MIRË PËR TË GJITHË

Pavarësia e Kosovës i lumturoi të gjithë shqiptarët, në Kosovë, në Shqipëri e në mërgim. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe pas realizimit të ëndrrës shumëshekullore. Në të njëjtën masë u pikëlluan serbët (apo një pjesë e tyre?) dhe disa qarqe që mbështesin idetë shoviniste. Më pak të matshme janë shqetësimet dhe frika primordiale e disa mediave nëpër Evropë e gjetiu. E megjithatë, mjaftojnë disa llogari të thjeshta, jo detyrimisht gjeostrategjike, dhe del qartë se pavarësia e Kosovës është në të mirë të të gjithëve.

Prej kohësh diplomacia perëndimore e kishte kuptuar se statusi i Kosovës duhej qartësuar herët a vonë. Qëndrimi pezull nuk shkonte në favor, në radhë të parë, të kosovarëve, të cilëve u duhej siguruar korniza e qartë institucionale për të ndërtuar jetën e tyre si bashkësi. Tek e fundit, edhe vetë ekonomia varet nga përcaktimi i statusit, ku gjendet zanafilla e shumë problemeve. Përveç kësaj, pavarësia ishte kurorëzimi i përpjekjeve dhe dëshirave i të gjithë kosovarëve, vullneti i të cilëve nuk mund të shpërfillej, sidomos pas periudhës nën sundimin mizor serb. Vrasjet, torturat, përdhunimet, mohimi i të drejtave elementare, pastrimi etnik, etj. Nuk mund të mos linin shenjë në popullsinë shqiptare të Kosovës. Pavarësisht se nga bulevardet evropiane mund të arsyetizohet çdo gjë, rezulton e vështirë të kapërcesh disa pragje ndjenjash të shtresëzuara në kohë. Të zgjatesh në argumentimet se pavarësia e Kosovës është në të mirë të kosovarëve duket e tepërt, përderisa ka të bëjë me vullnetin e të gjithë shqiptarëve që jetojnë atje.

Megjithëse tingëllon absurde, pavarësia e Kosovës është në të mirë të serbëve. “La Serbie libérée du Kosovo?” kështu Jacques Rupnik ka titulluar një artikull të vetin në fillim të muajit. Serbët ndoshta nuk e dinë, ndoshta do ta kuptojnë më vonë, por pavarësia e Kosovës u jep shansin që të shkëputen një herë e përgjithmonë nga e kaluara. Në fakt, serbët kanë vite që jetojnë me kokën mbrapa, duke parë më shumë nga e kaluara se sa nga e ardhmja. Për shumë kohë politika serbe dhe opinioni publik kanë ngecur në kurthin e miteve nacionaliste, çka i ka penguar të kultivojnë vlerat moderne të bashkëjetesës. Kosova e sotme do t’i ndihmojë të dalin nga zhgjëndrra kombëtariste në të cilën kanë rënë prej kohësh. Mjafton të thyhet rrethi vicioz midis politikës, kulturës dhe opinionit publik, mjafton që një element i tyre të zgjohet, dhe mbretin lakuriq do ta shohin të gjithë: Serbia ka mbetur peng e instrumentalizimit, peng e së kaluarës. Në këtë kuptim, Kosova përbënte një “barrë të rëndë” për vetëdijen kolektive të serbëve. Fajtorët e shndërrimit të Kosovës në faktor pengese për të ardhmen e Serbisë duhen parë tek manipuluesit e miteve nacionaliste, të cilëve – historia është bujare me shembuj të shumtë – u ka interesuar gjithnjë pushteti jo mirëqenia e bashkësisë. Deklarata e 17 shkurtit u jep mundësinë serbeve ta riformatojnë projektin e tyre kombëtar drejt së ardhmes. Rruga që kishin nisur ishte në drejtim të gabuar, drejt humnerës.

Pavarësia e Kosovës do të ndihmojë pa dyshim edhe fqinjët e tjerë si Mali i Zi dhe Maqedonia. Këto vende, përveçse do t’i shpëtojnë kompleksit të liliputëve, do të kenë mundësi t’i rindërtojnë nga e para marrëdhëniet me një shtet (të Kosovës) që bashkëjetesën ndërmjet pakicave e ka si kusht ndërkombëtar, por edhe në flamur. Nga ana tjetër, qartësimi i kontureve të Kosovës largon çdo lloj mjegulle ballkanike. Që këtej e tutje qoftë Mali i Zi, qoftë Maqedonia e kanë të qartë me kë duhet të komunikojnë. Me fjalë të tjera, do të verifikohet institucionalizimi i marrëdhënieve, çka do të normalizojë e do të fusë në kanale të përcaktuara mirë raportet midis fqinjëve. Amullia e deritanishme nuk i ndihmonte këto vende të instauronin marrëdhënie të kthjellëta, të bazuara në projekte afatgjata. Kjo pikë është nënvizuar prej kohësh nga kërkesat ekonomike të vendeve të rajonit, aspirata e përbashkët e të cilëve mbetet integrimi në Evropë.

Së fundi Shqipëria. Zgjidhja e çështjes kosovare e projekton edhe Shqipërinë drejt së ardhmes, jo sepse ka qenë peng e miteve, por ngaqë energjitë e shpenzuara (me të drejtë) në favor të Kosovës, tani mund të shkojnë në drejtime të tjera. Pavarësia e Kosovës e ndihmon Shqipërinë të shikojë nga e ardhmja dhe të përshpejtojë proceset integruese. Madje, zhvillimi i nesërm i Kosovës mund të përbëjnë përnjimend një shtytje të fuqishme për ekonominë dhe psikologjinë e shqiptarëve. Tirana, falë pavarësisë së Prishtinës, mund të normalizojë edhe më tej marrëdhëniet me fqinjët, pa ngërçet dhe hatëret e kaluara; edhe me vetë Beogradin, në qoftë se ky e kupton se bojkoti nuk të çon larg, Tirana mund të bashkëpunojë më mirë në kushtet e sotme.

Me pak fjalë, shpallja e Kosovës si shtet i pavarur solli një element qartësie në Ballkan. Si i tillë mund dhe duhet të shihet si element stabiliteti dhe paqeje për të gjithë. Pra urimet për Kosovën e re i duhen bërë të gjithë atyre që e shohin veten në Evropë.

5 Komente

  1. Sot e kesaj dite, propaganda e semure kombetariste serbe, shperberjen e ish Jugosllavise, ja serviri popullit serb si viktima e rradhes e intrigave te fuqive perendimore dhe jo si rrezik dhe kercenim te lirive dhe te drejtave jo vetem te popujve te Jugosllavise por dhe te vete Europes me gjere. Dihet se Jugosllavia trashegoj nje makine ushtarake te frikshme te cilen e ka edhe sot e kesaj dite po aq efektive sa edhe para njezet vjetesh. Ashkush ne Europe nuk e ndjente veten e sigurte perballe nje makine te tille.

    Mirepo perballe nje situate te tille, e vetmja vegel qe i mbeti ne dore Serbise ishte cekici dhe te gjitha problemet qe po i dilin perpara i dukeshin si gozhde. Dhe ishte pikerisht kjo qe e coj vendin ne renimin total dhe shkaktoj drama me pasoja te pa llogariteshme per te gjithe rajonin. Gjate gjithe kesaj kohe ekstremizimi kombetarist serb ishte shume i kudesshem qe, me perjashitm te Zoran Gjigjiq, brezin e politikaneve qe do te pasonin ta zgjidhte te tille qe te vazhdonte politiken intolerante shoviniste dhe luftembjellese. Nese Serbia nuk do ta kishte mbajtur koken mbrapa, atehere sot pas 17 vjetesh, do te kishim me siguri nje pamje krejt tjeter ne te gjithe rajonin e Ballkanit.

    Dhene pozicionit gjegrafik, Kosova e lire do te jete ura lidhese e shkembimit dhe bashkepunimit midis popujve qe dine te jetojne ne fqinjesi krahperkrah pa nevojen e valvitjes sentimentale te flamujve neper sheshe. Shume shpejt Europa do kuptoje se shqiptareve nuk i eshte dhene mundesia t’ju tregojne se me te veretete jane pjese e saj.

    Shume bukur Pishak.

  2. Zgjidhja e çështjes kosovare e projekton edhe Shqipërinë drejt së ardhmes, jo sepse ka qenë peng e miteve, por ngaqë energjitë e shpenzuara (me të drejtë) në favor të Kosovës, tani mund të shkojnë në drejtime të tjera

    Nje nga keto drejtime shpresoj te jete unioni politik me ‘fiset tribale’ te Kosoves (Muc Nano TM), qe do te sherbeje si nje katalist per nje katarsis qe i ben mire dhe Shqiperise dhe Kosoves. Pse? Sepse (te pakten ne Tirane) njerezit e caktuar nga Ramizi, te cilin e caktoi Enveri, te cilin e caktoi Tito NUK DO TE KENE ME VEND.

  3. Qafir Arnaut,

    Me duket se harove SALIUN te caktuar nga RAMIZI i cili shpesh i ka penguar zhvillimet pozitive ne Kosove; natyrisht per te mbajtur pushtetin e tij e pa spekulluar me hamendje te linjes konspirative agjenturore.

    Ne kete rast do te kisha deshire te fusja edhe Fatosin qe nuk eshte me “evliha” por qe rrjedha e pushtetit pas RAMIZIT nuk me jep shume krah qe ta bej nje hamendje te tille.

  4. Pishaku thote:

    “Pavarësia e Kosovës do të ndihmojë pa dyshim edhe fqinjët e tjerë si Mali i Zi dhe Maqedonia. Këto vende, përveçse do t’i shpëtojnë kompleksit të liliputëve, do të kenë mundësi t’i rindërtojnë nga e para marrëdhëniet me një shtet (të Kosovës) që bashkëjetesën ndërmjet pakicave e ka si kusht ndërkombëtar, por edhe në flamur.”

    Verejtja eshte shume interesante Pishak, por une do kisha edhe nje kendveshtrim tjeter te saj. Ato nuk kane per t’i shpetuar kompleksit te “liliputit” sepse shqpitaret jane tashme te “medhenjte” e rajonit. Jo ne kuptimin e Shqiperise se madhe apo shtrirjes territoriale, por te identitetit pa dyshim.
    Domethenia e kesaj eshte e tille qe ne duhet t’i ndertojme mardheniet me fqinjet nisur nga kompleksi i te madhit, qe jo vetem shfaq tolerance ndaj te voglit, por sigurisht merr edhe pergjegjesite qe vijne me te qenit i madh. Pra maturia qe u kerkohet Shqiptareve eshte si te thuash e domosdoshme per rajonin. Nuk mund t’ia lejojme me vetes te sillemi si femije. Mendoj se ky eshte problemi qe kane shqiptaret – jo vetem Kosova pra – a do dime te sillemi si te rritur?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin