TË MBIJETOSH ME MUZIKËN

Një tastierë elektronike e paraprogramuar e mban ritmin shumë më mirë e më saktë se edhe më skrupulozi i muzikantëve; por veshi, madje edhe i pastërvitur, e dallon natyrën e ftohtë, mekanike, aritmetike të kësaj saktësie nga pasaktësitë dhe lëkundjet e ritmit të përftuar nga dora e një muzikanti çfarëdo. Edhe pse çdo pjesë muzikore do luajtur me saktësi, njëtrajtësi dhe koherencë, përsëri janë luhatjet e vogla, ulje-ngritjet, dridhjet, vonesat infinitezimale dhe lëkundje të tjera njerëzore që e shndërrojnë interpretimin muzikor në komunikim midis muzikantit dhe publikut.

Ndonjë muzikant i madh, si Rachmaninoff, ka protestuar në kohën e vet ndaj riprodhimit mekanik të eventeve muzikore në pllaka gramafoni ose transmetimit të tyre radiofonik, duke argumentuar se, bie fjala, koncertet për piano dhe orkestër janë konceptuar dhe kompozuar në mënyrë të tillë që të mund të funksionojnë estetikisht vetëm në sallë, kur kontakti midis publikut nga njëra anë, dhe muzikantëve nga ana tjetër, është i pandërmjetëm (edhe Rembrandt-in, tek e fundit, nuk e shijon dot duke e parë të riprodhuar në një emision përkujtimor pullash poste). Ky argument sot tingëllon pak i dëshpëruar, në kushtet kur të gjithë e kalojmë ditën me kufje në vesh, duke e dëgjuar muzikën nga brenda, jo nga jashtë. Megjithatë, vështirë të mos shohësh një paralelizëm midis progresit të teknologjive të riprodhimit mekanik të muzikës dhe rrëgjimit estetik të konsumit të muzikës vetë, ose shndërrimit të këtij arti në diçka ornamentale, anësore dhe të papërfillshme, si tatuazhet e futbollistëve ose motivet në tekstilet e fustaneve të kukllave.

E gjithë kjo varet, në analizë të fundit, nga çfarë kërkojmë pikërisht prej muzikës: zbavitje, terapi apo transhendencë? Muzika vetë i ka mundësitë që t’u shërbejë njëlloj edhe derrave edhe Sokratëve; prandaj nuk është për t’u qortuar pse zhvillimet sociale janë të tilla që të favorizojnë të parët ndaj të dytëve – aq më tepër që të parët gjithnjë të favorizuar kanë qenë. Megjithatë, në shek. XIX një simfoni e re e Beethoven-it ose e Brahms-it, bie fjala, përbënte një event të shumëpritur, madje përcaktues për botën e qytetëruar; ndërsa sot muzikën serioze jo vetëm e kompozojnë por edhe e konsumojnë vetëm muzikantët.

Dëmin më të madh progresi teknologjik ia ka sjellë raportit të masave me muzikën. Elitat gjithnjë i kanë mundësitë për ta shijuar Bach-un ose Chopin-in live, në salla me akustikë të mrekullueshme e të interpretuar nga artistë virtuozë të pashembullt; ndërsa miletit i ofrohen gjithnjë e më tepër pisllëqe ose plehra të ricikluara, por të konfeksionuara bukur. Në vende të prapambetura por ambicioze si Shqipëria, fati i muzikës si art ka mbetur në duar të organizatorëve të ahengjeve dhe të sipërmarrësve të night clubs e të restoranteve për VIP-a. Në një vizitë dikur në fillim të viteve 1990, kam parë Ibrahim Madhin t’i binte violinës në hotel “Dajti”; sikurse kam dëgjuar më pas turbo-folk dhe shëmti të tjera të pashembullta të buçitnin nga dyert e hapura të kafeve, ose dritaret e hapura të shtëpive. Thuase faza masturbatore është e pashmangshme, sa herë që arti kërkon të martohet me ekonominë e tregut, ose më keq akoma, me tregtarët.

Çfarë ka humbur në këtë mes, është raporti i publikut me muzikën vetë; sepse gjendja e sotme nuk është aq rezultat i nivelimit të shijeve nga poshtë ose triumf i estetikës së vulgut, sesa imponim i koncepteve, praktikave dhe reflekseve të mbrapshta të tregut muzikor, ose të tregut në përgjithësi, që synojnë ta shndërrojnë publikun në masë blerësish dhe konsumatorësh të produkteve që kërkojnë të paraqiten si art por që nuk janë veçse junk.

Edhe vetëm 20-30 vjet më parë, shqiptarët e kishin ruajtur një raport tjetër, më të shëndetshëm me muzikën. Unë mbaj mend, nga fëminia, që kur mblidheshim ndonjëherë për festa, me kushërinj e të afërm, do të vinte gjithnjë momenti për të kënduar – labçe. Mua kalamanit më pëlqente veçanërisht kënga e “unazës”, sepse asaj mund t’ia modifikoje pak tekstin sipas rastit, duke përmendur edhe emrat e të pranishmëve. Të kënduarit polifonik është shumë i vështirë për kë s’është rritur me të; madje ngjan deri diku me teatrin muzikor, meqë këngëtarët u përshtaten deri diku edhe roleve që kërkon vetë kënga. Teknika e të kënduarit ka qenë përcjellë, për shekuj me radhë në mos mijëvjeçarë, në rrugë intuitive ose nëpërmjet pjesëmarrjes në proces. Natyrisht, edhe sot e kësaj dite mund të dëgjosh grupe folklorike që “e qajnë” ison; por tashmë hendeku midis interpretuesve dhe publikut nuk mund të mbushet më; meqë brezat e kanë humbur teknikën për të kënduar në mënyrë polifonike, dhe nuk e rekuperojnë dot edhe sikur të duan.

Në muzikë ka gjithnjë një dallim të madh, madje themelor, midis eksperiencës pasive, të dëgjuesit; dhe eksperiencës aktive. Deri edhe në një premierë simfonike në Lincoln Center, do të shohësh dikë në publik që ta mbajë ritmin me këmbë, ose të shkundet me ritmin e rapsodisë së Liszt-it që po luhet në skenë; pa folur pastaj për ritualet e shkëmbimeve midis këngëtarëve dhe publikut në rock-un e arenave. Megjithatë, kur flas për eksperiencë aktive, unë e kam fjalën më tepër për evente të tilla triviale si të kënduarit në autobus në Qafë Thanë, ose në një festë datëlindjeje. Në vitet 1970-1980 njerëzit ktheheshin nga ekskursionet me zë të ngjirur, nga këngët korçare. Kjo lloj eksperience, sado e sipërfaqshme, nuk mund të krahasohet me të dëgjuarit e një kënge të riprodhuar nga altoparlanti i një sistemi hi-fi, ose edhe drejtpërdrejt në sallë.

E kam fjalën që përparimi teknologjik në fushën e riprodhimit muzikor e ka pasivizuar publikun deri në atë shkallë, sa ky të vijë duke e konsideruar muzikën gjithnjë e më tepër si sfond, ose si objekt për t’u konsumuar përkundrejt zbavitjes, ose kënaqësive të tjera pak a shumë të cekëta. Po a mund të përshëndetet kjo dukuri si progres ose demokratizim i artit, thjesht ngaqë tani kushdo mund të shkarkojë një MP3 të një nokturni të Chopin-it, ose të dëgjojë një sonatë të Bach-ut të luajtur nga një korean në YouTube; pa përmendur Bleonën dhe Çiljetën? Me fjalë të tjera, a ka kuptim që trivializimi i muzikës në ekonominë e tregut të konsiderohet si e vetmja alternativë ndaj utopisë që kushdo të jetë në gjendje të luajë një Impromptu të Schubert-it në piano?

Këtu nuk e kam fjalën për ato familje që ende duan t’u mësojnë fëmijëve “një vegël”; sepse shumë herë kjo ndërmarrje pak a shumë snobësh thjesht ua mërzit fëmijëve muzikën për vdekje, duke i bërë pastaj gati për ’50 cents’. Mua më shqetëson më tepër efekti afatgjatë i këtij reduktimi kaq drastik të rolit të muzikës në jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm – jo të elitave. Tradicionalisht, muzika u ka shërbyer njerëzve si instrument themelor për riprodhimin e identitetit vetjak, familjar, fisnor dhe të komunitetit: që nga këngët e djepit, te këngët e lojërave të fëmijëve, këngët e dasmave, këngët epike përcjellë me lahutë e çifteli, këngët e punës e vajtimet e të vdekurve; dhe e ka kryer këtë shërbim jo në mënyrë ornamentale e si kolonë zanore, siç kujton shumëkush sot, por si pjesë integrale e eksperiencës. Edhe përdorimi tradicional i muzikës në liturgji njëlloj provon se muzika është e vetmja në gjendje të hapë disa dyer perceptimi sipëran, që fjala e folur ose e shkruar, ose ndjesia e të qenit së bashku nuk i hapin dot.

Po çfarë dyersh të eksperiencës hap vallë konsumi komercial i muzikës?

Nuk ushqej ndonjë iluzion, as nostalgji për mënyrën tradicionale të jetesës në përgjithësi, meqë jam i vetëdijshëm se sa e ritualizuar ka qenë dhe si përkufizohej individi nëpërmjet raporteve të drejtpërdrejta me bashkësitë rrethuese (familjen, fisin, derën, oxhakun, bajrakun, lagjen, fshatin e kështu me radhë); sikurse e kam të qartë edhe që eksperienca muzikore gjithnjë ekzistonte në shërbim e vartësi të këtyre integrimeve të detyruara. Përkundrazi, më vjen keq për pasivizimin e publikut përballë teknologjisë së riprodhimit; dhe kjo jo vetëm në lëmë të muzikës, të cilën po e përdor këtu edhe si shembull për fusha të tjera të eksperiencës estetike. Dje bariu në majë të malit i binte fyellit; sot ndoshta dëgjon muzikë me iPod, por fyellit nuk di t’i bjerë më, as di të bëjë një fyell vetë, as njeh njeri që t’ia bëjë një fyell, as ndjen ndonjë nevojë për t’i rënë fyellit ose ndonjë instrumenti tjetër çfarëdo. Në dyqan një MP3-player kushton shumë më lirë se një fyell, ndërsa meloditë që përcjell radioja, televizioni ose CD-të nuk mund të luhen me fyell. Edhe sikur të zhvendosem nga atmosfera baritore me fyej e trëndelina drejt qyteteve dhe klimës elektrizuese të metropoleve, nuk mund të mos vërej se edhe sot e kësaj dite të rinjtë që mësojnë kitarën e kanë më të lehtë t’i bien një kënge të Beatles, sesa një kënge të Tool, ose Radiohead. Gjithnjë e mrekullueshme për t’u dëgjuar, muzika e Beatles të fton edhe ta këndosh vetë, mundësisht në grup me njerëz që janë të afërt me ty e që të afrohen edhe më nëpërmjet eksperiencës së përbashkët. Sa vetë i janë qasur kitarës e kanë gjakosur mollëzat e gishtave vetëm e vetëm për të mësuar akordet e ‘Yesterday’, ose për të kënduar ‘Hey Jude’?

1 Koment

  1. Shoh tingull; nga tema per Harp, tek kjo teme “Te mbijetosh me muziken”.
    Shperblehem me muzikalitetin e shkrimeve. Po ku ishte muzika! Mund te argumentoj me veten. Po ashtu, nuk pyet edhe muzikanti i nji lloji muzike, kerkues i llojit te vet?
    Njeriu thuhet te ket lindur-udhetuar, rrethuar me krijimin. Ajo ka ndryshuar njeriun, dhe, ky i fundit ate.
    Mbijetesa, eshte e llojeve aq te ndryshem sa edhe lloje muzike jane.

    Sa per te cytur, xha xhai thote:
    “… kjo varet, në analizë të fundit, nga çfarë kërkojmë pikërisht prej muzikës: zbavitje, terapi apo transhendencë?”

    Argumenti rrjedh ne logjiken, ‘sikur muzika eshte e destinuar te jete produkt yni, dhe jo ne te njejtin raport si krijim, njeriu dhe muzika.’
    Ato japin e marrin me njera tjetren, brenda llojit te tyre, muzika dhe njeriu. Kjo ben te mbijetosh (njeriu), kjo bene te mbijetoje(muzika) As njera s’dominon tjetren, kur ato funksionojn.

    Tinguj, ritem, melodi, harmoni, eshte jo e lehte te adoptohet harmonikisht me te gjitha llojet e siperpermendur gjate gjithe eksperiences se nje individi. Individi i edukuar me muzike klasike, e sheh me thonjeza fjalen muzik kur klasikja eshte shkaterruar, dhe anasielltas me muziken e cdo lloji shoim te vendosin thonjezat per llojin tjeter.

    Njeriu eshte pozicionuar historikisht ne lloje (njerzish). “Sipas llojeve te njerzeve edhe muzika”
    Kurioz do isha te dija, se ne c’harmoni ish muzika per Sokratin filozof.
    Une vete jame shume larg nga te qenit profesionist ne fushen e muzikes, por kame nje jete te tere qe degjoj. Jeta eshte muzike.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin