STRUCIZMI PËRBALLË LEVANTINIZMIT

Duket se shprehja “e fut kokën në rërë si struci” – që tregon një lloj qëndrimi pasiv përballë problemeve dhe rreziqeve – nuk paska ndonjë bazë etologjike. Megjithatë, shprehja jo vetëm u shkon për shtat shqiptarëve, por edhe neologjizmi “strucizëm” mund të gjejë fare mirë strehim në gjuhën shqipe.

Kam përshtypjen se Shqipëria është një nga ato vende që sekrete nuk ka, në kuptimin që nuk ka gjëra të panjohura, por vetëm të ngatërruara në lëmshin e thashethemeve, shpifjeve, hamendjeve. Në fakt, e gjithë historia e demokracisë shqiptare është e mbushur me “e dinin/m të gjithë”. Sa herë që ndodh diçka e rëndë, del se situata njihej mirë, ndoshta jo nga të gjithë, por nga një pjesë po se po. Shembuj ka sa të duash: tragjedia e Gërdecit është vetëm e fundit sipas rendit. Në qoftë se ka pasur një tregti kaq të zhvilluar armësh, pra ecejake njerëzish dhe ekspertësh, me siguri njihej edhe rreziku që i kanosej banorëve nga punishtja famëkeqe. Tani dalin dëshmi, akuza, sinjalizime, të bëra në kohë, në një mënyrë ose një tjetër.

Madje edhe ngjarje madhore si ajo e ’97-s, rezultoi e ditur nga të gjithë. Edhe mamaja ime që futi një milion lekë të vjetra e dinte që s’e kishin të gjatë, por tha: “Po e provoj njëherë, para se të pëlcasë”. Humbi gjysmat, por pati mirësinë të mos ngatërrohej me protestat në rrugë dhe plaçkitjet e depove. Megjithatë, para saj, kolapsin e firmave piramidale e kishin paralajmëruar edhe institucione ndërkombëtare. Pas trazirave dolën shumë profetë që asokohe i paskëshin tërhequr vëmendjen qeverisë, ndoshta jo gjithnjë publikisht. Kështu u tha.

Në kafenetë shqiptare qarkullon çdo lloj informacioni, nga dashnorja e filanit deri tek aferat më të pista të mundshme. Aftësia është të dallosh të vërtetën nga e trilluara, realitetin nga fantazia, shtrembërimet nga sinqeriteti, depistimet nga rrëfimi. Procesi ndonjëherë i ngjason kërkimit të gjilpërës në kashtë, ndonjëherë të traut në syrin tënd. E keqja është kur të gjithë bien në krahët e realpolitikës: “e dimë por nuk e themi dot, se kështu e do puna”. Sytë gjithnjë përpjetë, si për të treguar një forcë hyjnore, me të cilën flitet vetëm me gjuhën e fatalitetit.

Pyetja e thjeshtë është kjo: “Shqiptarët nuk i shikojnë problemet e tyre se veprojnë si struci, ndoshta nga padija dhe naiviteti, apo e bëjnë se ndihen të fortë në zgjuarsinë e tyre levantine?” Në lagjen time këtë lloj zgjuarsie dritëshkurtër do ta quanin finokëri, kopilllëk ose shkërdh… Në qarqet e larta ndoshta e quajnë realpolitik ose sens pragmatik.

Fakti më tronditës është se, pas çdo ngjarje të kobshme, të gjithë bëjmë të paditurin. Duke filluar nga mediat, që telekamerat i kanë rezervuar vetëm për kollaret e politikanëve. Përballë gënjeshtrave shumëvjeçare hiqemi si të virgjër, edhe pse i kemi provuar të gjitha perversitetet, duke filluar nga historitë e kafesë së mëngjesit. Ka raste që pyes veten nëse ka ndonjë dallim nga perversi praktikues dhe voyeuristi i varur nga mania e tij. Sepse midis ekzibicionistit dhe voyeuristit lidhja është e padiskutueshme, por…

Këtu hynë në lojë teoritë e komplotit. Sa herë që ndodh diçka e pakëndshme, në Shqipëri fantazia lëshohet pa fre drejt lëndinave të imagjinatës. E vërteta shkon e hollohet në narrativat pafund të komploteve kombëtare e ndërkombëtare. Edhe përgjegjësitë, pësojnë të njëjtin fat. Kush e shkaktoi tragjedinë e Gërdecit? Armiku i jashtëm? Armiku i brendshëm? Armiqtë historikë të popullit? Aleanca famëkeqe midis tyre? Mund të ketë qenë edhe konkurrenca e padrejtë, pakujdesia e punonjësve, mungesa e sigurisë, por edhe këto mund të kenë qenë të induktuara nga armiku, ose më përgjithësisht nga “ata që s’na e duan të mirën”? Po sikur të jemi ne ata që nuk ia duam të mirën vetes? Do të ishte absurde, por absurditeti është ulur këmbëkryq në Shqipëri.

4 Komente

  1. Nuk e di se pse, por ndërsa lexoja këtë shkrim, më erdhi ndërmënd fushata që ka marrë qesveria kineze për të civilizuar banorët e Pekinit me rastin e Olimpiadës.
    Ne europianëve; “mos pështyni përtokë”, “mos u ulni nëpër trotuare”, “mos u shtyni” etj etj na duken kinezërira, por në rastin konkret këto “kinezërira” kanë filluar t’ja ndryshojnë faqen Pekinit.
    Në rastin e ne shqipëtarëve, nuk është se nuk i dimë rregullat dhe se si duhet të veprojmë në raste të ndryshme; ata që janë jashtë, kanë një sens të respektimit të regullave dhe ligjeve që ka të bëjë me edukatën qytetare të ambjentit ku jetojnë, ndërsa në Shqipëri… është ambjenti, janë shëmbujt që ofrojnë medjat dhe politika që ulin nivelin e sensit civil të banorëve, ku, edhe pse i dinë të gjitha, asgjë nuk ju bën përshtypje.

  2. Te hedhurit e fajit -per cdo gjeme, e fatkeqesi qe na perqarket- tek “armiqte e huaj”, qe ne shumicen e rasteve jane edhe imagjinare, eshte gjeja me e thjeshte. Dhe padyshim zgjidhja “me e mire”, per te kenaqur egon tone .

    Shpesh here nuk kuptojme, se duke vepruar ne menyre te tille, e kemi te pamundur te shohim qarte, dhe te ecim perpara.

    Do guxim te pranosh, se e mira dhe e keqja , jane dy anet e te njejtes monedhe; dhe si te tilla, jane edhe komponente qe ekzistojne padyshim edhe brenda nesh.

  3. Lajmet dhe zhurma
    Eshte i veshtire vleresimi “drejt” i lajmeve dhe i “lajmdhenesve” sot ne shqiperi. Organet e shtypit, ato privatet, nuk dihet qarte, sipas meje, se kujt i perkasin.
    Me vijne menjehere ne mendje gazetat qe shperndajne gratis ketu ne Rome kur futesh ne metro ne oren 6 e 30 te mengjesit: une i quaj fotografi reklamash me nje kollone lajmesh anash;
    shumica e organeve te shtypit ne shqiperi nuk jane as edhe kaq.
    tung
    Nipi

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin