BOJAXHINJTË E KOMBIT

Gazeta “Shqip” njoftonte sot hareshëm se Stan Dragoti do të bëjë një “film” për Kosovën, edhe pse nga teksti kuptohej qartë se ishte fjala për një fushatë turistike-komerciale ose reklame; por nuk është për t’i vënë shumë faj gazetarit atje, të cilit do t’ia kenë marrë mendjen kërkesat e shumta, kohët e fundit, për një film shqiptar për Skënderbeun, mundësisht me regji të Mel Gibson dhe me Russell Crowe në rolin kryesor.

S’është për t’u habitur që nesër t’i kërkohet zyrtarisht një fabrike planetare mitesh si Hollywood-i që t’u kushtojë pak vëmendje edhe miteve arbërore, sidomos figurave që janë tashmë gati për t’u trajtuar artistikisht si Beowulf-i në filmin e Robert Zemeckis-it; ose narrativave që janë animuar vetvetiu, pa kaluar fare nëpër laboratorët e Pixar-it ose të Dreamworks. Aq më tepër që ndërmjetësi i krushqive të tilla të artit me ideologjinë është ai vetë me origjinë shqiptare të kulluar.

Stan Dragoti, siç dihet, fitoi lavdi këtu e njëzet e kusur vjet të shkuara me fushatën I love New York, e cila besohet se mund të ketë ndihmuar në ripërtëritjen e atij metropoli të lodhur e të sëmurë, që ishte New York-u i viteve 1980 – i degraduar, i mbuluar në graffiti, i zhyer në krim, i braktisur nga shtresa e mesme, i lënë në duar të grupeve të interesave, të kodoshëve dhe të drogës. Dashamirësit e çështjes shqiptare sot shpresojnë që Dragoti ta përsëritë njëfarësoj mrekullinë, duke ia dhënë Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve një dorë gëlqereje artistike, edhe më të suksesshme se ajo që i bëri Edi Rama Tiranës (edhe pse shqiptaro-amerikani ua tha entuziastëve shkoqur se, për të përsëritur dot suksesin e I love New York, “ju duhet të gjeni vlerat që ka ky vend dhe t‘i tregoni këto vlera”).

Ka përnjimend njerëz, në Shqipëri ose në Kosovë ose në diasporë, që kujtojnë se imazhi është gjithçka, madje deri atje sa t’i zëvendësohet realitetit. Kjo psikologji kinse e djallëzuar por në thelb naive, e trashëguar nga aparatçikët e ministrive të propagandës totalitare, paraqitet tani edhe ajo e bojatisur me ngjyra të forta të amerikanizmit siç e do vendi dhe kuvendi; çka do të thotë, në këtë kontekst, se ringjallja e imazhit të shqiptarisë do të realizohet edhe duke gënjyer publikun.

Thonë se kur Katerina II e Rusisë vizitoi Krimenë në vitin 1787, ministri rus Grigori Aleksandroviç Potemkin, që kishte udhëhequr fushatën e Krimesë, dha urdhër që të ngriheshin fasada butaforike fshatrash përgjatë brigjeve të shkretuara të lumit Dniepër, për t’i treguar caricës dhe shpurës së saj se lufta kundër turqve ia kish vlejtur, dhe se viset e sapo-pushtuara prej ushtrisë ruse ishin të mbrothëta e të lulëzuara.

Dukuria, e njohur me emrin “fshati Potemkin” më pas i ofroi bazën një metafore të përdorur për të përshkruar orvatjet e autoriteteve gjithfarësh për të gënjyer të tjerët, zakonisht vizitorët, për situatën reale në zonat përkatëse. Gjatë Luftës II Botërore, për shembull, kampi i përqendrimit në Theresienstadt, i mbiquajtur “Getoja e Parajsës”, ishte konceptuar dhe realizuar me qëllimin eksplicit që t’u tregohej inspektorëve të Kryqit të Kuq.

Shembull tipik i fshatit Potemkin është Kijong-dong, në Korenë e Veriut, shumë afër zonës së demilitarizuar (DMZ), i njohur nga koreano-jugorët edhe si fshati propagandistik. Besohet se fshati, edhe pse ekziston si grumbull ndërtesash, nuk ka banorë të vetët, përveç ushtarëve, të cilët kujdesen të ndezin dritat natën në disa prej shtëpive, pa çka se këto drita ndizen gjithnjë në të njëjtat shtëpi dhe në të njëjtën orë. Në të dalë të fshatit, gjendet edhe një kullë 150 metra e lartë, e cila shërben praktikisht si shtizë për flamurin koreanoverior.

Fshatrat Potemkin ndeshen me shumicë në historinë e marrëdhënieve të shteteve totalitare me publikun e tyre e sidomos me vizitorët e huaj, por kjo nuk e bën dukurinë ekskluzive për regjimet shtypëse, autoritare ose despotike. Përkundrazi, brenda sferës së komunikimit për të shitur mallra dhe shërbime në Perëndim, gënjeshtrat dhe marifetet më të mëdha publikut i ofrohen nga ato fusha të business-it që gjenden më në vështirësi se të tjerat. Për SHBA-të, do të veçoja këtu shërbimin shëndetësor, kreditë bankare për blerje shtëpish, produktet farmaceutike dhe reklamat e karamelizuara të gjigantëve të naftës që kujdesen për tërfilin ose fokën, të produkteve kimike dhe të cigareve (zor të shohësh njerëz më të lumtur në TV se ata që pijnë barna kundër inkontinencës urinare ose kolesterolit të lartë).

E kam fjalën që shitja e një imazhi të rremë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, me pretekstin se “kështu janë rregullat e lojës në Perëndim”, funksionon edhe si mjet ngushëllues, ose mënyrë për të rehatuar të gjithë ata aparatçikë, propagandistë të paskrupullt, bixhozçinj të tregut dhe kallpazanë që dje silleshin njëlloj, kur u tregonin vizitorëve të huaj kalatë e Beratit e të Gjirokastrës, hotelin e gjuetisë në Lezhë, parkun e Butrintit, gërmadhat e Apollonisë e kështu me radhë; ose kur i shpinin për të pirë një gotë raki në shtëpinë modeste e të pastër të traktoristit hero, të miratuar nga komiteti i partisë së rrethit.

Do të më thonë që nuk ka ndonjë dallim të madh midis fshatit Potemkin si teknikë për të tërhequr vizitorin naiv, dhe park-tematizimit të shumë lagjeve historike në qytete kryesore të Europës perëndimore, të cilat funksionojnë tani si skena teatrale të vetvetes, ose Eldorado për turistë të etur pas Kulturës (me K rigorozisht të madhe): Parisi, Vjena, Amsterdami, Barcelona, Venezia, Roma, Firenze, Praga… çka vjen e bëhet veçanërisht flagrante që nga momenti kur Las Vegas-i guxon pastaj t’i distilojë këto efekte kulturore për t’ua ofruar vizitorëve në format fund-jave, në foyer-et e hoteleve të veta madhështore: Paris, Venice, New York, Aladdin.

Mirëpo në Vjenë ti je i lirë të shohësh jo vetëm shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut (të cilat thuhet se mund të kenë edhe ato vetë një problem autenticiteti), por edhe nevojtoren e mirëfilltë dhe shumë modeste të Perandorit Franz Joseph në Schönbrunn (e cila probleme autenticiteti nuk ka); ndërsa në restorantet e foyer-it të hotel Paris-it në Vegas mund të shijosh, së paku, kuzhinë franceze të mirëfilltë dhe pjata të shërbyera nga kamarieri me r uvulare; në kuptimin që si në një rast ashtu edhe në tjetrin, miti i ofrohet turistit si një version i balsamosur i realitetit.

Përkundrazi, kryepropagandistët tanë dhe duartrokitësit e tyre anembanë Internetit shqiptar po duan e planifikojnë t’u shesin turistëve, vizitorëve dhe publikut vetë një realitet shqiptar në trajtat e një versioni të animuar të mitit, çka i bën edhe më Disney projektet që i kërkohen Dragotit, ose të tjera ëndrra në diell që i bashkëlidhen spotit publicitar shqiptar në CNN tani së fundi.

Do të më thonë edhe se fshati Potemkin si teknikë propagandistike është përdorur, në thelb, në shërbim të klasës që ka pushtetin politik; ndërsa përpjekjet e tashme për brand-in shqiptar, ose përmirësimin e imazhit nëpërmjet mjeteve moderne të reklamës dhe ekspozimit milionave janë në thelb përpjekje pohuese e proaktive në të mirë të shqiptarisë e të kombit.

Ndoshta, po aq sa ç’mund të jenë edhe përpjekje të nxitura nga grupe që kanë interesa ekonomike në turizëm, ose të tjera grupe që duan të përfitojnë nga të gjitha ato veprimtari business-i, që i shoqërohen turizmit. Synimet do të ftillohen vetëm kur të shihen rezultatet e fushatave e të numërohen vizitorët e kacidhet, vite më pas.

Nga ana tjetër, e për një kategori tjetër publiku, të gjitha këto veprimtari në sferën e komunikimit të imazhit vlejnë vetëm sa kohë që i shërbejnë “lartimit” të shqiptarisë në botë – dhe kjo vlen jo vetëm për fushatën që do të bëjë Dragoti për Kosovën, por edhe për filmin për Skënderbeun, përfaqësimin e Shqipërisë në Festivalin Europian, pritjen e Eliza Dushkut nga kryeministri shqiptar, konkurset e miseve me pjesëmarrëse nga vendi i shqiponjave, ndeshjet e futbollit të kombëtares, përkthimin e një autori shqiptar në anglishte ose estonishte, regjistrimin e një filmi shqiptar në një festival të kinemasë baske.

Në raste si këto, do të dalë gjithnjë një i mençëm të të shpjegojë pse ky apo ai event ka “rëndësi të posaçme” për kombin, për momentin që po kalojmë, për pavarësinë e Kosovës ose futjen në NATO, për t’i dhënë një përgjigje Serbisë, për imazhin e Shqipërisë, e kështu me radhë; sikurse do të gjendet ai i mençmi tjetër, që nuk do të rreshtë kurrë së dërguari thirrje masive e të njëpasnjëshme, në kutinë tënde të postës, për të votuar pro Tony Dovolanit, në një anketë në një faqe Interneti çfarëdo; ose për të nënshkruar peticionin kombëtar të ditës. Janë po këta njerëz që kurrë s’reshtin së ngrituri zërin me të madhe se veprat e artit duan gjykuar nga tema jo nga artisticiteti; e që qortojnë shkrimtarin se pse nuk e ka shkruar romanin për pellazgët, ose kompozitorin se pse nuk ka kompozuar baletin për Gjergj Aranitin, ose kineastin se pse nuk ka bërë filmin me ekran të gjerë e me ngjyra për Mic Sokolin.

Po nuk i ka e as do t’i ketë kurrë bota aq Stan Dragotë, sa ç’duhen për t’ua kënaqur epshet kombëtariste këtyre bojaxhinjve të kombit!

12 Komente

  1. Ky shkrim më lë një shije të athët. Ndoshta sepse është shkruar me një logjikë binare: nga njëra anë janë gjithë ata individë (bojaxhinjtë) që autori në mos i urren, të paktën i përbuz, bile thellë, dhe nga ata tjetër është autori, që di të shikojë përtej vulgaritetit, naivitetit, babëzisë, provincializmit, dritëshkurtësisë, etj. etj. të këtyre bojaxhinjve.

    Por a nuk është e mundur që në Shqipëri të ketë njerëz që duan t’i ndryshojnë gjërat për mirë, por njëkohësisht janë dhe të paditur (naivë) sesi duhet të operojnë? “Imazhi është gjithçka” nuk është një moto e shpikur nga propaganda totalitare, por është një instrument reklame universal, ndaj nëse përdoret me sinqeritet (tek e fundit Shqipërisë i del emri në lajmet internacionale vetëm në raste krizash, ndaj duhet bërë diçka për ta balancuar situatën), mund të ketë një ndikim pozitiv. Dhe në ndryshim nga e kaluara, këtë herë turistët do të jenë vërtet të lirë të shikojnë dhe të bukurën dhe të shëmtuarën, por ama, do të kenë mundësinë të gjykojnë vetë, të painfluencuar.

    Problemi i shkrimit është se i drejtohet atyre që autori i shikon si “pronarët” e opionit publik shqiptar, qoftë atyre nga politika, qoftë atyre nga media. Dhe autori e vë veten në rolin e Zeusit që lëshon rrufe sarkazme nga maja e Olimpit për të fshikëlluar. Në këtë mënyrë, bën të njëjtin gabim si ata që përbuz: nëse të parët lyejnë me ngjyra, autori lyen vetëm me të zezë. Të dyja palët fshehin realitetin e vërtetë që është më kompleks, i nuancuar, i çrregullt, i pagdhendur, por dhe më njerëzor e shpresëmbartës.

  2. Dhe në ndryshim nga e kaluara, këtë herë turistët do të jenë vërtet të lirë të shikojnë dhe të bukurën dhe të shëmtuarën, por ama, do të kenë mundësinë të gjykojnë vetë, të painfluencuar.

    Epaditur, dukesh shume e ditur, prandaj te lutem mos u hiq si naive. Turisti qe te jete i tille, d.m.th. te marre rrugen per ne Shqiperi, do te thote qe ka qene i influencuar dhe qe vendimi i tij nuk eshte i rastit. Gjithsesi, te cmoj per optimizmin qe ke per turistet, por harron per nje fenomen te cuditshem si tourist gaze qe vepron pikerisht nga influenca qe paraprin vete viziten dhe kerkon te kenaqe te njejtat pritje (expectations).

    Dhe… shkrimi ne pergjithesi ka parasysh nje grup “ekspertesh” – sic na prezantohet Dragoti apo dhe vete reklamat e CNN- dhe jo popullin e thjeshte qe (ri)prodhon identitetin sipas modeleve qe ofrojne keta “pronare”. Qe te dyja palet, prodhuesit dhe riprodhuesit, jane nderthurur deri ne ate pike sa eshte e pamundur te vecosh naivitetin dhe te gjesh kujt i perket.

  3. E paditur shkruan:

    Problemi i shkrimit është se i drejtohet atyre që autori i shikon si “pronarët” e opionit publik shqiptar, qoftë atyre nga politika, qoftë atyre nga media. Dhe autori e vë veten në rolin e Zeusit që lëshon rrufe sarkazme nga maja e Olimpit për të fshikëlluar. Në këtë mënyrë, bën të njëjtin gabim si ata që përbuz: nëse të parët lyejnë me ngjyra, autori lyen vetëm me të zezë. Të dyja palët fshehin realitetin e vërtetë që është më kompleks, i nuancuar, i çrregullt, i pagdhendur, por dhe më njerëzor e shpresëmbartës.

    E paditur, gjej një gabim logjik në përqasjen tënde: unë nuk lyej me të zezë Shqipërinë, por bojaxhinjtë.

  4. Sikur shkrimi të lyente me bojë të zezë Shqipërinë, nuk do të kisha komentuar fare. Unë e kam thënë në fillim të paragrafit, se kujt i drejtohet shkrimi, ndaj, nuk besoj të kem keqkuptuar motivin tuaj. Por nuk mund të mohoni që shkrimi nga njëra anë nuk përmban as dhe një notë pozitive për Shqipërinë, dhe nga tjetra nuk ofron asnjë shpresë, asnjë rreze drite. Nëse njerëz si ju, që më lënë përshtypjen që janë të edukuar, me kulturë, e të shqetësuar për fatet e Shqipërisë, shpenzojnë kaq shumë energji duke ndërtuar argumenta pafund për të na bindur për një gjë që është fare e qartë (që klasës politike shqiptare i mungon vizioni, eksperienca/dija, e ndoshta dhe dëshira për të ringjallur Shqipërinë), në vend që ta përdornin këtë energji për të skicuar idera sesi mund të ndryshojnë gjërat “bottom-up”, qoftë dhe pak nga pak, me një ndërgjegjësim qytetar (që nuk bazohet në përkatësitë politike, apo qeveritë që ndërrohen) atëherë, më vjen keq, po dhe ju nuk i shpëtoni dot të qënit bojaxhinj, pavarësisht se ju nxini faqen e politikanëve dhe jo atë Shqipërisë.

    Bëhuni piktor i skicave për të ardhmen e Shqipërisë, dhe lërjani punën e bojaxhinjve atyre aparatçikëve që përbuzni me të drejtë.

  5. Petullaxhija,

    sikur të kishim mundësi që në çdo pikë kufitare të Shqipërisë t’i pyesnim turistët, pse vendosën të vizitonin Shqipërinë, nuk besoj që do të gjenim 1% që do të ishte “influencuar” nga reklama mashtruese e CNN. (Në SHBA, ka një CNN amerikan me programacion komplet të ndryshëm nga CNN International që shikohet në vende të tjera, dhe me sa e njoh unë tregun televiziv, CNN International shikohet “ndjeshëm” vetëm në ato vende që janë po aq të varfëra dhe me probleme të shtypit të pavarur, si dhe ne).

    Nëse ka turistë që vijnë në Shqipëri, është sepse ata kanë miq, apo të njohur shqiptarë, që i kanë treguar aq sa t’ua mbushin mendjen për një vizitë të parë. Dhe këta pastaj, e hapin vetë fjalën, nëse janë kënaqur. Ja se çfarë website ka krijuar një i njohuri im që ka udhëtuar në 2003 në Shqipëri:

    http://www.straniviaggi.it/03/?z=1

    Sa miq do të bindesh ti, unë, vizitorët e tjerë të këtij site-i që të vizitojnë Shqipërinë?

  6. epaditur, 182 temat e këtij blogu janë dëshmi që këtu nuk po shpenzohet energji për inat të sime vjehrre. Nëse ti nuk sheh shpresën, dritën dhe pozitivën atëhere e ka fajin pesimizmi yt i tepërt, jo autori . Nëse tema më sipër nuk është ndërgjësim ashtu -bottom up- nuk e di ç’mbetet të quhet i tillë. Peticioni? Apo protesta në sheshin Skëndërbej?

    Si mund të biem dakord që çdo përpjekje qytetare të lyhet me një dorë gëlqere se ashtu e do zanatçiu i radhës? Sepse ashtu po ndodh, në emër të një imazhi të prodhuar studiove luksoze, dhe kjo me të drejtë duhet të na shqetësojë. Mua po!

    Pse u dashka lënë radhë vetëm e vetëm se paskemi nevojë për pak frymë pozitive edhe kur e dimë që ky është dështimi fillestar? Dhe sa do të vazhdojmë të tolerojmë pehlivanllëqe për hir të shpresës që na mungon? Ah, dhe atë do të na e sjellë turizmi?

  7. Epaditur shkruan:

    Nëse njerëz si ju, që më lënë përshtypjen që janë të edukuar, me kulturë, e të shqetësuar për fatet e Shqipërisë, shpenzojnë kaq shumë energji duke ndërtuar argumenta pafund […] Bëhuni piktor i skicave për të ardhmen e Shqipërisë, dhe lërjani punën e bojaxhinjve atyre aparatçikëve që përbuzni me të drejtë.

    E paditur, ky blog ka një objekt dhe një mision sa të qartë, aq edhe të integruar me veprimtari të tjera në fushën e ligjërimit publik. Sa për të ardhmen, atë e përfaqëson blogu vetë, jo temat që trajtohen aty – të paktën ashtu shpresoj unë si autor.

  8. Xha xhai dhe Parulla Armiqësore,

    e kuptoj reagimin tuaj vetëmbrojtës, dhe po përpiqem të sqarohem më mirë. Së pari, për dikë që ndesh rastësisht në blogun tuaj (siç më ndodhi mua) është e vështirë të kuptosh se kush është objekti dhe misioni i blogut për të cilin ju flisni. Unë nuk gjeta dot ndonjë link të titualluar “Pse e shkruajmë këtë blog, kush jemi ne, ku ndodhemi, etj” (nuk dua që të nxirrni në pah identitetin tuaj real, por besoj që mund të thoni diçka që t’u japë lexuesve një pikë fillimi për të kuptuar natyrën e blogut). Së dyti, nuk mund të prisni që dikush të lexojë 182 postat e këtij blogu, para se të komentojë në një shkrim. Mua më tërhoqi titulli i këtij shkrimi, e lexova, dhe komentova për të përcjellë sesi më bëri të ndjehesha ky artikull.

    A nuk është pjesë e qëllimit tuaj që të krijoni një mjedis ku dialogu mes opinioneve dhe ideve është i mirëpritur? Apo mirëpriten vetëm komente që ndajnë të njëjtin opinion me ju, dhe tek të tjerët kalohet në sulme “ad hominem”: naive, pesimiste, etj. Mendimi im është që ju i bëni një shërbim të gabuar vetes, nëse vendoseni në një piedestal nga ku ju mund të gjykoni të tjerët, pa u përpjekur t’ua vini veshin atyre që mendojnë ndryshe.

    Ironia dhe sarkazma mund të jenë konstrukte letrare që në situata të caktuara mund të funksionojnë, po nëse qëllimi juaj ishte që të ndërgjegjësoni, frymëzoni, apo jepni shpresë, më vjen keq, po me to do të arrini të kundërtën. Të paktën, kjo është ajo çfarë ndodhi me mua, ndaj dhe investova ca kohë për t’ua bërë këtë të qartë.

    Uroj që shqiptarët e tjerë që lexojnë këtë blog, të mendojnë ndryshe nga unë, dhe ju t’ia arrini misionit tuaj, cilido qoftë ai, nëse është në të mirë të Shqipërisë.

    Punë të mbarë!

  9. E paditur shkruan:

    e kuptoj reagimin tuaj vetëmbrojtës, dhe po përpiqem të sqarohem më mirë. Së pari, për dikë që ndesh rastësisht në blogun tuaj (siç më ndodhi mua) është e vështirë të kuptosh se kush është objekti dhe misioni i blogut për të cilin ju flisni. […]. Së dyti, nuk mund të prisni që dikush të lexojë 182 postat e këtij blogu, para se të komentojë në një shkrim. Mua më tërhoqi titulli i këtij shkrimi, e lexova, dhe komentova për të përcjellë sesi më bëri të ndjehesha ky artikull.

    Jo, e paditur. Ishe pikërisht ti që shkrove sa vijon:

    Nëse njerëz si ju, që më lënë përshtypjen që janë të edukuar, me kulturë, e të shqetësuar për fatet e Shqipërisë, shpenzojnë kaq shumë energji duke ndërtuar argumenta pafund […] Bëhuni piktor i skicave për të ardhmen e Shqipërisë, dhe lërjani punën e bojaxhinjve atyre aparatçikëve që përbuzni me të drejtë.

    Ky nuk është koment për një shkrim. Kjo është direktivë për çfarë duhet të shkruhet në blog – që këtej edhe sugjerimi i Parrullës për të lexuar diçka më tepër para se të hidhesh në vlerësime globale dhe direktiva. Mund të komentosh sa e si të duash për shkrimet në blog, por budalla të lutem mos më bëj, se nuk ta kam për borxh.

  10. Me vjen keq që ju e keni kuptuar fjalinë time:

    Bëhuni piktor i skicave për të ardhmen e Shqipërisë, …

    si një direktivë dhe jo si ajo ishte menduar (si një lutje e fortë dhe dashamire për të motivuar autorin që të na tregojë sesi mund të bëhen gjërat ndryshe).

    Ju lutem, mos dyshoni kaq shumë në çiltërsinë e njerëzve (nuk e kuptoj se çfarë ju bëri të mendoni që unë po ju bëj budalla, ndërkohë që unë nga aq pak sa kam lexuar këtu besoj me të vërtetë që ju jeni shumë më i edukuar (në vite shkolle dhe studimi) dhe i kulturuar se një pjesë e madhe e njerëzve, bile dhe e shpreha me sinqeritet dhe admirim këtë ndjesi).

    Unë kam qënë ende fëmijë në kohën e komunizmit, dhe nuk besoj të kem thithur aq shumë helm sa dhe sot e kësaj dite të sillem si ndonjë partiak që jep direktiva për masat.

    Por e kuptoj që nuk ndajmë të njëjtin set eksperiencash jetësore ose vlerash humane, ndaj dhe po largohem nga planeti juaj virtual duke ju uruar shëndet e lamtumirë!

  11. E paditur, edhe mua më vjen keq për ndonjë keqkuptim; pse nuk është kurrsesi qëllimi im të të lëndoj, as të paragjykoj qëllimet e tua. Nuk më vjen keq, përkundrazi, që “po largohesh nga planeti [ynë] virtual”, sikurse thua, sepse ti këtij planeti nuk pate kohë as t’i afrohesh.

  12. Mbase e paditur-a u ”dogj” nga ”hyrja” në planetin e Pejsazhëve XhaXha, siç digjen të gjitha objektet që hyjnë në tokë nga hapësira pa këndin e duhur dhe prandaj largohet…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin