GUXIMI NË DIJE

Para pak kohësh, në këtë blog u përmend gjesti guximtar i një grupi profesorësh grekë, të cilët kanë studiuar përndjekjen e popullsisë çame në Greqi, pas Luftës II Botërore, për të nxjerrë në shesh të vërtetën e shëmtuar të genocidit, të cilën publiku i atjeshëm nuk e njeh, sepse i është maskuar nga propaganda kombëtariste shurdhuese.

Këta profesorë (shkrimi i cituar, i gazetës “Standard”, përmend Llambros Bulciotis dhe Konstandinos Ciceliqis, por studimi në fjalë ka pasur edhe autorë të tjerë), së bashku me kolegun e tyre Stathis Kalivas, në Yale të SHBA, janë shembull i intelektualit i cili ngrihet të sfidojë pushtetin – në këtë rast jo aq politik, sesa ideologjik.

Meqë botën akademike në Shqipëri kam pasur rast ta njoh drejtpërdrejt, në kohë të totalitarizmit por edhe më pas gjatë viteve 1990, më duhet të pohoj, trishtueshëm, se një ndërmarrje e kësaj natyre dhe e këtyre përmasave etike, në kulturën shqiptare ekzistuese, mbetet praktikisht e pamundur, për dy arsye: atmosfera mbytëse konformiste dhe mefshtësia tradicionale e elitave akademike në Shqipëri.

Dija sociale – për gjuhën, historinë, etnologjinë, antropologjinë, arkeologjinë – është gjithnjë e detyruar të marrë parasysh edhe të vërtetën, edhe mitin; të hedhë valle në litar. Pas 1990-ës, kësaj torture i janë shtuar edhe koret e amatorëve, të cilët e kanë bërë albanologjinë lëmsh me gjepurat që trumbetojnë poshtë e lart, faqet në Internet, dhe përgojimet e fyerjet që u bëjnë të gjithë atyre autorëve që guxojnë sado pak të devijojnë nga dogma kombëtariste.

Duke pranuar, me italianët, që nëna e budallenjve është gjithnjë me barrë, problemi që më shqetëson veçanërisht mua është mefshtësia, ose dëshira e pashembullt e studiuesve për t’u konformuar; ideja se shkenca duhet t’u pëlqejë turmave ose, edhe më keq, se e vërteta këtej e tutje do të vendoset me “votën e lirë të popullit”.

Veçanërisht e neveritshme është orvatja amorale, brenda dijes, për ta shitur autocensurën si metodë heuristike; thuase e vetmja mënyrë për të folur për parahistorinë e shqipes dhe të shqiptarëve është të pëllasësh për ilirët “e lashtë”, pa i zënë pastaj në gojë pellazgët “hyjnorë”. Ky imponim i ideologjisë në dije i zhvlerëson edhe argumentet në vetvete të qenësishme, si ai i vijueshmërisë iliro-shqiptare.

Për ta thënë ndryshe, duke parafrazuar Popper-in, edhe të vërtetat më elementare kanë nevojë të falsifikohen, për t’iu mbrojtur dogmatizimit.

Para pak javësh, F. Lubonja iu kundërvu, me një shkrim të vetin, mitit rijosh të shqiptarëve shpëtues të hebrenjve gjatë Luftës II Botërore. Këtu nuk dua të ndalem as të diskutoj për meritat e argumentit të Lubonjës, por vetëm të kujtoj pështymat dhe domatet e kalbura që iu hodhën këtij autori deri edhe në forume mendjehapura si “Peshku pa ujë” – vetëm e vetëm sepse Lubonja paskësh guxuar të vinte në diskutim një dogmë konveniente të historiografisë shqiptare post-moderne.

Megjithatë, Lubonja vepron jashtë akademisë dhe strukturave institucionale të dijes, të cilat në vend që të jenë në pararojë të këtyre sfidave ndaj kalcifikimit, merren vetëm me riprodhimin e vetvetes – sikurse çdo institucion tjetër në Shqipëri.

Duke qenë akademia e diskredituar pikërisht për faj të këtij konformizmi të cilin s’ia ka kërkuar kush, të gjitha përpjekjet e amatorëve gjithfarësh, të cilët i kundërvihen dijes akademike, fitojnë vetvetiu prestigj. Mungesa e institucioneve përthyhet në institucionalizim të mungesës.

Lexoja këto ditë një koment, të gazetës “Haaretz”, për veprën e prof. Shlomo Sand, të Universitetit të Tel Aviv-it, i cili ka guxuar të vërë në diskutim mitin themeltar të Zionizmit: vetë ekzistencën e hebrenjve si popull. Sand rreket të provojë se hebrenjtë që jetojnë sot në Izrael dhe gjetiu në botë nuk janë aspak pasardhës të popullit që jetonte në Mbretërinë e Judesë në lashtësi – por vetëm pasardhës të popujve të ndryshëm që u konvertuan në Judaizëm gjatë shekujve: berberë të Afrikës së Veriut përfunduan kështu në hebrenj sefarditë; khazarë të stepave ruse në hebrenj ashkenazi të Europës Lindore.

Sand arrin deri atje sa të pranojë se, nga pikëpamja gjenetike, palestinezët e sotëm janë kandidatë më të përshtatshëm për t’u quajtur pasardhës të popullit të lashtë judaik, sesa hebrenjtë vetë…

A do t’u qëndrojnë dot kritikave tezat revizioniste të Sand? Kjo nuk dihet. Çka meriton admirim, është guximi i këtij dijetari, i cili ngrihet ta sfidojë haptazi ideologjinë kombëtariste të Zionizmit, duke ia zbuluar rrënjët në mitin të kulluar të dëbimit, endjes nëpër botë, dhe “kthimit”.

Thotë Sand:

“Për mendimin tim, një mit për të ardhmen është më i mirë sesa mitologjitë e introvertuara të së kaluarës. Për amerikanët, madje sot edhe për europianët, çfarë e përligj ekzistencën e një kombi është premtimi për një shoqëri të hapur, progresive dhe të mbrothët.”

Kombi si projekt është e vetmja formë e kombëtarizmit e cila e ruan dobinë praktike edhe sot e kësaj dite; por ndër shqiptarë ky projekt është korruptuar së paku nga dy drejtime: miti i ndërtimit të socializmit dhe Shqipëria e Madhe. Këtij lloj korrupsioni zgjidhja mund t’i vijë vetëm nëpërmjet integrimit në një entitet mbi-kombëtar, çka e kërkojnë edhe elitat e sotme në pushtet, të cilat i ka lodhur sovraniteti e mezi ç’presin sa të shndërrohen sërish në mëkëmbës pushtetesh të tjera, të përtejme e transhendentale – por kjo do diskutuar më vete.

Nga ana tjetër, për disa tutkunë në Tiranë, e vetmja formë kundërvënie në dije është ajo midis dijes së majtë dhe dijes së djathtë; albanologjisë PD-iste, dhe albanologjisë PS-iste. Politizimi i debatit shkencor e ka shtyrë mënjanë atë lloj debati të mirëfilltë, i cili është i vetmi mekanizëm në gjendje të prodhojë përafrim ndaj së vërtetës.

Kjo don të thotë edhe se polarizimi ia ka zënë frymën mendimit të lirë; dhe se armiqtë e vërtetë të “tribunëve” të dijes nuk janë as errësira, as padija, as manipulimi; por të gjithë ata që refuzojnë konformizmin, në emër të rekrutimit në betejat reale dhe imagjinare të kombit.

Tema e trajtimit që i bënë autoritetet greke popullsisë çame është temë jashtëzakonisht delikate në Greqinë e sotme; sepse jo vetëm zbulon një krim në rrënjë të rendit të sotëm publik atje, por edhe se çështja çame mund të shoqërohet nga të tjera çështje, të përndjekjes ndaj myslimanëve në Greqi, qëkur ky vend fitoi pavarësinë prej Perandorisë Osmane.

Megjithatë, të ashtuquajturat “interesa kombëtare” nuk i penguan profesorët e universitetit Pandio në Greqi që të flasin gjuhën e hidhur të faktit – dhe të argumentojnë si çamët e Epirit janë shpronësuar, dëbuar e vrarë, çka përbën, në fakt, genocid.

Cili profesor yni, dje dhe sot, ka treguar guxim të tillë? Pse vallë akademia ua ka lënë e besuar të pavarurve si Lubonja marrjen në pyetje të dogmës kombëtariste? Këto janë pyetje që duhet të mundojnë këdo që shqetësohet, sado pak për fatet e dijes shqiptare në shekullin XXI.

Shlomo Sand, në Izrael, ngrihet haptazi të sfidojë Zionizmin, madje pikërisht në rrethanat kur shumëkush atje beson se Izraeli është i përfshirë në një luftë për jetë a vdekje me fqinjët e vet myslimanë, të cilët nuk ia njohin ekzistencën.

Shlomo Sand, në Izrael, ngrihet e thotë që palestinezët e sotëm janë më afër gjenetikisht me hebrenjtë e Biblës, sesa bankierët, magnatët, avokatët, artistët dhe mjekët hebrenj të NY…

Të kish ndodhur diçka e tillë në Shqipërinë e sotme; të ngrihej kush e të shkruante një studim për të vërtetuar, bie fjala, se Epiri është populluar prej shqiptarëve vetëm në Mesjetë (shembull hipotetik), autorit do t’ia kishin hapur dosjen e Sigurimit e gjetur pseudonimin përkatës; pa folur pastaj për rrogat që ia paguakësh serbi dhe greku; e pa zënë në gojë origjinën greke, vllahe e gorane që do t’ia nxirrnin medoemos!

Nuk di nëse jeni lodhur edhe ju me këtë karnaval që po vazhdon që prej nuk di sa vitesh e dekadash; se unë për vete po.

 

3 Komente

  1. Per mua eshte akoma heret per te kerkuar shkence te mirefillte ne Shqiperi. Shkence qe te jete e afte te sfidoje dogmat e reja e te vjetra. Shkenca shqiptare identifikohet aktualisht me “dinozauria”-t e akademise se shkencave pjesa derrmuese e te ciles eshte mbruajtur nen regjimin komunist dhe nen censuren e atehershme. Nje pjese e mire edhe e akademikeve te formuar gjate regjimit komunist kane emigruar. Pjesa qe ka mbetur eshte pazgjidhshmerisht e lidhur me qarqet politike si pasoje e dobesise institucionale te universiteteve.

    Shpresa per mendimin tim qendron tek ata qe kthehen nga studimet jashte. Kthimi i nje pjese te studenteve te vales se madhe 1998-2003 sapo ka filluar dhe duhen disa vite derisa ky grup te integrohet ne strukturat akademike aktuale. Rreth 25% e studenteve shqiptare jashte studiojne shkenca shoqerore. Nder te gjithe ata qe kthehen pjesa me e madhe jane pikerisht ata qe kane studiuar shkenca shoqerore apo juridike pasi eshte me e veshtire te zesh vend pune ne nje vend te huaj ne keto dege sesa eshte per ata qe kane mbaruar shkenca ekonomike, dege inxhinierike apo shkenca natyrore.

    Nga ana tjeter cfaredo lloj efekti pozitiv qe mund te kete kthimi i grupit te mesiperm te studenteve ai do te zbehet ose do te vonohet artificialisht pasi universitetet akoma nuk ofrojne struktura te shendosha per zhvillim akademik. Mbase pas 5-10 vjetesh do te fillojme te shohim/degjojme zera te guximshem/te rinj ne rrethet akademike shqiptare.

  2. Une isha i pranishem ne konferencen qe u mbajt per camet; krejt rastesisht ne nje forum grek pash qe behej thirje te mblidhen nacionaliste dhe te sfidojne profesoret qe do ”mblidhen te perkrahin camet” dhe nga interesi im per marredheniet Freqi-Shqiperi vendosa te shkoj.

    Pak informacione mbi kete. Konferenca u zhvillua me iniciative te ”Qendres se Studimeve te Grupeve Minoritare” (KEMO) dhe u mbeshtet nga Universiteti Pandion i Shkencave Politike dhe Shoqerore. Faktikisht konferenca u zhvillua ne kuader te dy mesimeve (”Minoritete ne Evrope” dhe ”Historia dhe qyteterimi i Shqiperise moderne) te fakultetit te Shkencave Politike dhe Historike.

    Kjo qender (KEMO) ne te kaluaren ka zhvilluar edhe konferenca te tjera per minoritetet, si per minoritetin grek ne Shqiperi, per diversitetin gjuhesor ne Greqi (interesant fakti se per gjuhen e arvanitasve ka mbajtur referat edhe Aristidh Kolia) etj. Pastaj referatet e kumtesat botohen, dhe keshtu do bejne edhe per referatet qe mbajten per camet. Dy te parat i kam, shpresoj te dali edhe e treta se shpejti.

    Tema e konferences ishte ”Historia dhe aktualiteti i ceshtjes se cameve ne marredheniet greko-shqiptare”. Stathis Kalivas nuk merrte pjese, mbase je ngaterruar XhaXha pasi ky para disa vitesh kishte shkruar nje artikull ne gazeten ”To Vima” ne te cilin komentonte librin e G. Margaritis per Hebrejte e Camet. Nejse, anen historike te ceshtjes e trajtonin Konstandinos Ciceliqis (profesor ne universitetin Maqedonia, Selanik), Ilias Skulidhas (historian, universiteti i Janines), Eleftheria Manda (historiane, anetare e Institutit te Studimeve te Gadishullit Ballkanin ne Selanik) dhe Llambros Ballciotis (historian, universiteti Pandio. Ballciotis para disa vitesh ka shkruar edhe artikuj ne KJ per ceshtjen came. Zoteron shqipen).

    Anen aktuale te ceshtjes e trajtonin Janis Ktistaqis (profesor ne Universitetin Dimokritio ne Thrake), Tasos Telloglu (gazetar, per mendimin tim nje nga gazetaret me serjoze ne Greqi, analist edhe njohes i ceshtjeve shqiptare) dhe Dhimitris Hristopullos (profesor ne Pandio). Referatet i koordinonte Stefanos Papajeorjiu (historian, profesor ne Pandio).

  3. Shlomo Sand, në Izrael, ngrihet e thotë që palestinezët e sotëm janë më afër gjenetikisht me hebrenjtë e Biblës, sesa bankierët, magnatët, avokatët, artistët dhe mjekët hebrenj të NY…

    Nuk me duket te kete paralelizem mes Shllomos dhe Lubonjes. Ne ndryshim nga historia hebraike, nuk i vjen askujt asnje e keqe nga mitet shqiptare dhe sulmet ndaj tyre jane thjesht profane

    Pastaj narrativa nacionale e Izraelit njihet nga te gjithe, dhe ashtu si edhe Shqiptaret ne Kosove prezenca ‘gjenetike’ hebraike ne Izrael ka qene e vazhdueshme por jo mbizoteruese. Shllomo nuk ka thene ndonje gje te re apo te guximshme.
    .

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin