SHQIPJA TOTALITARE (XXX)

Ligjërimi ballafaques ishte ai lloj ligjërimi totalitar me të cilin folësi i drejtohej tërthorazi armikut të jashtëm, ose atij armiku të cilin regjimi nuk e trajtonte dot njëlloj si armikun e brendshëm, duke e asgjësuar fizikisht ose duke e zhdukur nga sfera publike.

Armiku i jashtëm ishte dyfarësh: më një anë borgjezia dhe kapitali, Dajë Sami me të vetët, Vatikani, fashistët, neofashistët e monarkofashistët, neokolonialistët, shtypësit e shfrytëzuesit, militaristët, këmishëzinjtë, puçistët, bonapartistët e gjithfarë djathtistësh të tjerë, të cilëve u atribuoheshin pozicione dhe diskurse fund e krye të kundërta me ato totalitaret; më anë tjetër, revizionistët modernë, titistët, trockistët, hrushovianët, eurokomunistët, maoistët, anarko-sindikalistët, ose politikanët, veprimtarët dhe lëvizjet politike të majta, herë revolucionare e herë reformiste, të cilat orientoheshin sipas pozicionesh dhe ideologjish të ngjashme e ndonjëherë të njëjta me ato të regjimit të Hoxhës në Shqipëri.

Edhe pse zyrtarisht të dy këto kategori armiqsh konsideroheshin si njëlloj të rrezikshme e kërcënuese për fatet e “pushtetit popullor”, vetëkuptohet se në rrafshin polemik betejat më të mëdha e më donkishoteske do të zhvilloheshin rregullisht me të dytët – sepse vetëm diferencimi i prerë prej këtyre do t’ia jepte regjimit totalitar në Shqipëri arsyen e mjaftueshme për ekzistencë, të paktën në sytë e popullit të vet.

Midis viteve 1945 dhe 1985, ishin të paktën katër rryma të rëndësishme të lëvizjes komuniste ndërkombëtare të cilat përpunonin diskurset e tyre ideologjike shpesh shumë të ngjashme me ato të totalitarizmit shqiptar: kampi socialist i kryesuar nga Bashkimi Sovjetik dhe i frymëzuar nga ideologjia në thelb leniniste; titizmi në Jugosllavi e më pas në lëvizjen e të angazhuarve; eurokomunizmi i partive të mëdha komuniste në Europën Perëndimore; dhe maoizmi, si ideologji e komunizmit kinez.

Si do të dallohej regjimi totalitar i Tiranës nga komunizmat e tjerë në pazaret majtiste të planetit?

Nëpërmjet një ligjërimi që do të cilësoja ligjërim paranoid.

Premisa e këtij ligjërimi ishte kjo: PPSh është e vetmja që ndjek dhe zbaton me konsekuencë mësimet e marksizëm-leninizmit, meqë të gjitha partitë e tjera, në mënyra të ndryshme, e kanë tradhtuar kauzën. Megjithatë, këto parti dhe forca të ndryshme politike duan ta ruajnë pamjen dhe reputacionin e tyre si forca revolucionare të majta në vendet e tyre, prandaj nuk dalin asnjëherë haptazi kundër ideologjisë komuniste dhe nevojës për revolucion dhe përmbysje me dhunë të regjimeve borgjeze dhe kapitaliste; prandaj ligjërimi i tyre publik nuk dallohet dhe aq nga yni për nga përmbajtja, sesa për nga konteksti, nga qëllimet e ligjëruesve, nga efekti në komunikim dhe nga pasojat që sjell. Ligjërimi i të gjithë tradhtarëve, renegatëve, revizionistëve dhe reformistëve ka prandaj nevojë të interpretohet drejt, çka mund të realizohet vetëm nëpërmjet ligjërimit totalitar shqiptar, kryesisht të Enver Hoxhës vetë, i cili është në gjendje të demaskojë përpjekjet e armikut për t’u kamufluar, e për t’u maskuar si komunist dhe si revolucionar. Ky lloj demaskimi është njëkohësisht shprehje supreme e luftës së ashpër ideologjike që PPSh zhvillon kundër revizionizmit modern, oportunizmit, dhe të gjithë atyre të shiturve dhe tradhtarëve që i shërbejnë qëllimeve të borgjezisë dhe të kapitalit ndërkombëtar.

Si përbërëse themelor i ligjërimit ballafaques, ligjërimi paranoid realizohej kryesisht me rrugë dhe mjete të natyrës retorike, synimi i të cilave ishte t’i jepnin shprehje konkrete dallimit midis thelbit dhe shfaqjes, gënjeshtrës dhe së vërtetës, iluzionit dhe realitetit. Disa nga mjetet gjuhësore më të shfrytëzuara, për të ndërtuar këtë lloj ligjërimi, ishin:

1. Foljet ligjërimore

Le të krahasojmë thëniet e mëposhtme:

  1. Sovjetikët thonë se janë miq të popujve arabë.
  2. Sovjetikët hiqen si miq të popujve arabë.

Thënia e parë është ligjëratë e zhdrejtë neutrale, meqë aty thjesht përcillet qëndrimi i shpallur i sovjetikëve; e dyta, përveç ligjëratës së zhdrejtë, kumton edhe idenë se folësi e ka të qartë, për arsye të ndryshme, se sovjetikët kur thonë se janë miq të popujve arabë gënjejnë, meqë në të vërtetë, sovjetikët nuk janë miq të popujve arabë. Ky qëndrim mosbesues i folësit shprehet nëpërmjet ndërtimeve foljore të tipit hiqen si (mbahen si, hiqen sikur, lënë të kuptohet sikur, pretendojnë se, bëjnë sikur, luajnë pjesën se, shtiren se, predikojnë, hapin fjalë sikur, etj.).

Zakonisht thënie të tilla ndiqen drejtpërdrejt nga thënie të cilat synojnë të zbulojnë të vërtetën, p.sh.:

Sovjetikët hiqen si miq të popujve arabë, por e vërteta është se ata janë ulur të bëjnë pazarllëqe me amerikanët dhe Izraelin.

Kubanët hiqen sikur janë pro-sovjetikë, por e kanë mendjen vetëm te kreditë e Moskës.

Në këto thënie, lidhëza kundërshtuese por funksionon si operator i demaskimit.

2. Mënyra habitore

Një nga funksionet e mënyrës habitore në shqipe është të sinjalizojë ligjëratën e zhdrejtë, ose faktin që folësi është vetëm duke raportuar fjalët e dikujt tjetër, jo përvojën e vet të ngjarjes së raportuar. Të krahasohen:

  1. Sovjetikët janë zemëruar shumë me kinezët.
  2. Sovjetikët qenkan zemëruar shumë me kinezët.

Thënia e dytë paraqitet si e zhdrejtë, në kuptimin që folësi sinjalizon, nëpërmjet habitores qenkan zemëruar, se është duke raportuar diçka që ia kanë raportuar edhe atij vetë.

Kjo mundësi gramatikore që ofron habitorja është shfrytëzuar rregullisht për të shprehur distancimin, dhe që andej mosbesimin, e folësit ndaj ligjëratës së raportuar:

Titoja thotë se sundimit kolonial në Afrikë i paska ardhur fundi.

Mënyra habitore, në këtë thënie, shpreh distancimin e folësit nga deklarata e Titos, për shkak të mosbesimit.

Efekti retorik i kësaj habitoreje të mosbesimit përfuqizohet nëpërmjet dhanores etike, ose një trajte të shkurtër përemërore të vetës I shumës, e cila nuk ka ndonjë funksion gramatikor në fjali, përveçse të tregojë implikimin emocional ose interesimin e folësit ndaj ngjarjes së raportuar:

Titoja thotë se sundimit kolonial në Afrikë na i paska ardhur fundi.

Sovjetikët na qenkan zemëruar shumë me kinezët.

3. Relativizimi me anë shprehjesh ndajfoljore

Në thënie si kjo më poshtë:

Revizionistët modernë flasin ndonjëherë për revolucionin, sa për të larë gojën

Ndajfolja sa për të larë gojën luan rol relativizues, duke shprehur bindjen e ligjëruesit se diskursi revolucionar i revizionistëve është, në thelb, i pasinqertë, hipokrit, madje i gënjeshtërt.

Të njëjtin rol relativizues e kryejnë edhe shprehje të ngjashme si sa për sy e faqe, sa për formë, sa për të qenë në rregull, me gjysmë zemre, për të (na) hedhur hi syve, për konsum të masave, sa për propagandë, se ashtu e do puna, se ashtu e do kuvendi, sa për të luajtur pjesën, etj.

4. Pjesëza gjoja

Pjesëza gjoja është nga më të abuzuarat në ligjërimin totalitar paranoid, në të gjitha instancat. Në bashkëvajtje me ligjërata të zhdrejta, funksioni i kësaj pjesëze është të shprehë bindjen e folësit se thënia që pason pjesëzën është e gënjeshtërt. Të krahasohen:

Titoja thotë se në Jugosllavi ndërtohet socializmi

Titoja thotë se në Jugosllavi gjoja ndërtohet socializmi.

Përkufizimet e shumë nocioneve me ngarkesë ideologjike dhe filozofike, në “Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe” të vitit 1980, e përdorin rregullisht këtë pjesëz, për të sinjalizuar se autorët e fjalorit, ose në përgjithësi subjekti i thëniezimit totalitar, nuk pajtohet me përkufizimin, ose me një pjesë të atij përkufizimi. Ja disa shembuj:

PARAJSË/A – Sipas përfytyrimeve mistike fetare, vend shumë i bukur në qiell, ku gjoja jetojnë në lumturi shpirtrat e të vdekurve që nuk kanë bërë mëkate në të gjallë.

VETADMINISTRIM/I – Sistem borgjez i administrimit […] që paraqitet gjoja si zbatim krijues i demokracisë e i pjesëmarrjes së popullit në qeverisje […]

REFORMIZËM/I – Rrymë oportuniste në lëvizjen punëtore […] që pohon se gjoja mund të kalohet në socializëm nëpërmjet reformave shoqërore të pjesshme […]

Edhe ndërtimet me gjoja shoqërohen rregullisht nga ndërtime të paraprira nga operatori por, të cilat kanë për funksion zbulesën e së vërtetës.

5. Mbiemri i/e ashtuquajtur në pozicion paraprirës

Qëllimi i këtij mbiemri, që rregullisht i paravendoset emrit, është të tregojë se emri i një objekti ose i një dukurie nuk i përgjigjet thelbit të objektit ose të dukurisë në fjalë, por dukjes; dëshirës për t’u paraqitur ashtu, ose nevojës për ta falsifikuar shfaqjen:

I ashtuquajturi kapitalizëm popullor

I ashtuquajturi socializëm specifik

E ashtuquajtura bashkekzistencë paqësore

E ashtuquajtura teori e rrëshqitjes

Në të gjitha rastet, mbiemri lë të kuptohet se folësi nuk pajtohet me mënyrën si emërtohet objekti ose dukuria; por vetëm e raporton emrin, duke kumtuar se objekti dhe dukuria “quhen ashtu”, çka nuk do të thotë, megjithatë, që të jenë ashtu. Ndërtimi ndeshet rregullisht me emërtime pak a shumë përshkruese, ose në raste kur vetë emërtimi i objektit, dukurisë, nocionit, veprimtarisë etj. përcjell një dëshirë të emërtuesit për ta paraqitur objektin, dukurinë etj. në një dritë të caktuar. Folësi që përdor mbiemrin i/e ashtuquajtur sikur kërkon të thotë: “ti mund ta quash ashtu, por unë e di që ti kërkon të më gënjesh (të më hedhësh hi syve)”.

6. Mbiemri i pakufizuar njëfarë

Ndërtimet me këtë mbiemër shprehin zakonisht përçmim ose mospërfillje, duke theksuar parëndësinë ose papeshën e personit të cilësuar:

Artikulli, i shkruar nga njëfarë Shevçenko, kritikon udhëheqjen tonë…

Ngrihet një drejtues i Partisë Komuniste të Spanjës, njëfarë Manuel Iglesias…

Mbiemri njëfarë thekson dallimin, madje kontrastin midis rolit të marrë përsipër nga personi në fjalë, dhe anonimitetit (relativ) të këtij personi.

Në mënyrë të ngjashme funksionon edhe mbiemri i pakufizuar një, i përdorur në bashkëvajtje me një emër të përveçëm:

Na erdhi një italian, një Silvio di Mauro, me një mesazh të Togliatti-t.

7. Ndërtimet me përemrin dëftor ky/kjo, të ndjekur nga një epitet

Këto ndërtime pasojnë zakonisht një thënie e cila i atribuohet personazhit armik:

Hrushovi thotë se shqiptarët janë gjaknxehtë. Ky revizionist i tërbuar, ky tradhtar i idealeve të Leninit, ky renegat, ky përçarës i lëvizjes komuniste ndërkombëtare… refuzon të kuptojë se ne shqiptarët kurrë nuk do të ngurrojmë të mbrojmë […]

Në këtë rast, argumenti i “armikut” kundërshtohet nëpërmjet një argumenti ad hominem; madje vetë thënia që përmban argumentin e palës tjetër shërben si pretekst për të shprehur invektivën ose vargun e epiteteve dhe të karakterizimeve pak a shumë retorike dhe arbitrare që i bëhen armikut, të barazvlershme me sharje më të rëndomta:

ky tradhtar, ky renegat, ky qen besnik i imperializmit, ky i shitur te imperializmi për 30 aspra, ky Kalë Troje, kjo dhelpër e vjetër, kjo vegël e verbër e reaksionit ndërkombëtar, ky zjarrfikës i revolucionit, ky agjent i vjetër i anglezëve, kjo qelbësirë revizioniste, ky demagog i kulluar, kjo mësallë me dy faqe, ky qehaja i amerikanëve, etj.

8. Ndërtime të tipit nuk është (gjë tjetër) veçse

Këto ndërtime, me vlerë këpujore, lejojnë kalimin nga shfaqja te thelbi, ose zbulimin e kuptimit të fshehtë, nëpërmjet mohimit të identitetit:

  1. Socializmi specifik nuk është gjë tjetër veçse tradhti ndaj interesave të proletariatit
  2. Bashkekzistenca paqësore nuk është asgjë tjetër përveçse kapitullim ndaj imperializmit ndërkombëtar

Pjesa e dytë e thënies (tradhti ndaj interesave të proletariatit, kapitullim ndaj imperializmit ndërkombëtar) konsiston zakonisht në fjalë e shprehje me ngarkesë të madhe emocionale negative (tradhti, kapitullim); në një kohë që pjesa e parë është, sado tërthorazi, citim ose rimarrje verbatim e një termi ose parrulle ideologjike të përdorur nga kundërshtari:

Bisedimet për paqe nuk janë gjë tjetër veçse orvatje e dëshpëruar e amerikanëve për të fituar kohë

Kjo teknikë retorike mund të shihet edhe si formë e hiperbolës, meqë ajo synon ta reduktojë përmbajtjen ose thelbin e një praktike ose doktrine të caktuar në një prej interpretimeve që i bëhen, qoftë edhe në të vetmin interpretim “shkencor”. Të krahasohen pohimet e mëposhtme:

  1. Bisedimet për paqe mund të interpretohen edhe si orvatje e dëshpëruar e amerikanëve për të fituar kohë
  2. Bisedimet për paqe nuk janë gjë tjetër veçse orvatje e dëshpëruar e amerikanëve për të fituar kohë

Thënia e parë e shenjon hapur qëllimin e folësit për të dhënë një interpretim të ligjshëm të bisedimeve për paqe (të cilat vërtet mund të bëhen për të fituar kohë); thënia e dytë jo vetëm e fsheh interpretimin pas këpujës janë, por edhe e barazon atë, në mënyrë joekuivoke, me domethënien e subjektit, ose bisedimeve për paqe. Ironia e këtij marifeti retorik ka të bëjë me atë që procedura demaskuese vepron ajo vetë duke u maskuar pas një ndërtimi këpujor të identitetit.

9. Mohimi specifikues

Ky lloj mohimi përdoret për të përkufizuar një koncept tërthorazi, duke cilësuar tiparet të cilat i mungojnë; dhe vjen veçanërisht ndoresh për të dalluar koncepte që përndryshe mbeten të ngjashme.

Ja një shembull:

Revolucioni proletar nuk ka asgjë të përbashkët me puçin ushtarak.

Partia marksiste-leniniste s’ka asgjë të përbashkët me partitë borgjeze.

Në raste të tilla, është fjala për një orvatje in extremis për të kundërshtuar inercinë e leksikut, ose qëndrueshmërinë e fjalëve përballë revolucionit ideologjik të kuptimeve:

Demokracia popullore nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë borgjeze.

Retorikisht, formula të tilla do të klasifikoheshin si hiperbola, meqë përbashkësia themelohet pikërisht mbi shenjuesin e njëjtë.

10. Thonjëzat

Si mjet retorik, thonjëzat i përkasin ligjërimit të shkruar; edhe pse i njëjti funksion mund të përmbushet, në ligjërimin e folur, nëpërmjet ndryshimit të intonacionit, ose të shprehjes së fytyrës.

Brenda ligjërimit paranoid, thonjëzat tregojnë distancim pak a shumë të plotë e përfundimtar nga fjala e thonjëzuar:

Titoja pretendon se në Jugosllavi po ndërtohet socializmi specifik.

Edhe në këtë rast, mosbesimi shprehet nëpërmjet mekanizmit të ligjëratës së zhdrejtë – socializmi është “specifik” jo sepse është vërtet specifik, por sepse ashtu e ka quajtur Titoja, dhe unë vetëm sa raportoj çfarë ka thënë Titoja, duke theksuar, njëkohësisht, se unë nuk e besoj se çfarë thotë Titoja; me fjalë të tjera, duke theksuar se Titoja gënjen.

11. Antonimet konotative

Në leksikologji, antonimet janë fjalë me kuptime të kundërta: ditë/natë; poshtë/lart; i madh/i vogël. Megjithatë, ka një kategori tjetër fjalësh të cilat i kundërvihen kuptimisht njëra-tjetrës jo për nga kuptimi, të cilin e kanë të njëjtë, sesa për nga konteksti i përdorimit. Për shembull, edhe çetë edhe bandë mund të kenë kuptimin “grup i vogël njerëzish të armatosur”, por shprehjet çetat partizane dhe bandat e ballistëve i kundërvihen haptazi njëra-tjetrës. Pala jonë bën gjithnjë marrëveshje, ndërsa armiku kompromis; pala jonë është paqedashëse, armiku pacifist; pala jonë është internacionaliste proletare, armiku kozmopolit. Numri i njësive leksikore të specializuara për të shprehur kundërvënien midis thelbit dhe shfaqjes, ose së vërtetës dhe gënjeshtrës, është çuditërisht i madh, siç duket edhe nga tabela e mëposhtme, ku kolona [+] përmban fjalë dhe shprehje me ngjyrim pozitiv, të cilat përdoren për të folur për njerëzit “tanë” dhe ideologjinë “tonë”; ndërsa kolona [-] fjalë dhe shprehje të specializuara për të folur për armikun:

+

dha jetën për liri

la kockat

vdes

ngordh

marrëveshje

ujdi

zëdhënës

tellall

bisedime

pazarllëqe

bisedime

allish-verishe

stabilitet

statusquo

revolucionar

aventurier

guxim

aventurizëm

udhëheqësit

krerët

paralajmëroj

kanosem

shkruaj

zhgarravit

gazetë

paçavure

liri

anarki

liri

kaos

masa

turma

ndërmjetës

zjarrfikës

përgatit

kurdis

fushatë

zhurmë

punë bindëse

zhurmë demagogjike

organizoj

orkestroj

hartoj

sajoj

asgjësoj

likuidoj

kritikoj

hedh baltë mbi

kritikoj

vjell vrer kundër

zëri i masës

kori

njerëzit tanë

agjentura

krijoj

fabrikoj

udhëheqja

klika

i palëkundur

kokëfortë

i vendosur

ekstremist

teori marksiste

frazeologji marksiste

ndihma

lëmosha

12. Parashtesa pseudo-

Kjo parashtesë u bashkohet zakonisht emrave për të krijuar një numër të madh antonimesh konotative, duke përgënjeshtruar temën:

revolucionar -> pseudorevolucionar (revolucionar i gënjeshtërt)

teoricien -> pseudoteoricien (teoricien i gënjeshtërt)

mik -> pseudomik (mik i rremë)

filozof -> pseudofilozof (filozof i rremë)

atdhetar -> pseudoatdhetar (atdhetar i rremë)

Fjalori i Shqipes së Sotme e përkufizon kështu fjalën PSEUDOMARKSIZËM/I: “Teori oportuniste e revizioniste që gjoja mbështetet në marksizmin, pornë të vërtetë e mohon atë, ia heq atij thelbin revolucionar; marksizëm i rremë […]”.

Në pak fjalë, përkufizimi përmbledh distancimin nëpërmjet pjesëzës gjoja; operatorin demaskues por; shprehjen e kalimit nga shfaqja në thelb në të vërtetë; dhe terma të tjerë heuristikë, si thelb dhe i rremë, të cilat njëlloj i mëshojnë përftesës së demaskimit të armikut, ose ligjërimit paranoid.

13. Sisteme metaforash

Si personazh i ligjërimit paranoid, armiku nuk është në kontroll të plotë të veprimeve dhe të mendimeve të veta, meqë drejtohet nga një forcë e epërme; që këtej edhe karakterizimet dhe shprehjet e tipit: kukullat e Saigonit, regjimi kukull, marioneta, ia lëviz fijet, etj.; ose përkundrazi, preferon të veprojë në prapaskenë, pas perdes, nën rrogoz ose përkundrazi, të dalë në skenë e të flasë me fjalë të bukura, të të lajë e të lyejë ose të grijë sallatë; ose të ulet në tryezë të pokerit dhe të blofojë; ose të flasë me fjalë e me parrulla boshe ose me fjalë pa bukë; ose të hedhë gurin e të fshehë dorën; të të vrasë natën e të të qajë ditën; dhe gjithsesi të godasë me thikë pas shpine, ose pas krahëve; ose të të presë në besë, të të kthejë krahët e të të lërë në baltë. Në të gjitha këto metaforizime, çjerrja e maskës ose demaskimi ose zbulimi i së vërtetës nëpërmjet gënjeshtrës është e vetmja formë me të cilën mund të komunikohet me armikun; edhe pse artin e këtij komunikimi demaskues e zotëron, në thelb, vetëm Udhëheqësi Total, i cili është i pozicionuar pikërisht atje ku thelbi takohet me shfaqjen dhe të dyja shndërrohen në njëra-tjetrën dialektikisht.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin