MËSIMET E SHAHUT

Ndodh shpesh që shënimet e përgatitura për një eveniment çfarëdo nuk të hyjnë në punë. Mua më ndodhi ca kohë më parë, kur më kishin ftuar jashtë shtetit në një konferencë për Shqipërinë. Aktiviteti shoqërohej nga një sërë nismash dytësore, si p.sh. një turne shahu me një kampion të njohur vendor. Për mua përbënte detaj dytësor, sikurse ushtrimet me violinë të vajzës virtuoze me origjinë shqiptare. Mirëpo isha gabuar…

Shënimet e mia eksperimentale për Shqipërinë totalitare, postotalitare e postmoderne, nuk m’u deshën asfare. Koordinatori i tryezës së rrumbullakët e filloi bisedën me mua me pyetjen befasuese: “A di të luash shah? Nëse po, si e mësove?”. I thashë se e kisha mësuar krejt rastësisht, në përpjekje për të vrarë kohën në ditët e gjata të verës kombinatase. Pastaj rashë në krahët e kujtesës… Në atë kohë, shumë punonjës të Kombinatit të tekstileve “Stalin” e kalonin kohën e lirë duke luajtur shah. Të ulur në barin e shesheve mes pallateve, ose mbi stola të përgatitura në mënyrë artizanale në Kombinatin e Drurit “Misto Mame”, mendonin e tymosnin me orë të tëra mbi kutia shahu nga më të çuditshmet. Disa ishin të rëndomta, me figura standard, disa ishin të këndshme, të tjerat pa diskutim vepra arti, të dala nga tornot e amortizuara të Kombinatit, por të lëmuara e të llakuara me ustallëk të pashoq.

Asokohe në Lagjen 6-të të Tiranës koha nuk shtyhej ndryshe. Në mungesë të të “huajve” nga qendra e Tiranës, me të cilët kërciste sherri rregullisht, kur të hanin duart ose kur nuk dije ç’të bëje, mbetej vetëm shahu. Ka pasur edhe lojëra të tjera, por shumë syresh gjykoheshin si bixhoz nga kryetari i Frontit të radhës, ndaj ishin “politikisht” të papranueshme. Rreth “shahistëve” mblidheshin zakonisht grupe të vogla soditësish që duhet të respektonin rreptësisht qetësinë. Por si gjithnjë, nuk mungonte kurrë ai tipi që, kur e shikonte që shoku kishte kapur gabimisht kalin, i bërtiste “Mos!”. Lojtari i lajmëruar tërhiqej, por në atë çast futej në lojë rregulli tjetër: “Po e kape gurin, gjeji vendin”. Kështu, kali mbetej në dorën e mikut derisa gjendej rrugëzgjidhja, që mund të koincidonte edhe me një shkelm të fortë kutisë bardhezi.

Ja, unë isha një nga çunat e lagjes që i shikonin “mjeshtrit” në lojë e sipër. Me orë e orë të tëra. Që ishin vërtet mjeshtër, e mora vesh më vonë, kur njëri prej tyre, që midis të tjerash e kishte mendjen gjithnjë tek gota, fitoi një çmim në rang republike. Unë u habita shumë, të tjerët jo, por komentuan: “Atë e ka marrë në qafë rakia, se sot kushedi ku do ishte…”. Nejse, bashkëbiseduesit tim të huaj, nuk është se i interesonin të gjitha këto hollësi, ndaj nga fundi i rashë shkurt, me idenë se do përfundonim në pyetjet banale për Shqipërinë me fjalën “integrim” brenda. Mirëpo, ai nuk u dorëzua. Pyetja tjetër ishte vërtet e pabesë, sepse më kapi gafil: “A ka vallë ç’t’u mësojë shqiptarëve loja e shahut?”. Panik total. Nuk më kishte shkuar kurrë në mend një pyetje e tillë. Por buzëqeshja dashamirësisht sfiduese e koordinatorit të tryezës më bëri ta hap gojën. Fjalët dolën siç erdhën.

Loja e shahut është ndër të paktat lojëra ku “shansi”, në kuptimin e rastësisë, nuk ka gisht fare. Nuk është si lojërat me letra, as si dominoja. Kur ke “shans” dhe të bien letrat e mira, e ke kollaj të fitosh, sikurse nuk duhet të nxehesh po qe se të bie derri maç i pambrojtur, ose të mbetet në dorë dopio gjashta: në këtë rast ke “qimen e derrit”. Shqiptarët nuk e kanë kuptuar siç duhet mësimin e shahut: shumë gjëra varen nga aftësitë dhe puna. Figurat dhe ushtarët janë aty, nuk të bien sipas rastësisë. Vetëm ngjyra e gurëve mund të jetë fatalitet. Por është çështje pa rëndësi. Natyrisht, çdo gjë duhet parë në kuadrin e fatit të madh, që të lejon tek e fundit të argëtohesh me shah… Gjithsesi, duhet thënë se piramidat dhe bingot e 1997-s treguan hapur se nga shahu ne shqiptarët nuk kemi mësuar kurrgjë.

Nga ana tjetër, shahu është nga ato lojëra që të mëson barazinë dhe jo egalitarizmin. Të gjithë shahistët (qytetarët) kanë shanse të barabarta në jetë (16 gurë, 8 figura dhe 8 ushtarë), në çastin e start-it e kam fjalën. Kush është i zotë ecën përpara, të tjerët mbeten prapa. Kush është i aftë mund të përdorë fantazinë e mbretëreshës, guximin e kalit, disiplinën e filit, qëndrueshmërinë e kalasë. Në të kundërt nuk do të ecë si të tjerët. Por edhe në këtë pikë, duket se shqiptarët nuk kanë marrë vesh asgjë. Shpeshherë, shpresat i varin tek “Baba”, dhe ndonjëherë parapëlqejnë rrugën e shkurtër, që siç dihet të nxjerr më gjatë.

Shqiptarët e kuptuan demokracinë si mungesë rregullash, si mbretërinë e kaosit. Kujtuan se rregullat ekzistonin vetëm në diktaturë. Shahu nuk i paska ndihmuar ta ngulisin idenë e rregullave të përbashkëta. Kali lëviz në një mënyrë të caktuar, kalaja në një tjetër. Madje edhe mbretëresha që lëviz me shpejtësinë dhe zhdërvjelltësinë e kunadhes, nuk bën si të dojë: si kali nuk i kalon dot kutitë. Me fjalë të tjera, ligji është i barabartë për të gjithë dhe rregullat duhen respektuar. Ndodhte në lagje që dikush e çonte kalin deshtas një kuti më tutje, por zbulohej menjëherë nga çunaku i çiltër (unë?), që ngazëllohej pasi e ndjente veten shahist të mbaruar. Por lëvizja “e gabuar” mund të zbulohej edhe me teknikën e gaforres, duke përsëritur mbrapsht lëvizjet e bëra.

Gjithnjë kam menduar se shahu është loja par excellence e transparencës. Beteja bëhet me gurë të hapur, në mënyre luajale, në shesh të mejdanit. Ndonjëherë e kam shpjeguar dashamirësinë e atëhershme të shqiptarëve ndaj shahut si dëshirë të pavetëdijshme për t’u zhvendosur idealisht në një hapësirë ku të komunikohej me tjetrin jashtë prapaskenave, kulisave dhe djallëzive të totalitarizmit. Që shoqërisë shqiptare i duhet sot medoemos transparencë, kjo është kërkesë e kohës. Në fund të fundit, demokracia pa transparencën e pushteteve dhe të luftës politike nuk mund të kuptohet kurrsesi.

Nga ana tjetër, nuk mund të harrohet se shahu është lojë e pastër. A keni dëgjuar ndonjëherë që të luhet shah me pare? Edhe ndeshjes me porta të vogla i vihej ndonjë gjë “sipër”, por shahut kurrë ndonjëherë. Shahu me paranë nuk shkojnë dot. Kjo e fundit nuk ka arritur ta ndotë asnjëherë. Jo sepse paraja është djalli dora vetë, por sepse i fut lojës interesa që shkojnë përtej zbavitjes dhe sfidës intelektuale. Në Shqipëri nuk ka mbetur asgjë pa u shndërruar në bixhoz. Edhe sfera tradicionalisht të paprekura rrezikohen sot seriozisht, për të mos folur për mjekësinë, arsimin, etj. Në këtë pikë, shahu ka diçka të mirë për të na thënë, por nuk e di sa do e dëgjojmë.

Pak a shumë minutat e mia të tryezës së rrumbullakët i harxhova me këto mendime spontane, me bindjen se shumë gjëra të tjera mund të thuhen për lojën fisnike të shahut. Por në fund të bisedës e kuptova që, në fakt, kisha folur për Shqipërinë dhe jo për shahun.

5 Komente

  1. Pishak,
    të falemnderoj për kêto çaste kujtimesh qê më lejuan të rikthehem në kohë të pêrmallura dhe në vende tê dashura.
    Por, sidoqoftê pêr tê plotêsuar kuadrin: tê cilave vite janê kujtimet e tua? në cilat lulishte të Kombinatit zhvilloheshin kêto pêrvoja shahistike?
    Të më kuptosh, qëllimi im êshtê thjesht tê rikthehem nê atê kohë – si dikush i lindur dhe i rritur në Kombinat – tê paktên deri në moshën 33 vjeç.

  2. Urime per tekstin. Keni bere disa lidhje shume te mira me lojen e shahut. E lexova me kenaqesi kete tekst.
    By tha way, luan dikush shah ne Yahoo Games. Shume pak shqipetar takoj aty edhe ata qe mund ti takosh te gjithe futen ne lige te avancuara. Eshte nje fakt interesant per ta theksuar, edhe pse takon shqipetar qe nuk ja kan haberin lojes se shahut (gjithmone flas per yahoo games), te njejtit gjithnje i gjen ne ligen e avancuar. Kerkoj falje per largim nga tema, por ndoshta takohemi ndonje dita (ne lige te avancuar me gjeni mua) 🙂

  3. Xixa, nuk dua të bie pré e sentimentalizmave të mëhallës, as të mërzis kolegët e nderuar që vizitojnë këtë blog me kujtimet e kombinatasve të thekur. Por meqë ma bërë pyetjen me aq dashamirësi, po të kujtoj diçka. Shahu luhej kudo: në lulishten qendrore, pas shkollës 50 vjetori, nga Myslim Keta, sipër andej nga Gastranomi, deri brenda hekurave të Kombinatit. Ndoshta më pak nga fabrika e qelqit. Kudo ku kishte stola, lulishte e pemë, luhej shah. Kombinati në atë kohë, nga ana demografike, ishte heterogjen, por po të shihej nga qendra, shfaqej mjaft homogjen. Megjithëse heterogjeneiteti e karakterizonte Kombinatin deri në atë pikë, saqë nuk mund të quhej i tillë pa këtë cilësi gjenetike, kjo lagje mitike e Tiranës, çuditërisht u jepte banorëve të vet identitet të fortë. Por, se sa ka ndikuar shahu në këtë pikë, nuk e kam idenë fare…

  4. Pishak tema e shahut qe nderlidhur shume mire me faktet e tjera qe doje te paraqisje.flm per kete shkrim.
    e lexova me kenaqesi ashtu si dhe tere shkrimet e tjera te tuat.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin