KU FYTYRA, KU MASKA (III)

Diskutimet për t’i gjetur një zgjidhje kaosit të sotëm në jetën shqiptare zakonisht përfundojnë me nota optimiste, sa kohë që zgjidhja i delegohet “brezit të ri”, ose atij brezi që, ndryshe prej prindërve të vet, është rritur i lirë prej dhunës policore të shtetit dhe, së paku teorikisht, nuk ka pasur nevojë të dyzohet për të mbijetuar.

Megjithatë, edhe vetë pozicioni i brezit të ri në zhvillimet e sotme shqiptare kërkon vëmendje, sidomos për t’u kuptuar prej më të vjetërve. Komunikimi mes brezave është gjithnjë i vështirë, meqë kodet nuk përputhen gjithnjë dhe dëshira për të shkëmbyer informacion ndonjëherë mungon krejt; edhe pse mangësitë e komunikimit gjithnjë kompensohen nga nevoja për transmetim të kulturës, i cili kryhet vertikalisht, dhe në masë të madhe nëpërmjet shkollës.

Prandaj “brezin e ri” nuk mund ta diskutojmë përtej çështjes së arsimit në Shqipëri dhe arsimimit të shqiptarëve në përgjithësi; sidomos në rrethanat kur brezi i vjetër, ose elitat përgjithësisht të shkolluara në vendet e Lindjes gjatë viteve 1950 e që përbënin shtyllën e sistemit të arsimit të lartë atje u detyruan të largohen nga pushteti për arsye moshe, por edhe e kryesisht për arsye të vjetërimit politik të pakthyeshëm.

Avantazhi kryesor i brezit të ri sot është se nuk e ka njohur ndonjëherë frikën, ose detyrimin për jetë a vdekje, për të ndenjur shtrembër e për të folur drejt; as kushtëzimin me refleksin pavlovian të adoptimit të një fytyre publike e të një sjelljeje publike fund e krye të skriptuar.

Sa për disavantazhet, këto të merr tmerri edhe t’i numërosh. Të rinjtë e sotëm iu afruan pjekurisë në një kohë kur shqiptarët erdhën duke e realizuar se atdheu i tyre, Shqipëria, deri dje i vetmi vend socialist në botë dhe fanar ndriçues në Europë, ishte në të vërtetë brima e fundit e kavallit, ose një skutë e braktisur e globit. Ata që u shkolluan në shkolla të mesme e universitete shqiptare gjatë viteve të pështjelluara 1990, u formuan me mangësi të mëdha intelektuale, për faj të krizës së sistemit arsimor të atëhershëm. Kush pati fat, ose vullnetin për të studiuar jashtë Shqipërisë, u gjend i shartuar papritur në një mjedis kulturor të cilit, në thelb, nuk i përkiste. Shto këtu edhe deformimin e pashembullt etik të jetës në Shqipëri, dhe karikaturizimin e role models atje, për të kuptuar se ky “brez i ri” ku i kemi varur shpresat e rimëkëmbjes, ka probleme të vetat ekzistenciale që duhet t’i zgjidhë, para se t’u përvishet problemeve ekzistenciale të shoqërisë shqiptare.

Apo këto ndërmarrje mund të realizohen në mënyrë plotësuese?

Parë së largu, mund të dallohen së paku tri shtresa brenda të rinjve të sotëm elitarë në Shqipëri: kozmopolitët, kombëtaristët dhe fetaristët. Të parët janë shkolluar në Perëndim, në universitete ndonjëherë të kalibrit shumë të lartë, me bursa të financuara nga fondacione të fuqishme e të lidhura ngushtë me eurokratët, ose elita të ngjashme europiane ose euroatlantike. Të dytët, ose kombëtaristët, edhe pse të hedhur dhe ambiciozë, nuk e kanë mbështetjen ndërkombëtare të të parëve, çka e kompensojnë duke përqafuar idealet kombëtariste, të cilat janë gjithnjë komode, sidomos kur është fjala për të mbytur pluralizmin e mendimit, ose për të fituar besimin e turmave. Të tretët kanë marrë edukatë e kulturë fetare, të financuar nga fondacionet përkatëse, islamike e të krishtera.

Konfliktet midis këtyre segmenteve mund të shihen edhe si konflikte midis teknokratëve dhe aktivistëve të OJQ-ve, që gëzojnë mbështetjen e plotë të Perëndimit; dhe kombëtaristëve, të cilët janë shkolluar kryesisht në Shqipëri dhe e njohin mirë terrenin, por nuk e kanë as ekspertizën as mbështetjen e të parëve; në një kohë që grupi i tretë qëndron më në hije, duke parapëlqyer, pas gjase, të qëndrojë larg politikës dhe çështjeve të drejtimit të vendit.

Çështja është nëse këto tri segmente janë vërtet të çliruara përfundimisht nga dyzimi ekzistencial, që karakterizoi aq mirë jetën dhe karrierën publike të prindërve të tyre. Natyrisht, sot nuk mund të bëhet më fjalë për frikë nga dhuna policore e shtetit ose e institucioneve; prandaj dyzimi, në qoftë se ekziston, përftohet në rrugë të tërthorta.

Nga ana tjetër, secili grup përkufizohet nëpërmjet dyzimeve të veta, sado imagjinare.

Elitat teknokratike, të të rinjve të shkolluar në Perëndim, trashëgojnë të gjitha paragjykimet tipike për botën universitare perëndimore, sepse janë kushtëzuar me to – që nga vëmendja e tepruar ndaj politikave të identitetit, korrektesa politike, simpatia ndaj feminizmit radikal, qëndrimet e vendosura pro-abortit, anti-katolicizmi, shqetësimi me çështje dytësore si ato të të drejtave të homoseksualëve, romantizimi i dukurive sociale margjinale (të pastrehët, të sëmurët me SIDA, narkomanët, artistët e rrugës), obsesioni me anti-semitizmin dhe anti-racizmin, refuzimi en bloc i kulturës pop, dhe çuditërisht, indiferenca ndaj çështjeve madhore të politikës, ku hyn edhe një farë mirëkuptimi ndaj totalitarizmit. ­­

Të gjitha këto sisteme referimi funksionojnë, në thelb, nëpërmjet programimit të mendimit, çka përbën vetvetiu arsye për t’u shqetësuar; sa kohë që nuk duam që shpëtimi Shqipërisë t’i vijë nga një klasë robotësh, sado të sofistikuar. Tek e fundit, universitetet në Perëndim kanë për mision të prodhojnë elita për shoqëritë të cilave u përkasin, të cilat kanë probleme dhe kërkesa të ndryshme nga shoqëria shqiptare; sepse shoqëritë në Perëndim kanë nevojë për riprodhim ose stabilitet, ndërsa Shqipërisë ende i duhet evolucion madje transformim i thellë.

Elitat kombëtariste, të shkolluara kryesisht në universitetet shumë të dobëta shqiptare gjatë viteve 1990, janë tendencialisht autoritare, sepse nuk dinë ç’të bëjnë me lirinë e mendimit dhe në përgjithësi nuk e kanë bagazhin intelektual të nevojshëm për t’i folur drejtpërdrejt Europës, së cilës fshehurazi i druhen, për arsye të ksenofobisë. Sikurse e kam thënë disa herë, edhe në këtë blog, kushtet politike të Shqipërisë janë të tilla që vendi duhej të kishte përfunduar, logjikisht, në një diktaturë çfarëdo, të tipit latino-amerikan, e cila do të administronte zhvillimin e kapitalit dhe shpërndarjen e pasurive pa interferenca nga forca politike rivale, duke ndaluar, njëkohësisht, grabitjen. Kombëtaristët, duke përfshirë edhe kombëtaristët e rinj që janë edhe më agresivët, do të ishin mbështetja e natyrshme e një diktature të tillë, e cila sot për sot ekziston si të ishte një ilaç që prodhon efekte anësore pa u nxjerrë fare nga shishja. Meqë ideologjia kombëtariste është e rrënjosur mirë në kulturën shqiptare si e vetmja forcë që i mban shqiptarët të bashkuar “nën flamur”, atëherë ajo vetvetiu imponohet si një program veprimtarish dhe qëndrimesh publike, ndaj të cilit nuk mund veçse të konformohesh.

Çka u mungon, edhe kozmopolitëve edhe kombëtaristëve, është kujdesi për etikën; sepse as të parët as të dytët s’kanë pasur as kohë as ngé që të merren me edukatë morale; meqë të parët kujtojnë se të drejtën mund ta ripërkufizojnë sipas dëshirës, ndërsa të dytët kujtojnë se të drejtën e kanë gjithnjë me vete, meqë luftojnë “për flamur”. Për një pjesë të përçorëve të elitave të shkolluara në Perëndim, e vetmja etikë është aftësia për të dalluar dhe puthur dorën që i ushqen; në një kohë që shumë kombëtaristë priren të quajnë etikë vargonjtë e ideologjisë kombëtariste që i mbajnë të lidhur pas ideve të veta, përgjithësisht të varfra, të skajshme dhe të palatuara. Nga ana tjetër, elitat kozmopolite që kërkojnë pushtet politik janë të detyruara të hiqen si kombëtariste në ballafaqim me bazën zgjedhore ose partiake; ndërsa kombëtaristët ambiciozë janë njëlloj të detyruar të hiqen si pro-integrimit në ballafaqim me të huajt që kanë në patronazh fatet e Shqipërisë sot.

Nuk them dot shumë për fetaristët – përveçse që e di se ekzistojnë, punojnë, gëzojnë simpati në njerëzit e thjeshtë dhe kultivojnë një profil etik shumë më të kulluar se dy grupet e para. Tradicionalisht, këta duhej të anonin nga e djathta; por e djathta në Shqipëri është okupuar prej kohësh nga kombëtaristët, të cilët u kanë lënë shumë hapësirë mes tyre individëve të zhurmshëm, demagogëve virtuozë, radikalëve intolerantë dhe të gatshëm për të përligjur çdo lloj shkeljeje të etikës, përderisa kjo i shërben “kombit”.

Megjithëse elitat kozmopolite janë sot në pozita koniunkturale më të favorshme se të tjerët për të trashëguar të ardhmen së bashku me problemet e shumta të vendit, unë kam frikë se këto nuk do ta luajnë dot rolin prej protagonisti që u kërkohet “shpëtimtarëve” të Shqipërisë; sa kohë që nuk i shmangen dot sundimit prej individësh të kushtëzuar e të stërvitur t’u binden financuesve, fondacioneve dhe ambasadorëve gjithfarësh. Kombëtaristët, nga ana e tyre, ende nuk e kanë gjetur dot një mënyrë efikase për të mposhtur kundërshtarët e tyre më të përgatitur, më të rafinuar, më të kulturuar dhe me krahë më të ngrohta.

Parashikimet janë gjithnjë pak qesharake, por mua më duket se zgjidhja më e mirë që do t’i dhuronte ky brez i ri Shqipërisë do të vinte në momentin kur një fraksion i ndriçuar kombëtaristësh, sado i vogël në numër, ta kuptonte se vetëm duke iu përkushtuar seriozisht etikës në politikë dhe në jetën publike, do të mund të fitonin, në mënyrë të qëndrueshme, mbështetjen e qëndrueshme të bazës, për të cilën kanë aq nevojë në konfliktin me kozmopolitët. Po të pranojmë se thelbi i krizës së sotme sociale në Shqipëri është korrupsioni i shpirtit, atëherë vendin do ta nxjerrë nga kjo krizë vetëm një ekip vizionarësh të pandotur me ekonominë e tregut dhe efektet e saj shpirtërore. Nëse fetaristët do të mund të luajnë ndonjë rol kushedi çfarë në këtë mes, kjo mbetet për t’u parë, edhe pse shumëçka varet nga ecuria e luftrave amerikane në Lindjen e Mesme, dhe procesi i paqes midis Izraelit dhe fqinjëve, që do t’i çlironte disi myslimanët shqiptarë nga stigma e sotme e anti-amerikanizmit.

10 Komente

  1. Çka u mungon, edhe kozmopolitëve edhe kombëtaristëve, është kujdesi për etikën; sepse as të parët as të dytët s’kanë pasur as kohë as ngé që të merren me edukatë morale

    Kujdesi per etiken u mungon edhe prinderve te tyre.

  2. “Elitat teknokratike, të të rinjve të shkolluar në Perëndim, trashëgojnë të gjitha paragjykimet tipike për botën universitare perëndimore, sepse janë kushtëzuar me to – që nga vëmendja e tepruar ndaj politikave të identitetit, korrektesa politike, simpatia ndaj feminizmit radikal, qëndrimet e vendosura pro-abortit, anti-katolicizmi, shqetësimi me çështje dytësore si ato të të drejtave të homoseksualëve, romantizimi i dukurive sociale margjinale (të pastrehët, të sëmurët me SIDA, narkomanët, artistët e rrugës), obsesioni me anti-semitizmin dhe anti-racizmin, refuzimi en bloc i kulturës pop, dhe çuditërisht, indiferenca ndaj çështjeve madhore të politikës, ku hyn edhe një farë mirëkuptimi ndaj totalitarizmit. ­­”

    Ketu nuk jam shume dakort me xhaxhain pasi futen me nje thes te gjithe. Ka shume ndryshime brenda grupit te atyre qe shkollohen jashte. Ne radhe te pare ka ndryshim te madh mes atyre qe ju paguhet studimi nga prinderit apo nga fondacionet e ndryshme dhe atyre qe e financojne vete ate. Ne pergjithesi ata qe e financojne vete studimin jane me kembe ne toke, e njohin perendimin jo vetem nepermjet jetes universitare por edhe nepermjet punes. Keta jane shume imune ndaj paragjykimeve qe ka paraqitur xhaxhai me siper. Poashtu ka ndryshime midis atyre qe vijne nga qendrat e medha urbane te Shqiperise dhe atyre qe vijne nga zonat rurale. Pra grupi i atyre qe jane shkolluar jashte eshte shume miks dhe nuk eshte e lehte ti atribuosh te gjitheve cilesi te caktuara.

    Une jam nga ata qe e kane mbaruar gjimnazin ne fund te viteve 90-te. Mund te them qe deri para 97-tes megjithe veshtiresite nga nderrimi i sistemit shkollat fillore/gjimnazet (te pakten ne Tirane) kane qene ne nivel te pranueshem. E them kete pasi te pakten ata qe shkuan jashte per te studiuar dhe vazhduan dege shkencore/inxhinierike ku njohurite e gjuhes dhe kultures te vendit prites nuk jane vendimtare kane dale pergjithesisht me rezultate te mira ose shume te mira. Pas 97-tes per aresye te ndryshme nder te cilat spikaste korrupsioni dhe papergjegjshmeria filloi renie e dukshme ne nivelin e gjimnazeve. Pra per mendimin tim krizen e vlerave e te arsimit e kane ndjere ne fuqine e tij te plote ata qe kane mbaruar gjimnazin ne vitet 2001-2005 dhe jo ata te viteve 90.

  3. …si rregull ata qe nuk shquheshin nga intelekti, paten aftesi me te medha per te mbijetuar. Keta njerez duke njohur mangesite e veta dhe superioritetin intelektual te kundershtareve te tyre, duke pasur frike se nuk ia dilnin dot ne debate ose se kundershtaret e tyre mendjemprehte mund te tregoheshin me te afte ne intriga, ata u hodhen drejt e ne veprim; kundershtaret e tyre, me besimin e tepruar ne vehtevete se ata do te mund te shihnin qe heret se cfare po ndodhte, e duke mos menduar qe ta merrnin me force ate cka mund ta siguronin me ane te politikes, ishin me te kollajtet per tu shkaterruar sepse u gjenden krejt te papregaditur…

  4. Nuk mbetet asgje per t’u pare ne ecurine e Lindjes se Mesme dhe Shqiperise sepse ne te paren pothuajse nje gjysem shekulli, dhe ne te dyten per nje shekull te tere, paraqiten maska, te cilat per me teper nuk jane as te ndryshme, por duken te tilla vetem nga pikpamja sociologjike, tamam pikpamja me te cilen Xha Xhai ka levruar temen e dyzimit ne serine e fundit Maska III. Paraqitja e dyzimit nepermjet trizimit te elites ndare ne kozmopolite, kombetariste dhe fetariste eshte safi perqasje sociologjike, e cila ndarje krijon problemin e shumefishimit te dyzimit sepse dikush tjeter mund t’i ndaje ne kater, pese, gjashte, infinit kategori, dhe ne fakt shoh me siper reagimin e nje personi qe nuk pranon te njezohet ne kafaz me te tjere. Pra sociologjia nuk e shpjegon dyzimim, shume shume e pershkruan nepermjet shumefishimit, pra na jep nje maske me teper, pa treguar fytyren e vertete. Ngul kembe si mushka se ne Shqiperi, si kudo tjeter vend ne bote, nga cdo pikpamje ta shohesh – qofte edhe nga ajo sociologjike -, ka vetem dhe vetem nje dyzim: midis mendesise fetare dhe mendesise laike ose thene simbolikisht midis tokes dhe qiellit, i cili dyzim del ne pah ne epoken moderne, dhe madje epoka moderne mund te perkufizohet si casti historik kur dyzimi ne fjale merr formen e nje konflikti kercenues per njerzimin dhe planetin. Them del ne pah sepse para epokes moderne – e ashtuquajtur tradite ose kohe e Baba Qemos ku qenia e botes tjeter nuk vihej ne dyshim pa rrezikuar cmendine dhe burgun (thene me ironi se institucioni i cmendines dhe burgut ideologjik shpiken ne epoken moderne) -, konflikti ne fjale ekzistonte i fshehte midis dogmes dhe gnos-it, dhe nuk behet fjale per nje periudhe historike 2000 ose 6000 vjecare, por per parahistorine, per fillesen e kultures, kur majmuni i njesuar, i bindur se ekzistonte vetem dhe vetem kjo bote, u dyzua, per shkak te misteriozit “faktor X” te evolucionit, dhe filloi t’i’a beje me sy edhe botes tjeter. Pervec se me sy, filloi t’i’a beje edhe me dore, duke prodhuar artin e shpellave – cuditerisht i nje niveli shume te mire qe del nga hici pa precedence -, i cili eshte e vetmja deshmi konkrete jo vetem per fillesen e prodhimit artistik, por edhe prodhimit fetar (ritualit fetar) dhe prodhimit filozofik (interpretimit simbolik). Me fjale te tjera prodhimi kulturor ze fill prej shamanit, te dyzuarit qe eksperimenton te Pertejmen – te ndjere njesoj si kete bote -, nepermjet teknikash nga me te ndryshme: gelltitje bimesh alucinogjene, zhytje ne uje te ftohte, uri deri ne shterim fizik, kercime rraskapitese si dervishet, etj. (Teza nuk eshte e imja, per te interesuarit ne blog mund te informoj per literaturen perkatese).
    Qe te kthehemi aty ku e keshme llafin – dmth tek shembulli tejet i gjetur i Xha Xhait per dyzimit e Milosz (lene menjeane dyzimin e Kadarese qe cmend gomarin, por jo shqiptarin) -, theksoj se citimet qe Xha Xhai sjell nga Milosz i takojne nje kohe te hershme kur ai shkalafitej sa andej kendej per t’i mbushur mendjen te tjereve dhe vetes per dyzimin e tij midis disidentit dhe diplomatit ne sherbim te regjimit (nuk i mohoj aspak meritat e tij si nje prej nismetareve kryesore te betejes disidente). Veterrefimi i tij te vertete gjendet ne librin e vone “Toka e Urlo-se”, shkruar kur diplomate komuniste dhe disidente antikomuniste nuk dukeshin me gjekundi (pervecse ne libra me kujtime), ku rrefehet si gnostik – ne nje forme postmoderne duke perzjere bashke laicizmin dhe neokatolicizmin -, dhe qe zanatin e ka te trasheguar brez mbas brezi si shamanet, te cilet ishin mjeket e lashtesise, dmth pervec te tjerash synonin te sheronin dhe vetem te sheronin duke vene ne rrezik edhe koken, sepse dinin mire se nuk behet shaka me thirrjen e “fuqive ajrore”, dhe shtigjet me tela me gjemba dhe mina te se Pertejmes.
    Me aq sa njoh llojin e shamanizmit te Milosz, nje lloj fetarie postmoderne nje kufi te ezoterizmit, kam mjaft dyshime per sherimin qe i ka sjelle njerzimit vepra e tij artistike, dhe shume te tjereve te ngjashem me te. Per saktesim citoj nje pergjigje te Xha Xhait ne “Maska (II)” postuar tek “Peshku”:

    “Em, nuk e ve ne dyshim talentin absolut te IK (Ismail Kadare). Sipas interpretimit tim, dyzimi, ose Ketmani vetem sa do te kishin ofruar energjine per te krijuar, shtysen, karburantin. Psikologjia e krijimit artistik nuk eshte fusha ime, dhe nuk flas dot me siguri; por besoj te gjithe do te biem dakord se, per te krijuar, eshte e nevojshme nje carje, nje disnivel, nje tension midis dy buzeve te honit; dhe vete krijimi eshte nje orvatje per t’i bashkuar brigjet, ose per te gjetur nje kompromis. Perballe te njejtit tension dyzues, dikush do te dorezohet krejt e do ta humbase personalitetin; nje i dyte do te arratiset ne Greqi; nje tjeter do te semuret menderisht e do te perfundoje me benzodiazepina; nje i trete do te shnderrohet ne sadist dhe do te zbavitet duke rrahur te burgosurit ne qelite e Sigurimit; me ne fund, nje i katert do te krijoje vepra arti te pavdekshme. Natyrisht, ky i katerti duhet te kete edhe talentin e jashtezakonshem, ne menyre qe “neuroza” e tij artistike t’u flase te gjitheve, e ta psikanalizoje lexuesin mbare, duke e qetesuar, e duke e mbajtur larg portave te spitalit no. 5 (psikiatrikut)”.

    Sa me siper e firmos edhe vete, vetem me nje kusht qe shamani modern te jete i bindur, njesoj si shamani primitiv, qe bota tjeter ekziston, sepse nese vepra e shamanit gnostik – i cili quan tensionin midis te mires dhe te keqes ose Zotit dhe Djallit si te amshuar – nuk merret vesh mire sheron apo infekton njerzit me dyzimin ose psikozen e tij personale, ne rastin e shamanit qe e ka bere mendjen top se bota tjeter nuk ekziston kemi te bejme me njezim, ose ne nje variant te degraduar dyzimi qe e nxjerr kete bote si maske qe maskon hicin. Shembulli me i mire eshte tregimi i famshem i Poes me titull “Maska e vdekjes se kuqe”, pare prej shumekujt si parabole profetike per ardhjen e komunizmit. Nga kjo pikpamje termi komunizem zgjerohet duke treguar me perkufizim nje shoqeri qe mohon publikisht ekzistencen e botes tjeter, efektin e saj shkakesor per prodhimin e vepres kulturore, sherimit te individit, shpetimit te kombit, botes etj. Nje shoqeri ku 99% e te intervistuarve ne rruge dhe ne sallone mondane elitare konsideron alucinacion cdo dukuri te Pertejmes, eshte 99% komuniste edhe sikur t’i funksionoje persosur ekonomia e tregut.

  5. Agjent, kontributi yt në këtë temë më duket jashtëzakonisht i vlefshëm, madje i tillë që e shtyn analizën shumë më thellë se ç’e kisha përfytyruar unë. Dua të sqaroj diçka, megjithatë, në lidhje me arsyetimin tënd se:

    Paraqitja e dyzimit nepermjet trizimit te elites ndare ne kozmopolite, kombetariste dhe fetariste eshte safi perqasje sociologjike, e cila ndarje krijon problemin e shumefishimit te dyzimit sepse dikush tjeter mund t’i ndaje ne kater, pese, gjashte, infinit kategori, dhe ne fakt shoh me siper reagimin e nje personi qe nuk pranon te njezohet ne kafaz me te tjere. Pra sociologjia nuk e shpjegon dyzimim, shume shume e pershkruan nepermjet shumefishimit, pra na jep nje maske me teper, pa treguar fytyren e vertete. Ngul kembe si mushka se ne Shqiperi, si kudo tjeter vend ne bote, nga cdo pikpamje ta shohesh – qofte edhe nga ajo sociologjike -, ka vetem dhe vetem nje dyzim: midis mendesise fetare dhe mendesise laike ose thene simbolikisht midis tokes dhe qiellit

    Në të vërtetë, kur i ndava më tresh elitat e reja, kisha parasysh kategoritë e shkollave që kanë ndjekur (perëndimore laike, shqiptare dhe fetare); sepse kur flasim për të rinj, shkollimi do të vijë doemos në vështrim para rrethanave të tjera. Në mendjen time, dyzimi shfaqet në forma specifike në secilin nga këto grupe; edhe pse mund të ketë të njëjtën origjinë ekzistenciale.

  6. Faleminderit Xha Xha! Kisha vertet nevoje per kete vlersim sepse ne kete blog po me dukej sikur rrihja ujet ne havan, me te vetmin rezultat ngacmimin e nervave te te tjereve. Ne lidhje me verejtjen tende te fundit, ndarjen ne tresh qe i ben elitave e kam kuptuar si nje perpjekje sociologjike per te ilustruar dyzimin ekzistencial, ne kuptimin qe format e jashtme sociale jane materializime te se brendeshmes shpirterore (permases ekzistenciale). (Pikerisht ne kete menyre e kam trajtuar edhe ne fjalosjen time te fundit, por meqe ishte teper e gjate, cfare lexon ne postimin e meparshem eshte thela qe ka mbetur prej kokoshit te katandisur nje thele). Tani, mbas verejtjes tende, me perhumbet thelbi i Maskes III, nuk kuptoj funksionin e pershkrimit te peisazhit elitor shkollor ne nje shkrim qe trajton ne tre puntata dyzimin, masken, fytyren etj.

  7. Agjent, e kisha fjalën që, secili nga të tre grupet (kozmopolitë, kombëtaristë, fetaristë) e përjeton dyzimin në mënyrën e vet.

  8. Xha Xhai, e kam fjalen qe grupi kozmopolit dhe grupi kombetarist jane dy faqe te se njejtes medalje, gje qe perjeton cdo proces revolucionar qe fillon si kozmopolit perparimtar dhe perfundon si kombetar xhandar. Revolucionarizmat njeshekullore shqiptare nuk bejne perjashtim nga ky rregull, por rasti me i paster eshte elita ruse qe e ka care historine me shpate ne dore si qenie hibride me dy krere kozmopolit-filosllav, dhe ku personalitetet hovin si pa te keq nga nje pozicion ne tjetrin. Kush njeh sadopak historine e Rusise nuk habitet me faktin qe ishdisidenti Solzenicin sot mbeshtet Jelcinin (i cili ne Berlinin Lindor kishte per detyre pikerisht pergjimin e disidenteve te syrgjynosur ne perendim), ndersa nga anet tona me faktin qe ishdisidenti qe ka lexuar me rrezik burgu Sarterin, Xhojsin, Kamyne, Frojdin, etj, enderron te shpetoje kombin nepermjet xhandarmerise. Kush njeh sadopak farfuritjen e pabese te dyzimit ekzistencial nuk habitet me faktin sociologjik qe studentet e revolucionit iranian, nuk kishin studjuar ne Afganistan, por ne shkollat me te mira te Evropes, dmth ata qe risollen ne mode ferexhene ishin po ata adoleshente pucrranjose qe nen efektin e testeronit “i’a lypnin” bjondeve evropiane. Pa qene pune lugati nuk behet!

  9. Agjent, meqë po flasim për dyzimin si faktor në historinë e Rusisë (Bashkimit Sovjetik) këto 150 vjetët e fundit, nuk rri dot pa shtuar që revolucioni bolshevik atje dhe katastrofat që e pasuan, që prej luftës civile, vdekjet masive nga uria në Ukrainë e gjetiu, spastrimet staliniste gjatë viteve 1934-1939, e ashtu me radhë deri më sot me pozicionimet e çuditshme të Solzhenjicin-it dhe përplasjet e Putinit me oligarkët, nuk mund të kuptohen mirë pa marrë vesh rolin që luajtën hebrenjtë e Rusisë si pjesë e elitave bolshevike dhe në përgjithësi të majta. Deri edhe vetë termi kozmopolit ka qenë përdorur rëndom si fjalë kyç për hebrenjtë, për të evituar akuzat për anti-semitizëm në rast sulmesh të drejtpërdrejta. Roli i këtyre në revolucion dhe në udhëheqjen bolshevike gjatë viteve 1905-1929 ka qenë i dorës së parë, për arsye që dihen; dhe lidhjet e tyre horizontale me revolucionarë të tjerë hebrenj në Europë dhe përtej Atlantikut do të shërbenin si bazë për “eksportimin” e revolucionit.
    Një nga dramat më të mëdha të revolucionit rus, e cila çoi në asgjësimin fizik të miliona njerëzve dhe në vuajtje të pashembullta të shumë miliona të tjerëve, e pat zanafillën në përplasjen midis një nacionalisti të vrazhdë sllavofil si Stalini (ironike, po të kihet parasysh që ky ishte gjeorgjian), njeri relativisht i pagdhendur dhe anti-intelektual, me elitat e hebrenjve në krye të Partisë Komuniste të BS – të mishëruara në figurën e Trockit. Sot ndoshta ekziston prirja për ta analizuar këtë përplasje si luftë për pushtet, mirëpo në të vërtetë Stalini dhe Trocki kishin pikëpamje krejt të kundërta për mënyrën si do të zhvillohej revolucioni. Gjithsesi, Stalini – ky ish seminarist ortodoks i provincës, që kishte një frikë ose neveri pothuajse viscerale për Perëndimin, liberalizmin, iluminizmin dhe intelighencien ruse – ia doli të eliminojë të gjithë rivalët e vet, hebrenj dhe johebrenj, shumica intelektualë, revolucionarë profesionistë, njerëz të pushkës dhe të penës, kuadro të larta të Kominternit, artistë të shquar, shkencëtarë, ushtarakë të talentuar.
    Ka nga ata studiues që thonë se edhe pakti Sovjeto-Gjerman i mos-sulmimit nuk do të kish ndodhur, sikur Stalini dhe Hitleri të mos kishin gjetur një bazë të përbashkët në bindjen se hebrenjtë ishin agjentë kozmopolitë të borgjezisë perëndimore dhe faktorë të degjenerimit ekonomik, politik, ideologjik, moral dhe estetik.
    Në mënyra të ndryshme, ky konflikt ka vazhduar edhe sot e kësaj dite – mjaft të shihet ngritja e Putinit në kundërvënie shpesh vdekjeprurëse me oligarkët, një pjesë e të cilëve janë hebrenj, madje kanë edhe pasaportë të Izraelit; mjaft të shihet edhe një nga librat e fundit të Solzhenjicin-it, i cili përshkruan në hollësi marrëdhëniet e rusëve me hebrenjtë, gjatë dy shekujve të fundit; e që nga disa anë është konsideruar si anti-semit.
    Ta kam fjalën që, në Rusi, kundërvënia midis kozmopolitëve dhe nacionalistëve është edhe shprehje e përbërjes etnike ose të paktën etniko-kulturore të elitave politike dhe ekonomike dhe kulturore atje, pra është një dyzim i vetëdijes kombëtare që jo gjithnjë përthyhet si dyzim vetëdijesh individuale; pa përmendur pastaj faktin që Stalini, sado që vetë ateist i bindur, ishte në thelb mishërim i despotizmit ortodoks bizantin; dhe sot e kësaj dite nacionalizmi dhe ortodoksia, në Rusi, shkojnë krah për krah, siç ta vërteton edhe Solzhenjicini vetë…
    Ne në Shqipëri hebrenj nuk kemi pasur; edhe pse historikisht, një rol të ngjashëm me atë të hebrenjve e kanë luajtur, besoj unë, pakicat ortodokse shqiptare dhe vllahe, të paktën që nga Rilindja e këtej; të cilat, ndoshta edhe në aleancë me bektashinjtë, janë treguar më intelektuale, më kozmopolite dhe më “revolucionare” sesa shqiptarët katolikë dhe myslimanë sunitë. Unë për këtë kam shkruar gjatë gjetiu, nuk dua të përsërit veten; por po mjaftohem vetëm të them, tani, se normalisht një vend udhëhiqet gjithnjë nga pakicat – për ç’arsye edhe demokracia si nocion është pak kontradiktore në vetvete; por kjo nuk ka shumë të bëjë me temën tonë.

  10. Xha Xha me ke mitraluar me nje bresheri informacioni sa qe nuk di se per cfar te pergjigjem me pare. Lexova edhe shkrimin tend “Bizantinet shqipetare” dhe me duket shume i mire. Mendoj se gjithe mosmarrveshja jone ne postimet e fundit qendron se une ngul kembe qe format e jashtme sociale jane manifestime te se brendeshmes, shpirterores, qiellores, etj, ndersa t’i e kundeshton kete, megjithse terthorazi. Citoj nje shprehje tende ku e nxjerr koken disi qarte kundeshtimi:

    “Ta kam fjalen qe, ne Rusi, kundervenia midis kozmopoliteve dhe nacionalisteve eshte edhe shprehje e perberjes etnike ose te pakten etniko-kulturore te elitave politike dhe ekonomike dhe kulturore atje, pra eshte nje dyzim i vetedijes kombetare qe jo gjithnje perthyhet si dyzim vetedijesh individuale”.

    Me fjale te tjera une shtroj problemin nga pikpamje teologjike, t’i pergjigjesh me nje batare ceshtjesh sociologjike, historike, socio-ekonomike, etj, dicka e ngjashme ka ndodhur – nese te kujtohet – qe me nderhyrjen time te pare ne kete blog qe perfundoi ne nje shamata pa pike kuptimi. Per arsye historike qe dihen, dhe situata te vojtura qe dihen akoma me mire, intelektuali shqiptar ka nje reagim alergjik ndaj teologjise dhe aq me teper fese te konsideruar jo vetem si fenomen sociologjik, por edhe si impenjim total i personit ne pergjithsi, konsideruar pune e priftit, hoxhes, naivit, gjysem injorantit, katundarit, psikopatit etj. Ne kete rast reagimi emocional prish shume pune sepse nuk eshte e thene qe pikpamja teologjike ose providenciale te jete ne kundeshtim me pikpamjen sociologjike dhe politike, fare mire pikpamjet mund te ndihmojne njera tjetren ne sqarimin e mistereve te shkencave njerzore (per kujtese teologjia – dmth logjika e Zotit – eshte mami dhe babi i gjithe disiplinave intelektuale dhe veprimtarive shoqerore, deri edhe turizmi laik dikur aplikohej si vizite ne vendet e shenjta). Nese feja dhe politika jane divorcuar ne realin modern, midis tyre nuk eshte e thene qe t’a vazhdojne lojen e tyre te vjeter ne forma te degraduara te perkatesisht ezoterizmit dhe esoterizmit (libri i ishsekretarit politik Ben Blushi eshte nje kontribut ne kete drejtim), dhe eshte pikerisht kjo loje me forma te degraduara fetare qe ka pjelle shtetkombin, revolucionin, fashizmin, nazizmin dhe komunizmin, dukuri qe nuk mund te kuptohen kurre te interpretuara vetem nga pikpamja historike, sociologjike, ideologjike, politike etj. Nuk mund te trajtohet ceshtja hebraike vetem si ceshtje sociologjike e rolit te pakicave kombetare ose fetare, pa konsideruar se eshte i pari popull ne histori qe e konceptoi fene si projekt politik providencial per t’u zbatuar ne terren. Vetem pikpamja providenciale mund te ndricoje dicka ne misterin se perse ky popull i lashte mbijeton akoma, nderkohe qe bashkohesve te tij u ka mbetur vetem emri, perse perlyhet ne te gjitha salcat e pilafit providencial te shek. XX (pershkruar sociologjikisht ne postimin tend), perse u be shtetkomb kur shtetkombi mori fund si koncept dhe linden blloqet (jo rastesisht shteti i Izraelit krijohet ne 1948-en, viti i fillimit te Luftes se Ftohte), dhe perse vazhdon akoma gerr-verri rreth tij edhe ne kete shekull qe po ribehet i vetedijshem per ceshtjen e harruar fetare nepermjet veprave artistike te Bin Ladenit, Ben Blushit, Dan Braunit dhe Selmanit te Ruzhdies qe vajton me kuj e lote: “Bir Selmani i nenes ke te qaj me pare!”.
    Megjithse ceshtja hebraike, e trajtuar ndryshe – nga pikpamja providenciale – vlen shume per te sqaruar ceshtjen e dyzimit, me duket e futur artificialisht ne muhabet, sepse shembulli i marre prej meje i Solzenicinit dhe Putinit ishte krejt i rastit. Fare mire mund te kisha marre fjala vjen Pjetrin e Madh, ne kohen e te cilit ceshtja hebraike ishte e fjetur (hebraizmi zgjohet nga gjumi letargjik prej Revolucionit Francez, dhe eksplodon ne shekullin e XIX), me te cilin ze fill kacafytja ruse laik-fetar, e qe me pas vazhdoi ne forma te degraduara kozmopolit-sllavofil. Ne kete rast Tirani nuk “kishte nje frike ose neveri pothuajse viscerale per Perendimin, liberalizmin, iluminizmin dhe intelighencien ruse”, perkundrazi ne emer te idealeve te ndritshme te Perendimit masakroi disa qindra mija bashkepatriote ne menyre qe vendi te kishte nje dritare ne Perendim, e qe me pas u be kryeqender e vendit. Shtoj se per me teper ne emer te ketyre idealeve vrau edhe te birin, qe nga cdo pikpamje ta shohesh – ndoshta pervec asaj sociologjike qe i konsideron njerzit si individe ne qiej abstrakte – do te thote krimi i dyzuar deri ne absurd i asgjesimit te te ardhmes ne emer te ardhmes (te garantuar prej progresit). Edhe nje te fundit, legjenden e Stalinit si i pagdhendur dhe anti-intelektual, te sajuar prej intelektualeve te dyzuar evropiane per te shpetuar fytyren dhe qetsuar ndergjegjen si trockiste (e ngjashme me nje tjeter legjende akoma me te vjeter me Lenin te mire intelektual dhe Stalin te keq analfabet), mos e trego me se edhe ne Evrope mbas 89-tes eshte jasht mode. Megjithse ne Shqiperi mund t’a tregosh, perderisa qarkullon nje akoma me e bukur me Enver te pagdhendur dhe anti-intelektual dhe me Mehmet intelektual te gdhendur ne shkollen e Fullcit (te Polikumi).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin