne” partite e “tyre” politike?

    Salistet te vrasin per Saline, po ashtu dhe Edistet te vrasin per Edin!

    Per fat te keq ky militantizem, lebroze e ngelur e 50 viteve diktatoro-enveriane, po perdoret me shume dinakeri nga te pakten ngjyrat kryesore qe pasqyrojne jeten e re “plu(dy)raliste” te Shqiperise!!

    Ky lloj militantizmi polli deklarata dhe ide qe tinellojne me tmerr se e tmerrshmja ” Veriu po i turret Jugut te hakmerret ndaj 50 viteve te diktatures…” etj.etj. te ngjajshme si keto!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin