PACIFIZMI I MUNGUAR

Tani që ftesën për t’u futur në NATO e kemi në xhep, tani që festat e organizuara për këtë ngjarje të shënuar përfunduan, mund të flasim lirisht për disa probleme paksa “tabu” për opinionin publik shqiptar. Premisa qartësuese mbetet kjo: hyrja në NATO përbën një ngjarje thellësisht pozitive për kombin shqiptar, aspirata kulturore e të cilit ka qenë gjithnjë integrimi në strukturat perëndimore.

Por çfarë mungoi në festën shqiptare për hyrjen në NATO? Çfarë u munguan festave të shumta vendore, deklaratave bombastike, krekosjeve zyrtare, darkave ceremoniale, valëvitjeve kuqezi, puthjeve flamurtare, ahengjeve mediatike, orgjive urimore, dollive virtuale? Jo për gjë, por kudo në botën perëndimore, jemi mësuar që mbledhjet madhështore të strukturave ushtarake të përshoqërohen me demonstrata dhe tubime kundër. Në Shqipëri nuk ndodhi asgjë e tillë. OJQ-të aktive në fushën e tullumbaceve dhe talljeve karnevaleske nuk bëzajtën fare, kurse opozita njoftoi për një dalje në shesh pro NATO-s dhe kundër Berishës.

Pavarësisht, nëse jemi apo jo dakord me hyrjen në NATO, çdo shqiptar, aq më tepër studiuesit apo aktorët publikë, e kanë për detyrë ta pyesin veten për mungesën e shprehjes kundër projektit të NATO-s, ose në përgjithësi të militarizmit. Këto shprehje futen zakonisht në kategorinë e gjerë të pacifizmit, i cili nuk më duket se ekziston në Shqipërinë aktuale. Megjithëse pacifizmi është dukuri e vjetër, mjaft e ndërlikuar, tejet e larmishme, në vendin tonë nuk ka asnjë lloj gjurme të kësaj teorie apo lëvizjeje shoqërore. Më shumë se pyetjes “A është normale diçka e tillë?”, duhet t’i përgjigjemi pyetjes: “Përse në Shqipëri nuk ka pacifizëm?”.

Në epokën e totalitarizmit, “pacifizmi” përkufizohej kështu: “Rrymë politike borgjeze e revizioniste, që predikon paqe me çdo kusht dhe mohon çdo lloj lufte, edhe luftërat e drejta çlirimtare e revolucionare, duke synuar të ruajë marrëdhëniet kapitaliste, shtypjen e shfrytëzimin e popujve”. Nuk është e vështirë të dallojmë në këtë përkufizim vulën ideologjike të asaj kohe, që përdorte në funksion të vet edhe shtrembërimin e ideve. Në botën “borgjeze”, përkufizimi është shumë më i kompleks, meqë pacifizmi është shfaqur në trajta të ndryshme gjatë jetës së tij. Mjafton të hapim një manual studimesh politike për të parë se sa i gjerë dhe i pasur është kuptimi i pacifizmit.

Në përgjithësi, format e ndryshme të pacifizmit dallohen nga mënyra se si i shpjegojnë luftërat dhe konfliktet, por edhe nga mënyrat se si duan t’i eliminojnë ato. Totalitarizmi shqiptar nuk kishte si ta adhuronte pacifizmin, përderisa predikonte luftën e klasave dhe marrjen e pushtetit me forcë. Gjithsesi, pacifizmi gjendej në teorinë ku bazohej ai regjim, meqë fitorja e komunizmit në botë do të shënonte edhe fundin e çdo lloj konflikti ndërkombëtar. Luftërat konceptoheshin nga teoria leniniste si pasojë e kapitalizmit. Si rrjedhim, zhdukja e tyre do të përputhej me zhdukjen e rendit kapitalist.

Aktualisht, pozicione të tilla politike janë të pakonceptueshme në Shqipëri. Edhe në perëndim nisma që frymëzohen nga këto teori janë pothuajse inekzistente, ose, gjithsesi, në pakicë të skajshme. Mirëpo, pacifizmi i ashtuquajtur aktiv, ose ai që don ta kundërshtojë luftën si element negativ të njerëzimit, pavarësisht nga arsyet që e motivojnë, është ende i gjallë në botë. Në kuadrin e këtij pacifizmi, një nga më të njohurit, dhe më të suksesshmit, është ai që lufton në favor të çarmatimit, pra lufton kundër mjeteve ushtarake që përdoren në konflikte të ndryshme. Nga të gjitha format e pacifizmit, është çudi që ky i fundit, të mos ketë mbirë në Shqipëri, sidomos pas katrahurës së ’97-s, ku viktimat e pafajshme, pra viktima të shkaktuara thjesht nga përdorimi fëmijëror i armëve (pra jo në ndonjë konflikt midis palësh të qarta), ishin të shumta. Në një farë mënyre, edhe viktimat e Gërdecit, kanë lidhje me atë periudhë e gjithsesi me implozionin e shtetit dhe të ushtrisë shqiptare të asaj kohe.

Në qoftë se pacifizmi moral, ai që ka të bëjë me etikën dhe njeriun që e përbuz dhunën si të tillë, është i paarritshëm pothuajse në të gjithë botën, kjo vlen më shumë për kulturën shqiptare. Këngët dhe poezitë për armët, simbolet me kazmën dhe pushkën, kërcënimet me grykën e topit, por edhe vetë prania materiale e armëve në jetën tonë, bën që pacifizmi, si ide që e urren armën, për çka ajo i shkakton njeriut, të kalojë disi në “hije”. Këtu nuk mund të lihet jashtë historia jonë e hershme, e cila është treguar shumë pak zemërgjerë lidhur me konfliktet e pësuara. Si rrjedhim, arma është konsideruar në kulturën shqiptare si mjet mbrojtës, pra i domosdoshëm në planin praktik dhe i justifikuar në planin moral. Pastaj realiteti i sotëm shqiptar ka përballë vetes nevoja primare, ndaj edhe diskurset me bazë idealiste duken të tepërta.

Në Konferencën për shtyp që dha Kryeministri Berisha, para nisjes për në Bukuresht, iu kërkuar një koment për atë 6%-sh të popullsisë që, sipas një anketimi të pacituar, nuk është dakord me futjen në NATO. Duhet pranuar se Berisha iu përgjigj me shumë kujdes, duke respektuar edhe pakicën që e mendonte ndryshe. Gjithsesi, sipas interpretimit të tij, kishim të bënim me mendësi që i referoheshin ideologjive të vjetra. Në rast se kjo është e vërtetë, atëherë duhet thënë se, deri më sot, nuk ka pasur në publik shprehje kundërshtuese të këtij lloji. Madje, manifestime të tilla do të tingëllonin marsiane në rrugët e Tiranës.

Nga ana tjetër, futja nën ombrellën e NATO-s jo vetëm i jep Shqipërisë qetësinë e mbrojtjes ushtarake, por anëtarësimi shërben si shtysë për vazhdimin e reformave në të gjitha fushat. Çka i bën shumë mirë demokracisë së brishtë shqiptare. Ndokush mund të vërejë dëshirën e vjetër të shqiptarëve për t’u ngrohur nën hijen e fuqive të mëdha, por edhe këtu duhet shtuar se nuk jemi të vetëm. Shumë vende të tjera janë sjellë njëlloj, edhe pse e kanë shprehur kënaqësinë e anëtarësimit në mënyrë më pak popullorçe. Është afërmendsh, se të gjithë ne do të kishim parapëlqyer të na luteshin për t’u futur dhe jo të luteshim ne për t’u anëtarësuar, por këtu hyjmë në fushën e ëndrrave.

Gjatë trazirave të ‘97-s shumë familje shqiptare, pas plaçkitjes së depove, u armatosën deri në dhëmbë, madje me mitraloza kalibri e bomba dore, thjesht “sa për t’i pasur” në bodrum. E dinin fare mirë që nuk do t’u duheshin kurrë, sepse ishin armë ushtarake, jo shtëpiake, që kishin nevojë për të tjera shërbime. E megjithatë i morën në shtëpi. Thuajse një thirrje misterioze ua kërkonte nga brenda. Familje të tjera, në thelb më të guximshme, nuk pranuan t’i fusnin armët në shtëpi, duke i parë me frikë dhe përbuzje, edhe pse ia dhuruan kushërinjtë, komshinjtë ose kalimtarët e rastit. A thua kishim të bëjmë me embrionet e para të pacifizmit?

8 Komente

  1. . Familje të tjera, në thelb më të guximshme, nuk pranuan t’i fusnin armët në shtëpi, duke i parë me frikë dhe përbuzje, edhe pse ia dhuruan kushërinjtë, komshinjtë ose kalimtarët e rastit. A thua kishim të bëjmë me embrionet e para të pacifizmit?

    Nuk besoj se ishin embrionet e para te pacifizmit por ato te ‘defeatism’-it. Nje popullate e armatosur nuk mund te anashkalohet lehte nga nje qeveri qendrore qe nuk i sherben.

  2. Xhaxha kam frike se kete here je pak kontraditor me veten. Ne fillim pohon pa medyshje se futja e Shqiperise ne Nato eshte nje gje e mire. Po ja qe fill pastaj ben pyetjen pse nuk pati protesta pacifistesh ne Shiperi. Dhe menjhere me pas vjen nje konkluzion tjeret po i juaji se: futja nën ombrellën e NATO-s jo vetëm i jep Shqipërisë qetësinë e mbrojtjes ushtarake, por anëtarësimi shërben si shtysë për vazhdimin e reformave në të gjitha fushat.

    Ne keto kushte une nuk di cfare te them. Jam i bindur se e vetmja here qe shqiptaret duhej te protestonin ishte koha kur kishin nje baze ruse ne Vlore. Duhej te protestonin per koken e tyre, se mund te merrnin ndonje koqe rakete kokes nga… Nato.

    Tani ajo kohe iku.
    Pse te mos mendojme se Shqiptaret nga pervoja e kane kuptuar se vertet nuk ka luftrera te mira, por te nevojeshme? Pse te mos mendojme se protestat kunder tyre vijne thjesht nga njerez te llastuar ose kemi te bejme me protestues te manipuluar, qe i perdorin ato per te marre edhe votat e shtresave te frikesuara te popullsive te vendeve te tyre?

    Ku ta dish? Une dyshoj shume kunder atyre qe ngrihen kunder cdo lloj lufte. Valle nuk e kuptojne ate se po ra Afganistani dhe Iraku ne duart e fondamentalistve, neser nuk duhet te mobilizojne njeqind e pesedhjete mije ushtare, por dhjete milion?

    Qatipi i Bikes

  3. Qatip i dashur, të lutem njihu me emrin e autorit të shkrimit, para (ose edhe pasi) të lexosh shkrimin vetë. Ashtu do ta vësh re se në këtë blog nuk ‘militon’ vetëm Xha Xhai. Për të të shfajësuar disi, të siguroj se edhe të tjerë kolegë ngatërrohen ndonjëherë kështu, vetëm e vetëm ngaqë unë Xha Xhai shkruaj më shpesh – por blogu i përket një grupi autorësh, të cilët kanë pikëpamje jo doemos identike.

  4. Shqiptari i rendomte – qe perben edhe shumicen dermuese te popullates – eshte ende ne nivele teper te ulta vetartikulimi dhe njohjeje.
    Demonstrimet gjithfarlloj te pacifisteve, antiglobalisteve apo luftetareve te Greenpeace ne perendim, mund te duken nga TV yne i outdated (ndersa mbledhim me tul buke lengun e sallates) si snobizma njerzish te ngeshem qe su qajne femijet nga uria, por te rrime shtrember e te flasim drejt, perpos te tjerash, jane edhe produkte te nje edukimi te paarrire ende prej nesh.
    Pranimi “pa kushte” i anetaresimit ne NATO nga ana e shumices absolute te individeve (aka popoulli) nuk eshte automatikisht tregues i dashurise sone per armen/luften, por thjesht produkt sa i indiferences aq edhe i injorances, te percuara keto nga nje fill instiktiv qe na udheheq prej shekujsh drejt pragmatizmit.
    Dikush cuditet se si shqiptaret, qe jane edhe me te paditurit persa i perket konsekuencave (gjithfarlloj) ne lidhje me anetaresimin e Shqiperise ne BE, jane njekohesisht edhe me entuziastet. Personalisht gjykoj se kjo qe per dike eshte paradoks, eshte ne te vertete vete zgjidhja: jane entuziaste pikerisht sepse jane te paditur.
    Persa i perket “autoriteteve” tona te shoqerise civile, nuk duhet harruar se edhe ata jane bartes te te njejtave instikte pragmatiste qe na shquajne si komb (instikte thashe, jo ide), ndaj edhe nuk mund te priten prej tyre manifestime qe do te konsideroheshin te “cuditshme” (“u bene edhe keta si te jashtmit!”) nga shumica. Akoma me tej, shoqeria jone civile eshte aq e mencme(!!!) sa te mos e kafshoje doren qe e ushqen:)…

  5. Me PNH, e pranoj edhe unë që mungesa e protestave ndaj një gjesti kaq historik sa futja në një aleancë ushtarake tregon se publiku, në Shqipëri, i percepton ngjarjet në mënyrë instinktive dhe foshnjore; dhe nuk reagon dot në mënyrë kritike për çështje që nuk e cenojnë menjëherë dhe drejtpërdrejt.
    Mungesa e protestave tregon, sado absurde të tingëllojë kjo, që edhe dëshira masive për t’u bërë pjesë e NATO-s frymëzohet nga motive që s’kanë të bëjnë as me realitetin e NATO-s, as me natyrën e pjesëmarrjes në aleancë, as me çka do t’i kërkohet Shqipërisë të bëjë nesër, për të plotësuar detyrimet në rast konfliktesh ushtarake.
    Motivet frymëzuese të haresë publike mund të përmblidheshin në shprehjen e mëposhtme: “Tani shpëtuam.”
    Nga ana tjetër, fakti që edhe politikanët në pushtet edhe mileti rrugëve u gëzuan dhe tundën flamujt e integrimit ushtarak, nuk duhet lënë të na gënjejë për natyrën e vërtetë të kësaj hareje kombëtare.
    Politikanët u gëzuan pa masë, sepse futjen në NATO do ta paraqitin si sukses të strategjive të tyre politike, ose të leadership-it që i kanë ofruar Shqipërisë “në këto kohë të vështira”; me fjalë të tjera, do të presin që NATO-ja t’ua legjitimojë pushtetin.
    Kallaballëku, përkundrazi, të njëjtën dukuri e sheh si dorëzim të punëve e të përgjegjësive në Shqipëri “sulltanit”, ose një agjencie të përtejme, e cila do të kujdeset që majmunët lokalë të mos e shkatërrojnë kafazin. Sipas këtij vizioni nga poshtë, NATO-ja do ta shpëtojë Shqipërinë, sepse do t’u dërgojë qeveritarëve tanë (këtej e tutje mëkëmbës) fermanet përkatëse, që këta të dinë se ç’të bëjnë; pa folur pastaj për katil-fermanet kundërshtarëve politikë, spiunllëqet, akuzat e kryqëzuara (“ti ke qenë kundër NATO-s”) dhe ylefetë.
    E njëjta ngjarje, i njëjti gëzim, dy motive të kundërta. Si mund të ndodhë kjo? Mund të ndodhë në Shqipëri, sepse atje vizioni politik publik mbetet mitik; dhe brenda mitit parimi i moskundërthënies nuk ekziston. Futja në NATO, kësisoj, e katapulton klasën politike shqiptare në sferat e logjikës joaristoteliane.

  6. Blendi Kajsiu bente mire ta kapte ate fill qe ne 2005 kur nisen Hollandezet te flasin per nevojen e pranimit te vende ‘handikapate’ si Shqiperia para se te permbushnin standardet.

    Sinqerisht u duhet thene troc njerezve te rruges ne Tirane qe jane komplet injorante te veshur me Gucci.

    lexoni nje kendveshtrim kritik nga Blendi Kajsiu mbi anteresimin e Shqiperise ne NATO:

    http://www.panorama.com.al/index.php?id=12895

  7. “Futja në NATO, kësisoj, e katapulton klasën politike shqiptare në sferat e logjikës joaristoteliane.”

    A thua kane pritur deri sa te hyne ne NATO qe te shfaqin gjithe kete virtyt?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin