INSEKTOFOBIA

Kush merret me publicistikë në letrat shqiptare, duhet të jetë gati të përballet me gjithfarë insektesh parazitare.

1. Mushkonja (Anopheles gambiae)

Mushkonjat ndeshen kudo, por më tepër të organizuara në forume, ku shkëmbejnë me njëra-tjetrën caraca etruske, ose interpretime të reja të mbishkrimit të Mesaplikut. Mushkonjat të kanë edhe qejf, edhe frikë; duan t’i përdorin ato që shkruan ti, por druhen se mos ti je tradhtar, ose i paguar nga armiqtë e shumtë të kombit. E kanë të nevojshme të pickojnë dikë, për t’u ndier solidare, ose pjesë e një reje kërcënuese. Lexojnë gjithnjë me lupë, për të parë se mos prapa fjalëve të tua fshihen fjalë të tjera, të dëmshme, armiqësore; pilula të helmatisura për lexuesin sylesh. Edhe pse emri u vjen nga mushka, që është kafshë barre, mushkonjat e përfytyrojnë veten si kuaj të bardhë të Skënderbeut ose si këpucët e baletit të Kledi Kadiut; mbiquhen me emra të rëndë fisesh krenare ilire ose epirote, janë ekspertë të historiografisë greke klasike, bëjnë be e rrufe për Pirron e Epirit ose Aleksandrin e Madh me gjithë Angelina Jolie-n që ishte me origjinë nga Trebeshina; perandorët ilirë të Romës dhe dardanët legjendarë që furnizonin me dardhë qytetin e Trojës dhe rrethinat; lebetiten me flamurin e ri të Kosovës dhe s’i zë gjumi natën për fëmijët e emigrantëve që nuk po e mësojnë mirë rasën gjinore të shqipes. Përndryshe, mushkonjat gjithnjë flenë me një sy hapur, meqë ashtu fle edhe hasmi antishqiptar, ndryshe nga uji, sa kohë që ky i fundit ndonjëherë i mbyll të dy sytë. Për mushkonjën armiku më i rrezikshëm është ai që nuk harrohet. Kohët e fundit po përpiqen të luajnë mendsh Janullatosin duke ia bërë folenë në mjekrën qumështore, edhe pse ky nuk pyet për mjekër, sa kohë që ‘ka djemtë në Amerikë’. Mushkonjat nuk kanë mëshirë, por kanë vetëm të drejtë. Edhe pse i falen një perëndie e cila është gjithashtu mushkonjë e hajthme, ato adhurojnë njëkohësisht kënetat, zonat me lagështirë, muzgun, lëkurën e njeriut dhe plasmodin e malarjes. Mushkonjat zakonisht të sulmojnë në grup nga drejtime të ndryshme, të organizuara sipas krahinave të origjinës dhe bajrakëve; pickimi i 28,000 syresh mjafton për të ngordhur një shqiponjë, një- ose dykrenare. Kohët e fundit koloni të reja të këtyre insekteve të dëmshme po shtohen e shumohen në faqet e lagështa të Wikipedia-s shqipe. Meqë ushqehen me gjak, mushkonjat kanë ekspertizë hematologjike, sidomos në lëmin e racave, ariane ose jo-ariane, në pajtim me orientimin politik; dhe në përgjithësi i klasifikojnë njerëzit për nga shija e rruazave të tyre të kuqe.

2. Pleshti (Pulex irritans)

Për nga vetë mënyra si zhvendosen, pleshtave u qëllon të vizitojnë shumë vise e të ndeshen me shumë realitete, kryesisht të panjohura, të cilat, për të qenë brenda, vendosin t’i pëlqejnë pa masë dhe t’ua reklamojnë të tjerëve viktima sa të pafajshme, aq edhe të pashmangshme. Njëlloj si mushkonjat, edhe pleshtat të mbajnë nën vëzhgim të pandërprerë, por vetëm për të të treguar, sipas rastit, arrat. Virtuozë të kitsch-it, pleshtat japin seriozisht këshilla të tilla si “le ta mbajmë mendjen të hapur”, “jeta duhet jetuar”, “lexoni Foucault-in”; ose enden poshtë e lart me sandale duke deklaruar se i urrejnë filmat e Hollywood-it dhe restorantet McDonald’s, se kanë vendosur të mos hanë më mish kau ose thiu, se miqtë e tyre më të ngushtë janë gays madje edhe HIV+, se kanë shkuar në një plazh nudistësh, ku janë ndier në elementin e tyre. Pleshtave, të cilët mahniten pas teknikave seksuale mongole ose historive të Pocahontas ose nevojtoreve publike të Tokios, u duket gjithçka cool; në qoftë se nuk u duket hot. Pleshtat dashurohen pas piktorëve ultrapostmodernistë që i krijojnë veprat e tyre me urinë, bajga elefanti ose thonj të prerë të plakut Mere; dëgjojnë muzikë që konsiston në zhurma helikopterësh rusë, ose kolonën zanore të një filmi uzbek që ka fituar festivalin e Nagornij-Karabakut në vitin 1997; nxjerrin në fotografi të pastrehët poshtë urave të Pragës ose fotografinë e Dalai Lama-s; të thonë se arkitekti triseksual Les Bollocks Genau ka ndërtuar një shtëpi në formë klitorisi në majë të rrokaqiellit Sears në Chicago për t’u kopuluar aty me një llama peruviane; mësojnë përmendsh poetë që përndryshe janë arrestuar si pedofilë, ose ngaqë kanë vrarë dhe ngrënë gratë e tyre ose të shokëve të tyre, ose që presin të ekzekutohen në karriken elektrike. Me fjalë të tjera, misioni i pleshtit është të të qytetërojë, duke të shpjeguar, bie fjala, si gatuhet tartufi, ose si përdoret thika e peshkut madje e peshkaqenit në restorant. Nga të gjitha insektet, pleshtat identifikohen verbërisht me antikonformizmin, prandaj janë edhe më konformistët.

3. Tartabiku (Cimes lectularius)

Tartabiku e ka barkun gjithnjë të fryrë nga gradat dhe titujt që ka marrë universiteteve të globit; është mishërimi gjashtëkëmbësh i makinës llogaritëse, ose i vetmi insekt që mund të shprehet lirisht në trajtë binare 01001101001010110011101. Nëse të tjerët kërkojnë arsyetime dhe qartësi nga shkrimet e tua, tartabiku kërkon, përkundrazi, burime, referenca, bibliografi dhe sidomos, sidomos shifra: statistika, anketa të opinionit publik, përqindje, kolona, Excel sheets, grafikë në formë torte. Kur e shkruan emrin, tartabikut nuk i mjafton një radhë 80-kolonëshe, për shkak të prapashtesave të detyrueshme: p.sh. Chim Chimka, PhD, MMC, FNNW, DPD, NILRG, BLLSHIT, etj. Sikurse është i saktë dhe ekzigjent me veten, tartabiku kërkon të njëjtën gjë prej teje – nëse ti shkruan se “Shqipëria është vend malor”, tartabiku ka nevojë të marrë vesh se nga vjen ky informacion, nga ç’enciklopedi ose botim autoritar; dhe sidomos nëse ti vetë e ke ekspertizën e mjaftueshme për të ndërmarrë pohime të tilla me rëndësi të madhe gjeografike, madje edhe kur i ke referencuar në mënyrë korrekte dhe përkatëse. Tartabiku është gjithnjë anëtar ose nënkryetar i një komisioni të caktuar; nuk reflekton, por gjykon; nuk diskuton, por bën oponencë; nuk lexon, por rilexon. Tartabiku e shtyp gjithçka në dy kopje. Kur dërgon postë elektronike, ky gjithnjë e mbingarkon fushën Cc, pasi e ka mbushur fushën Bcc në kapacitet të plotë. Për të realizuar vizion bifokal, tartabiku stërvitet për t’i mbajtur syzet të drejtpeshuara në majë të hundës, dhe të sheh duke e ulur kokën në mënyrë të tillë që mjekra t’i ngulet në gjoks. Kur përzihet në politikë, tartabiku lakon rreth fytit kravata të holla dhe admiron personalitete të forta që u shndrisin faqet nga locioni pas rrojes, me lidhje ushtarake ose influencë në industrinë e avionëve ose të centraleve atomike; ose del në fotografi i përqafuar me ish sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld. Kur nuk gjykon në mënyrë skeptike të ashtuquajturit intelektualë të mediave, e kur nuk është duke shkruar kujtimet e veta në formatin PowerPoint, tartabiku e kalon kohën duke organizuar e orkestruar mbledhje dhe konferenca madhështore, ku të diskutohet për organizimin dhe orkestrimin e mbledhjeve dhe të konferencave madhështore, në nivel OKB-je e lart.

4. Grenxa (Vespula vulgaris)

Nga të gjitha insektet, grenxa ka pickimin më të dhimbshëm, por edhe më të kotin. Grenxës nuk i interesojnë idetë e tua; por dosja jote – biografia jote, familja jote, e dashura e tët ungji, pema jote gjenealogjike, fshati i të parëve të tu, shenja jote astrologjike, privilegjet e vërteta ose imagjinare që ti ke pasur gjatë regjimit komunist, eprorët që të kanë komanduar, reparti ku ke kryer shërbimin ushtarak, shkolla që ka ndjekur yt gjysh. Grenxa ka lexuar një herë një artikull të ilustruar për Freud-in në një revistë sllovake, dhe tani zbaton metodën psikoanalitike në vlerësimin e autorëve që i kap syri e që i njeh me emër e mbiemër, ose me dhëmbë e dhëmballë si dentisti i lagjes. Grenxa të thotë: “kur ishe i vogël, ty të pëlqenin parakalimet e 1 Majit, prandaj s’është për t’u habitur që ti sot je kundër kërkesave të ish-pronarëve të mëdhenj të tokave.” Këndvështrimi i grenxës është njëkohësisht policor dhe historik – në kuptimin që ai ka qenë në shtëpinë tënde dhe ka parë librat që ti ke pasur në bibliotekë. Kur hyn në Internet (rrallë) dhe sheh që njerëzit atje shkruajnë me pseudonime, grenxa shqetësohet shumë, dhe kujton se ka zbuluar nënën e të gjitha teorive të komploteve, ose faktin që Internetin shqiptar e dominon Sigurimi i Shtetit. Misioni i grenxës, në këtë rast, është të de-pseudonimizojë. Një tjetër mision i grenxës, si viktimë profesioniste, është të indinjohet me gjithçka, të fshijë sytë e njomur me shami dhe të lëshojë deklarata të tipit: “nuk të lejoj të hedhësh baltë mbi Fishtën e madh.” Dikur, një grenxë veçanërisht zukatëse e krahasoi një shkrim timin për letërsinë shqipe me shkelmin që i kishte dhënë dikur një hetues komunist, në qelinë e burgut, një prifti katolik nga Shkodra. Në të vërtetë, grenxa është produkt i luftës së klasave të nisur e të zbatuar me egërsi nga totalitarizmi, dhe tani nuk ndihet mirë kur e sheh arsyen e ekzistencës së vet të tërhiqet gjithnjë e më tepër në të shkuarën. Meqë persekutorët e vet të vërtetë nuk i prek dot, pse këta sot kapardisen në tribunat e pushtetit në Tiranë, rri e merret me të gjithë ata, faji i vetëm i të cilëve është që nuk u burgosën, as u internuan gjatë regjimit. Asgjë njerëzore nuk është e huaj për grenxën. Nëpërmjet një interpretimi origjinal të sindromës së Stokholmit, grenxat sillen në hapësirat publike me gjithë delikatesën e një hetuesi revolucionar të kohës së Koçi Xoxes.

Dhuna prej insekteve është pjesë e pandashme e të qenit publicist. Specialistët rekomandojnë durim, ndërrime të shpeshta pseudonimesh dhe përdorim locionesh insektifuge. Nga ana tjetër, prania jote në hapësirën mediatike është gjithnjë e domosdoshme për këto lloje insektesh, meqë ato jo vetëm ushqehen dhe riprodhohen duke të pickuar, por edhe ashtu fitojnë edhe njëfarë dukshmërie të tyren, çka i lejon të dalin, qoftë edhe për pesë minuta të vetme, nga anonimiteti.

Tha Gregor Zamza.

7 Komente

  1. Ne mos gabohem, di qe te gjithe keto insekte nuk mund te jetojne me lart se 1000-1200 metra mbi nivelin e detit. Ato jetojne poshte, neper keneta moçale e plehera. Po u fute neper keto ambiente eshte e sigurt qe nuk shpeton pa u pickuar dhe infektuar. Prandaj dhe ajo “shqiponja sy skifter e sqep gjilpere” nuk ka probleme me parazitet. Si ato me nje apo dy krena. Shqiponjat fluturojne lart..shume lart. Pikasin dhe godasin me perpikmeri absolute. Mbi te gjitha, shqiponjat nuk merren me insektet!

  2. Pak e çuditshme ndërhyrja juaj, Askush, po të kihet parasysh jo vetëm që shqiponja, sikurse çdo shpend tjetër mishngrënës e me pupla të lyrshme është e krymbur në pleshta, morra, morrëza, këpusha, thnegla dhe kandrra të tjera parazitare; por edhe që, në epokën e transportit ajror masiv, tartabiqet kanë kolonizuar tashmë edhe sediljet e avionëve të linjave. Megjithatë, nuk mund veçse të pajtohem me ju, kur thoni se këto mjedise ku zakonisht marrin hov polemikat tona madhështore nuk janë veçse rezultat i nivelimit nga poshtë, ose emblemë e kënetizimit të diskursit publik shqiptar, falë shndërrimit në karneval të demokracisë ose në mure nevojtoresh publike që u ka bërë Interneti kuvendeve.

  3. Zoti Maks.nje shkrim i shkelqyer:) E lexova 3 here rrjesht dhe çdo here u zbavita dhe me shume.Pershkrim “me shume ” se i spikatur !

    dhe fundi me nenshkrimin e Gregor Zamses qe pika kulminante e krijmtarise:)
    mendoj se ky shkrim duhet printuar dhe ri-lexuar disa here nga organet e “mediave” shqiptare..Shqiptare them sepse elementet qe permendni ketu vlejne me teper per stomaqet shume te medha dhe disafunksionale ,me tipare fantastike tretese te shoqerise sone!
    urime dhe nje here!

  4. Une kisha pershtypjen qe insektet ishin vecori e blogosferes, sidomos pleshti qe me ngjan me nje nga matronat kryesore e te kudogjendura!

  5. O Albi, me kujtove kete batuten : jo, jo, nuk te them se sot ka Bardhoshja ditelindjen!

    E verteta eshte keshtu : te poshteruarit jemi ne.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin